Dashnor Kaloçi
Pjesa e tetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formularë dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën vëzhgim të rreptë?!
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Halim Xhelo, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vullneti”, lidhur bisedat që ai kishte bërë me Marijen, bashkëshorten e Gjovalin Lukës
Dhënë nga B.p. “Vullneti”
Marrë nga P.O. Halim Xhelo
Tiranë më 23/XII/1955
I N F O R M A T E
Në bisedën që kam patur me Marije Lukën më 15.XII.1955, në lidhje me vdekjen e Dr. Frederik Shirokës, u shpreh kështu: “Kësaj i thonë vdis pa të të dua. Sa ishte gjallë një automobil nuk i vunë në dispozicion. Me makinë po shkojnë drejtorë ndërmarrjesh që asgjë s’i sjellin shoqërisë, kurse Shiroka duhej të bënte rrugën spital – shtëpi, spital- Sanatorium me biçikletë, me zemër të sëmurë. Lejonin që Dr. Shiroka të bënte roje nate. Ja tani si e humbëm. Këta sa i kanë njerëzit, nuk dinë t’i çmojmë. Sovjetikët e ndalën edhe dy javë më shumë dhe e çmuan si profesor”.
Fjalën e solli Marija në mënyrë që të lente të kuptoja se dhe Gjovalini është një njeri i dobishëm për shoqërinë, por që këta s’dinë t’a çmojnë.
“Gjovalini s’po e thërrisnin në punë’, vazhdoi Marija, më kanë lënë me 3.800 lekë rrogë, me katër fëmijë. S’kam më çfarë të shes. Nuk e shoh dot atë nëpër shtëpi pa punë. Gozhda më ngulen në shpirt, më vjen dhe keq. Edhe për të qepur nuk më bie njeri”.
Duke folur rreth mbrëmjeve që jepen nëpër “Dajti” dhe Pallatin e Brigadave, i kërkova Maries të më flasë rreth përshtypjeve të saja në lidhje me to. “Asnjë muhabet të lezetshëm nuk ndien. Një frymë fallco, i përshkon mbrëmjet nga fillimi deri në fund. Thuaj se janë mbledhur për të ngrënë. Ulen si bagëti dhe vetëm të hanë mendojnë, kam parë të shoqen e P.F., kur nga një anë hante nga ana tjetër mbushte çantën. Edhe Gjovalini ka qëndruar gjithmonë i mbyllur, se me u çel ka pas dasht, se sjelljen e tij po e marrin për borgjeze”.
Një ditë në një pastiçeri, me qenë se nuk më ndodheshin lek, pagoi Marija dhe unë i dhashë 10 lekë valutë. Nuk i pranoi, duke thënë; jo se babës së Gjovalinit i kanë gjetur valutë dhe me shkue unë me ble me të, po mendojnë se ai na ka bërë pjesë dhe neve.
Në bisedën që pata me Marien më 21/XII/1955, ajo më tha se; Sekretari i organizatës së Gjovalinit, kishte folur me Gjovalinin në lidhje me proçes- verbalin e mbajtur me stenografi nga Haxhi Kroi, kur pati bisedën Gjovalini me Enverin. Në proçes, qenka shënuar se Gjovalini paska përmendur Tukun dhe paska dhënë të kuptojë se, ka qenë në dijeni për veprimin e Tukut në Komitetin Qendror.
Mirëpo, Gjovalini kish thënë se të gjitha ato gjëra kanë ngjarë në proçesin e sëmundjes, për këtë mund të pyetet mjeku, por me gjithë atë, unë mund të diskutojë mbas disa muajve. “Sa për artikullin’, vazhdoi Marija, ‘Gjovalini i tha se atje ai ka shprehur mendimet e veta dhe artikulli është shkruajtur para proçesit të sëmundjes, e vërteta është se i ka lavdëruar pak si tepër jugosllavët, por ato janë mendimet e tija”.
Në lidhje me një Aleko që i’u shkon shpesh, Maria më tha se; ai ose duhet të jetë shumë i pakënaqur, ose duhet të jetë provokator. Ka më mundësi të jetë provokator, prandaj ne nuk jepemi kurrë në prezencë të tij, me gjithë se fjalën e sjell gjithmonë në kritikë, por Gjovalini ia pret shkurt.
Për përfaqësuesin shqiptar n’Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Gjovalini tha se është shumë flegmatik, don një orë për të thënë një fjalë, Maria i a priti se; është baxhanaku i Gogo Nushit dhe ka punuar në Ministrinë e Bujqësisë.
D.m.th., ia prita unë, dinë mbi rritjen e derrave, të dy burrë e grua u shikuan dhe qeshën.
Interesohen të dinë se kush do të emërohet në vendin e tij, të japin të kuptosh se kanë një farë shprese se mund t’a çojnë Gjovalinin në ndonjë Legatë.
Tiranë më 23/XII/1955
“VULLNETI”
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Halim Xhelo, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vullneti”, lidhur bisedat që ai kishte bërë me Marijen, bashkëshorten e Gjovalin Lukës
Dhënë nga B.P. “Vullneti”
Marrë nga P.O. Halim Xhelo
Tiranë, më 29/XII/1955
I N F O R M A T Ë
Në bisedën që pata me Marie Lukën, më 23/XII/1955, më tregoi pjesërisht mbi sa kishin folur me Marien e Frano Jakovës, kur kjo kishte qenë herën e parë në Tiranë. Ajo u kishte dhënë mjaft kurajo duke u thënë: “Puna t’onë së shpejti do të zgjidhet se kanë ndërhyrë nga jashtë”. E kishte porositur Marie Lukën, të mos jepet, të qëndrojnë e fortë, të mos ankohet, me një fjalë të mos marrin asgjë përsipër, por të qëndrojnë optimist, ishte mirë të qepte”.
“Sigurisht’ – shtoi Marie Luka -‘tani na këqyrën çdo të bëjmë, dhe ç’themi, prandaj ne ruhemi mos të nxjerrim fjalë”.
Unë vura re këtë se mbas ardhjes së Maries së Franos, Marie Luka kish filluar të fliste kështu: “Jam fare mirë, fëmijët i kam kuq si molla, Gjovalini shyqyr u shërua krejt, ndërgjegjen e kemi fare të pastër, veç për një gjë na vjen keq, ku shkoj gjithë ai mundi dhënë për këtë Parti”?!
Maria e Franos u kish treguar se si, Liri Belishova kish thirrur të shoqen e Tuk Jakovës, si e kish marrë me hall me qëllim që t’i nxirrte fjalë. Ajo e shkreta në fillim i kish besuar dhe duke menduar se do ti ndihmojë burrit, i kish treguar sa kish dëgjuar nëpër shtëpi, me cilët kishte biseduar mbi ato gjëra. Për Gjovalinin kish thënë vetëm se, një natë kishin dashur të shkojnë për darkë te Tuk Jakova, si dhe për miqësinë me Qazim Kapsyzin.
Mirëpo, kur Mita Jakova kish kuptuar se Liri Belishova po e provokon me qëllim që t’i nxjerrë fjalë , herën e dytë “t’a kishte sharë ‘qorren’, e s’i kish lënë fjalë pa i thënë”, ajo e paska qitur jashtë për krahu dhe i paska kërkuar triskën e Partisë, Mita i’a paska hedhur triskën në fytyrë. Më vonë në Komitetin e Partisë, e paskan kritikuar Liri Belishovën (Marie Luka s’e thërret ndonjë herë shoqen Liri Belishova me emër, por me mbiemrat ‘qorrja’ ose ‘llafazania’) pse kish vepruar n’atë mënyrë, për çështjen e triskës së Partisë.
Marie Jakova, ishte indinjuar nga Qazim Kapsyzi, i cili qenka treguar krejt i ftohtë dhe s’paska dashur ta pranojë në shtëpi, “sikur s’ish dhe ai që i pjesëtonte të gjitha mendimet me Franon” kish shtuar ajo.
Marie Luka fillojë të na tregojë se si ja kishin punuar dhe asaj në Komitetin Qendror, por ajo kish qëndruar si burrneshë, s’e kish ekspozuar burrin aspak. “Më muarrën me të mirë, vazhdoi Marie Luka, duke më thënë se; jam nga familje e varfër, se duhet t’i ndihmoj Partisë, etj., por ajo ishte përgjigjur: “unë burrit t’im s’i dijë kurrgjë, përpos atij artikulli, të cilin i’a dorëzoi Partisë dhe s’u botua, si dhe asaj letre të shkrojtur në momente anormaliteti. Unë kërkoj nga juve të më thoni; ç’ka bërë burri im, për të marrë të gjitha këto masa anti-njerëzore kundër fëmijëve të tij. S’lashë gjë pa u thënë”, shtoi Maria.
Marija e Franos u kish thënë se atyre u vjen keq për Tukun, se sa për Mitën, ajo e ka akoma triskën e Partisë dhe duke e ditur se letrat i’a u hapin dhe fotografojnë, ata i shkruajnë Tukut fjalë me qëllim që ti lexojnë “këta”. Dhe Marie Luka, citojë disa fraza të letrave të shkëmbyera, si p.sh.: “Xhaxhi Tuku, etj.,…etj., ti duhesh të jesh më mirë se ne, se ke Mitën në Parti, etj.”
Gjovalini është i mendimit se me qenë se emrat e Tukut dhe Bedriut nuk kanë dalë në asnjë artikull, nga ata të shkruajtur me atë rast, kanë lënë shteg rehabilitimi.
Si duket, kjo shpresë i bën të marrin masa për të qenë korrekt. Ta tregojnë me punë, p.sh. Tuku del i dalluar si punëtor në ndërmarrjen e tij. Franon e paskan shpërblyer me të holla. Kjo e paska bërë Marien që të shprehet kështu, mbasi iku Maria e Franos. “Kam fëmijët se do të kisha hyrë dhe unë punëtore e thjeshtë, e t’u tregoja këtyre se si punojnë ‘komunistët”.
Duke kaluar rrugën, Maria u shpreh kështu: “Politikë ekonomike të qelbur. Kanë dhjetë vjet e sfilitën popullin. Shpenzoj tre katërqind lekë në ditë dhe s’blej gjë. Mirë thotë Xhafer Vokshi: ‘Flasin uzinat, flasin kanalet, këndon barkollogjia”.
Po, i thashë, Xhaferi ka një dell poetik. Por edhe artikujt në gazetë kundër Jugosllavisë, i shkruante bukur.
“Sa i penduar që është, shtoi Maria”.
- Mund të jetë i penduar, veçse ka shkrojtur, i’u përgjigja.
Siç duket, Maria në trurin e saj bëri bilancin e shkrimeve të burrit të saj dhe me një herë u përgjigj: “Një herë i kishin dhënë Gjovalinit të bënte një shkrim për një libër fëmijësh (si duket në lidhje me Titon) dhe nga një anë shkruante, nga ana tjetër, unë e dëgjoja kur thoshte; ‘futja po…”.
Po atë ditë, Marie Luka u shpreh kështu në lidhje me shokun Enver: “Atij qytetarit i’a kanë gjetur. I thonë; ‘kanë qëllim të të rrëzojnë tyja dhe ai nënshkruan për çdo masë që merret”.
Tiranë më 25/XII/1955 “VULLNETI”
Raport-informacion i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Halim Xhelo, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Vullneti”, lidhur bisedat që ai kishte bërë me Liri Gegën
Dhënë nga B.p. “Vullneti”
Marrë nga P.Op. Halim Xhelo
Tiranë, më 29.12.1955
I N F O R M A C I O N
Në vizitën që bëra te Liri Gega, më 26.12.1955, e gjeta të inkurajuar.
“Bravo i qoftë Tukut – më tha – se kishte qenë kurajoz. Paska drejtuar një protestë Komitetit Qendror dhe një kopje Legatës Sovjetike. Në protestë ai shpjegon rrethanat që e detyruan që t’i shtrohet autokritikës dhe njëkohësisht forcon bindjen rreth tezave të shkruara. Arrin në protestë të përmend dhe ‘abazhurët’ që zbukurojnë dhomat e Mehmetit dhe që i kushtojnë popullit gjithë atë djersë”.
Leviçkini e paska mbajtur 18 ditë dhe qenka përgjigjur se; këto s’janë çështje në të cilët mund të ndryshojnë ata. S’dihet – shtoi Lirija – ose nuk përzihen se janë dakord me Mehmetin, me të cilin shkonin të gjuanin, ose në dukje thonë; s’përzihemi dhe nga ana tjetër marrin masa.
Këta kanë bërë një politikë ekonomike të qelbur – vazhdon Lirija. Merrni analizën rreth planit pesëvjeçar që bëri Mehmeti, kur u shtrua plani, do të shifni sa bukur e ndan në faza, fjalim ultra teorik. Shihni tani rezultatet, shifni nivelin e popullit. Ndoshta ata s’e shohin këtë gjë, se vetë kanë arritur në socializëm.
Të hysh në shtëpinë e Mehmetit, thonë që nga fundi i shkallëve deri në krye të shtëpisë, gjithë tapete, kontraste të mëdha me popullin e varfër. Tani bëjnë shkurtime andej, pakësojnë pagesat, këndej duan t’i paguajn Bashkimit Sovjetik “kreditë me afat të gjatë”, dhe po nga populli duan t’i nxjerrin”.
- Unë i thashë: Bashkimi Sovjetik i fali Jugosllavisë kredinë, mund të na e falë edhe neve.
- “Jo- m’u përgjigj – Jugosllavisë ja fali, se ajo din të bëjë politikë”
Mandej Liri Gega filloi të më flasë rreth gjendjes ekonomike në Jugosllavi:
“50 % të tokave në Jugosllavi, janë kolektivizuar, gjë që në Bashkimin Sovjetik u arrit vetëm në vitin 1937. Sot në Jugosllavi, gjenden 1 milion e sa kooperativa dhe shoqata të ndryshme kolektive”.
Kuptova një gjë, se Xhaferr Vokshi duhet t’i ketë folur pasi kishte lexuar fjalimin e Titos, ose artikuj të shtypit jugosllav, pasi disa herë më përmendi, se këto gjëra i ka lexuar në shtypin tonë”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016