Fatbardha Mulleti (Saraçi)
Pjesa e gjashtë
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore, që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili vjen nga një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur, të disa prej grave dhe vajzave shqiptare, që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Vera Bekteshi, etj.
Zehnije Gjylbegu
(1916 – 1997)
E lindur në Berat në familjen e Resulve, më 1936, u martua në Shkodër me Musa Gjylbegun. Ai ishte anëtar i Partisë së Legalitetit. Kishte mbaruar universitetin në Mynih dhe e dinte se çdo të thoshte diktaturë. Që në dhjetor 1944 ai u fsheh në shtëpinë e tij e mandej të një miku, pasi u kërkua që në fillim nga komunistët. Zemra e Zehnijes e dinte se çfarë ndjeu e provoi ajo, gjatë kontrolleve të shumta, apo kur e thirrnin në zyrat e Sigurimit, për të mësue prej saj se ku ishte i shoqi. Më 1946 ai dorëzohet sepse përfiton nga amnistia. Kjo ishte një lojë mashtruese e diktatorit, sepse, si ai dhe shumë të tjerë u dënuan me afate të ndryshme burgimi. Një vit ma vonë i konfiskohet edhe pasuria, e siç ishte zakoni i asaj kohe, mobiliet e sendet e tjera shërbyen për mobilimin e vilave të pushtetarëve të rinj. Për strehim asaj e vajzës së vogël, iu lejua vetëm bodrumi i shtëpisë së saj.
Filloi fukarallëku që nuk harrohet. U lejua të punonte në thyerjen e gurëve, për përgatitjen e çakullit që do të shërbente për shtrimin e rrugëve. Ku ishte pa që me këtë punë të rëndë të merreshin gratë?! S’ishte vetëm, se me të punonin edhe shumë shoqe të tjera të saj. Punoi 10 vjet edhe në përgatitjen e zhugës, e cila siç dihet, bahet në kushtet e lagështisë së plotë. Mandej për 5 vjet në Uzinën e Fermentimit të Duhanit dhe së fundi, ku edhe doli në pension, në Ndërmarrjen e Konservimit, vende pune këto, ku pagat qenë shumë të ulta.
Kjo grua e urtë dhe punëtore, plot vullnet dhe e dashtun, fjalëpakët dhe e nderueme prej të gjithëve, u kujdes për burrin në të gjitha burgjet (Tiranë- Burrel- Maliq). U mundua ta mbante gjallë duke i çu ushqime e duke i dhanë kurajë që të përballonte punën sfilitëse.
Disa herë i dërgoi edhe vajzën, që sapo kishte fillue të fliste. Çfarë tragjedie që një familje e re, qoftë edhe ato pak çaste, të provonte tmerrin e burgut. Sa të vështirë e kishte ajo që të ecte edhe në këmbë, që të flinte edhe jashtë, se nuk donte t’i vinte në pozitë të vështirë banorët e Burrelit, që survejoheshin nga Sigurimi se mos strehonin kënd nga “armiqtë e klasës”. Më 1950-ën, i shoqi i vdes në Maliq (varri-balta e moçalit). Ishte 38 vjeç, kur e bija posa kishte mbushur të 5-at. Nusja 34 vjeçe mbetet e ve. Nanë e bijë që kishin nevojë për mbështetje. S’kishte rrugë tjetër, veç të ulte kryet e të punonte, edhe jashtë forcave trupore, me besimin te Zoti. Kështu mbijetoi…!
Xhyhere Kazazi
( 1918 – 1994)
Viti 1942. Në shtëpinë e Sadik Grudës ka dasëm. Xhyherja, vajza e tij, e veshur me kostumin karakteristik qytetar, përmes këngëve të njohura popullore e urimesh të përzemërta, përcillet për në shtëpinë e burrit të vet, Hasan Kazazit. Për këtë të fundit, ky vit do të ishte domethënës, sepse pa vonua shumë, do të aderonte në radhët e Organizatës së ‘Ballit Kombëtar’. Ishin lidhë kështu nëpërmjet martesës dy familje atdhetare, që e kishin tregue këtë me shembuj. Hasmi ishte shtruar këmbëkryq në vatër. Një tjetër, komunizmi, po bëhej gati me i zanë vendin.
I ndërgjegjshëm se çfarë do ta priste, Hasani, që ndërkohë ishte nji nga eksponentët e ‘Ballit Kombëtar’, mori rrugën e mërgimit. Për të dy familjet erdhi periudha ma e vështirë e jetës së tyre. Mungesa e bukës do të ishte gjëja ma e vogël. Diktatura kishte mprehë shpatën e vet, për të bë kurban kundërshtarët e vet. E nuk kishte pak. Burgjet, e Shkodra numëroi deri në 17 të tillë, ishin mbushë plot e përplot me njerëzit ma të mirë të saj. “Burgu për burra asht” – thotë populli. Po ç’ mund të thuash për gratë?
Në vitin 1946, Xhyherja, arrestohet. Me ‘të edhe vëllai i saj i madh, Zijaja. Tortura psikologjike fizike. Në fund, gjyqi e dënon këtë të fundit me 17 vjet, gjatë të cilit ai humb ekuilibrin mendor; e motra, Xhyherja – 20 muaj. Jo pak për një grua. Cili ishte “faji” i saj? Ishte gruaja besnike e një nacionalisti në emigracion. Ja, për këtë. Nuk mjaftoi kjo. Më 1950-ën bëri edhe 6 muaj të tjerë burg. Gjithnjë nën presionin e divorcit të burrit të saj. Mirëpo, kjo ishte një gjë që s’bahet; një vajzë e një familjeje me tradita të thella atdhetare e me nji formim të palëkundur shpirtëror, nuk mund ta bënte këtë. Pas tre vjetësh internohet. Deri në vitin 1958, njohu kampet e punës në Gradishtë të Elbasanit e në Savër të Lushnjes.
Iu bashkua mijëra të tjerëve, shumë prej tyre gra e vajza. Nuk thyhet. Urrejtja i kthehet në forcë. Bahet kështu shembull për të tjerët. Ma në fund, më 1958 kthehet në Shkodër. Kuptohet se, për të ishin rezervuar punë nga më të vështirat, që asaj nuk i bënin përshtypje, ndonëse punoi në ndërmarrjen e ndërtimit, me lopatë në dorë, dy turnesh. Për të mbajtur shtëpinë, për t’u kujdesur për vëllanë e sëmurë. Kësaj fatkeqësie i shtohet një tjetër. Vëllai i dytë, Shyqyriu, dënohet me 18 vjet burg, prej të cilëve bani 14. Një kujdes ma shumë. Një hall tjetër ma tepër.
E ajo i përballoi me stoicizëm, me besimin në një ditë të re. E ajo erdhi, për të marrë frymë lirshëm…! E ashtu e qetësueme, nuk i mbeti shumë për të jetue. Ishte 76 vjeçe…! Nderimi i popullit u shpreh edhe në varrimin e saj, ku spikatën fjalët e lamtumirës në emër të Partisë të burrit të saj, për të cilët shkriu pa u kursye jetën…!
Luçije Malaj
(1916 – 1996)
I kishte të gjitha mundësitë që familjarisht, më 1944-ën, Luçije Malaj të ikte nga Shqipëria, e të mos provonte ferrin komunist, por i shoqi, oficer, preferoi qëndresën antikomuniste në malet e Veriut. Ajo, grua e re 28 vjeçare me dy fëmijë (7 e 5 vjeç) dhe shtatzënë me fëmijën e tretë, vihet përballë Sigurimit të Shtetit. Mund të mendohej, që ashtu në prag të lindjes të burgosej, që të detyrohej i shoqi të dorëzohej? Mund të imagjinohej që kjo grua, në vend të spitalit, të lindte fëmijën e saj në burg?
Edhe gurëve të sokakut do t’u vinte keq për të. E pra kështu ndodhi. Të porsalindurit i vunë emrin Tefalin. Mandej, me të tre fëmijët u internuan në Berat, ku duhej të përplasej me fatin e keq të jetës saj, ditë për ditë. Për një vit, pasi më 1946 i shoqi i mashtruar, dorëzohet. Kur u kthye në Shkodër, pothuaj çdo gjë kishte marrë fund. Kishte mbet për bukën e gojës. Për të kishte punë ku të ishte ma larg e ma vështirë. Të shumtën e kohës duke shkuar te vendi i punës në këmbë. E jo gjithmonë punë. Vetëm me sezone. Një herë 5 muaj, një herë tjetër 2 a 3.
Njohu mbledhjen e sherbelës në malin e Kakarriqit, njohu edhe punën në bujqësi, në hapje gropash, në prashitje, etj. Asnjëherë nuk përbuzi punën. Ishte e detyrueme që të pranonte çfarëdolloj pune që të ishte, sepse ishte betue një herë kur qe martue, se do të kryente detyrat “në të mirë e në të keq”. Edhe ndaj djemve kishte detyrën themelore të mirërritjes. Por s’e kishte kollaj. Djali i madh i vdiq në moshën 9 vjeçare. Ky ishte momenti ma i rëndë në jetën e saj. Shkoi në burg ta takonte burrin pa të dhe i tha. (O, Zot, çfarë i tha. Me sa zor i artikuloi ata tinguj që formuan ato pak fjalë tronditëse. Të shoqit iu terën sytë. Vetëm sa shtrëngoi grushtet.)
Ma vonë, herë njërin e herë tjetrin (Tefalinin) ia çoi të atit që të çmallej me ta.
Kështu kaluan vitet ma të bukura të jetës së saj. Në përplasje të gjithfarshme. Vetëm kur iu afrua të 50-tave, burri iu lirua. Ndërkohë fëmijët i ishin rritë, përparonin në mësime, (sidomos Tefalini), por edhe atyre ia ndrynë dëshirën për studime.
Megjithatë vazhduan të qëndrojnë të fortë, pa i shtri dorën kujt. Nanë Luçija ruan shumë kujtime. Për shumë punë është shumë krenare. Sidomos asht krenare për kontributin familjar në shembjen e diktaturës, pa marrë parasysh rreziqet e shumta që i kërcënoheshin në çdo hap. Asht krenare, se duke qenë fitimtare mbi të keqen, tashti e ndjen veten të qetë.
Sadije Kazazi
(1895 – 1952)
Asht pak me thanë, që ajo i përket brezit të grave të sakrifikueme. E rritur në një ambient atdhetar (Gjyrezët), sa qe vajzë, e martuarë po ashtu në një familje me tradita të tilla të hershme tipike shqiptare (Kazazët), ajo u bë mishërimi i kurajës, bujarisë, besnikërisë, trimërisë, qëndresës deri në stoicizëm.
E kjo jo për një ditë e dy, jo për një vit a dy, por për një gjysëm shekulli.
Vendosja e diktaturës komuniste në fund të vitit 1944 e gjeti atë të vejë me katër fëmijë (tri vajza e një djalë). Për të e të afërmit e saj e të farefisit të burrit, erdhën kohët ma të vështira, që ata kishin kaluar deri atëherë. Nuk bëhej fjalë për gjendjen ekonomike (pasi ato familje u grabitën në mënyrë të pashembullt), por për vetë jetën, në kuptimin ma të plotë të kësaj fjale. Zbardheshe e nuk dihej a të ziente mbrëmja. Komunistët, këto familje, sidomos atë të Kazazëve, i kishin vënë në shënjestër, pasi qenë kundërshtarët më të vendosur politikë të regjimit. Një prej ty ne ishte kushërini i të shoqit, Seit Kazazi.
Të gjithë e njihnin për kulturën e gjanë që kishte. E njihnin edhe për qëndresën me armë ndaj çdo lloj regjimi totalitar. Ai kishte komanduar batalionin ballist “Besnik Çano” në Kosovë, më 1944. E ja, tashti dhe shumë i kërkuem nga i ashtuquajturi Divizion i Mbrojtjes së Popullit, ky nacionalist i përmendur gjen strehë tek Sadija, gruaja e kushërinit të tij. Kjo, me dijeninë e vëllait të vet, Rasimit dhe të njerëzve të burrit. Tepër e vështirë për atë kohë; fëmijët për të ushqye e edukue, një të kërkuar nga qeveria për të mjeku e ruajtë. Tepër e vështirë, me rrezik koke. Në këtë situatë, ajo u ndihmua edhe nga fëmijët e vet: djali- Xhemshit e vajzat: Syriha, Hasije e Ixhlal.
Për gati 2 vjet (23 muaj) ajo e kreu ma së miri detyrën. Një prej tyre ishte edhe dërgimi i letrave tek Jup Kazazi, vëllai i Seitit, edhe ai i strehuar (tek dajat e vet). Ma në fund, agjentët e Sigurimit arritën me zbulua se ku ndodhej Seiti. Shtëpia rrethohet. Bahet kontrolli i zakonshëm, duke nxjerrë jashtë familjarët, mirëpo Seiti nuk zbulohet. Fillon atëherë torturimi; burrat nën kërcënimin e mitralimit, kurse Sadijes e vajzës së saj, Syrit, i zhgulin flokët me brutalitet.
Edhe në këto momente dramatike, ajo gjen forcë për me e mohu qenien e Seitit në shtëpinë e saj. Torturat vazhdojnë. Në këto rrethana, ky i fundit, për të mos ra në duart e xhelatëve komunistë, vret veten (6 tetor 1946). Për këtë qëndrim të vetëdijshëm e të papërkulur, Sadija dënohet me 15 vjet burg. Mjafton kaq sa të të rrëqethet trupi. Gjithsesi, nuk mund të krijohet një panoramë e vuajtjeve të saj. E mandej, vetëm punë e rëndë, punë e rëndë, punë e rëndë, për të e për fëmijët e saj. Por gjithmonë e fortë e krenare.
Lezinë Tonini
(1900 – 1955)
Formimin atdhetar e mori në fillim në shtëpinë e prindërve e mandej në atë të burrit, kurse elementët bazë për një nanë shembullore i plotësoi në shkollën që drejtonin murgeshat stigmatine. Mbas vdekjes radhazi të disa fëmijëve, ma në fund u bë nana e tre djemve. Ishin në lule të rinisë, kur Shqipnia u pushtua nga Italia fashiste. Që në fillim ata iu kundërvunë me energji asaj. “Ju kam si djemtë e dëshirit”, i porosiste shpesh ajo, duke u kujt se duhej të ishin të kujdesshëm në qëndresën antifashiste. Njeri prej tyre, duke qeshë, një herë iu përgjigj:
– E ke fajin vetë, ti nanë, që na rrite atdhetarë, – dhe i kujtoi asaj se ishte i datëlindjes 28 nëndor 1923, se kishte lindë me këmishë, se mban emrin Luigj (d.m.th. emrin e Luigj Gurakuqit) dhe së fundi: – Të kam pa, nanë, duke qa me 7 prill 1939 me lotët deri në tokë”. Të tillë ishin djemtë e saj. Pa mëdyshje, që në fillim u organizuan rreth Ballit Kombëtar. Ardhja në pushtet e komunistëve, kësaj nane i solli shumë trazime, vuajtje gjithfarësh (s’ish gjë mungesa ekonomike). Ma të rënda i pat ngarkesat psikologjike negative. Duke qenë e sëmurë rëndë në shtrat, nëpërmjet radios, ndoqi gjyqin që iu bë të birit, Injacit: shkaku dihej; ai kishte milituar në organizatën që për devizë të veten pat fjalët “Shqipnia e shqiptarëve”, çka në një farë mënyre donte të thoshte se ajo nuk u përkiste sllavëve. Veshët e saj, qenë të detyruar me ndigjue se si nga salla disa thërrisnin “Njac Tonini, në litar.” Si mund t’i kapërdinte ajo këto thirrje kanibalësh? Si mund të duronte dëshmitë e 30 spiunëve, që e drejtuan gishtin nga ai?
Po dënimin me pushkatim që u komunikua: “Në emër të popullit”? Mandej, nuk e kishte të lehtë ta ndiqte burgjeve e kampeve të punës, kur dënimi iu “zbut”. Se nuk ishte vetëm ai që kërkonte përkujdesje, por edhe i shoqi, gjithashtu mbas hekurash. Asaj iu desh të përjetonte edhe persekutimin që iu bë djalit tjetër, që mbasi iu kthye nga ushtria me 85% të shikimit të verbuem, që t’i dënohej nga Gjykata Ushtarake me 12 vjet burg. E kjo në një kohë kur ishte në prag të vdekjes, kur numëronte kafshatat e bukës, se edhe djali i tretë bënte punë të përkohshme, si i “deklasuara”. Fatmirësisht, ajo nuk e përjetoi burgimin e këtij të fundit.
Pa asnjë të ardhur, duke shitë çdo gjë që kishte, u mundua t’i mbante të gjallë djemtë e saj, t’i mbante gjallë me ushqime e sidomos me kurajën që e karakterizonte. Pa dyshim që këto vuajtje e shkatërruan trupin e saj, në atë masë, saqë, më 1955 vdiq, si shumë nana të tjera, që nuk morën me vete në varr, puthjet e fundit të fëmijëve të tyre. Ajo vdiq duke lanë shtëpinë bosh. As fotografia sot nuk i gjendet, kjo si pasojë e reprezaljeve të herëpashershme. Por ajo vdiq, duke mbet në kujtesën e pasardhësve të saj dhe të gjithë atyre që e njohën, si një grua që i pat shoqet e rralla. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016