Nga Bashkim Trenova
Pjesa e tridhjetë e nëntë
Memorie.al /publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturg dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëri e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
ME “HERONJTË E POPULLIT”
BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA
Dihet që Kajo u vra në Lis Patros të Kavajës në përpjekje me gjermanët. Ai, sikurse më ka thënë djali i madh i Myslymit, Skënder Peza, kishte thënë se «nuk do të dal i gjallë nga kjo luftë»! dhe nuk doli i gjallë. Ai ra heroikisht i lënë i vetëm në ndeshjen me armiqtë. Shokët ishin tërhequr. Ai nuk pranoi të tërhiqej. Kështu edhe ra në këtë betejë një kundër të gjithëve. Në “Nëntori” dilte që komisari, Sali Verdha, ishte pranë tij deri në momentin e fundit, duke luftuar edhe ai heroikisht. Ja përse Baba përsëriste si refren: «Rrenë or Babë, rrenë»!
Shokët u kthyen pa Kajon në Pezë. Dikush prej tyre kishte me vete xhaketën prej lëkure të Kajos, të cilën e mori dhe e përdori më pas babai im. Kam edhe disa foto të tij të kohës me xhaketën e Kajos. Kur u afruan pranë shtëpisë së Shyqyri Pezës, sikurse më kanë treguar nëna dhe vajza e madhe e Myslymit, Dije Peza, Myrvetja i shikon dhe pyet: “Po Kajo, ku është Kajo”?! Ata nuk përgjigjen, heshtën. Myrvetja e kuptoi tragjedinë dhe shkoi e mbyllet e vetme në një dhomë të shtëpisë. Edhe atë e lanë vetëm shokët. Pas pak dëgjohen nga dhoma të shtëna mitralozi. Myrvetja e kishte gjykuar të kotë jetën, ndërsa kishte humbur dashurinë e saj. Mund të thuash një tjetër histori “Romeo e Zhulieta”.
Myslym Peza dhe i vëllai, Shyqyri, ishin një dhe të pandarë, Enveri tentoi t’i ndante!
Sipas vlerësimit tim, Shyqyri dhe Myslim Peza, janë figura historike të Shqipërisë së Mesme. Ata ishin të pandarë dhe askush nuk mund t’i ndajë. Këtë tentoi ta bënte dikur vetëm Enver Hoxha me të tijtë. Sot të vetëshpallurit demokratë dhe anti enveristë duan, siç duket, të përfundojnë atë që e la të papërfunduar Enver Hoxha, të deheroizojnë heronjtë, t’i hedhin monumentet e tyre aty ku hidhen plehrat e qytetit.
Myslym Pezën unë e kam njohur si njeri të ndershëm e të drejtë, si njeri që, i pëlqente t’i thoshte të zezës e zezë dhe të bardhës e bardhë. Me një karakter të tillë ai ndihmoi dhe shpëtoi mjaft njerëz nga burgjet dhe ekzekutimet e urdhëruara nga gjykatat komuniste, ndaj atyre që u cilësuan si “kriminelë lufte”. Kështu ndodhi, për shembull, me Ibrahim Biçakun. Ai kishte qenë një muaj si kryeministër gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë. Kjo gjë i kushtoi atij shtrenjtë, por do t’i kishte kushtuar edhe më shtrenjtë, nëse në favor të tij nuk do të kishte dëshmuar Myslym Peza, që në atë kohë ishte zëvendëskryeministër. Ibrahimi është i vetmi kryeministër, nga ata që u quajtën kuislingë në të gjithë Europën Lindore, që nuk u pushkatua. Kjo gjë erdhi pasi në gjyqin e tij, në cilësinë e dëshmitarit, Myslym Peza deklaroi se gjatë kohës së Luftës kur Ibrahim Biçaku ishte kryeministër, i kishte dërguar atij dy kamionë me armatime, ushqime dhe veshmbathje për partizanët e Pezës.
Myslym Peza mori në mbrojtje Haki Mulletin, pasi vëllai tij, Qazimi, kishte hapur mortin kur u vra Shyqëriu!
I ngjashëm është edhe rasti me Haki Mulletin, vëllain e Qazim Mulletit, prefekti i Tiranës në kohën e pushtimit fashist. Në vitin 1945, Hakiun e mbajtën për disa kohë në hetuesi e më pas e dënuan me katër vjet burg. Bashkë me Hakiun dolën para gjyqit edhe 18 persona të tjerë, të cilët u dënuan të gjithë me pushkatim. I biri i Hakiut, Tanushi, në një intervistë që ka dhënë në shtypin shqiptar pas përmbysjes së komunizmit ka thënë: “Vetëm babai shpëtoi pasi e ndihmoi Myslym Peza, i cili vajti vetë si dëshmitar në gjyq. Myslim Peza e mori në mbrojtje Hakiun, pasi të vëllanë e tij Shyqëri Pezën, familja jonë e kishte mik shtëpie dhe kur vdiq ai, Qazim Mulleti e hapi mortin. Po kështu gjatë kohës së luftës, edhe vetë Myslimi ishte strehuar në shtëpinë tonë dhe për shkak të tij italianët donin të na digjnin shtëpinë”.
Me këto e të tjera qëndrime të tilla të Myslym Pezës, me siguri Enver Hoxha, strategu i vëllavrasjes dhe xhelati i luftës së klasave, dirigjenti i orkestrës së kuqe të gjenocidit komunist, nuk ka qenë dakord. Ai, sikurse është e njohur, pasi erdhi në pushtet urdhëroi vrasjen e kunatit të tij, Bahri Omari, tek i cili ishte strehuar gjatë viteve të pushtimit. Enveri, siç duket, nuk i’a ka harruar Myslymit deklaratat para trupit gjykues, që eliminuan nga lista e zezë emra shqiptarësh të caktuar të flijoheshin në tempullin e tij demoniak. Për këtë dëshmon, sipas meje, edhe ditari i tij sekret në të cilin mund të lexosh qartë atë që po thurte Enver Hoxha në fundin e jetës së tij dhe të Myslymit. Ai nuk mund të vdiste pa e lënë Partinë krejtësisht të pastër! Kjo do të thotë se ai nuk mund të ndahej nga kjo jetë pa e zhdukur edhe Myslim Pezën dhe Haxhi Lleshin, siç kishte bërë me të gjithë bashkëluftëtarët e tij më të afërt, pasi i kishte akuzuar si agjentë e poli agjentë, si tradhtarë, komplotistë e puçistë, si armiqësorë e sabotatorë!
Myslymi vdiq dhe “projektet” e Enverit po kështu. Enveri derdhi lot për të. Në të vërtetë, askush nuk e pa të derdhë lot. Ai vetë tha se kishte qarë, madje se kishte qarë dy herë, ditën e varrosjes së Myslym Pezës dhe kur kishte lexuar një reportazh që Frrok Çupi kishte botuar ato ditë në “Zëri i popullit” për Myslym Pezën!
Tentativat për ta përbaltur figurën e Myslym Pezës edhe pas viteve ’90-të
Duke kaluar muaj të tërë, gjatë viteve të fëmijërisë në shtëpinë e Myslym Pezës, unë sigurisht njoh disi edhe jetën private të tij. Nuk dua të futem në një tregim apo analizë të saj. Mendoj se ajo i takon atij dhe vetëm atij dhe familjes së tij. Gjatë viteve të demokracisë, është folur e çfarë nuk është folur edhe për Myslym Pezën. Janë marrë me të në mënyrë të padenjë, thjesht sepse djali i tij, Dashi, është deputet i Partisë Socialiste. Janë munduar ta përbaltin atë, thjesht sepse duan që të rrëzojnë për tokë Dashin, si kundërshtar politik. Me siguri, nëse Dashi do të tërhiqej në jetën e tij të qetë në Pezë, askush nuk do të kujtohej të fliste një fjalë të keqe për Myslym Pezën. Nëse Dashi nuk do të hapte dyert e shtëpisë për kryetarin e Partisë Socialiste, Edvin Ramën, kundërshtarin kryesor të Sali Berishës, kryeministër dhe kryetar i Partisë Demokratike, kurrkush nuk do të merrej as me vetë Dashin.
Dashi jeton sot në shtëpinë e Myslymit në fshatin Pezë, si i vetmi trashëgimtar i saj. Në të vërtetë Myslymi ka edhe trashëgimtarë të tjerë nga martesa e tij e parë. Dashi ka lindur nga martesa e dytë e Myslymit. Ai ka edhe një motër, Adën, një grua fatkeqe e urtë dhe e bukur, e lindur edhe ajo po nga kjo martesë. Ada është pranuar si motër apo gjysmë motër nga Dija, Skënderi e Partizani. Ajo edhe ka hyrë e ka dalë në shtëpinë e tyre. Nuk ka ndodhur e njëjta gjë me Dashin. Ai nuk është pranuar si vëlla apo gjysmë vëlla e nuk ka shkelur kurrë në pragun e tyre.
Në shtëpinë e Myslym Pezës, në ditën e varrosjes së tij, kishte ardhur për ngushëllim edhe ‘Heroi i Popullit’, Haxhi Lleshi, miku i vjetër i Myslymit. E kisha njohur atë që në fëmijërinë time. Babai im, sikurse më kishin thënë, kishte një lidhje jo të afërt fisnore apo krushqie me familjen e tij. Haxhiu, gjatë tërë viteve që ishte në pushtet, mesa më kujtohet, ka ardhë vetëm në një rast në shtëpinë tonë. Kur vdiq gjyshja ime e dashur, Shyqyria, apo siç i thonin shkurt, Çerka, ai erdhi për ngushëllim. Në raste të tjera e kam takuar në shtëpinë e Myslymit. Në dhomën e pritjes së Myslymit gjendej edhe një tavolinë mbi të cilën, pothuajse gjithnjë, qëndronte një shportë me portokalle. Haxhiu zgjaste dorën, merrte një kokërr dhe e hidhte nga unë. Nuk kishte shumë fjalë. Ishte burrë i qetë. Edhe të qeshurën e kishte me kursim.
Haxhi Lleshi dhe Medar Shtylla s’mundën të më ndihmonin dot, të shkoja në fakultetin Histori-Filologji!
Mbas shumë vitesh, pasi mbarova gjimnazin, mua më dhanë të drejtën e studimit për Inxhinieri Pyjore. Unë kisha dëshirë të vazhdoja për Histori-Gjeografi. Nëna ime i kërkoi Haxhi Lleshit, të cilin e kishte takuar në një përvjetor të Konferencës së Pezës, që të më ndihmonte për të fituar të drejtën e studimit në degën që dëshiroja. Haxhiu i tha asaj që unë të shkoja të nesërmen e ta takoja atë në Selinë e Presidiumit të Kuvendit Popullor, që në atë kohë ishte ku është sot Akademia e Shkencave. Shkova të nesërmen në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Në vend të Haxhiut, më priti Et’hem Berhami me origjinë nga Mati. Nuk e dija atëherë, dhe as më vonë nuk e mora vesh, se ç’funksion kishte në Kuvendin Popullor. Me mjaft mirësjelljeje, ai kërkoi që të bisedoja me të. E bëra bisedën me të dhe në përfundim dola ashtu siç hyra, u përcolla siç u prita me mirësjellje dhe një buzëqeshje prindërore. Siç duket këtë porosi kishte ai nga Haxhi Lleshi, kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor!
Në të vërtetë diçka e ngjashme u përsërit edhe me Medar Shtyllën, në atë kohë nënkryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe dekan i Fakultetit të Mjeksisë. Ishte Myslym Peza ai që i kërkoi atij të shihte mundësinë për të bërë të mundur që unë të ndiqja studimet në Fakultetin Histori-Filologji. Unë isha i pranishëm kur u bë kjo bisedë. “Eja më tako nesër në korpusin e Universitetit”, më tha Medar Shtylla. Shkova dhe e takova, ashtu sikurse më kishte thënë. “Eja më tako pas dy ditësh në Fakultetin e Mjeksisë”, më tha ai duke qeshur me mirësjelljeje, ashtu si edhe Et’hem Berhami. Shkova edhe pas dy ditësh. U përcolla njëlloj si edhe më parë. As Haxhi Lleshi, kryetari i Presidiumit dhe as Medar Shtylla, nënkryetari i Presidiumit, nuk bënë gjë. Unë humba një vit nga studimet e mia, duke pritur që të ndihmohesha prej tyre. Së paku nuk më bënë moral komunist, nuk më thanë se Partia dhe Atdheu, kishin nevojë për inxhinierë pyjesh, prandaj unë duhet t’i përgjigjesha kësaj nevoje.
Haxhi Lleshin e kam takuar sërish pas rreth 15 vjetësh krejt rastësisht. Unë punoja në atë kohë në “Zëri i popullit”. Bashkë me disa shokë gazetarë, kemi pirë një kafe së bashku me të në Hotel Tirana. Nuk më kujtohen bisedat që bëmë dhe përse u gjendëm bashkë në një tavolinë. Mbaj mend, se në një moment ai më drejtohet dhe më thotë se, familja ime nuk e kishte mbiemrin Trenova, se ajo e kishte ndërruar mbiemrin për t’u fshehur. Ishte hera e parë që e dëgjoja këtë shpjegim. Unë e dija se kisha një familje të ndershme, që nuk kishte përse të fshihej, duke ndërruar identitetin. Madje edhe kushërinjtë tanë përtej kufirit, në Dibrën e Madhe, kishin të njëjtin mbiemër si edhe unë dhe xhaxhallarët e mi në Tiranë. Pra, edhe nëse mbiemri i dikurshëm ishte ndryshuar, kjo gjë i takonte disa brezave të mëparshëm, të cilët as i kisha njohur ndonjëherë dhe as kisha dëgjuar të flitej për ta. Nuk e përjashtoj që të parët e mi, të kenë qenë në gjak apo në hasmëri dhe që mbiemri të jetë ndryshuar për të shmangur një gjakmarrje të mundshme, për t’i dhënë fund një gjakmarrje që mund të kërkonte jetë brezash.
Një takim tjetër me Haxhi Lleshin e kam patur pasi u largova nga “Zëri i popullit”. E kam përmendur edhe më parë se Arkivi i Shtetit, kur porsa kisha filluar punën në këtë institucion, hapi në një nga sallat e Pallatit të Kulturës së Tiranës një ekspozitë me dokumente nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Unë u bëra ciceron i saj. Haxhi Lleshi ishte nga të ftuarit e nderit që mori pjesë në hapjen e saj. Nuk më kujtohet ndonjë gjë e veçantë nga ky takim. Në këtë kohë ai nuk ishte më kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor.
Kur vdiq Myslym Peza, Haxhi Lleshi s’pranoi të takohej me Enverin!
Për herë të fundit Haxhi Lleshin e kam takuar, sikurse kam thënë, në shtëpinë e Myslym Pezës, në shkurtin e vitit 1984. Shtëpia ishte plot me njerëz, miq e shokë lufte të Myslymit, që kishin ardhur për t’i dhënë atij lamtumirën e fundit. Haxhiu nuk ishte tek dhoma e pritjes. Ai kishte zbritur poshtë në kuzhinë. Ishte ulur në një karrige, krejtësisht i vetmuar. Dukej sikur nuk donte të takonte njeri. Unë i qëndrova disa kohë pranë. Në një moment, arrin në kuzhinë motra ime, Engjëllushja. Ajo më thotë të ngjitem lart, se kishte ardhur Enver Hoxha. U largova nga Haxhiu. Ai nuk luajti nga vendi. “Shko, shko, më tha, unë do të vij pak më vonë”. Në të vërtetë, gjatë tërë kohës që qëndroi Enver Hoxha në shtëpinë e Myslymit, Haxhiu ndejti atje poshtë në kuzhinën e shtëpisë, pothuajse i vetëm. Ishte ai që nuk donte të takohej me Enver Hoxhën, apo ishte Enver Hoxha që nuk donte të takohej me të dhe Haxhiu e dinte këtë gjë?!
Haxhi Lleshi ishte pjesëmarrës aktiv dhe një nga drejtuesit kryesor të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit të vendit, ai mbajti postin e ministrit të Brendshëm për rreth dy vjet në kabinetin e Enver Hoxhës. Nga viti 1953 deri në vitin 1982, ai mbajti postin e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Zgjedhjet e 14 nëntorit të vitit 1982 për Kuvendin Popullor, sollën në krye të Presidiumit të Kuvendit Popullor Ramiz Alinë. Haxhi Lleshi e pa veten jashtë pas 29 vjetësh në këtë post. Në lajmet e transmetuara nga televizioni shqiptar me këtë rast, më kujtohet filmimi që i ishte bërë Haxhi Lleshit të ulur në sallë, duke përplasur ritmikisht dorën në tavolinën para tij me njëlloj nervozizmi. Mos vallë Haxhi Lleshi nuk donte të takohej me Enver Hoxhën, sepse mendonte që ai e kishte mënjanuar padrejtësisht?!
Në incidentin e bombës së ambasadës sovjetike, u pushkatuan dhe dy vëllezërit e gruas së Haxhi Lleshit!
Nga një intervistë që Haxhi Lleshi ka dhënë pak kohë para vdekjes, rezulton se ai në të vërtetë ka qenë i pakënaqur, por jo nga Enver Hoxha. Sipas tij, Enver Hoxha, sidomos në vitet e fundit të jetës, nuk drejtonte më vendin. Ai influencohej nga e shoqja Nexhmija dhe nga ai që i zuri vendin Haxhiut, e që do të bëhej edhe pasardhës i diktatorit, Ramiz Alia. Janë këta, sipas Haxhiut, që e larguan atë, e hoqën pavarësisht nga dëshira e tij.
Haxhiu gjatë tërë jetës së tij e ka treguar veten besnik midis më besnikëve ndaj Enver Hoxhës. Diktatori nuk ka pushuar së godituri atë dhe ai nuk ka pushuar së deklaruari besnikërinë dhe admirimin e plotë ndaj diktatorit. Goditjen e parë, të rëndë dhe të pandreqshme, familja e tij e mori në ditët tronditëse të shkurtit 1951, kur ndodhi ngjarja e shpërthimit të një eksplozivi në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. Në kundërveprim të saj regjimi, në bazë të tre listave të parapërgatitura, në datat 20, 21 dhe 22 shkurt, në tre valë represioni, kreu arrestimin e 102 personave. Njëzet e dy prej tyre u pushkatuan. Midis të pushkatuarve, janë edhe dy vëllezërit Jegeni. Myftari 36 vjeç dhe Gafuri 43 vjeç. Ata ishin vëllezër të Haxhiresë, gruas së Haxhi Lleshit. Të dy familjet e të pushkatuarve u internuan. Siç dëshmojnë dokumentet origjinale të botuara, shpërthimi i bombës në Ambasadën Sovjetike, ishte thjesht një vepër e Sigurimit të Shtetit, për të përligjur më pas arrestimet, vrasjet e burgimet e njerëzve krejtësisht të pafajshëm. Haxhi Lleshi, edhe në këtë rast, ishte dakord, pa asnjë rezervë, me Partinë dhe shokun Enver. Ai do të pranojë edhe vrasjen e pafajshme të kunetërve të tij dhe jo vetëm kaq.
Enveri i propozoi Haxhi Lleshit, të internonte të birin, Reshitin!
Në vitin 1976, Haxhi Lleshi do të binte dakord me vendimin për t’a internuar të birin e tij, Reshitin, në fshatin Mollas të Elbasanit. Reshitin e kam njohur në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme. Më parë kisha dëgjuar për të. Thimi Çollaku, një kolegu im në Radio Tirana, më kishte folur për Reshitin. Ata të dy kishin përfunduar studimet për diplomaci në Bashkimin Sovjetik.
Reshitin e njoha ashtu siç ma kishte përshkruar edhe Thimi. Ai ishte njeri i hapur, i thjesht dhe i ndershëm. Ai e kishte kuptuar se babai i tij, Haxhi Lleshi, ishte një kukull në duart e Enver Hoxhës. Reshiti i’a kishte thënë hapur të atit se çfarë mendonte për të. Babai denoncoi të birin tek Enver Hoxha. Reshitin e thirrën edhe në Komitetin Qendror të Partisë, për ta “këshilluar”. I kërkuan që të hiqte dorë nga mendime të tilla, si ai që kishte shprehur për të atin. Reshiti këmbënguli në mendimin e tij. Ky ishte edhe shkaku përse atë e internuan. Është vetë Enver Hoxha që, sikurse ka shkruajtur në ditarin e tij sekret të botuar tashmë, i ka propozuar Haxhi Lleshit që të internonin Reshitin. Sikurse shkruan Enver Hoxha, përgjigja e Haxhiut ka qenë: “Si të thotë Partia”!
Sipas ditarit të Enver Hoxhës, Reshiti është internuar sepse ai ka akuzuar të atin për “tradhti”. Enveri nuk shpjegon se kush ishte tradhtuar, cilin kishte tradhtuar Haxhiu. Kjo gjë kalohet kështu nga Enveri jo pa qëllim. Me “tradhti” në vitet e diktaturës kuptohej tradhtia ndaj Enver Hoxhës apo, njëlloj, tradhtia ndaj Atdheut, Partisë dhe Socializmit. Enveri ishte edhe Partia, edhe Atdheu edhe Socializmi! Në një rast të tillë, Enveri duhet të dënonte Haxhi Lleshin dhe të dekoronte Reshitin. Nëse ndodhi e kundërta, kjo do të thotë se Enveri manipulon edhe në këtë rast, si gjithnjë, kur jep variantin e tij të së vërtetës. Reshiti u dënua sepse ai e quajti babanë e tij ashtu siç ishte, një kukull të Enverit. Haxhiu vazhdoi të qëndrojë në postin e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, jo se kishte “tradhtuar”, por se ishte besnik i Enverit.
Mashtrimet e Enverit në ditarin e tij në lidhje me “tradhtinë” e Haxhi Lleshit e të birit, Reshitit!
Ditari i Enverit ka datë shumë më të vonshme nga internimi i Reshitit, pra ai nuk është një ditar, por një tregim ose interpretim i vonuar i ngjarjeve në rrethana të tjera. Atëherë kur është shkruajtur ai, Enverit i duhej Haxhiu “tradhtar”, ose njëlloj, “agjent”, madje edhe ta paraqiste atë të tillë me gojën e të birit. Unë kam biseduar me Reshitin, në një rast kur pas përmbysjes së diktaturës, në shtypin e djathtë, shkruhej për Haxhi Lleshin si për një agjent të jugosllavëve. Ai ishte mjaft i prekur. “Ti e di, më tha, se ç’qëndrim kam mbajtur unë ndaj babait tim. Agjent i jugosllavëve, jo, ai nuk ka qenë kurrë”! Kjo thënie e Reshitit dëshmon, së paku, se ai nuk e ka akuzuar të atin për “tradhti”!
Enver Hoxha shkruan sipas orekseve të tij në ditarin sekret edhe për gruan e Haxhiut, nënën e Reshitit, Haxhirenë. Unë kam patur rastin ta takohej një apo dy herë Haxhirenë. Ajo ishte një grua e qeshur dhe që kishte dëshirë të fliste pa shumë stërhollime. Haxhireja ndryshonte nga shumica e grave të kupolës së lartë komuniste që mbaheshin si zonja “proletare”. Pas internimit të Reshitit, ajo u largua nga shtëpia dhe shkoi në Mollas pranë të birit. Ajo u largua për të mos u rikthyer më tek ish-shoku i saj i jetës. Haxhireja vdiq, u largua përgjithnjë nga të gjithë të dashurit e saj, atje në Mollas më 17 tetor 1985.
Enveri, si ato plakat e këqija, e përgojon Haxhirenë “me prejardhje bajraktarësh dibranë” dhe nga një familje që “ka të arratisur politikë në Jugosllavinë titiste”. Sipas Enver Hoxhës, Haxhireja po bënte skandal, duke akuzuar si “imoral” kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshin. Më vonë ai vetë do ta akuzojë Haxhi Lleshin si të tillë. Në atë kohë, sikurse shkruan në ditarin e tij sekret, ai i ka propozuar Haxhiut që ta internojnë edhe Haxhirenë në Mollas tek i biri, për t’ia mbyllur kështu gojën edhe asaj. Përgjigjja e Haxhiut edhe në këtë rast, sikurse shkruan Enver Hoxha, ishte: “Si të dojë Partia”!
Përse ndryshoi qëndrim Enver Hoxha ndaj Haxhi Lleshit? Përse Haxhi Lleshi nuk erdhi të takojë Enver Hoxhën në shtëpinë e Myslym Pezës? Enver Hoxha nuk falte vetëm për një gjë, nuk falte asnjë thashë e them, asnjë ëndërr, asnjë gënjeshtër që, në një mënyrë apo në një tjetër, do të vinte në diskutim pushtetin e tij si edhe të pasardhësit të zgjedhur prej tij. Pavarësisht se Haxhiu e kishte provuar besnikërinë edhe duke braktisur gruan e djalin në fatin e pamëshirshëm që u caktoi diktatori, ky nuk do ta falte atë, që në momentin që disa letra anonime apo ëndrra të tija paranojake, do t’i pëshpëritnin se Haxhiu po mendon t’i zërë vendin pas vdekjes! Kjo gjë del qartë në ditarin e i tij sekret.
Midis të tjerave, Enveri shkruan në ditar: “Nga gjumi i rëndë ku kishte rënë pas vetëvrasjes së armikut Mehmet Shehu, u zgjua edhe Haxhiu. Gruaja D.SH., me biografi të mirë, nëpunëse në Presidiumin e Kuvendit Popullor, na është bërë sekretare e Haxhiut, por ky e ka hedhur këtë edhe në krevat, siç flitet midis nëpunësve të Presidiumit, të cilët po i shkruajnë Komitetit Qendror…Por e keqja mbi të këqijat është se…ajo është kthyer në një provokatore pa kufi, flet keq për udhëheqjen kryesore të Partisë dhe arrin deri atje, sa t’i thotë një shoku komunist, që punon në aparatin e Presidiumit se… “kur të vdesë Enver Hoxha, fuqinë do ta marrë Haxhi Lleshi”. Është e qartë se këto veprime të rrezikshme janë muhabetet që ia bën asaj në krevat Haxhi Lleshi, të cilit e pakta që mund të themi, është se Haxhi plakut, i ka hipur në kokë dashuria dhe “ç’i ka barku, ia nxjerr bardhaku”.
Ja përse tani Haxhi Lleshi është edhe imoral, edhe dyshohet për agjent si edhe Myslym Peza. Ja përse ai do të hiqet nga posti i kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Është e qartë se nuk është Haxhi Lleshi, ai që nuk donte të takonte Enver Hoxhën në shtëpinë e Myslym Pezës. Ishte diktatori ai që nuk donte ta shihte më atë pranë tij. Ishte ky që po përgatitej të dërrmonte grupin e ri armiqësor kundër Partisë dhe Atdheut, të drejtuar nga Myslym Peza e Haxhi Lleshi, të fundit nga udhëheqësit e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që i kishin shpëtuar deri tani goditjes së tij.
Pavarësisht nga gjithçka, Haxhi Lleshi do të vazhdojë deri në fund në rolin e një qeni, besnik i padronit të tij edhe kur ky e shkelmon, edhe kur ky e godet për vdekje, e përbuz dhe e largon. “E kam për nder shumë të madh që kam qenë një nga bashkëpunëtorët e Enver Hoxhës në luftë dhe pas saj”, do të shkruajë Haxhi Lleshi në kujtimet e tij. Për të Shqipëria, gjatë historisë së saj, ka nxjerrë dy udhëheqës të mëdhenj, Skënderbeun dhe Enver Hoxhën. “Skënderbeu’, shkruan ai në kujtimet e tij, ishte tmerri i një perandorie; Enver Hoxha ishte tmerri i shumë perandorive dhe, sa e patëm në krye, nuk mundi asnjë armik t’ia vinte Shqipërisë shpatullat për tokë”. E vërteta është se ai, në postin e kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor për rreth 30 vjet, ka hedhur në koshin e plehrave, lutjet e mijëra e mijëra të dënuarve me vdekje, që t’u falej jeta.
Ai ka vënë firmën apo ka ngritur dorën që mijëra shqiptarë të shkojnë në plumb, që mijëra familje shqiptare të mbeten pa njerëzit e tyre të dashur, që mijëra fëmijë të diskriminohen gjithë jetën dhe të mos e ndjejnë dashurinë prindërore. Ja përse ka bashkëpunuar ai me Enver Hoxhën pas luftës. Nga ana tjetër, nëse Skënderbeu i bëri ballë një perandorie të huaj, Enver Hoxha me ëndrra dhe iluzione perandorake, shkatërroi dhe rrezikoi të zhdukë fizikisht, me armët e dhunës dhe të mjerimit, vetë popullin dhe vendin e tij. Të mburresh se ke bashkëpunuar me Enver Hoxhën, do të thotë të mburresh se ke qenë bashkëpunëtor në krim./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016