Prof. Dr. Albert Frashëri
Memorie.al / Të kuptosh kohën tonë nuk është e mundur pa vetëdijen e të ‘Keqes Absolute’ të shekullit të njëzetë. Kombet Perëndimore dhe bota e kulturës në radhë të parë, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore u përpoqën të kuptonin dhe të dënonin ideologjinë e nazi-fashizmit.
Ata ishin të vetëdijshëm për rreziqet që ajo ideologji mund të krijonte për të ardhmen e demokracisë. Veprat e artit, letërsia dhe shumë studime të thella u mbështetën nga shoqëria pa e lënë pas dore të vërtetën historike. Në këtë ndërmarrje të madhe u angazhuan të gjitha fushat e kulturës, jo vetëm të së djathtës, por edhe të së majtës.
Shembja e Murit të Berlinit, nëntor 1989, u bë simbol i lëngatës pa dinjitet të një sistemi që përfshiu në vorbullën e tij thuajse gjysmën e kombeve europiane. Ai sistem, me rrënjë në ideologjinë komuniste, ndoqi symbyllur hijen e pajetë të Stalinit. Një pjesë e rëndësishme e intelektualëve të universit kulturor europian dhe, në një masë të konsiderueshme klasa politike e vendeve Perëndimore, ishin infektuar nga idetë e të majtës marksiste.
Më pas, nga një pikëpamje thelbësore, ata e anashkaluan, e braktisën të vërtetën mbi të ‘Keqen Absolute’ të totalitarizmit të së majtës. Kjo vazhdon të verifikohet edhe sot në prani të një lloj indiferentizmi të botës së kulturës. Sot është shumë më e lehtë të botosh një roman rozë se sa një vepër letrare që rrëfen vuajtjen njerëzore në vendet ku mbretëroi totalitarizmi i majtë. Ky qëndrim shkon kundër traditës së realizmit kritik të letërsisë Perëndimore.
Thuajse tridhjetë e dy vjet pas rënies së Murit të Berlinit, bota perëndimore nuk është në gjendje të çlirohet nga një krizë me natyrë jo thjeshtë ekonomike. Tej vështirësive ekonomike gradualisht po krijohet bindja e një krize ekzistenciale që i ka rrënjët në modelin e jetës tonë. I yni është një model tej mase i konsumuar nga kohët. Konsumizmi, si parametër kryesor i zhvillimit ekonomik, e ka komprometuar rëndë raportin e Njeriut me Natyrën. Disa të vërteta thelbësore, që deri dje i quanim të konsoliduara, po i shohim të veniten e më pas të perëndojnë.
Përjetuam një eksperiment të dhunshëm e me përmasa gjigante, që pretendonte të zgjidhte problemet e shoqërisë duke ndarë varfërinë e qytetarëve në pjesë të barabarta. Të gjithë njëlloj barabartë përpara ligjit. Retorika e këtij parimi të rremë mund të sjellë vetëm mjerim. Profecia e zviceranit Henri-Frédéric Amiel (1821-1881), thuajse një shekulli e gjysmë më parë, është tronditëse:
“Masat do të jenë gjithmonë poshtë niveleve mesatare. Moshat e mëdha nuk do të respektohen si më parë, barriera e seksit do të zhduket dhe demokracia do të arrijë në absurditet duke i besuar njerëzve më të paaftë çështjet më të rëndësishme. Ky do të jetë dënimi i parimit abstrakt të barazisë që do i heqi injorantit detyrimin për t’u arsimuar, budallait mundësinë për të matur veprimet e tij, fëmijës për t’u pjekur dhe kriminelit për tu korrigjuar. Shteti i të drejtës mbështetur në barazinë absurde do të rrënohet për shkak të pasojave të saj. Kjo do të shkaktohet nga mosnjohja e vlerës që kanë diferencat, merita e individit, përvoja, pra puna dhe djersa individuale: gjithçka do të përfundojë me triumfin e llumit dhe të uniformizimit absurd. Adhurimin i pamjeve sipërfaqësore duke braktisur thelbin e të vërtetës e paguan e ardhmja e shoqërisë”.
Jeta, Universi dhe evolucioni i saj konsistojnë në spontanitetin e diferencave të cilat nga ana e tyre krijojnë lëvizje, zhvillim, konflikt e madje edhe paqe. Që në fillimin e viteve njëzetë, u kuptua që suksesi i eksperimentit rus do të ishte i pamundur. Pakënaqësinë e thellë të shoqërisë regjimi e shndërroi në dhunë kundër qytetarit dhe krijimtarisë së tij. Njeriu, nga qytetar, u trajtua si një qenie e nënshtruar. Krijimtaria i’u nënshtrua propagandës, pjellë e një ideologjie që kishte krijuar vetëm iluzione.
Të orientohesh kah e ardhmja nuk është e mundur pa një vetëdije historike dhe kulturore. Do të ishte sikur të ecësh mbi ujë. Njohja e mirëfilltë e të kaluarës është e domosdoshme për ta bërë qytetarin të vetëdijshëm për të ardhmen e tij. Në dekadat e fundit evolucioni i rendit demokratik drejt përsosjes është mekur dhe herë pas here bën të mundur ringjalljen e nostalgjive për të kaluarën e regjimeve totalitare të djathta apo të majta, që kishin ndrydhur lirinë në tunelin e varfërisë e të nënshtrimit.
Kombet europiane kishin përjetuar një holokaust gjatë një lufte tragjike pesëvjeçare. Por nga viti 1917 deri në rënien e Murit të Berlinit në 1989-ën, pati një holokaust tjetër, të egër e të pafund në kohë e në hapësirë. Ai holokaust, thuajse shekullor, përfshiu në vorbullën e tij gjysmën e kombeve të kontinentit.
Nga përvoja të drejtpërdrejta personale kam njohur totalitarizmin e të majtës në marrëdhënien e tij me jetën e përditshme të qytetarit. Një nga aspektet më komplekse mendoj të jetë raporti i pushtetit me krijimtarinë e qytetarit dhe, në përgjithësi, me universin kulturor të kombit. Mendimi i lirë i qytetarit formohet dhe zhvillohet spontanisht në hapësirën midis shoqërisë dhe propagandës së pushtetit. Në këtë evolucion funksioni i artit është themelor, sikundër edhe në shoqëritë tona demokratike.
Të gjithë, porsa marrin në dorë frenat e pushtetit, shpikin teori që synojnë ta transformojnë artin dhe mediat në aleatë të ideologjisë dhe propagandës së pushtetit. Pikërisht në këtë zonë kritike luhet jetëgjatësia e totalitarizmit. Marrëdhënia midis pushtetit dhe aftësive krijuese të qytetarit bëhet në mënyrë të pashmangshme konfliktuale. Artisti dhe të gjitha format e krijimtarisë njerëzore bëhen viktimat e preferuara të regjimeve totalitare.
E majta në vendet Perëndimore, në thelb, i’u fsheh detyrës për të kuptuar e analizuar rënien e turpshme të komunizmit në gjysmën e dytë të kontinentit, sepse e dinte që duhej të paguante pasojat. Shembja spontane e regjimeve të së majtës ishte pasojë logjike e absurditetit të tyre. Ajo i ngjau një implozioni real e të turpshëm, pa dinjitet dhe i shkruar në kodin gjenetik të ideologjisë së tyre.
Pas rënies së nazifashizmit artet e kanë ri vizituar pafundësisht realitetin dhe vuajtjet që shkaktuan totalitarizmat e Luftës së Dytë Botërore. Në rastin e totalitarizmave të së majtës, përkundrazi, mbretëron një heshtje relative që mendoj të jetë e rrezikshme. Nuk janë nostalgjitë e totalitarizmave që do e shpëtojnë botën.
Dhe, do të theksoja, as propaganda e përciptë e partive nuk është në gjendje të thellojë njohjen e të vërtetave mbi të Keqen Absolute të shekullit XX-të. Vetëm arti, me të gjitha format e tij, mund tu transmetojë qytetarëve të rinj të vërtetën historike mbi tragjedinë dhe vuajtjen që njohën shumë popuj europianë nga 1917-ta deri në vitin 1990.
Ideologjia dhe pushteti synojnë ta censurojnë artin dhe ta transformojnë në instrument të propagandës, por kjo nuk është gjithmonë e mundur falë shpirtit krijues të artistit të lirë. Mendoj që arti dhe shpirti kritik i çdo lloj krijimtarie përbëjnë një pamje sublime të ekzistencës sonë. Universi dhe Natyra, misteri i të Bukurës dhe drita e Urtësisë, Paqja si shprehje e Ekuilibrit dhe Harmonisë, Liria dhe Krijimtaria njerëzore nuk kanë kombësi.
E dinë mirë artistët dhe qytetarët e ndritur të botës që te krijimtaria shohin sharmin e Natyrës, në një farë kuptimi, pavdekësinë e njerëzimit dhe, për këtë bindjen e tyre fisnike, janë të parët që pësojnë dhunën e të Keqes.
Njohja dhe vetëdija për të Keqen mendoj të kenë një kufi që kryesisht varet nga ndjeshmëritë dhe përvojat individuale të atij që në pikëpamje kulturore është formuar në një shoqëri demokratike. Ai limit, në një farë kuptimi thelbësor, është në përpjesëtim të zhdrejtë me ligësinë, me dhunën e ngjarjeve që kanë pasur si viktima miliona qenie njerëzore, fëmijë, gra, të moshuar dhe qytetarë të pambrojtur. Sa më çnjerëzore të jetë dhuna aq më e pabesueshme u duket ajo brezave të reja.
Por nuk është vetëm dhuna. Edhe absurditeti i të Keqes e bën të Vërtetën të pabesueshme. Gjatë Luftës, ndër dy vëllezër, Viktor dhe Enis Frashëri, njëri ishte komunist, tjetri në anën e nacionalistëve. Pas Luftës të dy punonin në të njëjtin qytet.
Nacionalisti mburrej pse kishte një vëlla partizan dhe shend e verë gëzonte karrierën e tij. Partizani komunist, nga ana tjetër, mbeti gjithmonë në syrin e regjimit, si vëllai i një nacionalisti. U katandis aq keq, sa provoi të arratisej, por e kapën dhe e mbyllën në burg. Vdiq i sëmurë dy muaj mbas procesit gjyqësor. Si mund të besohet një marrëzi të tillë?
Duhet kuptuar që çdo formë e ekstremizmit përbën një deformim të ekuilibrit dhe të harmonisë në jetën dhe në mendimet e njeriut. E Keqja fshihet dhe lëshon rrënjë në skutat e çdo ekstremizmi dhe mbin porsa kushtet ia bëjnë të mundur. Të rrëfesh këto ngjarje është e vështirë, në mos e pamundur. Përshkrimi real, autentik i jetëve të tjetërsuara nga dhuna dhe absurditeti duhet të jetë një përparësi e shoqërisë.
Menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, nga kontaktet e shumta me miq të vjetër, kuptova që njerëzit jetonin në një lloj ankthi jo të së kaluarës, tashmë të mbyllur formalisht, por të frikës për të ardhmen. Mendohej fare pak për kohën që lamë pas krahëve dhe për të Keqen e pafundme që kishim njohur e pësuar.
Në vitin 2010 shkova në Shqipëri për të vizituar shenjtëroren e Shën Antonit (Shna’Ndoi – në dialektin e gegërishtes), dyzet kilometra në veri të Tiranës. Regjimi komunist i diktatorit Enver Hoxha në vitin 1967, e rrafshoi me themel atë shenjtore të shek. XVI-të sikundër veproi me të gjitha objektet e kultit në atij kombi martir.
Kisha e Shën Antonit u rindërtua pas vitit 1991. Gjatë fëmijërisë me prindërit e mi, Maria Venturi dhe Përparim F. Frashëri, shkonim një herë në vit në shenjtëroren e Shën Antonit. Flinim jashtë si edhe mijëra besimtarë të tjerë. Një pyll me lisa të rinj ishte streha jonë e natës. Ne ishim të ndjeshëm ndaj traditave fetare. Ato i përkisnin kureshtjes dhe jetës sonë. Duke ri vizituar shenjtëroren, të rindërtuar nga e para, pata një bisedë të gjatë me fratin Fran Pёrlala, për tragjeditë e të kaluarës. Frati Fran më tha: “Duhet të reflektojmë gjatë për të kuptuar arsyen e tragjedisë që jetuam”.
Të kuptosh arsyet e tragjedisë njerëzore…! Një fjalë goje! Historia zor se mund t’i japë përgjigje të plotë pyetjeve të tilla. Mendoj që natyra e të Keqes duhet kërkuar në skutat e labirintit të ekzistencës sonë komplekse, individuale dhe kolektive. Ajo natyrë sendërtohet, shfaqet në një mori formash që na befasojnë. Një sistem i pafund të dhënash, debatesh, analizash politike dhe ekonomike kufizohet me shkrimin e një teorie mbi totalitarizmat.
E vërteta që ofron ajo teori është formale dhe akull e ftohtë në mjedisin e pafund të historisë. Fakti, fjala vjen, që lufta ka patur miliona viktima, shndërrohet në një paragraf me pak rreshta të historisë. Ato mbeten fjalë që e anashkalojnë, e braktisin dhimbjen njerëzore, pra i kthejnë krahët ndjeshmërisë që duhet të karakterizojë specien tonë.
Edhe pse është absolutisht e nevojshme, historia nuk mund ta transmetojë pamjen thelbësore të ngjarjeve: vuajtjen, dramën e njeriut. Vetëm arti, i pakushtëzuar nga teoritë formale, vrojton jetën e individit, rrëfen metamorfozën e tij pa e anashkaluar të Keqen Absolute të kohëve moderne.
Prirja krijuese e mirëfilltë e njeriut, në çdo kohë, ka patur si udhërrëfyes ekzistencën e lirë të individit dhe traditën kulturore të kombit. Kjo ka ndodhur edhe kur dhuna e formave të devijuara të pushtetit është përpjekur ta shndërrojë instinktin krijues të qytetarit në një instrument të propagandës.
Nëse duam të kuptojmë historinë, duhet të nisemi nga individi, duke rrëfyer mundimet, mëdyshjet, gëzimin dhe vuajtjet e tij. Gjatë historisë krijimtaria njerëzore, duke e fokalizuar vëmendjen te njeriu, ka thurur pëlhurën e pamasë të historisë. Do të ishte e pamundur të kuptohej evolucioni i njeriut dhe idetë e tij duke e vëzhguar nga lartësitë e akullta të historisë formale, pa veprën e Homerit, Dantes, Shekspirit, Gëtes apo Dostojevskit.
Arti nëpërmjet pikturës, muzikës dhe letërsisë, ka pavdekësuar ide dhe imazhe besnike të evolucionit njerëzor. Sot ne jemi në gjendje ta dallojmë Njeriun e Mesdheut të lashtë nga ai i Vikingëve, Njeriun i Romës së lashtë nga ai i Mesjetës. Kjo ndjeshmëri është bërë e mundur në saje të veprave të artit, të cilat në të gjitha epokat e kanë përqendruar te Njeriu vëmendjen e krijimtarisë së tyre.
Totalitarizmi i djathtë me një luftë pesëvjeçare, solli 50 milionë viktima të pafajshme: hebrenj dhe romë, rusë dhe polakë, gjermanë dhe italianë, britanikë, amerikanë, kanadezë e australianë. Të pafund ishin vuajtjet e kombeve të Lindjes, të nënshtruar nga forma të pamëshirshme të totalitarizmit të majtë në shtatë dekada të shek. XX-të: privimi i lirisë dhe i të drejtës së pronës, kampet e përqendrimit dhe puna e detyruar, një egalitarizëm mbytës që e zhduku të drejtën natyrore të meritës.
Edhe fëmijët vuajtën së bashku me prindërit e tyre. Mikun tim, Eugjen Merlika, djali i një inxhinieri shqiptar dhe i një profesoreshe italiane të filozofisë, e internuan së bashku me prindërit e tij në një kamp pune të detyruar. Ishte fillimi i vitit 1945. Eugjeni kishte vetëm dy vjeç. Ai u çlirua nga ferri i kampit të përqendrimit në pranverën e vitit 1991. Për herë të parë e pa qiellin e kaltër si njeri i lirë në moshën 49-vjeçare!
A është e mundur të braktisim të vërtetën e këtyre vuajtjeve në analet e historisë formale, sikur ajo e vërtetë të kishte të bënte vetëm me njeriun primitiv? Ajo është e Keqja Absolute që qytetarët e lindjes europiane vuajtën nga viti 1917 deri në rënien e Murit të Berlinit.
Viktima e regjimeve të Evropës Lindore ka përjetuar për një kohë të gjatë realitete të vështira përtej caqeve të tolerueshme nga njeriu. Ajo viktimë, edhe më pas, vazhdon të përjetojë një gjendje meditimi dhe ankthi të pafund. Fillimisht, menjëherë pas çlirimit nga dhuna, e pushton një gëzim i papërmbajtshëm, thuajse i frikshëm. Kjo do të ishte trauma e çlirimit.
Një traumë që më pas i ngjan një deti të qetë, gjithmonë e më të thellë. Me kalimin e kohës del më në pah ndjenja e mospranimit të asaj që ka përjetuar. Dhimbja për padrejtësitë e pësuara bëhet mbizotëruese. Vështirësitë ekonomike të së kaluarës dhe pasojat e saj dalin në plan të dytë. Për kafshën uria sjell vuajtje fizike. Për njeriun, përkundrazi, ajo gjendje e lëndon shpirtin për poshtërimin dhe padrejtësitë absurde që ka pësuar.
Kur beson që çdo gjë ka marrë fund, vjen shkëndija e një drite të mirëfilltë. Viktima kupton që nënshtrimi ka qenë një vuajtje e pafund. Vetëdija e bind që ka jetuar një ekzistencë fund e krye të dhunuar, të dështuar dhe që nuk ka shërim nga kjo e vërtetë e hidhur. Për këtë arsye, jeta e viktimës dominohet nga një ndjenjë pesimizmi që e mundon deri sa i vjen vdekja. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016