Nga Bashkim Trenova
Pjesa e dyzetë e gjashtë
Memorie.al /publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturg dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëri e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
ME “HERONJTE E POPULLIT”
BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA
Nefo Myftiu ishte së bashku me Todi Lubonjën, drejtorin e përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar, organizuesja e Festivalit të 11-të të këngës, që u dënua padrejtësisht nga Enver Hoxha si dekadent, me ndikime borgjeze etj., etj. Si pasojë, në prill të vitit 1973 ajo u shkarkua nga kjo detyrë, u largua nga Radio Tirana dhe u dërgua në Ndërmarrjen Artistike “Migjeni”.
Dënimi i Nefo Myftiut dhe dëbimi i saj nga Radio-Televizioni, pas festivalit të 11 të Këngës!
Festivali i 11-të i Këngës në Radio Televizion nuk ishte “gabimi” i parë i rëndë i Nefos. Më 20 korrik të vitit 1969, ajo kishte dhënë urdhër që të transmetohej në Radio Tirana, lajmin mbi astronautët Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin, të cilët hynë ne histori si të parët qenie njerëzore, që shkelën truallin e Hënës. Problemi është se në Hënë arritën astronautët amerikanë dhe, në këndvështrimin e regjimit, duke dhënë këtë lajm, Radio Tirana i bënte jehonë jo një arritjeje historike, por sukseseve tekniko-shkencore të imperializmit amerikan, armikut të betuar të popujve! Atëherë Nefo e kaloi pa ndonjë masë këtë “gabim”. Tani me Festivalin ajo e kishte mbushur kupën, nuk mund të tolerohej më. Asaj ia përmendën, me këtë rast, edhe korrikun e vitit 1969.
Unë nuk kam qenë në Radio kur Nefo Myftiu është larguar apo, më saktë, dëbuar prej andej nga Partia, pavarësisht se ishte gruaja e anëtarit të Byrosë Politike. Sigurisht që ajo ka kaluar ditë, javë e muaj duke pritur se si do të vendoste Enver Hoxha për të dhe bashkëshortin e saj, nëse kalvari i saj do të merrte fund në “Migjeni”, apo një ditë të bukur do të shihte një kamion përpara shtëpisë dhe do të urdhërohej të ngarkonte laçkë e plaçkë, për t’u nisur në drejtim të paditur! Kjo ishte një nga praktikat e zakonshme që ndiqte diktatura kundër “armiqve”. Unë kam biseduar në ato kohë me një shokun tim, i afërt me Nefo Myftiun, për të ditur diçka mbi fatin e saj. Ai më tha se gjendja ishte tepër e rëndë, se ajo nuk arrinte të bisedonte as me të shoqin, nuk mund të këshillohej me të, sepse ai nuk pranonte! Ajo i kishte thënë atij se nuk mund të bisedonte as me të vëllanë, akademikun, profesorin e historianin e mirënjohur, Arben Puto, sepse nuk e dinte se si do të përfundonte “historia” e saj dhe nuk donte të implikonte edhe atë në këtë “histori”.
Pasi filloi punën në “Migjeni”, kam shkuar dhe e kam takuar Nefon në zyrën e saj. Më priti sikur nuk kishte ndodhur gjë. Drita Peza, gruaja Skënderit, djalit të xhaxhait të nënës time, që punonte në “Migjeni”, na solli të dyve nga një kafe. Nuk më kujtohen shumë gjëra nga biseda që bëmë bashkë. Mbaj mend, gjithsesi, se ajo ishte e kënaqur, pothuajse e ngazëllyer, që kur ishte larguar nga Radio Tirana, rreth 30 punonjës të institucionit e kishin përcjellë deri në “Migjeni”.
Nefo vdiq para disa vitesh në një gjendje tejet të vështirë, por gjithnjë dinjitoze. Ajo kishte lindur në një familje borgjeze, u bë komuniste, por mbeti gjithnjë Njeri. Ajo ka mbetur në kujtesën e punonjësve të Radio Televizionit si një grua e madhe, si një zonjë krenare, që i donte njerëzit, që u mundua të japë disa tinguj gëzimi për rininë shqiptare gjatë viteve të errëta të diktaturës.
Në vitin 2008, në mos gabohem, Radio Televizioni Shqiptar festoi 70 vjetorin. Me këtë rast ishin ftuar edhe shumë punonjës të vjetër të tij. Midis tyre ishte edhe folësja e paharruar e Radio Tiranës, Vera Zheji. jo me kërkesën e të pranishmëve, nga podiumi i sallës së Akademisë së Arteve, shqiptoi vetëm tri fjalë: “Ju flet Tirana”. Këto fjalë ajo i kishte shqiptuar për vite e vite të tëra përpara mikrofonit të Radios. Pasi u duartrokit nga salla ajo u ul sërish në ndenjësen e saj. Pastaj, krejt pa pritur, u ngrit sërish dhe tha: “Më falni! Më doli nga mendja të them disa fjalë për një zonjë, një zonjë të vërtetë, që nuk rron më, për Nefo Myftiun, e cila ka qenë një njeri me shpirt njeriu, një njeri që ka bërë vetëm të mira”. E gjithë salla e duartrokiti sërish Vera Zhejin, që përcolli kështu mendimin e një brezi të tërë që ka punuar dhe e ka njohur Nefo Myftiun.
Vetë Nefo Myftiu, jetën e saj e përmbledh me këto fjalë: “E nisëm në bodrume dhe e përfunduam në bodrume”. Kështu i tha ajo Albert Shalës ndërsa ecnin së bashku në një rrugë të Tiranës. Nefo po shkonte në mbledhjen e organizatës së Partisë, e cila zhvillohej në një bodrum. Më kujtojnë këto fjalë të Nefos një artikull, që kam botuar në “Rilindja Demokratike”, në një nga numëruat e saj të parë. Midis të tjerave, aty kam shkruajtur se komunizmi u ngjit në pushtet në një kohë kur Shqipëria ndriçohej nga llamba e vajgurit dhe mori fund duke e ndriçuar atë me flakën e qiririt. Se si ka kaluar jeta e Nefo Myftiut, mund ta kuptojmë gjithashtu edhe nga disa fjalë që ajo ka shkëmbyer me Liri Belishovën, ish-anëtare e Byrosë Politike. Ato janë takuar, besoj rastësisht, pasi kjo e fundit u kthye nga internimi në Tiranë. Liri Belishova e tregon kështu këtë takim: “Kur u ktheva në Tiranë, takova një ditë në rrugë Nefo Myftiun, e cila më tha: “Ç’të të them unë moj Liri ty që vuajte 30 vjet. Por ta dish, edhe neve nuk e kemi vënë kokën mbi jastëk, por si mbi tela me gjemba. M’u duk sikur më pa me inat Enveri, m’u duk sikur Nexhmija e tha këtë fjalë me nënkuptim, etj”.
Liri Belishovën e kam “takuar” që në fëmijërinë time. Në faqet e albumit të vetëm që kishte shtëpia jonë, ishte edhe një fotografi e disa javëve përpara mbarimit të Luftës. Aty është fiksuar edhe nëna ime, dikund nga mesi i një salle të mbushur me gra dhe vajza të reja. Më pranë objektivit të aparatit fotografik janë Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit të ardhshëm Enver Hoxha, Fiqerete Shehu, gruaja e bashkëpunëtorit më të ngushtë të diktatorit, kryeministrit të ardhshëm, Mehmet Shehu. Po kështu, në këtë fotografi bie në sy menjëherë një vajzë e re, e qeshur, me kapelën partizane në kokë. Ajo ishte Liri Belishova, që do të bëhet më pas anëtare e Byrosë Politike të Partisë së Punës. Fotografia është bërë më 4 nëntor 1944 në sallën e Kongresit të I-rë të Gruas Antifashiste Shqiptare, që zhvilloi punimet në qytetin e çliruar të Beratit. Fotografia tregon se as Nexhmija, as Fiqeretja dhe as Liria, nuk janë në presidium. Më vonë do të mësoheshim t’i shihnim ato vetëm nëpër presidiume. Portretin e Liri Belishovës do ta shihja, më pas nëpër vite, si të gjithë shqiptarët, të ekspozuar në qendrën e kryeqytetit përbri anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike. Kështu, ne qytetarët e thjeshtë, kishim rastin të “takoheshim” me udhëheqësit tanë të lavdishëm, ose më saktë, me ikonat e tyre.
Si u fshinë nga historia partizanet që ishin në presidiumin e Kongresit të Parë të Bashkimit të Grave Antifashiste!
Të tjerat, që kishin qenë në një sallë me to, në një llogore me to, ishin tkurrur e harruar për disa dhjetëra vjeçarë radhazi,si të paqena. Duhet të kalonin mëse 60 vite që shtypi shqiptar, duke përkujtuar këtë Kongres, të shkruaj: “Vend të veçantë në historinë e luftës dhe të organizimit të Gruas Antifashiste Shqiptare, zë Kongresi i parë i Bashkimit të Grave Antifashiste të Shqipërisë, që u mbajt në qytetin e çliruar të Beratit më 4. 11.1944… I paharruar, ndoshta edhe unikal, është shembulli i shoqeve Sabrie Buzhiqi, Ismete Peza, Xhevro Shehu, Dhoksi Llogo, Milika Tërova, Kostaqe Toqe e Sofka Misja, që, me kurajo e trimëri, zunë vendin e lënë bosh nga të afërmit e tyre, njerëzit e zemrës që ranë, dhanë jetën dhe derdhën gjak në betejat për liri kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre”. Nëna ime vdiq e harruar. Ajo ishte mësuar aq shumë me harresën, sa kur dikush nga shoqet “aksidentalisht” do t’i përmendte diçka konkrete nga vitet e luftës, do t’i dukej sikur po zbulonte diçka të re, që nuk i takonte asaj. Ndoshta do të gëzohej po t’i lexonte këto radhë, këto fjalë që nuk i dëgjoi kurrë për së gjalli. Hapësira ishte zënë e tëra nga “dinozaurët” e komunizmit shqiptar.Ndoshta do të ishte tepër vonë edhe për t’u gëzuar!
Takimin e parë dhe të vetëm me Liri Belishovën e kam patur në vitin 1991 ose 1992, në redaksinë e gazetës “Rilindja Demokratike”. Në administratën e redaksisë punonte në atë kohë si përgjegjës i saj një burrë i thatë, në një far moshe. Kreshnik quhej. Mbiemri i tij nuk më kujtohet sepse ai shpejt u largua nga Shqipëria, pra edhe nga redaksia e “Rilindjes Demokratike”. Di se më parë kishte punuar në administratën e gazetës “Bashkimi”. Kreshniku shkoi në Shtetet e Bashkuara. Unë e ndihmova të nxirrte vizën në Ambasadën e amerikane në Tiranë. Ia kërkova këtë nder ambasadorit amerikan, zotit Willjam E. Rayerson, me të cilin njiheshim mirë. Ai ishte ambasadori i parë amerikan në Shqipërinë e pasluftës. Rayerson ishte njeri i thjeshtë, mjaft popullor në Shqipëri. Ai ka dhënë një ndihmesë të veçantë në hapat e para të zhvillimeve demokratike dhe në fitoren e demokracisë në Shqipëri. Mund të them se ai e njihte mirë rolin e shtypit opozitar dhe ishte mik i “Rilindjes Demokratike”. E mbaj mend kur vinte në redaksi në këmbë me çadrën e tij të vogël të shiut në dorë, ashtu si çdo qytetar i thjeshtë i kryeqytetit. Po kështu më kujtohet kur rreshtohej midis qytetarëve në trotuaret e Bulevardid “Stalin” në Tiranë, për të ndjekur manifestimet e tyre kundër diktaturës. Është folur dhe flitet mjaft edhe sot për “arrogancën” amerikane edhe në diplomaci.
Diplomatë si Rayerson, sipas mendimit tim, janë një dëshmi për të kundërtën. Nuk mund të them nëse ata që e kanë pasuar e kanë marrë atë si model. Unë u largova nga Shqipëria pak para tij. Nga larg, jo rrallë më është dukur, se ndonjë prej tyre, me kërkesën e klasës politike shqiptare, nuk ka nguruar të luaj edhe rolin e guvernatorit të përgjithshëm! Për të qenë i saktë, dua të shtoj se këtë rol, në të vërtetë, ë Shqipërinë e tranzicionit, sipas meje, e kanë luajtur edhe ambasadorë evropianë, madje edhe ndonjë eurodeputet apo eurodeputete, si zonja Doris Pack, për të cilën, sidoqoftë, ruaj respekt. Kjo gjë lidhet me qëndrimet e saja të vazhdueshme mbi Kosovën.
Kreshnikut edhe unë i kisha kërkuar një nder më parë. Ai më kishte thënë se ishte kushëri i Liri Belishovës. Prej tij mësova se Liri Belishova ishte kthyer nga internimi në Tiranë dhe se ajo, pavarësisht nga vitet, ishte mjaft e kthjellët në mendime. I kërkova Kreshnikut të bisedonte me të dhe ta pyeste nëse dëshironte të jepte një intervistë për “Rilindjen Demokratike”. Liria erdhi e më takoi në redaksi së bashku me djalin e saj. E intervistova me mjaft kënaqësi. Më duket se kjo ishte intervista ime e parë.
Pyetjet me “spec” që Filip Çakuli i bënte Liri Belishovës për Enver Hoxhën?
Nga ky takim mbaj mend se Liri Belishova, që dikur kishte qenë përgjegjëse për propagandën e Partisë së Punës, nuk i kishte humbur shprehitë, që kishte fituar në këtë post. Ajo nuk ngurroi të na japë disa këshilla për mbarëvajtjen e gazetës. Nga ky takim mbaj mend gjithashtu ndërhyrjet krejt pa vend dhe pa asnjë finesë në bisedë, të Filip Çakullit. Ne të gjithë kërkonim të dinim diçka nga jeta e diktatorit dhe raportet e tij me bashkëpunëtorët më të afërt. Filipi, nga një botë krejt tjetër, e pyeste Lirinë: “Po mirë, më thuaj të vërtetën, a ka qenë qejfli femrash Enver Hoxha”? I pakënaqur nga përgjigja e Lirisë, ai shkoi edhe më tej duke pyetur: “A të ka futur ndonjëherë duart Enver Hoxha”? Liria, që nuk e njihte Filipin, përgjigjej seriozisht: “Jo, jo! Mund ta akuzosh Enver Hoxhën për gjithçka, por jo për këtë gjë”. Ne qeshnim me zor, na vinte rëndë nga pyetjet që bënte Filipi, por ai kështu është. Ai tallej e bënte humor me të gjithë e me gjithçka, edhe me tragjiken edhe me komiken, me miqtë, njëlloj si edhe me kundërshtarët.
Humori i tij ishte i pakufi në diktaturë, njëlloj edhe në demokraci. Një herë më ka vënë në pozitë të vështirë duke botuar diçka, gjithnjë me humor, ku si personazhe ishim unë, sekretari i Kolegjiumit të Rilindjes Demokratike, Xhevat Mustafa dhe presidenti i Republikës, Sali Berisha. Humori i tij përkonte disi, krejt rastësisht, me një bisedë, që unë kisha zhvilluar me presidentin Sali Berisha. I kisha thënë atij se Xhevati kuptonte e fliste gjermanisht dhe se mund të shërbente në ndonjë ambasadë shqiptare në vendet gjermanofone. Shoqërisht i thashë Filipit se nuk kishte bërë mirë. Nuk mund t’i shpjegoja se përse. Në këtë rast më ka thënë: “Or Bashkim, unë bëj humor e tallem edhe me veten time, me gruan time. Kërkon ti nga unë”?! Nga takimi me Liri Belishovën në redaksi, nga intervista dhe biseda me të, më kanë mbetur në kujtesë fjalët e saj: “Kur ika nga Tirana, isha vetëm 34 vjeç, në lulëzim të plotë, kur u ktheva, një plakë e dërrmuar”.
Liri Belishovën nuk e lejuan të ishte pranë së bijës në spital, kur ajo ndërroi jetë në moshën 22 vjeçare?
Liri Belishovën dhe familjen e saj e larguan nga Tirana më 6 nëntor 1960. Atë e përjashtuan nga Byroja Politike, nga Komiteti Qendror dhe nga Partia e Punës. Ajo kaloi 30 vjet internim në fermën shtetërore “Myzafer Asqeriu” afër Gjirokastrës, në Kuç të Vlorës, në Progonat, në Cërrik, duke provuar punë të rënda, duke ngarkuar e shkarkuar arka. Ajo kaloi kështu sikurse thotë vetë: “30 vjet e izoluar sikur të kisha kolerën”. Bashkëshorti i saj, Maqo Çomo, bëri 27 vjet burg. Më e rëndë se “kolera” ishin për Liri Belishovën burgjet, internimet, përndjekjet e fëmijëve të saj, të pesë vëllezërve me familjet e tyre, të të afërmve të burrit, vëllait e motrave të tij, të kushërinjve dhe miqve.
Ajo që e dërrmoi në mënyrë të pashërueshme shpirtin e saj, ishte vdekja në vitin 1981 i së bijës, Drita Çomos, në moshën 23 vjeçare në Spitalin Onkologjik të Tiranës. Drita u internua me prindërit e saj kur ishte vetëm dy vjeç. Ajo u largua nga jeta pa shijuar një grimës gëzimi prej saj.
Ajo vdiq në spital pa patur pranë saj në çastet e fundit as nënën, as babain apo dikënd të zemrës nëse ai ekzistonte në të vërtetë dhe jo vetëm në poezinë e saj të trishtuar si jeta e saj, një jetë e shkurtër, së cilës buzëqeshja i kishte vdekur që në fëmijëri. Në grahmat e fundit të jetës, Drita ishte e vetme. Liria ishte lejuar ta shihte para vdekjes. Liria u ishte lutur oficerëve të Sigurimit, që e shoqëronin edhe në spital pranë të bijës së sëmurë, që të lejohej t’i njomte buzët e saj deri në momentin kur ajo do të largohej përgjithnjë. Urdhri që ata duhet të kishin marrë ishte i pamëshirshëm: “Vajza duhet të vdiste vetëm, e etur edhe për një shikim të fundit dashamirës, edhe për disa bulëza uji mbi ballin dhe buzët e saj.” Ajo ishte vajza e armiqve të popullit. Lirisë i kishte shkuar në mendje në ato momente shoqja e saj e luftës, Nexhmije Hoxha, edhe ajo ishte nënë e ndoshta do ta kuptonte. Ajo u kërkoi oficerëve të Sigurimit që t’i telefononin Nexhmije Hoxhës dhe t’ia përcillnin lutjen e saj. Më kot. Ata e larguan nga Drita dhe e lejuan të rikthehej sërish nga vendi i internimit në Spital vetëm pasi vajza kishte vdekur. Vetëm kështu diktatura e vlerësonte të plotë ciklin e kënaqësisë që ndjente nga vuajtja njerëzore.
Duke lexuar në internet vargje të poezisë së vajzës së Lirisë, Drita Çomos, ndesha edhe në disa reshta pa autor, që i gjeta mjaft të goditura, prandaj mendova t’i shkruaj këtu më poshtë: “ Ishte engjëllore si një fëmijë i porsalindur. I vetmi faj i saj ishte se erdhi në këtë botë në një kohë pa kohë. Erdhi atëherë kur nuk duhej të vinte. Fati që e përcjell njerëzimin sipas tekave të tij e kishte sjellë të lindte në një familje ku babai e nëna, të dy, ishin në udhëheqje të një sistemi absurd, sistem për të cilin kishin punuar e luftuar, sistem që si një makinë shtypëse e deklaruar, ishte një mekanizëm aq i verbër sa nga dëshira e shfrenuar për të masakruar nuk pyeste më madje as për krijuesit e vet. Ishte një makinë dhune e gjaku, pre e të cilës do të binin edhe udhëheqësja e lartë Liri Belishova me të shoqin Maqo Çomo. Por, do të binte rëndë edhe mbi fëmijën e tyre të pafajshëm me emrin Dritë. Kjo Dritë e lindur në errësirën e një kohe të marrë, duhej t’i paguante një haraç të rëndë atij sistemi. Duhej t’i paguante me vuajtje e mundime shpirtërore vetëm pse zoti e kishte falur tek dy prindër të gremisur në honet e diktaturës. Babai, ish ministër, burgjeve, nëna, ish- zëvendësja në parti e diktatorit, e internuar dhe e mbikëqyrur natë e ditë, e përgojuar dhe mallkuar nga diktatura në tërë literaturën ideologjike dhe forumet e partisë shtet. E ajo Drita, ferishte, shkonte pas nënës pa e ditur se pse të tëra fatkeqësitë e botës kishin rënë mbi prindërit e saj dhe mbi të. Ajo rritej përditë, derisa nisi të kuptonte se jeta e saj ishte e humbur, ajo rritej si një lule në greminë, ku kishte fare pak diell. E megjithatë ishte e bukur. Një bukuri e destinuar për shkatërrim. Por nuk ishte vetëm absurdi i sistemit që ia ngrinte buzëqeshjen vajzës së re Drita Çomo. Erdhi një çast kur nisi të ndjente se në trupin e saj po shfaqej një tjetër fatalitet vrasës, kanceri. I duhej t’i përballonte të dyja, tmerrin e jetës nën diktaturë dhe luftën për t’i shpëtuar vdekjes fizike. E në ecejaket e saj nga Cërriku në spitalet e Elbasanit e të Tiranës, ajo meditonte në botën e saj, në vetmi. E çfarë tjetër mund të bënte? E kush mund t’i afrohej asaj nëse do ta merrte vesh se e bija e kujt ishte? Edhe pse në mes njerëzve në ato udhëtime sfilitëse për t’u mjekuar, i dukej se në mes saj dhe udhëtarëve të përhumbur në hallet e veta, kish një mur të trashë xhami. Edhe zërat i vinin të largët si nga ndonjë botë tjetër. E aty në vetmi, nxirrte lapsin e letrën e shkruante vargje, me të cilat sikur donte të mëlconte plagët e thella “Për durimin e dhimbshëm pa fund”.
Liri Belishova, ishte nga të vetmet që i tha: “Jo”, Enver Hoxhës!
Ç’kishte bërë Liri Belishova për t’u ndëshkuar kështu nga diktatori, përse ky zemërim ferri u derdh kaq përbindshëm mbi të, fëmijët e saj, bashkëshortin, vëllezërit, kushërinjtë e miqtë e tyre? Përse ajo u rreshtua në Historinë e Partisë në vijim të gjithë atyre që ishin shpallur tradhtarë, armiq të betuar të saj e të popullit? Në vitet 1959-1960, kishin nisur të shfaqeshin kontradiktat midis Partisë Komuniste Sovjetike dhe Partisë Komuniste të Kinës. Në pamje të parë duket sikur ato ishin për probleme doktrinore, lidhur me interpretimin e marksizëm-leninizmit dhe vënien e tij në praktikë. Në të vërtetë ato, sikurse e mendoj unë, kishin të bënin me rivalitetin për hegjemoni në lëvizjen komuniste ndërkombëtare dhe jasht saj. Midis dy gjigandëve komuniste, Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, kishte edhe probleme të mprehta e të mëdha territoriale të trashëguara që nga koha e carëve dhe perandorëve. Në përplasjet midis tyre, Partia e Punës së Shqipërisë, partia më e vogël e kampit socialist, u rreshtua në anën kineze. Kjo ishte zgjedhja e diktatorit, i cili shihte që pozitat e tij rrezikoheshin nga kursi i ri, më liberal, që kishte ndërmarrë Partia Komuniste Sovjetike pas vdekjes së Stalinit. Kudo në Europën Lindore udhëheqësit e vjetër komunistë po zëvendësoheshin me të rinj.
Liri Belishova, e vetmja grua në Byronë Politike të Partisë së Punës, guxoi t’i thotë diktatorit “Jo!”Ajo shprehu mendimin sipas të cilit mosmarrëveshjet midis komunistëve sovjetikë dhe atyre kinezë, duhet të zgjidheshin me bisedime. Rreshtimin e Partisë së Punës të Shqipërisë në anën e kinezëve, ajo e shihte si largim nga Bashkimi Sovjetik dhe nga marrëdhëniet e “miqësisë së përjetshme”, që siç thuhej atëherë në propagandën e Partisë, lidhte dy partitë, dy popujt dhe dy vendet tona! Shqipëria, arsyetonte ajo, do të izolohej nga vendet e tjera të kampit socialist. Kështu edhe ndodhi në fakt. Shqipëria u izolua për dekada, madje jo vetëm nga Bashkimi Sovjetik dhe sfera sovjetike e influencës, por nga e tërë bota. Ajo u shndërrua në një lloj manastiri i vetëquajtur marksist-leninist, i vetëm në një botë, që shihej si e degjeneruar, dekadente, e mbërthyer nga plagët e saj sociale e morale. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016