Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëzet e tetë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturg dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëri e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
Dënimi i Pipi Mitrojorgjit, për fejesën e të birit me vajzën e Feçor Shehut !
Në mbledhjen e organizatës së Partisë të “Zërit të popullit”, në të vërtetë, nuk u tha asgjë, që kishte lidhje të drejtpërdrejtë me punën apo veprimtarinë e Pipi Mitrojorgjit. Faji i Pipit ishte se djali i tij, ishte martuar me Ninën, vajzën e Feçor Shehut, ministër i Punëve të Brendshme. Krimi i tij ishte se ai nuk ishte Maksi, i biri, që të vendoste të mos dashuronte vajzën e Feçorit. Ai ishte fajtor sepse ishte Pipi, babai i tij. Ai,si edhe i biri, do të dënoheshin sepse vetë diktatori kishte ngritur në postin delikat të ministrit të Brendshëm Feçor Shehun, ndërsa ata nuk e kishin para ndjerë, nuk e kishin parashikuar se Feçori do të deklarohej tradhtar më pas po nga vetë Enver Hoxha. Në “injorancë” të plotë për të ardhmen, Maksi ishte dashuruar dhe ishte martuar me vajzën e Feçor Shehut, ndërsa Pipit, as që i kishte shkuar ndër mend të mos lejonte lidhjen e të rinjve, të mos pranonte krushqinë me Feçorin!
Si zakonisht, para se të mblidhej organizata e Partisë, Fatos Cekodhima, sekretar i organizatës, na thërriti në zyrën e tij mua dhe, në mos gaboj, Mehmet Elezin apo Spiro Kufon, që në atë kohë ishim anëtarë të byrosë së organizatës.Fatosi na përcolli orientimet e ardhura nga Komiteti Qendror, pra na tregoi se si duhej orientuar organizata e Partisë, përse dhe si duhej kritikuar Pipi Mitrojorgji, cila duhej të ishte masa që do të merrej ndaj tij. Kjo quhej atëherë “centralizëm demokratik”, pra demokracia ishte e centralizuar, vendimet merreshin në qendër nga udhëheqja më e lartë e Partisë, ndërsa baza duhet t’i zbatonte ato në mënyrë “demokratike” pas një diskutimi entuziast gjithnjë miratues.
Mbledhja e organizatës u zhvillua, ashtu si edhe pritej, pa asnjë surprizë. Pipi u kritikua ashpër, u propozuan edhe masa ndaj tij, ashtu siç ishin orientimet. Pipi vetë ishte jashtë realitetit. Ai mundohej të diskutonte me arsye, të mbronte martesën e të birit me vajzën e Feçor Shehut, të bërë në kushtet kur as që mund të mendohej, madje do të ishte krim të mendohej, se ai do të pushkatohej një ditë si armik e tradhtar. Pipi u mundua të veçojë fatin e të rinjve nga ai i Feçor Shehut. Ai foli për djalin e tij si një arkitekt i talentuar, në mos gaboj, foli për kontributin, që mund të jepte ai për vendin në fushën e tij, d.m.th. në atë të ndërtimit. Ai foli me fjalë të ngrohta për shoqen e djalit të tij.
Pipi nuk ishte një komunist i ri, pa përvojë. Ai nuk kishte se si të mos e dinte se fjalët e tij nuk do të ndryshonin asgjë në rrjedhën e fatit të tij dhe të familjes së tij. Ai, megjithëkëtë, duhej të fliste. Heshtja mund t’i interpretohej si kryeneçësi dhe mos reflektim, si një qëndrim mospajtues me ato, që thoshte dhe do të vendoste Partia. Parë nga ky këndvështrim, diskutimi i tij, duke qenë krejtësisht i kotë, ishte ndoshta e dobishmja më e mundshme.
Pipin e larguan nga Tirana. Atë e dërguan, me gjithë familjen e tij, në Krujë. Aty ai punoi si kryeredaktor i gazetës lokale “Kastrioti”, ku kishte punuar më parë Albert Shala pasi u largua nga Radio Tirana pas Plenumit të IV të Komitetit Qendror të Partisë. Komiteti Qendror “devijoi” nga orientimi që na kishte dhënë ne si organizatë, e zbuti vendimin. Pipit, si edhe në raste të tjera me të tjerë, i’u tregua kështu se sa e gjerë ishte Partia, se ajo shihte larg, se ishte më e dhembshur se kolegët dhe miqtë, që kishin marrë një vendim me të cilin ajo nuk mund të pajtohej! Pas kësaj Pipi duhet të brohoriste fuqishëm për Partinë, që u mjaftua vetëm me largimin e tij nga “Zëri i popullit” dhe nga Tirana dhe nuk shkoi edhe më larg!
Pipi Mitrojorgji ishte një figurë e njohur në fushën e kulturës, publicistikës dhe kritikës letrare. Përgjatë shumë viteve ai kishte qenë zëvendësministër i Kulturës, drejtor i Drejtorisë së Shtypit në Komitetin Qendror dhe sekretar i Partisë për ideologjinë në rrethin e Fierit. Unë e kam njohur si dashamirës dhe korrekt me njerëzit. Ai, sikurse më kanë thënë, i ka dhënë të gjithë ndihmën e mundshme Paskal Milos, që u dërgua në Fier pasi u largua nga “Zëri i popullit”. Po kështu është sjell ai me shkrimtarin e njohur Teodor Laço, me regjisorin e talentuar Pëllumb Kulla, të dënuar nga Partia për krijimtarinë e tyre jashtë kornizave të saj. Po kështu, kur e dërguan Ismail Kadarenë në një fshat të Fierit “për të njohur jetën”, ai thërriti kryetarin e kooperativës për t’i thënë: “Në kooperativën tuaj do të vij shkrimtari i madh Ismail Kadare. Do ta prisni me respektin më të madh…”!
Në një rast, sikurse më kanë treguar, ai i ka thënë një regjisorit, edhe ky i dënuar nga Partia dhe i detyruar të punojë si punëtor, se: “është nder të punosh gjithë jetën si punëtor”. Ai ka përsëritur kështu një slogan bosh të Partisë. Po të ishte vërtetë kështu, përse asnjë nga udhëheqësit kryesorë të Partisë, përfshirë edhe vetë diktatorin, nuk jepnin shembullin me fëmijët e tyre, përse i privonin ata edhe veten nga ky nder? Mos kemi të bëjmë me një qëndrim të dyzuar të Pipit? Ndoshta po, por kjo tregon edhe se ai, kur kishte mundësi, të zgjaste krahun. Kjo tregon gjithashtu se kjo krahë zgjatje kishte sigurisht caqet e saj dhe kushtëzohej si nga vetë formimi i tij si militant i vjetër komunist, (që gjatë Luftës, fare i ri, ai ka qenë komisar dhe përgjegjës i rinisë së Batalionit), ashtu edhe nga faktorë të tjerë, jashtë tij. Ky lloj dyzimi ka bërë, ndoshta, që edhe mendimet, opinionet për Pipin të jenë të ndryshme.
Gjatë kohës që kam punuar me Pipi Mitrojorgjin, përjashtuar rutinën e përditshme, mbaj mend dy ndodhi pa ndonjë rëndësi të veçantë, por mjaft domethënëse. I kisha dorëzuar atij një artikull për probleme ndërkombëtare, që e kisha shkruar sipas disa mendimeve, që na ishin transmetuar nga Komiteti Qendror i Partisë. Artikulli nuk i kishte pëlqyer Sofokli Lazrit, këshilltarit kryesor të diktatorit për politikën e jashtme. Ai e ktheu artikullin, por pa bërë vërejtje konkrete apo sugjerime konkrete. Në këto rrethana unë, disi i fyer, i thashë Pipit se nuk kam se ç’ti bëj më artikullit, për mua ai është i realizuar, unë kam hedhur në të atë që kam mundur. Pipi, që e kishte lexuar artikullin dhe, që e dinte se marrëdhëniet midis Sofos dhe meje nuk ishin aspak shoqërore, më tha ta dërgoj poshtë atë në shtypshkronjë për botim. Sigurisht Sofokliu nuk do të ishte i kënaqur nga ky vendim i Pipit dhe ky, kur vendosi për botimin e artikullit, e dinte këtë gjë.
Me Pipi Mitrojorgjin për ngushëllim te shtëpia e Sofokli Lazrit!
Pas disa muajsh Sofokli Lazrit i vdiq babai apo nëna, nuk e mbaj mend mirë. Në Shqipëri, si rregull, shokët, kolegët, miqtë e të afërmit, në raste të tilla, shkojnë për një vizitë ngushëllimi në shtëpinë e të vdekurit. Mua nuk më dukej të bëja pjesë as tek miqtë e shokët dhe as tek kolegët apo të afërmit e Sofokli Lazrit, kështu që as më kishte shkuar në mendje të shkoja e ta ngushëlloja në shtëpi. Pipi, duke shfrytëzuar një moment kur ndodhesha në zyrën e tij, më thotë duke qeshur: “Nuk e di se ç’keni ju që merreni me marrëdhëniet me jashtë që nuk shkoni mirë midis jush. Mos u largo nga zyra se pas pak do të shkojmë së bashku tek Sofo për ngushëllim”. Shkuam së bashku tek Sofokli Lazri, por kjo vizitë nuk ndikoi aspak për të përmirësuar disi marrëdhëniet tona, siç dëshironte Pipi me mjaft dashamirësi.
Me Pipi Mitrojorgjin jam takuar për herë të fundit pas përmbysjes së komunizmit. U takuam rastësisht, në afërsi të gazetës “Zëri i popullit”. Bashkë, përgjithësisht, kemi patur marrëdhënie normale, korrekte, por asnjëherë miqësore. Në këtë takim u përqafuam si miq të vjetër. Unë, madje, pata një lloj rezerve, sepse mu kujtua rrufeshëm mbledhja e organizatës së Partisë dhe nuk mbaja mend se si kisha folur, nëse e kisha rënduar, sipas orientimeve të Komitetit Qendror, apo kisha “devijuar” disi prej tyre!
Pipi, njëlloj si Hamdi Sollaku, si shumë komunistë veteranë, e pati të vështirë të përshtatej me ndryshimet, që ndodhën në Shqipëri pas rënies së diktaturës. Kjo jo se ai qëndroi në pozitat e një komunisti fanatik. Pipi e donte demokracinë, e kishte pritur atë, siç thotë më duket në një poezi të tij, por jo ashtu siç erdhi ajo. “Demokracia është e zëmëruar”, tha Pipi në një intervistë të tij. Ai nuk e donte atë kështu. Ai pati rezerva dhe kjo u bë shkas që edhe të agresohej në shtypin e djathtë, madje me zhargone, që nuk i bëjnë nder autorëve të tyre.
Në vitet e demokracisë Pipi botoi edhe një vëllim poetik me titullin “Përzemërsi”. Ky ishte edhe mesazhi i tij para se të ndahej nga ne: Mjaft situatave konfliktuale, zemërimeve, fyerjeve, gjysëm shekulli diktaturë, jemi dërmuar e rraskapitur, le të japim e të marrim “përzemërsi”! Është ky mesazhi i një revolucionari humanist, që e ka dashur deri në fund komunizmin, por një komunizëm me fytyrë njerëzore. A ishte e mundur kjo? Për një idealist edhe e pamundura është e mundur.
Pas arrestimit të Feçor Shehut, gruaja e tij Majnuri dhe dy vajzat e saj u internuan. Njëra prej tyre ishte bashkëshorte e djalit të Pipit, i cili mes sa di, u detyrua të divorcohet. Majnuri ishte motra e shokut tim të vjetër, Agron Çobanit. Kaq ishte e mjaftueshme që edhe ai dhe e tërë familja e tij të viheshin nën goditjet tragjike të diktaturës.
Me Agron Çobanin dhe Albert Shalën një natë në dhomën e izolimit!
Me Agronin ishim njohur si studentë. Ai vazhdonte studimet për Gjuhë-Letërsi ndërsa unë për Histori-Gjeografi. Në Fakultet e mbaj mend Agronin si një djalë i gëzuar, i kënaqur nga vetja e nga jeta, me një humor të zhurmshëm, gjithnjë të këndshëm. Disi më mirë e njoha atë në verën e vitit 1964 kur shkuam në Korçë për të bërë zborrin ushtarak. Më kujtohet se si kaluam së bashku një natë në dhomën e izolimit apo në burg, siç i thonin ushtarët. Në të vërtetë me ne ishte edhe Albert Shala dhe një tjetër, që tani nuk më kujtohet. Shkaku i “burgosjes” sonë ishte fare banal. Ne, një të diel, kishim kapërcyer murin e repartit ushtarak dhe kishim dalë pa leje në qytet. Aty, për fatin tonë të keq, në një moment u ndodhëm papritur, përballë komandantit të zborrit. Ai urdhëroi kalimin tonë në dhomën e izolimit. Më parë na hoqën lidhëset e këpucëve dhe rripin e pantallonave. Më vonë mësuam se kjo shërbente si një masë parandaluese, pra që ushtarët e dënuar të mos mund të varnin veten.
Sigurisht neve as që na shkonte ne mend të varnim veten sepse kishim shkelur disiplinën ushtarake duke dalur në qytet pa leje apo sepse do të kalonim një natë në dhomën e izolimit. Për ne kjo masë parandaluese u bë refren i shakave, historive, hamendjeve e thashethemeve “intriguese”, që na ndihmuan ta kalojmë pa e ndjerë atë mbrëmje. Agroni ishte kampioni i tyre. Ai nuk pushonte së foluri kot dhe fare kot dhe ne nuk pushonim së qeshuri po ashtu kot dhe fare kot. Të gjithë nuk pushonim po kështu së kënduari në errësirë kot së koti edhe ndonjë këngë partizane, apo ndonjë marsh ushtarak. Ndoshta na dukej vetja si “heronj”. Nga ana tjetër e murit dëgjonim oficerin e rojës të lëshonte me zë të lartë urdhrin: “Shokë studentë, ndalohet kënga!” Ne nisnim përsëri së qeshuri sepse na dukej absurde të ndalohej kënga apo që bashkë me ne të burgosej edhe kënga!
Më mirë u njoha me Agronin në Radio Tirana. Ai dhe unë ishim në drejtori të ndryshme, por mbledhjet e kolektivit dhe të rinisë i bënim së bashku. Të dy e nisëm punën në këtë institucion si gazetarë të thjeshtë. Agroni e nisi me lajmin e kronikën për të kaluar tek telereportazhi, dokumentari e radiodrama. Ai lëvroi të gjitha gjinitë e publicistikës radiotelevizive. Me magnetofonin e tij “UHER” në krahë, gjithnjë i papërtuar, shkeli Shqipërinë për vite të tëra nga Jugu në Veri, mblodhi copëza jete fshatrave e malësive, uzinave dhe hidrocentraleve, në rrethet e artistëve e të shkrimtarëve, të akademikëve dhe shkencëtarëve. Me shumë punë dhe meritë ai ngjiti shkallët e karrierës profesionale duke u bërë shef Sektori, drejtor i Televizionit dhe në fund Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar.
Si e retushuan portretin e Agron Çobanit nga fotoja me Enver Hoxhën!
Duke kujtuar punën e Agronit në Radio Tirana nuk mund të mos sjell ndër mend një fotografi, që e ka fiksuar pranë diktatorit në një vizitë të tij në malësitë e Veriut të Shqipërisë. Në këtë fotografi, Enver Hoxha është ulur “gju më gju me popullin”. Ai është fiksuar i ulur këmbëkryq duke biseduar me disa malësorë dhe pas tij gjendet Agron Çobani indiferent, pa u shtirur si i entuziazmuar apo i lumturuar, duke regjistruar bisedën. Kjo fotografi u zmadhua, u ekspozua nëpër muzetë e vendit dhe shërbeu për vite të tëra si një instrument propagandistik për të treguar se sa afër halleve të popullit ishte diktatori, se sa i thjeshtë dhe madhështor ishte ai! Agroni nuk pati “fatin” që të ishte i fiksuar përgjithnjë pranë diktatorit. Fotografia, pas disa vitesh, u retushua duke eliminuar prej saj Agron Çobanin. Pas arrestimit të Feçor Shehut, Agroni duke qenë kunat i tij, nuk ishte më i dëshirueshëm për regjimin. Ai duhej retushuar, s’fumuar, izoluar, harruar jo për fajin e tij, as për ndonjë gabim të bërë në punë e sipër, aq më tepër si disident apo kundërshtar i regjimit.
Xhelil Gjoni dhe Sofo Lazri i komunikuan Agronit largimin nga RTSH-ja!
Në të njëjtën ditë që u arrestua Feçor Shehu, Agroni u thirr në takim nga Sekretari i Komitetit të Partisë së Tiranës, Xhelil Gjoni. Në librin e tij “Ju flet Tirana”, ai e paraqet bisedën e rastit me Xhelil Gjonin kështu: “- Feçor Shehu u arrestua’, më tha prerë. Nuk ishte më ai Xhelili me të cilin bisedonim përzemërsisht e bënim shaka me njëri-tjetrin. “Ti’,-vazhdoi ai,- ‘ki besim te Partia dhe mbaj qëndrim korrekt. Partia do t’i shohë gjërat me qetësi e korrektësi”.
-Patjetër’, – më duket se i thashë në atë çast. – Po pse u arrestua?!
-Si armik i rrezikshëm dhe i betuar i Partisë dhe i popullit. Po ti bën mirë mos bësh shumë pyetje”!
Sigurisht që Agroni nuk duhet të bënte jo shumë, por as edhe një pyetje të vetme. Në diktaturë pyetjet i bënte Partia. Ato u drejtoheshin armiqve të saj të supozuar, të cilëve u duhej kështu të hapnin zemrën dhe të tregonin se sa të pabesë ishin dhe ç’komplote kishin thurur për të përmbysur diktatorin! Agronit dhe kujtdo tjetër në vendin e tij, nëse do të guxonin të bënin një pyetje, mund t’u bëhej pyetja: “Përse pyet”? ose më keq, – “Ç’fsheh në kokën tënde”?
Pas Xhelil Gjonit, Agroni u thërrit në Komitetin Qendror të Partisë nga Sofokli Lazri. Ai thjesht i komunikoi se nuk do të ishte më drejtor i Televizionit Shqiptar, se Partia kishte menduar ta kalonte në punë si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Sofokliu duke thënë: “Besoj se je dakord, e kupton edhe vetë”, nuk la vend për asnjë pyetje, njëlloj si Xhelili.
Agroni filloi punë në Kinostudion “Shqipëria e Re”. Aty njihte shumë nga punonjësit e saj, por askush nuk guxonte t’i afrohej. Ai u izolua në zyrën e tij i shoqëruar nga ankthi i së panjohurës. Ai e dinte se Kinostudio nuk ishte stacioni i tij i fundit drejt ferrit, i njihte mirë shkallët e tij, i kishte mësuar përmendësh si të gjithë ne, duke studiuar “Historinë e Partisë së Punës së Shqipërisë”. Agroni nuk ishte i sigurt vetëm nëse ferri do të ishte burgu, apo para tij do të depërtohej dikund në ndonjë zonë të thellë malore ku dielli as lindte e as perëndonte. “Atë kohë, pa u larguar ende nga Tirana’, thotë Agron Çobani, ‘kur dëgjoja për arrestimin e njërit apo tjetrit, më shkonte mendja për vete…! Kam kaluar shumë ditë e net të tmerrshme nën trysninë e arrestimit të mundshëm”.
Largimi i Agron Çobanit edhe nga Kinostudio, duke e dërguar në Martanesh!
Në të vërtetë Agronin e larguan shpejt edhe nga Kinostudio. Atë e dërguan në zonën malore të Martaneshit, në Krastë, një qytezë minatorësh e vendosur në një luginë të ngushtë mes malesh. Aty filloi punën si mësues i ‘Gjuhës apo i Letërsisë Shqipe’ dhe njëkohësisht i ‘Gjuhës Ruse’, megjithëse nuk dinte pothuaj asnjë fjalë nga kjo gjuhë! Këtu, dhe më pas në Fushë Krujë dhe në Nikël, ai kaloi dhjetëvjeçarin e tij të vetmisë së madhe, larg nënës së tij shtat pakët e të moshuar, Ibos, që e mbaj mend për zemrën e saj bujare, të qeshurën e ndrojtur si të një fëmije, si edhe për byrekët e mrekullueshëm që bënte. Ai nuk do t’i gjendej asaj pranë në ditët më të vështira, ashtu si edhe fëmijëve të tij e të shoqes, Lulit, së cilës i mbeti detyra të kujdesej e vetme për ta, me mundim e sakrifica, herë me punë e herë pa punë.
Përveç motrës, Majnures, Agroni kishte edhe tre vëllezër; Melsin, Astritin dhe Hasanin. Asnjë nuk u kursye nga diktatura. Jeta e tyre dhe e familjeve të tyre u shkatërrua, u dërmua edhe pse asnjëri nuk i kishte ndonjë borxh Partisë, diktatorit, pushtetit. Të gjithë ishin njerëz të ndershëm, që e donin Partinë. Gjatë tërë jetës së tyre, ata kishin punuar pa u kursyer, pa i bërë keq askujt. Të tre ishin njerëz të nderuar dhe të respektuar.
Fati tragjik i tre vëllezërve të Agron Çobanit!
Melsi ishte më i riu midis tyre. E kam njohur atë si një djalë i hapur, me një trup sportisti, gjithnjë i qeshur. Ai ishte një futbollist i talentuar dhe që i ri kishte luajtur me yjet e futbollit shqiptar. Edhe Melsin e larguan nga Tirana dhe e dërguan në zonat e thella të Veriut të Shqipërisë. Vetëm pas afro një dhjetëvjeçari, ai u lejua të kthehet në Tiranë, në malësitë e saj, në Gurrëz, pra sërish jo në qytet, jo pranë familjes. Diktatura edhe pse ishte në frymëmarrjet e fundit, vazhdonte gjithnjë të godiste viktimat e saj, të mos i lejonte ato të jetonin vitet që u kishin mbetur nga jeta e tyre e dërmuar. Në Gurrëz shëndeti i Melsit pësoi goditjen e parë të fuqishme. Ai kaloi një javë në gjendje kome. Mjekët thanë se gjithçka ishte si pasojë e stresit që ai kishte kaluar në jetë. Një goditje e njëjtë e dytë do të ishte fatale për të dhe të gjithë familjen e tij. Melsi nuk do të ngrihej më në këmbë. Ai shkoi duke marrë me vete edhe ëndrrën e rinisë, për t’u bërë një yll i futbollit. Atë nuk do ta shihnim më. Nuk kërkoi shumë në jetë, por edhe atë pak që kërkoi i’a vranë zotërit e vdekjes pa asnjë arsye, pa asnjë shkak.
Vëllai tjetër i Agronit, Astriti ishte oficer, tankist. Në vitin 1982 edhe atë e largojnë nga Tirana, e dërgojnë në Laç. Familjen e tij e nxjerrin nga apartamenti ku banonte në kryeqytet dhe e lanë në rrugë të madhe. Astriti do të kthehej në Tiranë në vitin 1990, pasi doli në pension. Agroni tregon se vitet e fundit ai nuk fliste, gati nuk reagonte, përlotej shpesh. Nuk donte të ndahej nga jeta pa siguruar një strehë për familjen e tij. Nuk qe e thënë. U strehua në një garsoniere, por edhe atë e shembën. Trualli ku ishte ndërtuar garsoniera i duhej një deputeti socialist për të ngritur një pallat. Kështu, Astriti gjeti strehë vetëm në banesën e tij të fundit. Vdekja u tregua më bujare se jeta me të.
Edhe më tragjik është fati i Hasanit, vëllait të madh të Agronit. Ai jetonte në Lushnjë, ishte një punonjës i thjeshtë administrate. Ai nuk mundi t’i bëjë ballë gjendjes dhe i dha fund jetës duke “zgjedhur” kështu një fund me tmerr në vend të një tmerri pa fund.
Në vitin 1991, pas rrëzimit të shtatores së diktatorit në Tiranë, Agroni u rikthye në Radio Televizionin Shqiptar. Në dhjetor të këtij viti, ai emërohet Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar. “Dhjetë vjet rropatje, përbuzje, lodhjeje, vështirësish, nga ato ekonomike tek ato shpirtërore, më kishin ligështuar. Nuk mundja, nuk doja të merresha me asgjë”, shkruan Agroni në librin e tij “Ju flet Tirana”. Në këtë gjendje, megjithëkëtë, ai i dha Televizionit Shqiptar një fizionomi të re, lejoi një pasqyrim objektiv të realiteteve të reja shqiptare, duke dhënë kështu ndihmesën e tij edhe në fitoren e demokracisë në Shqipëri.
Në vitin 2006, Agronin e nxjerrin në pension pleqërie. Demokratët në pushtet i kishin kërkuar më parë që ai të bënte “reforma” në Radio-Televizionin Shqiptar. Në të vërtetë këto “reforma”, nuk kishin të bënin aspak me strukturën e emisioneve apo përmbajtjen e tyre, por thjesht me largimin nga ky institucion i një mase punonjësish, që nuk ishin treguar “me ne”, pra që në një mënyrë apo në një tjetër, kishin ngurruar apo refuzuar të përkrahin forcat demokratike. Agroni nuk pranoi të bëjë këtë “reformë”, të hedhë në rrugë e të linte pa asnjë mjet jetese kolegët e tij, vetëm e vetëm sepse kishin preferencat apo bindjet e e tyre politike. Ai e pagoi mjaft shtrenjtë “luftën e klasave” në diktaturë. Pasojat e saj, përveç të tjerave, ai i ndjeu edhe duke kaluar disa herë sallave të operacioneve, ku siç thotë vetë, trupi i’u kthye në një “dyshek të qepur”! Operacionet e fundit ishin ato të zemrës e të pankreasit. Agroni nuk mund të pranonte dhe as e pranoi një “luftë të re klasash” edhe pse kjo kërkohej në emër të demokracisë!/Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016