Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhet diskutimi i Enver Hoxhës i mbajtur në Plenumin e VII-të të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku ai morri në analizë dhe foli për problemet që kishin dalë në sektorin e naftës, ku ai për herë të parë kritikoi dhe hodhi akuza të rënda, jo vetëm ndaj drejtuesve të atij sektori, duke filluar nga drejtori i përgjithshëm i Naftës, Lipe Nashi, sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Fierit, (ku ishte përqendruar pjesa më e madhe e industrisë së naftës), Piro Gusho, inxhinierëve dhe specialistëve si: Andrea Manço, Zenel Hamiti, Koço Plaku, Protoko Murati, Beqir Aliaj, Milto Gjikopulli, etj., por edhe ndaj kryeministrit Mehmet Shehu, anëtarëve të Byrosë Politike e ministrave, si Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela, Vasil Kati etj. Fjala e plotë e diktatorit Enver Hoxha dhe akuzat e panjohura që ai bëri ndaj Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit, Dashnor Mamaqit, Ramadan Xhangollit etj., të cilët i quajti sabotatorë që kishin bërë punë armiqësore, duke i krahasuar ata me “veprimtarinë armiqësore” që kishte bërë Beqir Balluku me Petrit Dumen, Hito Çakon etj. Propozimet e Enver Hoxhës për shkarkimin e tyre nga të gjitha postet dhe funksionet partiake dhe shtetërore që ata kishin mbajtur deri në atë kohë dhe zgjedhjen dhe emërimin e “disa shokëve të rinj” në vend të tyre në Byronë Politike dhe Komitetin Qendror të PPSh-së, siç ishin: Pali Miska, Hekuran Isai, Qirjako Mihali etj., biografitë e të cilëve, Enveri i bërë publike në atë plenum!
Fjala e Enver Hoxhës në mbyllje të Plenumit të 7-të të Komitetit Qendror të PPSH-së
29 maj 1975
Veprimtaria e tyre, që ishte e shumanshme: në Ushtri, në Arsim e Kulturë, në Ekonomi etj., u zbulua. Ky ishte një komplot i madh, i gjerë dhe i rrezikshëm. Që arritën deri në atë shkallë sa të vepronin këta armiq, s’ka dyshim se gjetën boshllëqe në punën tonë, gjetën një terren të dobët, ku hodhën farën e tyre të keqe. Dobësia qëndronte deri atje sa shumë njerëz menduan se kjo punë armiqësore, ky komplot i rrezikshëm, ishin si diçka sporadike, si disa gabime ose çoroditje personash, shpejt të rregullueshme me një apo me dy mbledhje dhe me disa autokritika. Vigjilenca e Partisë, eksperienca e saj e madhe, nuhatja revolucionare dhe gjakftohtësia, bënë që kjo punë armiqësore të zbulohej në rrezikshmërinë dhe në tërë gjerësinë e saj. Pastaj ka edhe njerëz, flas për ata me qëllime të mira, që e nënvlerësojnë këtë eksperiencë të madhe të Partisë! Kur një punë armiqësore bëhet e qartë, atëherë të gjithë kontribuojnë në dërrmimin e saj. Këtu qëndron forca e Partisë, por kjo forcë duhet të tregohet e plotë për t’a parandaluar armikun që të veprojë. Të gjithë e dimë se armiku nuk fle, ai vepron dhe vepra e tij nuk mund të jetë veçse antiparti dhe antishtetërore, ndryshe s’mund të quhet punë armiqësore, prandaj armiku, duke vepruar, do të lërë gjurmë. Këto gjurmë të ujkut nënvleftësohen shumë herë, megjithëse kemi dalë ta ndjekim dhe ta vrasim “ujkun”, megjithëse orë e çast Partia na mëson që të punojmë, të luftojmë dhe të jemi vigjilentë.
Armiku punon në mënyrë të fshehtë, por për “ushtarët e tij besnikë” ai nuk ka fshehtësi. Ai bën mbledhje të fshehta me lejtnantët e vet dhe këta veprojnë, por sado që ta ruajnë konspiracionin e tyre, ata janë si strucët. Vetëm po të mbyllësh sytë dhe të kesh humbur vigjilencën, nuk do të mundësh t’i shohësh veprimet e tyre në kundërshtim me normat e Partisë dhe me ligjet e shtetit. Kjo punë armiqësore, që zbuluan Partia dhe organet e diktaturës, ishte mjaft e gjerë. Në këtë komplot ka pasur armiq të vendosur, që janë koka dhe skeleti i komplotit, por ka pasur edhe elementë jo armiq, por syleshë, servilë, megalomanë e prepotentë që, pa qenë të lidhur drejtpërdrejt në këtë punë armiqësore, ndihmonin veprimtarinë e tyre. Këtu qëndron një nga detyrat më të rënda dhe më delikate të Partisë për të ndarë shapin nga sheqeri: cili është armik, cili nuk është armik, kush ka bërë gabime të rënda dhe kush ka bërë gabime më pak të rënda; kush i njeh sinqerisht gabimet dhe kush nuk i njeh ato. Gabimet janë individuale, por janë edhe kolektive. Kolektivisht asnjë nuk mund t’i shpëtojë përgjegjësisë, pse ne kemi për detyrë të gjykojmë, të vendosim, të veprojmë dhe të kontrollojmë.
Në një mënyrë ose në një tjetër, askush nuk mund të lajë duart nga përgjegjësia kolektive dhe sidomos në ata sektorë ku vërtetohen gabime. Por, pa nënvleftësuar përgjegjësinë kolektive për fajin, këtë dikush e ka bërë, ka fajtorë drejtpërdrejt dhe këta janë fajtorët kryesorë. Në gjykimin e fajeve, në analizën e punëve ku janë vërtetuar gabime, të dyja këto përgjegjësi duhet të hidhen në balancë, pse pastaj gjykimi dhe vendimi nuk mund të jenë të drejtë. Zakonisht fajtorit i vërsulen me të drejtë, por ka edhe nga ata, si Dashnor Mamaqi dhe tradhtari Pirro Gusho e të tjerë, që ngriheshin e çirreshin në mbledhjet e Komitetit Qendror me një histerizëm të shfrenuar, për t’u maskuar, por, kur fillon të flasë Partia, atëherë na del që sekretarë partie e kanë lënë rrethin për ibret, që me Beqir Ballukun bënin ahengje, që Dashnor Mamaqi, i cili çirrej në Plenumin e Komitetit Qendror kundër Fadil Paçramit dhe Beqir Ballukut, ishte njeriu i tyre besnik dhe bashkëveprues, kurse Pirro Gushoja, doli një tradhtar sabotator dhe nga kryesorët e komplotit. Dhe drejtësia e rreptësia e Partisë janë të dyja të nevojshme të ushtrohen, kur vërtetohen faje dhe gabime në punë e në njerëzit. Partia dhe ne anëtarët e saj, kudo ku punojmë, jemi përgjegjës për çdo gjë që ngjet në vendin tonë.
Ne jemi në pararojë të klasës. Kjo do të thotë se ne jemi përgjegjës përpara saj dhe shtetit të saj për fjalën tonë, për vendimet dhe për veprimet tona, kolektive dhe individuale. Unë mendoj se ata që kanë qenë objekt i kritikave të rrepta nga shokët, nga organizatat-bazë dhe nga forumet, i kanë merituar plotësisht këto kritika. Shokët që kritikohen duhet të kuptojnë dhe t’i ndiejnë thellë fajet e tyre, shkaqet që i shtynë t’i bënin gabimet, ata duhet të kuptojnë politikisht dhe ideologjikisht rrethanat në të cilat vepruan dhe dëmin që shkaktuan. S’ka rrugë tjetër shërimi për ata vetë dhe për gjithë punën tonë. Ne duhet të jemi të rreptë, por të praktikojmë një rreptësi me drejtësi. Ka përgjegjësi Abdyl Këllezi për fajet e tij shumë të rënda, prandaj edhe unë, edhe ju të gjithë s’ia kursyem kritikat. Ai ka bërë faje të rënda. që nuk i lejoheshin. Po pse i bëri? Abdyli ishte një njeri jo dosido dhe të mos na hiqet si i hutuar, ai nuk duhej të bënte gabime të tilla, që nuk na i tha pse i bëri. E thashë edhe më sipër, kur fola për Abdylin, se ai nuk është një marksist, përveç kësaj dhe si konsekuencë, tek Abdyl Këllezi spikatin fort mendjemadhësia dhe një siguri e mbivlerësim i tepruar i kapaciteteve të veta, e sidomos i ideve të tij antimarksiste revizioniste, gjëra që e kanë çuar në gabime kolosale, në marrje vendimesh vetë, pa u këshilluar me shokë të Qeverisë për probleme që ai duhej të këshillohej.
Por këto kanë qenë një pjesë e planit të tij të fshehtë. Ai, si kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, kishte formuar një ide të shtrembër dhe të rrezikshme për kompetencat e tij. E theksova edhe më sipër se për Abdyl Këllezin çdo gjë në Komisionin e Planit të Shtetit, ishte “pa gabime” dhe kjo ndodhte se atje ishte në krye ai, pra edhe veprimet që ndërmerrte për të gjitha çështjet që kritikojmë dhe për të cilat ka përgjegjësi Abdyl Këllezi, po në këtë frymë megalomanie dhe vetëkënaqësie gjykoheshin prej tij. Në këto kushte, trarin në syrin tënd nuk e sheh dot, por qimen në syrin e tjetrit e sheh. Mendjemadhësia të shtyn edhe në karrierizëm, për t’u ngjitur më lart. Po ku do të shkosh? A keni pasur ndonjë qëllim në komplotin që po kurdisej? Ti, Abdyl Këllezi, shkon deri atje saqë në Kuç të Kurveleshit, të thuhet se “ne kemi automobil, se na e dha Abdyl Këllezi”! Po ku e gjete ti automobilin që dhe, si dhe fondet e tjera shumë të mëdha që po akordoje andej-këtej?! Atëherë, duke vepruar kështu, qëllimi arrihet. “Unë Abdyl Këllezi jam aq i plotfuqishëm, saqë edhe një automobil në Kuç duhet të vejë në emrin tim”. Kërkesa dhe përkëdhelja e kultit të çon në rrugë të gabuara të rrezikshme dhe ne mendojmë se s’bëheshin pa qëllim.
Ti ke punuar, po me këto të meta në karakterin tënd dhe në detyrë nuk mund të bësh punë të paqme. Faktet e veprimtaria jote e treguan këtë. E thashë edhe më sipër, se faje s’ke vetëm ti, faje kanë edhe shokët e tjerë ministra, por fajet e tua janë shumë të rënda, puna jote është armiqësore. U dhanë kompetenca, këto mund që të ishin ca të gjera, por këto kompetenca ti, Abdyl, i përdore me qëllim të keq e të caktuar, keq i përdorën këto edhe ministrat e tjerë. Edhe ata u treguan administratorë të dobët. Ju i caktoni fondet nën limit dhe kjo ka rëndësi. Qeveria i vendos, por çdo ministër përse i përdor ato shumë keq? Ti, Abdyl, je fajtori kryesor, por janë fajtorë edhe ministri i Bujqësisë, ai i Industrisë, i Tregtisë, i Arsimit e të tjerë, që nuk i përdorin mirë këto fonde. Ti ke faje të rënda për listorganikat dhe për çështje të tjera, siç janë byrotë teknike, por edhe ministrat e tjerë që i ngrinin, që i pranonin dhe i frynin këto, nuk kanë përgjegjësi? Kanë patjetër përgjegjësi, edhe kolegjialisht, edhe individualisht. Në momente të vështira nevojitet pjekuria e Partisë, pse kur ajo nuk e humbet busullën në këto momente, atëherë nuk humbet as rrugën. Pra, në momentet kur na ngjanë gjithë këto gjëra, Partia nuk na lejon të tregohemi as të rrëmbyer e të pamatur, as të butë, oportunistë dhe sentimentalë, por të jemi të drejtë dhe të rreptë përballë çdo problemi dhe ndaj çdonjërit nga ne që bën gabime.
Sa për armiqtë, kundër këtyre duhet të jemi të pamëshirshëm. Puna armiqësore kundër Partisë dhe vendit tonë u zbulua në vija kryesore dhe në njerëzit kryesorë, por nuk duhet të mendojmë se çdo gjë u llogarit, se armiku u dërrmua përfundimisht. Të tilla mendime janë iluzione të rrezikshme. Kësaj pune armiqësore i duhen zbuluar të gjitha fijet, që ajo të bëhet e padëmshme. Pastaj janë konsekuencat e kësaj pune armiqësore që duhen riparuar, duhen shëruar njerëzit, duhen vënë drejt punët, duhen riparuar organizimet e shtrembra dhe organizmat e sëmurë. Kjo është një punë kolosale, jo e lehtë, por jo dhe e pakapërcyeshme. Metodat që kemi vënë në lëvizje për të riparuar situatat janë të drejta, por këto duhet të zbatohen me këmbëngulje, gjë që do të bëhet, në rast se do të kuptohen drejt. Këtë e them se nuk kuptohen mirë qëllimi i metodës së punës dhe nevoja e zbatimit të masave që caktohen, nuk shpjegohen mirë këto dhe shumë herë zbatohen në mënyrë dogmatike. Po u zbatuan kështu metodat e punës për ndreqjen e situatave, atëherë deformohet qëllimi i drejtë i Partisë. Prandaj duhet një vigjilencë e madhe nga ana e Partisë dhe e organeve shtetërore, njerëzit që kanë gabuar duhet t’i vëmë të punojnë gjetkë, në vende të përshtatshme, ku të korrigjohen, por dhe të japin, pse zotësia nuk u mungon.
Partia për çdo gjë duhet të ketë kujdes të madh, që të mos kalohet nga një ekstrem në ekstremin tjetër, gjë që vjen nga mungesa e pjekurisë në drejtim, nga mungesa e bindjes se ky apo ai organizëm duhet kur e krijojmë dhe s’duhet kur e shkurtojmë, po ashtu nga mungesa e guximit politik për të mbrojtur atë që duhet dhe për të zhdukur e për të kritikuar atë që s’duhet. Kësaj i thonë konformizëm. Në këto situata, kur janë krijuar me vend e pa vend organizma dhe funksione të fokusuara, të shkohet në anën tjetër, të suprimohen vende, njerëz dhe funksione që i duhen ekonomisë sonë socialiste, do të bëhej gabim i madh. Në këtë drejtim, dashur ose padashur, mund të na zhvillohet një punë tjetër armiqësore. Të ruhemi nga djathtizmat, por të ruhemi, gjithashtu, edhe nga majtizmat. Duhet të luftojmë konfuzionin, anarkinë, hutimin, pasigurinë dhe pritshmërinë që shkaktohen nga këto situata. Një gjendje e tillë i shërben armikut. Partia, pushteti, të gjithë njerëzit duhet të jenë në këmbë si në kohë lufte dhe jo si në kohë qetësie. Udhëheqësit, në radhë të parë, duhet të jenë kudo, jo vetëm të mbajnë fjalime e të qortojnë, por të marrin kontakt me masën, me individë, me drejtues, me punëtorë e me fshatarë, të shpjegojnë, të japin këshilla, të organizojnë në vend çdo gjë që duhet ndrequr. Kjo është metoda revolucionare për çdo kohë e për çdo njeri, por sidomos për momentet aktuale.
Detyra jonë më e madhe është që nga kjo situatë të dalim më të fortë dhe sa më parë. Duhet shpejt të hiqet ankthi që mund të ketë krijuar dhe ka krijuar në njerëzit ky veprim frontal i armikut. Partia dhe pushteti janë në gjendje ta ndreqin shpejt dhe mirë këtë situatë, me punë e jo me llafe. Konstatoj se ka me barrë thashetheme, fjalë boshe, shpifje. Nga disa njerëz po bëhen llafe që ushqejnë tekat e sëmura, sikur të mos kenë çfarë të bëjnë dhe me se ta shkojnë kohën. Biseda të tilla jo vetëm janë pa fryt, por edhe shumë të dëmshme. Një fjalë thuhet nga fundi i Sarandës dhe jehona e saj ndihet pas dy ditësh në Malësinë e Madhe. Vallë shfaqje patriotizmi është veprimi i këtyre njerëzve? Punë revolucionare i thonë kësaj? Jo, kjo është një punë e sëmurë, punë e njerëzve me një zbrazëti të madhe politike dhe ideologjike. Kjo duhet ta bëjë Partinë të mendohet thellë dhe të shohë nëse format e saj të edukimit dhe të informacionit janë shumë frytdhënëse. Po, mund të thuhet, ka njerëz të tillë. Unë mendoj se njerëzit që veprojnë kështu, s’janë vetëm “njerëz të rrugëve”, midis tyre ka edhe nga ata që janë punonjës në aparate shtetërore dhe partie. Qeverisë, që i mbaroi të gjitha këto analiza, i duhet të shqyrtojë një nga një problemet dhe sektorët që dolën me gabime dhe, me pjekuri e me gjakftohtësi, të marrë masa që t’i ndreqë.
Natyrisht, këto punë nuk mund të kryhen duke bërë një mbledhje në muaj. Ka probleme që kërkojnë më parë studime, pastaj të vendosen, ka probleme të tjera që njihen, prandaj zgjidhja e tyre është e lehtë të bëhet dhe s’duhet zvarritur, ka, më së fundi, probleme që duhet t’i zgjidhin vetë ministrat, vartësit e tyre, ndërmarrjet. Kjo është një çështje e gjerë, e koklavitur, por nuk mund të lejohet që punët të zgjidhen as me avashllëk, as me rrëmujë dhe keq. Situatat nuk duhet t’i ngrijnë iniciativën dhe kompetencat. Iniciativë dhe kompetenca duhet të kenë përgjegjësit e çdo rangu, por këto të mos i kuptojnë dhe të mos i zbatojnë si t’u teket, siç bënë disa, që i përdorën sikur t’i kishin çorapët e tyre. Shokët e Kryesisë së Këshillit të Ministrave ankohen e thonë se “u dhamë kompetenca”, por “na lanë pa informata”. “Dhënien e informative”, e vutë në vend, po shumë gjëra nuk i patë, ju kaluan edhe çështje të rrezikshme bile. Prandaj mendoj se nga këto pësime duhen nxjerrë mësime. Të jemi në krye të punëve, se ato që na ngjanë tregojnë që nuk kemi qenë si duhet as zbatues, as kontrollues, as administratorë të mirë. Të gjitha punët e Partisë dhe të shtetit tonë, veçanërisht zbatimi i planeve ekonomike, duhet të ecin shumë më mirë nga sa kanë ecur deri tash. E vërteta është se ka gjëra të dënueshme në bujqësi, në industri, në tregti, në ndërtim etj. Kudo kemi mjaft deficite, kemi subvencionime, kemi harxhe jashtë mase.
Kërkohet shumë e më shumë, pretendohet të hahet më mirë, të vishemi më mirë, të banojmë më mirë, të marrim rroga të mira dhe honorarë, por, po të mos realizohen planet si duhet, në sasi dhe në cilësi, nga do të dalin këto që kërkohen? Të jemi realistë, shokë. Dy rrugë na paraqiten: O të ngremë prodhimin, ose rrezikohet ulja e nivelit të jetesës; o do të rregullojmë rrogat dhe do të ngremë njëkohësisht nivelin e jetesës, duke i vënë bujqësinë dhe industrinë në pozita luftarake, ose do të ulet niveli i jetesës dhe do të shtohet pakënaqësia në masat. Këto janë ligje që me llafe nuk zgjidhen, por duhen zgjidhur konkretisht me punë dhe me luftë. Shokë dhe shoqe, Një punë e thellë edukative, politike dhe ideologjike, po zhvillohet kudo në Parti, në organet e pushtetit, në administratë, në ekonomi, në bujqësi, në arsim e kulturë, në ushtri e kudo dhe kjo shoqërohet edhe me masa organizative të përshtatshme dhe të arsyeshme për t’i bërë këta organizma me të vërtetë drejtues, veprues dhe studiues. Lufta që po zhvillon dhe që ka zhvilluar kurdoherë Partia kundër burokratizmit, nuk është një veprim thjesht teknik apo administrativ. Kjo luftë, në radhë të parë, ka synuar në përforcimin e një stili dhe të një metode pune revolucionare që Partia kërkon nga njerëzit dhe nga aparatet ku këta punojnë.
Prandaj këto dy qëllime: lufta kundër burokratizmit dhe lufta për një stil e metodë pune revolucionare nuk mund të kuptohen si dy probleme pa lidhje me njëri-tjetrin, lufta bëhet njëkohësisht për të dyja, por që ato të bëhen mirë, duhet të kuptohen politikisht dhe ideologjikisht si shumë të nevojshme e të domosdoshme, të shëndetshme për socializmin. Lufta kundër burokratizmit duhet të kuptohet nga njerëzit se është e nevojshme, ashtu siç është e nevojshme për organizmin masa e ushqimit që duhet të hajë gjithsecili, që as shumë s’duhet të jetë, se shkatërron shëndetin, por as edhe pak, se nuk punon dhe nuk rron dot. Lufta kundër burokratizmit i shqetëson disa njerëz, po shqetësimi i tyre është pa arsye dhe pa vend. Ky shqetësim vjen nga qederi: “Ku do të më caktojnë? Ku do të punoj unë”? Këto dy gjëra të menduara keq e kanë burimin në një çështje: “Mos më heqin nga Tirana, se m’u shkaktua gjëma shpirtërore dhe material”. Po ta pyesim një njeri të tillë: Pse të lindin këto ndjenja egoiste dhe këto pretendime për personin tënd dhe nuk mendon se me qindra e me mijëra si ti kanë edhe ata të drejtën të vijnë në Tiranë dhe zotësinë të punojnë këtu? Përse e kërkon këtë privilegj për veten tënde dhe nuk mendon se mund ta ketë edhe një tjetër?
Pastaj pse qenka privilegj Tirana dhe nuk konsiderohet privilegj vajtja për të punuar e për të jetuar edhe në Korçë, Shkodër, Kukës, Gramsh, Çorovodë, Kutalli, Shmil apo Fushë-Arrëz? Vallë nuk zien jeta dhe në këto qendra, nuk vlon puna në gjithë këto vende, nuk jetojnë edhe atje njerëzit tanë që punojnë e lodhen, që çlodhen, dëfrejnë, edukohen e mësojnë? Atëherë, përse na u mërzitke ti, kur të thonë të vesh të rrosh dhe të punosh në këto vende, kur e do nevoja e punës dhe e atdheut? Ti shqetësohesh më kot, se nuk i kupton politikisht drejt problemet, nuk e kupton drejt ndërtimin e socializmit, se Shqipërinë e shikon në prizmin e ngushtë mikroborgjez të një jete sedentare, të palëvizshme, jo në zhvillimin e saj revolucionar. Ti rron me rutinën e një jete të mykur mikroborgjeze, nuk je njeri i hapësirave të gjera, nuk ecën me ndryshimet, me progresin, nuk ndjek botëkuptimin e ri, ke frikë nga e reja. Po të shkosh në një vend tjetër pune, në një qytet tjetër, në një tjetër kooperativë, ti hutohesh, akoma pa vajtur fillon të mërzitesh dhe kjo vjen se në realitet nuk i do njerëzit, ashtu siç të mëson Partia, ti ke frikë të lidhesh në miqësi me njerëzit e rinj, pse këta të duken të huaj; ti ke pasë krijuar një shoqëri të vjetër dhe ke frikë, ke druajtje të krijosh një të re.
Të gjitha këto të bëjnë të mendosh: “Obobo ç’më ngjau mua”! Po çfarë të ngjau? Asgjë! Ti do të shkosh të punosh në një qytet tjetër, në një qendër pune tjetër, sa të jetë e mundur do të të ruhet profili i zanatit, por edhe në qoftë se ky nuk ka mundësi të të ruhet qind për qind, aty afër do të kesh një punë sipas profilit, sipas zotësisë dhe moshës. Shteti do të marrë të gjitha masat që lëvizja mos të të shkaktojë shqetësime në anën ekonomike për të gjithë njerëzit e familjes tënde të aftë për punë, edhe për çështje banese po kështu. Por, edhe në qoftë se kjo e fundit nuk plotësohet dot menjëherë, duhen kuptuar drejt nevojat, duhet pasur durim. Shteti kurrë nuk do të të thotë të marrësh familjen me vete dhe të flesh në rrugë, pa të siguruar strehimin. Por, kur shteti ta gjen strehimin, atëherë duhet të mblidhesh me familjen dhe jo siç bëjnë disa që shpresojnë se do të rikthehen shpejt atje nga erdhën. Një mentalitet i tillë është i gabuar. Ata shokë përgjegjës, partie o pushteti, që u japin të tilla shpresa kuadrove që transferojnë ose që qarkullojnë, janë oportunistë, liberalë e tarafxhinj, janë nga ata që i kanë qejf hatëret.
Partia është kundër lëvizjeve të kota, të shpeshta e të paarsyeshme të të sëmurëve e pleqve, por cilido që për arsye të shëndosha duhet të lëvizë, të ndiejë një gëzim dhe jo një brengë, të thotë se do të vete të shoh, të rroj dhe të punoj me njerëz, me shokë të rinj dhe jo të mykem në një jetë rutinë; do të vete të shoh fabrika, fusha e horizonte të reja, do të mësoj nga zakonet, nga doket, nga kontaktet me vëllezër e me motra të tjerë. Prandaj të tillë njerëzve, të tillë funksionarëve duhet t’u flitet drejt dhe hapur që të zhdukin shqetësimet e kota që kanë në kokë e në zemër. Në këto lëvizje që po bëhen ne shohim që njerëz të kooperativave, punonjës dhe specialistë, boshatisën menjëherë zyrat dhe shkuan në prodhim. Këtë gjë bënë edhe agronomë, mjekë, inxhinierë dhe specialistë të tjerë që kishin fryrë institutet dhe byrotë teknike. U lumtë të gjithë këtyre! Kjo do të thotë se ata e kanë kuptuar drejt direktivën e Partisë. Kështu duhet ta kuptojnë e ta zbatojnë edhe njerëzit e aparateve e të zyrave, pedagogët dhe mësuesit. S’duhet të ketë asnjë hezitim, pse kjo bëhet për të mirën e atdheut dhe e mira e atdheut është edhe e mira e tyre. Këto dy gjëra nuk ndahen dhe Partia këto të dyja nuk i ndan nga njëra-tjetra. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016