Nga Bashkim Trenova
Pjesa e dyzetë e shtatë
Memorie.al /publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturg dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëri e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
ME “HERONJTË E POPULLIT”
BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA
Nuk dua të analizoj nëse kishte të drejtë dhe, nëse po, sa të drejtë kishte Liri Belishova. Unë kam lexuar kohët e fundit edhe ndonjë kritik të thekur të saj të përdorë po atë gjuhë të luftës së klasave si në komunizëm, por në drejtim të kundërt. Nuk dua të bëj as apologjetin e Lirisë. Më duket se ajo është përgjigjur me dhembjet e pafund. Më duket se unë nuk do të mund t’u shtoj diçka më shumë fjalëve të saj: “Megjithëse personalisht, ka thënë Liri Belishova, nuk jam përgjegjëse për krime, megjithëse vetë dhe gjithë familjarët e mi vuajtën për 30 vjet, kam kërkuar falje dhe përfitoj nga rasti të kërkoj përsëri ndjesë. U kërkoj falje viktimave të diktaturës dhe familjarëve të tyre për gjithçka kanë vuajtur. I kërkoj falje gjithë popullit që nuk i realizuam ato që premtuam gjatë Luftës, që e shmangëm për 50 vjet nga rruga e drejtë e zhvillimit, për varfërinë dhe sakrificat e tij, për represionet e shkeljen e të gjitha të drejtave. Dhe, ju kërkoj ndjesë njerëzve të mi të dashur që vuajtën shumë për shkakun tim, megjithëse unë isha fajtore pa faj. I kërkoj në radhë të parë ndjesë Dritës sime, që e linda po që nuk munda t’i siguroj sikur një ditë jetë normale, pale lumturi”.
Nga ish udhëheqësit e lartë të diktaturës ajo dhe Bedri Spahiu, edhe pse në pozita të ndryshme, janë të vetmit që kanë kërkuar falje.
Kujtimet e mia, për Xhelil Gjonin, “të fundit të mhoikanëve”!
Dua të qëndroj disi në këto shënime edhe tek i “fundit i mohikanëve” i kupolës komuniste shqiptare. Mua më ka takuar të punoj rreth një vit me Xhelil Gjonin, të cilin e kam patur kryeredaktor në “Zëri i popullit”. Shpejt ai do të largohej nga gazeta dhe do të ngjiste, po me shpejtësi, shkallët e piramidës së pushtetit, fillimisht si anëtar i Komitetit Qendror dhe më pas si anëtar i Byrosë Politike dhe Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë. Xhelili do të jetë “kometa” e fundit e diktaturës. Ai u ngjit në lartësitë e pushtetit, si shpëtimtar i tij për t’u gremisur së bashku me të, pa lavdi.
Për herë të parë, Xhelil Gjonin e kam ndeshur në një takim të punonjësve të medias në sallën e Lidhjes së Artistëve dhe të Shkrimtarëve të Shqipërisë. Në atë kohë ende isha gazetar i Radio-Tiranës. Në këtë takim foli Thanas Nano, si Drejtor i makinës më të madhe të propagandës së Partisë, Radio Televizionit Shqiptar. Ai e demonstronte pozitën e tij nëpërmjet një përçmimi apo cinizmi ndaj të pranishmëve. Në sallë ndodhej edhe Xhelil Gjoni. Ky, duke qenë kryeredaktor i organit qendror të Partisë, gazetës “Zëri i popullit”, nuk mund të pranonte orientime apo udhëzime nga Thanas Nano. Ishte “Zëri i popullit” që orientonte mjetet e tjera të shtypit e të propagandës së Partisë. Xhelili u ngrit menjëherë pasi u ul Thanas Nano dhe, me një pamje arrogante e një ton triumfalist, vuri pikat mbi “ï”. Atëherë u gëzova që ishte dikush i cili sfidonte Thanas Nanon publikisht, që në një farë mënyre, pavarësisht nga motivi, i tregonte atij vendin. Mjaft nga kolegët e mi ishin të një mendimi me mua. Me këtë rast mësova prej tyre se Xhelili ishte dhëndër i Hysni Kapos, ose kunat i tij. Xhelili ishte martuar me Lumton, motrën e Hysni Kapos. Atij nuk i mungonte zgjuarsia dhe aftësia, por ishte kjo lidhje krushqie mbi të cilën u mbështet fuqishëm e gjithë karriera e tij. Ishte kjo lidhje me Hysni Kapon, një nga tre udhëheqësit kryesorë komunistë në Shqipëri, ajo që i’a shumëfishonte në mënyrë të pamerituar vlerat. Ishte emëri i Hysni Kapos, që “amortizonte” në opinion, në punë e në shoqëri edhe mangësitë e defektet e tij jo të pakta si karakter dhe si temperament.
Manovrat e detyruara të veteranit të “Zërit…”, Qako Dango, për të kënaqur Xhelil Gjonin!
Në fillimet e mia në “Zëri i popullit”, marrëdhëniet me Xhelil Gjonin ishin mëse normale, madje edhe dashamirëse nga ana e tij. Xhelilin e shihja mëse të përkushtuar në detyrën e tij mjaft delikate e me po aq përgjegjësi. Kështu arsyetoja edhe kur, jo rrallë, ai shpërthente në thirrje e britma, të cilat i pasonte me një kërkesë ndjese, për t’u rikthyer sërish tek ato. Përshtypje jo të mirë më bënte në ato fillime kërkesa e tij për rubrikën “Zëri i Shqipërisë- zëri i së vërtetës”. Veterani i “Zërit të popullit”, Qako Dango, ishte ngarkuar me përgatitjen e saj. Ai merrte nga Komiteti Qendror i Partisë letrat, që i vinin Radio Tiranës nga dëgjuesit e saj të huaj. Qako i redaktonte ato dhe, si çdo material tjetër që botohej në gazetë, i’a paraqiste për miratim kryeredaktorit, Xhelil Gjonit. Ky, si rregull, ia kthente pas materialin e dorëzuar me shënimin: “gjej letra të tjera, më të mira”. Ai e dinte shumë mirë se Qako nuk kishte ku të gjente letra të tjera. Qako nga ana e tij kishte gjetur një zgjidhje origjinale. Ai e sajonte vetë një letër gjoja të ardhur nga ndonjë vend i Amerikës. Në këtë rast autori i paqenë i saj “identifikohej” me dy iniciale , për shembull: “L. K.” nga Kolumbia shkruan…”! Ai qeshte me të madhe me gjetjen e tij. “Askush nuk ka përse të dyshojë që një K.L. apo L.K. jeton në Kolumbi, e që ka shkruajtur kështu”, shpjegohej Qako. Një tjetër gjetje e tij ishte “plugimi” i thellë i letrave të ardhura. Ai i redaktonte kaq shumë ato, sa atyre nuk u mbetej, pothuajse, asgjë nga origjinali. Qako vazhdonte kështu derisa Xhelili të kënaqej me përmbajtjen e letrave të “dëgjuesve” të Radio Tiranës.
Unë që kisha punuar më parë në Radio e dija se në të vërtetë edhe “origjinalet”, që i binin në dorë Qakos, nuk ishin aspak origjinale. Në Radio Tirana letrat e dëgjuesve të huaj, përktheheshin në shqip dhe më pas i shihte Drejtori i Radios së Jashtme, Kiço Pandeli. Kiço, që nuk njihte asnjë gjuhë të huaj, vinte re se përkthimi i tyre, nuk ishte bërë korrekt nga specialistët! Ai “ndreqte” mangësitë e përkthimit duke shtuar, sigurisht, lavdet e himnet për komunizmin, Partinë dhe shokun Enver Hoxha. Xhelili nuk ishte i kënaqur as me këto “rregullime”. Në të njëjtën linjë, ai ishte edhe më “kërkues”. Unë, sidoqoftë, e nderoja atë dhe njëkohësisht mundohesha të mbaja njëlloj distance, si të thuash të qëndroja në vendin që më takonte si gazetar i porsaardhur në “Zëri i popullit”.
Besoj se edhe Xhelil Gjoni ishte i kënaqur nga artikujt e mi. Këtë e ka shprehur edhe në analizat e përjavshme të punës në redaksi apo, siç i quanim atëhere, në “kritikën e javës”. Ishte ai që më propozoi për kryetar të Bashkimeve Profesionale të gazetës. Do të jetë sërish ai që më propozoi për anëtar të byrosë së organizatës së Partisë. Eshtë Xhelil Gjoni që më propozoi gjithashtu për një udhëtim në Suedi. Do të ishte kjo, po të realizohej, dalja ime e parë jashtë shtetit. Nuk u bë dhe nuk e di përse. Për të më vënë në dijeni për këtë udhëtim më thërriti në zyrën e tij Spiro Kufo, një burrë i urtë, gazetar i vjetër i “Zërit të popullit” dhe zëvendëskryetar i organizatës së Partisë. Askush nuk më tha më pas se rruga për në Suedi nuk do të bëhej dhe as përse nuk do të bëhej. Nils Anderson, që në atë kohë banonte në Suedi, do të më shpjegojë pas disa viteve, në Tiranë, se ishte Shoqata e Miqësisë Suedi-Shqipëri, ajo që kishte organizuar një aktivitet në të cilin fillimisht ishte menduar të ishte edhe një i ftuar nga Shqipëria. Më pas, nuk e di se për ç’arësye, Shoqata kishte hequr dorë nga kjo ftesë.
Mos emërimi i Fatos Cekodhimës, si kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”!
Edhe sot, pas mëse 35 vjetësh, mendoj se problemet me Xhelil Gjonin, nisën pa ndonjë arsye të vërtetë, madje krejt papritur. Fatos Cekodhima, shef i Sektorit Ekonomik dhe njëkohësisht sekretar i organizatës bazë të Partisë, ishte ankuar tek Xhelil Gjoni, se unë së bashku me kolegun dhe shokun tim, Vladimir Prela, ishim gëzuar që ai nuk kishte njollë në biografi! Duket absurde, por kështu është. Normalisht atij do t’i duhej të ankohej, nëse dikush do të shpifte, do thoshte se ai ishte me “njollë në biografi”. Por, si edhe në raste të tjera, edhe në këtë rast, në bazë të tërë parametrave të diktaturës, absurdja ishte logjike dhe logjikja absurde. Do të mundohem të shpjegohem.
Gjithçka nis me emërimin e Arqile Aleksit, kryeredaktorit të gazetës së dytë të përditshme, “Bashkimi”, si drejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare të Lajmeve. Pas largimit të tij, organizatës së Partisë të “Zërit të popullit”, i’u kërkua nga Komiteti Qendror i Partisë, që të bënte një karakteristikë pune të Fatos Cekodhimës. Ai, ishte menduar, të bëhej kryeredaktor i ri i “Bashkimit”, duke zëvendësuar kështu Arqile Aleksin. Organizata e Partisë i bëri një karakteristikë mjaft të mirë Fatosit. Pavarësisht prej saj, ai nuk u bë asnjëherë kryeredaktor i gazetës “Bashkimi”. Punonjësit e kësaj gazete, nuk donin të kishin si kryeredaktor të tyre Fatos Cekodhimën. Në të vërtetë ai, si natyrë e si karakter, ishte krejt i ndryshëm nga Arqile Aleksi, një burrë me shumë humor, komunikues e dashamirës ndaj kolegëve të tij. Unë vetë nuk kam dëgjuar as në atë kohë e as më pas, ndonjë opinion jo të favorshëm apo keqdashës ndaj Arqile Aleksit.
Mos emërimi i Fatosit si kryeredaktor i “Bashkimi”-t, ngjalli edhe pëshpëritje në gazetarët e “Zërit të popullit” dhe të “Bashkimi”-t. U fol se ai nuk mund të bëhej kryeredaktor sepse kishte diçka jo të mirë në biografi. Një ditë, në shkallët e hyrjes të “Zërit të popullit”, ndërsa po dilnim për të pirë një kafe tek Klubi i Gazetarëve, unë dhe Vladimir Prela, u kryqëzuam me Pavllo Gjideden, kolegu ynë i “Zërit të popullit”. Ai na ndaloi dhe na tha se kishte mësuar një lajm të mirë. Sipas këtij lajmi, Fatos Cekodhima nuk kishte asgjë të pafavorshme në biografinë e tij, pra rruga ishte e hapur për Fatosin kryeredaktor. Vladimiri, që njihej prej një kohe më të gjatë se unë me Fatosin, e takon këtë dhe i shpreh gëzimin e tij. Fatosi porsa ndahet nga Vladimiri, shkon tek Xhelil Gjoni dhe i kërkon atij që t’i jepen shpjegime rreth fjalëve që ishin përhapur lidhur me biografinë e tij. Xhelili na thërriti mua dhe Vladimirin. Ne i treguam aq sa dinim. Ai thërriti Pavllo Gjideden. Pavllo mohoi menjëherë të kishte biseduar me ne për Fatos Cekodhimën. Xhelili për disa javë këmbënguli duke ushtruar presion mbi mua dhe Vladimirin, që të tregonim të vërtetën, ndryshe përgjegjësia binte mbi ne të dy, si përhapës të thashë e themeve.
Thashë e themet, kanë një ngarkesë negative. Nuk mund të bësh thashë e theme, apo ta quash të tillë një bisedë pozitive, që i drejtohet në mënyrë krejtësisht dashamirëse dikujt tjetër, një kolegu apo një të panjohuri. Kështu ishte edhe në rastin tonë edhe po të mendohej se biseda për biografinë pa njolla e Fatos Cekodhimës e kishte zanafillën tek unë apo tek Vladimiri. Të merreshe me thashë e theme në “Zëri i popullit”, ishte jo vetëm e dënueshme moralisht, por edhe e ndëshkueshme, madje ndëshkimi dihej se ishte mjaft i rëndë. Xhelili më në fund nuk e përmendi më biografinë e Fatosit. Besoj se atij kaq i duhej. Mjaftonte të kishte në dorë një kartë të zezë, të cilën mund ta tundte apo ta hidhte në lojë në çdo moment kundër njërit e tjetrit. Po të mos ishte bërë objekt bisede biografia e Fatosit, ai me siguri, do të gjente diçka tjetër për të treguar, se ishte zot i fatit të të gjithë kolektivit, si edhe i secilit prej nesh, për të mirë, por edhe për të keq, se emëri ynë mund të bëhej i njohur ose të humbiste përfundimisht, qoftë edhe në varësi të tekave të tij. Marrëdhëniet me Xhelilin u tensionuan, madje u prishën përfundimisht, jo shumë kohë më pas. Këtë herë, në një farë mase ai kishte të drejtë dhe po kështu, në një farë mase unë isha përgjegjës.
Konflikti im me Xhelil Gjonin, që nuk u rikuperua asnjëherë!
Në majin e vitit 1976, si çdo vit në këtë muaj, u organizuan në Tiranë një sërë spektaklesh artistike që njiheshin me emrin “Koncertet e Majit”. Në këtë veprimtari artistike tepër të propaganduar, gjatë dhjetë ditëve konkurronin mjaft ansamble, grupe, orkestra, këngëtarë e valltarë profesionistë dhe amatorë. “Koncertet e Majit” mendoj se ishin ngjarja më e rëndësishme e më masive artistike e vitit në shkallë kombëtare, pavarësisht se në të përfaqësohej vetëm kryeqyteti. Ato shërbenin si një lloj tribune e zhurmshme, ku reklamoheshin arritjet dhe sukseset e kulturës e të artit të realizmit socialist. Duke patur një karakter të theksuar ideo-politik ato, si çdo veprimtari artistike e kulturore, luanin gjithashtu pjesën e tyre të rolit në lavazhin intensiv të trurit tonë.
“Koncertet e Majit” 1976, duke rrjedhur të bindura në këtë shtrat, patën edhe një veçori, që kishte tërhequr vëmendjen e diktatorit Hoxha. Në një takim në Byronë Politike, në mbledhjet e së cilës, si rregull, asistonte gjithnjë edhe kryeredaktori i “Zërit të popullit”, Enver Hoxha kishte lëshuar disa kritika në adresë të tyre. Këtë herë në shënjestrën e tij ishte vënë Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore. Ai kishte kritikuar stilizimin e kostumeve popullore të valltarëve të Ansamblit, si edhe kërcimtaret e tij që, sipas diktatorit shqiptar, kishin dalë në skenë si shtojzavalle delikate, të brishta. Sigurisht ai nuk ishte as stilist dhe as koreograf, por fjala e tij edhe në këto fusha ishte ligj e mbi ligj, ashtu sikurse ishte edhe në nxjerrjen e naftës, në mbjelljen e patates e të grurit, në krehjen dhe prerjen e flokëve, të mjekrave e të mustaqeve, në strategjinë ushtarake si edhe të perspektivave planetare, etj., etj.
Xhelil Gjoni, që kishte qenë i pranishëm kur Enver Hoxha kishte bërë deklaratat e mësipërme, porsa u kthye në Redaksi, thirri të gjithë gazetarët për të na dhënë orientimet e rastit. Ai na tregoi edhe për kritikat e Enver Hoxhës ndaj Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe të Valleve Popullore. Në mbledhje të Redaksisë, kur jepeshin orientimet e udhëheqjes më të lartë të Partisë për “Zërin e popullit”, në një skaj, i heshtur, qëndronte gjithnjë një punonjës i cili bënte edhe detyrën e stenografistit. Ai mbante shënim gjithçka thuhej aty. Asnjëherë, askujt nga ne nuk i kishte lindur pyetja: “Përse duheshin shënimet e tij”?!
Pasi Xhelil Gjoni mbaroi së dhëni orientimet e rastit, ne të gjithë u larguam. Unë shkova të pijë një kafe në Hotel “Tirana”, që ndodhej pranë godinës së “Zërit të popullit”. Aty takova shokun tim të vjetër Bardhyl Zekia. Ai punonte si instruktor për kulturën në Komitetin e Partisë të Tiranës. Duke qenë se ai ishte punonjës partie dhe, për më tepër, në fushën e kulturës, unë bisedova me të rreth kritikave të Enver Hoxhës. I tregova, sigurisht, që isha vënë në dijeni të tyre, si të gjithë kolegët e mi, nga kryeredaktori, Xhelil Gjoni. Këtu qëndron edhe gabimi im. Nuk do të ishte dashur ta bëja këtë bisedë me Bardhyl Zeken. Unë nuk mund ta mendoja atëhere se dy komunistë, sikurse ishim ne të dy, jo gjithnjë mund të flasin apo t’i transmetojnë njëri-tjetrit orientimet, kritikat, mendimet e kryetarit të Partisë dhe se kjo gjë lejohej vetëm me urdhrin e tij. Unë nuk e dija, nuk mund ta mendoja se Enver Hoxha, kishte folur jo për të gjithë Partinë. Unë nuk e dija e as mund ta mendoja se Enver Hoxha kishte folur, por se Xhelil Gjoni nuk do të duhej të na i kishte përcjellë neve kritikat e tij, duke na thënë edhe autorin e tyre. Enver Hoxha kishte hedhur gurin dhe fshihte dorën. Nuk mund ta mendoja se “udhëheqësi i madh”, që sfidonte superfuqitë me guximin e tij, ndiqte praktika të kësaj natyre. Ai hiqej si parimor mbi parimorët. Ai edhe vetë Zotin e kishte dënuar më rëndë se kudo e se kurdo vetëm e vetëm sepse i Plotfuqishmi, sikurse i drejtohen atij besimtarët, guxonte t’i bënte hije “parimeve” të tij të palëkundura e me forcë universale!
Nga ana e tij, Badhyl Zekia, pasi ndahet nga unë, kthehet në Komitetin e Partisë së Tiranës. Aty takon anëtarin e Byrosë Politike dhe njëkohësisht Sekretarin e Parë të këtij Komiteti, Manush Myftiun. Bardhyli i tregon atij, nuk e di në ç’rrethana, bisedën që bëmë së bashku në Hotel Tirana. Manushi, i trembur, nuk kishte dashur ta mbajë për vete atë që i ishte thënë nga Bardhyli. Ai vuri në dijeni më lart. Atje, në kupolë, vendosën ta thërrasin Xhelil Gjonin dhe të dëgjonin versionin e tij, lidhur me bisedën që ishte bërë në Redaksi, pas kritikave të Enver Hoxhës për “Koncertet e Majit”. Xhelili nxitoi të mohojë gjithçka.
Me t’u kthyer në Redaksi, Xhelil Gjoni thirri në zyrën e tij Kolegjiumin e Redaksisë dhe Byronë e organizatës së Partisë, anëtar i së cilës isha edhe unë. Normalisht, apo më saktë, teorikisht, ai nuk mund të thërriste Byronë e organizatës në zyrën e tij. Byroja mund ta bënte këtë, të thërriste atë. Teorikisht thuhej se Partia ishte mbi të gjithë e mbi gjithçka. Kjo formulë, në të vërtetë, ishte e gjithë vlefshme vetëm për diktatorin. Duke u unifikuar me Partinë, ai ishte mbi këdo e mbi gjithçka. Nën modelin e tij, diktatorët e vegjël të emëruar nga Partia në postet e tyre, unifikoheshin në këto poste edhe ata me Partinë. Partia ishte në të vërtetë diçka abstrakte që konkretizohej vetëm prej tyre. Kështu as kishte ndodhur ndonjëherë në “Zërin e popullit” dhe në asnjë institucion, qendër pune e prodhimi në Shqipëri, që kryeredaktori apo drejtori të thërritej nga Byroja e organizatës, e të përgjigjej para saj. E kundërta ishte praktika më normale, një anormalitet krejtësisht normal.
Si kisha ndikuar unë pa dashje, në mosrealizimin e ëndrrës së Xhelil Gjonit!
Në zyrën e tij Xhelil Gjoni tregoi se si ishte thirrur në Komitetin Qendror të Partisë. Sipas tij, atje i kishin thënë se ishin të sigurt që ai nuk kishte biseduar me gazetarët në Redaksi lidhur me kritikat e Enver Hoxhës për Koncertet e Majit. Unë, na tha ai, “nuk kam biseduar në Redaksi për Koncertet e Majit, Bashkimi ka dezinformuar Partinë”. I mbërthyer në një histeri të plotë, ai m’u drejtua me fjalët: “Ti kërkon të më përmbysësh”?! Pas këtyre fjalëve kishte diçka të vërtetë, që unë nuk e kisha menduar për asnjë çast. Disa muaj më pas, në nëntorin e vitit 1976, do të mbahej Kongresi i 7 i Partisë. Ai priste që në përfundim të punimeve të këtij Kongresi, të zgjidhej anëtar i Komitetit Qendror të Partisë. Ai shihte t’i rrezikohej ëndrra në pragun e realizimit të saj.
Xhelil Gjoni u kërkoi më pas të tërë të pranishmëve që të shpreheshin e të thonin të vërtetën. Të gjithë, pothuajse pa asnjë nuancë, e mbështetën atë. Përjashtim nga e përgjithshmja, bënë dy zëvendëskryeredaktorët, Ajet Simixhiu dhe Asim Bedalli. Ajeti tha se nuk i kujtohej nëse Xhelili kishte folur apo jo përpara gazetarëve për “Koncertet e Majit”, por pavarësisht nga ky fakt, sikurse shtoi ai, unë kisha bërë gabim që kisha biseduar me Bardhyl Zeken për sa më sipër. Ajeti ishte i vetmi nga anëtarët e Kolegjiumit e të byrosë, që nuk u “solidarizua” verbërisht me Xhelilin, la diçka të diskutueshme. Unë mund të them se e kam parë Ajetin, në një rast, në zyrën e tij në një pozitë të ngjashme me mua. Fill pas një takimi që kishte patur me Xhelilin, në zyrën e tij ku isha vetëm unë i pranishëm, ai pasi më tha: “Jam bërë për t’u hedhur nga dritarja”!, shtoi si një rënkim nga shpirti fjalët “Oh moj nanë”!
Zëvendëskryeredaktori tjetër, Asim Bedalli, edhe ai më ka mbetur në kujtesë për fjalët e tij në këtë mbledhje të përbashkët të byrosë së organizatës së Partisë dhe të Kolegjiumit. “Unë’, tha Asimi, ‘nuk kam qenë në mbledhjen e Redaksisë ku, sikurse thotë Bashkimi, shoku Xhelil ka folur për kritikat e shokut Enver për “Koncertet e Majit”, megjithëkëtë, shtoi ai, unë jam i sigurt se shoku Xhelil, nuk ka folur në këtë mbledhje për këto kritika”. Me Asimin njiheshim që kur ishim studentë. Ai ishte sekretar i rinisë së Fakultetit. Edhe në vitet studenteske, ai gjithnjë më kishte lënë një shije të përzierë, të papërcaktuar. Ai ishte si të gjithë ne, i ri në moshë, por ndryshe nga pothuajse të gjithë ne, arrivist i paskrupullt.
Këta ishin komunistët e organit të Komitetit Qendror të Partisë, ata që njiheshin ndryshe si “arkitektë të mendimit revolucionar”, përçuesit e ideologjisë dhe moralit të pastër e të guximshëm proletar në gjirin e Partisë e të popullit! Të gjithë kërkuan që unë të bëja autokritikë. Xhelili kërkoi edhe ai që unë të bëja autokritikë dhe të shkoja në Komitetin e Partisë së Tiranës, të takoja atje Sekretarin e Parë të këtij Komiteti, Manush Myftiun, dhe t’i dëshmoja atij se ai, Xhelili, nuk kishte folur në Redaksi për “Koncertet e Majit”. Xhelili kërkonte as më pak e as më shumë, por thjesht që unë të bëja një “harakiri”, të varrosja dinjitetin tim, e bashkë me të, çdo të ardhme për hir të karrierës së tij politike. Më së paku ai kërkonte që unë, duke mohuar të kisha biseduar me Bardhyl Zeken për Koncertet te Majit dhe kritikat e Enver Hoxhës, ta nxirrja atë si një gënjeshtar dhe dezinformues. Për të nuk kishte rëndësi as e vërteta, as fati i njërit apo tjetrit, fati i dy komunistëve të thjeshtë, miqësia apo shoqëria e tyre, por vetëm karriera e tij, pastrimi i shkallëve të kësaj karriere nga çdo pengesë, duke injoruar çdo moral njerëzor. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016