Nga Frank Shkreli
– Përurimi i ekspozitës së përhershme informuese mbi kampin e internimit në Tepelenë-
Memorie.al / Njoftohet se Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) dhe Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), në bashkëpunim me Bashkinë Tepelenë, në mbyllje të projektit midis këtyre dy enteve (ICMP dhe AIDSSH), “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të zhdukurit të komunizëm”, është përuruar ditën e henë me 14 shkurt, 2022, ekspozita e përhershme informuese mbi kampin e internimit në Tepelenë, pikërisht, në mjediset e këtij ish-kampi famëkeq.
Siç kemi parë shpeshherë gjatë këtyre 30-viteve “post-komunizëm” në Shqipëri, kur është fjala për financimin e projekteve të tilla kushtuar viktimave të komunizmit në Shqipëri, as ky projekt nuk është financuar nga qeveria shqiptare por nga Bashkimi Evropian (BE) dhe nga Ambasada Zvicerane, sipas faqes facebook të AIDSSH. Gjithnjë sipas njoftimit në faqen e AIDSSH, ekspozita e jashtme e përhershme informuese është përgatitur me materiale të hulumtuara nga Instituti i Historisë dhe nga të dhënat arkivore mbi të internuarit në kampin me tela me gjemba të Tepelenës. Po ashtu, janë përfshirë skicat e çmuara, që paraqesin në trajtë fotografike jetën në kamp, të realizuara me mjeshtëri nga Lek Pervizi, i internuar në Tepelenë
Është interesant fakti se, më në fund, shohim një interesim pak më të madh se në të kaluarën nga diplomatët ndërkombëtarë, për të kaluarën komuniste dhe për krimet e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës në Shqipëri, megjithëse kanë kaluar 30-vjet nga shembja e Murit të Berlinit. Shqipëria është tepër vonë, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste të Evropës Lindore e Qendrore, me përballimin e saj serioz dhe zyrtar me të kaluarën e saj komuniste. Të vonuar janë edhe diplomatët e demokracive perëndimore, të cilët, me ndonjë përjashtim, aty këtu, siç është rasti i ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, që gjatë viteve u ka kushtuar vëmendje të posaçme viktimave të komunizmit në Shqipëri, të tjerët nuk i kanë kushtuar ndonjë kujdes të dukshëm as nuk kanë treguar ndonjë interesim serioz ndaj krimeve të komunizmit dhe përballimit të Shqipërisë me të kaluarën kriminale të regjimit të Enver Hoxhës.
Por, thuhet se kurrë nuk është vonë. Më mirë vonë se kurrë, thotë populli. Vura re se në përurimin e bërë në ish-kampin e Tepelenës të hënën që kaloi, në ceremoni morën pjesë edhe dy diplomatë perëndimorë me rëndësi, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë znj. Yuri Kim dhe Drejtori i Seksionit Politik në BE, z. Alexis Hupin. Pjesëmarrja e përfaqësuesve të lartë diplomatikë në raste të tilla, ku kujtohen dhe nderohen viktimat e komunizmit të regjimit enverist në Shqipëri, është i mirëpritur.
Unë, në atë mënyrën time, u kam bërë thirrje, për një kohë të gjatë tani, diplomatëve perëndimorë në Tiranë që të takohen me përfaqësues të përndjekurve politikë dhe të vizitojnë kampet e internimit, burgjet dhe kampet e punës të kundërshtarëve politikë të regjimit të Enver Hoxhës. Para se të jetë vonë, pasi ato po zhduken një nga një nga faqja e dheut, qëllimisht, nga kjo klasë politike e cila, sot e kësaj dite, glorifikon ose mban një qëndrim indiferent ndaj komunizmit enverist, ndërsa për 30-vite tranzicion, ka refuzuar dhe refuzon të përballet me të kaluarën kriminale të regjimit kriminal të Enver Hoxhës.
Liderët shqiptarë të këtyre tre dekadave të fundit — për krimet e diktaturës komuniste, ndryshe flasin në Shqipëri dhe ndryshe kur janë jashtë Shqipërisë. Në një fjalim dje në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të mandatit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku ishin të pranishëm diplomatë amerikanë dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, si dhe të ftuar të posaçëm, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu referua regjimit komunist në vendin e tij, duke thënë se “vetëm” tre dekada më parë, “Shqipëria ishte një bunker në terr, e cila pothuajse për një gjysëm shekulli, ajo u zvarrit në një nga regjimet komuniste më shtypëse në Evropë, që e bëri vendin tonë, më duhet të them, Korea Veriore e Evropës”.
Fjalë shumë me vend, por Kryeministri Rama kur është në Shqipëri dhe në Kuvendin e Shqipërisë flet krejt ndryshe për të kaluarën komuniste në atë vend. Të gjithë e mbajmë mend fjalimin e tij në parlamentin shqiptar, kur është shprehur në mbrojtje të regjimit komunist, duke thënë se, “komunizmi ka qenë në anë e duhur të historisë”. Pra, Kreu i qeverisë shqiptare, ndryshe ka folur dhe ndryshe flet për të kaluarën komuniste dhe për krimet e regjimit të Enver Hoxhës kur u flet shqiptarëve dhe kur flet para botës, siç ishte rasti dje në Nju Jork, bazuar pra, në audiencën që ka përpara. Fjalimi i tij më kujtoi një deklaratë të një zyrtari amerikan vite më parë i cili u shpreh se liderët politikë shqiptarë kur janë, sidomos, jashtë vendit, dhe flasin sikur janë “demokratë të llojit xhefersonian”, por në vendin e tyre sillen si enveristë.
Por, diplomatët perëndimorë në Tiranë nuk duhet të ndjekin shembullin e politikanëve shqiptarë të këtyre tre dekadave dhe as të binden për pikëpamjet e tyre në lidhje me komunizmin. Dhe për vlerësimet e tyre për atë regjim kriminal, jo se jo, sepse nëqoftse përfaqësuesit diplomatikë të Washingtonit dhe Brukselit, vërtetë, mbrojnë vlerat perëndimore të lirisë e demokracisë, a priori nuk duhet të kenë asgjë të përbashkët me vlerat dhe qëndrimet pro ose indiferente të liderëve shqiptarë ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri. Kush mund të jetë indiferent dhe kush mund të hesht përball krimeve të një regjimi që Kryeministri Rama, me të drejtë, e cilësoi dje në Nju Jork, si një nga “regjimet komuniste më shtypëse në Evropë, që e bëri vendin tonë, më duhet të them, si Korea e Veriut, e Evropës”!? Dy kontinente të ndryshëm, dy qëndrime kundërshtare njëra me tjetrën, por nga njëjti kryeministër në vlerësimin e tij për regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Por kjo nuk duhet të ndodhi me përfaqësuesit e demokracive perëndimore në Tiranë. Ata nuk duhet të heshtin. Duhet të thonë të vërtetën. Ata duhet të gjykojnë regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe krimet e tija, jo bazuar në shpjegimet dhe justifikimet e klasës politike shqiptare të tranzicionit të dështuar 30-vjeçar “post-komunist” shqiptar — por bazuar në vlerat e vendeve që ata përfaqësojnë dhe në të drejtat dhe liritë universale.
Unë e vlerësoj vizitën e përfaqësuesve diplomatikë amerikanë dhe evropianë në ish-kampin komunist të internimit në Tepelenë, por shqiptarët presin diçka më shumë se kaq prej jush, si përfaqësues të vendeve që, historikisht, kanë mbrojtur lirinë, demokracinë dhe të drejtat bazë të njeriut në përgjithësi e për shqiptarët në veçanti. Shumica e shqiptarëve presin prej jush, si përfaqësues të vendeve mike të Kombit shqiptar që, ju më në fund, të bëni thirrje publikisht dhe zyrtarisht, që Shqipëria, nëqoftse dëshiron të integrohet plotësisht në të gjitha mekanizmat euro-atlantike, përfshirë Bashkimin Evropian, atëherë Tirana zyrtare duhet të distancohet sa më parë nga e kaluara komuniste e Shqipërisë dhe të dënojë, pa asnjë hezitim, krimet më mizore të ndonjë regjimi komunist në Evropë. Për ndryshe, vizita të tilla nga diplomatë të huaj, si ajo në kampin e internimit, këtë javë, në Tepelenë, do të konsiderohen si një shfaqje teatrale e rastit, për të mos thënë propagandistike nga ana e diplomatëve perëndimorë, që edhe ashtu, fatkeqësisht, konsiderohen gjerësisht si palë me qeverinë në pushtet.
Që të rivendosni sadopak para shqiptarëve besueshmërinë tuaj dhe të vendeve që ju përfaqësoni, atëherë ka ardhur koha që të ndahet shapi prej sheqerit. Ju duhet të prononcoheni, një herë e mirë, se në cilën anë të vërtetës historike jeni ju, sa I përket të kaluarës komuniste në Shqipëri. A jeni apo jo për distancimin e Shqipërisë nga e kaluara e saj diktatoriale komuniste dhe për dënimin e krimeve më çnjerëzore që ka njohur historia moderne evropiane kundër grave, fëmijëve dhe pleqve të pafajshëm, apo do vazhdoni që në heshtje të jeni palë me qeveritë shqiptare që kanë refuzuar deri tani të dënojnë, zyrtarisht, krimet e komunizmit në Shqipëri.
Unë pritja që ky prononcim nga ana juaj të ndodhte pardje, por për fat të keq, nuk ndodhi as në vizitën tuaj në kampin e internimit në Tepelenë. Për më tepër unë nuk dëgjova as fjalën komunizëm gjatë fjalimeve tuaja atje. Folët, shkurtimisht, për viktimat, përfshi vdekjen e qindra fëmijëve në kampin e Tepelenës, por nuk folët se kush ishte agresori i egër që shkaktonte vdekjen e fëmijëve të pafajshëm. Jam i sigurt se ju e dini, dhe duhet ta thoni haptas dhe pa hezitim: ishte pikërisht, ai që sipas deklaratës së Kryeministrit Rama, njëri prej, “regjimeve komuniste më shtypëse në Evropë, që e bëri vendin tonë, më duhet të them, Korea Veriore e Evropës”.
Zoti Rama, por edhe ju duhet ta thoni këtë të vërtetë, aty mu në qendër të Tiranës. Mos heshtni! Të thoni se duhet të shikojmë përpara dhe jo mbrapa, nuk është një përgjigje që presin shumica e shqiptarëve prej jush, sidomos viktimat e komunizmit. Në të vërtetë, është një ofendim nga ana e juaj për mijëra e mijëra viktima të gjallë e të vdekur që kanë vuajtur aq shumë e që kanë humbur të afërmit më të dashur të tyre, viktima të komunizmit të Enver Hoxhës – shumë prej të cilëve as varret nuk u dihen, tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit. Unë nuk e di se si mund t’u thuhet viktimave të gjalla të komunizmit që të harrojnë të kaluarën komuniste. Viktimat e komunizmit nuk kanë kërkuar kurrë as nuk kërkojnë hakmarrje. Ata duan vetëm të vërtetën, duan drejtësi! Sepse, siç shprehet në faqen facebook të Ambasadës Amerikane në Tiranë, zonja Yuri Kim, “Paqja nuk mund të vijë pa të vërtetën dhe pajtimin.”
Pa këtë të vërtetë dhe pa drejtësi, shoqëria shqiptare nuk mund të shkojë përpara, sado që pushtetarët e Tiranës dhe diplomatët e huaj të bëjnë thirrje që të harrohet e kaluara komuniste! Kurrë nuk është vonë për të bërë më të mirën, të mundur. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016