Nga Aleksandër Meksi
Pjesa e katërt
(‘Pallati i Brigadave’ 11 dhjetor 1990)
Memorie.al/Ramiz Alia hyn i duartrokitur në sallën ku ishte përcaktuar zhvillimi i takimit, i shoqëruar nga ministri i Arsimit Skënder Gjinushi dhe sekretari i parë i Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë, Lisen Bashkurti. Fillimisht Alia takohet me disa nga pjesëmarrësit në këtë takim, ndërsa më tej mban një fjalim, ku bën të ditur vendimet që ka marrë Pleniumi i Komitetit Qendror të Partisë Punës së Shqipërisë, në lidhje me zhvillimet më të fundit në vend.
Vijon nga numri i kaluar
Ramiz Alia: Juve shkoni, filloni punën në mësim, shkoni në shkollë, duke mësuar, punoni për këto që doni, krijoni ato që doni, programin tuaj, zbatoni ato, kërkoni ligjet, të drejtën në Ministrinë e Drejtësisë, të gjitha dhe punoni normalisht (ndërhyrje nga salla: shkolla....) Por mos kërkoni të futemi në disa rrugë, të cilat evitojnë kupton realizimin, pikërisht të këtij qëllimi që kemi të tërë bashkë. Tani në qoftë se kupton do të vazhdojë kjo situatë kështu, duhet të keni kujdes se kjo nuk është në favor. Kjo situatë nuk është në favor të vendit, të zhvillimit.
Azem Hajdari: Kjo situatë ka si faktor disa shkaqe
Ramiz Alia: Tashti të mos shikojmë shkaqet
Azem Hajdari: Kjo situatë është në dorë. Ti dhe ne e kemi në dorë këtë situatë
Ramiz Alia: Unë e ti e mbaruam, unë me ju mbaruam. Juve tashti duhet të shkoni.
ndërhyrje nga salla: Shoku Ramiz kemi edhe diçka, kemi edhe diçka, në këtë program…
Ramiz Alia: Nuk është program ky vëlla, janë vetëm kërkesa.
Azem Hajdari: Nga këto kërkesa që ju parashtruam, ka ndonjë gjë që s’pranohet aty? Cilat kërkesa nuk pranohen?
Ramiz Alia: Cilat kërkesa, se unë s’kam kërkesa këtu.
Arben Demeti: A do të sqarohet opinioni publik mbi të vërtetën e kësaj lëvizjeje?
Ramiz Alia: Ja ku e ke atë redaktorin e Rinisë, nesër do të dalë gazeta Rinia, tërë këtë bisedë që bëmë ne, ose përmbledhjen e saj do ta bëjë.
(reagime nga salla; ti kapim me radhë)
Tefalin Malshyti: Ne kërkojmë lirinë e shtypit dhe të fjalës pa censurë ?
Ramiz Alia: Ska çensure për këtë punë.
Shinasi Rama: Ka censurë, ka.
(reagime nga salla)
Ramiz Alia: Ma thuaj ku është? Ku ku ku është? (debate në sallë). Dëgjo djalë i mbarë këtu.
Edmond Budina: Kur themi për lirinë e shtypit flasim për gazetën tonë
Ramiz Alia: Juve kur flisni për gazetën tuaj unë ju thashë shkoni, zbatoni ligjet. Pa ligje nuk del gazetë të jeni të bindur.
Azem Hajdari: Po derisa të rregullohen ligjet?
Arben Demeti: Për statusin e gazetarit është folur edhe në gazetën Zeri i Popullit.
Ramiz Alia: Ka shumë statuse që duhen përcaktuar. Le të caktohen statuse jo vetëm për gazetarët por për të tërë
Arben Demeti: Nuk e di po kam parasysh Zërin e Popullit që fliste për këtë punë dhe thoshte konkretisht që: statusi i gazetarit duhet të përcaktohet, pasi shumë nga shokët tanë e kanë pësuar nga burokracia.
Ramiz Alia: Çfarë kanë pësuar?
Arben Demeti: E kanë pësuar. Prandaj duhet të bëhet statusi i gazetarit.
Ramiz Alia: Burokracia është një koncept shumë i përgjithshëm.
Edmond Budina: Në Qytetin Studenti janë thënë shumë mendime, madje shumë mendime të ndryshme. Këto a do pasqyrohen në shtyp?
Ramiz Alia: Cilat? Nxirrni gazetën tuaj.
Edmond Budina: Partia e juaj ka 7 ose 10 gazeta
Ramiz Alia: Jo s’ka, vetëm një gazetë ka Zërin e Popullit. Të tjerat i kanë komitetet e partive në rrethe. (ndërhyrje nga salla: është gazeta Puna)
Edmond Budina: A mund ti shfaqim mendimet tona hapur në shtyp, këtu e ka fjalën ky shoku apo jo? Ti themi mendimet hapur. A do i themi mendimet tona ashtu siç i kemi e në gazetën Zëri i Popullit?
Ramiz Alia: Shkruajini, thojini ashtu si i keni po unë s’jam redaktor i gazetës Zëri i Popullit. (debate në sallë….). Ti djalë deri tani më thoje ndryshe.
Tefalin Malshyti Ne kemi një gazetë studenti. Faktikisht ajo gazetë pse të jetë 1 herë në dy javë? Pse të mos kalojë në dorën tonë?
Ramiz Alia: Dëgjo, juve keni parasysh, shtroni ato çështje për të cilat unë mundet t’ju them po ose jo. Po për çështjen e ta keni gazetën ju a ta ketë gazetën rinia, a ta ketë ajo vajza apo ai djali, s’ju them dot unë për këtë. (ndërhyrje nga salla: ne shtrojmë probleme). Shkoni bisedoni me komitetin e rinisë së Universitetit dhe merruni vesh.
Mimoza Ferraj: Shoku Ramiz, më fal unë tani kam dalë nga spitali. Azem një minutë! Shoku Ramiz kam dy ditë që kam qenë në spital, sot kam dalë. Dhe të paktën të jem e bindur vetë që ata shkopinj që kam ngrënë në kokë dhe në trup, më takojnë apo jo?
Ramiz Alia: Kur, ku i hëngrët?
Mimoza Ferraj: Të dielën.
Ramiz Alia: Ku i hëngrët këto shkopinj?.. në ç’vend ishte ?
Mimoza Ferraj: Tek muzeu
Ramiz Alia: Të jesh e bindur, pardon. Unë nuk e përkrah sa për dijeni, nuk e përkrah absolutisht përdorimin e dhunës. ( ndërhyrje nga salla: ashtu thonë të gjithë).Jam kundra. Por mos harroni, ja u thashë edhe më parë se ka ligje që duhen zbatuar. Të pyeta jo rastësisht se ku i hëngrët ato shkopinj? Se për të ardhur deri aty, mijra vetë kanë zbritur që nga konviktet deri tek Liceu Artistik. Policia ndal, ka paralajmëruar, ka paralajmëruar, ka paralajmëruar. Nuk e di nëse ke qenë ti aty, apo jo, por atje siç më raportuan mua, kanë qëlluar edhe me gurë.
Mimoza Ferraj: Jo shoku Ramiz, ju kanë informuar keq
(reagime nga salla: Jo vetëm me shkopinj shoku Ramiz, por edhe me ujë)
Ramiz Alia: Dale prit. Problemi është që të jemi korrekt, unë nuk e aprovoj dhe më vjen keq që ju kanë rrahur juve dhe keq kanë bërë.
Mimoza Ferraj: Shoku Ramiz unë mora mikrofonin e policisë dhe më ka rrahur shefi i policisë.
Ramiz Alia: Dhe ju keni thënë largojuni ëëëë?
Mimoza Ferraj: Jo shoku Ramiz po kemi thënë kështu: Ne jemi të partisë, duam partinë dhe kemi dalë thjesht, pasi ju kemi informuar ju për këtë manifestim, që s’kishte asgjë, (ndërhyn Ramiz Alia: nuk ishte pa gjë) nuk ishte kundra ligjit. ( ndërhyn Ramiz Alia: kundra ligjit ishte moj vajzë). Që të arrihet deri në goditje
Ramiz Alia: Unë prandaj ju them që për ligjin e grumbullimeve, ju kam thënë qysh atë nate për ligjin e grumbullimeve të thashë mor djalë, ju kam thënë kini kujdes, ka ca ligje, ka ca rregulla. Mos i thyeni ligjet, mos i thyeni rregullat, që të mos bini ndesh. Tashi ndodhi ajo, shumë keq që ka ndodhur kjo.
Arben Lika: Është fjala vetëm për të shtunën jo për të dielën
Ramiz Alia: Ajo goca tha për të dielën. Jeni dakort juve që ajo që ndodhi të dielën ishte e drejtë jeni dakort juve…
(zhurmë dhe fjalë nga salla: në asnjë mënyrë…)
Arben Demeti: Si është e drejtë të rrafsh bijtë e popullit?
(vazhdon debati..)
Ramiz Alia: Shiko ore shokë i dashur. Shiko more djalë, asnjë njeri nuk është vrarë, jo jo.
Arben Lika: Njëri është në gjendje kome
Ramiz Alia: Jo s’është e vërtetë. Sali Berisha që është mjek atje më raportoi se asnjë nuk ka, më kupton kështu. Asnjë. Unë po të them nga ato njerëz që ka atje.
Azem Hajdari: Po të arrestuar ka njeri?
Ramiz Alia: Asnjë
Arben Demeti: Shoku Ramiz a ka mundësi të më dëgjoni?
Ramiz Alia: Jo nuk ju dëgjoj më. Ja pse s’të dëgjoj..
(zhurmë dhe fjalë në sallë).
Arben Demeti: Nuk më dëgjoni. Atëherë po ju them një gjë që nuk lejohet të rrahësh bijtë e popullit, ti terrorizosh ato, me njerëz që vishen me uniforma nga më të ndryshmet. Kush janë këto njerëz pa uniforma, njerëz të veshur me lloj lloj veshjesh? Po këta që rrahin nuk janë bijtë e popullit? Çfarë çdo gjëje që mund të kenë bërë këta, çdo veprim duhet të frenohet. ( ndërhyrje nga Ramiz Alia: Ti e the mendimin tënd tashi, duro duro). Ju na thatë se keni shkarkuar, keni larguar nga Byroja Politike ato keni bërë shumë mirë, megjithëse ne nuk ja u kërkuam këtë. Kjo gjë duhej bërë më përpara. Ndërkohë ne kemi ardhur këtu me një vendim të saktë: të shkarkohet nga detyra Hekuran Isai ( duartrokitje…ka debate në sallë) Ju kërkojmë si President, që ti kërkoni Këshillit të Ministrave që të shkarkojnë në vend, urgjentisht Hekuran Isain, dhe të premten kur të bëni takimin me ne na raportoni mbi këtë kërkesë. Ky është vendimi, është mendimi i studentëve
Ramiz Alia: Jo, avash avash.
Arben Lika: Shoku Ramiz që të konkludojmë a mund të na dëgjoni ju lutem
Zef Brozi: Kur debatojmë duhet të dëgjojmë…
Ramiz Alia: Jo nuk dua të dëgjoj më, nuk dua.( ndërhyn Tefalin Malshyti: kur themi do të debatojmë, na dëgjoni shoku Ramiz). Unë ju thashë që në fillim se kur bëhet dialog, ai duhet të jetë demokratik, i kulturuar dhe i durueshëm. ( ndërhyn Azem Hajdari: Ju duhet të na dëgjoni shoku Ramiz. Ne kemi besim tek juve). Nuk duhet t’ju mungojë as durimi dhe as mënyra logjike e dialogut. Për çfarë arsye e them këtë? E them këtë kupton sepse se ka ligje, i pëlqejnë ose si pëlqejnë ndonjërit, ligjet ekzistojnë. Cili është ky ligj? Është ligji në rastin konkret ai i grumbullimeve, dhe në këtë ligj thuhet se duhet kërkuar leje për këtë çështje. Kupton. Sa ishit në konviktet e Universitetit ky ligj nuk veproi sepse në fund të fundit ishit brenda shtëpisë.
(salla: ka vepruar, ka vepruar).
Arben Lika: Ne ju thamë që atë natë që jemi takuar se kush ishte fajtor për atë veprim në qytetin studenti.
Ramiz Alia: Po po dhe është arrestuar ai oficeri, të cilit i vodhën koburen. (reagime nga salla). Po tashti juve doni të tëra ti dini, unë po ju them se ai oficer që i është vjedhur koburja është futur në burg.
Arben Lika: Ai është provokator shoku Ramiz, është provokacion. Ka provokatorë edhe nga policia. (ndërhyn Azem Hajdari: duhet të dish një të vërtetë shoku Ramiz). Po ka provokator edhe nga policia.
Ramiz Alia: Ai oficer të cilit i vodhën koburen ai oficer bërtiti dhe qëlloi dikë. Kështu është.
(zhurmë dhe fjalë në sallë).
Arben Lika: Tashti unë isha me grupin që erdhëm tek ju. Ju përqafuam dhe ju thamë shoku Ramiz ne porosinë tuaj do jua çojmë studentëve, shokët do i kthejmë në konvikt në bazë të porosisë suaj. Me të mbërritur aty kur morëm në dorë megafonat dhe filluam të sqarojmë shokët, pra këtu është një çështje minutash, gjithmonë minutash, ndodhi ajo që po e quajmë provokacion, d.m.th vjedhja e revoles. Në këto momente Ministri i Punëve të Brendshme dha urdhrin tre herë rresht: bini, bini, bini mbi ta. Pas kësaj, më fal se më dridhen një çikë duart dhe ndoshta mund të më shpëtojnë edhe lot, por kam parë skena që nuk do i harroj kurrë. Kam parë njerëz që binin përtokë, kam dëgjuar britmat e një vajze, kam parë skema të tmerrshme. Atëherë, nuk e di se çfarë kam bërë, por kam bërë atë që kam shkuar e kam kapur, se ligji është human shoku Ramiz, të mos e harrojmë është human, kam kapur direkt shokun Hekuran dhe i kam thënë “ne ishim tek shoku Ramiz, ai na dha fjalën se nuk do të prekemi. Ju shkelët urdhrin e tij”. Ai tha nuk është e vërtetë, nuk është e vërtetë, ti e pe vetë. Jo i thashë unë, ju e dhatë urdhrin. Kjo ishte e gjitha.
Ramiz Alia: Avash avash. Prit, dale, dale. ( ndërhyrje nga salla: A ka të drejtë ai) A ka të drejtë ai? Ka si nuk ka ministri i brendshëm është. Unë s’kam të drejtë të jap. (qesh). Unë as marr në mbrojtje dhunën e as nuk jam dakort për përdorimin e dhunës, askush nuk është dakort për përdorimin e saj, ndaj ka dalë edhe ai ligj që ka dalë. Ai ligj ka dalë që ndalon grumbullimet pa leje. Duhesh të kërkosh leje që të bësh grumbullime të atilla. Çështja është, madje unë prandaj ju lajmërova juve miqësisht. Ju thashë kini kujdes mos kaloni kufijtë e ligjit sepse sa jeni aty ku jeni nuk ju kap ligji, pastaj po kalove, të kap ligji. Tashi ai shoku atje thotë se është kategorikisht kundra ligjit (reagime nga salla: s’jemi kundër ligjit). Dëgjoni një gjë. Problemi është se kush nuk zbaton ligjin, ndaj tij ligjit duhet të veprojë, ligji duhet të veprojë në të dyja krahët. Në atë moment të dhënë ai oficer, që ishte shkaktari i parë është në burg (reagime nga salla: kjo është taktika juaj). Jo jo nuk është punë taktike, ai oficer provokoi se ai qëlloi i pari. Ti që do shkarkimin e ministrit nuk diskutohet në këtë mënyrë, duhet me qenë një çikë më të qetë në diskutim. (dëgjohen zëra: të anullohet). Ligjin për grumbullimet e ka tërë bota. Bile ligji gjermano-perëndimor, e kam lexuar vetë me sytë e mi thotë: oficeri që ka drejtimin thotë ndal një herë, ndal dy herë, ndal tre herë edhe duhet të qëllojë me armë. ( reagime nga salla: nuk e ka një gjë të tillë). Thua ti? Ore t’jua sjell nesër unë ligjin dhe ta shikoni.
Mimoza Ferraj: E pse duhet të kopjojmë gjermanët ne? Ligjet i bëjmë vetë, pse duhet të kopjojmë të tjerët?
(zhurmë dhe fjalë në sallë).
Ramiz Alia: Ato ligje do bëjmë edhe ne. Ligji që kemi bërë ne është Ligj që na përshtatet neve. Çdo vend ka ligjet e veta. Duhet të ecim në rrugë normale apo anormale? ( ndërhyrje nga salla: kjo është anormale). Nëse kërkoni të ecni në rrugë anormale, ta dini se ato nuk çojnë drejt shëndoshjes së gjendjes. Prandaj përfundimisht jua thashë, ju them prapë se asnjëra palë nuk duhet të ecë drejt dhunës.
Azem Hajdari: Ne s’jemi për dhunë
Ramiz Alia: Nuk duhet të ecim drejt dhunës. Asnjë nuk duhet të ecë drejt dhunës. Dmth duhet të zbatojmë ligjet. Nëse thyhen ligjet e shtetit kushdo që i thyhen gabon. Prandaj, eksperienca ka në botë sa të doni që është ecur drejt dhunës. Unë personalisht jam kundër një rruge të atillë. Prandaj duhet të përpiqemi të bisedojmë, të jemi për dialogun, të bisedojmë, të jemi të rregullt me gjërat, për të tërë flasë, edhe për organizatat shtetërore, për gjithë popullin. Mos harroni unë për këtë ju ftoj. Çdo gjë tia nënshtrojmë interesave të popullit, çdo gjë tia nënshtrojmë interesave të atdheut. Shokë të dashur ju lutem kini kujdes, kini kujdes. Nuk vlerësohet si duhet situata, situata e përgjithshme. Nuk janë situatat aq të qeta sa duken në sipërfaqe, prandaj mos lëmë shtigje, për rreziqe që mund ti kanosen lirisë dhe pavarësisë së atdheut tonë. Këtu kjo është një detyrë e tërë neve, duke filluar që nga unë dhe deri tek ai fëmija më i vogël. Këtë unë ju bëj thirrje juve. Studentëve, rinisë në radhë të parë e cila ka qenë dhe është një forcë e gjallë e kombit, e cila është një forcë e cila do të çojë përpara atdheun tonë socialist, do të çojë përpara interesat e popullit. Prandaj në këtë plan në këtë kuadër secili nga ju të vejë forcat dhe përpjekjet. Ju vendosni si të doni për këtë shoqatën që do bëni? Mos më fusni mua në këto se pastaj do kërkoni që të bëhem edhe anëtarë i partisë ( të qeshura në sallë). Mua mos më futni në ato, si të thuash, planet që i ashtu juve. Ju këshilloj edhe njëherë që të shkoni në shkollë, të shkoni në mësime, të punoni atje për të gjitha këto plane, programe, këto synime që keni ju (reagime nga salla).
Arben Demeti: Fillimisht do të thoja që
Ramiz Alia: Vetëm shiko, shiko para se të vendosim për atë çështje, për atë çështje unë do ju thoja një gjë, të vendosim një rregull. Unë për vete jam për rregulla, jam që të respektohen normat e caktuara në jetën tonë. Tashti, në qoftë se do të ecim në këtë rrugë, kupton kjo është rruga e drejtë. Në qoftë se mendojmë se do të përdorim rrugë të tjera ato janë të gabuara. (ndërhyn Arben Imami: Jo shoku Ramiz asnjë nuk..) Unë jam për rrugën e dialogut, të diskutimit të qetë dhe për këtë unë nuk i kursehem asgjëje. Unë isha gati të vija edhe atje në konviktin e studentëve (reagime nga salla). Dale dale mos u nxitoni, d.m.th edhe atë e bëja megjithëse e dija ( studentët nuk shkonin në shkollë pa ardhur ti) vetëm një gjë logjike s’ishte. Shiko sa veta jemi këtu…Nuk ju kam refuzuar asnjëherë, dëshira ime është të mbaj kontakte me të rinjtë, të dialogoj me to. Çështja është këtu nëse do të bëhet një takim…
Azem Hajdari: Dialogu duhet të jetë i sinqertë, nuk ka pse të thuhet ju duhet të shkoni në mësim dhe pastaj të bëjmë dialog.
Ramiz Alia: A jo, tashti s’ka kuptim. Ti tani më vë kushte. (ndërhyrje nga salla: këto janë kërkesat e studentëve)
Azem Hajdari: Ne nuk vëmë kushte, po ju paraqesim kërkesat.
Arben Demeti: Më lejoni të bëj një përmbledhje të fjalës suaj shumë shkurt, se shpresoj se ky nuk do jetë takimi i fundit, pasi siç na ka ardh njoftimi ditën e premte do bëjmë një takim me ju në Pallatin e Kongreseve. Me që jam këtu ora gjashtë është një çikë vonë, por e diskutojmë edhe këtë çështje.
Ramiz Alia: E bëjmë edhe në dy po deshe
Arben Demeti: Jo në dy është herët, por e diskutojmë. Tani me problemet që shtruam, këtu sidomos me atë në lidhje me pluralizmin politik dhe atë të krijimit të partisë së studentëve dhe intelektualit të ri, janë probleme kardinale shumë të rëndësishme. Ne i konsiderojmë dhe jo vetëm ne por gjithë rinia, gjithë populli, kështu do ta konsiderojë kur ta marri vesh si një ditë historike të Shqipërisë (duartrokitje të gjata).
Ramiz Alia: Ja tani lajmet do e kenë dhënë këtë që po bëjmë neve
Arben Demeti: Në fund të fundit meqë jemi dhe në pragun e zgjedhjeve, dhe kjo ndër të tjera e bënte më imediate këtë lëvizje është kjo që kjo organizatë, kjo parti politike, që do të krijohet shumë shpejt brenda disa ditëve, neve, të paraqesim kandidatët tanë në të gjitha zonat elektorale të vendit dhe kemi besimin e plotë se do të fitojmë shumicën e parlamentit, shumicën e Kuvendit Popullor. Ky është qëllimi shumë i lartë që kemi ne. Duke arritur që të fitojmë shumicë në parlament do të bëjmë atë që parlamentin tonë ta kthejmë nga një levë deri tani jo fort efikase për Shqipërinë, siç ka qenë që nuk e ka luajtur fare rolin që duhet të luante, në një organizëm ligjvënës fuqiplotë të Shqipërisë që do të vendosi për fatet e popullit dhe atdheut në mënyrën më të saktë dhe më të plotë. Lidhur me figurën tuaj ju e dini. Unë personalisht doja t’ju thoja diçka, megjithëse nuk doja ta merrnit vesh që jua kam thënë unë. Ju kam cilësuar nga fillimi i këtij viti, në bisedat me studentët, figurën tuaj, meqë ju i dhatë i pari hov procesit të demokratizimit dhe pata parasysh të tjerë, një rrjetë merimangash frenuese (ndërhyn Ramiz Alia: Jo, jo, mos fol kështu) për këtë punë, kështu e kam thënë, duhet të ngremë një çikë zërin për figurën e shokut Ramiz sepse sikur s’jeni ndjerë shumë.
Ramiz Alia: Jo unë nuk kam nevojë, nuk dua
Arben Demeti: Ju nuk keni nevojë, sikur të kisha ndonjë perçe në fytyrë më mirë do ishte. Fakti është se ju nuk keni ndonjë bust, nuk kemi parë ndonjë bust të Ramiz Alizë ndokund?
Ramiz Alia: S’duhet të ketë (reagime nga salla: nuk duhet të ketë)
Arben Demeti: Qartë, nuk duhet të ketë është shumë e drejtë. Po ne kemi shumë buste të tjera mos i përmendim këtu.
Ramiz Alia: Janë me meritë. (duatrokitje të gjata).
Arben Demeti: Por sa e nevojshme dhe sa e domosdoshme është qenia juaj atje, aq e nevojshme dhe aq e domosdoshme duhet të jetë eliminimi i disa njerëzve
(debate në sallë)
Arben Imami: Juve jeni pionier i demokracisë
Ramiz Alia: Shiko mos më bëj elozhe shumë se pastaj do inatosem.
Arben Imami: Nuk janë elozhe
Ramiz Alia: E po ik tashti. Nuk më duhen. E mo mbarove ti tani?
Arben Demeti: Jo nuk kam mbaruar, kam shumë për të thënë… e lemë për herë tjetër.
Ramiz Alia: Epo mos i harxho të gjitha tani. Hajde ta mbyllim,
(ndërhyrje nga salla: të duam shumë).
Edhe unë ju dua shumë./Memorie.al
Botohet sipas zbardhjes së kasetave të regjistruara nga TVSH.
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016