Nga Viktor Zef Kasneci
Memorie.al / Ishin ditët e fundit të vitit 1989 dhe fillimi i vitit 1990 dhe koha për të cilën do të flas në këtë shkrim, ka zënë një vend të konsiderueshëm e tejet të veçantë në kujtesën time. Ishte një dimër i ftohtë, i thatë dhe shumë i zymtë, dhe ishte normale që dimri në Shkodër të qe i ftohtë, por zymtësinë e atij dimri, ia shtonte jeta e vështirë dhe e padurueshme, të cilën po e përjetonim si popull në përgjithësi. Për brezin tim është e imagjinueshme ajo periudhë, por për brezin e sotëm është e pabesueshme!
Shqipëria në përgjithësi po kalonte një situatë politike dhe ekonomike katastrofale, ishte koha kur ushqimet bazë merreshin me talon dhe me racion, Shqipëria ishte kthyer në një burg dhe kamp të madh përqendrimi. Isha shumë i ri dhe dëshira për të jetuar kishte rënë në nivele të frikshme, durimi kishte arritur në pikën më të ulët, frika gjithashtu na kishte hyrë në palcë nga një regjim që koha e vërtetoi se ishte ndër më të egrit në botë.
Një rini e pa shpresë, kontingjent për t’u burgosur në çdo moment, qoftë edhe për një fjalë goje kundër regjimit, nuk ishim as nga ata që të tentonim të arratiseshim, se mund të na vrisnin në kufi dhe na internonin familjen mandej, por nuk ishim as nga ata që mund të jetonim në këtë robëri, dhe shprehjes “durimi e ka një kufi’ siç duket i kishte ardhë momenti.
Quhem Vitor Kasneci dhe jam një nga pjesëmarrësit e demonstratës së parë antikomuniste qe kishte ndodhur në 45 vite nën regjimin komunist të diktatorit Enver Hoxha në Shqipëri. Demonstrata e 14 janarit 1990, qëllimi i së cilës ishte të shprehte hapur pakënaqësinë dhe mllefin e akumuluar prej shumë vitesh në popullin e Shkodrës kundër këtij regjimi dhe për të tentuar që të arrijmë dhe të vrasim frikën njëherë e përgjithmonë…!
Jo për të marrë rolin e protagonistit, por si një ndër pjesëmarrësit e asaj demonstrate dhe me një rol të konsiderueshëm në atë ngjarje, po mundohem të sjell nga kujtesa ime, disa nga momentet më të rëndësishme të përjetuara nga unë.
Ishte periudha kur në të gjithë Europën Juglindore kishin filluar lëvizjet antikomuniste, Timishoara ishte në flakë dhe regjimit në Rumani po i vinte fundi, Muri i Berlinit po shembej dhe Gjermania po bashkohej, si dhe dita-ditës shihej se ky sistem po merrte një goditje të fortë në gjithë Lindjen Komuniste.
Ishin ditët e fundit të dhjetorit 1989 dhe së bashku me një grup shokësh, po rrinim në qendër të qytetit tonë, pasi kishte disa ditë që mblidheshim dhe diskutonim ngjarjet që po ndodhnin nëpër vendet me sistem diktatorial, dhe e vërteta është se, ishim bajagi të informuar për këto ngjarje. Duke marrë shkas edhe nga lajmet që dëgjonim fshehurazi, sidomos “Zërin e Amerikës”, të interesuar, por edhe të frymëzuar prej atyre ngjarjeve, u hodh ideja që pse edhe ne mos të fillonim e të protestonim kundër atij regjimi!
I pari që hodhi këtë ide, ishte Ded Kasneci, (xhaxhai i jem) dhe e menjëhershme ishte dakortësia e të gjithëve, e sidomos e njërit nga ne, i cili quhej Rini Monajka dhe që dallohej mes nesh, si një djalë me intelekt e me formim perëndimor, madje ishte kënaqësi të bisedohej me të. Ideja ishte që të organizohej një demonstratë proteste, ku si qëllim kryesor, do të ishte rrëzimi i bustit të Stalinit, si simboli i regjimit shtypës diktatorial. E vërteta është se Deda dhe Rini, ishin shumë më të mirë informuar dhe përveç guximit e trimërisë që i karakterizonte, një rol të madh luante edhe përvoja e jetës dhe e moshës që kishin.
U hodh ideja nga Deda dhe fjala mori dheun, fill, në Shkodër.
E si mund të ndodhte ndryshe në Shkodër, në qytetin më të persekutuar në Shqipëri, ku numëroheshin me qindra të pushkatuar, me mijëra njerëz të dënuar politikë dhe mijëra familje të internuara, me një fjalë “qyteti më reaksionar”, për pushtetin e asaj kohe!
Sapo fjala u shpërnda, u njoftuan disa djem që ishin me influencë në lagjet e tyre të banimit, si Gjergj Livadhi me vëllezërit e tij, i cili mori një rol shumë të madh prej organizatori dhe së bashku me Flamur Elbasanin, Nikolin Thanën, Nikolin Margjinin, vëllezërit Apollon dhe Kastriot Haxhi, Huana e Lek Kurti, Tef dhe Keti Curani, Vitor e Ler Martini, Gjovalin Rrolba, Gjovalin Zefi, Zef e Nikolin Kasneci, Franko e Tonin Kasneci, Tonin Dema, Aldo Perizi, Klaudio Daka, Kolec Ublina, Fatbardh Lici, Ndoc Leqejza, Adam Darragjati, Ylli Gershana, Nard Çiperjani, Edmond Ndoci, Ibrahim Bilali, Pjerin Deda (‘Axha’), e shumë e shumë të tjerë, të cilëve u kërkoj ndjesë nëse nuk përmenden në këtë listë, por të gjithë së bashku, kanë luajtur një rol të konsiderueshëm në këtë ngjarje me rëndësi të madhe historike.
Menjëherë, brenda disa ditëve, (11 deri 14 janar 1990), filloi organizimi për të njoftuar dhe mbledhur sa më shumë njerëz, me të cilët në një ditë që do të vendosej, të dilnim dhe të protestonim dhe në këtë protestë e sipër, të rrëzonim bustin e Stalinit.
Në krye të këtij organizimi ishin Ded Kasneci, Gjergj Livadhi, Rini Monajka, Flamur Elbasani dhe Kolec Ublina, i cili mori përsipër të mbajë edhe një fjalim në prani të protestuesve, si dhe disa të tjerë.
Si fillim u caktua data 11 janar 1990 që të dilej në qendër të qytetit, dhe kështu u veprua. Paraditen e 11 janarit duke pasur parasysh se ishte edhe ditë pushimi (Festa e Republikës) dhe me shpresën se do të kishte shumë pjesëmarrje, por e vërteta është se atë ditë nuk u grumbulluan aq shumë njerëz sa ç’kishim parashikuar ne, edhe pse lajmi ishte përhapur në gjithë qytetin. Frika dhe terrori që kishte kaluar në këto 45 vite populli shqiptar dhe në veçanti populli i Shkodrës, i cili ia dinte pasojat siç u duk e kishte bërë efektin e saj, megjithatë ishim disa qindra njerëz të grumbulluar, megjithëse terrori nga Sigurimi i Shtetit kishte filluar dhe ky terror po jepte efektin e tij.
Sigurisht që fjala kishte mbërritur edhe tek organet e Policisë dhe të Sigurimit të Shtetit, kishte ditë që Sigurimi i Shtetit me drejtuesit kryesorë të tyre kishin mbërritur në Shkodër dhe në krye për të shtypur këtë demonstratë ishte caktuar Zylyftar Ramizi, zëvendësministri i Brendshëm dhe drejtuesi i Sigurimit të Shtetit. Atë ditë të 11 janarit nuk u realizua ajo për të cilën kishim ditë që po punonim dhe ëndërronim, mbasi qëndruam në shesh disa orë u shpërndamë dhe vendosëm që të ri mblidheshim më 14 janar gjithmonë me shpresën se duke qenë e diel do të kishte më shumë pjesëmarrje, por gjithmonë në varësi edhe se si do të reagonte regjimi.
Por si u pa ‘bisha e egër’ e Sigurimit të Shtetit, i kishte marrë masat: Në rrethet tona kishte edhe njerëz të infiltruar që dërgonin informata se çfarë planesh kishim, pra Sigurimi Shtetit ishte informuar se ne do të dilnim përsëri mbas 3 ditësh dhe pikërisht më 14 janar. Duke e menduar shumë serioze situatën, ata morën masa për të parandaluar një grumbullim të dytë dhe pikërisht një natë përpara, nisën arrestimet. Si fillim arrestuan Dedën, Gjergjin dhe Flamurin, duke i konsideruar si më kryesorët dhe duke e gjykuar se pa këta, mund të dështonte demonstrata.
Por edhe ato (flas për regjimin), nuk e besuan kurrë se në Shkodër ditën e diel të 14 janarit 1990, qendra e qytetit (Piaca) ishte mbushur plot me njerëz, rreth bustit të Stalinit, ishin mbledhur qindra njerëz, megjithëse bustin e kishin rrethuar me dhjetëra sampistë të Forcave Speciale të ardhur nga Tirana dhe oficerë të Sigurimit. Lajmet për arrestimet e një nate më parë u përhapën dhe besoj se ndikoi shumë në qëllimin tonë përfundimtar. Megjithëse qëndruam në qendër për disa orë duke krijuar edhe incidente me forcat e policisë, duke i hedhur gurë mikrobusëve të Policisë, që lëviznin me shpejtësi për të krijuar terror në popullatë, edhe aty para bustit, pati të arrestuar, morën me dhunë Kastriot Haxhin.
U hap lajmi se në tarracat e ndërtesave rreth bustit, ishin vënë snajper të gatshëm, të cilët nëse do të ndërmerrnim veprime për të rrëzuar bustin, do t’u qëllonin pa paralajmërim! Mbasi qëndruam disa orë dhe tentuam disa herë, njerëzit filluan të tremben, se u hapën lajme se kanë filluar arrestimet në masë. Dhe vërtetë kishin filluar arrestime në masë, pasi sapo mbërritëm në shtëpi, na erdhi edhe ne ‘radha’ e arrestimit.
Një makinë me sampista zbarkoi në shtëpinë tonë dhe na morën të gjithëve, babën Zef, Toninin dhe Frankon (vëllezërit) dhe mua. Dedën e kishin marrë një natë para që më 13 janar. Mësuam gjithashtu, se kishin marrë edhe dy axhat e tjerë: Gjonin dhe Nikolinin. Siç duket tani erdhi momenti që të ballafaqoheshin me pasojat e kësaj ngjarjeje, pasoja që mund të na kushtonin edhe jetën.
Na dërguan në Degën e Brendshme të Shkodrës, dhe aty pamë që oborri i Degës, ishte mbushur plot me të arrestuar dhe meqë nuk kishin vend ku të na linin dhe sipas planit që kishin bërë, na hipën nëpër makina dhe na dërguan për në Tiranë.
Rreth 30 vetë, përfshi edhe ne që na morën me pranga e me tela lidhur duarsh, përfunduam në qelitë e “Burgut 313” në Tiranë. Na mbajtën në këto qeli për disa ditë, duke na pyetur dhe duke ushtruar tortura ndër më mizoret, aq sa menduam se na erdhi fundi. Qëllimi i tyre ishte që të ngrinin akuza ndaj nesh, për “përmbysje të pushtetit popullor me dhunë” si dhe të na vinin kundër njëri-tjetrit me akuza.
Mbas disa ditësh kur pas dhunës së ushtruar, kishte rënë qetësia dhe gjithçka ishte vënë nën kontroll nga Sigurimi i Shtetit, na morën mua, babën tem, Zefin, si dhe dy vëllezërit e mi, Toninin e Frankon dhe na liruan mandej, duke na urdhëruar që të mos largoheshim nga shtëpia dhe të paraqiteshim pranë organeve shtetërore, sa herë që do të na thërrisnin. Mbasi shkuam në shtëpi në Shkodër, aty i mësuam të gjitha se çfarë terrori i vërtetë kishte ndodhur në atë qytet, gjatë atyre ditëve.
Vetëm po të shikosh se çfarë ka ndodhur gjatë muajit janar 1990 në Shkodër, mund të gjykohet se çfarë impakti ka pasur ajo ngjarje e 14 janarit 1989, për regjimin e asaj kohe. Janë fakte të pamohueshme dhe të verifikueshme, se për atë demonstratë, janë arrestuar apo shoqëruar për t’u pyetur, duke i rrahur dhe torturuar, rreth 600 deri 700 vetë, burra, gra, pleq e të rinj.
Mbas disa muajsh, 10 prej tyre dolën në gjyq dhe u dënuan me nga 12 vite burg e poshtë. Të dënuar me burg ishin: Ded Kasneci, Gjergj Livadhi, Rini Monajka, Flamur Elbasani, Kolec Ublina, Nikolin Margjini, Nikolin Thana, Tonin Dema, Klaudio Daka dhe Aldo Perizi.
U internuan Zef Kasneci, Franko dhe Vitor Kasneci.
Përfunduan në Spitalin Psikiatrik në Elbasan, rreth 10 persona me Vitor Martinin në krye.
Por pati edhe pasoja me humbje jete dhe kjo ndodhi te njëri që ishte ndër më kryesorët në atë ngjarje. Torturat çnjerëzore që ishin ushtruar mbi ne, e në veçanti te njëri prej nesh, kishin lënë pasoja të pariparueshme, duke i kushtuar atij edhe jetën mbas pak kohëve, në një moshë të re e në lulen e rinisë, dhe ky ishte i paharruari RINI MONAJKA.
Ishim të vetëdijshëm se ne nuk do ta përmbysnim dot atë regjim diktatorial me aq lehtësi, por edhe krenarë për gjithçka kemi bërë për rrëzimin e tij, qoftë edhe nëpërmjet një shkëndijë. Dy javë mbas Shkodrës ku u ndez “shkëndija” e parë, më 28 janar 1990, u tentua edhe në Tiranë dhe jo shumë larg, por mbas disa muajsh, ishte Kavaja që protestoi fuqishëm.
Koha erdhi dhe vetëdija për ndryshim shkoi edhe te xhelatët: sistemet komuniste po binin një e nga një në të gjithë Europën Lindore dhe prej kësaj, nuk kishte se si të shpëtonte as vendi ynë, që nëpërmjet dhunës dhe terrorit kundër popullit të vet, kishte mbetur i fundit fare.
Dhe erdhi momenti i duhur i përmbysjes, – e këtu stafetën e morën në dorë studentët, të frymëzuar edhe prej nesh, ata të cilët ishin e ardhmja e këtij vendi dhe që patën fatin për të luajtur rolin e ndryshimeve të mëdha të sistemit, në dhjetor 1990 e në shkurt 1991.
Sot e kësaj dite, pas 30 vitesh, demokracia dhe shteti i së drejtës që ëndërruam dhe për më tepër, që kërkuam me ngulm e vetëmohim në ato ditë të largëta e të ftohta të janarit 1990, ende nuk kanë mbërritur në Shqipëri…! Ndoshta kanë humbur rrugën…, e demokracisë së vërtetë, se vota e lirë dhe të zgjedhurit lirisht nga populli, kanë peshën e tyre të rëndë përfaqësuese për fatet dhe të ardhmen e këtij vendi e të këtyre njerëzve, jo vetëm të qytetarëve liridashës, e kurrsesi të pamposhtur shkodranë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016