Dashnor Kaloçi
Memorie.al/ Krishtlindjet, festa më e madhe e besimtarëve të krishterë në mbarë botën, në Shqipëri ka filluar të festohet (pas një ndërprerje të gjatë) vetëm pas viteve ’90-të, kur regjimi komunist u detyrua që të bënte lëshime si rezultat i trysnisë së faktorit ndërkombëtar dhe gjithashtu nën presionin e madhe të mijra besimtarëve katolik e ortodoks shqiptarë. Të cilat ishin privuar nga kjo gjë, që nga viti 1967 kur regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës, ndaloi me ligj ushtrimin e besimeve fetare, duke e e shpallur Shqipërinë si vendin e vetëm ateist në botë, gjë e cila u sanksionua edhe në Kushtetutën e vitit 1976. Në ’67-ën, regjimi komunist i ndaloi dhe de jure ushtrimin e besimeve fetare, pasi de facto atë gjë, pra luftën e egër ndaj religjioneve fetare, e kishte filluar që nga viti 1945, duke arrestuar, burgosur, internuar dhe ekzekutuar, me dhjetëra meshtarë katolikë, por dhe ata të besimeve të tjera të klerit ortodoks dhe mysliman, gjë e cila vazhdoi në mënyrë lineare deri në fundin e viteve ’80-të. Por edhe pse nën këtë persekutim të paparë të religjioneve fetare në Shqipëri, ku duhet thënë se ai ndaj klerit katolik ishte në përmasa shumë më të mëdha se besimet e tjera, nga viti 1945 e deri në 1967-ën, besimtarët e shumtë të krishterë mbushnin objektet e kultit, ku festa më e madhe ishte ajo e Krishtlindjeve. Një ndër ata klerikë të besimit katolik që jepte meshë gjatë periudhës së komunizmit nga vitit 1945 deri në 1967-ën, ka qenë edhe Dom Ernest Simoni Troshani, i cili prej 9 tetorit të vitit 2016, u shpall Kardinal nga Papa Françesku,, duke qenë Kardinali i dytë shqiptar pas Dom Mikel Koliqit. Memorie.al po bën publike disa foto të rralla të Dom Ernestit, që fillojnë nga periudha e Monarkisë së Zogut dhe vazhdojnë më pas në vitet e pushtimit të vendit dhe vijojnë në periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës, kur ai ishte dorëzuar meshtar dhe jepte meshë, në ceremoni të ndryshme fetare. Foto nga takimet e tij me Papa Françeskun në Vatikan dhe gjatë vizitës që kreu i Selisë së Shenjtë, bëri në Shqipëri. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016