Nga Bashkim Trenova
Pjesa e tridhjetë e shtatë
Memorie.al /publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturg dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëri e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
ME “HERONJTË E POPULLIT”
BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA
Kam përmendur, kur ka qenë rasti, se gjatë kohës që kam punuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, përpos të tjerave, jam marrë edhe me përgatitjen e vëllimit dokumentar “Heronj të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Në këtë vëllim përfshihen dokumente të ndryshme mbi Heronjtë e Popullit, që nuk jetonin, pra që kishin rënë në fushën e betejës duke luftuar pushtuesit nazi-fashistë. Janë lënë jashtë vëllimit ata Heronj të Popullit të vrarë në Luftë, por për të cilët nuk u gjendën dokumente të kohës në Arkivin Qendror të Shtetit si edhe në arkiva të tjera.
Nëse heronjtë e Luftës i kam njohur, nëpërmjet dokumenteve dhe për ta kam folur duke i’u referuar vetëm dokumenteve, Enver Hoxhën, Mehmet Shehun etj., të dekoruar edhe këta si Heronj të Popullit pas Luftës, i kam njohur në jetë. Për ta do të shkruaj më poshtë. Edhe në këtë rast do të ketë një kufizim. Në shënimet e mia nuk do të shkruaj për të gjithë Heronjtë e Popullit, që jetuan në vitet e diktaturës, por vetëm për ata që kam takuar, vetëm ata me të cilët, mund të them, edhe kam biseduar. Do të flas gjithashtu edhe për të tjerë, që edhe pse nuk kanë qenë Heronj të Popullit, ishin pjesë e kupolës komuniste, besnikë dhe shërbëtorë të bindur të diktatorit Enver Hoxha dhe, si rregull, edhe viktima të tij. Edhe në këtë rast do të kufizohem vetëm tek ata që kam patur rastin t’i njoh e t’i takoj.
Për mua, ish-diktatorin e Shqipërisë, Enver Hoxhën dhe “apostujt” e tij mund t’i cilësosh si të duash pa gabuar, por kurrsesi si marksistë apo leninistë, sikurse kishin dëshirë të shiteshin. Kur them kështu, kam parasysh se ata asnjëherë nuk e njohën dhe nuk e zbatuan marksizmin si doktrinë. Në fillimet e karrierës së tyre politike, ai dhe shokët e tij të krimit, ishin injorantë të vërtetë të marksizmit dhe më pas deformues të tij e demagogë të paskrupullt. Të gjitha poshtërsitë e tyre ata i mbuluan me besnikërinë e rreme ndaj komunizmit.
Ata mund t’i quash pa gabuar nacional-socialistë pa atdhe sepse, në emër të interesave të tij, ata e kishin shitur dhe ishin të gatshëm ta rishisnin atë në çdo ofertë fitimprurëse. Enver Hoxhën dhe sejmenët e tij, mund t’i quash feudo-socialistë apo feudo-komunistë, sepse drejtuan dhe menduan si feudalë. Marksizmin apo socializmin, Enveri e kompani e përdorën si fe në shërbim të tyre, ashtu sikurse feudalët mesjetarë e përdorën kristianizmin, islamizmin etj. në shërbim të tyre. Duke u shprehur kështu për kupolën komuniste në Shqipëri, nuk dua të bëj apologjinë e komunizmit te cilësuar si real apo shkencor. Për mua, në tërë variantet praktike të tij, komunizmi është identifikuar me krimin, dështimin dhe mjerimin.
Nuk mund të shprehem për një “komunizëm real, shkencor”, që nuk e njoh sepse ai kurrë dhe askund nuk është praktikuar. Të flasësh për të paqenën, të panjohurën, do të thotë të hamendësosh, pse jo edhe të spekulosh. Unë parapëlqej të flas për atë që e kam parë, që e kam jetuar. Në një nga intervistat e saja dhënë shtypit shqiptar pas përmbysjes së diktaturës, Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Hoxha, orvatet ta paraqesë bashkëshortin e saj, jo më si një marksist-leninist të madh, por si një patriot të madh, si një nacionalist progresist. Ajo nuk nguron të thotë se Enver Hoxha, nuk u prish për probleme ideologjike me sovjetikët, siç kishte thënë në fakt edhe ai vetë për rreth 25 vjet radhazi, deri sa vdiq.
Sipas Nexhmije Hoxhës, prishja me sovjetikët u bë sepse kështu mbroheshin interesat madhore të Shqipërisë! Nexhmija vepron si një tregtare flamujsh për të pudrosur, pas vdekjes, faqen e zezë të Enverit. Në të vërtetë, ajo nuk është origjinale. Enveri ishte edhe ai i dashuruar pas shumë flamujve, që i rrëmbente e i hidhte poshtë, i shkelte me të njëjtin pasion sikurse i ngrinte lart. Patriotizmi apo komunizmi, nacionalizmi apo internacionalizmi, gënjeshtra apo e vërteta, miqësia apo armiqësia, gjithçka është vlerësuar apo zhvlerësuar prej tij vetëm e vetëm nëse, në një rrethanë të caktuar, i ka shërbyer apo nuk i ka shërbyer fronit të tij.
Kam patur rastin të jem tri herë pranë diktatorit Enver Hoxha, në vitet e para të pushtetit të tij si edhe në perëndim të tij, paksa para se të vdesë. Në vitin 1953, në moshën 10 vjeçare, shkolla “Kongresi i Lushnjes”, më zgjodhi mua dhe Piro Toporen, si nxënësit më të mirë të saj. Këshilli Pedagogjik i shkollës vendosi që ne të dy të merrnim pjesë në festën e Vitit të Ri në Pallatin e Brigadave. Aty, çdo vit, organizohej një festë e madhe me nxënësit më të mirë të shkollave të kryeqytetit. Me këtë rast, ata i përshëndeste “Komandanti”. (Kështu do të thërritej Enver Hoxha edhe shumë vite pas mbarimit të Luftës). Si në të gjitha fushat e tjera, edhe kjo praktikë ishte kopjuar nga Bashkimi Sovjetik. Enveri kopjonte Stalinin. Ne fëmijët e brezit tonë ishim mësuar të shihnin fotografitë e zmadhuara të Stalinit, të rrethuar nga pionierët e gëzuar sovjetikë me rastin e Vitit të Ri si edhe në manifestimet e mëdha në Sheshin e Kuq. Edhe Enveri në manifestimet e 1 Majit në Bulevardin kryesor të Tiranës, në përfundim të tyre, priste dy pionierë të lumtur që i dhuronin atij një tufë me lule.
Si çdo fundviti, edhe më 31 dhjetor të vitit 1953, pionierët e Tiranës, midis tyre edhe unë dhe shoku im i shkollës, u rreshtuam në sallën kryesore të Pallatit të Brigadave, duke pritur ardhjen e Komandantit. Ishim veshur me kostumin e pionierit, pantallona të shkurtra blu, këmisha e bardhë dhe shalli i kuq në qafë. Ishim udhëzuar të thërrisnim e brohorisnim, por jo me histerizëm, sikurse u bë modë në vitet e mëpastajme. Gjatë viteve të Luftës, emri i Enver Hoxhës nuk ishte mjaft i njohur në popull. Nëntë vite që nga mbarimi i saj, ishin ende pak për t’i krijuar atij atë kult personaliteti, që do ta identifikojë atë më vonë me të gjithë diktatorët e vjetër e të rinj.
Takimi im si pionier i dalluar me Enver Hoxhën, në ‘Pallatin e Brigadave’!
Enver Hoxha erdhi i qeshur midis nesh. Pionierët e rrethuan. Ende nuk kishte një protokoll strikt, që të përcaktonte cili nga ne do t’i afrohej atij, cili do ta përqafonte, cili do ta zinte për dore për të bërë disa hapa me të, e kështu me radhë. Në një moment, krejt pa pritur, dikush nga organizatorët e takimit, tha se salla fqinje ku ishin shtruar tryezat me pasta e fruta, ishte hapur. Pionierët e harruan Komandantin dhe u sulën me zhurmë në drejtim të sallës së pastave. Me Komandantin mbeti Piro Topore që e kishte kapur për dore dhe unë, që doja të isha në vendin e tij, por që u kënaqa me kapjen për dore të Piros. Enver Hoxha, pasi bëri edhe disa hapa me ne, na tha duke qeshur, që të shkonim atje ku ishin tashmë të gjithë të tjerët. Në mbarim të festës të gjithëve na u dhurua një copë stofi për të bërë një pallto dhe, djemve nga një top i vogël llastiku, ndërsa vajzave nga një kukull prej gome.
Vite më vonë e kam kujtuar gjithnjë këtë mbrëmje jo nga mbresat që më la takimi me Komandantin, por nga braktisja aq e natyrshme që i bënë pionierët atij. Askush nuk u shqetësua, nuk e quajti anormale këtë mënyrë veprimi. Kur Enver Hoxha do të bëhej “udhëheqësi i madh dhe i dashur i popullit shqiptar”, diçka e ngjashme, po të ndodhte, do të shihej si herezi, komplot e tradhti kundër “popullit, Partisë e atdheut”. Kjo do të thotë se në një rast të tillë, do të kërkoheshin e dënoheshin frymëzuesit dhe organizuesit, “armiqtë e brendshëm e të jashtëm”, që patjetër ishin gjithnjë të vetmit organizatorë të bëmave e të gjëmave të tilla.
Vite më vonë Enver Hoxha do të meritonte dhe miratonte tërë ceremonialin dhe protokollin e fryrë, servil, anakronik të oborreve perandorake dhe princërore feudale. Paraqitja e tij në oborrin e kupolës komuniste dhe në publik, do të shoqërohej gjithnjë me hosanara e përulje, me lavde e tituj, që vetëm konkurronin për t’i rritur atij lavdinë madje edhe në shkallë planetare. Asnjë udhëheqës botëror nuk mund të krahasohej me të për meritat dhe zgjuarsinë, për guximin e trimërinë! Ai ishte komandant i një ushtrie të lavdishme dhe i një Partie heroike! Askujt nuk i’u kënduan kaq këngë nga populli, nga fatosa e pionierë, në male e në fusha, në çdo strehë e në çdo zemër! Askujt nuk iu thurën kaq vargje, nuk iu kompozuan kaq këngë e himne sa atij. Zoti u harrua, madje me dekret shtetëror Enver Hoxha e nxori atë “në pension”. Vetë u deklarua jo thjesht mëkëmbës i tij, por i Plotfuqishmi që do të vendosë për rolin e Shqipërisë si “fanar i socializmit në Europë”, që do t’u ndriçojë rrugën edhe aspiratave dhe fateve të proletariatit dhe të popujve në mbarë botën!
Dy miq të e mi belgë, Annë dhe Mark, më kanë ftuar para disa vitesh së bashku me gruan time, Desin, për të kaluar disa ditë në shtëpizën e tyre në Casa Kruz të Portugalisë. Annë ka banuar disa kohë në Portugali dhe ka marrë pjesë në revolucionin antifashist, që përmbysi diktaturën e Salazarit. Një mik i saj dhe i Markut, Kamilo, një figurë antifashiste e njohur e kohës, drekoi së bashku me ne një ditë në një restorant popullor. Kamilo, për të tërhequr vëmendjen e opinionit ndërkombëtar ndaj dhunës që ushtronte diktatura salazariste në vend dhe në kolonitë portugeze të kohës, rrëmbeu një anije në det të hapur. Një film artistik i është kushtuar këtij gjesti heroik të tij. Atëhere ai ishte një djalë i ri plot energji. Tani ishte i moshuar, disi i plogësht. Si revolucionar antifashist që ishte e pyeta nëse kishte dëgjuar në rininë e tij për Enver Hoxhën dhe ç’mendim kishte. Kamilo më tha thjesht se: Enver Hoxha ka qenë një i çmendur si të gjithë të çmendurit që mendojnë se kanë zëvendësuar Zotin!
Duke e ndjerë veten Zot, Enver Hoxha do të botojë edhe biblën e tij “Imperializmi dhe revolucioni”, që pretendonte të kishte “pasuruar” edhe Marksin edhe Leninin, pra të ishte fjala e fundit e shenjtë në teorinë marksiste-leniniste. Në të vërtetë propaganda e Partisë dhe shtypi shqiptar i kohës i janë referuar këtij botimi, kanë përdorur si argumente të padiskutueshme dhe si fakte citate të nxjerra nga “Imperializmi dhe revolucioni”. Është vepruar njëlloj si me Biblën dhe Kuranin në universitetet teologjike ose thjesht në literaturën e propagandën fetare, në kisha dhe xhamia.
Si munda të siguroja një ftesë në tribunën e 1 Majit, afër Enver Hoxhës?
Për herë të dytë kam qenë pranë Enver Hoxhës, kur isha shef i Sektorit të Jashtëm i “Zërit të popullit”. Kjo u bë e mundur nga shoku im Bardhyl Zekia, i cili punonte si instruktor në Komitetin e Partisë së Tiranës. Ai më dërgoi një ftesë për në tribunën e 1 Majit. Gjatë viteve të komunizmit, përjashto disa vite të fundit të tij, në Tiranë si edhe në qytetet e tjera të vendit, organizoheshin manifestime masive me rastin e 1 Majit, festës ndërkombëtare të proletariatit. Në Tiranë, me këtë rast, në bulevardin kryesor të qytetit, ngrihej një tribunë e përkohshme. Përpara saj, në një orë të caktuar fillonte parakalimi i mijëra e mijëra qytetarëve të detyruar të kalojnë plot entuziazëm përpara Enver Hoxhës etj., udhëheqësve komuniste. Enver Hoxha ishte i vetmi që kishte të drejtë të përshëndeste me dorë turmën, që nga lartësia e tribunës. Të tjerët duhet vetëm të buzëqeshnin.
Tribuna në vetvete ishte ndërtuar duke kopjuar shkallët e fituesve të një kampionati apo olimpiade, pra qendra ishte disi më e lartë dhe anësoret ishin në një nivel më të ulët. Në vendin më të lartë, aty ku në fund të veprimtarive sportive, hipin kampionët, qëndronte udhëheqja e Partisë dhe e shtetit. Në mesin e tyre ishte Enver Hoxha, si një super kampion. Në pjesët anësore të tribunës, pra në një nivel më të ulët, qëndronin të ftuarit, siç isha në këtë rast edhe unë. Para fillimit të manifestimit, Enver Hoxha kthehej një herë nga njëra anë e tribunës, pastaj nga ana tjetër dhe përshëndeste të ftuarit duke tundur krahun lart në hapësirë. Vitet e fundit ai e zëvendësoi përshëndetjen, e bëri më komuniste, filloi të përshëndesë me grushtin shtrënguar, si në vitet e Luftës, si për të treguar se ende jemi në luftë.
Nga festimet e këtij 1 Maji dhe nga ceremoniali i rastit nuk më ka mbetur në kujtesë diçka e veçantë. Koha mbajti mirë dhe si gjithnjë, në raste të tjera të ngjashme, pas përfundimit të paradës u pëshpërit formula: “Ja, porsa del shoku Enver në tribunë, hapet qielli. Porsa mbaron parakalimi dhe largohet ai, fillon rrebeshi dhe stuhia”! Kur qëllonte që për 1 Maj të bënte mot i keq dhe bulevardi të përmbytej nga ujërat, harrohej formula që hyjnizonte shokun Enver, heshtej.
Nga ky manifestim më ka mbetur në mendje diçka që mund të më kushtonte shumë shtrenjtë për tërë jetën. Unë kisha marrë me vete vajzën time, Borën, e cila ishte rreth tri apo katër vjeçare. Kam edhe një foto në albumin familjar ku jemi fiksuar unë dhe ajo me një fytyrë të tharët, drejtori i Agjencisë Telegrafike Shqiptare, shoku im Taqo Zoto dhe Gëzim Nushi, një djalë i qetë dhe i sjellshëm, që punonte edhe ai në Agjencinë Telegrafike Shqiptare. Fotoja është bërë para tribunës dhe para fillimit të manifestimit të 1 Majit. Më pas së bashku u ngjitëm në tribunë dhe ndoqëm parakalimin e punonjësve dhe të qytetarëve të kryeqytetit, që zgjati rreth një orë. Bora ndërkohë ishte mërzitur. Për të, kujtoj, entuziazmi i shfrenuar i parakaluesve që duhet të deklaronin dashurinë dhe besnikërinë e tyre të pakufishme ndaj Enver Hoxhës dhe Partisë, brohoritjet e tyre “Enver Hoxha, Enver Hoxha”, nuk kishin asnjë kuptim. Në një moment, në fund, kur turma, sikurse ishte bërë rregull, afrohet diçka më pranë tribunës së ruajtur nga Garda e Republikës dhe qëndronte aty palëvizur për rreth 1 minutë duke brohoritur “Enver Hoxha, Enver Hoxha!”, ajo nuk duroi më. Me zërin e saj të pafajshëm prej fëmije Bora tha: “Ooo, na mërzitën edhe këta – Enver Hoxha, Enver Hoxha”! Pranë meje në tribunë ishte shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare. Nuk e di nëse ai i dëgjoi fjalët e Borës dhe bëri sikur nuk i dëgjoi, apo me të vërtetë nuk i dëgjoi.
Mua më ra gjaku në fund të këmbëve. I buzëqesha atij, si për t’i thënë se “gjithçka është në rregull, gjithçka është nën kontroll”. Pastaj i tregova shuplakën time Borës dhe i thashë: “E shikon këtë? Të jap një shpullë e të hedh nga tribuna poshtë në bulevard”. Nëse fjalët e saj do të kishin rënë në veshë të këqij, askush nuk do të vinte në dyshim pafajësinë e saj prej fëmije. Askush nuk do të dyshonte se fjalët e saj ishin një përsëritje e atyre që ajo kishte dëgjuar për Enver Hoxhën nga të rriturit, nga prindërit në shtëpi, pavarësisht se e vërteta nuk ishte fare kështu. Duhet të ndjehem me fat që ajo nuk përsëriti fjalën “lugati”, siç thoshte sa herë që shihte portretin e Enver Hoxhës. Nuk mund të them përse tek ajo Enver Hoxha krijonte një ndjenjë të tillë. Në pamje të jashtme ai ishte një engjëll i vërtetë. Për krimet e tij, ajo as dinte gjë dhe as kishte dëgjuar gjë, së paku në familjen tonë besnike e komunizmit.
Enver Hoxha për vizitë te shtëpia e xhaxhait të nënës sime!
Pranë Enver Hoxhës jam ndodhur edhe në fillimet e vitit 1984, pra diçka më shumë se një vit para vdekjes së tij. Ai kishte ardhur për ngushëllime në familjen e ‘Heroit të Popullit’ Myslym Peza, xhaxhai i nënës time. Enveri ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Nexhmija, si edhe nga Ramiz Alia, i cili do ta pasonte atë në fronin e diktatorit.
Enveri e shfrytëzoi vdekjen e Myslym Pezës për të shkëmbyer disa fjalë me veteranët pezakë të Luftës, që kishin ardhur edhe ata për t’i shprehur ngushëllimet e tyre familjes së Myslymit. Ai i njihte pjesën më të madhe të pranishmëve, që nga koha e Luftës. Në një moment shikimi i tij qëndroi tek nëna ime. “Ti je vajza e Shyqyriut”, i tha ai nënës. Pas këtyre fjalëve, shikimi i tij u ndal tek një veteran, që ishte ulur përbri nënës time. Kjo do të thoshte, se ai nuk kishte dëshirë të shkëmbente ndonjë fjalë mirësjelljeje me nënën, ashtu siç kishte bërë deri në këtë moment me të tjerët, të cilëve u ishte drejtuar.
Enveri nuk kishte kujtime të mira nga babai i nënës, gjyshi im, Shyqyriu dhe, siç duket edhe pas 40 vitesh, atij nuk i kishte kaluar inati. Në vitet e Luftës, Shyqyriu nuk kishte pranuar të radhitet në një front me komunistët. Ai u vra në Luftë. Sipas versionit zyrtar komunist, ai u vra në përpjekje me forcat naziste të pushtimit. Zyrtarisht ai është kështu edhe ‘Dëshmor i Atdheut’. Sipas versionit jo zyrtar, ai është vrarë nga forcat partizane të veshura me uniformën e ushtarve nazistë. Mjaft dëshmi e fakte, por edhe sjellja pothuajse injoruese e diskriminuese e Enver Hoxhës ndaj nënës, më kanë bërë të besoj në versionin jo zyrtar të vrasjes së gjyshit tim, Shyqyri Pezës. dhe një letër e Koço Tashkos, një nga krerët komunistë të kohës, dërguar Internacionales Komuniste apo Kominternit në vjeshtën e vitit 1942, më duket se hedh dritë mbi të vërtetën.
Koço Tashko ishte dërguar nga Internacionalja Komuniste për krijimin e Partisë Komuniste në Shqipëri. Në letrën e tij, ai, mbasi bën mjaft kritika për punën e Partisë Komuniste Shqiptare, midis të tjerave shkruan: “Pra nuk duhet të çuditemi pse me 29 shtator, kur u atakua Peza prej fashizmit, katundarët në shumicën e madhe u treguan pasonjësit e Shyqyri Pezës, pjesa tjetër e Myslymit dhe asnjë i Partisë”! Partia duhet të largonte fshatarët nga Shyqyriu. Kjo bëhej duke e larguar atë nga kjo jetë. Meqë asnjë nuk afrohej me Partinë ata do të afroheshin me Myslymin. Partisë i mbetej të afronte Myslymin dhe kështu edhe fshatarësinë e Pezës, që ishte një vatër e zjarrtë e qëndresës antifashiste.
Koço Tashko, një komunist idealist, përfundoi burgjeve të diktaturës dhe vdiq më 30 prill 1984 në internim, në moshën 85 vjeçare, edhe si pasojë e kësaj letre. Unë kam njohur djalin e tij, Fredi Tashkon, kur ishim fëmijë. Së bashku, në vitin 1956, kemi qenë në rrethin e pilotëve në Shtëpinë e Pionierit në Tiranë. Rrethin e drejtonte një rus, një nga specialistët e shumtë rusë, që ndodheshin në ato vite në Shqipëri. Fredi ishte djalë mjaft i sjellshëm, i edukuar, i pastër. Së bashku kemi shkuar dhe kemi vizituar edhe shkollën e nxënësve rusë në Tiranë. Aty për herë të parë provova të punoj në një torno. Nuk ndjehesha i sigurt. Ndryshe ndjehej ai. Pas burgosjes së babait të tij, Koço Tashkos, Fredi përfundoi në internim. Më tej nuk di si shkoi fati i tij.
Nëna ime ishte veterane e Luftës, nga të rrallat gra me fëmijë, që kishin marrë armët për të luftuar pushtuesit. Babai i saj, sikurse e përmenda pak më sipër, u v ra në Luftë. Babai im, Selimi, gjithashtu ishte radhitur në formacionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Një motër e nënës, Myrvete Peza, së bashku me të fejuarin, ‘Heroin e Popullit’ Kajo Karafili, ishin vrarë në luftë. Xhaxhai im, Faik Trenova, ishte vrarë edhe ai në luftë në përpjekje me forcat e pushtimit nazist. Besoj se ishim ndër familjet e pakta, në mos e vetmja, që i kishte dhënë atdheut kaq dëshmorë të rënë në fushën e betejës. Nëna nuk e meritonte të trajtohej kështu publikisht nga Enver Hoxha, i cili asgjë, asnjë fjalë, asnjë gjest nuk e bënte pa një qëllim, pa një prapamendim.
Fjalët lavdëruese të Enver Hoxhës në adresën time, si gazetar i “Zëri i Popullit”!
Një ndërhyrje e menjëhershme “diplomatike” e Nexhmije Hoxhës bëri që Enveri të “vazhdonte” bisedën me nënën time edhe pse nuk i’u drejtua më asaj. Duke shikuar nga vendi ku ishte ulur nëna, Nexhmija i tha Enverit: “Ajo ka një djalë të mirë”. Unë në këtë kohë po qëndroja në këmbë në hyrje të dhomës ku ishin ulur Enver Hoxha dhe të tjerët, që kishin ardhur në shtëpinë e Myslym Pezës me rastin e vdekjes së tij. Pas Nexhmijes, ndërhyri edhe Ramiz Alia, i cili i tha Enverit emrin tim dhe tregoi nga unë. Enver Hoxha më tha se kishte lexuar artikujt e mi të botuar në “Zëri i popullit” dhe se i kishin pëlqyer.
“Ti’, më tha ai, ‘u ke ngulur gjemba atyre, bile jo gjemba por gozhdë u ke ngulur”. Artikujt e mi në “Zëri i popullit”, në pjesën dërmuese kanë trajtuar probleme, që dënonin politikën hegjemoniste të zotërve të Kremlinit si në planin e jashtëm, ashtu edhe në atë të brendshëm. Kështu, nënkuptohet se, sipas Enver Hoxhës, unë u kisha ngulur gozhdë atyre që në gjuhën e asaj kohe në propagandën zyrtare njiheshin si social-imperialistët sovjetikë apo social-shovinistët sovjetikë. Ishte ky një vlerësim shumë i madh, por që mua nuk më shërbeu kurrë. Në të vërtetë unë kisha disa javë tashmë që isha larguar nga “Zëri i popullit” dhe kisha nisur punën në Degën e Botimeve, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Këtë gjë ia tha Enver Hoxhës, djali i Myslym Pezës, shoku im i fëmijërisë, Partizan Peza, i cili ishte edhe ai punonjës i kësaj Drejtorie.
Pata përshtypjen se, pas fjalëve të Partizanit, Enver Hoxha në heshtje kërkoi një sqarim, përse unë isha larguar nga “Zëri i popullit.” Ramiz Alia, siç duket, e kuptoi atë dhe duke folur për mua i tha: “ Bashkimi ka punuar mirë në gazetë dhe në Arkiv e kemi dërguar për mirë”. Në Arkivin e Shtetit unë, në të vërtetë, nuk isha dërguar aspak për mirë, megjithëkëtë aty nuk ishte as vendi dhe as koha për të diskutuar përse isha larguar nga “Zëri i popullit” dhe përse kisha përfunduar në Arkivin e Shtetit. Enver Hoxha vazhdoi bisedën, duke folur për rëndësinë e arkivave në jetën e një populli. Njohuritë e mia në fushën arkivore, ishin ende mëse fillestare. Fjalët e Enver Hoxhës më lanë të kuptoj se ai ishte njeri me kulturë të gjerë edhe në këtë fushë. Unë, ndërhyra në ndonjë rast gjatë bisedës së tij duke dhënë ndonjë mendim për botimet arkivore. Ai dëgjonte i qetë dhe vazhdonte bisedën.
Dy apo tri muaj më pas, në mos gaboj, do të kisha rastin të kuptoja se Enver Hoxha pavarësisht se jepte mendime si një specialist i arkivave dhe si një njohës i thellë i tyre, në të vërtetë njohuritë e tij në këtë fushë ishin, së paku, jo të plota. Këtë gjë e kuptova jo se unë gjatë këtyre dy-tri muajve u bëra një specialist i arkivave, por nga një rrethanë krejtësisht e rastit.
Në majin e vitit 1984 Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit, organizoi një Sesion Shkencor në një nga sallat e Muzeut Historik Kombëtar. Zakonisht, në raste të tilla, në konferenca e seminare apo sesione shkencore, në muret e sallës ku organizoheshin këto veprimtari, vendoseshin citate të nxjerra nga fjalimet apo veprat e botuara të Enver Hoxhës. Unë i rekomandova drejtorit të Arkivit të Shtetit, Thoma Murzakut, që të kërkonte nga Arkivi i Komitetit Qendror të Partisë, një kopje të bisedës që bëri Enver Hoxha në shtëpinë e Myslym Pezës, ku foli edhe për arkivat. E dija se biseda ishte regjistruar. Në të vërtetë, në çdo rast, çdo fjalë e Enver Hoxhës regjistrohej për t’u botuar më vonë në veprat e tij apo për t’iu transmetuar brezave dhe historisë.
Pas kërkesës që i’u bë Arkivit të Komitetit Qendror, në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, arritën gjashtë kopje të daktilografuara nga biseda e Enver Hoxhës. Një kopje m’u dha edhe mua. Ende pa filluar punën me to, pas dy apo tri orësh, Thoma Murzaku më thërret dhe më thotë se: nga Komiteti Qendror i Partisë, kërkonin që t’ua kthenim të gjitha kopjet që na kishin dërguar. Ne duhet të qëndronim në pritje të kopjeve të tjera, që do të na arrinim më pas. Në të vërtetë ato nuk vonuan shumë, por nuk ishin më as si të parat dhe as mjaft të ngjashme me to. Një specialist i vërtetë i arkivave, kishte vënë dorën e tij mbi fjalët e Enver Hoxhës. Ne do të përdornim mendimin e tij, si mendim të Enver Hoxhës, këtij enciklopedisti dhe gjiganti të mendimit filozofik, ideo-politik, ekonomik, financiar, sportiv, artistik, arkivistik etj., etj.! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016