Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N.Biçaku
Pjesa e dytë
ORIENTI EUROPES
Land af Albania ! Let me bend mine eyes
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Memorie.al/Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
Ngadalë dhe me kujdes çifti në fjalë i hap rrugën automobilit tonë. Gruaja ç´frytëzon rastin, për një pushim të shkurtër për të shikuar pas nesh, por zotëria i saj dhe zoti i shtëpisë nuk denjon të qëndrojë, por e shpejton gomarin me shkop. Figura e gruas së gungëzuar duhet të dyfishojë shpejtësinë, për ta arritur atë. Në mjegullën e tymit zhduket kjo pamje e një bashkëshortësie evropiane në vitin 1935.
Mbi ne shkëlqen dielli i Shqipërisë, intensiv dhe i pa mëshirshëm.
Tani jemi jashtë Durrësit. Midis disa shtëpive dalloj një mur madhështorë kështjelle, një kujtim i vjetër prej kohës së kolonializmit venedikas, i cili të kujton historinë e çuditshme të këtij vendi të harruar. Kjo rrugë, që neve po kalojmë me “Kadillak”-un e fuqishëm, nuk është një rrugë e rëndomtë. Kjo është tokë historike: e famshmja Via Egnatia, ajo rruga e vjetër ushtarake e romakëve, që në kohën e lashtë, kryqëzonin gjithë Shqipërinë, në të cilën legjionet e pa përballueshme romake marshonin në kolona. Para romakëve qenë ushtarët grek, që marshonin në këtë rrugë. Atëhere Durrësi quhej Epidamnius dhe qe një koloni e begatshme greke. Para grekëve ushtarët e mbretërisë Ilire. Historia e Shqipërisë është shumë e lashtë.
Motori gërhet si një mace dhe gurët e zhavorrit të rrugës kërcasin në parafangot e veturës. Xhadeja është e mirë. Me shtatëdhjetë kilometra në orë, nxitojmë përpara në Vijën Egnatia. Terreni kalon në një formacion kodrinore të butë, djerrishtë të shkretuar nga dielli. Në horizont të ngritura gjithë kohën, shoh këto male të paharruara aventuriere, që unë së pari u konfrontova nga dera e hapur e sallonit të duhanit.
UDHË TREGUESI PREJ KRUJE
I
Historia e Shqipërisë përmbledh tre mijëvjeçarët, tre mijë vjet me luftëra të pa ndërprera, gjithmonë shqetësim, vazhdimisht pasiguri.
Për ironinë e dhimbshme të fatit, fuqitë e mëdha të botës zgjodhën pikërisht këtë vendin e vogël malor dhe të varfër, si vend spektakli për konfliktet e tyre ushtarake dhe fetare. Në lugina dhe qafë malesh, prej Shkodre në veri, deri në Sarandë në jugë, ka luftuar Roma kundër Eladhës, Bizanti kundër Romës, islamizmi kundër krishterizmit. Shqiptarët gjithnjë kanë luftuar të regjistruar me detyrim si ushtarë në ushtritë e mbretërve dhe imperatorëve te huajë, si mbrojtës vullnetarë të maleve të mbuluar me dëborë, kundër pushtuesve të huaj. Për herë të parë në kohën tonë që ëndrra e lirisë, më në fund me gjithë mend u realizua. Më 1 shtator 1928, u betua Ahmet Zogu, si Zog I-rë, Mbreti i Shqiptarëve, betim në kushtetutën e re të Monarkisë.
Gjatë mijëvjeçarit të parë, të historisë tremijë vjeçare shqiptare, shihet lindja e mbretërisë ilire dhe Mbreti Bardhyl, t’a zgjerojë sundimin e tij prej Trieste, gjer në gjirin e Artës. Filipi dhe Aleksandri, nënshtrojnë përpara Elasin, pastaj pjesën tjetër të botës së dëgjuar dhe ma vonë, gjithë kjo krijesë madhështore të përmbyset krejtësisht dhe Iliria, përsëri të bëhet e pavarur. Nga mbretërit Ilirianë, përmenden emra si: Kladius, Agron, Teuta.
Por qe vetëm veriu dhe pjesët e Shqipërisë së mesme, që përbënin dominancën e këtyre mbretërve. Jugu i Shqipërisë, ishte pjesë e mbretërisë së Molosve dhe në luftëra me këtë shtet, me hidhërim, u njohën romakët me aftësitë luftarake, të popullit shqiptarë. Fitorja e Pirros është e njohur, po ashtu edhe lufta e elefantëve, që në atë kohë për herë të pare, sulmuan infanterinë romake. Tanket e luftës botërore në një mishërim të ma përparshëm.
Tani natyrisht mund të prisje, që maqedonasit, ilirët dhe molosët – pra edhe shqiptarët – duhet të kishin pas pësuar, ndikime të mëdha prej kulturës helene, por të jep përshtypjen se këto ndikime, kanë qenë të një natyre të shpejtë kalimtare. Të paktën, duket se kurrë nuk kanë pas ndonjë rëndësi të vërtetë, për shtresën e gjerë të popullit. Por dy koloni të dëgjuara greke, gjendeshin në atë kohë në tokë shqiptare: Epidamnus (Durrësi i tanishëm) dhe Apolonia, por për arsye të terrenit të vështirë dhe jo prodhues të vendit Ilirian, kolonitë mbajtën krejt natyrshëm relacione më intime me Romën, se me Hellasin. Këto lidhje çuan më vonë në lindjen e një sfere interesi në Ilirinë dhe këtu qëndron pra, për herë të parë në historinë e botës, politika aktive Ballkanike, italiane, një politikë, që vazhdon akoma për mëshirë në vitin 1936.
Interesi i sferës romake përhapej gjithnjë e më shumë dhe mbaron me atë që Iliria, Maqedonia dhe Epiri, bëhen pronë romake. Në këtë mënyrë Roma ka gjetur një bazë të jashtëzakonshme, për pushtime të tjera. Shqiptarët trima luftëtarë, i ofrojnë një materie ushtarësh të mrekullueshëm dhe bëhen legjionar, në ushtritë romake ose nderohen duke u rekrutuar, në gardën mbrojtëse të perandorit.
Garnizone dhe magazina ngrihen kudo. Me vështirësi të pafundëshme, përfundon triumfi i inxhinierëve, që i ngeli botës me emrin rruga Egnatia: rruga e madhe ushtarake, që me Durrësin si pikënisje, çanë përmes gjithë Shqipërinë. Çdo gjë u ka ec mirë romakëve, vetëm në një pike, është stop. Ata nuk patën kurrë sukses ti kthejnë shqiptarët në romakë. Gjatë bregdetit dhe luginave, ka me të vërtetë gjurma të kulturës romake si në jetesë, doke dhe mënyrës së të menduarit, por populli i vendeve malore, është dhe do mbetet i njëjti popull tradicionalisht shqiptarë.
Është e vlefshme të theksohet, se asnjë sundues, asnjë fuqi e huajë deri në ditët tona, ka mund me e ndryshuar karakterin e malësorit, sipas dëshirës tyre. Pasardhësit e më vonshëm të romakëve me siglën fashiste në jakën e palltos dhe me trurin të mbushur plot, me fraza të zjarrta nga makina propagandistike, kanë të njëjtën përvojë. Filozofia e jetës së malësorit shqiptarë, është akoma e pa lëkundshme, jetesa e tij është gjithnjë po ajo. Në këtë pikë ai me sukses ka mundur që tu kundërshtojë të gjithë sulmeve, gjatë gjithë kohërave. Malësori shqiptarë është nervi dhe forca e vendit. Hala edhe sot.
Pjesa tjetër e historisë tre mijëvjeçare shqiptare, lidhet me një konflikt tmerrësisht shpirtëror nga ana materiale: hyrja e krishterimit.
Në vitin 395 ndahet bota në lindje dhe perëndim dhe Shqipëria luhatet e braktisur midis lindjes dhe perëndimit dhe më në fund, të ndodhet si një pjesë e vogël e Bizantit të fuqishëm. Por fatkeqësisht edhe pozita gjeografike e vendit, bën që vazhdimisht bie në qendër të konflikteve të mëdha. Ata u detyruan të përjetonin invasionet e përgjakshme të hunëve, gotëve dhe avarëve, dhe në vitin 650 të serbëve dhe kroatëve. Dyqind vjet më vonë, ndodh edhe një tjetër valë lumi shkatërrues.
Këtë herë janë bullgarët që vërshojnë brenda kufijve të vendit. Lind Mbretëria e Ohrit, midis Danubit e Mores dhe Shqipëria, përsëri është një pjesë e rëndomtë e një shteti të fortë, që pak më vonë të jetë një pjesë pa vlerë e një tjetri: “Vrasësi bullgar”, perandori Vasili II i Bizantit, shtyp shtetin e Ohrit dhe një mëkëmbës bizantin, marshon dhe vendoset në Durrës. Shqiptarët janë shtetas herë nën njërin, herë nën tjetrin komb. Ndoshta pikërisht prandaj, ata kanë mbetur shqiptarë. Ata nuk arrijnë kurrë të asimilohen më popull të huaj, para se zotërinj të rijë i’a befin në derë, në këtë arenën për herë njësoj të përgjakur.
Paralel me këto luftëra qindvjeçare në malet shqiptare, kështu që populli përfiton orientim luftarak dhe armët janë vetvetiu të domosdoshme, si teshat dhe ushqimi, vazhdon një përleshje tjetër. Përfaqësuesit e Romës katolike dhe të Bizantit ortodoks-grek, kanë filluar një garë grindjesh të ashpra, për fenë e popullsisë së malësisë. Lufta shkon herë para, herë pas.
Kur Robert Giskardi me nomadët e tij sulmon Bizantin, perandori i Bizantit, kërkon ndihmën e marinës së Venedikut. Republika e pasur i ndihmon me flotë, pare, dhe si shpërblim, merr kolonitë në bregdetin shqiptarë, që do të thotë, një fitore të katolicizmit. Peshkop romakë, priftërinj dhe murgj, shkelin vendin dhe ngrenë manastire dhe kisha. Shumë më vonë fiton grek – ortodoksia dhe nga fundi i viteve 1300, humb definitivisht Jugu i Shqipërisë, për katolicizmin dhe është ashtu edhe sot.
Është interesant të shënohet, se si në këtë kohë, fillon të dalë një pjesë e vogël çifligarësh.
Ushtarët trima shqiptarë luftojnë herë në njërën ushtri, herë në tjetrën. Ata shpërblehen për kontributin e tyre, me çifliqe të vogla, që vazhdon në trashëgimi nga baba tek djali.
Një klasë çifligarësh fillon të lindë dhe në këtë rrugë, ekzakt sikurse në shumë vende të tjera, rritet dhe zhvillohet ndjenja kombëtare.
Perëndimi nuk mundte faktikisht me vazhduar të ketë më kontroll mbi vendin. Një tjetër valë përmbytëse e madhe vërshon, në Shqipëri dhe Evropë: Islamizmi. Shtetet e serbëve, grekëve dhe bullgarëve, u përmbysen. Bizanti u shtyp. Flamuri i gjelbërt i Profetit, valonte fitimtarë dhe kërcënues. Më 1339, bie Tërnova, 1430 Selaniku, 1431 Janina, 1449 Arta. Murati II-të, është zot mbi Shqipërinë. Të paktën zot si emër. Në realitet sundimi i tij, nuk është aspak i sigurt. Në të vërtetë në këtë kohë, hynë në historinë e Shqipërisë, figura më interesante: Gjergj Kastrioti, më i njohur me emrin Skënder Beu.
Skënderbeu u bë burri i rëndësishëm në historinë botërore. Për shqiptarët ai është simboli i kuptimit të kombit, për heroizmin shqiptarë, për çdo gjë që shqiptari krenohet, ta quaj veten shqiptarë. Ai është një shenjtor, që ushtron më shumë fuqi graviditeti, se sa vetë profeti dhe virgjen Maria. Akoma dhe sot, në Shqipërinë e 1936-ës, ai qëndron në qendër të interesit.
Fotografia e tij varët pranë Mbretit Zog, në lokalet zyrtare dhe nëpër shtëpia private. Helmeta e Tij, përshtatet për simbol bashkimit kombëtar. Tregimet për jetën e Tij, përbëjnë motivet për ato mijëra këngë, që këndohen në gjithë vendin. Në një kafe moderne në Tiranë, kam dëgju një këngëtarë të këndojë për trimëritë e tij, natë pas nate, ndërsa buria e veturës bie atje përjashta dhe prefekti elegant, nxiton për në barin e klubit të Tenisit, për të kthye një gotë koktaili.
Skënderbeu qysh në pamjen e jashtme, ashtu siç paraqitet në vaj dhe litografi primitive kudo ne vend, të ngjall interes dhe të impresionon.
Një mjekër madhështore të bardhë, që arrin mjaft poshtë në gjoksin e beftë të fuqishëm, përbën një profil të pastër, me një hundë pak të kërrusur. Koka është pak e hedhur, ka një qëndrim të një sunduesi krenar dhe kurorëzuar me helmetën më të çuditshme të botës, besoj: një kësulë të madhe hekuri dhe mbi të formën e kokës, së një sqapi të egër, me dy brirë me majat përpjetë drejt qiellit.
Është pothuaj helmetë e shëmtuar, por është mjaft e përshtatshme, për këtë kokë madhështore e i jep këtij burrit mjekërbardhë, një farë aspekti të një vikingu nordik. Kjo është njëkohësisht një helmetë e habitshme, që ka fut miza në kokat e hulumtuesve, të historisë në gjeneracione. Asnjë ende nuk ka arrit me lënë ndonjë shpjegim të pranueshëm, për simbolikën e kësaj kësule kurioze. Vetëm një gjë është e qartë, që ajo me të vërtetë është simbol. Në lidhje me këtë puqen mendimet.
Skënderbeu lindi në Krujë, në Shqipërinë e mesme, një qytet i vogël, që është ngjitur në shkallë rrasash dhe tarraca të fund malit, një terren i vështirë dhe relativisht i kollajtë, për ta mbrojt, që natyra e ka pajisë me parakushte te shkëlqyeshme, për të mund me i përballuar armikut të bezdisshëm. Kur koha është e kthjellët dhe e qartë, banorët e Krujës e shohin në horizont linjën e kaltër, të Adriatikut. Kur koha është e keqe nuk shohin asgjë, sepse ngrihet një mjegull e egër, e lagët nga lugina dhe përhap pëlhurën e sajë të dendur, mbi shtëpitë e ulëta, xhaminë e vogël dhe mbi kalanë madhështore, që ruan qytetin.
Babai i tij, Gjon Kastrioti, qe sunduesi i qytetit dhe trevës dhe rezidencën, e kishte në këtë kështjellë, që sipas situatës së kohës, përbënte një bazë jashtëzakonisht të fortë, gati të papushtueshme dhe qe një arrë e fortë, për t’u thye për islamizmin. Sulltani armatoste ekspedicione njëra pas tjetrës, për ta nënshtrua sunduesin kryeneç të Krujës, por u duk se qe e pa mundur, për t’i mposht këta malësor shqiptarë, të mirë mbrojtur.
Por më në fund Gjon Kastrioti, detyrohet të dorëzohet përpara superfuqisë, sikur thotë legjenda, kuptohet, një mëkëmbës turk mori pallatin e tij dhe tre djemtë e vegjël të tij, dërgohen në burg në Adrianopol. Nga ata tre djemtë, Sulltani i vrau dy gati menjëherë, ndërsa të tretin, Gjergjin, i fali jetën, pasi ai sipas ligjit turk, mallkon besimin krishtere dhe kalon në atë mysliman. Atij i’u dha dhe një emër i ri dhe më turk, në vend të emrit krishter Gjergj: Iskender (d.m.th. Aleksandër). Më vonë, për bëmat trimërie i’u dha titulli Bej, dhe ky qe pra Iskender Bej, që ma vonë u shqipërua në Skënderbeg.
Skënderbeu dëftoi që ishte biri i të atit. Që në moshën 18 vjeç, si komandant i një ushtrie, shtypi një kryengritje në Bursa të Azisë së Vogël dhe ky sukses, bëri që të fitojë besimin e Sulltanit dhe të gradohet. Por ndryshe nga shumë shqiptarë të tjerë, të cilët vullnetarisht apo me detyrim, kishin hyrë në shërbim të Turqisë, ai nuk e harroi vendlindjen dhe krahinën e tij, për sjelljet e ndershme dhe shtimin e influencës së tij, në Turqinë e fuqishme.
Pas fitores së madhe të Janosh Huniadit, mbi trupat turke më 1443, ai arratiset dhe kthehet në Shqipëri. Kështu ai mundi me 300 veta, të arrij të hyjë brenda mureve të Krujës dhe të mposhtë garnizonin turk dhe prej asaj kohe, kuptohet vetvetiu zuri vendin si diktator i pakufizueshëm i Krujës, që më përpara e kishte pas i ati. Feja islame duket se nuk i ka lënë ndonjë mbresë të madhe në shpirt. Ai kalon në kristianizëm dhe kështu bëhet një nga mbrojtësit, më energjik të krishterimit, gjatë gjithë jetës tij në atë epokë.
Dhe që prej atij viti, Shqipëria përjetoi një çerek shekulli, që është më interesanti, më fantastik dhe e pa besueshme në gjithë historinë e sajë, të çuditshme dhe çoroditëse. Natyrisht që brez pas brezi, legjenda për kontributin dhe vlerën e Skënderbeut është rritur, romantizuar dhe disproporcionuar.
Por mjafton që t’u përmbahemi fakteve historike, atyre që kanë paraqitur hulumtuesit e më vonshëm. Ato janë mjaft mahnitëse.
Mjafton, me helmetën e jashtëzakonshme dhe me ushtarët trima pas, Skënderbeu nuk i bindet Sulltanit të fuqishëm. Tashmë pjesa më e madhe e vendit është turke, por është vetëm ky luftëtari kokëkrisur i Krujës dhe populli luftarak i zonës përqark, që kundërshtojnë t’i binden sunduesit turk, i cili ka plane të pushtojë gjithë Evropën dhe se me ushtrinë e fortë dhe resurset financiare, duket se i ka të gjitha mundësitë me i’a nis atij plani.
Por ky zotëria i fortë i Krujës, nuk i bindet fuqisë ushtarake më të fortë të asaj kohe. Ai u çon thirrje të zjarrta prijësve, në veri të Shqipërisë, që të bashkohen në luftën për liri. Ai u tregu si burrë shteti i përmasave të mëdha, duke bindur Venedikun e pasur, që t’a furnizojë me para dhe armë. Ai e zmadhon dhe ma shumë kështjellën e famshme, ndërton kala të tjera përreth krahinës, i nxjerr sulltanit mijëra vështirësi dhe zemërime të të gjitha llojeve. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016