Nga Skifter Këlliçi
Pjesa e tretë
-Copëza ngjarjesh nga një mbledhje historike, me pjesëmarrjen e diktatorit-
11 korrik i vitit 1961, pra 61 vjet më parë…!
Enver Hoxha, megjithëse nuk ishte njoftuar se do të merrte pjesë, erdhi befas në një takim me inteligjencien e Tiranës, ku u diskutuan edhe probleme shqetësuese që kishin lindur në krijimtarinë poetike shqiptare. Jo vetëm kaq, por, nga dëgjues i vëmendshëm i diskutimeve të poetëve të afirmuar komunistë që kritikonin ashpër poetët e rinj, të cilët kërkonin shtigje dhe mjete të reja shprehëse në krijimtarinë poetike, si dhe dëgjues po kaq i vëmendshëm i përgjigjeve të këtyre të fundit, çuditërisht u bë “gjyqtar” për të vendosur paqe midis tyre. Dhe kjo për arsye që do të dalin në pah në këtë shkrim dossier në disa numra.
“Në një farë kuptimi’, – vazhdon Fatos Arapi, – ‘fjala e Enver Hoxhës linte në hije raportin e Ramiz Alisë, i cili ishte disi i ashpër me të rinjtë. I papritur duhet të ketë qenë qëndrimi i tij për drejtuesit e Lidhjes së Shkrimtarëve. Dhimitër Shuteriqi nuk diskutoi fare. Në fund të mbledhjes, ai dukej në presidium shumë i lodhur dhe i shqetësuar. Më vonë nga gojë të këqija, u tha se ai kishte ardhur në mbledhje me dy referate në xhep. Do të mbante atë nga ana e të cilit anonte peshorja”. (Faqe 82).
Lind vetvetiu pyetja: “Përse Enver Hoxha mbajti një qëndrim të tillë, pra, përse u dha dorën të rinjve?
Logjikisht, duke miratuar referatin e Ramiz Alisë, do të mjaftonte që në fund të takimit të theksonte se poetët e rinj duhet të të kenë parasysh këshillat e poetëve të vjetër, që të mos thellojnë gabimet e tyre, të cilat po i shpien drejt një krijimtarie poetike të mbarsur me ndikime moderniste, ashtu siç vunë në dukje me Andrea Varfi, Llazar Siliqi e Luan Qafzezi… dhe nënkuptohet që poetëve të rinj, do t’u mbyllej rruga për një kohë të gjatë.
Dhe, duke marrë parasysh se ç’ndodhi disa vite më pas kur nisi i ashtuquajturi “revolucionarizim i jetës së vendit”, me qarkullimin e kuadrit dhe të shkrimtarëve e artistëve për të njohur nga afër jetën e vendit dhe më 1973 pas Plenumit të 4-t të Komitetit Qendror të PPSH-së, kundër ndikimeve borgjezo-revizioniste, që kam përmendur më sipër, është e kuptueshme se nuk dihet se kur ne do të kishim pasur në dorë ato vepra aq të njohura të Ismail Kadaresë, Fatos Arapit, e shumë e shumë poetëve të tjerë që u shfaqën më pas në letërsinë tonë.
Enver Hoxha në këtë takim përkrahu poetët e rinj, kryesisht se ai e shihte se ata ishin shumë më të talentuar se poetët e vjetër. Kjo nuk ishte shumë e vështirë për t’u kuptuar, aq më tepër nga ai vetë. Vërtet kishte shkuar për studime në Francë, ku nuk kishte mundur të jepte asnjë provim, por të mos harrojmë se kishte mbaruar Liceun francez të Korçës, ku ishte njohur jo vetëm me krijimtarinë e poetëve më të mirë të Rilindjes Kombëtare shqiptare, por, mbi të gjitha, me letërsinë dhe poezinë franceze dhe evropiane.
Si pasojë, nuk e kishte të vështirë të dallonte se ç’ndryshim të madh artistik kishin krijimet e poetëve të vjetër me krijimet e poetëve të të rinj, qoftë edhe nga ato pak shembuj që janë përmendur më sipër. Ai kishte nevojë për talentin e të rinjve, paçka se të shprehur në mënyrë moderniste. Ata do t’i duheshin atij që të thurnin vargje për Partinë, vepra që do të mbeteshin, pikërisht falë talentit të tyre.
Dhe në fakt kështu ndodhi. Poetët tanë të rinj, krahas poezive lirike intime dhe erotike do të detyroheshin të shkruanin edhe vepra ku t’i këndohej “rrugës heroike të Partisë sonë të lavdishme për ndërtimin e socializmi, luftës së saj madhështore dhe të guximshme kundër revizionizmit modern, për ruajtjen e fitoreve të popullit tonë të arritura nën drejtimin e saj dhe, mbi të gjitha, të atij vetë, si krijuesi i kësaj partie, i këtyre fitoreve”.
Nuk gabonte: ishin më pas poemat “Përse mendohen këto male”, “Shqiponjat fluturojnë lart”, të Kadaresë, “Devoll, Devoll!”, “Baballarët”, të Dritëro Agollit, “I përkasim komunizmit”, të Fatos Arapit, ndonëse në të nuk përmendet gjëkundi fjala “parti”, e më pas poetëve të tjerë të rinj që iu kushtuan Partisë dhe atij vetë, të cilat edhe sot mbeten në historinë e letërsisë shqipe si ndër më të mirat, pavarësisht se poetët e mësipërm nuk mund t’i shmangeshin kurrsesi direktivave të partisë dhe Enver Hoxhës vetë. Këta poetë ishin të detyruar në një mënyrë, a në një tjetër të paguanin këtë haraç.
Jo më kot në librin e tij, “Alternativa letrare shqiptare”, poeti dhe kritiku njohur kosovar, Agim Vinca shkruan kështu rreth kësaj çështjeje:
“Këtë përkrahje shkrimtarëve të rinj, Kadareja e shpjegon si një manovër për t’i përvetësuar ata, (poetët e rinj, shënimi im- S.K.), si një karrem që u hidhej atyre në mënyrë që prej talentit të tyre, të përfitonte pastaj regjimi dhe vetë diktatori. Pavarësisht nga paraqitja, sipas Kadaresë, djallëzore që kishte, këtë qëndrim të shefit të Partisë dhe të shtetit sikurse edhe me klimën liberale që u krijua në fund të viteve ‘50-të dhe në fillim të viteve ‘60-të,…shkrimtarët shqiptarë e shfrytëzuan për t’ia ndërruar dukshëm fizionominë deri atëherë tejet uniforme letërsisë shqipe dhe veçanërisht krijimtarisë poetike”.(Vepër e cituar, faqe 71).
4
Jehona e këtij takimi nga Ernest Koliqi dhe Martin Camaj!
Duhet të vëmë në dukje se zhvillimet e letërsisë shqipe ndiqeshin me vëmendje dhe nga shkrimtarë e studiues shqiptarë që ishin detyruar të linin atdheun me uzurpimin e pushtetit nga regjimi komunist. Të tillë ishin, p.sh., Ernest Koliqi e Martin Camaj. Në revistën “Shejzat’,( Viti VII, 1963), që botohej në Itali, shkruhet një artikull i gjatë kushtuar takimit të Enver Hoxhës me poetët e vjetër dhe poetët e rinj, të cilin Fatos Arapi e përfshin të plotë në librin e tij “Kur kujtohen që jam”, ku jepen vlerësime të tyre për këtë takim.
Po citojmë disa fragmente nga ky artikull:
“Në letërsinë shqipe kanë pasë qenë bë hapat e parë të mbarë dhe kanë qenë vu gurët e themelit të gjinive letrare përpara ardhjes së komunistëve në fuqi. Kjo asht kaq e vërtetë sa edhe sot mbas zhbirueses, sharrimit e shartimit të shkrimtarëve ma të mirë, që gjetën të kuqt, përpjesëtimi i të rinjve me te vjetrit në Shqipni qëndron ende afërsisht tre me dy në fitim të të rinjve.
E tash, për të pa se qysh i ve në hulli e shtruam Enveri pendëtarët e Shqipërisë sot, le t’i hedhim një sy premtimit të tij patetik në mbledhjen e gjanë me shkrimtarët (Revista “Nëntori’, nr 8, gusht 1961), mbas vendimeve të Kongresit të 4-t të PPSH-së, (Partisë Komuniste Shqiptare):
“Prandaj këtë dashuri, këtë besnikëri dhe patriotizëm, që ushqeni për popullin dhe atdheun, (lexo partinë), partia do t’ua shpërblejë dhjetë dhe njëqind herë më shumë me kujdesin e saj. Partia është me ju, partia është çdo çast me të renë dhe ju për çdo hap tuajin do të kini kurdoherë ndihmën e përkrahjen e pakufishme të Parisë dhe Komitetit Qendror.”
Më poshtë në këtë artikull theksohet:
“Duhet shënue këtu se kjo mbledhje ngjet mbas vendimeve të Kongresit të 4-t të Partisë, mbajt për shkak t’akrobacisë politike që bani udhëheqsia e kuqe e Tiranës t’ue shqelmue Moskën dhe tue u lëshue në prehën të Pekinit. Mandej duhet vërejt së bari kryesuar që Enveri i kon turmës së privilegjueme të shkrimtarëve të hutuam e të friksuem se mos binë në kurthe befas, asht temjani dehës “super hipokrit” i nacionalizmit….
Hec e thuej tash se këta shkrimtarë e artista nuk janë… “ushtarë që dalin prej kazermës simbas buris së burizanit për në paraqitjen e forcës në resht e gërthasin me sa za kanë -“nji dy, këtu, këtu, këtu…”!
I gjitha halli që e shtrëngon partinë me u lëshue penin… asht frika se mos e “mprehin pendën dhe krijojnë një kundërrevolucion, si atë të tetorit të 1956-ës në Hungari…”!
Ernest Koliqi dhe Martin Camaj, ndonëse larg atdheut, bënin një analizë të drejtë të gjendjes së krijuar pas mbledhjes së 11 korrikut të vitit 1961…! Poetët e rinj e të vjetër, edhe po të mos donin, ishin të detyruar të bëheshin ushtarë të bindur të Partisë. Sidomos të rinjtë, talenti i të cilëve i duhej diktatorit më shumë se kurrë.
Megjithatë, debate zhvendoset në shtypin letrar!
Gurakuqi kundër Agollit
Fillimi i viteve ‘60-të duhet vënë në dukje ka qenë periudha e një farë lirie shtypi nëpërmjet debatesh në shtypin letrar, ku shfaqeshin edhe mendime të kundërta, (natyrisht, jo kundër Partisë). Është për t’u habitur se si nga ‘Kupola e Kuqe’ nuk erdhi ndonjë sinjalizim, për t’i ndërprerë këto debate që lexoheshin me kureshtje dhe interes dhe në një farë mënyre të kujtonin debate dhe rrahje mendimesh të intelektualëve tanë që ishin parë në shtypin tonë gjatë viteve ’30. Por duhet shtuar se aso kohe frynte një farë liberalizmi, që u shfaq sidomos në krijimtarinë letrare dhe veçanërisht në poezi.
Them kështu, sepse pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik më 1961-in, dhe sidomos në vitet 1963 –‘64, censura hyri menjëherë në veprim.
Kjo solli si pasojë që në një plenum të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të kritikoheshin ashpër dy drama, përkatësisht të Fatos Arapit dhe Qamil Buxhelit, “Drama e partizanit pa emër” dhe “Dueli”, të cilat nuk panë kurrë dritën e skenave. Më keq, siç përmenda më sipër, ndodhi me dramën “Rrethimi i bardhë”, të Naum Priftit, që u shfaq në në Teatrin e Korçës më 1964-ën, të cilën e kam përmendur në fillim të këtij dossieri.
Por, të kthehemi të debatet në shtyp për poezinë. Kam ruajtur që atëherë disa artikuj që u botuan menjëherë pas takimit të 11 korrikut, të cilat pasqyrojnë një diskutim të gjerë, sido që jo rrallë përsëri të ashpër, por, megjithatë konstruktiv, që, siç e cilëson poeti dhe kritiku Agim Vinca, “mund të cilësohet një polemikë me të vërtetë letrare. (“Alternativa letrare shqiptare”, faqe 59).
Edhe pse diktatori Enver Hoxha, u dha ‘pasaportën’ poetëve të rinj, prapëseprapë ata mbetën nën shënjestrën e poetëve të vjetër. Do të përpiqem ta rindërtoj këtë debat edhe nëpërmjet studimit të Agim Vincës, botuar në librin e mësipërm. Ato që kritiku dhe poeti Mark Gurakuqi nuk kishte arritur, me sa duket t’i shprehte në takimin e 11 korrikut, gjeti rast t’i trajtonte në një artikull të gjatë, me titull “Traditë dhe novatorizëm, (“Drita”,13 dhe 20 gusht 1961), ku, ndër të tjera, shkruante:
”Në këto vitet e fundit, kryesisht disa poetë të rinj kanë fillue të shkruejnë në një mënyrë tjetër nga ç’shkruhej ma parë. Hapin e parë e bani Ismail Kadareja e mandej disa të tjerë si Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Halil Qendro, e madje edhe Dhori Qiriazi e Sandër Gera, që zakonisht shkruenin si mbas modeleve klasike. Nuk po përmend disa emna fillestarësh”.
Më pas gjuha e Mark Gurakuqit nuk ka asnjë ndryshim nga gjuha që përdorën Andrea Varfi e Luan Qafëzezi në diskutimet e tyre para Enver Hoxhës. Madje ai tregohet i ashpër kur nis e analizon poezinë e Kadaresë:
“Për mue’, -shkruan ai, – kjo asht në një pjesë të mirë të saj, një poezi e diskutueshme për disa arsye, siç asht ajo e reduktimit të figurës si mjet më vetë e, në disa raste, e shmangies së saj nga tradita e poezisë sonë…”.
Për ta ilustruar mendimin e tij, ai merr si shembull poezinë “Laçi” dhe ndalet te vargjet:
“Shoh se si një mbrëmje vere/
do të zbresë nga mali një malësor/
si kompas mbi këmbët e gjata”.
Më tutje veçon vargjet :
“Ky qytet do të veshë kombinezonin proletar,
s’do të gogësijë duke pirë çaj,
i futur në pizhame”.
“Sa i ruajnë tiparet e një poezie kombëtare disa vjersha të Kadaresë”? – shtron pastaj ai pyetjen.
Mirëpo, të shtrosh këtë pyetje dhe në këtë mënyrë, do të thotë ta ngushtosh shumë konceptimin e kombëtares, për të mos thënë se nuk e kupton këtë konceptim të ri, ose, për më keq, se nuk do që ta perceptosh. Dhe kjo sepse ai nuk duron figura të tilla, të cilat për herë të parë e më guxim po përdoreshin nga poeti i ri, që thyente tabunë vendosur me një ligj të pashkruar nga poetë e vjetër, duke përfshirë edhe vetë Mark Gurakuqin…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016