Nga Bashkim Trenova
Pjesa e tridhjetë e një
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturg dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
Largimi për në Francë si azilantë politik i koleges së Radios, Jolandës, me bashkëshortin Robert Papavrami!
Në vitet e punës në Radio kam njohur edhe dy motrat e Donikës, Natashën dhe Jolandën. Natashën e kam njohur nëpërmjet Renée Anderson, e cila punonte në Radio për përgatitjen e emisioneve në gjuhën frënge, por jepte edhe leksione të kësaj gjuhe në Universitetin e Tiranës. Natasha ishte studente e Renéesë. Dukej më me temperament nga dy motrat e saja. Jolandën e kam njohur në Redaksinë e Muzikës së Radio Tiranës, ku edhe punonte. Unë shkoja herë pas here në këtë Redaksi për të porositur ndonjë këngë për transmetim. Me Donikën, Natashën dhe Jolandën, njiheshim edhe sepse shtëpia tona ishin jo larg njëra-tjetrës, por edhe sepse nëna ime ishte shoqe e vjetër e nënës së tyre, Maries, nëse nuk i’a kam harruar emrin.
Jolanda ishte martuar me Robert Papavramin, një pedagog i njohur i violinës. Së bashku kishin edhe një djalë, Tedi Papavramin. Ky tërhoqi shumë shpejt vëmendjen e opinionit për talentin e tij. Përgjithësisht në jetë, gjyshërit e gjyshet gëzohen kur shohin se nipërit apo mbesat e tyre kanë dhunti, janë të talentuar, do të bëjnë emër, do të duartrokiten në skenat e vendit dhe, pse jo, edhe në botë. Në Shqipërinë e diktaturës komuniste talenti i fuqishëm i Tedit, rruga që ndoqi ai dhe familja Papavrami për të arritur të nxjerrin në pah vlerat e tij, i shkaktuan Spiro Rushës dhe të tjerëve vuajtje të pafund.
Roberti, Jolanda dhe Tedi u larguan nga Shqipëria dhe kërkuan strehim në Francë. Roberti dhe Jolanda menduan se aty Tedi do të kishte mundësi të studionte dhe të tregonte veten, në të ardhmen, si një violinist virtuoz. Ata nuk ishin kundërshtarë të regjimit, por mjaftoi kjo zgjedhje që të trajtoheshin si të tillë, si armiq. Ata ishin të ndërgjegjshëm për pasojat, por sakrifikuan gjithçka për të ardhmen e fëmijës së tyre.
Megjithëse shtypi i kontrolluar shqiptar mbajti heshtje të plotë mbi largimin e familjes Papavrami, ngjarja u diskutua në të gjitha organizatat bazë të Partisë. Pas kësaj hakmarrja e regjimit do të ishte shembullore. Spiro Rushon e internuan në një qytezë të veriut të Shqipërisë. Nuk më kujtohet mirë në Burrel apo në Rubik. Përveç vuajtjeve e urisë, atij i’u desh të përballojë edhe përçmimin e fyerjet, survejimet e provokacionet e Sigurimit dhe të militantëve të fanatizuar të organizatave të masave.
Masa të ngjashme ndërmori diktatura edhe ndaj gjyshit të Tedi Papavramit nga ana e të atit. Atij i’a rrafshuan shtëpinë, i sekuestruan çdo pasuri të familjes. Atë e internuan në fshatin Kotë të Vlorës. Jolandën e kam takuar për herë të fundit në vitin 1991 në Paris, ku ndodhesha së bashku me kolegë të gazetës “Rilindja Demokratike” dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, të ftuar nga “Le Figaro”. Ajo erdhi e më takoi, më ftoi për drekë, më shoqëroi në disa magazina aty pranë dhe bleu dy çanta shkolle si dhuratë për fëmijët e mi, Borën dhe Arbërin. Nuk pushonte nga propozimet dhe ofertat për të më kënaqur. Erdhi na shoqëroi deri në aeroport kur do të largoheshim nga Parisi. Kisha përshtypjen se unë nuk isha vetëm një i njohur i saj, një ish koleg. Ajo më shihte edhe si gazetar i “Rilindjes Demokratike”, gazetës së parë opozitare, që luajti një rol të jashtëzakonshëm për thyerjen e frikës, mobilizimin e popullit kundër diktaturës dhe përmbysjen e saj. Jolanda ishte një grua dashamirëse, por në këtë rast, kam përshtypjen se dashamirësia e saj ishte edhe si një mirënjohje ndaj të gjithë atyre, që rrezikonin për të përmbysur diktaturën, ferrin e prindërve dhe motrave të saja.
Këto ishin njohuritë e mia për Arkivin Qendror të Shtetit, për “armiqtë e popullit”, që nuk kishin munguar edhe këtu, si pothuajse në çdo institucion shtetëror gjatë diktaturës. Unë dija gjithashtu se në këtë institucion punonin edhe Rinush Idrizi, me të cilin u këshillova para se të vendosja për të nisur punën aty, si edhe Partizan Peza, djali i xhaxhait të nënës time, me të cilin më lidhnin, sidomos, vitet e fëmijërisë.
Në Arkivin Qendror të Shtetit, si kryetar i Degës së Botimeve!
Kur fillova punë si kryetar i Degës së Botimeve në Arkivin Qendror të Shtetit, në këtë Degë punonte tashmë shoku i im i vegjëlisë Rinush Idrizi. Aty gjeta edhe Beqir Metën, një i ri që porsa kishte mbaruar studimet e larta dhe që, siç do të shihja më pas, ishte energjik, modest dhe i papërtuar për të bërë punën e tij e për të ndihmuar kolegët. Ai ishte plot ambicie shkencore të cilat do t’i realizonte me kohë me një vullnet të fortë. Me kalimin e viteve Beqiri do të bëhej drejtor i Institutit të Historisë, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, do të meritonte titujt dhe gradat më të larta shkencore.
Në Degën e Botimeve punonte, formalisht, edhe Teuta Hoxha, një grua e bukur dhe e ftohtë si prej porcelani. Them “formalisht” sepse gjatë 8 viteve, sa qëndrova në këtë institucion, ajo është dukur aty jo më shumë se 8-18 herë. Kur kishe rastin ta shihje, të lente përshtypjen sikur gjithnjë ishte në një gjendje gjysmë të fjetur. Ajo shtirej sikur punonte në shtëpi dhe nuk vinte në Arkiv as për të vënë firmën në regjistrin e pagave në fund të çdo 15 ditshi. Edhe pagën i’a dërgonin në shtëpi. Në të vërtetë, Teuta nuk punonte as në zyrën e saj dhe as në shtëpi. Ajo ishte krejtësisht e paaftë për çdolloj pune intelektuale, sepse ishte me një intelekt të kufizuar. Asaj vetëm i dërgohej një pagë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shtetit në vilën ku jetonte së bashku me të shoqin dhe me diktatorin e bashkëshorten e tij. Këta nuk kanë pushuar së shituri “moral të pastër proletar” edhe për disiplinën në punë, të flasin dhe kundër hilexhinjve, parazitëve e dembelëve, që kërkonin të përfitonin nga shoqëria socialiste. Ata, nga ana tjetër, nuk u shqetësuan asnjëherë për faktin se Teuta Hoxha, bashkëshortja e djalit të tyre, Ilir Hoxhës, nuk shkonte në punë.
Privilegjet e Teuta Hoxhës në Arkivin e Shtetit, ku s’vinte kurrë në punë!
Teuta, duke qenë bashkëshortja e djalit të madh të diktatorit, kishte edhe një trajtim të veçantë. Ajo, sikurse edhe drejtori dhe nëndrejtori i institucionit, kishte një zyrë të sajën. Në Arkivin e Shtetit nuk punonin njerëz, që njiheshin si “armiq të popullit”. Herë-herë ngrihej ndonjë zë, që kërkonte të tërhiqte vëmendjen duke kujtuar se Eduard Zaloshnja, një djalë i sjellshëm, tepër njerëzor, kishte diçka, njëlloj hije në biografi. Përmendej se gjatë Luftës së Dytë Botërore, babai i tij, më duket, kishte qenë i lidhur me organizatën nacionaliste të Ballit Kombëtar, kundërshtare e komunizmit. Të tjerë, si Reshat Alia, vëllai i pasardhësit të diktatorit dhe babai i Teutës, e hidhnin poshtë origjinën “balliste” të Eduardit dhe betoheshin se e kishin verifikuar këtë gjë.
Fjalë lëshoheshin herë pas here edhe për Vehbiun, edhe ky një djalë fisnik, i shtruar në punë dhe mjaft i edukuar. Në të vërtetë edhe fjalët për Vehbiun nuk kishin jehonë. Atëhere, përse i duhej asaj një zyrë e veçantë, nga kush do të mbrohej ajo në Arkivin e Shtetit? Kjo zyrë i duhej Teuta Hoxhës për t’u izoluar nga punonjësit e tjerë, që të mbrohej nga çdo kontakt me ta, megjithëse nuk kishte ndonjë status zyrtar të veçantë, të ndryshëm prej tyre. Siç duket, nga paranoja nuk ishte mbërthyer vetëm diktatori, por ai ia kishte përcjellë atë edhe të tjerëve në familje. Duke i lënë një zyrë të veçantë, pothuajse gjithnjë e mbyllur, bosh, mendohej njëkohësisht se mungesa e saj e vazhdueshme nuk do të binte në sy. Tru-strucët e kësaj zgjidhjeje mendonin se, në këtë mënyrë, mbrohej dinjiteti i familjes së diktatorit dhe i mbyllej shtegu komenteve dhe opinioneve, që natyrisht nuk do të ishin të mirëpritura prej saj, prej oborrit dhe taborit të dallkaukëve dhe servilëve në shërbim të tyre.
Tetuta Hoxha vuri emrin si autore në librin e Rinush Idrizit!
Para se të nisja punë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, më kishte tërhequr vëmendjen botimi i një vëllimi me dokumente nga jeta dhe veprimtaria atdhetare e Ismail Qemalit, këtij diplomati të shquar, që ngriti flamurin e pavarësisë në Vlorë në vitin 1912 duke i dhënë kështu fund afro 5 shekujve pushtimi osman në Shqipëri. Botimi ishte dinjitoz. Autore ishte Teuta Hoxha edhe pse ajo vetë nuk kishte punuar asnjë ditë për përgatitjen e tij. Në fund të fundit, ajo imitoi disi dobët Enver Hoxhën, vjehrrin e saj. Në propagandën trullosëse të Partisë së Punës, midis të tjerave theksohej se: “Duhet të frymëzohemi nga jeta dhe nga vepra e shokut Enver Hoxha”. Ky ka botuar dhjetëra e dhjetëra vëllime dhe një seri librash me emrin e tij. Në të vërtetë për to ka punuar një institut i tërë, siç ishte Instituti i Studimeve Marksist-Leniniste, të cilin e drejtonte Nexhmije Hoxha. Enveri që frymëzonte një popull të tërë, madje të gjithë proletariatin dhe revolucionarët kudo në botë, nuk mund të mos frymëzonte edhe Teutën në shtëpinë e tij!
Autorë të vërtetë të vëllimit me dokumente për Ismail Qemalin ishin Rinush Idrizi dhe bashkëshortja e tij, Frida .Këtë të vërtetë e njohin të gjithë punonjësit e Arkivit Qendror të Shtetit të asaj periudhe. Këtë e pohon edhe një nga pjesëtarët e familjes Hoxha, Liliana Hoxha, gruaja e Sokol Hoxhës, djalit të dytë të diktatorit. Në shkurtin e vitit 2006, duke folur edhe për botimin e vëllimit dokumentar kushtuar Ismail Qemalit, në një nga gazetat shqiptare, ajo thotë: “…një staf i tërë anonim punonte për të, siç qenë Rinush Idrizi me të shoqen e të tjerë më pas”. Rinushi, i ngarkuar nga Thoma Murzaku, bëri grumbullimin, seleksionimin dhe përpunimin e dokumenteve. Frida ishte redaktorja e vëllimit. Ajo punonte në Shtëpinë Botuese “8 Nëntori”, që mori përsipër botimin. Të dy ishin me “njollë në biografi”, të dy të goditur nga Plenumi i IV famëkeq i vitit 1973.
Ata duhet ta konsideronin një fat të madh faktin që punuan dhe përgatitën një vëllim dokumentar autorësinë e të cilit do t’ia kalonin Teuta Hoxhës. Kështu mund të mendonin dhe të paraqiteshin edhe si të rehabilituar. Vëllimi dokumentar mbi Ismail Qemalin, në fakt, u dha atyre edhe mundësinë që të takoheshin disa herë me Teuta Hoxhën dhe Ilir Hoxhën, takime këto që nuk mund të kalonin pa u vënë re nga burokratët partiakë e shtetërorë. Një takim me ta ishte në atë kohë njëlloj atestimi, njëlloj pasaporte, që dëshmonte se je i besuar i regjimit, ndryshe atyre as mund t’u afroheshe. Pas disa vitesh, kur fillova punë në Arkivin e Shtetit, do të bëhesha edhe unë një “Rinush”, d.m.th., do të punoja për një vëllim me dokumente ku do të vendosej edhe emëri i Teuta Hoxhës si autore.
***
Që në ditën e parë në Degën e Botimeve u njoha me punën që po bëhej për një vëllim të ri dokumentar. Për përgatitjen e tij ishin angazhuar Rinushi dhe Beqiri. Ai u botua mbas një viti, pra në 1985, nga Shtëpia Botuese “8 Nëntori” me titullin “Lufta e fshatarësisë për tokë 1925-1939”. Diktatori Enver Hoxha, në një fjalim të tij kishte theksuar, midis të tjerave: “Në rast se gjeni njerëz të pasionuar, që të qëmtojnë nëpër arkivat, qoftë edhe vetëm regjistrat e fajdeve e të vendimeve të gjyqeve që janë bërë në favor të feudalëve e të agallarëve për të grabitur fshatarët…ju do të jeni në gjendje të nxirrni fakte historike aq të rëndësishme e me vlerë edukuese, sa i riu apo e reja, kur t’i lexojë në gazetë, do të kuptojë çfarë vuajtjesh kanë hequr paraardhësit, gjyshërit dhe prindërit e tyre gjersa arritën në këto ditë të lumtura që jetojmë.” Ky fjalim “frymëzoi” Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, që të ngarkojë dy punonjësit e saj për përgatitjen e vëllimit të mësipërm.
Vëllimi “Lufta e fshatarësisë për tokë 1925-1939”, sikurse e tregon edhe titulli i tij, ekspozon dokumente të zgjedhura, që shtrihen në kohë deri në vitin 1939. Ai nuk mund të vazhdonte më tej, në vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushteti feudo-komunist nuk u la fshatarëve as atë tokë që nuk ia kishin rrëmbyer dot feudalët anadollakë shqiptarë. Me kooperativat bujqësore fshatarit shqiptar i’u mor jo vetëm rripi i fundit i tokës, por edhe bagëtia, pulat, kali e gomari, pemishtet, ullishtet dhe gjithçka që e bën fshatarin fshatar, që i siguron atij një jetë të pavarur. Varfëria e fshatarit shqiptar në vitet e komunizmit është legjendare, e paparë ndoshta në historinë e Shqipërisë. Ai u detyrua të zbriste në qytet duke u lutur në dyqanet shtetërore që të blinte një kilogram bukë sa për të kaluar një mbrëmje me fëmijët e tij.
Ai kthehej në fshat pa bukë në trastë, pa dy presh, pa dy kokrra vezë, sepse dyqanet shtetërore nuk tregtonin këto etj. prodhime për fshatarësinë. Bujqve shqiptarë u ishte ndaluar të prodhonin për vete dhe njëkohësisht u ishte ndaluar të blinin! Gratë fshatare kur dilnin në rrugicat e Tiranës për të shitur fshehurazi një tufë majdanoz, e mbulonin atë me përparëset e tyre siç veprohej në vitet e pushtimit me traktet antifashiste! Policët e regjimit, nëse nuhasnin erën e majdanozit të fshehur, do të suleshin njëlloj si qentë antidrogë, do të sekuestronin dhe shkelnin me këmbë çdo fije e gjethe të kësaj bime aromatike. Gruas fshatare i duhej të kthehej në fshat duarbosh, tek fëmijët e saj barkzbrazur. Këto ishin “ditët e lumtura” të fshatarësisë socialiste. Në këto kushte ajo duhet të brohoriste për “lumturinë” e saj, së paku të mos ankohej se nuk ishte “e lumtur”. Kujtdo që do të mund të vepronte ndryshe i tregohej se ku me të vërtetë do të ishte i palumtur, se ekzistonin edhe qelitë e burgjeve.
Tek shkruaj këto radhë më kujtohet një vizitë e ish presidentit amerikan, Xhimi Karter, në një fshat të Fushë-Krujës apo të Krujës në Shqipëri, pak kohë pas përmbysjes së komunizmit. Ish presidenti amerikan i pyeti fshatarët për jetën e tyre, për problemet, që u duhej të përballonin etj. Fshatarët duke kujtuar se ish-presidenti kishte në duart e tij çelësin magjik, i derdhën atij një lumë ankesash, vështirësish e problemesh reale. Xhimi Karter i pyeti: “Po mirë atëherë, mos doni të ktheheni sërish në kooperativat bujqësore, mos ishit më mirë ashtu”? Përgjigja e menjëhershme dhe e njëzëshme ishte: “Jo kurrë!”
Në vitin e parë të punës në Degën e Botimeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit, pra në vitin 1984, u mora edhe me grumbullimin dhe seleksionimin e dokumenteve, që flisnin për qëndresën antifashiste të popullit shqiptar të udhëhequr nga Partia Komuniste e Shqipërisë. Në vitin 1984 bëheshin plot 40 vjet nga çlirimi i Shqipërisë prej pushtuesve nazi-fashistë. Në këtë kuadër Drejtoria e Arkivit kishte përfshirë në planet e punës edhe organizimin e një ekspozite dokumentare. Këtë e hapëm në një nga sallat e Pallatit të Madh të Kulturës në qendër të Tiranës. Në përurimin e saj erdhi edhe Haxhi Lleshi, ish-president i Presidiumit të Kuvendit Popullor, si të thuash kryetar i parlamentit të kohës.
Në mbyllje te ekspozitës unë i propozova Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit që të bënim një botim të dokumenteve që flisnin për veprimtarinë antifashiste të heronjve të popullit, për ndjekjen e tyre nga armiku, për betejat në të cilat kishin marrë pjesë si edhe për rënien e tyre në fushën e nderit për lirinë e vendit. Unë punova rreth një vit për grumbullimin, seleksionimin dhe përpunimin e dokumenteve. Vëllimi “Heronj të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, u botua në vitin 1986. Unë figuroj si një nga tre autorët e saj, madje i fundit. Para meje, si autorë, janë vendosur emrat e Thoma Murzakut dhe të Teuta Hoxhës. Nuk e kundërshtova këtë gjë. Nuk kishte shumë që isha dëbuar faktikisht nga gazeta “Zëri i popullit”, duke u trajtuar gati-gati si i sëmurë psikik. Një kundërshti nga ana ime nuk do bënte tjetër veçse do “vërtetonte” diagnozën.
Në Arkivin e Shtetit nuk kishte “me njolla në biografi”!
Nuk doja të nisja “beteja” të reja. Unë “zgjodha” Arkivin e Shtetit si vend të ri pune duke menduar edhe se këtu betejat gjenden në arshivë, pra një vend të qetë ku e tanishmja nuk ekziston sepse ajo ende nuk është arshivuar. Kisha menduar se aty do të ndjehesha edhe vetë i arshivuar, si një dosje e mbyllur, që nuk do të hapej kurrë. Megjithëkëtë, nuk vonoi për të ndodhur krejt ndryshe. Siç duket isha lindur për të mos shkuar mirë me superiorët e mi, për t’u përplasur me ta e të tjerë, pa pranuar kompromis dhe gjithnjë duke rrezikuar shumë. Agron Çobani në librin e tij “Ju flet Tirana”, më skicon: “Si njeri disi i veçantë që nuk pajtohej e nuk pranonte kompromise për atë që nuk i pëlqente…”. Ndoshta ka të drejtë.
Drejtorin e Arkivave të Shtetit, Thoma Murzakun, sikurse kam thënë, e kisha patur pedagog të Historisë së Ballkanit, kur isha student. Në provimet në lëndën e tij ai më kishte vlerësuar me maksimalen. Vasil Naço, ishte një tjetër pedagog i imi gjatë viteve studentore, një tip mjaft simpatik. Ai na jipte leksionet e Gjeografisë Ekonomike Botërore, që mua nuk më tërhiqte shumë. Provimet me të rastisnin gjithnjë pas provimeve që jepnim me Thoma Murzakun. Kështu ai, kur i dorëzoja fletoren e notave të provimeve, shihte vlerësimin që më kish bërë Thoma Murzaku dhe shtonte: “Ti biondin ose e ke mik Thoma Murzakun, ose më ke mua armik”! Unë në të vërtetë kisha “armik” shifrat e rezervave të qymyrgurit apo të kromit, shifrat e prodhimit të tekstileve, të energjisë elektrike apo të veturave në këtë apo atë vend të botës. Thomain nuk e kisha mik, nuk mund të kisha mik një profesor. Atë e respektoja shumë. Kursi ynë e kishte atë edhe profesor kujdestar. Thomai ishte njëkohësisht sekretar i organizatës bazë të Partisë për Fakultetin Histori-Filologji. Unë gjatë viteve studentore isha sekretar i organizatës së rinisë së kursit. Kjo ndoshta bëri që të kisha edhe më shumë kontakte me të, të afrohesha më shumë me të.
Në fillimet e mia në Arkivin e Shtetit, Thoma Murzaku vazhdonte të ishte për mua po ai që kisha njohur në Fakultetin Histori-Filologji. Unë ruaja për të gjithnjë të njëjtin respekt, atë të studentit për profesorin e tij. Njohja nga vitet e Fakultetit bënë që ai të më propozonte të punoja me të dhe po kështu që unë të pranoja propozimin e tij. Të dy nuk kishim llogaritur që kishin kaluar pothuaj 20 vjet që nga mbarimi i studimeve, pra se shumë gjëra kishin ndryshuar si tek ai ashtu edhe tek unë. Ndoshta edhe në vitet e Fakultetit nuk e kishim njohur mirë njëri-tjetrin.
Thomai më priti miqësisht në Arkivin e Shtetit. Ai më propozoi edhe si sekretar i organizatës bazë të Partisë të institucionit. Bashkë bisedonim, sikurse e mendoja unë, hapur për punën dhe njerëzit. Dega e Botimeve të cilën e drejtoja, duke mos patur një punë të mirëfilltë arkivore, nuk kishte shumë lidhje me rrjetin e punës arkivore, pra edhe me punonjësit e tjerë të Arkivit të Shtetit. Mua mu desh një kohë relativisht e gjatë, të themi prej 2-3 vjetësh, për t’u njohur si me punonjësit ashtu edhe me problemet e tyre në punë, që nuk ishin të pakta. Unë i besoja Thoma Murzakut dhe nuk vija asgjë në dyshim nga sa më fliste. Disa herë kemi udhëtuar së bashku për të njohur pikat arkivore, që shtriheshin në hapësira të ndryshme gjeografike të vendit. Zyra ime në Arkivin e Shtetit ishte përballë së tijës dhe Thomai më thërriste rregullisht të pinim një kafe me zëvendësdrejtorin, Ivan Lolin si edhe me Rinushin, Eduardin, Vehbiun, etj. Ndonjëherë shkonim edhe tek Liqeni Artificial në kodrat e Tiranës, për të pirë të gjithë nga një gotë raki të shoqëruar me fërgesë të përgatitur në zjarr në tavë balte. Në këto raste, Thomai vinte së bashku me gruan e tij. Ne të tjerët, të gjithë të martuar, nuk i kishim pranë shoqet tona. Nuk e di se nga kush ishte vendosur ky “rregull”?
Kristopullos, drejtor i Bibliotekës së Parlamentit grek, për kërkime në Arkivin tonë!
Gjërat filluan të ndryshojnë nga fundi i vitit 1984. Në këtë kohë erdhi për hulumtime nga Greqia në Arkivin Qendror të Shtetit, Panajotis Kristopullos, drejtor i Bibliotekës së Parlamentit grek. Ai ishte i interesuar të njihej me Codex Beratinus – njëri ndër shtatë dorëshkrimet më të vjetra të botës, që ruhet në Shqipëri. Drejtori, Thoma Murzaku, vendosi që unë të shoqëroja Panajotin gjatë qëndrimit të tij njëmujor në Shqipëri. Në rolin e përkthyesit u caktua Efigjeni Shkreli, punonjëse e Arkivit, me origjinë nga minoriteti grek. Së bashku bëmë një udhëtim disa ditor duke i rënë Shqipërisë nga Veriu në Jug. Këtu unë bëra “gabimin” e parë.
Panajotis kishte kërkuar që të vizitonte kishën e Kolkondasit, një fshat ky në rrethin e Fierit në jug të Shqipërisë. Thoma Murzaku mua më kishte thënë që të mos e çonim Panajotin në këtë kishë sepse ajo ishte e rrënuar. Në fakt në ato vite pothuajse të gjitha kishat e xhamitë ishin rrënuar në Shqipëri. Rrallë ndonjë i kishte shpëtuar valës së shkatërrimit dhe ishte ruajtur duke u shpallur si monument kulture. Praktikat dhe kultet fetare ishin ndaluar me ligj nga regjimi. Kur arritëm në Fier, unë mësova se kisha e Kolkondasit ishte në gjendje të mirë dhe ishte shpallur monument kulture. Kështu nuk gjeta më arsye përse të mos e çoja Panajotin të vizitonte këtë kishë.
Panajotis Kristopullos nuk ishte interesuar për vetë kishën e Kolkondasit, por për një arkë të vogël, që gjendej në altarin e saj dhe ku, sipas thashë e themeve, ruheshin eshtrat e Shën Kozmait. Ky ishte një ish-klerik grek, që rreth 1.5-2 shekuj më parë kishte kaluar në trevat e Shqipërisë Jugore, ku kishte hapur shkolla greke. Në të vërtetë ai ishte një emisar i megaloidesë në bazë të të cilës Shqipëria e Jugut, njihej si Vorioepir, pra ishte pjesë e Greqisë, më saktë, pjesë e Epirit grek. Një ditë ai u gjend nga fshatarët i mbytur në lumin e Vjosës apo të Semanit, nuk më kujtohet mirë. Kisha greke e shpalli atë martir dhe të shenjtë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016