Dashnor Kaloçi
Pjesa e gjashtë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze që i përket Tuk Jakovës, i cili që nga periudha e Monarkisë së Zogut, ishte një nga krerët kryesorë të Grupit Komunist të Shkodrës, i dënuar me burg politik në gjyqin e famshëm të vitit 1938, së bashku me Qemal Stafën e Vasil Shanton, pjesëmarrës në mbledhjen themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe anëtar i Komitetit Qendror Provizor të saj, që nga mbledhja themeluese e 8 nëntorit të vitit 1941, komisar politik i Brigadës së Parë Sulmuese dhe Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, ku nga mbarimi i Luftës, në nëntorin e vitit 1944 e deri në 1955-ën, mbajti disa funksione dhe detyra të larta partiake e shtetërore, si: anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare, ambasador fuqiplotë i Republikës Popullore të Shqipërisë në Beograd, President i Sindikatave të Shqipërisë, ministër i Financave dhe zv/Kryeministër i qeverisë shqiptare, të kryesuar nga Enver Hoxha etj. E gjithë dosja voluminoze (formularë dhe hetimore) që publikohet për herë të parë nga Memorie.al., ku ndodhen me qindra dokumente të panjohura, në ngarkim të ish-gjeneral-leitnant Tuk Jakovës, (“Hero i Popullit”), të cilat i përkasin periudhës së viteve 1951-1959, kur ai pas kontradiktave të shumta, që kishte me Enver Hoxhës që nga mbarimi i Luftës, në vitin 1951 u përjashtua si anëtar i Byrosë Politike dhe në 1955-ën, u përjashtua edhe nga Komiteti Qendror i PPSh-së, duke u shkarkuar edhe nga të gjitha funksionet e partiake e shtetërore, që kishte mbajtur deri në atë kohë, u internua familjarisht në rrethin e Beratit, ku pasi punoi disa kohë si përgjegjës i Repartit të Zdrukthëtarisë në atë qytet, në 1957-ën, u dënua me izolim në Kalanë e Kaninës së rrethit të Vlorës, ku dhe u arrestua në vitin 1958, duke u dënuar me 20 vjet burg, i akuzuar si “tradhtar e armik i popullit”, deri sa vdiq në spitalin e Burgut të Tiranës në vitin 1959, në rrethana misterioze! Çfarë thuhet në dokumentet sekrete (relacione, fotografi, kartela, formularë, raport-informacione, shënime, proces-verbale, raporte-survejimi, plane-masash, letra denoncuese, etj.) që i përkasin periudhës 1955-1959, kur ai ishte në ndjekje dhe survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit, cilët ishin oficerët e organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që ishin ngarkuar për vëzhgimin e tij dhe emrat e pseudonimet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, që e mbanin atë nën vëzhgim të rreptë?!
Informacioni i Sigurimit të Shtetit për letrën e Frano Jakovës që ishte i internuar në qytetin e Gramshit, dërguar vëllait të tij, Tukut, në Berat
LETRA QË I DËRGON FRAN JAKOVA NGA GRAMSH ELBASAN, TUK JAKOVËS NË PUNISHTEN E BERATIT
I dashtuni Tuk
U gëzova pa masë sot kur mora letrën tënde e cila mu duk se solli ugur të mirë. Ajo qe e para letër që mora në Gramsh.
Siç do të keni mësue nga letra e Kristinës, neve të gjithë jemi mirë. Po thuaj se edhe jetojmë në të njëjtat kondita me përjashtim të faktit se, ju gjendeni në qytet, ndërsa unë në katund. Kemi një dhomë 4 x 4 dhe një kuzhinë e që s’ja kalon dot asaj tuajës për madhësi. Këtë shtëpi nuk ka shumë kohë që e kemi marrë.
Ma parë gjendeshim në një farë hani në një dhomë që më kujtonte Tepelenën. Atje u futëm përkohësisht, por nuk dukeshin shenjat e largimit prej saj, deri sa mora një masë energjike dhe diplomatike njëherit, e cila e detyroi udhëheqjen e vendit të më sistemojë këtu ku jam sot.
Për Gramshin, ndërtesa quhet e mirë. Jetesën nuk e kemi dhe aq të keqe, e kjo i dedikohet punës ose më mirë me thënë zanatit të Marisë. Ti vetë thojshe se nuk jetohesh me rrogën e vogël prej 3.000 lekësh me gjashtë vetë. Kjo është e vërtetë, rroga e jeme shërben sa me marrë ushqimet, me pague huan shtetnore, ndonjë borxh të paradhënieve të tërhequna me rastin e transferimit nga Tirana në Ministrinë e Arsimit dhe qiranë e shpisë me dritat, pastaj me i ra karadyzenit.
Por edhe pse jemi në kondita të tilla, jetojmë dhe bile nuk ankohemi fare. Por më vjen pak keq për fëmijët, por tek e mbrapmja, le të mësohen me privacione se jeta asht e gjatë dhe jo gjithmonë shesh me lule.
Ka një të mire, se e kanë kuptue situatën dhe i janë shtyrë kësaj gjendjeje. Ato e dinë se në kohën e lire, duhet mbajtë Vollona, për të lejue Marijen me punue, e mbajnë me radhë pa bë fjalë. Kështu lajnë shtëpinë, enët, ndejnë rrobat të vogla, mbushin ujë dhe nuk lënë pa mësue edhe mësimet. Që të dyja janë të parat të klasës dhe kanë diferencë të madhe nga nxënësit e tjerë. Teuta bën përjashtim nga dy motrat e tjera dhe është largu nga Gramshi, dje na tha në telefon, se nuk do të vijë më në Gramsh, por pret që të shkojmë ne në Tiranë.
Unë jam shitës në repartin e reciprokut. Aty mundohem t’i shërbej sa më mirë popullit. Kam sodisfaksion se populli është i kënaqur nga puna e jeme. Flasin me simpati për ndershmërinë time dhe për trajtimin e mirë që ju bëj. Drejtoria më ka falenderuar për punën, më ka nxjerrë dy herë të dalluar dhe në këtë muaj më ka shpërblyer me 1.000 lek.
Kjo më duket si lojë fëmijësh, që dal shitës i dalluem pa kuptim: Këtij dallimi për mua është: I shtrenjtë. Kjo tregon ndershmërinë time ndaj çështjes dhe vendosmërinë me i shërbye kësaj çështje në çdo rrethanë. Unë nuk i shmangem kurë kësaj çështje dhe kam forca, durim dhe guxim me vazhdue ti shërbej gjithë jetën, me besim të plotë në të drejtën. Thojshe se edhe Mitën e përjashtuan nga Partia.
Për mua nuk ishte diçka e pa pritun, unë e dijsha se edhe thanjet e pa drejta për punën, n’organizatë nuk do ta shpejtojnë. Unë për vedi nuk kam ba asnjë apel. Më ka shërbyer ardhja në Gramsh, me e njoftë mirë jetën dhe me jetue ma afër fëmijëve dhe familjes. Këto janë njerëzit, me të cilët kaloj ma tepër kohën, njëkohësisht edhe lexoj shumë literaturën artistike, munde të thom se kam mbarue se lexuemi njatë volum.
Pata marrë me vete operën “Jolanda” të Çaikovskit, me e përkthye, por tue pa edhe atë qyqe muzikë që kam punue e kanë heqë nga qarkullimi, hoqa dorë nga përkthimi i Operës. Na ka marrë malli shumë për ju dhe ju kujtojmë vazhdimisht. Me u takue nuk di se kur takohemi, por uroj së shpejti të takohemi dhe të mblidhemi si dikur e gjithë familja në Tiranë.
Ju përqafojmë me mall. Na shkruani dhe mos na harroni.
I juaji Franjo.
Gramsh 14.X.1955.
Nxjerrë nga Punëtori Operativ i K.P.
(Aspirant)
Themo Konxhomi
Raport-informacioni i Punëtorit Operativ të Sigurimnit të Shtetit, Nën/Toger, Qemal Ahmeti, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Maja e Leklit”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe familjes së tij në rrethin e Beratit
Dhënë nga B.p. “Maja e Leklit”
Marrë nga P.Op. N/Tog. Qemal Ahmeti
Raport
Burimi informon se në një bisedë që pati me Liken _________ nga kalaja, punëtor në zdrukthëtari, ndër të tjera Lika e tha se Tuk Jakova, pat thënë se; nuk është e drejtë për dhomën që i marrin, se ai ka luftuar dhe se e njeh mirë kryetarin e Komitetit shokun Myzafer Trebeshina, ai është bir pasaniku dhe mua s’më bën dot gjë.
Përsha i përket punës, shoku Tuk Jakova është treguar aktiv, ai me gjithë se është përgjegjës, shumë here punon edhe vetë, për veç asaj, ka nxjerrë disa modele pune, si krevate fëmijësh dhe dollap. Në punën vullnetare është treguar i rregullt dhe për veç kësaj, ne gjatë punës, bëjmë pushimin në çdo 2 orë e 10 minuta.
E shoqja e Tukut ka qenë arsimtare, por ka disa javë që është në pritmëri.
Me datën 6.XI.1955, të shoqen e Tukut e takova në Rrogozhinë kur po shkonte në Tiranë.
“Maja e Leklit”
Berat, më 9/XI/1955
Detyrat:
- Ju dha si detyra nga shefi Sek. III-të toger Nimet Meçani, për të sqaruar nëse shprehjen e tij, në lidhje me kryetarin e Komitetit, e ka thënë në masën e punëtorëve, apo në disa njerëz.
Gjithashtu ju dhanë dhe detyra të tjera.
Masat operative:
- Të shtypet informata në dy kopje dhe t’i jepen shefit Sek. III-të.
Punëtori Operativ
N/Toger (Qemal Ahmeti)
Raport-informacion i oficerit të Sigurimit të Shtetit, toger Nimet Meçani, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Nuredini”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Tuk Jakovës dhe familjes së tij në rrethin e Beratit
Burimi
Dhënë nga B.p. “Nuredini”
Marrë nga toger (Nimet Meçani)
Dt.10/XI/1955
R A P O R T
Sot me datën 10/XI/1955 ora 19.00, në prezencë të Punëtorit Operativ N/Toger Qemal Ahmeti, u bë takimi në natyrë, me B.p. “Nuredini”, i cili na raportoi si më poshtë.
Me datën 25/X/1955 ai së bashku me Tuk Jakovën u përgatitën për të shkuar në Qytetin “Stalin” për arsye se janë duke bërë një shpikje për ç’frytëzimin e mbeturinave të dërrasave që punon zdrukthëtaria. Para se të niseshin për në Qytetin Stalin, ai shpuri në Drejtorinë e P. Brendshme, tek oficeri i rojës, pasaportën e tij dhe të Tukut, e kërkon prej tijë që mundësisht lejet t’u jepeshin shpejt, mirëpo oficeri i rojes, tha se si mbas rregullit, do t’i merrni në orën 12 të drekës. Ai shkoi dhe i tha Tukut, që nuk na japin tashti, në këtë kohë, Tuku u nxeh dhe i tha atij; ik dhe merrmë pasaportën time, nuk e dua fare lejen, na u bë firma e Zylfi Saliut, si e Ali Pashë Tepelenës! Ai i tha: mos u mërzit shoku Tuk, se ata ashtu do të kenë rregull dhe unë do të shkoj prap t’i marr.
Mbasi morën lejet, u nisën për në Qytetin “Stalin”, kur hynë brenda post-bllokut, Tuku i tha atij, ai: shet gjithë këto puse?
Këta na lanë fukara ne, çdo pus kushton 7 milion lekë për t’u hapur, vendi jonë nuk ka interes nga nafta, një ton naftë ne e shesim 16 rubla, kështu që shteti jonë del defiçit me naftën. Unë kam dërguar tre herë komision kur isha në qeveri dhe kemi bërë analiza dhe kishim rënë dakord që ta shikonim se nuk kemi interes.
Vajguri tek ne është shumë i thellë dhe akoma nuk e kemi gjetur, ne kemi shkuar vetëm 1.500 metra thellë, kurse vajguri është 3.000 metra, unë kisha propozuar që të shponim deri në 3.000 metra dhe ashtu kishim rënë dakord.
Në vazhdim të këtyre bisedave, Tuku i tregoi atij një si punë historie, për një pus nafte në Siberi, që Bashkimi Sovjetik kishte kohë që po kërkonte naftë dhe se inxhinierët kishin caktuar nja 3.000 metra, por kur u arrit kjo thellësi, nafta nuk u gjet dhe inxhinierët deshën që ta mbyllnin, por një punëtor i bëri kërkesë Stalinit, që të shponin edhe 500 metra në thellësi, Stalini e aprovoi dhe mbas 50 metrave, u gjet naftë.
Mbasi mbërritëm në drejtorinë e Kombinatit të Naftës, nga ku morëm leje për të hyrë në uzinë, aty në drejtori, Tuku njihte mjaft persona me të cilët u takuam dhe ata e respektuan duke na bërë lehtësira, për të na dhënë leje, u interesua një shok, vajti dhe e firmosi lejen shpejt tek drejtori e na i dha.
Personat që Tuku u takua me ta, nuk i njihte. Nga drejtoria e kombinatit ai dhe Tuku i nisën për në Sigurim në Qytetin Stalin, ku duheshin firmosur lejet.
Gjatë rrugës për në Sigurim, Tuku i tha atij: “Po këtu a do na vonojnë”? Ai iu përgjigj: “Të shohim, si i kanë rregullat dhe po të mos ketë njeri, s’ka pse të na vonojnë”. Aty në Sigurim lejet i firmosi një Masar dhe na i dha shpejt. Kur u larguam nga Sigurimi, Tuku i tha atij: “Shih tash telefonat, Sigurimi i Beratit, lajmëruan menjëherë Sigurimin e këtushëm dhe i thotë, shihni se aty ka ardhur Tuk Jakova, kontrollojeni se mos bën gjë”. Në këtë çast, ai i tha: “Pse mos shoku Tuk ta bëjmë atë”, Tuku i tha: “E po qeveria ka të drejtë, don të dijë, se ç’bëj unë dhe ka hall se mos bëj ndonjë gjë, duke prishur ndonjë makineri”.
Duke folur për gjendjen e tij ekonomike, Tuku i ka thënë atij, se; kam disa mobilie në Tiranë dhe do t’i shes ato, kështu që ndonjë vit do të kalojë, pastaj do të mbetem horr, sepse kam qenë dhe horr do të mbetem. Lidhur me këtë, Tuku i tha atij, s e neve nga Shkodra, horr i themi atij që nuk ka asgjë.
Kur vjen fjala për Partinë, Tuku flet mirë, ai thotë se unë kam Partinë të fortë, mos shiko që m’u bë mua kjo, Partia mundet të shikoj prap punën time dhe mundet të më shpjerë prap atje ku isha. Mua, thotë Tuku, kjo gjë më paisi me eksperiencë të mirë, kjo është eksperienca për mua që të shoh punën më mirë.
Në një rast Tuku, i tha atij se kam pasur një shok të mirë, Vasil Shanton, ishte trim dhe besnik.
Për drejtorin e ndërmarrjes, Andrea Durin dhe nëndrejtorin, Tuku flet mjaft keq, i urren ata dhe thotë se po të kisha unë fuqinë në dorë, do ju vija minat. Drejtori, thotë Tuku, është vetëm për vajzat, çfarë drejtori është ai kur nuk vjen njëherë dhe të pyesë se si shkoni me punë, a ke material, etj.
Në një rast, Tuku e ka pyetur atë duke i thënë se, çfarë pune ka bërë në të kaluarën, ai i thotë se kam pasur me ortak makinën e vajit, Tuku i tha, atëhere qenke i prekur, ai i’u përgjigj, duke i thënë: gjysëm i prekur.
Përsa i përket punëtorit që preu dorën më datën 8.11.1955, në një makinë në zdrukthtari, fajin e kishte vetë punëtori, e preu nga pakujdesia e tij, makina që preu dorën është e atillë që nuk ndodhin aksidente po të kesh mendjen, por ai punëtor, nuk e ka pasur mendjen në vend, kështu, që për këtë aksident, nuk ka faj as Tuku dhe askush tjetër, sepse me këtë makinë nuk ke se çfarë mase mund të marrësh.
Tuku atë e do shumë, e mban afër dhe për gjithçka e pyet, të dy së bashku, kanë në studim një numër shpikjesh që i sjellin ndërmarrjes mjaft përfitime, po ashtu puna, se për këtë shpikje, këto nuk ndihmohen nga drejtori Andrea Duri, me Andrean nuk gjen kohë të bisedosh, ai më tepër e kalon kohën me vajzat, sa që të pres! Andrea është i dhënë mjaft pas femrave dhe as që e vret mendjen për problemet e ndërmarrjes. Ai përveç propozimeve të tjera, ka bërë një propozim që të bëj një farë makine, që kur tulla dhe tjegulla digjen, nxehtësinë që harxhohet në ajër, me anën e kësaj makine, ta mbledh dhe ta përdori për tharjen e tullave dhe të tjegullave të njoma.
Në këtë mënyrë, tulla dhe tjegullat nuk do të prodhoheshin më vetëm në verë, por edhe në dimër, sepse problem i tharjes së tyre, me anën e kësaj makine, zgjidhet. Këtë propozim, edhe Tuku e ka quajtur me vend, por Andrea Duri nuk çan kokën.
“Nuredini”
Detyrë:
- Meqenëse se B.p. ka krijuar lidhje dhe se Tuku ka filluar të flasë, u udhëzua që të mbaj lidhje të rregullta me të, sot për sot, të mos i flasë asgjë, veç të presë, se çfarë do t’i thotë Tuku.
Masat Operative:
- Meqenëse në drejtim të Tukut, është dhe B.p. tjetër, “të shihet se çfarë do të japë edhe ai, për të verifikuar të dhënat.
- Mbi këtë të dhënë, të njoftohet Drejtori i Qarkut dhe t’i relatohet Ministrisë për të gjitha të dhënat që kemi. Memorie.al
Berat, më 10.11.1955
Toger Nimet Meçani
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016