Fatbardha Mulleti (Saraçi)
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’ i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore, që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit. Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili vjen nga një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur, të disa prej grave dhe vajzave shqiptare, që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Vera Bekteshi, etj.
Rozë Jakova
(1895 – 1981)
Kur u martua, gjëja ma e çmueshme në pajën e saj ishte një flamur kombëtar, që sapo e kishte qëndisë. Një kujtim i bukur për të ishte edhe prania, si kumbarë martese, e patriotëve të njohun: Hil Mosi e Kel Marubi. Në kujtesën e saj, nuk do të vononte që të fiksoheshin edhe ngjarje të tjera, si qëndresa e armatosun popullore kundër serbo-malazezëve më 1912 – ‘13 dhe 1920, ku mori pjesë edhe i shoqi, Kola. Me këtë frymë patriotike i rriti ajo djemtë e saj.
I biri, Ndoci, iu bashkua shokëve, tashmë në qëndresën antifashiste. I udhëhequr prej flamurit kuq e zi që ai mbante në dorë, me 28 nëntor 1941, populli i Shkodrës demonstroi rrugëve të qytetit. Nanë Roza, ishte krenare për këtë akt trimërie të të birit dhe nuk u tremb kur ia arrestuan, sepse ai ishte i vendosun në rrugën që kishte zgjedhë: eksponent i rëndësishëm i ‘Ballit Kombëtar’ dhe kundërshtar deri në vdekje i komunizmit, që kishte fillue me u përhapë në Shqipni. Këta të fundit nuk i’a kishin harrue veprimtarinë dhe, me të marrë pushtetin, kërkuan ta arrestojnë. Në këto rrethana ai doli në mal. Atë e kishte thirr kështu ‘Nana Shqipni’, që si mbas shprehjes së Dom Ndre Zadejës, ishte nanë përmbi nana. Nanë Roza, që sapo kishte mbushë të 50-at, me atë guxim e vendosmëni që e karakterizonte, i dha porosi: “Lufta nuk don kori”. Ishte këshilla e fundit për të, sepse nuk do të takoheshin më.
Djemtë e tjerë, Dedën e Çeskun, ia futën në burg, kurse atë dhe djalin tjetër, Prenkën, i internuan. Mbas një viti i erdhi lajmi, se ai nuk ishte koritë, por, si burrat kishte ra në përleshje me komunistët.
– Ku e ke arin? – e kërcënuan.
– Po, kam -u përgjigj ajo.
– Na e trego, pra, ku? – prapë ata.
– Kam tre djem, – u përgjigj ajo qetë-qetë. – Ata janë ari jem. Të katërtin ma morët ju.
Ditën e mbante veten, nuk jepej. Dhe djemtë çuditeshin me kurajën që kishte. Mandej vinte nata, e ajo ishte për dhimbjen e saj. Një ditë i shkoi për vizitë një shoqe, djali i së cilës kishte vdekur në një aksident automobilistik, e në bisedë, filloi të qante. “Ti, – i dha zemër Nana Roza, – të paktën e di se ku e ka varrin djali yt. Po unë?” dhe instinktivisht ktheu kryet nga Mali i Cukalit, ku preheshin eshtrat e të birit. Edhe në momente gëzimi, mbante seriozitet. “Më duket sikur Ndoci”, – thoshte ajo, – “më ven dorën këtu te qafa e më thotë: “Nanë, mos më harro.” Nuk e harroi nana, jo! Nuk e harruan shokët e idesë, mbarë Shkodra e kujtonte. Ky ishte ngushëllimi ma i madh për të. Tek shokët e tij, që i shkonin për vizitë a i takonte rrugës, i dukej se kishte të birin përpara, varr humbuni…!
Nanë Roza jetoi gjatë, që të shihte edhe hidhnime të tjera. Vdekjet e parakohshme të djemve, Prenkës e Dedës, artistë të shquem, që të dy, njëri në muzikë e tjetri në lëmin e fotografisë, e ngurtësuan edhe ma. Tre djem, në kohën ma të bukur, nuk ishin ma pranë saj. Çdo ditë që shkonte, e ndjente mungesën e tyre. Çdo ditë e ma tepër, derisa vdiq, duke marrë me vete nderimet e një qyteti.
Fatime Dilaveri
(1919 – 1990)
Çdo gjë kishte kjo grua: edhe emrin e mirë të familjes që rridhte (Rroji), si dhe të të shoqit (Dilaverit). Gjithashtu edhe gjendjen e mirë ekonomike. I mungonte veç shëndeti. Do të vinte mbarimi i Luftës e ajo do të ndjente mungesa të tjera..! Diktatura filloi të shkatërrojë familjen Rroji. Sa më e egër tregohej ajo, aq më keq bahet Fatimja. Dalin në pah edhe probleme ekonomike. Brenda një kohe të shkurtë burgosen vlleznit e saj: Vishoja e Qazimi (ky i fundit pushkatohet). Vëllai tjetër, Ruzhdia fshihet. Të gjithë si nacionalistë të sprovuam e të vendosur.
Plaga e hapun ishte shumë e madhe, sidomos tek kujtonte Qazimin. I duhej të kujdesej për Vishon në burg. Duhej të mbronte edhe Ruzhdinë, por shtëpia rrethohet. Kohë e vrullshme, shekull i akullt..! Fillojnë torturat. Ato bahen mbi trupin e saj, ndonëse ishte shtatzënë. I torturojnë edhe dy mbesat e vogla. Ruzhdiu, duke mos mujt t’i durojë këto, dorëzohet, ndonëse e di se çfarë e pret. Në fillim dënohet me vdekje, mandej dënimi i ulet në 25 vjet. Për motrën, nata u bë ditë, sepse vëllai do të ishte gjallë, edhe pse 25 vjet në burg.
Hekurat e burgjeve, herë mbas here, panë edhe atë: ashtu të kërrusun, me çantat e mbushura me ushqime, që duhej të qe dreka a darka e fëmijëve të saj. Sa të gjata janë këto 25 vjet. Sa të mundimshme! 25 vjet rresht drejt rrugëve të burgjeve, ma vonë dy duar që preken, dy faqe që takohen, një motër e një vëlla që duan të jenë së bashku gjithmonë. Do të shkruante ma vonë e mbesa: “Ajo mbijetoi, mbijetoi edhe për mua, mbesën e saj; dhe dallgët e ndjenjave të saj u përplasën edhe tek unë e jetoj me tallazin e vuajtjeve të saj.” Me gjithë shëndetin e dobët, detyrohet të punojë në Fabrikën e Tullave, në mbledhjen e Sherebelës, në përpunimin e zhugës. Edhe në Vaun e Dejës. Punon edhe kopshtin, që t’i marrë zarzavatet (me se t’i blejë?) I shoqi, ndërkohë shet gjakun e tij (me se ta zëvendësojë?) Veç mjerimit…
Me pushkatimin e Qazimit, më ikën sytë e ballit, me dënimin e Ruzhdisë, m’u këputën krahët, me vuajtjet e Vishos, unë u këputa si një lule e vyshkun”, – qenë fjalë që i përsëriste shpesh. Nuk humbi kurrë besimin në vetvete e në njerëzit që e rrethonin. Vazhdoi të ecë kështu në rrugët e vështira të jetës, duke ruajtë zemrën e saj të ngrohtë nga bota e ngrime, që po vononte të shkrihej. E donte jetën. Luftoi që ajo të ishte ndryshe për fëmijët e saj, por zemra e saj ishte dobësua aq shumë, sa as gëzimin s’e duronte. Ajo pushoi atë ditë, që vajza e dytë mbushi 36 vjeç…!
Hatixhe Pipa
(1895-1983)
Kur erdhi në pushtet regjimi komunist, familja e avokat Mustafa Pipës ndodhej në Tiranë. Djali i parë i avokatit, edhe ai me këtë profesion, Myzaferi vazhdonte punën në Shkodër, duke trashëgue zyrë avokatore të të atit. Shumë shpejt, sapo nisën përndjekjet, ndër të parat familje që u dëbuan nga Tirana, qe edhe familja Pipa. Ajo u vendos në Durrës, për të qenë afër burgut të atij qyteti, ku qe ndry djali tjetër, profesor Arshiu.
Ndërkohë në Shkodër, mbas Lëvizjes së Postribës, arrestohet dhe vdes në hetuesi Myzaferi. Familja vishet me të zeza. Një vdekje me një varr të humbur. Pas dy vjetësh, vdes vajza e shtëpisë, Bedi, që ishte e sëmurë nga tuberkulozi. Mbas pak edhe plaku i nderuar, Mustafai. Rrobat e zisë sikur nuk do të zhvishen në këtë familje…!
Kush mbeti? Vetëm Nanë Hatixhja me tri vajza. Një nanë e plakun para kohe, me flokë të bardha, që ngrys ditët duke qepë me hak jorganë. Tri vajza, njëra ma e mirë se tjetra, të destinueme për punë krahu, sa për të marrë triskat e bukës, për t’u ushqye vetë dhe për të ndihmue vëllain në burg.
Disa herë u dëbuan, nga një lagje në tjetrën, në shtëpi gjithnjë e ma të pabanueshme. Ma në fund vendosen në Shkodër, në shtëpinë e të parëve, që po binte brenda, se kishte nevojë të meremetohej. Nanë Hatixhja bahet shtylla e shtëpisë. Si klloçkë e mirë ajo ngroh në gjinin e saj dy vajzat e reja, Nedretin e Feimen, se Bukurusha qe martue, kur vinin nga tullat apo rrogozat..! E kanë mbetun vetëm me shkollë të mesme, ndonëse dinë nga 2-3 gjuhë të huaja, që gati-gati konsideroheshin si herezi. Shkolla e naltë s’ishte për ta, ndonëse kishin qenë të shkëlqyeshme në mësime.
Nanë Hatixhja qe një nanë e dhembshur. Ajo humbi djalin e gjetur, Myzaferin, humbi vajzën e vet, Bedin, intelektuale e vërtetë. Humbi edhe të shoqin. Ma vonë do të mbetej edhe pa Arshiun e Feimen, që do të arratiseshin. Vajzat e tjera sfiliteshin. Varfnia ishte ekstreme. Merita e saj qe se e gjithë familja kokën e mbajti nalt. Të përulurit, ndyrësitë, veset, nuk njiheshin në atë familje, sepse mbas të shoqit, ishte ajo vetë edukatorja dhe shembulli i familjes së saj. Vërtetë një Mejtep kishte, ku kishte mësuar turqisht. Por shqipen e mësoi vetë, jo vetëm për të shkruar një letër, por për të lexue klasikët e letërsisë botërore.
Ndërgjegjen kjo grua e kishte gatu me moralin e shëndoshë shqiptar. Ajo ishte edhe një fetare e bindur dhe i ndiqte normat e fesë, me besnikërinë më të madhe. Krenare për natyrë, ajo ishte edhe e brishtë në shpirt dhe gjithmonë e drejtë, ashtu siç mëson shqiptarizmi i vërtetë dhe feja. Megjithëse e varfën, ajo gjente mundësi të ndihmonte të vobektit. Pati lindur në Shkodër dhe vdiq në internim. U varros në atë fshat ku qe e internuar e bija, Nedreti, me familjen e saj. U varros e ngarkueme mbi një qerre fshati, futur në një arkivol të thjeshtë, e përcjellë nga familjarët dhe dy të internuar të tjerë. Ajo, që meritonte një varrim madhështor. Sot eshtrat e saj prehen në varrezat e Sharrës në Tiranë, të bashkueme me eshtrat e vajzës së përzgjedhur, Bedit.
Marije Gjoka
(1924 – 2010)
Një shprehje rrëqethëse popullore thotë: “Mos, o Zot, sa duron robi”, se njeriu, siç dihet, bart shumë…! E në qoftë se kërkon një konkretizim të kësaj shprehjeje, askund nuk e gjen më tepër se tek gruaja tejet fisnike e shumë e vuajtur, e quajtur Marije Gjoka (Mazrreku). Hallet e dertet në zemrën e saj erdhën duke u shtua, ashtu siç mblidhet orteku i borës.
Ishte një familje punëtore, e varfën si shumë familje në Shqipninë tonë të shkretë…! Baba i vdiq herët, ndërsa nana i rriti, siç thuhet: “me thonjtë e duarve”… Ishin gjashtë fëmijë. Një motër u martua, ndërsa tjetra u adoptua nga një çift. Nga vëllezërit, njeni u bë prift, tjetri, Rroku, mjeshtër marangoz. Dom Nikollin e patën si kryetar familjeje. Ishte ai “Nikë Barcolla” (pseudonim letrar), që do ta bënte atë polemikën e famshme me At Fulvio Cordinjanon, i cili, ndonëse kishte punua aq shumë për kulturën shqiptare, në një artikull ishte shprehë shumë keq për shqiptarët. Pas pak, Dom Nikollin e transferojnë nga Tirana (ku shërbente si famullitar), për në Kryezi të Pukës. Me të shkoi e ama, Rroku dhe e motra, Marija. U nisën në atë fshat të largët në një ditë dimri, me shi…! E që këtu zuri fill tragjedia…! Mendoni një familje qytetare shkodrane, në një zonë të thellë malore, pa dritë e ujë, në mes të maleve të larta, në një fshat të varfën të Pukës, tamam ashtu si e përshkruante Migjeni. Dhe ishte viti 1944, vit, që edhe në ato male të largëta, kishte nisë me u ndigjue duhia e diktaturës. Lajmet, sidomos për klerikët katolikë, qenë të kobshme. I pari klerik i pushkatuem, qe Dom Ndre Zadeja. Mbas tij do të vinin të tjerë…! Këtë e dinte mirë Dom Nikolla, prandaj errësohej në fytyrë. Por, në dorë të Zotit, – thonin nën zë nana e motra e gjorë. Bishat tinzare, martirizimin e kësaj familjeje, donin ta fillonin jo nga prifti, por nga i vëllai, Rroku. Për këtë duhej gjetë një shkak, qoftë edhe i krijuem..! Dhe ndërsa Rroku me porosi të Dom Nikollit, po shkonte të riparonte disa dyer e dritare të kishës së Fletit, rrugës ndesh në njerëz të Sigurimit, që po ecnin me një person të dënuar me vdekje, që duhej t’u tregonte vendet se ku ishin fshehur të arratisurit. Dhe akuza u ndërtue: Rrok Mazrreku, ka dashtë të takohet me ata të malit…! Menjëherë e arrestuan. Mbas disa ditësh morën edhe Dom Nikollin. Dy vëllezrit nuk u panë ma kurrë me njëri- tjetrin. Marija me të amën mbetën vetëm si të shushatura. Mbas pesë vjetësh, Rroku doli nga burgu dhe erdhi të jetojë pranë familjes në fshat. Nisi të punojë si punëtor në sharra. Por një ditë një barakë e vjetër mori flakë. Rroku, së bashku me tre punëtorë, vrapuan ta fiknin. Por nuk ia dolën. E kaq iu desh…! E arrestuan edhe si “sabotator ”! Filluan prapë ditë torturash e tmerri. Mbas pak erdhi ora e vdekjes. Ishte 25 dhjetor, Dita e Këshndellave. E prunë të ziun. Duarlidhur. E vendosën pranë një grumbulli dërrasash. Ishte goxha djalë, 28 vjeç, në kohën më të bukur. “Çka ke me thanë?”, – e pyeti xhelati. E ai u përgjigj: “Rroftë Shqipnia, me një liri t’ vërtetë!” Desh me shtue edhe diçka, por nuk e lanë, se krisi batarja. Fshatarët u shpërndanë të tmerruara. Nana e zezë qëlloi te kroi i fshatit duke mbushë ujë. U drodh sa dëgjoi pushkët…! Një fshatar, duke u kthye, e pa. Hoqi kësulën, dhe me nji zë që i dridhej, i foli: “Ti shëndosh, nana e priftit, se djalin ta pushkatuan.” Marija tregon: “Mbetëm të dyja si zogj të harruar”. Nana, që nga ajo ditë, nuk bani dritë ma. Dr. Karagjozi tha: “I ka dalë zemra prej lëmazit.” Këtu Marija mbeti qyqe vetëm. E ishte 18 vjeçe. Tashti nisi një rrugë të re: atë drejt burgjeve dhe kampeve të internimit. Në borë e në shi… e kjo jo pak, por për 37 vjet.
Kaq vite mundimesh do ta bënin të skuqej çdo Mandelë në botë: herë duke u kujdesë për vëllain e ma vonë, edhe për burrin, që e provoi edhe ai burgun, se qe martue me një “të prekun”. Kështu pra, mbas vdekjes së nanës, duke mos durua vetminë, u martua me Bibë Gjokën, vendas nga fshati. Burrë i urtë, por shumë i varfën. Dikur e lanë Pukën dhe erdhën në Shkodër.
Ndërtuan çerdhen e re. Ua mbushi Zoti vatrën plot, me djem e vajza. Patën 6 fëmijë. Nanë Marija u gjallërua diçka (ndonëse rruga e burgut s’iu hoq gati kurrë). Por s’kishte qenë thanë të gëzojë. Rruga e mundimeve s’kishte shkue as deri në gjysmë…! Ishte ditë korriku, kur i erdhi lajmi i zi. Djalin e kishte ushtar. Mandatën ia sollën dy shokët e tij, me lot ndër sy…! Andri, loçka e zemrës, ishte mbytë në Drin, për pakujdesinë e një eprori. Dhe ishte 20 vjeç. Nanë Marija vrapoi si e çmendur pranë lumit. Drini e kishte marrë trupin e mbytur dhe e kishte tretë diku larg. “Pas pesë ditë, kalbë e nxi, /Nanës s’zezë, ja sollën në shpi.” Dhe e varrosi, ja ashtu, me duart e veta. Tashti nisi, gati çdo ditë, edhe një rrugë tjetër: atë të varrezave. Rrasa e varrit edhe sot asht e pastër, si pasqyrë, pse: “Sa të ndrisi ylli e hana, me lot zemre ja than nana”.
E kështu kaluan gati dhjetë vjet. U mendua se mbaruan vuajtjet e saj, por jo… kishte prapë. Ma keq sa s’bahej. Djali tjetër, i martuar e me dy fëmijë, u sëmur rëndë, me sëmundjen e…! Çka nuk banë për shërimin e tij. E dërguan edhe jashtë shteti në Romë. Nanë zeza gjithkund me të, derisa i vdiq ndër duar atje në dhe të huaj…!
Këtu mbyllet tregimi për Nanë Marijen. Tashti ajo jeton kot, si hije. Asgjë nuk e ngroh ma. l duket se ka jetu dy shekuj në një ëndërr të gjatë e të frikshme. Vetë dy gjana e mbajnë gjallë: nipat e mbesat, që mblidhen si zogj rreth gjyshes së tyre dhe lulet që dërgon herë pas here në kishë. Ajo lutet e lutet..! Si para Zotit. Lutet që në shtëpinë e saj të mos ketë ma zi. I lutet Zotit si për ata që i deshi aq fort, si dhe për ata që i sollën kaq vuajtje në jetë (e që ajo i di edhe me emra). Por, ajo fal, pse asht zemër nane. Dhe zemra e nanës asht gjithmonë një det shprese, besimi e mëshire./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016