Nga Bashkim Trenova
Pjesa e dyzetë e tetë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
ME “HERONJTË E POPULLIT”
BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA
Si u mbyll konflikti im me Xhelil Gjonin për Koncertet e Majit, edhe pse redaksia e “Zëri i popullit”, kërkoi dënimin tim!
Unë bëra autokritikë duke pranuar se nuk kisha vepruar drejt që bisedat e punës në Redaksi, i kisha shndërruar në biseda midis miqsh në kafene. Thashë se nuk kam patur për qëllim as të informoj e as të dezinformoj Partinë. Në të vërtetë as më kishte shkuar në mendje një gjë e tillë. Më tej ngula këmbë se në mbledhjen e Redaksisë, Xhelil Gjoni na kishte folur për kritikat që shoku Enver i kishte bërë “Koncerteve të Majit”. Këtu pakënaqësia dhe zemërimi i të tjerëve nuk u përmbajtën më. Ata propozuan që të ndëshkohesha sepse po thellohesha në gabime. Unë ngula edhe më tej këmbë në qëndrimin tim. “Mbledhja e Redaksisë thashë, pasi i dëgjova të gjithë, është regjistruar nga stenografisti. Le të zbardhen shënimet e tij dhe do të shohim është folur apo jo nga shoku Xhelil për kritikat e shokut Enver Hoxha”. Pas këtyre fjalëve, ndërhyri Xhelili dhe tha se nuk ishte nevoja që unë të ndëshkohesha. Kështu ai e mbylli mbledhjen. Të tjerët i’u bindën shkopit të dirigjentit. Unë nuk u mbajta mëri as atëherë e as më pas. I shihja si të gjymtuar dhe ndjenja keqardhje. Ndoshta edhe kisha frikë t’u mbaja mëri sepse, në këtë rast, do të më akuzonin si përçarës i unitetit, si mendjemadh e që nuk reflekton ndaj kritikave dashamirëse të shokëve etj., stampa, që nuk mungonin në fjalorin denigrues dhe asgjësues komunist. Në fund të fundit, Kolegjumi i “Zërit të popullit” dhe Byroja e organizatës së Partisë së këtij institucioni, ishin vetëm një kopje në miniaturë e Byrosë Politike të Partisë së Punës. Modeli i saj i depersonalizimit të njeriut, i prerjes së kokave të shokëve dhe bashkëpunëtorëve, “frymëzonte” të gjithë Partinë, në çdo hallkë të saj, të gjithë institucionet dhe qendrat e prodhimit. Marshi funebër luhej në Byronë Politike nën dirigjimin e Enver Hoxhës. Partiturat e tij ishin shpërndarë të fotokopjuara në mbarë vendin.
Në atë kohë kam menduar se Xhelili, pasi siguroi mbështetjen e Kolegjiumit e të Byrosë së organizatës, nuk kishte nevojë ta çonte më tej problemin. Ai mund të më ndëshkonte, i kishte të gjitha mundësitë, por besoj se e dinte gjithashtu që unë do të kundërshtoja dhe se një zhurmë, sado e vogël, nga ana ime në ato momente, jashtë mureve të Redaksisë, mund të mos ishte e favorshme për të. Rreth tri dhjetëvjeçarë më pas, një kolegu im i “Zërit të popullit”, që banon në Bruksel, duke folur për kohët e shkuara, më tha se stenografisti i Redaksisë, kishte qenë njëkohësisht edhe bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Në këtë rast gjeta edhe një arsye tjetër, përse Xhelil Gjoni nuk pranoi propozimin e të tjerëve për të më ndëshkuar, sidomos pasi unë kërkova që, për të shkuar tek e vërteta, të zbardheshin shënimet e stenografuara. Ndoshta ai nuk ka qenë i sigurt lidhur me faktin nëse stenografisti e kishte bërë apo jo tashmë detyrën e tij ndaj Sigurimit të Shtetit, pra nëse Sigurimi ishte informuar apo jo tashmë për mbledhjen e Redaksisë. Normalisht, stenografisti duhet ta kishte konsideruar këtë mbledhje si një mbledhje të zakonshme pune, pa ndonjë interes të veçantë. Pra, ndoshta, edhe në këtë rast ishte më e udhës që të mos zgjohej gjarpri nga gjumi!
Pas Kongresit të VII të Partisë, Xhelil Gjoni do të largohej nga “Zëri i popullit”. Ai u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe kaloi në Komitetin e Partisë së Tiranës, si Sekretar i këtij Komiteti për ideologjinë dhe kulturën. Nëse nuk do të kishte ndodhur kështu, do të isha larguar unë nga “Zëri i popullit”. Me të u bë gjithnjë e më e pamundur të punohej. Ai nuk i harroi kurrë “Koncertet e Majit”.
Si kërkonte të më injoronte Xhelil Gjoni, duke mos më dhënë dorën, kur takoheshim në ambiente pune!
Në rrethet e miqve të tij dhe në ato gazetareske ai filloi të përhapë opinionin se: “Bashkimi është analist i mirë, por jo komentator i mirë për shënimet e ditës”. Kjo do të thoshte se vendi im nuk ishte në një gazetë të përditshme si “Zëri i popullit”, por dikund gjetkë. Ku? Kjo nuk kishte rëndësi. Kryesorja ishte që të largohesha nga gazeta, si jo i përshtatshëm për profilin e saj. Më ka ndodhur disa herë të gjendem përballë Xhelil Gjonit, shumë pranë, në ambiente të ndryshme. Ai e kishte zakon të dilte për të shëtitur në Bulevardin kryesor të Tiranës. Gjithnjë, në këto raste, atij i pëlqente të shoqërohej nga një suitë shokësh ose aparatçikësh, që e ndiqnin nga pas. Xhelili, që mbante kokën lart sikur donte të ishte vigjilent se mos i binte ndonjë yll nga qielli, hidhte edhe ndonjë shikim anash për të kontrolluar rrugën dhe kalimtarët. Ka ndodhur që rastësisht, ndonjëherë, shikimet tona të jenë kryqëzuar për një moment. Them “për një moment”, sepse ai e kishte kujdes të ngrinte menjëherë sërish kokën në drejtim të qiellit, që as përshëndeste dhe as priste përshëndetje.
Xhelili, duke qenë në atë kohë një nga krerët e Partisë për Tiranën, duhej të ishte, në parim, edhe shembull i virtyteve, aq shumë të reklamuara revolucionare, për të gjithë komunistët, që jetonin e punonin në kryeqytet. Sjellja e tij, për të mos shkuar shumë larg, por qoftë edhe në mbrëmjet e Tiranës në bulevardin kryesor të kryeqytetit, nuk kishte asgjë në përputhje me teorinë dhe moralin e propaganduar komunist. Ndoshta morali i vërtetë komunist karakterizohej nga mungesa e çdo morali! Ndoshta ata që e kishin kuptuar këtë të vërtetë ishin komunistë të vërtetë!
Një herë, kur kryeredaktor i “Zërit të popullit” ishte Mehmet Elezi, nuk e di se përse, Xhelil Gjoni erdhi në Redaksi në një takim me gazetarët. Ne ishim njoftuar më parë që të mblidheshim në zyrën e kryeredaktorit. Në orën e caktuar u nisa drejt vend-takimit. Në sallonin përpara zyrës së kryeredaktorit vura re Xhelil Gjonin dhe Mehmet Elezin. Ata kishin qëndruar e po bisedonin. Meqë Xhelili nuk kishte dashur prej kohësh as të përshëndetej më me mua, kalova pranë tij dhe respektova shembullin që më kishte dhënë. Unë bëra sikur nuk e vura re. Kështu kalova pa e përshëndetur. Duke mos qenë origjinal, por një kopjac i keq, nuk pata sukses. Xhelili më “sabotoi”. Pasi i kisha kthyer shpinën, ai m’u drejtua me fjalët: “Po ti përse nuk përshëndet, apo të është rritur mendja”? Unë u ktheva pas dhe pashë që Mehmeti po më shfajësonte përpara tij. U afrova pranë Xhelilit dhe i thashë disa fjalë si pakuptim, pak a shumë: “Jo, shoku Xhelil, por unë kam menduar se ju…”!? Shoku Xhelil nuk mund të pranonte që dikush mund edhe të mos e shihte, mund edhe të mos e përshëndeste, që dikujt mund të mos i binte në sy prania e tij. Këto të “drejta” i takonin kupolës, por jo një komunisti të thjeshtë. Unë sërish kisha shkelur aty ku nuk duhej dhe sërish Xhelil Gjoni nuk do të harronte të më tregonte vendin.
Në zyrën e kryeredaktorit, ku ishim mbledhur anëtarët e Kolegjiumit dhe gazetarët e “Zërit të popullit”, Xhelili u shtrëngoi dorën të gjithëve. Kështu bëri edhe me gazetarët që ndodheshin në krahun tim të djathtë apo të majtë. Mua më “harroi”. Mendoj se ai kështu donte të tregonte para të tjerëve se më injoronte. Petrit Çani, një gazetar i vjetër i “Zërit të popullit”, që e shoqëronte atë në këtë shtrëngim duarsh, i kujtoi “harresën” duke i thënë: “Bashkimi, shoku Xhelil”!, pra, harruat Bashkimin, shoku Xhelil. Unë, i gjendur në një situatë jo të këndshme përpara kolegëve, nxitova të shqiptoj: “Neve jemi takuar tashmë në sallon”.
Diçka e njëjtë më kishte ndodhur edhe më parë me Xhelilin në një nga sallat e Kinostudios «Shqipëria e re». Unë gjendesha në Kinostudio sepse aty, në një nga ambientet e saj, së bashku me artistët e Cirkut, të Estradës, të Teatrit Kombëtar dhe drejtues të Lidhjes së Artistëve e të Shkrimtarëve të Shqipërisë, bëja zborin, njëlloj stërvitje apo përgatitje ushtarake. Në një pushim midis dy orëve mësimi ushtarak, rastisi të kalojë pranë nesh Xhelil Gjoni. Ai i zgjati dorën të tërëve në grupin ku bëja pjesë edhe unë, mua më «harroi», pra ai nuk harronte të më «harrojë», sidomos në publik. Kështu ai demonstronte arrogancën e njeriut të pushtetshëm. Kjo gjë atij i jepte gjithnjë kënaqësi.
Kujtim Spahivogli i tregoi gazetarit Ilir Kadia, se kur e internuan, Xhelili i prishi shtëpinë me traktor!
Nuk pretendoj të bëj portretin e plotë të Xhelil Gjonit, sidomos duke u nisur thjesht nga marrëdhëniet, keqkuptimet apo mosmarrëveshjet që kemi patur. Unë, sidoqoftë, nuk isha një përjashtim. Shkruajta pak më sipër për një takim të rastit me të në Kinostudio. Mendoj se ai u afrua ndaj nesh sepse në grupin tonë, kishte mjaft njerëz e personalitete të artit e të kulturës. Ai kishte dëshirë të tregohej i afërt me rrethet e personalitetet artistike të vendit. Më duket se këtë gjë, pavarësisht nga vendi dhe koha, e manifestojnë të gjithë diktatorët në pushtet apo diktatorët potencialë, që rivalizojnë, intrigojnë e komplotojnë për të ardhur në pushtet. Ata janë të kompleksuar ndaj njerëzve të artit e të kulturës. Nga ana tjetër, ky kompleks nuk i pengon aspak që, kur ua kërkojnë interesat e tyre, të tregohen pa asnjë hezitim ashtu siç janë, tiranë dhe pa asnjë ndjenjë njerëzore edhe ndaj personaliteteve të artit e të kulturës.
Ilir Kadia, ish gazetar i «Zërit të rinisë», që botohej gjatë diktaturës si organ i Komitetit Qendror të Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë, në një intervistë dhënë në “Gazeta Shqiptare” në nëntorin e vitit 2010, tregon: “Një miku im, i ndjeri Kujtim Spahivogli, në ’82-shin, kur erdhi nga internimi në Bërzhitë, më thoshte se nuk e kishte inatin aq me Enver Hoxhën, se sa me Xhelil Gjonin. Ai dërgoi tankistin, kështu i thoshte traktorit, regjisori i madh Kujtim Spahivogli, për të më prishur shtëpinë tek rruga “Bardhyl” kur më dënuan e për pak më shtypi nënën. “Eshtë xhahil e shkuar xhahilit shoku Xhelil” – thoshte njeriu i mirë, Kujtim Spahivogli, i cili ndikoi aq shumë në botën time”.
Xhelil Gjoni duke ju servilosur Enver Hoxhës, ju kundërvu në plenum Kadri Hazbiut!
Për ta paraqitur më të plotë personalitetin e Xhelil Gjonit, që e gjykoj si tepër negativ, si agresivisht negativ, do të prek paksa edhe qëndrimet që ai ka mbajtur ndaj disa zhvillimeve të rëndësishme në jetën politike të vendit, kur ishte ngjitur në pikat më të larta të kupolës komuniste; anëtar i Byrosë Politike dhe më pas Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. Pak a shumë në të njëjtën kohë kur Xhelil Gjoni dërgonte “tanksin” për të prishur shtëpinë e Kujtim Spahivoglit, ai vepronte si «tankist» edhe në gjyqet e inkuizicionit që diktatori Enver Hoxha organizonte për të eliminuar bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Kështu veproi ai, për shembull, në “gjyqin” kundër Kadri Hazbiut, ish anëtar i Byrosë Politike dhe ministër i Brendshëm. Kadri Hazbiu u akuzua dhe u ekzekutua si armik i Partisë dhe si bashkëpunëtor i ish-kryeministrit Mehmet Shehu. Nga proces-verbali i rastit, kam shkëputur këtë ndërhyrje të tij: “Ti Kadri, thua në autokritikë që ke patur familjaritet, mbi ç’baza? Në bazë të normave të Partisë sigurisht që jo, po atëhere mbi ç’baza? Vetëkuptohet që ka qenë në bazë të shkeljes së normave….Konkretizoje»! Ai i kërkonte kështu Kadri Hazbiut që të vetë kryqëzohej, të mos priste që të tjerët, shokët, miqtë e derisotëm të ngulnin gozhdët mbi trupin e tij. Me këtë “stil” demoniak, diktatori Enver Hoxha kishte asgjësuar dhe vazhdonte të asgjësonte anëtarët e kupolës komuniste. Xhelili i mbante ison diktatorit dhe, për t’i pëlqyer sa më shumë atij, përdorte madje, të njëjtin “stil”.
Si çirrej dhe bërtiste Xhelil Gjoni edhe në mitingun për 2 korrikun në Sheshin “Skënderbej”!
Në kujtesën time si edhe të të gjithë shqiptarëve të viteve të parafundit të diktaturës, Xhelil Gjoni mbetet i “përkryer” në rolin e tij në mitingun e korrikut të vitit 1990. Brezi im, prindërit dhe fëmijët tanë kujtojnë se si më 2 korrik 1990, mbi 5000 të rinj të ardhur në Tiranë, nga e gjithë Shqipëria, familje të tëra me fëmijë, u përleshën me forcat e rendit, shpërthyen dyert e ambasadave perëndimore dhe kërkuan azil politik. Ata, duke rrezikuar jetën e tyre, të fëmijëve e të familjeve të tyre, kërkuan të iknin larg të keqes së madhe që kishte pllakosur vendin. Në të vërtetë nuk ishin ata që iknin larg atdheut, ishte komunizmi që i dëbonte ata. Në komunizëm asnjeri nuk e kishte jetën të siguruar, askush s’e ndjente veten të lirë e të qetë, por çdo ditë më të mbyllur, më të rrezikuar, më të varfër, më të uritur, më pak njeri. Diktatura u detyrua të lejojë largimin nga Shqipëria të të gjithë atyre që u futën në ambasada, rreth 5200 vetë, por ajo nuk mund të pranonte, në të njëjtën kohë, se “kambanat” e ambasadave kishin vrarë përfundimisht frikën dhe se pa këtë armë “epoka” e saj kishte marrë fund.
Për të neutralizuar pasojat që lanë në psikologjinë dhe në shpirtin e shqiptarëve largimi masiv nëpërmjet ambasadave dhe për të treguar se shteti i diktaturës vazhdonte të ishte i fortë, u organizua në sheshin qendror të kryeqytetit një miting i madh. Në të, në mënyrë “spontane”, morën pjesë rreth 120 mijë vetë, punonjës të institucioneve të kryeqytetit, punëtorë fabrikash e uzinash si edhe trupa të reparteve ushtarake. Më kujtohet mirë rruga që ndoqëm për të shkuar nga Arkivi i Shtetit në sheshin “Skënderbeg” ku do të mbahej mitingu. Hyrja e Bulevardit “Stalin”, siç quhej atëherë, ishte bllokuar nga disa autobuzë të palëvizshëm, që e barrikadonin atë në tërë gjerësinë e tij. Për pjesëmarrësit në miting, ishte lejuar si pikë kalimi një hapësirë e vogël midis autobusëve. Njerëz të veçantë ndiqnin çdo kalimtar. Institucionet ose qendrat e prodhimit, duhet të jepnin garanci për identitetin e çdo kalimtari, që përfshihej në radhët e tyre. Më kujtohet gjithashtu arritja dhe vendosja e kolektivit të Arkivit të Shtetit, ku punoja atëherë, në Sheshin “Skënderbeg”, kuadratet e njësive ushtarake midis turmës si edhe snajperët në tarracën e Muzeut Historik Kombëtar.
Fjala kryesore në miting u mbajt nga Xhelil Gjoni. Sipas tij, të larguarit nga Atdheu, nëpërmjet ambasadave, ishin disa rrugaçë e fundërrina, që nuk përfaqësonin popullin shqiptar. Pas mitingut, nga maja e Olimpit të Byrosë Politike, ai dha urdhër që të përjashtohen nga Partia të gjithë ata komunistë, fëmijët apo të afërmit e të cilëve ishin futur në ambasada. Xhelil Gjoni çirrej me të gjithë forcën e gurmazit të tij në miting, duke marrë poza patriotike apo, më saktë, duke u fshehur pas patriotizmit, siç kanë bërë gjithnjë në histori politikanët kriminelë apo dallkaukët e mafiozët ordinerë. Xhelil Gjonin nuk e mashtroi ndokush, nuk e çoi dikush jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij në mitingun e korrikut 1990. Edhe nëse u ngarkua prej të tjerëve që të dilte e të fliste ashtu siç foli, atij i ka pëlqyer kjo gjë. Mitingu e paraqiste atë si udhëheqësin kryesor të Partisë edhe pse ende Sekretar i Parë i Partisë ishte Ramiz Alia. Mitingu e paraqiste atë si dorën e hekurt të diktaturës së proletariatit në një moment kyç të historisë së vendit, pra si Messia i komunizmit shqiptar, pse jo edhe i popullit dhe Atdheut! Mitingu i hapte atij rrugën për tu ngjitur në pikën më të lartë të piramidës partiake e shtetërore, në të cilën nuk mund të qëndronte më për një kohë të gjatë Ramiz Alia i trembur, i paaftë për të marrë vendime që historia i’a kërkon një burri shteti, i dobët për tu përballuar me historinë, pa zë të fuqishëm për të thënë: “Partia është këtu. në jam këtu.”
Në rrugën për t’u bërë diktator kur diktaturës i kishte ardhur fundi, Xhelil Gjoni, afro një muaj pas mitingut të Tiranës ku mallkoi djemtë dhe vajzat shqiptare, që duke rrezikuar jetën zgjodhën Evropën për të jetuar, do të shprehet hapur kundër aspiratës evropiane të të gjithë shqiptarëve.Në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 23 gusht të vitit 1990, kur shqyrtoheshin mundësitë dhe pamundësitë e Shqipërisë për tu pranuar si vëzhguese në Këshillin e Bashkëpunimit e të Sigurimit Evropian, ai do të thotë: “Unë nuk shikoj në këtë hyrjen si vëzhgues, se ne do të fitojmë ndonjë gjë, në qoftë se nuk do lëshojmë nga gjërat parimore. Po ju thamë atyre, që ne do kemi pluripartizëm, po ju thamë atyre që ne do kemi tregun dhe pronën private, do thotë të pranosh të bëhesh Evropë. Unë kujtoj se këtë nuk duhet ta lejojmë”.
Xhelil Gjoni kërcënoi studentët e dhjetorit ’90-të, se do nxirrte tanket në rrugë!
Në të njëjtën linjë të “dorës së hekurt”, edhe më hapur, do të prezantohet Xhelil Gjoni sërish disa muaj më pas, në dhjetorin e vitit 1990, kur filloi Lëvizja Demokratike në Qytetin Studenti. Gazetari i “Zërit të rinisë”, Ilir Kadia, fshehurazi ka regjistruar një fjalim të shkurtër të Xhelil Gjonit mbajtur në fillimet e Lëvizjes Demokratike përpara drejtuesve politikë të institucioneve të kryeqytetit. Xhelili u tha atyre: “Mbrëmë studentët kishin bërtitur për drita. Si na ikën të gjithëve, u ikën edhe atyre, apo jo?! Dhe kishin bërtitur jo vetëm në dhomat e tyre, por edhe jashtë, nëpër rrugë. Dhe kishin dashur të shkonin edhe në shesh. Ne nxorëm ca policë dhe u futëm ca shkopinj bythëve. Nuk nxorëm tanke, se nuk ishte nevoja, por edhe ato i kemi. Studentë janë fëmijët tanë, por kuptohet kush fshihet pas tyre. E kuptoni apo jo?! Armiku. S’ka fjalë tjetër…! Tani ka zëra se ata duan të dalin prap në shesh, por le ta provojnë po ua mbajti”.
Në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 11 dhjetor 1990, pra një ditë para krijimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë si partia e parë opozitare ndaj diktaturës, Xhelili vazhdon të mos pranojë pluralizmin partiak dhe të denigrojë “ca mjekërgjatë”, që ishin mbledhur në Qytetin Studenti për këtë qëllim. Megjithëkëtë, njeriu i zinxhirit të tankeve, nuk është më kërcënues. Ai, madje, është i trembur. Përpara Byrosë Politike, ai do të deklarojë se situata apo “problemi është kaq serioz sa do të vijë tek koka jonë”.
Sigurisht unë nuk i njihja në atë kohë deklaratat apo diskutimet e Xhelil Gjonit në Byronë Politike apo në mbledhje të mbyllura me kuadrot politike të Partisë. Sidoqoftë, e njihja mjaftueshëm Xhelil Gjonin nga jeta ime si gazetar, por edhe nga fjala e tij në mitingun famëkeq të Tiranës. E njihja atë edhe nga thirrjet e studentëve dhe të dhjetramijëra qytetarëve të Tiranës që grumbulloheshin ato ditë dhjetori në Qytetin Studenti duke thërritur: “Enver-Hitler! Poshtë diktatura! Poshtë Xhelil Gjoni”! Nëse Enver Hoxha identifikohej kështu hapur me diktatorin nazist, Xhelili dhe ende jo Ramiz Alia, identifikohej me diktaturën komuniste.
Si e dorëzova teserën e partisë në shenjë proteste, pasi fola kundër Xhelin Gjonit dhe masave që po merrte partia në dhjetorin e ’90-tës!
Në këtë rrjedhë ngjarjesh, më 14 dhjetor 1990, u bë edhe mbledhja e organizatës bazë të Partisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit ku punoja në atë kohë. Në diskutimin tim, midis të tjerave, me këtë rast thashë: “Ripërtëritja” e udhëheqjes së Partisë me një “dorë të fortë”, si ajo e Xhelil Gjonit, mendoj se jo vetëm nuk ndryshon këtu asgjë për të mirë, madje përkundrazi vepron mjaft keq. Mijëra e mijëra studentë thërrisnin ditët e fundit në sheshin pranë Qytetit të tyre edhe “Poshtë Xhelil Gjoni, poshtë Xhelil Gjoni”! Partia e gjen atë si të tillë që duhet ngritur lart! Le ta ngrejë, ndoshta gjykon drejt e me vend. Unë nuk mund të gjykoj kështu. Dhe, meqë nuk mund të ndryshoj gjë këtu, e vetmja gjë që mund të bëj, është të mos pranoj të drejtohem nga njerëz si ai ose që e mbështesin atë. Unë nuk mund të bindem verbërisht, as për përdorimin e dhunës ndaj studentëve, as për sa më sipër”. Pas këtyre fjalëve, kam dorëzuar teserën e anëtarit të Partisë së Punës, pra u distancova prej saj. Besoj se jam i pari komunist që, në rrethanat e krijuara, dorëzoi kartën e anëtarësi dhe u largua nga Partia e Punës në shenjë proteste.
Xhelil Gjoni kërkoi të më përjashtonin nga Partia, pasi ulën isha distancuar prej saj?
Partia e Punës e Shqipërisë ishte mësuar të përjashtonte anëtarët e saj, por jo të përjashtohej ajo nga ndonjë anëtar i saj. Se sa i pazakontë ishte veprimi im, besoj se e dëshmon edhe vetë reagimi i Xhelil Gjonit. Ai, kur është njohur me vendimin që unë kisha marrë, ka thërritur në takim Minella Gjeneralin. Ky, mesa kujtoj, ishte në atë kohë ose sekretar ose zëvendëssekretar i organizatës bazë të Partisë së Arkivave të Shtetit. Sikurse më ka treguar vetë Minella në ato ditë, Xhelili i ka kërkuar atij që të mblidhet organizata bazë e Partisë dhe të më përjashtojnë mua nga Partia. Minella është munduar të arsyetojë, duke thënë se Bashkimi nuk është më komunist dhe se nga Partia mund të përjashtohet dikush që bën pjesë në të, e jo dikush që nuk është më anëtar i saj. Pas Minellës ai ka takuar edhe me shokun tim të vjetër, Fatmir Kumbaron, të cilit i është drejtuar me fjalët: “Hë more, e pe se ç’ka bërë miku yt”?! Se ç’kishte bërë Partia, se ç’kishte bërë ai vetë, nuk kishte rëndësi për Xhelil Gjonin. Ai gjithë jetën e tij si kryeredaktor i “Zërit të popullit” apo si një nga krerët e komunizmit, vetëm ka akuzuar dhe nuk e ka njohur kurrë të drejtën e të tjerëve për ta akuzuar.
Edhe tani që unë po shkruaj këto shënime, ai vazhdon të akuzojë të tjerët, nuk kursen madje as të venë e diktatorit, Nexhmije Hoxhën, as Ramiz Alinë, të cilëve u vesh edhe disa gjynahe të vetë diktatorit. Ai nuk kursen as ata, që e pasuan Ramiz Alinë, sipas tij, pa ndonjë meritë të veçantë, por thjesht sepse ai i kishte “kapur për veshi” dhe i kishte treguar se ç’duhej të bënin dhe ç’duhet të bëheshin. Vetëm njëri i ka shpëtuar akuzave të tij, vetëm njëri ka merituar adhurimin e tij. Ky është diktatori Enver Hoxha. “Mendoj se po të kishte qenë Enveri gjallë’, ka deklaruar në shtyp kohët e fundit Xhelil Gjoni, ‘do ta kishte bërë me kohë ndryshimin dhe do të kishte sjellë pluralizmin”. Nxënësi i vogël i Enverit, Xhelil Gjoni, rezulton kështu më enverist se vetë Enveri! Paska qenë me fat që Enveri nuk ishte në jetë kur ai kundërshtonte pluralizmin partiak dhe që Shqipëria të bëhej Evropë!/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016