Nga Bashkim Trenova
Pjesa e dyzetë e pesë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
ME “HERONJTË E POPULLIT”
BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA
Në selinë e Kryeministrisë, për të përgatitur fjalimin që Adil Çarçani do mbante në Myzeqe!
Me Adil Çarçanin, në fakt, jam takuar njëherë edhe pasi Reshiti dhe Jolldyzi me fëmijët e tyre u larguan nga mëhalla e jonë. Adil Çarçani ishte kryeministër në atë kohë. Ai kishte zëvendësuar Mehmet Shehun në këtë post. Atëherë u fol se ai nuk kishte dashur të jetë kryeministër dhe kishte paraqitur si argument shëndetin e tij të dobët. Nuk më kujtohet mirë, por duhet të ketë qenë viti 1983, kur kryeredaktori i “Zërit të popullit”, Arshin Xhezo, më tha të shkoja në Kryeministri. Aty do të takoja e bashkëpunoja me një grup pune, i cili kishte përgatitur një fjalim që Adil Çarçani do ta mbante të nesërmen në Myzeqe. Kjo zonë e Shqipërisë së Jugut kishte pësuar, para disa ditësh, dëme të mëdha nga tërmeti apo nga përmbytjet e fuqishme, nuk më kujtohet mirë. Nuk e di përse Arshin Xhezo më caktoi mua me këtë detyrë. Unë merresha vetëm me trajtimin e problemeve ndërkombëtare në gazetë. Nuk kisha pra asnjë lidhje si gazetar me tërmetet apo përmbytjet dhe pasqyrimin e pasojave të tyre shkatërruese, njëlloj sikurse edhe me probleme të tjera, që nuk i përkisnin Sektorit të Jashtëm të gazetës, të cilin e drejtoja. Arshini njihej për mungesë ekuilibri. Ai ishte impulsiv. Kështu, ndoshta, shpjegohet edhe përse më ngarkoi mua me një detyrë krejtësisht të huaj për profilin tim si gazetar.
Në Kryeministri mbaruam së formuluari e riformuluari fjalimin e Adil Çarçanit, së bashku me Osman Allken, ish-gazetar i “Zërit të popullit”, dhe disa të tjerë duke punuar deri në orët e vona të natës. Pasi gjithçka kishte përfunduar, lindi problemi se fjalimi duhej daktilografuar përsëri. Në Kryeministri nuk kishte daktilografiste në atë orë pranë mesnatës. Vendosëm që daktilografimi të bëhej në redaksinë e “Zërit të popullit”. Kështu u krye kjo punë.
Të nesërmen në mëngjes u ngrita shpejt për të dorëzuar në kohë fjalimin e daktilografuar. Mendova të udhëtoj me autobusin e “Unazës”, i cili më ndalonte pranë Kryeministrisë. Në të vërtetë autobusi u vonua, nuk respektoi orarin. Kjo bëri që unë të vonohem. Me të arritur, pashë se në hyrje të Kryeministrisë më priste një oficer i shërbimit. Ai më rrëmbeu nga dora fletët e daktilografuara dhe fluturoi së bashku me to. Nuk dija si të bëja, të ngjisja shkallët pas tij apo të largohesha duke e quajtur të mbaruar “misionin” tim. E ndoqa atë dhe u gjenda në zyrën e sekretares së kryeministrit. Prita shumë pak aty. Oficeri i shërbimit doli dhe më ftoi të hyja në zyrën e kryeministrit. Adil Çarçani po qëndronte në këmbë i rrethuar nga disa të tjerë. Pasi më dha dorën, i tha dikujt që ta lexonte fjalimin e tij. Porsa ai mbaroi së lexuari, kryeministri më dha sërish dorën, më falenderoi dhe u largua me nxitim së bashku me të tjerët. Unë mbeta vetëm në zyrën e tij! Askush nuk u kujtua më për mua. Kryeministri ishte vonuar. Unë e kisha vonuar. Ai duhet të ishte në një orë të caktuar në Myzeqe, ku do të fliste në një miting përpara popullit të zonave të dëmtuara.
U shqetësova kur, për një moment, ndjeva se isha i vetëm në zyrën e kryeministrit. Nxitova të largohem sa më shpejt duke ndjekur të tjerët që nuk dukeshin më. Në Bulevardin “Stalin”, fill pasi dola nga ndërtesa e Kryeministrisë, takova shokun tim të vjetër Fatmir Kumbaron. Pasi u përshëndetëm, i tregova për sa më kishte ndodhur. “Ja, i thashë Fatmirit duke qeshur, edhe një herë që m’u dha mundësia të takohem me një kryeministër, shkova me vonesë në takim!”
Edhe atëherë, por edhe më pas, herë pas here kam menduar se, sidoqoftë isha me fat që kjo “histori” ndodhi me Adil Çarçanin, që kishte zëvendësuar Mehmet Shehun si kryeministër. Stuhi, fortuna, sharje, mallkime, masa, ndëshkime do të kishin rënë mbi mua nëse e njëjta gjë do të kishte ndodhur, duke qenë kryeministër Mehmet Shehu.
Adil Çarçani nuk ka qenë i njohur për arrogancë e mendjemadhësi. Ai ka qenë i qetë dhe i komunikueshëm me të gjithë. Ai nuk ka manifestuar asnjëherë ambicie për pushtet. Edhe nëse lexojmë sot proces-verbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike, do të shohim se ndërhyrjet e tij janë mjaft të rralla. Në ndryshim prej tij, të tjerët i shohim në garë për tu treguar sa më besnikë ndaj diktatorit dhe sa më të rreptë ndaj viktimës së radhës, që ishte zgjedhur nga Enver Hoxha si “armik” i Partisë. Edhe vetë Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike dhe kryeministër i vendit, duke polemizuar me kundërshtarët e tij politikë në udhëheqje të Partisë Socialiste, ka deklaruar se Adil Çarçani “ka patur më tepër dinjitet,…më tepër pavarësi”, në vitet e diktaturës, se sa këta aktualisht, në vitet e demokracisë!
Nuk besoj se mund të gjendet ndonjë punonjës i kryeministrisë gjatë periudhës që atë e drejtonte Adil Çarçani, që të jetë ankuar nga sjelljet brutale, jonjerëzore të tij. Nuk besoj se ndonjë bashkatdhetari im është ankuar diku për ndonjë padrejtësi të shkaktuar drejtpërsëdrejti nga Adil Çarçani. Pavarësisht nga të gjitha këto, si komunist në udhëheqje të Partisë së Punës, ai ka miratuar të gjithë linjën politike, gjithçka çoi në shkatërrimin e vendit, të dinjitetit njerëzor, burgjet, internimet, vrasjet. Ai ka përgjegjësitë që i takojnë në funksionimin e mekanizmit përbindësh të diktaturës së proletariatit. Ai, sipas meje, nuk ka shërbyer si motor i saj por, sidoqoftë, ka shërbyer si një ingranazh i saj, qoftë edhe kundër natyrës së tij njerëzore.
Adil Çarçani nuk e miratoi listën me emrat e specialistëve të naftës, që do arrestoheshin!
Kam lexuar para disa kohësh një intervistë të Vangjush Kokonozit dhënë gazetës “Metropol” më 5 tetor 2008. Vangjushi ka qenë inxhinier në sektorin e naftës. Ai,ndërmjet të tjerave, tregon në këtë intervistë edhe për një listë që kishte përgatitur Sigurimi i Shtetit. Në të ishin shënuar emrat e rreth 50-60 inxhinierëve që do të arrestoheshin si sabotatorë në një aktiv për naftën, që u mbajt në vitin 1975. Vangjush Kokonozi ia ka treguar këtë listë, 3-4 ditë para këtij aktivi, Adil Çarçanit. Sikurse kujton ai, Adil Çarçani ka reaguar duke thënë: “Ore, keni shkalluar ju të gjithë?! Pse, ore, gjithë naftën do të fusim në burg ne”?! I shkalluari ishte gjetkë, në majën e kupolës komuniste. Kundër tij edhe Adil Çarçani, si të gjithë të tjerët, ishte krejtësisht i pafuqishëm, një vasal i bindur në postin e kryeministrit.
Pas vdekjes së Enver Hoxhës, kryeministri shqiptar Adil Çarçani, bëri hapa për të mëkëmbur ekonominë shqiptare të rrënuar nga izolimi total i vendit. Takimi i tij më 14 maj 1986 me Franc Jozef Shtrausin, kryeministrin e Bavarisë, kishte këtë qëllim. Ai synonte hapjen e Shqipërisë ndaj Perëndimit. Në kornizat e Kushtetutës së Enver Hoxhës, që ende ishte në fuqi, kjo gjë ishte krejtësisht e pamundur. Franc Jozef Shtraus direkt, pa diplomaci, do t’i thotë në këtë takim Adil Çarçanit: “Nga pala gjermane ekziston dëshira e ndershme për të hyrë në marrëdhënie kooperimi dhe të ndershme me njëri-tjetrin, veçse dëshiroj të thuhet hapur se cila është, sipas mendimit tuaj, pengesa për të cilën duhet punuar për ta kapërcyer”. Në emër të palës gjermane, kryeministri bavarez paraqet edhe një sërë propozimesh dhe ofertash. Adil Çarçani nuk i pranon mundësitë që i ofrohen sepse ato ishin në kundërshtim me Kushtetutën Shqiptare. Kjo Kushtetutë ndalonte marrjen e ndihmave apo të kredive nga jashtë. Kështu ky takim mbyllet, në fakt, me fjalët e Jozef Shtrausit: “Se si do ta rregulloni ju këtë, brenda-përbrenda shtetit tuaj, me Kushtetutën tuaj, ne nuk mund tu ndihmojmë dot”. Shqipëria humbi kështu vite të tëra duke e thelluar edhe më tej varfërinë dhe mjerimin, që i la trashëgim Enver Hoxha dhe politika e tij e izolimit të plotë nga bota, politikë që shitej si pavarësi. Vite më pas, në një intervistë që ka dhënë në shtypin shqiptar vajza e Adil Çarçanit, Teuta Çarçani, flet për pengjet që i kishin mbetur babait të saj në jetë. Midis të tjerave ai është shprehur me keqardhje për faktin se përse mjaft arritje, që Shqipëria i realizoi në vitet e demokracisë, nuk ishin realizuar edhe më parë!
Si e njoha Nefo Myftiun, bashkëshorten e anëtarit të Byrosë Politike, Manush Myftiut
Duke folur për kupolën komuniste, njohjet e mia me pjesëtarë të saj, nuk mund të kaloj pa thënë disa fjalë edhe për Nefo Myftiun. Në të vërtetë ajo edhe ishte edhe nuk ishte pjesëtare e saj, bënte dhe nuk bënte pjesë në të. Nefo ishte gruaja e Manush Myftiut, zëvendëskryeministrit dhe anëtarit të Byrosë Politike. Babai i saj ishte burgosur nga diktatura si “borgjez” në vitin 1945, pra fill pasi komunistët erdhën në pushtet në Shqipëri. Në vitin 1947, një xhaxha i saj u pushkatua nga diktatura si armik apo si bashkëpunëtor i imperializmit. Nefo në rininë e saj u rreshtua në formacionet e qëndresës së armatosur antifashiste. Kështu ajo u njoh me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Manush Myftiun.
Nefo Myftiu, duke qenë gruaja e Manush Myftiut, jetonte në “Bllok”, sikurse thërritej në atë kohë hapësira e izoluar dhe e bunkerizuar ku banonin, pothuajse, të gjithë udhëheqësit e lartë të Partisë e të shtetit të kohës së diktaturës. Blloku ishte lagjja e pashallarëve të kuq, e shkëputur nga pjesa tjetër e qytetit dhe e gjithë vendit. Blloku ishte një ishull i egër ku të gjithë dyshoheshin midis tyre si armiq potencialë të diktaturës së proletariatit dhe hiqeshin si miq, që i lidhte ideali proletar. Ish-shefi i Sigurimit të udhëheqjes së lartë komuniste, Gani Kodra, në një intervistë dhënë gazetës shqiptare “Panorama”, e ka karakterizuar kështu jetën në Bllok: “Ju mund ta kuptoni se ata (byroistët) të gjithë ishin të kënaqur, kurse unë po ju them se kam konstatuar absolutisht se ndodhte e kundërta. E vërteta është se ata ishin plot strese dhe jetonin gjithë frikë. Nuk mund të bëhet fjalë pastaj kur i thërriste në raport Enver Hoxha apo Mehmet Shehu. Në raste të tilla e prisnin me gjak të ngrirë takimin”.
Banorët e ‘Bllokut’ betoheshin në emër të popullit, u pëlqente të thërriteshin si “bij të popullit”, të tregoheshin në çdo moment sikur ekzistonin vetëm për popullin dhe sakrifikonin për të. Në të vërtetë ata , edhe nëse mund të kishin qenë ndonjëherë “bij të popullit”, me kalimin e viteve ishin larguar krejtësisht prej tij, ishin bërë të huaj për të, nuk i njihnin problemet dhe nevojat e tij. Gradualisht populli dhe ata, së bashku me sejmenët e tyre, u gjenden haptazi në dy anët e kundërta të barrikadës, me interesa krejtësisht të kundërta, të papajtueshme. Nga sa kam patur rastin të njoh nga ky mjedis, Nefo Myftiu, bija e borgjezit, ishte ndryshe dhe nuk mungonte të tregohej ndryshe nga të tjerët, gjoja të brumosur me ideologjinë proletare, por që përfaqësonin një imitim tepër të keq të borgjezisë dhe që qëndronin, në fakt, më pranë feudalizmit, anëve më negative të tij.
Me Nefo Myftiun jam njohur në Radio Tirana. Një apo dy vite pasi kisha filluar punë në Drejtorinë e Jashtme të Radio Tiranës, ajo u emërua si drejtoreshë e Radio Tiranës për transmetimet e brendshme të saj. Duke qenë në drejtori të ndryshme, nuk kishim marrëdhënie të drejtpërdrejtë pune. Kjo nuk na pengoi që të bisedojmë disa herë së bashku për probleme të punës. Ajo i dëgjonte të gjithë dhe mundohej të gjente një zgjidhje, të ishte pranë njerëzve me të cilët punonte dhe shqetësimeve të tyre të vazhdueshme, nga më të ndryshmet. Sytë e saj blu dhe buzëqeshja e saj e sinqertë ndillnin mirësi dhe besim.
Unë e kam ndjerë jo në një rast kujdesin e Nefo Myftiut. Më kujtohet, për shembull, se si ajo më thirri një ditë në zyrën e saj për të më pyetur mbi marrëdhëniet e mia me nënën time! U befasova nga kjo pyetje, por jo për shumë kohë. I tregova asaj se nëna ime ishte për mua jo vetëm e tillë, por edhe një shok i mirë me të cilin ndaja shumë nga mendimet dhe problemet e mia. Nefo më tregoi se Kaliroi Hajro, shefja e kuadrit të Radio Televizionit Shqiptar, në një mbledhje të organizatës së Partisë, kishte thënë se: “Bashkimi nuk flet me nënën e tij”! Sipas saj, këtë gjë ia kishte thënë asaj nëna ime. Thëniet e Kaliroit ishin shpifje të zakonshme të servilëve të drejtorisë. Ajo ndoshta ishte edhe e kompleksuar sepse djali i saj, në rininë e tij, ishte mjaft problematik.
Kaliroi kishte qenë shoqe në formacionet e armatosura antifashiste me nënën time. Një ditë ato ishin takuar rastësisht në rrugë. Ajo e ka pyetur nënën nëse unë bisedoja me të për problemet e shumta që kisha me drejtuesit e Radio Televizionit Shqiptar. Nëna, që nuk ka dashur ta zgjasë bisedën, i ka thënë se ajo nuk është në korrent të tyre. Kaq ka mjaftuar për Kaliroin për të gjetur një pikë të dobët ku do të mund të goditesha.
Nefo më pyeti nëse nëna mund të shkonte ta takonte atë në zyrën e saj. Ato u takuan dhe gjithçka u sqarua. Nuk e di se si rrodhën ngjarjet më pas. Sidoqoftë, mua nuk mu përmend kurrë, nga askush, historia e sajuar e Kaliroit. Kjo, nga ana e saj, nuk pushonte të derdhte buzëqeshje dhe të interesohej herë pas here duke më pyetur për shëndetin e nënës. Më ka mbetur në kujtesë kjo ngjarje sepse atëhere isha i ri, porsa kisha nisur punën dhe besoja në marrëdhëniet korrekte e të hapura midis kolegëve, besoja në shoqërinë e idealizuar të luftëtarëve antifashistë, që kishin rrezikuar jetën e tyre për të mbrojtur atë të shokut. Ndoshta edhe kishte qenë kështu, por kohët ndryshojnë, ndryshojnë edhe njerëzit. Ajo që është e shenjtë në luftë, me mbarimin e saj, për arsye të ndryshme, shpesh zbret nga piedestali, rrëzohet përtokë, vlera kthehet në antivlerë dhe e kundërta.Kjo është dialektike. Ne në Fakultet kishim mësuar për dialektikën historike, por jo për dialektikën e njeriut në histori. Në fakt, një lëndë e tillë edhe nuk ekziston. Atë do ta mësoja edhe unë, si të gjithë, në jetë.
Propozimi dashamirës i Nefo Myftiut, që unë të punoja në Radion e brendshme që drejtonte ajo!
Nefo Myftiu, duke parë që marrëdhëniet e mia me drejtuesit kryesorë të Radios së Jashtme, ishin të acaruara, në mbledhje të ndryshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Radio Televizionit, ka propozuar që unë të kaloja si gazetar në Drejtorinë e saj, në Redaksinë e Informacionit. Për këtë gjë më shkruante më 28 janar 1970, në një letër të tij edhe shoku im i vjetër, Enver Muça. Në atë kohë unë isha në repartin ushtarak të Uznovës në Berat, në një kurs tremujor stërvitjeje për oficerët rezervistë. “Një ditë’, shkruante Enveri, ‘shoku që punon tek zyra Nr.30 (poshtë) më foli mua dhe Shabanit, për kërkesën që ka bërë ajo, disa herë, që ti të kaloje në redaksinë e K. Stillos. Nuk e di se si do të bëhet”. Enveri, duke menduar se letra edhe mund të hapej e të lexohej nga të tjerë, para se të më binte mua në dorë, përdor një gjuhë jo fort të qartë, nuk e përmend me emër Nefo Myftiun, për të cilën njëherë thotë “shoku” dhe më pas “ajo”.
Unë vazhdova të punoj në Radion e Jashtme deri në vitin 1972, kur u largova për të kryer stazhin tre vjetor të kandidatit të Partisë në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit. Nuk e di përse drejtuesit e Radios së Jashtme apo edhe drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Thanas Nano, nuk kanë qenë të mendimit që unë të kaloja në Radion e Brendshme në redaksinë e Koço Stillos! Ata do të shpëtonin nga një element “turbullues” në Radion e Jashtme. Nga ana tjetër edhe unë do të isha i qetë, duke i’u kushtuar punës e duke lënë pas historitë e vjetra me ta. Me Koço Stillon isha i sigurt se do të mirëkuptoheshim dhe do të bashkëpunonim si kolegë, duke respektuar njëri-tjetrin. Koço nuk ishte as grindavec, as i prapaskenave, as intrigant apo karrierist. Ai ishte tepër shoqëror, nuk mbahej si shef i madh, nuk ishte servil dhe as kërkonte t’i serviloseshe.
Nefo Myftiu edhe më pas është munduar të më largojë nga Radio e Jashtme. Meqë nuk ishte e mundur zhvendosja ime brenda për brenda strukturave të Radio Televizionit Shqiptar, ajo provoi një tjetër zgjidhje. Bashkëshorti i saj, Manush Myftiu, zëvendëskryeministër, që mbulonte edhe Arsimin e Kulturën, në një moment kishte nevojë për një këshilltar. Nefo i propozon atij kandidaturën time për këtë post. Edhe këtë herë ajo nuk mundi të më ndihmojë.
Si dhe pse u refuzua kandidatura ime për këshilltar i zv/kryeministrit Manush Myftiu?!
Sigurisht që të bëhesha këshilltar i zëvendëskryeministrit për Arsimin e Kulturën, unë duhet të kaloja nëpërmjet një site të imët seleksionuese. Nuk e di konkretisht kush ngarkohej për të “studiuar” kandidaturat në një rast si ky. Mundet Sigurimi i Shtetit! Fakti është se kandidatura ime u hodh poshtë. Motivi i refuzimit, që nuk u deklarua asnjëherë zyrtarisht, ishte : “Bashkimi ka miqësi me të huajt”. Pra, një që ka lidhje të tilla me të huajt, nuk mund të ishte i besueshëm për të hyrë në zyrat e korridoret e Kryeministrisë. Por me cilët të huaj kisha miqësi unë? Me miqtë e Partisë, me Nils dhe Renée Anderson. Ishte Partia që i kishte ftuar ata si miq në Shqipëri. Pavarësisht nga ky fakt, pavarësisht se unë do të punoja gjashtë vjet me ta, “normalisht” më duhej të mbaja distancë prej tyre. Unë kisha miqësi me marksistë-leninistët spanjollë, Maria dhe Antonio, me marksistë-leninistët gjermanë, George e Monika, Julia dhe Peter, me ata belgë Jeanne e Jules Vanderlinden, me francezët Daniel, Brixhitë, Pierrë e Michelë. Me të gjithë këta e të tjerë, edhe pasi u larguan nga Shqipëria mbajta për një periudhë një letërkëmbim të rregullt, që e ruaj me dashuri në arkivin tim të vogël.
Nuk e vazhdova gjatë letërkëmbimin me ta për disa arsye. Miqtë e Partisë nuk mund të ishin edhe miqtë e mi, që isha pa diskutim në atë kohë, njeriu i Partisë. Së paku kështu e besoja veten. Miqtë e Partisë nuk ishin të tillë as për Partinë. Ajo vetëm sa i deklaronte ata si të tillë. Në të vërtetë ata vëzhgoheshin si armiq, si agjentë të shërbimeve të fshehta të huaja, ashtu si çdo i huaj tjetër që shkelte në tokën shqiptare. I tillë ishte, për shembull, edhe Pol Kabongo, i njohur më vonë si Lorent Kabila. Unë nuk e kam njohur atë, nuk kam patur rastin ta takoj. Kam njohur “shoqëruesin” e tij, A. B.
Kabongo apo Kabila erdhi për të ndjekur studimet e marksizëm-leninizmit në shkollën “Vladimir Iliç Lenin” në Tiranë. Ai erdhi si mik i Partisë së Punës. Pas përmbysjes së diktaturës u zbuluan disa informacione të firmosura nga “Stilografi”, ndryshe A. B., që gjatë disa muajve, kishte banuar në të njëjtën dhomë me Kabilën në konviktin e studentëve. Misioni i tij si “shoqërues”, ishte të informonte Sigurimin shqiptar, mbi lëvizjet, mendimet, propozimet, dëshirat e Lorent Kabilës, që më vonë do të bëhet president i Kongos. Vetë B., ish diplomat i diktaturës e më pas diplomat në tentativë i demokracisë, e ka pranuar faktin. Ai vetëm ka shtuar se këtë gjë e kishte bërë për t’u shërbyer interesave të larta të Atdheut! “Për Polin nuk kisha çfarë kujdesi të tregoja më shumë edhe sikur ta kisha vëllain tim. Por sigurisht as nga shteti im nuk kisha përse të ruaja sekrete për gjithçka që kishte të bënte me të”, ka deklaruar publikisht B. Nuk e di a ka mbajtur lidhje B. me Kabilën, pasi ai u largua nga Shqipëria. Nuk besoj që Kabila të jetë kujtuar ndonjëherë për të apo për ata që e ftuan si mik në Shqipëri. Ndoshta edhe gaboj.
Përpjekjet për t’u rilidhur me ish-miqtë e mij marksistë-leninistë?
Unë kam provuar të rilidhem me miqtë e mi të dikurshëm marksistë-leninistë spanjollë, Antonion dhe Marian, pas përmbysjes së komunizmit. Nils Anderson më kishte thënë se Danieli dhe Brixhita, i dinin koordinatat e atyre. Hoqa dorë me keqardhje kur m’u tha se Antonio dhe Maria, donin të dinin më parë se cili ishte pozicioni im politik, nëse unë vazhdoja të isha revolucionar marksist-leninist!
Me Peterin jam takuar një herë në Ambasadën Gjermane në Tiranë në vitet e para të demokracisë dhe një herë tjetër në Bruksel, në shtëpinë ku banoja, kur ende isha në postin e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës. Më kanë thënë se ai ka blerë një shtëpi në fshatin malor Dardhë të Korçës, në jug të Shqipërisë dhe banon atje. Vetëm me Nils dhe Renée Anderson, kam mundur të rivendos lidhjet e vjetra e të qëndrueshme miqësore pas disa vite ndërprerjeje. Por le të kthehemi sërish tek Nefo Myftiu, për të thënë edhe disa fjalë për këtë grua me shpirt të madh dhe me një fat të trishtuar po aq të madh.
Nefo Myftiu inkurajonte dhe ndihmonte ata krijues që premtonin e u dha shtëpi Rruzhdi Pulahës e Kiço Blushit!
Nefo u përpoq të inkurajojë e të ndihmojë të gjithë ata që punonin, që premtonin shumë me punën e tyre, të gjithë ata që burokracia komuniste në Radio i kishte ndrydhur, u kishte shtypur talentet. Ajo, me një devotshmëri, që rrallë e ndeshje në ato kohë, ishte gjithnjë pranë njerëzve në nevojë. Kështu, për shembull, në sajë të ndërhyrjeve të Nefos në organet e pushtetit lokal, iu dhanë apartamente banimi Kiço Blushit dhe Ruzhdi Pulahës, që në vitet në vazhdim do të bëheshin shkrimtarë, skenaristë dhe dramaturgë mjaft të njohur e të suksesshëm. Një apartament banimi i’u dha edhe Enver Muçës, që në atë kohë premtonte shumë, por që fati nuk i premtoi. Nefo ndihmoi Reshat Arbanën që të largohej nga Radio Tirana, ku merrej me përgatitjen e emisioneve për fëmijë, për t’u ngjitur në lartësitë e skenës të Teatrit Popullor dhe për t’u bërë po aq popullor sa këtu edhe në ekranin e madh, në kinematografinë shqiptare. Falë ndihmesës së saj, folësja e paharruar e Radio Tiranës, Vera Zheji, kaloi pedagoge e fjalës artistike në degën e teatrit, në Institutin e Lartë të Arteve, ku punoi deri në vitin 1988, kur doli në pension. Mund të vazhdoja duke përmendur edhe raste të tjera, por nuk është në kujdesin tim të bëj lista. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016