Prof. Dr. Albert Frashëri
Pjesa e dytë
Memorie.al / Të kuptosh kohën tonë nuk është e mundur pa vetëdijen e të ‘Keqes Absolute’ të shekullit të njëzetë. Kombet Perëndimore dhe bota e kulturës në radhë të parë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore u përpoqën të kuptonin dhe të dënonin ideologjinë e nazi-fashizmit.
Ata ishin të vetëdijshëm për rreziqet që ajo ideologji mund të krijonte për të ardhmen e demokracisë. Veprat e artit, letërsia dhe shumë studime të thella u mbështetën nga shoqëria pa e lënë pasdore të vërtetën historike. Në këtë ndërmarrje të madhe u angazhuan të gjitha fushat e kulturës, jo vetëm të së djathtës, por edhe të së majtës.
Shembja e Murit të Berlinit, nëntor 1989, u bë simbol i lëngatës pa dinjitet të një sistemi që përfshiu në vorbullën e tij thuajse gjysmën e kombeve europiane. Ai sistem, me rrënjë në ideologjinë komuniste, ndoqi symbyllur hijen e pajetë të Stalinit. Një pjesë e rëndësishme e intelektualëve të universit kulturor europian dhe, në një masë të konsiderueshme klasa politike e vendeve Perëndimore, ishin infektuar nga idetë e të majtës marksiste.
Nuk ka patur një lëvizje kulturore, një përkushtim të mirëfilltë të klasës politike dhe të shoqërisë për të analizuar dhe dënuar totalitarizmin e majtë, siç kishte bërë dhe vazhdon të bëjë për totalitarizmin e djathtë. Krerët e regjimeve të Europës Lindore, kanë bërë krime monstruoze dhe ende të pa rrëfyera, por në asnjë nga ato vende fajtorët u janë nënshtruar proçeseve gjyqësore sikundër parashikojnë parimet kushtetuese dhe shteti i të drejtës.
Ky nënvlerësim i problemit, vallë, a mund të jetë një pakujdesi e rastit? Pra kemi të bëjmë me një asimetri të papranueshme kundrejt proçeseve që organizuan dhe zhvilluan fituesit e Luftës së Dytë Botënore kundër kriminelëve të regjimeve të djathta. Fill mbas luftës fituesit e saj, Anglia, Bashkimi Sovjetik dhe SH.B.A.-ja, krijuan një trup gjykues special pranë Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare në Nuremberg. Gjykimi u zhvillua në dy faza: akti i parë kundër i 24 kriminelëve kryesorë të luftës pesëvjeçare; akti i dytë, pati 12 proçese sekondare gjithashtu për kriminelë të luftës të një rangu më të ulët.
Mbas shembjes së regjimeve totalitare në krye të proçesit të demokratizimit në vendet euro-lindore, përgjithësisht u vunë ish-komunistë: Jelsin e Putin në Rusi, Beria, Iliesku në Rumani, ofiqarët e Titos e të Millosheviçit në Jugosllavi, etj. Ata nuk e shtruan problemin e të drejtës për të gjykuar krimet e një periudhe të gjatë. Nga ana tjetër, në këtë çështje, indiferenca e demokracive Perëndimore është e pafalshme. Një farë oficeri, gatuar në rangjet e shërbimeve sekrete të Rusisë, vihet në krye të demokratizimit të vendit dhe komandon ushtrinë më të armatosur në planetin tonë. Kjo është absurde dhe tej mase e rrezikshme, sikundër koha po vërteton katërcipërisht.
E çfarë mund të themi për këto forma të totalitarizmave që të rinjtë nuk njohin sa duhet. A është e mundur të fshehësh, të përkëdhelësh një totalitarizëm në hijen e një tjetri?
Është ndërgjegjja ajo që më shtyn të rrëfej absurditetin e një realiteti që nuk duhet nënvlerësuar si një kuriozitet apo si një çudi e të kaluarës. Mendoj që ka pak përpjekje për të medituar mbi qytetërimin e kohës sonë, prirjet e gabuara dhe padrejtësitë që duken sheshit, për mungesën në panoramën botërore të udhëheqësve largpamës. A është e mundur të anashkalojmë, fjala vjen, disa ndodhira pikante të ditëve tona? Çfarë mund të themi për një diktator të rrezikshëm të Lindjes që ëndërron të ringjalli perandoritë e të kaluarës, duke vringëlluar shpatën sa majtas e djathtas? Apo për një ish-president të demokracive perëndimore, që e shpall si ‘gjeni’ aventurierin që dashka të bëhet perandor?
Sot, në kushtet e një krize të vazhdueshme jo vetëm ekonomike, qytetarët rrezikojnë tu kthehen iluzioneve që, një shekull më parë, sollën dy forma të devijuara të pushtetit, dy totalitarizmat që shkaktuan një tragjedi dhe triumfin e përkohshëm të së Keqes Absolute.
A duhet ta marrim parasysh rrezikun e rikthimit të diktaturave në krye të shteteve të rëndësishme? A është e mundur ringjallja e tyre?
Bota perëndimore e dënoi totalitarizmin e të djathtës dhe analizoi shumë pamje të tij. Megjithatë, për fat të keq, nuk janë të paktë qytetarët evropianë që shprehin dyshime për fakte reale të dhunës dhe të vuajtjeve njerëzore para dhe gjatë luftës. Në rastin e totalitarizmave të së majtës, rreziku është shumë më i madh. Indiferenca e shoqërisë bën të mundur ringjalljen e idealit fëminor të barazisë absolute. Në shumicën e vendeve të Lindjes, në krye të proçesit të demokratizimit u vunë ish-komunistë fanatikë.
Sot, mbizotërimi i një letërsie të sheqerosur, thuajse kudo në botë, e ka tradhtuar frymën kritike të artit në vendet Perëndimore. Kam parasysh të ashtuquajturin realizëm kritik, në të cilin sendërtohen shprehjet më fisnike të demokracisë. Mendoj që romani i sheqerosur i kohës sonë, i ngjan opiumit që e venit vetëdijen e qytetarit dhe e largon atë nga problemet e mirëfillta të shoqërisë.
Totalitarizmi i të djathtës në Europën Perëndimore mbretëroi nga 12 në 20 vjet. Ai i të majtës, përkundrazi u zuri frymën popujve të Lindjes për një kohë shumë të gjatë: nga 45 në 72 vjet. Ndryshimi? Njerëzit që lindën dhe jetuan nën hijen dhe çensurën e të majtës u formuan dhe u ambientuan që në fëmininë e tyre me dogmat e ideologjive qe sot po ringjallen dhe rrezikojnë botën. Ideja e barazisë absolute e depërton me lehtësi vetëdijen e njeriut dhe kjo është e rrezikshme sepse shkon kundër parimit natyror të meritës.
Perëndimi nuk ka treguar kujdes për t’i analizuar dhe njohur thellë regjimet totalitare të së majtës: analizat historike dhe, sidomos, veprat artistike e letrare, duhet ta orientojnë brezin e ri kah njohja me themel e tyre. Sot, sa herë që një vend kalon një periudhë të vështirë, ringjallen nostalgjitë e një të kaluare që të rinjtë nuk njohin. Këto nostalgji janë të rrezikshme sot më shumë se kurrë.
Çfarë mund të them më shumë? Do të dëshiroja t’i ofroja lexuesit një fragment të marrë nga të vërtetat e shumta që njoha dhe jetova në rininë time, kur si studentë pas provimeve, na dërgonin në punë vullnetare të detyruar për një apo dy muaj. Ajo përvojë na ndihmoi të kuptojmë jetën e vërtetë: atë që jetuam dhe jo atë që patëm ëndërruar.
“. . . . . . Një mbas-dite, para perëndimit, me Pirron, Seitin, Ahimin dhe dy shokë të tjerë, shkuam të shihnim manastirin, në majën e kodrës pranë kampit. Rruga mes qiparisave dukej e shkretë.
Muret e lartë të manastirit ishin mbuluar nga bimë kacavjerrëse. Ndonjë hardhuckë u fshihej me shpejtësi zhurmave të hapave tona. Futej në hapësirat e ngushta mes gurëve dhe, me ndrojtje apo me frikë, mbante kryet paksa jashtë për të dëgjuar korin e gjinkallave.
Nuk dëgjoheshin më zhurmat e kantierit.
Njëri nga shokët, kërkoi të ndalonim për te tymosur një cigare. Ishte Marku, një student që vinte nga një qytet i veriut. U ulëm nën degët e një peme pranë portës kryesore të manastirit, tashmë të dyllosur. Marku na ofroi nga duhani i tij.
“Është duhan i Shkodrës”. tha.
E përsëriste sa herë që na ofronte nga duhani i tij.
Më kishte folur për vështirësitë e familjes. Jetonin e punonin në fshat. Nuk mund të mbanin më shumë se dy derra, më kish thënë para ca kohe. Rregullorja e kooperativës bujqësore, e ndalonte. Kohën duhej t’ia kushtonin punës kolektive në arat e kooperativës. Qeveria mendonte vetëm për grurë dhe misër, sepse ajo ishte buka e gojës. Për të tjerat, thonin, shohim në të ardhmen. Për nevojat jetike të fshatarëve, fushat e kooperativës kishin fare pak rëndësi. Ata punonin nga mëngjesi në mbrëmje. Pagesa që merrnin nuk mjaftonte as për bukën e përditshme, pra duhej të mbanin bagëtinë, dele apo derra, për të ushqyer familjen, e për një pikë qumësht për të miturit.
Zakonisht Marku dëgjonte të tjerët dhe fliste pak. Të gjithë e donin dhe e respektonin. I gjatë dhe eshtak, dukej si të ishte epiqendra jonë. Perceptonte sipas mënyrës së tij gjithçka flitej mes nesh, reflektonte dhe, pastaj, përsëri dëgjonte. Dukej si të kishte dhjetë vjet më shumë se ne. Vishte një xhaketë të gjatë, që kur e patëm njohur katër vite më parë. Ngjan si dezertor, pati thënë një nga vajzat e kursit tonë.
Një ditë më tregoi për asamblenë e kooperativës, në të cilën sekretari i partisë, kishte njoftuar një udhëzim të ri: familja kooperativiste mund të mbante të shumtën dy derra dhe aspak më shumë.
Ishte ideja e bukës me çdo kusht. Krahina e tyre, thuajse e gjitha katolike, rritjen e derrit e kishte problem kryesor. Por, më thoshte Marku, ky nuk ishte një problem për ta. Çdo familje kishte krijuar një kënd të fshehtë, ku mbante derrat jashtë ligjit. Pra ishin derra që nuk e përfillnin ligjin e Partisë dhe që rriteshin në errësirën e një kafazi të fshehtë.
Kisha parë një film mbi ndalimin e pijeve alkoolike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E quanin proibicionizëm. Te ne, përkundrazi, ishte në fuqi proibicionizmi ndaj derrave, deleve dhe lopëve. Dëmtonin interesin e përbashkët. Delet, derrat dhe lopët ishin dënuar të jetonin në ilegalitet, fshehur ku të mundeshin, ditën dhe natën, e të rrinin në heshtje pa e ngritur zërin.
Ishim ulur nën degët e një larshi, pak metra nga Marku. Ai, mbështetur në portën e manastirit, vazhdonte të tymoste atë cigaren e dredhur që s’e hiqte nga dora. Një hardhuckë, mes dy gurëve të murit, dukej si të ishte mbështetur mbi supin e Markut. Ai nuk e vuri re dhe vazhdoi të dëgjonte. Ndoshta korin e gjinkallave. Nuk e ndiqte bisedën tonë. Shikimi i tij humbiste larg, mbi detin thuajse të padukshëm për shkak të një mjegulle të lehtë që i zinte frymën horizontit.
“Mark, eja na bëj shoqëri”, i thashë.
Marku u ngrit dhe, pa fjalë, u ul pranë nesh.
“Nuk më pyetët si e gjeta familjen”!
Nuk i ngjante qortimit fjala e tij. Të tjerët e shikuan disi të habitur.
“Familjen e gjeta mirë, derrat jo”, foli duke ndezur një tjetër cigare.
Kori i gjinkallave nuk po dëgjohej më. Hardhucka, kureshtare për fjalët e Markut, dilte më në pah mbi supin e tij duke shijuar qetësinë dhe ajrin e freskët të mbrëmjes.
“Doni të dini të rejat e krahinës time”?
Vetëm heshtje. Asnjë përgjigje.
“Partia zbuloi një vend të fshehtë ku rrisnin derra të paligjshëm dhe ua morën familjeve. Derrat e paligjshëm ishin vetëm dy. I sekuestruan.”
Fjalëpakë miku ynë. Fliste kokë ulur pa shikuar në sy asnjë nga ne. Vura re që, ndërsa fliste, mbante mes gishtave një gjinkallë të madhe, që i ishte nënshtruar fatit të saj.
“Administrata e kooperativës dhe sekretari i partisë, të dielën e fundit të muajit, mblodhën njerëzit në sheshin para zyrave. Në pragun e hyrjes, më i lartë se sheshi, i therën, u prenë fytin dy derrave të sekuestruar. Këtë fund do kenë kafshët që mbahen jashtë rregullave, patën thënë me vendosmëri krerët e kooperativës.”
Përsëri heshtje.
Ishte dëshpërimi i Markut që na e rrëfeu, përndryshe nuk do e besonim atë ngjarje të llahtarshme, të padëgjuar. Në dhjetë vitet e para të pasluftës, armiqtë e revolucionit i varnin në litar gjatë natës në sheshe të qytetit dhe i linin varur deri në mbrëmjen e ditës së nesërme. Ata të vdekur, varur në litar, lëkundeshin në ajër për 24 orë në mënyrë që qyteti të mësonte se çfarë i pret armiqtë e proletariatit. Ajo paudhësi kriminale, më sjell ndër mënd lavjerrësin e Fukoit në Paris, që synoi të vërtetonte rrotullimin e Tokës e jo të manifestonte mediokritetin njerëzor.
Derrat i therën në mes të ditës, sepse nuk kishin respektuar rregullat e Partisë. Mendoja për gijotinën dhe për heronjtë e revolucionit francez. Nuk e kuptoja, pse më terrorizoi ideja e vdekjes. Kush e vinte kokën nën gijotinë, ishte i vetëdijshëm për vdekjen. Bagëtia e therur, përkundrazi, e mbyllte jetën pa kuptuar arsyen. Nuk di çfarë mendonin të tjerët. Ideja që të therësh dy bagëti të pafajshme, si armiq të revolucionit, të lë me gojë hapur.
Marku kishte ende nëpër gishta gjinkallën e madhe. Pastaj menjëherë e la të lirë të fluturonte. Kori i gjinkallave e përtëriu ritmin pa e vrarë mendjen për proibicionizmin e çuditshëm të kohës sonë. Tingujt e atij kori i ngjanin një sinfonie që përshëndeste perëndimin e diellit, tej horizontit të largët. Gjinkallat ishin shpërndarë nëpër degët e dendura të pemëve dhe i gëzoheshin intimitetit që ullishtja u krijonte. Nuk kishte frymë njeriu rreth manastirit të dyllosur, përveç nesh dhe mendimit për therjen e bagëtisë së pafajshme në krahinën e Markut. Mendim e pyetje që endeshin në ajër në kërkim të një arsyeje njerëzore për atë ekzekutim absurd në fshatin e mikut tonë.
U ngrita pa shqiptuar një fjalë. U drejtova kah muri i manastirit. Një portë e madhe prej druri të lashtë dhe asgjë tjetër. Nuk mundëm të hynim siç kishim dashur. Hyrjen e gjetëm të dyllosur dhe nga porta kishin shkulur dy kryqet. Dukej qartë gjurma e tyre mbi portë. Murgjit nuk ishin më. Fundi i tyre nuk dihej. Ajo hardhucka që i bënte shoqëri Markut, u zhduk në të çarat e murit, sikur të kishte frikë nga ne.
(Nga romani “L’amara favola albanese” (Gjurmë në ujë), Alberto Frasher, Rubbettino Editore, Roma, 2000)
Njeriu modern, i konsumuar nga rutina dhe ankthi i jetës së përditshme, ia fsheh vetes të Keqen që e mundon dhe me ndihmën e propagandës, e percepton fare pak vuajtjen, madje ndjehet çuditërisht i lumtur. Shpesh herë njeriu përjeton një realitet virtual, të tjetërsuar dhe pa vetëdije të qartë për ekzistencën vetjake. Kështu ai braktis pasionet, mallin për të afërmin, talentin dhe, si pasojë, humbet pamjet më njerëzore që e karakterizojnë. Këto rrethana mund të favorizojnë rritjen spontane, të pavetëdijshme të nostalgjive të së kaluarës dhe të rreziqeve që ato bartin. Duhet të hapim sytë e të jemi të matur./Memorie.al
Në çdo njeri, thoshte Platoni, dremit një tiran.
Terni, shkurt 2022
Botuar në “Il Quotidiano Indipendente”, Milano (dhjetor 2021).
Botuar nee “Rivista Dialoghi Mediterranei”, n. 53, Palermo (1 janar 2022).
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016