Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëzetë e dy
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
Rikthimi i Kadri Roshit në skenën e Teatrit Popullor me amatorët e OAN-it ku interpretova dhe unë !
“Komisari Memo” u shfaq gjithashtu në sallën e Teatrit Popullor. Suksesi ishte i plotë dhe i garantuar. Punëtorët, që mbushën sallën plot e përplot, kishin shpërthyer dyert e Teatrit për të zënë vend edhe në këmbë që të ndiqnin spektaklin. Kadriu po rikthehej në skenë. Kolegët e admiruesit e tij zinin vend gjithashtu në sallë. Vetë Kadriu, mbas shumë vitesh, kur ka përmendur atë mbrëmje thotë: “I kujtoj edhe sot me mirënjohje ata punëtorë të mrekullueshëm që e donin familjen, punën, artin. Në mes të tyre nxora bukën e gojës për një vit e gjysmë. Me ta u ngjita përsëri në skenë. Vumë dramën “Komisari Memo” të Dritero Agollit në skenën e Teatrit Popullor. Edhe sot kur e kujtoj atë ditë më pushtojnë emocionet. Spektatorët kishin shqyer dyert dhe kishin pushtuar sallën duke e tejmbushur në këmbë atë. Mbrapa skenës i përlotur putha skenën si besimtarët Gurin e Qabesë. Erdhi çasti kur hyra në skenë. Një breshëri duartrokitjesh dhe ovacionesh s’më linin të filloja pjesën. Kjo atmosferë vazhdoi gjatë gjithë shfaqjes dhe mbas saj. Një ndjenjë që nuk e kisha provuar kurrë në jetë. Atë ditë më shumë kam qarë se sa kam nxjerrë fjalë në skenë”.
Ne nuk fituam këtë herë Flamurin e Festivalit. Kjo sepse flamuri nuk mund t’i jepej një trupe ku rolin kryesor e kishte Kadri Roshi, i larguar nga skena si i dënuar. Formalisht, flamuri nuk mund t’i jepej trupës së Ofiçinës së Automjeteve të Ndërtimit sepse në rolin kryesor luante një aktor profesionist, ndërsa festivali bëhej për teatrot amatore. Kjo gjë nuk na dëshpëroi shumë. Ne u shpërblyem dhe jo keq, u shpërblyem më tepër se me një flamur festivali. Pas shfaqjes, Kadri Roshi erdhi në Ofiçinë për të festuar suksesin dhe për t’u ndarë me ne. Ai u kthye sërish në Teatrin Popullor.
Para se të largohej i dhashë Kadriut disa fotografi, që na i kishin bërë në skenë pas shfaqjes Georgi dhe Monika, dy të rinj marksistë-leninistë gjermano perëndimorë, që punonin në atë kohë për emisionin e gjermanishtes në Radio Tirana. I kisha ftuar unë për të parë “Fisheku në Pajë”. Kadriu duket i trishtuar në këto fotografi. E kuptueshme. Ai ishte në skenë vetëm pas spektaklit, madje pas mbylljes së perdes.
Për herë të fundit jam takuar me Kadri Roshin në janarin e vitit 1994. U ngjitëm edhe njëherë të dy së bashku në skenën e Teatrit Kombëtar, i cili kish organizuar një ceremoni të bukur me rastin e 70 vjetorit të ditëlindjes së tij. Folën mjaft miq e dashamirës të Kadriut, aktorë dhe shkrimtarë. Pas urimeve të rastit të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Dritero Agolli, u ngrita edhe unë e thashë: “E kam njohur në vitet më të vështira dhe mendoj se arti dhe spektatori shqiptar, sado që ta nderojnë, do të jenë borxhlinj ndaj Kadri Roshit. Ai është një kolos që ka kontribuar në skenë dhe ekran, jo vetëm me kolegët e tij, por edhe në skenën e teatrit amator shqiptar. Ai punoi me grupin e ndërmarrjes së Ofiçinës së Automjeteve të Ndërtimit për të vënë në skenë dy drama, të cilat sot s’ka për t’i kujtuar njeri, por që për punëtorët e asaj ndërmarrje dhe familjet e tyre, që erdhën në këtë sallë për të parë, ato drama mbeten të paharruara”.
Pak kohë para se të ndahet nga kjo jetë, më 6 shkurt 2007, Kadri Roshin e pyetën nëse kishte ndonjë pishman. Artisti u përgjigj: “Borxhet. Kam shumë borxhe ndaj popullit tim. Më vjen shumë keq që s’ua laj dot. Më kanë rrethuar gjithë kohën me dashuri e ngrohtësi dhe sot më rrethojnë. Njerëz! Ju faleminderit. Ju jam mirënjohës për gjithë jetën”. Kolosi falenderon popullin dhe jo kolosët e rremë, ata që deshën ta zbresin nga piedestali, por që vetë u rrëzuan që andej si kriminelë.
Ardhja e Sevo Tarifës në OAN-për një takim dhe bisedë me punëtorët!
Partia e Punës së Shqipërisë, si të gjitha partitë komuniste, mbahej si Parti e klasës punëtore, si bartëse dhe transportuese e ideologjisë së saj. Ajo ishte në rolin e gardianit të “pastërtisë”, ideologjike të klasës punëtore dhe të gjithë shoqërisë. Për të kryer këtë rol, përveç fjalimeve dhe veprave apo kujtimeve të diktatorit, përveç shtypit, propagandës, shkollës, artit e kulturës, të gjitha këto nën kontrollin direkt të Partisë, përveç atyre që njiheshin si forma të edukimit politik, që ishin të detyrueshme për t’u ndjekur në institucione dhe qendra prodhimi, viheshin në lëvizje edhe konferencierë apo punonjës të niveleve të ndryshme të piramidës komuniste. Në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit, erdhi një herë një i tillë. Ai quhej Sevo Tarifa. Nuk e njihja personalisht Sevo Tarifën. E kisha parë dikur, rreth 20 vjet më parë, kur u pranova në radhët e Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë. Ai ishte në presidium. Më thanë se kishte mbaruar shkollën e ‘Komsomolit’ në Bashkimin Sovjetik. Sevo ishte Sekretar i Parë i rinisë së kryeqytetit. Pranimet bëheshin në grup dhe në çdo minutë shtohej në listë një anëtar i ri i Bashkimit të Rinisë së Punës të Shqipërisë. Kështu, për një minutë ose më pak, kaloi edhe kandidatura ime. Në kaq pak kohë nuk mund të krijoja as një lloj përshtypje për të.
Më pas nuk kam patur rastin ta takoj. E dija se ka qenë Sekretar i Partisë për propagandën në Gjirokastër, qytet në Shqipërinë e Jugut nga ishte me origjinë edhe vetë diktatori Hoxha. Më pas kaloi në Komitetin Qendror të Partisë në grupin e instruktorëve pranë Enver Hoxhës. Duke shfletuar shtypin shqiptar të ditëve tona lexova se zoti Sevo Tarifa, ishte jo tjetër, por thjesht “intelektuali shumëdimensional, ndërtuesi i shpirtrave të rinj njerëzor…”, etj., etj. Nuk di ç’të them. Në takimin që bëri me punëtorët e Ofiçinës nuk më pati lënë këtë mbresë.
Në këtë takim Sevo Tarifa foli për dy ideologji, atë socialiste progresive dhe atë borgjeze regresive në një luftë për jetë a për vdekje me njëra tjetrën. Sikurse tha ai, nëpërmjet agresionit ideologjik, borgjezia ka arritur në vendet e bllokut sovjetik, “rezultate kundërrevolucionare që nuk kishte mundur t’i arrijë as nëpërmjet ndërhyrjes së armatosur dhe as nëpërmjet agresionit fashist”. Ai na tha se në Perëndim borgjezia, nëpërmjet kredive, i korruptonte punëtorët, u krijonte atyre mundësi “të blinin makina larëse, televizorë etj….për të shuar luftën e klasave”. Më tej Sevo Tarifa foli për modën si “një kanal i rëndësishëm për degjenerimin e njerëzve nëpërmjet agresionit ideologjik imperialist”. Për të argumentuar këtë, ai citoi Enver Hoxhën, i cili kishte deklaruar se borgjezia i bënte thirrje rinisë: “Jepini djema! Të jetojmë në eufori dhe në gëzim, të argëtohet rinia, ajo e dashuron të renë dhe modernen! Kush janë këta konservatorë që na pengojnë të bëjmë çka duam? Ne duam lirinë dhe demokracinë, ne duam të bëjmë dashuri në rrugë dhe në kopshte publike, ne djemtë, duam të mbajmë flokët e gjata si gratë, duam të mbajmë një varëse me kryq, të shkojmë në kishë, të shohim numra striptize, të kemi një veturë dhe më pas edhe një avion”. Termometri i pastërtisë ideologjike ishin citatet e Enver Hoxhës i cili, duke folur p.sh. për flokët e gjata të të rinjve, kishte thënë: “A do t’i lejojmë ne të rinjtë të mbajnë flokë të gjata, që janë kaq të shëmtuara? Jo”!
Si arrita të merrja pjesë në takimin me Enver Hoxhën?!
Gjatë kohës që punoja në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit, m’u dha një ftesë për një takim me Enver Hoxhën. Ftesën ma siguroi shoku i nënës time, Njazi Çepani, veteran i Luftës së Dytë Botërore dhe, në atë kohë, kryetar i Frontit Demokratik të Lagjes Nr. 3 ku banoja edhe unë. Takimi zhvillohej në Teatrin e Operës dhe të Baletit. Enver Hoxha do të fliste përpara zgjedhësve në kuadrin e fushatës zgjedhore për deputetë në Kuvendin Popullor. Me ftesën në dorë u drejtova për në hyrjen e Teatrit të Operës e të Baletit. Aty ishin 3 apo 4 punonjës të Sigurimit të Shtetit, të cilët kontrollonin pasaportën dhe ftesën e personit që do të lejohej të futej në sallë. Unë u dhashë atyre pasaportën dhe ftesën. Njëri prej tyre, pasi verifikoi se unë isha unë dhe se ftesa më bëhej mua, më tha: “Shko qethu, pastaj eja e futu në sallë. Kështu siç je, me këto flokë, nuk do të lejojmë të jesh në takim me shokun Enver”. Shkova me nxitim në një floktore të afërt në fillimin e Rrugës së Dibrës, u qetha sipas “normave” dhe u ktheva në Teatrin e Operës dhe të Baletit. Oficeri i Sigurimit kur më pa, më njohu, qeshi fitimtar dhe më lejojë të hyja në sallë ku qindra pjesëmarrës të tjerë të takimit prisnin ardhjen e Enver Hoxhës. Kështu sakrifikova flokët për Enver Hoxhën. Po të mos e bëja këtë gjë do të dukej sikur unë nuk doja të takohesha me të, sikur për mua më rëndësi kishin flokët disi të zgjatura, se sa takimi me “udhëheqësin legjendar” dhe fjala e tij. Shkurt, mund të kisha edhe pasoja. Vetë Enver Hoxha në pleqërinë e tij, kur i ishte mbushur mendja se ishte i vetmi filozof i madh marksist i kohës, la t’i rriten e t’i zgjaten flokët. Harroi se sa të shëmtuara kishin qenë ato! Oficerët e Sigurimit, por edhe Sevo Tarifa, nuk kishin se si ta dinin vite më parë, se Enver Hoxhës dikur, në të ardhmen, do t’i pëlqenin flokët e gjatë!
Sevo Tarifa, meqë Enveri nuk kishte folur për pantallonat, e “pasuroi” disi atë. Në mensën e vogël të OAN-së ku u mblodhëm për ta dëgjuar atë, ai na shpjegoi se mbajtja e pantallonave me shumë xhepa në Perëndim, u duhej të rinjve për të futur në njërin xhep krëhërin, në tjetrin pasqyrën, e në xhepin e tretë, thikën për të bërë krime! Këto dhe mendime të tjera të ngjashme Sevo Tarifa i botoi një vit më pas në një broshurë të titulluar “Agresioni ideologjik dhe lufta kundër tij”. Shumë gjëra nuk u tha ai punëtorëve të Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit dhe as i shkruajti në broshurën që botoi. Mund të përmendim midis tyre faktin e njohur të kontrabandës së cigareve që bënte shteti komunist shqiptar në bashkëpunim me Mafian italiane në Detin Adriatik.
Kriteret që duhet të plotësonin punëtorët, për të siguruar një autorizim për makinë larëse (lavatriçe)!
Sevo u duartrokit nga klasa punëtore dhe mbeti shumë i kënaqur nga pritja që i’u bë. Pasi dolën nga salla punëtorët, filluan të tallen e të hedhin romuze, duke thënë se nuk qenka keq korruptimi borgjez, se borgjezia me agresionin e saj të siguroka të mira materiale, si: vetura, makina larëse, televizorët etj., që në Shqipëri mungonin. Në atë kohë ishin shumë pak familje shqiptare, që kishin në shtëpitë e tyre një makinë larëse. Ato, si edhe televizorët apo frigoriferët, shiteshin në një numër tejet të kufizuar, në një periudhë të caktuar të vitit, kryesisht në prag të Vitit të Ri. Ato mund të bliheshin vetëm pasi të kishe siguruar një autorizim përkatës nga qendra e punës ose, për veteranët, nga Komiteti i Veteranëve të Luftës. Ndërmarrjeve apo institucioneve, madje jo të gjithave, u jepeshin 2-3 autorizime në vit.
Kështu, për të “merituar” një autorizim, duhej të paraqisje një sërë arsyesh para Drejtorisë dhe Bashkimeve Profesionale, duhej të ishe jo vetëm një punonjës i dalluar, por edhe me biografi të mirë politike edhe, mundësisht të ishe vetë i sëmurë apo të kishe gruan të tillë. Kuptohet, në këto rrethana, secili paraqiste “arsyet” e tij dhe shpesh edhe kundër arsyet, përse “konkurrentët” nuk e meritonin autorizimin. Shpesh shpjegimet shoqëroheshin edhe me argumente apo situata favorizuese të rreme, me grindje dhe prishje qejfi mes kolegëve. Leksioni i Sevo Tarifës, në këtë ambient, nuk mund të mos çonte në konkluzionin se, në fund të fundit, borgjezia nuk ishte djalli i zi! Sevo, praktikisht, pa dashje, me ato që tha i kishte shërbyer “agresionit ideologjik” të borgjezisë!
Në shtypin shqiptar ndesha kohët e fundit në disa informacione, që bënin fjalë për ambasadorin shqiptar në Uashington, i cili i kishte kërkuar ryshfet një biznesmeni. Biseda e tij me këtë biznesmen ishte regjistruar. Ambasadori quhej Fatos Tarifa. Me këtë rast atij i përmendej edhe se ishte i biri i Sevo Tarifës. Më erdhi keq për Sevon e shkretë, që nuk kishte arritur të bindë, së paku të birin, që të mos korruptohej nga borgjezia dhe të mbante lart frymën revolucionare, moralin e pastër proletar!
Me ‘Kontrollin punëtor’, në Institutin e Lartë të Arteve, ‘për të ruajtur pastër vijën ideologjike të Partisë’!
Për të ruajtur “pastërtinë ideologjike”, Partia e Punës e Shqipërisë, midis të tjerave, organizoi edhe ata që u quajtën “Grupe të Kontrollit Punëtor”. Këta grupe ishin një imitim i revolucionarëve të revoltuar të Revolucionit të Madh Kulturor Proletar Kinez. Kishte, megjithëkëtë, një ndryshim. Ndërsa në Kinë revolucionarët e revoltuar maoistë godisnin Partinë Komuniste Kineze, duke i emërtuar strukturat e saj si “’shtabe të borgjezisë”, në Shqipëri, ishte Partia që godiste këdo dhe kudo, sipas rrethanave politike, vështirësive të brendshme, raporteve ekzistuese midis klaneve. Qëllimi ishte të ushtrohej terror masiv psikologjik, t’u kujtohej njerëzve të thjeshtë, se buka e fëmijëve të tyre varej nga niveli i pranimit prej tyre të skllavërisë së plotë, nga bindja ndaj kamxhikut të një ideologjie, në rastin më të mirë utopike, pa të tashme e pa të ardhme. Të revoltuarit revolucionarë maoiste i shërbenin, në fund të fundit, kultit dhe pushtetit të Mao Ce Dunit. Grupet e Kontrollit Punëtor i shërbenin, po kështu, kultit të Enver Hoxhës dhe pushtetit të tij.
Duke qenë se unë zyrtarisht po kalitesha me frymën e klasës, me ideologjinë e saj, më caktuan që në përbërje të një grupi punëtorësh të Ofiçinës së Automjeteve të Ndërtimit, të merrja pjesë në kontrollin që do të bëhej nga ky grup në Institutin e Lartë të Arteve. Mesa më kujtohet, grupi përbëhej nga 5-6 persona, të gjithë, përveç meje, punëtorë. Neve na kërkohej të gjenim “hallkat e tepërta” organizative dhe arsimore, të zbulonim se çfarë “rreziqesh” i kanoseshin punonjësve të këtij Instituti, që si artistë, të shkëputur nga jeta, ishin edhe më të ekspozuar se të tjerët ndaj agresionit ideologjik të borgjezisë! Grupi ynë i kontrollit punëtor duhet të revolucionarizonte atmosferën në Institut.
Asnjëri nga grupi ynë nuk kishte ndonjë përvojë pedagogjike, asnjëri nuk kishte ndonjë raport të afërt ose të largët me ndonjë veprimtari artistike, askush nuk kishte drejtuar në jetën e tij, jo më një katedër ku përgatiteshin artistët e ardhshëm, por as ndonjë repart mekanik. Ne kishim, megjithëkëtë, një epërsi të padiskutueshme. Në atë kohë ishin lëshuar parullat “kur flet klasa, vendos Partia” ose “kur flet klasa, hesht burokracia”, e të tjera të ngjashme. Ne ishim “klasa”! Nëse të tjerët do të flisnin, d.m.th., do të kishin mendime të ndryshme nga ato që do të jepnim ne si konkluzione, ata mjaft lehtë mund të etiketoheshin edhe si “burokratë” edhe si njerëz “të rehatit”, si “liberalë”, si të “paformuar”, si “intelektualistë”. Shkurt ata mund të etiketoheshin si të prekur, në një mënyrë apo në një tjetër, nga agresioni ideologjik i borgjezisë. Njerëz të tillë duheshin “shëruar” dhe mjekimi i vetëm efikas ishte largimi i tyre nga ai vend pune, dërgimi diku “pranë jetës”, për ta njohur atë, pranë klasës punëtore, për t’u riedukuar me frymën e saj!
Në grupin tonë përgjithësisht ishin njerëz që nuk kërkonin të luanin rolin e “heroit” apo të “shpëtimtarit” të individit apo të shoqërisë nga rreziku i degjenerimit borgjez. Kishim një komunist fanatik, Haki Shijaku quhej. Nuk ishte nga ata që fanatizmin e kanë si maskë për të treguar devotshmërinë e tyre dhe për të përfituar ndonjë privilegj. Rasti e kishte sjellë që në kohën e Luftës, në shtëpinë e tij ishte shtypur numri i parë i gazetës “Zëri i popullit”, organ i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Vitet kishin kaluar dhe ai kishte mbetur gjithnjë një punëtor i thjeshtë. I vetmi “privilegj”, ishte se në murin e jashtëm të shtëpisë së tij, ishte vendosur një pllakë ku thuhej se, në atë shtëpi ishte shtypur numri i parë i gazetës “Zëri i popullit”, pra ai mund të mburrej me këtë fakt. Në diskutimet paraprake që bënim si grup për të arritur në një konkluzion të përbashkët, Hakiu gjithnjë ngulte këmbë që ky konkluzion, të ishte sa më radikal. Me siguri mendonte se kështu po i bënte një shërbim Partisë, si në atë mbrëmje kur u shtyp “Zëri i popullit”.
Fjala ime me konkluzionet si “Kontroll punëtor’, në sallën e Institutit të Arteve!
Pas disa ditësh, grupi ynë paraqiti konkluzionet e tij në një sallë të madhe në Institutin e Lartë të Arteve të mbushur plot e përplot. Para hartimit të tyre, unë kisha biseduar privatisht edhe me vajzën e xhaxhait, Glorian, që ishte studente e këtij Instituti. Prej saj mora disa të dhëna “konfidenciale”, rreth funksionimit të katedrave të ndryshme, organizimit dhe ngarkesës së punës në këto katedra, u informova edhe me “historikun” e formimit të tyre, etj. Në konkluzionet e grupit, të cilat i paraqita unë, ne propozuam të bëheshin disa shkurtime kuadri, të bëheshin disa riorganizime disiplinash studimi, të shiheshin edhe skemat e vjetra të funksionimit të katedrave të këtij Instituti. Pashë se studentët ishin të kënaqur. Ata duartrokitën me entuziazëm duke miratuar kështu propozimet tona. Ndoshta lanin edhe ndonjë hesap me ndonjë pedagog të tyre! Kuadri drejtues dhe ai mësimor nuk ishin aq entuziastë dhe është e kuptueshme. Rezervimi i tyre i pashprehur, lidhej sigurisht edhe me fatin e secilit, pra kush do të vazhdonte punën aty si më parë, kush do të zhvendosej dhe ku!?
Më kujtohet një ish profesor i imi i fizkulturës në vitet e gjimnazit, Abdulla Stërmasi quhej, një burrë babaxhan, shtatlartë, i shëndoshë dhe i fuqishëm. Ai më ndaloi kur mbaroi takimi. Ishte i shqetësuar. “Se mos më heqin tani në prag të pensionit”, më tha. E qetësova profesorin tim, duke i thënë se orientimi është që të mos lëvizin, të mos largohen nga puna ata që janë në prag të pensionit. Kështu na kishin thënë në Komitetin e Partisë, para se të niseshim si grup kontrolli në këtë Institut. Këtë porosi ne ia përcollëm edhe drejtuesve të Institutit të Lartë të Arteve.
Interesant është kur kujton sot se, ‘Grupet e kontrollit punëtor’, dërgoheshin kudo, në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha hallkat e sistemit administrativo-shtetëror, por asnjëherë në hallkat e organizimit partiak. Asnjë kontroll punëtor nuk është bërë në komitetet e partive të rretheve apo të rajoneve, për të mos u ngjitur deri në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë, nga ku nuk kanë reshtur së dali armiqtë dhe tradhtar, gjatë të gjithë viteve të komunizmit në pushtet. Po të shkojmë me logjikën e kohës dhe ta pranojmë atë si normale duhet thënë se është pikërisht kjo mungesë kontrolli nga klasa punëtore, që ka bërë të “lulëzojë” tradhtia në sferat më të larta të piramidës komuniste në Shqipëri, përjashto diktatorin.
Po përse Partia nuk e pranonte “kontrollin punëtor” ose, thënë ndryshe, “zërin e klasës”, për të ruajtur pastërtinë ideologjike edhe në radhët më të larta të saj? Përse dy standarde për të njëjtin problem, që servirej si jetik për fatet e revolucionit dhe të socializmit në një kohë kur thuhej se askush nuk është i imunizuar nga agresioni ideologjik i borgjezisë, se askush nuk është i pagabueshëm dhe se veçse klasa punëtore nuk gabon? Thjesht sepse “zëri i klasës” ishte zëri i Partisë dhe se zëri i Partisë ishte zëri i Enver Hoxhës. Ja përse ky nuk kishte nevojë për “zërin e klasës”. Ky zë i duhej atij thjesht si një maskë për të veshur me një petk demokratik, popullor, egërsinë e asaj, që njihej si diktaturë e proletariatit. A nuk kishte thënë ai se diktatura e proletariatit është demokracia e vërtetë, është demokracia e masave milionëshe?! Përse nuk kishte thënë se demokracia proletare është demokracia e vërtetë, demokracia e masave milionësh?! Thjesht sepse një demokraci e tillë as ekzistonte dhe as i duhej Partisë së klasës punëtore, siç pretendonin të ishin të gjitha partitë komuniste. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016