Nga Bashkim Trenova
Pjesa e tridhjetë e katër
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
Servilët që mbrojtën drejtorin Murzaku, në mbledhjen që zgjati 12 orë !
I pari, pas Thomait, e mori fjalën Minella Gjenerali. “Shoku Thoma’, tha ai, ‘është një komunist i mirë. Bashkimi është punëtor, shok i mirë, por ka rënë në vocërrima, i sheh të zmadhuara gabimet e të tjerëve. Shoku Bashkim ka shumë mundësi të marrë një pozicion tjetër nga ai që ka”. Pas tij foli Adrian Banushi. “Shumë gjëra janë edhe me tendencë’, tha ai. ‘Ato që thuhen në letër nuk qëndrojnë. Të mos bëhen vërejtje me qëllime denigruese e qëllime të ulta…! Ka vetëm vështirësi të rritjes…! Këta shokë nuk e kanë të drejtë. Janë mendime ekstremiste”. Më pas tonet vijnë duke u rënduar. Gjergj Çaprazi, lëshoi kushtrimin: “Të mbajmë qëndrim. Këta shokë të gjithë hedhin baltë. Duhet mbajtur qëndrim deri në vërejtje për këta shokë, vërejtje për thashë e theme. Bashkimi është viktimë, për atë rezervohem, për të tjerët jo”.
Gjergj Çaprazi ishte njohur me Thoma Murzakun vite të kaluara në Burrel ku punonin në atë kohë. Thomai, pasi ishte emëruar drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, kishte bërë të mundur punësimin e Gjergjit në këtë Drejtori, pra largimin e tij nga Burreli, kthimin e tij në kryeqytet. Pasi e la disa vite si kryetar i Degës së Inspektimit, pra në një detyrë me shërbime të shumta kudo në Shqipëri, Thomai e emëron atë si kryetar i Degës së Kuadrit. Gjergji u lirua kështu edhe nga shërbimet e shumta, që bënte në krahina të ndryshme të Shqipërisë. Ai nuk mund të mos i ishte borxhli Thomait për nderet që i ishin bërë.
Gjergji, më duket, ishte ngarkuar që të jepte orientimin e diskutimeve të më pasme. Kështu, Ariana Nikolla, përsëriti propozimin e Gjergjit për vërejtje. Për Thomain ajo thotë: “Drejtori të pranojë ato që i duken të drejta”. Sekretarja e Thomait, Natasha Koja, diskutoi edhe ajo në linjën e Gjergjit. Një tjetër shoqe komuniste, Nedrete Xhaja, të cilën e kisha patur edhe shoqe gjimnazi, në diskutimin e saj tha: “Shoku Thoma më ka nxitur që të ec përpara… S’më vjen mirë të shqetësohet shoku Bashkim për këto probleme. Jemi bërë qesharakë….Nuk kam asnjë vërejtje për shokun Thoma…Drejton për bukuri”. E vërteta është se Thomai, i kishte siguruar Nedretes një qëndrim disa mujor në Austri, për t’u specializuar në fushën e restaurimit të dokumenteve. Nedretja duhej të ishte mirënjohëse ndaj tij. E vërteta është se pas kthimit nga specializimi ajo, në përpjekjet për të restauruar një kodik mesjetar, e gjymtoi atë barbarisht, duke prerë kapakët dhe fletët e tij. Kjo gjë asaj nuk i’u përmend asnjëherë nga Thomai. Ajo duhej pra sërish t’i ishte mirënjohëse atij.
Nga komunistët e organizatës bazë, fjalën e fundit e tha Reshat Alia. Sipas tij, ata që kishin guxuar të kritikonin Thoma Murzakun, ishin “burracakë” dhe kishin treguar “fytyrën e tyre të vërtetë”. Reshati e mbylli fjalën e tij duke thënë: “Punët shkojnë mirë në institucionin tonë. Duhet respektuar e çmuar Thomai”.
Pyetja ime për drejtorin, pse kishte larguar nga Arkivi tre specialistët më të mirë?!
Dukej qartë se si do të përfundonte kjo mbledhje. Në një pushim, e pyes Mihallaq Pelen, punonjës i vjetër i Arkivit të Shtetit, një ndër specialistët më të mirë të institucionit, se çmendonte ai? Mihallaqi ishte i vetmi komunist që u shpreh kundër masës së propozuar për mua dhe tre komunistët e tjerë nga Gjergji. Ai ishte i vetmi që gjatë diskutimeve, nuk foli vetëm për “meritat” e Thoma Murzakut, por edhe për mangësitë e tij. Mihallaqi më foli hapur. “Nuk do të mbarojë mirë kjo mbledhje”, më tha ai.
Në të vërtetë ajo përfundoi shumë keq. Gëzim Dobrovoda bëri vetëm një pyetje. Në diskutimin tim, përveç të tjerave, unë kisha thënë se Thoma Murzaku, për hakmarrje kishte larguar disa specialistë nga Arkivi i Shtetit. Gëzimi pyeti për emrat e tyre. Përmenda emrat e Partizan Pezës, Nezir Batos dhe Nevila Nikës. Të tre njiheshin si kritikues të vazhdueshëm dhe afatgjatë të drejtorit të institucionit, Thoma Murzaku. Të tre ishin specialistë dhe arkivistë të kompletuar, njohës të mirë të arkivave dhe të punës arkivore. Partizan Peza ishte, besoj, i vetmi në Shqipëri që kishte studiuar jashtë shtetit për arkivat. Nezir Bato, ishte nga dy apo tre personat që ishin dërguar për studime jashtë shtetit për të përvetësuar osmanishten. Në Arkivin e Shtetit kishte një pasuri dokumentare me mjaft vlerë në këtë gjuhë. Nevila ishte punonjëse e vjetër e Arkivit të Shtetit, përgjegjëse Sektori, tepër e sistemuar në njohuritë e saj.Fakti është se pas disa vitesh ajo do të bëhet drejtuesja kryesore e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Së paku këtu gjërat ishin konkrete.
Thomai ishte i zbuluar e nuk mund të mbrohej. Kështu më dukej mua. Në të vërtetë doli se për ekipin e kontrollit të Komitetit Qendror të Partisë, edhe këtu Thomai nuk ishte përgjegjës. Haxhire Xhani, pasi u ngrit në këmbë dhe bëri një lëvizje të fundit, sikur donte të ngrinte më lart brekët që i kishin rrëshqitur disi më poshtë se ç’duhej, lëshoi një pyetje që as donte përgjigje. “Po ju si organizatë, ç’bëtë, tha ajo. Si del drejtori mbi organizatën?” Përgjegjës pra, gjithsesi, ishim ne komunistët, organizata dhe jo Thomai. Pasi e rrotulloi edhe një herë fundin e saj majtas e djathtas, duke synuar gjithnjë që ta ngrejë atë më lart, Haxhire Xhani zgjati dorën mbi tavolinën e punës së Thoma Murzakut dhe mori aty një fletë që, fitimtare e kërcënuese, na e tregoi të gjithëve. Kjo, tha ajo, është një fletë-lavdërimi e firmosur nga Nexhmije Hoxha. Shoqja Nexhmie vlerësonte dhe falenderonte Thoma Murzakun, për ndihmesën e çmuar që ai kishte dhënë në ngritjen e Muzeut “Enver Hoxha”, pra të asaj që njihet në popull si “Piramida” e Enver Hoxhës. Gjithçka ishte mëse e qartë. Të deleguarit e Komitetit Qendror i tregonin kështu organizatës, se të prekësh Thoma Murzakun, do të thoshte të prekje të paprekshmen, vetë të venë e diktatorit!
Vendimi i organizatës, për dënimin tim, me largim nga Arkivi!
Pas këtyre fjalëve, mua m’u kërkua që të reflektoja dhe të bëja autokritikë. Tjetër, nuk do të merrej masë ndaj meje, pra Partia do të tregohej e gjerë me mua. Në fakt, po të pranoja këtë gjë, unë do të dilja para kolektivit si një frikacak, njeri pa dinjitet, pa integritet, si një oportunist, llafazan e intrigant. Më kërkohej të bëja tregti me gjithçka kisha patur më të shtrenjtë. Kërkonin të më denigronin. Kështu do të ndjeheshin të sigurt edhe në të ardhmen. Mendimi dhe fjala ime do të ishin të “burgosur kondicionelë”. Nuk pranova të bëja atë që m’u kërkua. Si përfundim Bujar Hoxha, Aleks Kume, Hafsa Krutani dhe unë, u ndëshkuam nga organizata bazë e Partisë, me masën “vërejtje në kartën e regjistrimit” të anëtarit të Partisë. Më pas Byroja e organizatës vendosi që kësaj mase, t’i shtojë edhe një tjetër, largimin tonë nga Arkivi Qendror i Shtetit. Masa e dytë as u diskutua në organizatën bazë të Partisë.
Sipas sekretarit të organizatës, Kristaq Teneqexhiut, byrosë i ishte dhënë orientimi që ajo të mos e diskutonte këtë gjë në organizatë, por vetëm të bënte një komunikim formal. Me sa më kujtohet, pas tri apo katër ditësh, u mblodhën të gjithë punonjësit në sallën e madhe. Aty u komunikua vendimi që kishte marrë organizata dhe Byroja e saj ndaj katër komunistëve të institucionit. Në sallë pati një reagim të përgjithshëm mos aprovues. Disa vetë donin të pyesnin dhe të diskutonin. Sekretari i organizatës, Teneqexhiu, u tha punonjësve se ata nuk ishin mbledhur për të bërë pyetje e diskutime, se ata gjendeshin aty vetëm për të dëgjuar vendimin e organizatës bazë të Partisë. Haxhire Xhani dhe Gëzim Dobrovoda, kishin thënë më parë se nëse do të kërkohej të ketë diskutime në kolektiv, të kërcënohet kolektivi!
Unë e ndjeja veten të dërmuar. Ndjeva njëlloj kënaqësie nga reagimi i kolektivit sikurse ndjeva një ç’gënjim të plotë nga ajo që unë i kisha besuar si një ikone, nga Partia e Punës. Kjo, jo sepse unë po dënohesha, sepse mund të dënohesha me të padrejtë dhe këtë edhe do të mund ta pranoja duke ditur se askush nuk është i pagabueshëm, pra as udhëheqësit e Partisë, që identifikoheshin me vetë Partinë. Në propagandën e saj të fuqishme, Partia e Punës dhe udhëheqësit e saj deklaronin se: “Ç’don populli bën Partia dhe ç’thotë Partia bën populli”. Tani popullit praktikisht i mbyllej goja, populli kërcënohej. Partia nuk dëgjonte se ç’donte populli dhe populli nuk donte të bënte atë që thoshte Partia. Më duket se në mendimin tim po formoheshin dy kampe. Njëri më dënonte, më largonte nga puna, më kërkonte t’i shërbeja si një skllav i lashtësisë, pra kampi i dominimit, frikës dhe kërcënimit. Tjetri, edhe pse dukej i pafuqishëm, i pakristalizuar, kërkonte të më mbronte, më shihte si një nga të tijtë.
Në praktikën e Partisë së Punës të Shqipërisë, ishte që edhe dënimi i armiqve të saj më të rrezikshëm, bëhej objekt diskutimi në qendrat e punës, në shkolla e në lagje. Partia kërkonte gjithnjë të manifestohej solidariteti i popullit me dënimet ekstreme, kapitale që u ishin dhënë, për shembull, ish- anëtarit të Byrosë Politike dhe ministër i Mbrojtjes, Beqir Ballukut, ish-anëtarit të Byrosë Politike dhe ministër i Brendshëm Kadri Hazbiu, ish-zëvendëskryeministrave dhe anëtarëve të Byrosë Politike, Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, ish- numrit dy të regjimit, kryeministrit Mehmet Shehu, mjaft gjeneralëve të ushtrisë etj., etj. Partia luante kështu farsën e demokracisë. Populli, punonjësit merrnin pjesë në këtë farsë me dashje ose pa dashje, përgjithësisht indiferentë, ndonjëherë edhe të gëzuar. Në fund të fundit në të gjitha këto etj., raste të ngjashme, diktatura lante hesapet brenda gjirit të saj. Për popullin ishte njëlloj nëse një emër i kupolës zëvendësohej me një tjetër, nëse dikush nga udhëheqja e lartë e Partisë dhe e pushtetit internohej ose shpallej besnik i diktatorit, nëse burgosej, ekzekutohej ose deklarohej hero. Në lukuninë e ujqërve, të tërë ishin njëlloj.
Bujari, Hafsaja, Aleksi dhe unë nuk ishim as armiq të Partisë dhe as armiq të pushtetit. Ne, në vetvete, nuk përfaqësonim asnjë rrezik minimal për Partinë, ishim larg, shumë larg ambicieve, intrigave, kurtheve të oborrit partiak, ishim katër komunistë të thjeshtë, katër punonjës në një institucion që nuk kishte ndonjë interes për shumicën dërmuese të qytetarëve shqiptarë, një institucion ekzistenca e të cilit as njihej, madje, nga kjo shumicë. Ngjarjet në Arkivin e Shtetit, megjithëkëtë, mund të bënin të flitej për të në opinionin shqiptar, mund ta nxirrnin këtë institucion nga “arshivimi”. Kjo gjë, ndoshta, nuk i interesonte Partisë. Kjo mund të jetë një nga arsyet përse u vendos që në kolektiv të mos diskutoheshin, por vetëm të komunikoheshin masat ndëshkimore që u dhanë ndaj Aleksit, Bujarit, Hafsasë dhe meje. Drejtuesit e institucioneve ishin njerëzit e saj më të besuar. Për pasojë, goditja e tyre, qoftë edhe me ndonjë kritikë, sidomos kur kritikat nuk do të ndërpriteshin për vite të tëra, nuk mund të ishte e mirëpritur. Ishte Partia autoriteti i vetëm që vendoste për emërimin apo ç’emërimin e një drejtori. Ajo nuk mund ta delegonte këtë autoritet, sepse ai ishte pjesë e pushtetit të saj. Të mirën dhe të keqen, të moralshmen dhe të pamoralshmen, mikun dhe armikun, aleatin dhe kundërshtarin, atë që duhej shpërblyer dhe në ç’masë si edhe atë që duhej ndëshkuar dhe në ç’masë, të gjitha i vendoste Partia.
Më duket se vendimi arbitrar për t’ua mbyllur gojën punonjësve të Arkivit të Shtetit dhe mos hezitimi për ta deklaruar hapur me nxitim atë, tregonte edhe një shqetësim të atyre që e morën këtë vendim. Vendi marrësit e njihnin realitetin në Arkivin e Shtetit. Ata e dinin se punonjësit e tij mund të solidarizoheshin formalisht me çdo dënim, qoftë edhe kapital, që mund të jepte Partia për anëtarët e kupolës së kuqe. Ata e dinin gjithashtu se ndëshkimi që u ishte dhënë katër kolegëve të tyre, thjesht sepse kishin guxuar atë që guxonin edhe vetë ata, thjesht sepse kishin thënë atë që kishin qenë dhe ishin të gatshëm ta thonin sërish ata, nuk do të kalonte kurrsesi me një solidarizim formal dhe as me një heshtje nga frika. Gjendja në Arkivin e Shtetit ishte e tensionuar, ndoshta edhe disi e veçantë. Arkivi i Shtetit mund të bëhej ndoshta edhe një model për të tjerët. Ja përse aty as u tentua të luhej farsa e demokracisë. Ja përse aty regjimi nuk ngurroi të tregohet ashtu siç ishte, brutal e arrogant.
Artikulli “Ramizi, Nexhmija dhe Krushqia” që nuk m’u botua te “RD”ja në ’91-in?!
Afërsisht dy vite më pas, kur u largova vetë nga Arkivi i Shtetit për të punuar në gazetën “Rilindja Demokratike”, lidhur me sa më sipër, kam shkruajtur një artikull me titullin: “Ramizi, Nexhmija dhe Krushqia”. Në ato fillime kryeredaktor i “Rilindjes Demokratike” ishte Frrok Çupi. Ai kishte botuar në faqet e kësaj gazete një shkrim me titullin: “Përse nuk çahet blloku”?! Shkrimi ishte i guximshëm për kohën dhe u prit shumë mirë nga lexuesit. Frroku tregonte se si ishin të lidhur me krushqira ose lidhje fisnore anëtarët e kupolës komuniste në Shqipëri, që jetonin në një lagje të veçuar të njohur me emrin “Blloku”. Ai tregonte kështu diçka të ditur, por që nuk thuhej deri atëherë me zë të lartë, pra se udhëheqja e Partisë së Punës ishte një grupim klanor e fisnor, që me radhë të shtrënguara mbronte interesat e saj, interesat e klanit. Frroku kërkoi një ditë nga ne, kolegët e tij, që të mos e linim vetëm, por të angazhoheshim edhe ne në tema apo subjekte të ngjashme. Ja përse e shkruajta edhe unë artikullin për “Bllokun”.
“Ramizi, Nexhmija dhe Krushqia”, u miratua prej Frrokut si kryeredaktor, u dërgua në shtypshkronjën e “Poligrafikut” ku u shtyp, u bënë edhe korrekturat e nevojshme dhe u radhit në faqe. Megjithëkëtë, ky artikull nuk u botua. Frroku më tha se do ta botonim në numrin e ardhshëm të “Rilindjes Demokratike”, por ai artikull nuk u botua asnjëherë. Nuk e di arsyen përse!? Të gjithë artikujt që kam shkruar për “Rilindja Demokratike”, më janë botuar pa asnjë pengesë. Përjashtimi i vetëm ishte “Ramizi, Nexhmija dhe Krushqia”!
Kërcënimi që më bëri në Komitetin Qendror, Haxhire Xhani!
Pas mbledhjes së organizatës, Thoma Murzaku dhe ata pranë tij filluan, të tregohen edhe më të papërmbajtur, edhe më agresivë. Tani ata kishin bekimin e hapur të Partisë, vepronin ashtu siç i kishte mësuar Partia. Dy apo tri javë më pas, Haxhire Xhani më thërriti në takim në Komitetin Qendror të Partisë. Ajo më foli ashtu si një patrone bordelli, mund të flasë me një rrugaç ordiner. Sipas saj, në Komitetin Qendror kishin informacion se unë, i pakënaqur nga masa që më ishte dhënë nga organizata e Partisë, po takoja njerëz poshtë e lart dhe po flisja ashtu siç nuk duhej, pra po merresha me shpifje e thashë e theme! Asgjë të vërtetë nuk kishte në fjalët e saj, por kjo gjë nuk e pengoi atë të më bëjë një paralajmërim serioz, më saktë një kërcënim serioz. Ajo më tha se Partia mund të shkonte më tej, mund ta thellonte masën ndaj meje nëse unë do të vazhdoja në rrugën që kisha nisur. Partia, siç duket, nuk ndjehej mirë me masën që më ishte dhënë, ndoshta ishte treguar tolerante me mua!
Në të vërtetë në atë kohë jam ndjerë keq si asnjëherë tjetër në jetë. Nuk më shkohej më në punë, por nuk mund të mos shkoja. Mbyllesha brenda me çelës në zyrën time dhe shtrihesha mbi tavolinë sepse nuk mund të qëndroja as ulur e as në këmbë. Në këtë gjendje i kam kërkuar një kolegut, Eduard Zaloshnjes, që të më ndihmonte. Bashkëshortja e tij ishte mjeke për sëmundjet e zemrës në Spitalin Civil të Tiranës. I thashë Eduardit të bisedonte me të shoqen, ta pyeste atë nëse mund të më shtronte disa ditë në Spital, sa të merrja pak forcë? Eduardi u tregua i gatshëm, por njëkohësisht më këshilloi të mos e bëja këtë gjë sepse, sipas tij, kështu unë do t’u jepja “armë” kundërshtarëve të mi. E pranova arsyetimin e tij. Për të gjetur një “zgjidhje” i kërkova Drejtorisë së institucionit, që Dega që drejtoja të shkrihej me një tjetër. Kështu unë do të isha në një funksion më të ulët, por nuk do të isha më anëtar i Drejtorisë dhe kjo gjë do të më shmangte takimet me Thoma Murzakun. Kërkesa ime u miratua. Për herë të parë pas shumë kohësh, unë e Thoma Murzaku ishim të të njëjtit mendim. Më pas ai i kërkoi Minella Gjeneralit, shefit të administratës, që edhe zyrën time ta zhvendoste në një godinë tjetër, larg asaj ku ishte zyra e tij. Edhe këtu të dy ishim të të njëjtit mendim.
Më 23 qershor 1989, pra rreth gjashtë muaj më pas, në një mbledhje të organizatës bazë të Partisë, mua m’u kërkua që të trajtoja “me theks më autokritik e më të thellë gabimet”, për të cilat edhe isha ndëshkuar së bashku me tre shokë të tjerë komunistë. Nuk i’u përgjigja kësaj kërkese. Atëhere organizata vendosi të më lerë një afat kohe, deri në mbledhjen e ardhshme të saj, që do të mbahej me 10 korrik. Për tu përgatitur për mbledhjen e 10 korrikut, i kërkova sekretarit të organizatës, Kristaq Teneqexhiut, të më jepte mundësinë të konsultohesha me proces-verbalet e mbajtura në mbledhjet e mëparshme të organizatës. Siç do të mësoja me këtë rast, në Arshivën e organizatës nuk gjendej asnjë vendim apo kopje vendimi për masën ndëshkimore që më ishte dhënë, asnjë protokoll për mbledhjen që vendosi ndëshkimin e katër komunistëve, asnjë gjurmë kush e propozoi dhe si u muarr vendimi për largimin tonë nga Arkivi i Shtetit. I gjithë dokumentacioni përkatës ishte zhdukur. Për të fshehur këtë të vërtetë, për të fshehur përse kishte ndodhur kështu, pa humbur kohë, Byroja organizoi menjëherë një mbledhje të jashtëzakonshme të organizatës. Aty mu bënë një sërë kritikash si mendjemadh, kapriçioz, përçarës i unitetit…! Thoma Murzaku kërkoi nga unë që të reflektoj jo më vetëm për gabimet e vjetra, por edhe për gabimet e reja…! Ai konkludoi me fjalët: “Bashkimi i ka bërë dëme të mëdha shtetit”.
Letra ime për Piro Kondin, sekretarin e parë të Komitetit të Partisë së Tiranës!
Duke parë se si po rrokulliseshin ngjarjet, më 3 korrik 1989, i nisa një letër Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë së Tiranës, Piro Kondit. Pasi i tregova shkurt për mbledhjen e organizatës dhe presionet që m’u bënë për të tërhequr ato që unë i quaja si “kritika parimore”, në letër theksova: “Kjo do të ishte jashtë ndërgjegjes sime si komunist, jashtë karakterit tim si qytetar. Këtë unë nuk do ta bëj cilido qoftë çmimi, pasi kam vepruar me bindje të plotë”. Më poshtë i kërkova atij që në mbledhjen e ardhshme të organizatës, ku pritej kryqëzimi im, “të marrë pjesë edhe një i deleguar nga Komiteti i Partisë i Rrethit”.
Nuk e di nëse Piro Kondi e ka lexuar letrën time. Besoj se po. Në mbledhjen e organizatës të datës 10 korrik, sidoqoftë, nuk erdhi asnjë i deleguar nga Komiteti i Partisë së Tiranës. Ky qëndrim është i kuptueshëm edhe po të jetë se Piro Kondi e kishte lexuar letrën, që i kisha dërguar. Ai, sigurisht, ishte në dijeni të vendimeve që kishte marrë organizata nën presionin e Haxhire Xhanit dhe të Gëzim Dobrovodës. Ai nuk mund të dërgonte në Arkivin e Shtetit, pas disa muajsh, një të deleguar për të konstatuar se si ishte e vërteta, kush i kishte krijuar problemet në këtë institucion. Piro Kondi nuk mund t’u kundërvihej atyre që kishin dërguar Haxhire Xhani dhe Gëzim Dobrovodën, Nexhmijes dhe Ramizit. Mundet që ai t’ua ketë ulur pak vrullin atyre që po shpejtonin të lanin përfundimisht llogaritë me mua. Fakti është se ndaj meje në mbledhjen e 10 korrikut, organizata nuk ma shleu masën që më kishte dhënë, siç ishte rregulli,(pas gjashtë muajsh nga marrja e një mase bëhej kërkesa për shlyerjen e saj), por ajo as nuk mori ndonjë masë të re ndëshkimore sikurse pritej.
Në rrethanat e krijuara unë mendova se do të ishte e dobishme të bëheshin të njohura në shtyp pisllëqet e grumbulluara prej vitesh në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Shkruajta një artikull dhe u nisa për në redaksinë e “Zërit të popullit”. Mendoja se po të botohej artikulli, forca e opinionit do t’i detyronte mbrojtësit e Thomait, që ta braktisnin atë. Për mua botimi i artikullit ishte shpresa e fundit. Takova Pavllo Gjideden. Ky ishte një nga gazetarët e vjetër të “Zërit të popullit”. Ai kishte botuar herë pas here artikuj kritikë edhe për kuadro drejtues, i pëlqente edhe të rrezikonte. Pavllo ishte dakord që ta paraqiste për botim artikullin tim. Kështu edhe bëri, por pa rezultat. Në Kolegjiumin e redaksisë nuk u miratua botimi i tij.
Unë, gjithsesi, nuk hoqa dorë nga përpjekjet për botimin e artikullit. Pas “Zërit të popullit” shkova në redaksinë e gazetës “Tirana”. Kështu më duket se quhej. Gazeta ishte organ i Komitetit të Partisë së Tiranës. Kryeredaktore e saj ishte Nadia Xheblati. Në redaksi takova Zef Lleshin, gazetar i saj, me të cilin kam punuar disa vite radhazi më pas në “Rilindja Demokratike”. Bisedova me të dhe ai u tregua i gatshëm që ta paraqiste për botim artikullin. Subjekti i’u duk ngacmues. Edhe “Tirana” nuk e botoi artikullin. Kryeredaktorja kishte biseduar me Piro Kondin për botimin e tij. Piro Kondi nuk kishte qenë dakord. Ai kishte porositur Nadian, të ketë kujdes se në Arkivin e Shtetit “janë disa ngatërrestarë”. Terminologjia ishte po ajo që kishte përdorur edhe Haxhire Xhani. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016