Nga Bashkim Trenova
Pjesa e dyzetë e katër
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
ME “HERONJTË E POPULLIT”
BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA
Miti Tona, ishte “ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë” i Partisë në median shqiptare!
“Takimet” e mia me Ramiz Alinë kanë qenë më të shpeshta në distancë, sidomos kur kryeja detyrën e shefit të Sektorit të Jashtëm në “Zëri i popullit”. Sikur kam patur rastin të tregoj më parë, Komiteti Qendror i Partisë së Punës kishte në strukturën e tij edhe një Drejtori të shtypit. Shef apo drejtor i kësaj Drejtorie ishte Miti Tona. Me Mitin lidheshim shpesh nëpërmjet telefonit, por ndonjëherë takohesha me të edhe në Komitetin Qendror të Partisë. Miti ishte hallka e ndërmjetme midis Ramiz Alisë dhe medias shqiptare. Ai kishte një karrierë të mëparshme si gazetar, por edhe si ambasador. Në të vërtetë ai ishte njëlloj ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Partisë në median shqiptare. Miti orientonte shtypin duke përcjellë mendimet e Enver Hoxhës, të cilat ia transmetonte atij Ramiz Alia. Ai, nëpërmjet punonjësve të tij, kontrollonte gjithashtu artikujt, informacionet, transmetimet televizive të organeve të shtypit, televizionit dhe Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Drejtoria e Shtypit ishte kështu goja, syri dhe veshi i Komitetit Qendror për hapësirën që mbulonte.
Miti, në komunikimin me shtypin, kishte një praktikë, që mua atëhere më dukej, së paku, disi e veçantë. Të gjitha porositë, edhe ato më delikatet, më të rëndësishmet, jepeshin prej tij vetëm gojarisht. Më ka ndodhur të më thërrasë në Drejtorinë e Shtypit për të më dhënë idetë që duhet të trajtoja në ndonjë artikull redaksional, për ndonjë problem konkret nga politika e jashtme. Ai i lexonte këto ide dhe unë duhet të mbaja shënime. Pasi shkruaja artikullin duhet t’ia përcillja atë Mitit Tonës dhe ky, me sa kam mundur të kuptoj, ia përcillte Ramiz Alisë. Ky i fundit mund të bënte edhe ndonjë sugjerim apo të linte një shënim anash faqes së parë të artikullit. Pasi artikulli ishte parë nga Ramiz Alia, unë shkoja për ta marrë atë në Komitetin Qendror. Nëse diku anash do të kishte ndonjë sugjerim, Miti ma lexonte që të mbaja shënim. Pastaj ai e fshinte atë me gomë.
Me Mitin nuk ishe asnjëherë i sigurt, madje edhe pasi artikulli ishte shikuar dhe ishte dhënë për botim. Më kujtohet p.sh., një rast kur më ishte sugjeruar të theksoj më shumë një ide, ta nxirrja atë më në pah që në fillim të artikullit. Pasi bëra atë që më ishte kërkuar, i telefonova Miti Tonës për t’ia lexuar atë pjesë të artikullit ku kisha ndërhyrë. Këtë gjë ma kishte kërkuar vetë ai. Pasi mbarova leximin, dëgjoj Miti Tonën në telefon të më thotë: “Mirë, nëse i ke bërë të gjitha ato që të kam kërkuar”. Por, nëse nuk i kisha bërë, përse nuk më thoshte, përse ishte dakord që artikulli të botohej?! Unë nuk kam mendim jo të mirë për Miti Tonën. Jam i sigurt se sjellja e tij nuk kishte të bënte me vetë karakterin e tij. Ai, me siguri, reflektonte një qëndrim të njëjtë të dikujt më lart, të Ramiz Alisë. Ky ishte mjeshtër i thënieve me dy kuptime, i qëndrimeve që përjashtonin njëra tjetrën, i kujdesit për të qenë brenda në çdo situatë, pra i shmangies së çdo përgjegjësie. Artikujt redaksionalë për politikën e jashtme, thuhej se shkruheshin në bazë të ideve që jipte vetë diktatori Hoxha. Shumë prej tyre edhe janë botuar pas disa vitesh në veprat e tij. Ndoshta është ky shkaku që secili vepronte duke krijuar mundësinë për t’ia lënë përgjegjësinë tjetër kujt. Kjo sigurisht ishte e vlefshme nëse diktatorit mund t’i dukej që ndonjë nga idetë e tij nuk ishte realizuar ashtu sikurse e kishte menduar ai!
Më kujtohet një rast kur Miti Tona më thirri në Komitetin Qendror për të më dhënë për botim një artikull redaksional që trajtonte probleme të revolucionit islamik iranian. Artikulli ishte futur në një dosje. Unë nuk e hapa dosjen për të parë nëse artikulli gjendej aty i plotë apo jo. Thjesht nuk më shkoi ndërmend kjo gjë. E dërgova artikullin në shtypshkronjë. Në mbrëmje, duke kontrolluar materialet e dërguara për botim, vura re se mungonte një faqe. E mora Mitin në telefon për të biseduar rreth këtij fakti. Ai më tha të shkoja në shtëpinë e tij. Kështu edhe bëra. Porsa më hapi derën ai bëri pyetjen: “Hë mo, e humbe”? Pastaj më tha të hyja brenda. Ai kontrolloi disa dosje. Më në fund e gjeti faqen që më mungonte. Po të mos e kishte gjetur, do rezultonte se e kisha humbur unë, edhe pse ajo nuk më ishte dhënë. Të humbisje një faqe nga një artikull, që mund të ishte shkruar nga diktatori apo sipas ideve të tij, do të thoshte të kishe humbur çdo mundësi për një jetë normale në vazhdim. Pasojat do të ishin shumë të rënda. Meqë faqja “e humbur” u gjet, Miti më ftoi të pimë një gotë raki dhe në vazhdim më pyeti për shëndetin e njerëzve të familjes.
Më delikate ishte porosia që më kishte dhënë Miti Tona, sigurisht jo nga koka e tij, që të kisha kujdes në materialet që botonim nga shtypi marksist-leninist i kohës si edhe nga letrat që i shkruanin Radio Tiranës dëgjuesit e saj të huaj. Përgjithësisht këto materiale apo letra ishin të mbushura me lavde e himne të pafund për Enver Hoxhën. Porosia ishte që ato të shkarkoheshin nga ndonjë teprim i kësaj natyre, e më pas të përcilleshin për botim. Ndonjëherë materiale të tilla na dërgonte edhe Agjencia Telegrafike Shqiptare. Sipas porosisë, unë bëja shkarkimet e rastit dhe më pas merrja në telefon Miti Tonën, për ta vënë në dijeni. Ai, kur materiali ishte sjellë në Redaksi nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, më thoshte që ndryshimet duhet t’i bënte edhe Agjencia dhe i gjithë shtypi. Për këtë më ngarkonte mua të bisedoja me drejtorin e këtij institucioni, shokun dhe kolegun tim të vjetër, Taqo Zoton. Normalisht Agjencia Telegrafike nuk kishte përse të merrte “udhëzime” nga unë. Ajo nuk ishte në varësinë time apo të “Zërit të popullit”. Do të duhej që vetë Miti Tona të komunikonte me Agjencinë Telegrafike për ndryshimet që duheshin bërë. Ai nuk e bënte këtë. Miti Tona, sigurisht, i njihte të drejtat dhe kompetencat e tij, detyrat dhe përgjegjësitë. Ai e dinte se asnjë nga këto, në asnjë rast nuk mund t’ia delegonte dikujt tjetër, sado i besuar, i zgjuar, besnik, i lavdishëm apo heroik të ishte ai.
Miti ishte zgjedhur drejtor i shtypit në Komitetin Qendror dhe ai, kuptohet, dinte shumë nga të fshehtat e punës në këtë aparat gjigant. Ai njihte mirë huqet e njërit e të tjetrit, të Ramiz Alisë apo edhe të Enver Hoxhës, lëkundjet, tronditjet, eliminimet edhe për një dyshim krejt të kotë e të shkaktuar nga një humor i keq, nga një pakënaqësi e shkaktuar për hiç gjë. Për mua, sjellja e Miti Tonës ishte refleks i këtij realiteti vrastar, një përpjekje për t’i shpëtuar atij duke viktimizuar, po të ishte nevoja, dikënd tjetër. Megjithëkëtë, më duhet të them se unë nuk njoh askënd nga punonjësit e shtypit të kohës së diktaturës, që të jetë dënuar nga një fjalë apo denoncim i Miti Tonës.
Letra e urimit që Enver Hoxha i bëri Miti Tonës me rastin e daljes në pension!
Kem qenë me disa kolegë të “Zërit të popullit”, midis tyre Albert Shala, në shtëpinë e Miti Tonës me rastin e daljes së tij në pension. Rastisi që gjatë pranisë sonë erdhën aty edhe Haxhi Kroi me Ajet Simixhiun, që në atë kohë ishin në grupin e instruktorëve pranë diktatorit. Ata i sollën Miti Tonës një letër urimi me fjalë të mira nga Enver Hoxha. Miti, me këtë rast, tha: “Kjo është dita më e lumtur e jetës time”. Kur u larguam nga shtëpia e tij, i thashë Albert Shalës: “Po ky paska pritur 60 vjet për të gjetur ditën më të lumtur të jetës?” Ndoshta Miti kishte të drejtë. Duke arritur moshën e pensionit pa u dënuar apo pa u gjykuar si armik, ai kishte arritur në ditën më të lumtur të jetës së tij. Të gjitha ditët e tjera, vite të tëra, ai i kishte jetuar me frikën të strehuar në zemrën dhe në mendjen e tij, me alarmin e një telefonate të mundshme nga Ramiz Alia, shefi i madh i shtypit në Komitetin Qendror. Ramiz Alia e kishte treguar edhe më parë se si i kishte lënë në baltë shokët, miqtë kur këtë gjë e kërkonte Enver Hoxha, ose kur këtë gjë e kërkonte shpëtimi i lëkurës së tij.
Propozimet që më bënte Berisha për detyra dhe funksione të larta!
Duke shkruajtur tani për porosinë që më kishte transmetuar Miti Tona për eliminimin e teprimeve dhe të të lavdeve, që i bëheshin Enver Hoxhës, më kujtohet diçka e ngjashme në fillimet e demokracisë. Në zgjedhjet e marsit të vitit 1992, Partia Demokratike e Shqipërisë me kryetar Sali Berishën, fitoi bindshëm dhe erdhi në pushtet duke hedhur në opozitë ish komunistët. Mjaft organe të shtypit të huaj e pasqyruan këtë fitore duke shkruajtur gjithashtu me superlativa për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berishën. Vetë ai solli në Redaksinë e “Rilindjes Demokratike”, për t’u botuar disa nga këto artikuj të përkthyer në shqip. Unë i mora dhe i përgatita për botim. I shkarkova nga ato që m’u dukën si lavde dhe himne të tepruara. Arsyetimi im ishte i thjeshtë. Nëse kështu ishte vepruar për Enver Hoxhën diktator, aq më tepër duhej vepruar kështu për Sali Berishën, liderin e demokracisë. Siç duket, edhe këtë herë kisha gabuar. Sali Berisha, të nesërmen, kur lexoi të botuar materialet që kishte sjellë, pa epitetet që në një farë mënyre e himnizonin atë, mori në telefon nga shtëpia e tij, që ishte pranë Redaksisë. Ai kërkoi llogari përse ishte vepruar kështu. U mundova të shpjegohem. Ishte e kotë. Më në fund i thashë: “Kështu kam menduar”. Saliu kërkoi që të shkoja ta takoja në shtëpi. Atje ai përdori tjetër ton. Ai, madje, më propozoi që të bëhesha kryeredaktor i gazetës, meqë Mitro Çela, kryeredaktori i deriatëhershëm, ishte zgjedhur deputet.
Saliu e dinte se unë nuk doja të kisha përgjegjësi në gazetë apo gjetkë, nuk doja të merresha me punë organizative apo të përgjigjesha për punën e të tjerëve, të atyre që do të kisha në varësi. Ai edhe më parë më kishte emëruar si zëvendëskryeredaktor të “Rilindjes Demokratike” dhe unë i kërkova të më lironte nga ky detyrim, të më linte si gazetar i lirë. Në Kongresin e I-rë të Partisë Demokratike, ai më propozoi si anëtar të Këshillit Kombëtar të Partisë, unë nuk pranova duke i thënë se nuk isha as anëtar i Partisë Demokratike. Me Saliun kemi qenë të dy në Parlamentin Evropian në Strasburg kur Partia Demokratike ishte në opozitë. Ishte i pari delegacion i opozitës demokratike në këtë Parlament. Në mbarim të vizitës, Sali Berisha më ka propozuar vendin e shefit të Marrëdhënieve me Jashtë të Partisë Demokratike. Nuk e pranova propozimin e tij, duke i thënë se nuk e njoh anglishten dhe se njohja e kësaj gjuhe, sipas meje, ishte domosdoshmëri për atë që do të ishte në këtë post. Më pas Berisha caktoi aty Alfred Sereqin. Me përmbysjen e komunizmit, Sereqi u bë ministër i Jashtëm i Shqipërisë.
Edhe në zgjedhjet e vitit 1992, Berisha dërgoi dy anëtarë të kryesisë së Partisë Demokratike, Safet Zhulalin dhe Blerim Çelën, që të më propozonin të kandidoja për deputet i Partisë Demokratike në zonën e Dibrës, në verilindje të Shqipërisë. Babai im ishte me origjinë nga Dibra. Fitorja e Partisë Demokratike në këto zgjedhje ishte mëse e sigurt. Me Safetin dhe Blerimin, sipas bisedës që bëmë në telefon, u takuam në kryqëzimin e rrugës së “Dibrës” me rrugën e “Barrikadave”, aty ku në atë kohë ishte një byrektore. Nuk e pranova as këtë propozim, që më përcollën këta dy anëtarë të kryesisë. Nuk e shihja veten si deputet. Këtë post e vlerësoja me shumë përgjegjësi, realizimi apo mosrealizimi i të cilave nuk do të varej vetëm nga unë.
Për Sali Berishën thonë se ka një kujtesë të fortë. Besoj se ai, kur më propozoi të drejtoj gazetën “Rilindja Demokratike”, nuk i kishte harruar të gjitha sa tregova më sipër. “E di, tha Saliu, që ti nuk do, por merre për pak kohë”. Mua propozimi i tij m’u duk një gjest kalorsiak. Unë i kisha “zvogëluar” lavdinë dhe ai më propozonte ngritje në përgjegjësi. Në këto rrethana pranova të drejtoj gazetën për pak kohë. Vite më pas kam kuptuar se Sali Berisha u ofronte dhe u shpërndante poste njerëzve që e kritikonin. Ai e përdorte pushtetin për të korruptuar kundërshtarët, për t’u mbyllur atyre gojën. Unë nuk isha kundërshtar i tij. Ndoshta ai më pa si të tillë, meqë unë i fshiva superlativat ashtu siç bëja edhe me Enver Hoxhën, gjithnjë pa qenë kundërshtar i tij. Sidoqoftë, ai e mbajti fjalën. Një ditë, ndërsa ishte president i vendit, më thërret në Presidencë dhe më thotë se nuk kishte harruar se unë isha si kryeredaktor “për pak kohë…”! Por le të kthehemi sërish në epokën e komunizmit.
Kur Pali Miska, anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i parë i Komitetit të Partisë së rrethit të Fierit, kërkoi të merreshin masa ndaj meje!
Në shtëpinë time, sikurse kam thënë më sipër, në një 5 Maj, ka ardhur përveç Ramiz Alisë edhe Lenka Çuko. Nuk më kujtohet nëse ajo ka ardhur më parë apo më pas nga vizita që bëri Ramiz Alia. Do të ishte sërish Niazi Çepani ai që do të propozonte shtëpinë tonë si mikpritëse të Lenka Çukos, një tjetër anëtare e Byrosë Politike të Partisë së Punës. Nga vizita e saj nuk më ka mbetur asgjë në kujtesë. Lenka ishte nga ata apo ato që u ngritën me vinç në sferat më të larta të pushtetit nga diktatori, të cilit i duheshin të tjerët thjesht dhe vetëm për dekor kolegjial dhe për tu prerë kokat nëse i duheshin kokat e tyre. Në këtë pamje, njerëz si ajo, sa mund të ishin të lumtur aq ishin edhe fatkeq. Ata, edhe në se do të donin, nuk mund të mos pranonin “nderin” dhe detyrën që u ngarkonte Partia. Kjo gjë nuk do tu falej kurrë. Nga ana tjetër, duke hyrë në kupolë, sado besnikë të ishin ndaj diktatorit, ata asnjëherë nuk do të ishin të sigurt për fundin që i priste. Të gjithë pararendësit e tyre, të njohur si besnikë të përbetuar të Enver Hoxhës, kishin përfunduar me kokë në tepsi.
Me Lenka Çukon jam takuar edhe një herë tjetër gjatë viteve kur punoja në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Këtë herë isha unë me disa kolegë që i shkuam për vizitë në shtëpi. Nuk më kujtohet asgjë nga kjo vizitë, përjashto faktin që në sallonin e pritjes ne nuk ishim të vetmit vizitorë dhe se neve, pas pak, na u shtua edhe Pali Miska, edhe ky i ngritur me “vinç” nga Enver Hoxha në Byronë Politike si anëtar i saj. Me shokun Pali, kisha patur tashmë një “takim” të pakëndshëm në distancë.
Kam përmendur diku se kam shkruar në një nga numrat e parë të “Rilindjes Demokratike”, lidhur me telashet që mu krijuan gjatë vizitës së drejtorit të Bibliotekës së Parlamentit grek, zotin Panajotis Kristopullos, në Shqipëri. Në atë kohë unë punoja në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Në këtë artikull nuk kam përmendur se disa ditë pas kthimit të Kristopullosit në Athinë, në Arkivin Qendror të Shtetit, arrin një letër e firmosur nga Pali Miska, anëtar i Byrosë Politike dhe njëkohësisht sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Fierit. Në këtë letër, Pali Miska shprehte zemërimin e tij për “shqetësimet e mëdha e serioze”, që u kisha shkaktuar unë qytetarëve të Fierit, duke e shoqëruar Kristopullosin në Kolkondas! Ai kërkonte gjithashtu nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, që ndaj meje të merrej një masë ndëshkimore dhe që kjo masë t’i bëhej e ditur edhe atij! Pali Miska, si edhe disa anëtarë të tjerë të Byrosë Politike, ishte katapultuar vitet e fundit nga Enver Hoxha, në hierarkinë më të lartë të pushtetit komunist.
Ai, si edhe të tjerët si ai, nuk kishte asnjë meritë, kishte qenë një anonim. Kjo ishte edhe “meritat” e tij. Kështu i donte diktatori bashkëpunëtorët më të afërt. Njerëz të tillë, të ndërgjegjshëm se sa vlenin, duke u ngjitur në majat e kupolës komuniste do t’i ishin përjetësisht borxhlinj diktatorit, do t’i shërbenin atij verbërisht jo si besnikë dinjitozë, por si servilë zvarranikë të neveritshëm. Besoj se në këtë logjikë ishte edhe letra e Pali Miskës. Lenka Çuko, Pali Miska, e ndonjë anëtar tjetër i Byrosë Politike si, për shembull, Muho Asllani, gjatë diktaturës kanë qenë objekte anekdotash të shumta në popull. Njerëzit e thjeshtë i kanë karikaturizuar ata me mjaft lehtësi.
Lenka, Pali dhe të tjerë si ata, duke qenë njerëz mëse të zakonshëm, që krejt pa pritur u bënë “personalitete” të jetës politike shqiptare, mendoj se e patën të vështirë, të pamundur të kthehen në realitetin e tyre të mëparshëm apo të vlerësojnë drejtë realitetet e reja, ndryshimet demokratike. Ata i’u trembën humbjes së privilegjeve, por ndoshta edhe përgjegjësive që rëndonin mbi ndërgjegjen e tyre. Sikurse del nga proces-verbalet e Byrosë Politike, në mbledhjen e saj të datës 11 dhjetor 1990, duke folur për Lëvizjen Studenteske, që parapriu Lëvizjen Demokratike në Shqipëri, Lenka Çuko ka deklaruar : “Janë mbledhur ca huliganë atje, që duan të bëjnë ligjin”. Duke u pozicionuar kundër pluralizmit politik, ajo ka deklaruar gjithashtu: “Ne, të mos lejojmë që të krijohen parti të tjera”. Në të njëjtën linjë, disa ditë më pas, Pali Miska do të deklaronte: “Ne duhet t’i dalim zot Partisë sonë dhe Enver Hoxhës”.
Përse ja fshija emrin Lenka Çukos në shkrimet e gazetës ‘Rilindja Demokratike’?
Në fillimet e Lëvizjes Demokratike në Shqipëri, Byroja Politike e Partisë së Punës ka qenë, me të drejtë, në shënjestër të shtypit opozitar. Mua disa herë më ka ardhur keq për Lenka Çukon. Më saktë është të them se më ka ardhur keq për vajzën e saj, Edlira Çukon, me të cilën kisha punuar në Arkivin Qendror të Shtetit. Kështu, nëse në ndonjë artikull kritik, që sillej për botim në “Rilindja Demokratike”, përmendeshin disa nga emrat e anëtarëve të Byrosë Politike, unë e fshija emrin e Lenka Çukos dhe në vend të saj shtoja “etj.” Nuk e kam bërë këtë gjë për ta mbrojtur atë. Fati i saj si edhe i gjithë të tjerëve si ajo, nuk do të ndryshonte nëse i përmendej apo jo emri në një artikull të gazetës “Rilindja Demokratike.” Atyre u ishte ndezur qiriri.
Nga anëtarët e Byrosë Politike kam takuar edhe Adil Çarçanin. Në rininë time atë e kam parë disa herë kur vinte për vizitë në shtëpinë e fqinjëve të mi në rrugën “Dervish Hekali”. Përballë shtëpisë sonë banonte familja e Reshit dhe Jolldyz Spahisë, të ardhur si refugjatë nga Kosova. Vajza e tyre Hava Spahija, ishte martuar me Adil Çarçanin. Ishin njohur së bashku në vitet e qëndresës së armatosur antifashiste. Ajo vinte shpesh të shihte prindërit. Më shpesh vinin vajzat e saja. Më rrallë Adili. Unë kisha miqësi me Jashar Spahinë, djalin e madh të Reshitit dhe Jolldyzit. Ai punonte si teknik në Uzinën “Enver Hoxha”. Nuk kishte përfituar asgjë , asnjë privilegj nuk i ishte bërë atij si edhe të tjerëve në familje meqë ishin të lidhur në krushqi me Adil Çarçanin. Vëllai më i vogël i tij, Sitkiu, ishte arsimtar, ndërsa motra e vogël, Melihaja, që dikur kishte luajtur si aktore në Teatrin Popullor, kishte përfunduar kujdestare në një kopsht fëmijësh. Të gjithë ishin njerëz të thjeshtë, mikpritës e me karakter. Ngjitur me shtëpinë e tyre, fqinjët tanë kishin ngritur një kasolle prej dërrase ku mbanin një lopë. Çdo mëngjes unë shihja Jolldyzin, kur shkonte me një kusi të vogël për të mjelur lopën e saj. Kështu ajo ndihmonte disi ekonominë e familjes. Një ditë ata u larguan nga shtëpia ku kishin banuar si fqinjët e mi të preferuar. Që nga ajo kohë pothuajse nuk u takuam më. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016