Nga Adil Biçaku
Memorie.al /Në këtë shkrim të shkurtër dua të tregoj përpjekjet që Naltmadhnia e Tij, i ndjeri Leka i I-rë, Mbreti i Shqiptarëve, ka ndërmarrë gjatë gjithë jetës së tij, për shpëtimin e shqiptarëve nga diktatura e egër Envero-Staliniste.
Një nga këto, shumë e rëndësishme, ishte edhe Kuvendi në Madrid. Ishte viti 1972. Unë me familjen ndodhesha në Mallorca të Spanjës, për pushimet e verës. Në fund të qershorit 1972, më telefonoi i ndjeri Kolonel Hysen Selmani, adjutant i përhershëm i N.M.T. Zogu I-rë dhe po ashtu i Leka I-rë.
Unë me zonjën time, jemi njohur me Nanën Mbretneshë, Kolonel Hysen Selmanin, kapiten Qazim Prenin, sekretarin e Mbretit për çështjet shqiptare Z. Prof. Dr. Athanas Gegaj dhe Z. Viktor Daragjati, më 17 maj 1968. Mbreti nuk ndodhej në Madrid atë ditë. Ishte dita që unë u martova në Madrid. Zonja ime Julita, është Spanjolle nga province e Segovias.
Nga Madridi shkuam me tren për muajin e mjaltit në Alikante, E dinim që M.T. ndodhej për pushime në Altea, një qytezë peshkatarësh afër Alikantes, e cila ndodhet në juglindje të Spanjës.
Ne shkuma atje dhe pyetëm në një kafe nëse e njihnin Mbretin e Shqiptarëve. “Po’, qe përgjigja, ‘ai vjen këtu nga ora një”, na tha i zoti i lokalit. Këtu qe takimi i parë me Mbretin Leka i I-rë.
Ne shkonim çdo fundvitit në Madrid, pasi për festat e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, ishim të ftuar të Oborrit Mbretnor në Madrid. Nana Mbretëreshë Geraldinë, ndihej shumë e kënaqur të kishte të ftuar nga Shqipëria.
Korrik 1972
Kishim shkuar për pushime në ishullin e Mallorca të Spanjës. Kishim dhe një djalë 3 vjeç, Nexhipin. Ishte java e fundit e qershorit 1972, kur ndodheshim aty. Teksa ishim në hotel, na telefonon kolonel Hysen Selmani, i cili më thotë: “I dashur Adil, na duhet që të jesh këtu në Madrid, për një ngjarje shumë të rëndësishme. A i ke pajisjet e zakonshme me vete sikurse herët e tjera, aparatin fotografik dhe kameran? Na duhesh si gazetar dhe fotograf”. Po, i thashë. “Atëhere merrni avionin dhe ejani në Madrid”, më tha kolonel Selmani.
Pas kësaj ftese, më 26 qershor të vitit 1972, ne fluturuam për në Madrid, ku unë kisha shtëpinë aty. Ne banonim në Franco Rodrigues Nr. 53. Larg nga njëra tjetra ishte vetëm 10 minuta. Të nesërmen shkuam te zyra e Mbretit që ndodhej në Cuatro Caminos Nr.98. Aty ishte gjithë kohën koloneli Selmani dhe kapiteni. Koloneli na tregoi arsyen e thirrjes.
“Ai’- na tha që Mbreti – ‘ka thirrë gjithë kryetarët e partive politike në mërgim dhe organizata të ndryshme për të gjetur një rrugë për çlirimin e Shqipërisë nga diktatura komuniste. Ti Adil, do jesh fotografi dhe filmuesi zyrtar i mbledhjes”?
Mbreti kishte ftuar të gjithë kryesitë e partive politike në diasporë, pa asnjë dallim e qëndrim politik. Thirrjes i u përgjigjën të gjithë, veç me një përjashtim të një partie që vuri kusht për pjesëmarrjen dhe një tjetre që e kritikoi. Partia që nuk mori pjesë dhe që e kritikoi, ishte ajo që quhej: Partia e ‘Ballit Agrar’, kryetar i së cilës ishte Z. Abaz Ermenji, me vendbanim në Francë.
Kurse tjetri ishte Z. Ismail Vërlaci (i biri i ish-kryeministrit shqiptar Shefqet Vërlaci), që përfaqësonte ‘Bllokun Indipendent Kombëtar’, i cili jetonte në Itali. Vërlaci kishte ardhë në Madrid për takim me Mbretin që javën e fundit të qershorit dhe ai tentonte t’i mbushte mendjen Lekës së I-rë, që të mos lejonte pjesëmarrjen e partisë ‘Heroizma Shqiptare’, e cila kishte kryetar z. Ndue Pjetër Gjomarkaj. Vërlaci ngulte këmbë që; ‘Heroizma Shqiptare’, nuk ishte legjitime, sepse ajo kishte dalë nga ‘Blloku Indipendent Kombëtar’!
- Vërlaci qëndroi katër ditë në Madrid, me takime të përditshme me Mbretin Leka i I-rë, por Naltmadhnia e Tij e kishte shpallur qartazi, se; të gjitha forcat politike, ishin të mirëpritura në atë takim, pa asnjë dallim. Mbreti i bani të qartë se; të gjitha forcat politike ishin të mirëpritura pa asnjë dallim dhe ai vazhdoi të mos lëshojë asnjë fije pe në atë çështje. Vërlaci mori vetëm një lëshim, që të kishte një përfaqësues, i cili do ishte vetëm si vëzhgues. Ky ishte student, Z. Gjon Buçaj.
Këtu do përmend gjithë zotnitë që morën pjesë në atë Kuvend:
- Shoqata ‘Vatra’ përfaqësohej nga z. Hajdar Tonuzi që ishte edhe i partisë OKLL. (Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit)
- ACEN-i (Organizata e Vendeve të Robëruara nga Komunizmi) dhe kryetari i sajë ishte z. Vasil Germenji.
- ‘Lidhja e Dytë e Prizrenit’ me kryetar Z. Xhaferr Deva dhe sekretari Hamdi Kaloshi.
- OKLL (Partia e Legalitetit) kryetar nderi z. Major Abaz Kupi, z. avokat Selim Damani, kryetar OKLL, z. Fuad Myftia sekretar i sajë, z. Arif Fazo anëtar i Këshillit Kombëtar të OKLL.
- Partia e ‘Ballit Kombëtar’, dega e Ali Këlcyrës, me kryetar z. Kadri Cakrani.
- Partia e ‘Ballit Kombëtar’, dega e Hasan Dostit, përfaqësohej nga z. Petraq Ktona.
- ‘Partia Katundare’, me kryetar z. Isa Ndreu dhe sekretar z. Lec Shllaku.
- Partia ‘Heroizma Shqiptare’, kryetar z. Ndue Pjetër Gjomarkaj.
- Partia ‘Bashkimi Demokrat Shqiptar’ me kryetar z. Loro Stajka.
- Observatori i ‘Bllokut Kombëtar Indipendent’ Z. Gjon Buçaj.
Përfaqësuesit erdhën dy tri ditë përpara dhe ata u akomoduan në hotelin ‘CISCO’ në qendër të Madridit, që ishte rezervuar nga Oborri Mbretnor.
Program i ditëve të mbledhjes ishte shumë i përpiktë. Kishte pushimet, drekë, vizita nëpër vende historike, etj. Një vizitë mbresëlënëse ishte ajo e Toledos. Ishte rezervuar edhe një natë zbavitëse në një lokal tipik me folklor spanjoll: “NOCE DE FLAMENCO”, natë me valle/danc Flamenco. Kjo ishte me datë 2 korrik, në mbrëmje. Më datën 3 në orën 19.00, u dha një konferencë për shtyp, për shumë gazetarë të shteteve të huaja.
Ora 9:00 Hapja e Kuvendit
Pak para orës 9:00, të 2 korrikut, vjen N.M.T. Leka I-rë, i shoqëruar nga Kolonel z. Hysen Selmani dhe Kapiten, Qazim Preni. Hynë në sallën e Hotel ‘Ciso’ ku pritnin gjithë delegatët rreth një tavoline të madhe dhe në një poltron përballë tavolinës, ishin Z. Prof. Dr. Athanas Gegaj dhe unë, Adil Biçaku, i caktuar për të pasqyruar me fotografi dhe filmim të atij evenimenti shumë të rëndësishëm e unik për mërgatën shqiptare.
Kur hyri Mbreti me shoqëruesit, të gjithë u ngritën dhe përshëndetën N.M.T. Leka I-rë. Mbreti mbajti një fjalim të shkurtën, por shumë konkret dhe domethënëse. Pas fjalës Ai na uroi bisedime të mbara dhe tha: ZOTI QOFTË ME NE. Pas kësaj, Mbreti me adjutantët u larguan.
Mbledhja si zakonisht filloi sipas programit të parapërgatitur. Delegatët zgjodhën presidentin e mbledhjes. Në respekt të Krahinës Shqiptare të Kosovës, për president të mbledhjes, një zani zgjodhën Z. Ing. Xhaferr Deva. Ndërsa sekretar të kuvendit, z. Lec Shllaku. Si kryetar i Këshillit të përbashkët Kombëtar i të mërgatës politike shqiptare në SHBA-ës, u zgjodh, z. Masar Pustina, doktor dhe ushtarak në kohën e Mbretnisë së Zogut.
Bisedimet vazhduan dy ditë. U morën shumë vendime në frymën e një bashkimi të përpjekjeve për Shqipërinë Etnike me Krahinat e pushtuar shqiptare, Kosovë e Çamëri. Midis të tjerash, u vendos që të krijohej një këshillë i përbashkët kombëtar me qendër në New York. Kuvendi mbaroi punimet më 3 korrik në orën 18:30.
Kryetari i kuvendit Z. Xhaferr Deva, falenderoi me fjalë prekëse delegatët për pjesëmarrjen dhe bisedimet e frytshme drejt synimeve të drejta kombëtare, po ashtu edhe për besimin që i dha për të kryesuar mbledhjen atij dhe z. Lec Shllaku.
Më datën 3 korrik, aty nga ora 20:00, ishim të ftuar për darkë nga Madhëria e Saj, Nana Mbretneshë, Geraldina. Darka qe shumë e suksesshme dhe me një atmosferë shumë e hareshme.
Aty nga ora 23:00, kur do dilnim nga shtëpia, pasi kishim mbaruar darkën na përcollën N.M.T. Leka I-rë dhe Nana Mbretneshë, duke na falenderuar për patriotizmin tonë, që u shfaq gjatë bisedimeve në kuvend për të mirën e SHQIPNISË ETNIKE dhe SHQIPTARËVE dhe në ndarje: “DHASHTË ZOTI për ta pa të lirë SHQIPNINË ETNIKE – me KOSOVË dhe ÇAMËRI”.
Unë kam ba mjaft foto dhe kam filmuar të dy ditët si dhe nëpër vendet që kemi vizituar.
Ushtria Kombëtare Shqiptare në Madrid
Si rrjedhojë i vendimeve të Kuvendit të Madridit, në N.M.T. Leka i I-rë, mendoj një plan konkret. Ai udhëtoi kudo nëpër vende demokratike të botës ku kishte shqiptarë, për të testuar dëshirën dhe gatishmërinë e tyre, për t’u përgjigjur me djemtë e diasporës, për të formuar bërthamën e një Ushtrie Kombëtare.
Mbreti i martua me datën 10 tetor 1975 me të ndjerën Suzanë Cuullenëard, që morri titullin Mbretneshë. Unë pata privilegjin dhe nderin të isha fotografi dhe filmuesi zyrtar i dasmës Mbretnore, e cila u bë një një çiflig diku jashtë Madridit, që quhet Iliescac. Në atë kohë, gjenerali Franko ish i sëmurë.
Dasma ishte madhështore dhe aty pati shqiptarë nga e gjithë bota. Por ndërkaq, Nana Mbretneshë u sinjalizua që persona nga ambasada shqiptare në Francë, ndodheshin aty. Disa djem të ardhur nga SHBA-ja, donin t’i rrihnin dhe t’i përzinin ata, por Nana Mbretneshë, i këshilloi që nuk duhesh bërë. “Dhe ata janë shqiptarët e mi”, tha ajo me shumë dashamirësi! Sa zemër të madhe kishte, sikur të ishte një shenjtore ajo!
Pas pak muajsh, Mbreti filloi nga planet e paramenduara. Tashmë kishte edhe Mbretneshën Suzanë në krah që e ndihmonte. Mbreti u bani thirrje partive dhe organizatave në të gjitha shtetet që të çonin djemtë për në ushtrinë që do të formohej me qendër në Madrid. Aty nga viti 1976, ishin lajmëruar mjaft djem shqiptarë, për të qenë ushtarë të atdheut. Qendra u zgjodh jashtë Madridit, në një komunë që quhej Pozuelo. Atje Mbreti bleu një çiflik me një banesë të madhe dhe e gjitha kjo, falë Mbretit të Iranit, Rezah Pahlevit, që e financoi.
Ushtria filloi të marrë formën e një ushtrie të rregullt. Aty ishin flamujt e Shqipërisë, Spanjës dhe Amerikës, e të gjithë atyre vendeve nga kishin ardhur djemtë, për të bërë stërvitje e për të krijuar bërthamën e një Ushtrie Kombëtare Shqiptare. Atje pati instruktorë specialistë, që kishin marrë pjesë nëpër vende të ndryshme të botës ku kishte pasur kriza e konflikte të armatosura. Nga Stokholmi, shkuan këta djem: Xhaferr Elezi, Kujtim Berisha, Selim (Jahuz) Kuçi dhe Ramazan Selami. Në ushtri pati djem, pothuaj nga të gjitha vendet Perëndimore, madje edhe nga Kosova.
Ushtria vazhdonte me përgatitjet për luftë, duke u stërvitur në disiplina të ndryshme. Krijimi i një ushtrie në një vend të NATO-s, ishte një guxim i madh dhe ajo duhej përballur vetëm me një zgjuarsi e diplomaci, gjë e cila nuk i mungonte aspak Mbretit Leka i I-rë. Fatkeqësisht, në atë kohë, gjenerali Caudillo Francisco Franco, kishte ndërruar jetë. Si rezultat, Spanja u gjend në një presion të madh ndërkombëtar, ku Josif Broz Tito, filloi të organizonte shtete të ndryshme në mënyrë që të ushtronte presion mbi qeverinë e Spanjës, pasi ai i trembej sensibilizimit të çështjes së Kosovës. Kreu i Jugosllavisë së asaj kohe, Josif Broz Tito, e dinte që Mbreti Leka i I-rë, si Zogu i Parë, çështjen e Shqipërisë Etnike e kishin në plan të pare dhe për të, ai nuk bënte asnjë lëshim apo kompromis.
Mos gabofsha, asokohe, pra pas dy vitesh të vdekjes së Francos, në Spanjë kishin ardhur socialistët në pushtet. Mbreti i Spanjës, Juan Carlos, kishte miqësi me Mbretin tone dhe veç të tjerash, ata ishin dhe të një moshe. Por me gjithë dashamirësinë e tij, Juan Carlos nuk mundi t’u qëndroi presioneve të gjithanshme edhe pse atij i vinte keq për Mbretin tonë. Qeveria spanjolle, kërkoi që Mbreti Leka i I-rë, të largohej nga Spanja. Kështu, ministri i Brendshëm i dha 7 ditë afat, në mënyrë që Mbreti të merrte njerëzit e tij, të gjitha materialet dhe armët e arsenalin ushtarak.
Këtu dua të përmend, që Mbreti ynë kishte lloje të ndryshme armësh. Ai kishte licensën për cdo gjë, sepse ai ishte specialist në teknikën ushtarake dhe një specialist i inkursioneve luftarake, si ato sulmuese, ashtu dhe mbrojtës. Gjithashtu Mbreti leka i I-rë ka qenë dhe si këshilltar ushtarak i Presidentit të Vietnamit të Jugut, Gjenerali Thiu. Nisur nga kjo, Mbreti shkonte në Vietnam gjatë luftës civile që bëhej atje. Gjithashtu Mbreti ishte një koleksionist armësh dhe në selinë e tij në Cuatro Caminos 98, në Madrid, kishte një dhomë në formë muzeu me armë të ndryshme, duke filluar që nga mesjeta.
Me që ishte specialist i artit ushtarak dhe pilot, fabrikantët e armëve në shtete të ndryshme të botës, i falin ndonjë armë të re që prodhonin dhe nisur nga kjo, ai dispononte një arsenal të madh armësh. Por kjo gjë u bë ca problem kur erdhi koha për transportin e armëve, kur do të linin Spanjën. Por sipas traditës shqiptare: “Shqiptari nuk pranon të çarmatoset”, bani efektin e menduar. Këtu ndërhyri N.M.T., Juan Carlos i cili i ofroi Mbretit tonë një avion që të merrte ushtarët, familjen dhe të gjithë armatimin, e të linte Spanjën. Ashtu u bë. Në vitin 1979, (31 janar) Mbreti ynë u largua nga Spanja, ku kishte jetuar që nga viti 1962, një vit pas ndarjes nga jeta e N.M.T. Zogu i I-rë.
Këtu dua të saktësojë se; për armët që Mbreti u akuzua në Afrikë, (dhe që u ndalua disa ditë), erdhi si rezultat i dashakeqësisë së disa qeverive të shteteve fqinje. Mbreti Leka i Parë ka pasur arsenal armësh me leje që kur ka qenë gjallë Mbreti Zog i I-rë. Destinacioni i Mbretit Leka i I-rë, ishte Rodezia, e cila ndodhej në luftë civile dhe kështu Mbreti me djemtë tanë, u ndodhën në luftën guerile në Rodezi. Djemtë e Stokholmit, më kanë treguar se; ajo qe një përgatitje shumë e vyer si ushtri profesioniste. Mbreti Leka dhe koloneli tajlandez, drejtonin stërvitjet në xhunglat e Afrikës.
Pasi anglezët u tërhoqën nga Rodezia, ajo u quajt Zimbabve dhe në atë kohë, Mbreti Leka me ushtarët e tij, shkuan në Afrikën e Jugut. Meqenëse politika botërore mori rrjedhë tjetër, atëhere dhe ushtria e Mbretit tonë Leka i I-rë, u detyrua të shpërndahej. Pra, pas pak kohe në Afrikën e Jugut, djemtë u larguan, duke shkuar nëpër vendet e tyre, ku kishin qenë më parë.
Me këtë rrëfim të shkurtër, dua të tregoj dhe informoj bashkë atdhetarët e mi shqiptar, kudo që ndodhen, që: Mbreti Leka i I-rë, ka punuar dhe luftuar, duke rrezikuar edhe jetën, për të çliruar Shqipërinë nga regjimi tiranik stalinist antikombëtar të Enver Hoxhës. Unë që bana këtë rrëfim të shkurtër për një epokë që ka ikur, kam qenë gjithë kohën i informuar, dëshmitar okular dhe prezent, në shumë ngjarje e ndodhi në Spanjë, që nga viti 1968, duke vazhduar edhe në të gjitha ngjarjet pas largimit të Mbretit nga Europa. Ai vinte shpesh në Francë, se kishte selinë tek kolonel Ylli Spahia. Aty u takuam përsëri në gusht të vitit 1990, kur po ktheheshim familjarisht nga pushimet në Malaga të Spanjës./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016