Nga Bashkim Trenova
Pjesa e njëmbëdhjetë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
Vijon nga numri i kaluar
Armiqtë e popullit
Kolegu i zyrës, Arshini, me ‘hijen’ e dajës që ja kishin pushkatuar partizanët gabimisht!
Duke kujtuar “të kaluarën” më bie ndër mend një natë, ndërsa unë punoja ende në Radion e Jashtme. Arshini i sjellshëm dhe i ndrojtur më kërkon që të më shoqëronte gjatë kthimit për në shtëpi. Më tha se donte të bisedonte diçka, kishte një hall. Gjatë rrugës ai më thotë se dashuronte një vajzë, teknike në Radio-Televizionin Shqiptar. Edhe ajo e dashuronte atë. Lidhja e tyre i shqetësonte prindërit e vajzës, që ishin me biografi të mirë. Në mos gaboj, babai i saj ishte oficer. Ai kishte «zbuluar» se Arshini na paska patur një dajë të pushkatuar nga partizanët. Në të vërtetë Arshini, kishte patur një dajë, që ishte pushkatuar gabimisht nga partizanët. Për të mbuluar këtë gabim tragjik, ai u deklarua prej tyre si ballist, d.m.th. simpatizant apo anëtar i organizatës nacionaliste që, në segmente të saj, bashkëpunoi hapur me pushtuesit nazistë. Ai, në fakt, nuk kishte qenë asnjë ditë ballist. Më vonë, më duket se i’u njoh edhe pafajësia, por derisa u arrit këtu, Arshini jetoi me pasigurinë për të sotmen dhe për të ardhmen, midis dashurisë së sinqertë dhe braktisjes së mundshme, normales dhe një fundi të panjohur.
Me fillimin e Lëvizjes Demokratike edhe Arshini u angazhua në radhët e forcave demokratike. Kjo ndoshta ishte edhe «hakmarrja» e tij, megjithëse ai nuk ishte as inatçi dhe as hakmarrës. Pas fitores së demokracisë, ai u largua së bashku me shoqen dhe vajzën e tij si refugjat në Itali ku jeton edhe sot. Atje nuk e priste askush, por ai iku për të lënë pas të kaluarën, me shpresë se do të ndërtojë një jetë të re, ashtu siç ikën edhe rreth 1.5 milionë bashkatdhetarë të tij. Kam mësuar se në fillim ai bëri punë të rëndomta, ashtu si pjesa dërmuese e emigrantëve, që kanë fatin të angazhohen në një punë. Një ditë bashkëshorti i mbesës sime, Venerës, një italian nga Lugo, ndërsa unë punoja në Ministrinë e Jashtme, vjen e më takon dhe më sjell një kuti me çokollata nga Arshini. Ky është edhe «takimi» im i fundit me të.
Ndërsa me Dervish Dumin kisha rreth 15 vjet pa u takuar dhe Arshin Ruçajn ka mbi 17 vjet pa e takuar, me Albert Shalën ose, siç e thërrasin miqtë e tij, Bertin, lidhjet nuk janë shkëputur asnjëherë. Jemi takuar në Bruksel ku unë jetoj me familjen prej më se 15 vjetësh, jemi takuar në Amsterdam ku jeton vajza e tij e madhe Albana së bashku me dy djemtë e saj, në Anvers si edhe në Tiranë ku rikthehem kohë pas kohe për të takuar vëllain tim Gencin si edhe miqtë e mi që jetojnë atje.
Edhe kolegun tjetër, Albert Shala, e larguan nga Tirana për “njolla në biografi”
Berti erdhi në Tiranë nga qyteti verior i Shqipërisë, Shkodra. Ky qytet njihet për humorin e pashterur të banorëve të tij, për një traditë të lashtë kulturore si edhe për persekutimin që i është bërë klerit katolik në kohën e komunizmit. Ndryshe nga Dervishi, plot temperament dhe, po të lëndohej, edhe agresiv, Berti ishte njeri i qeshur, i qetë, i shmangej konfliktit. Atij i pëlqente të hidhte në një copë letër portretet tona të karikaturizuara. Më pas ai do të zbulonte edhe talentin e tij si piktor, sidomos në fushën e peizazhit. Si të gjithë ne, që mbaruam studimet e larta dhe u emëruam në punë në Radio Tirana, edhe Berti ishte pa «njollë» në biografi. Familja e tij ishte e lidhur me qëndresën antifashiste dhe, për pasojë, me komunizmin pas Luftës së Dytë Botërore.
Berti nuk do të mbetej gjatë pa «njollë» në biografi. Sikurse shkruan shoku ynë i përbashkët, Agron Çobani në librin e tij «Ju flet Tirana», «edhe për Bertin do të ishte i njëjti fat si për të shumtët». Në vitin 1974 ai kritikohet në organizatën e Partisë si «liberal». Ky cilësor u vishej atyre që etiketoheshin si armiq të Partisë e të popullit, atyre që kërkonin të zbusnin luftën e klasave dhe të kthenin Shqipërinë në kapitalizëm! Organizata e Partisë vendosi largimin e tij nga Radio Tirana si edhe nga qyteti i Tiranës. Berti u transferua në Krujë, një qytet i vogël malor në veri të kryeqytetit. Në Krujë ai do të niste punën fillimisht si gazetar në gazetën lokale «Kastrioti» dhe më pas si kryeredaktor i kësaj gazete. Atje ai do të qëndrojë për një periudhë 8 vjeçare së bashku me familjen e tij, që u detyrua të largohet edhe ajo nga Tirana. Por, përse e bashkuan edhe Bertin “me të shumtët” ?!
Në qershorin e vitit 1974 është mbajtur Plenumi i IV i Partisë së Punës të Shqipërisë, plenum ky që dënoi «liberalizmin» si armë e degjenerimit borgjez. Ky Plenum erdhi pas Festivalit të XI të Këngës në Radio Televizion, i cili u shpall si një festival heretik. Këngët e tij do të ndaloheshin të transmetoheshin nga Radio Tirana dhe do të futeshin në fondin e saj të zi. Disa këngëtarë, kompozitorë, organizatorë dhe drejtues të këtij Festivali, do të përfundonin në burg, të tjerë nuk do të liheshin pa u ndëshkuar. Nuk shpëtoi as Nefo Myftiu, gruaja e Manush Myftiut, anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës dhe Sekretar i parë i Komitetit të Partisë për kryeqytetin. Nefo ishte një grua e rrallë, sidomos po të vlerësohet nga pozita e saj politike dhe shoqërore, po të krahasohet me të tjerë që jetonin në atë që quhej Blloku, d.m.th në lagjen hermetike të kupolës komuniste. Nefo ishte me një zemër të madhe dhe nuk kishte citate të shenjtëruara të Marksit, të Stalinit apo të Enverit në vend të saj. Ajo ishte Drejtoreshë e Radio Tiranës dhe në varësi të saj ishte edhe përgatitja e Festivalit të XI të Këngës në Radio Televizion. Dënimi i Festivalit ishte edhe dënimi i Nefos. Atë e larguan nga Radio Tirana dhe e dërguan të punojë si zv/Drejtoreshë e Ndërmarrjes Artistike “Migjeni”, një ndërmarrje që prodhonte objekte dhe veshje artistike duke u bazuar mbi motivet popullore. Këtu, mesa më kujtohet, fillon edhe “mëkati” liberal i Bertit.
Kolegu Shala e pësoi pasi propozoi që Drejtoresha e Radios, të mos largohej nga Tirana, por ta vuante aty dënimin!
Nefo Myftiu i përkrahte të rinjtë, të talentuarit. I tillë ishte edhe Berti. Shpesh ajo shkëmbente mendime me Bertin, të cilin edhe e vlerësonte për shumë arsye. Ne, të rinjtë e tjerë, e shihnim Bertin si “konsulentin” e besuar të saj. Respektin e ndërsjellët dhe përgjithësisht korrektesën në marrëdhëniet e tyre në punë, i vlerësonim si model. Unë vetë kisha fatin jo të mirë të punoja me një drejtor dhe më pas edhe me një shef redaksie, që në marrëdhëniet me punonjësit ishin krejt e kundërta e këtij modeli. Berti, siç duket, kur u dënua Nefo ndjeu njëlloj borxhi moral ndaj saj. Për të qenë i qetë me ndërgjegjen e tij u ngrit dhe mori fjalën në mbledhjen e organizatës së Partisë. Ai propozoi që Nefo Myftiu të mos largohej nga Radio Tirana, por ta shlyente gabimin aty ku edhe e kishte kryer, pra po në Radio. Kaq mjaftoi që ai të “shoqëronte” Nefon jashtë dyerve të Radios si “liberal”, i padenjë për këtë institucion. Për mua, Berti tregoi karakter. Për Partinë njerëzit me karakter ishin në shënjestër.
Plenumi i IV paralajmëroi për “kurbane” të tjerë, pasi, sipas tij, degjenerimi ideologjik dhe artistik i paraprinte komploteve dhe puçeve kundër udhëheqjes së Partisë. Pas tij vijoi historia e asgjësimit barbar të të ashtuquajturave grupe armiqësore ne ushtri, mbrojtje, ekonomi, tregti te jashtme, bujqësi, por edhe ne arsim, kulture, transport etj.
Pas Plenumit të IV diktatura u sul egërsisht mbi të gjithë artin dhe kulturën. Arti i vërtetë u mohua. U ndaluan operat e huaja, filluan të dominojnë këngët e masave për Partinë, për Enverin. Ironia ishte se ndërsa i këndohej Partisë dhe dyqind “petritave”, d.m.th. dyqind themeluesve të saj, që “hapën historinë e kuqe”, nga të dyqindët kishte mbetur i lavdishëm vetëm Enver Hoxha. Një grusht prej tyre u vranë gjatë luftës. Shumica u deklaruan tradhtarë dhe ose u burgosën, ose u pushkatuan, ose u arratisën jashtë Shqipërisë. Në këtë tërbim taliban komunist,shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, disa herë kandidat për çmimin Nobël në letërsi, do të botonte në vitin 1974, në gazetën “Drita” një artikull “Mbi disa çështje të temës së luftës dhe të mbrojtjes së letërsisë sonë”. Në këtë artikull ai do të shprehet: “Plenumi IV i KQ të Partisë e theksoi edhe një herë me forcë se ç’rrezik përmban në vetvete, jo vetëm për letërsinë dhe artet, por për fatet e revolucionit, zbehja e kësaj fryme heroike dhe krijimi i iluzioneve pacifiste, që propagandohen sot me aq zell në botën borgjezo-revizioniste”. Ai , në një far mënyre, bëhet altoparlant i këtij Plenumi famëkeq! Ishte i detyruar? Ai vetë ka thënë vite më pas se nuk ka qenë hero dhe as që ka dashur të jetë hero. Në të vërtetë Kadare mbijetoi për të qenë hero i letrave shqiptare.
Për Bertin duhet thënë se në të gjithë këtë kasaphanë, sidoqoftë, ai shpëtoi paq me kaq. Më 23 tetor të vitit 1981, ai erdhi në gazetën “Zëri i popullit” në Sektorin e Informacionit. Berti u emërua shef i këtij Sektori. Duke kujtuar këtë ditë ai më dërgonte së fundi një mesazh ku shkruante: “Binte shi dhe unë isha lagur, por nuk e di se përse dridhesha – nga fakti që u ktheva në Tiranë përsëri, sepse ndryshe kockat do të më mbeteshin në Krujë, apo se më kishte hyrë e ftohta në palcë”.
Kthimi i Bert Shalës nga Kruja te “Zëri i Popullit” dhe pse nuk e morra dot te ‘RD’-ja?
Berti vazhdoi të punojë në “Zëri i popullit” edhe pas vendosjes së demokracisë në Shqipëri. Ai ka bërë disa artikuj të kujdesshëm ku kritikon gabimet e pushtetarëve të rinj, kryesisht nga radhët e Partisë Demokratike. Unë kisha dëshirë që Berti të angazhohej pranë gazetës “Rilindja Demokratike”, të cilën e drejtoja në atë kohë. Bisedova për këtë gjë edhe me Sali Berishën, kryetarin e Partisë Demokratike, në atë kohë president i Republikës. Saliu më tha se: “Berti është djal i mirë, por ai është pozicionuar tashmë me artikujt e tij”. Saliu harronte kështu atë që vetë kishte thënë se “në demokraci nuk ka të vonuar”. Pavarësisht nga ky fakt, unë mendoj se Berti edhe pse qëndroi deri në fund tek “Zëri i popullit”, edhe atje me shkrimet e tij kritikë i ka shërbyer demokracisë. Në fund të fundit, një demokraci e pakritikueshme nuk është më një demokraci, por një demokraturë. Para daljes në pension, Berti botoi edhe një libër kushtuar të gjithë kryeredaktorëve të “Zërit të popullit”. Në fakt ky botim serioz është, në një far mënyre, vetë historia e “Zërit të popullit”, madje e vetmja histori e kësaj gazete, që për afro një gjysëm shekulli, ishte gazeta kryesore në Shqipëri, gazeta që të jepte lavdi ose të groposte njëqind pashë nën dhe.
Pas një pune të vështirë dhe me mjaft përgjegjësi prej disa dhjetëvjeçarësh, edhe Berti arriti në moshën e pensionit. Ai doli në pension, por nuk i’u akordua e drejta e shpërblimit si të gjithë pensionistëve. Kryeredaktori i “Zërit të popullit”, Erion Braçe, nuk kishte derdhur pranë Sigurimeve Shoqërore detyrimet që i përkisnin gazetës. U desh të kalojë njëfarë kohe që Berti i pensionuar të përfitonte, më në fund, pagesën e pensionit. Telashe në rini, telashe edhe në pleqëri!
Konflikti me kryeredaktorin tim, Kiço Pandeli, në Radio-Tirana
Në kohën e Festivalit të XI të Këngës në Radio Televizion dhe të Plenumit të IV të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, unë nuk kam qenë në Radio. Pas gjashtë viteve punë në Radion e Jashtme, kisha bërë kërkesën për t’u pranuar anëtar i Partisë së Punës. Organizata bazë e Partisë e pranoi kërkesën time, pra më pranoi si kandidat për t’u bërë anëtar i Partisë së Punës. Sipas vendimit të saj, unë punoja, në atë kohë, si punëtor në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit. Vala e Plenumit të IV, megjithëkëtë, nuk më la as mua mënjanë.
Muaj dhe vite më parë se të zhvillohej Festivali i XI i Këngës në Radio Televizion, si edhe para se të mblidhej Plenumi i IV i Komitetit Qendror të Partisë, kisha kritikuar drejtorin e Radios së Jashtme, Kiço Pandelin, sekretarin e Partisë, Dhori Ninin, si edhe shefin tim direkt, Hasan Pincin, si të burokratizuar, të paaftë për t’iu përgjigjur kërkesave të propagandës së kohës, si prepotentë, arrogantë dhe intrigantë. Kiço kishte mësuar disa formula për të bërë të heshtnin punonjësit si, p.sh.: “shteti jam unë”, “ligjin e bëj unë”, “kryeredaktori është diktator”. Atë e kisha kritikuar në një fletë-rrufe, duke e cilësuar si burokrat komunist. Në krye të fletë-rrufesë kisha vënë edhe citatin – “Burokrati komunist është burokrati më i rrezikshëm”. Sipas asaj që kisha shkruar, autorësia e citatit i takonte Stalinit. Kështu më kishte thënë Dervish Duni dhe unë e besova pa e verifikuar. Në të vërtetë, vite më pas lexova se këtë mendim e kishte shprehur Lenini dhe jo Stalini.Sidoqoftë atë nuk e vuri askush në dyshim në atë kohë. Stalini ishte Jezusi apo Muhameti i komunizmit shqiptar deri në ditët e fundit të frymëmarrjes së tij.
Hasan Pincin e kisha kritikuar “për metoda policore në punë”, se ai regjistronte fshehurazi fjalët e vartësve dhe i përdorte ato në një moment, që e gjykonte të favorshëm. Atë e kisha kritikuar për thashë e theme, për servilizëm ndaj drejtorit të përgjithshëm të Radio-Televizionit Shqiptar, Thanas Nanos dhe si i paaftë në punë. Atë e kisha kritikuar për faktin se kishte krijuar marrëdhënie të tensionuara me redaktorët dhe përkthyesit, të cilët për pasojë, ose kishin kërkuar të largohen nga puna, ose kishin paralajmëruar se do të kalonin në skandale, se do t’i gjuanin me tullë kokës, se kishin alergji ndaj tij etj.,etj. Në një rast, nuk më kujtohet se përse, kisha munguar disa ditë në punë. Kur u ktheva, Hasan Pinci vjen drejt tryezës sime të punës dhe më zgjat dorën e “miqësisë”. Unë ia lash dorën pezull dhe i thashë: “Do të më dhimbte zemra po ta jepja dorën ty”.
Për Dhori Ninin kisha thënë se ai “ka degjeneruar si komunist”, se ai kishte frikë nga Drejtori i Përgjithshëm, Thanas Nano, për të cilin kishte thënë se po ta kritikosh, “të bën gjëmën”. Në fakt për Thanasin edhe kishte të drejtë. Dhori e dinte se si i kishte thënë ai Hysen Pojanit: “Të hedh në rrugë të madhe, e të le fëmijtë pa bukë”! Dhori e dinte edhe se si e degdisi ai Hysenin ish-partizan, komunist i vjetër dhe gazetar me stazh, për të punuar në një fshat të largët të Tiranës. Pavarësisht nga këto të vërteta, Dhori ishte sekretari i Partisë dhe për mua ai duhet të ishte shembull i kurajos komuniste, i ndershmërisë.
Dy shefat tanë që drejtonin propagandën e Partisë në Radion e Jashtme, s’dinin asnjë gjuhë të huaj!
Kiço nuk dinte asnjë gjuhë të huaj, por ndiqte transmetimin e emisioneve të Radios së Jashtme, pra transmetimet në gjuhë të huaja, për të mos lejuar që të kalonte ndonjë gabim ideo-politik! Ai nuk kishte arsim të lartë, nuk kishte mbaruar asnjë fakultet, por Partia e kishte ngarkuar të drejtonte propagandën për jashtë dhe gazetarët, që punonin në këtë sektor, të gjithë këta me studime universitare të mbaruara. Ai ishte aq i trembur saqë i gjente të gabuara dhe korrigjonte edhe vetë fjalimet e diktatorit, kur ne përdornim pjesë të tyre pa cituar autorin dhe burimin. Ai kishte frikën si busull në punë, ishte drejtues i paaftë. Po kështu ishte edhe Hasan Pinci, shefi i Redaksisë që “drejtonte” luftën kundër revizionizmit modern dhe social imperializmit sovjetik. Të dy as kishin hapur dhe as do të hapnin ndonjëherë për të lexuar një gazetë të huaj, edhe pse drejtonin propagandën për jashtë, edhe pse do të duhej, në parim, me njohuritë e tyre të na hapnin horizont ne redaktorëve. Hasani si edhe Kiço, nuk njihte korrekt as shqipen e jo më një gjuhë tjetër. Ai erdhi në Redaksi nga ushtria, me çizme ushtarake.
I ngjashëm me Kiçon e Hasanin ishte edhe Dhori Nini. Gjatë atyre viteve në Radion e Jashtme punonin edhe disa marksistë-leninistë të ardhur nga vende të ndryshme perëndimore. Midis tyre ndodhej edhe një çift zviceran, Nils dhe Renée Anderson. Një ditë Rennée Anderson më kërkon që t’i shërbeja si përkthyes në një bisedë që donte të bënte me Dhori Ninin. Ajo i kërkoi Dhori Ninit që të mos transmetohej një rubrikë e shkruar prej tij dhe që reklamonte rendimentin e lartë të prodhimit të qumështit nga lopët në Shqipëri. Sipas Renées, me një rendiment të tillë të reklamuar si “sukses i madh” i fshatit tonë socialist, në Perëndim do të qeshnin, pra efekti do të ishte i kundërt nga ai që kërkonim të arrinim, në vend të propagandës do të bënim një kundër propagandë, një autogol. Sikurse u mundua të shpjegojë Renée Anderson, në Zvicër, Danimarkë, Belgjikë etj., vende në Perëndim, prodhimi i qumështit nga një lopë jo socialiste, ishte shumë më i lartë në raport me lopën e Shqipërisë socialiste. Dhori nuk e pranoi arsyetimin e saj. “Për ne, tha ai, është një sukses». Mbas disa muajsh Renée Anderson shkoi për pushime në Zvicër. Prej andej u dërgoi mjaft punonjësve të Radios së Jashtme nga një kartolinë me pamje nga Zvicra. Dhori Ninit i dërgoi një kartolinë ku pozonte një lopë hijerëndë zvicerane! Dhori, njëlloj, vazhdonte të përgatiste dhe transmetonte rubrikat e tij për dëgjuesit e huaj, sikur i drejtohej dëgjuesit shqiptar. Më kujtohet një rast tjetër kur një marksiste-leniniste franceze, Mishelë quhej, pasi lexoi në emisionin e frëngjishtes një rubrikë për «revolucionarizimin e mëtejshëm të jetës së brendshme» në Shqipëri, pati një bisedë telefonike me nënën e saj, që banonte në Paris. Asgjë nuk kishte kuptuar parizania, sepse ishte folur shqip me një fjalor frëngjisht. Sidoqoftë ajo kishte mbetur e kënaqur sepse dëgjonte zërin e së bijës. Ky ishte, në fund të fundit, edhe motivi i vetëm i dëgjimit prej saj i Radio-Tiranës. Pasi u largua nga Shqipëria, Mishelë më ka dërguar një letër më 31 gusht 1973, ku përsërit të njëjtën gjë. Në letrën e saj, midis të tjerave, ajo shkruan: “Është jashtëzakonisht e vështirë të dëgjosh Radio Tiranën këtu…Për më tepër programet e saj, me të vërtetë tepër, tepër pak i përshtaten dëgjuesve të saj…! Në fakt, shumica e njerëzve pasi e kanë dëgjuar Radio Tiranën, dy apo tre herë janë dekurajuar, qoftë për shkak të vështirësive teknike ,(dëgjimi i keq), ashtu edhe për shkak të përmbajtjes, që nuk i tërheq”.
Kolektivi i Radios votoi propozimin tim, për të larguar tre shefat e paaftë!
Për këto dhe të tjera arsye unë kisha propozuar në një mbledhje të kolektivit që Kiço Pandeli, Hasan Pinci dhe Dhori Nini, të qarkullonin, d.m.th. të kalonin në detyra të tjera. Në këtë kohë, në vitin 1972, diktatori kishte mbajtur një fjalim përpara kuadrove të rrethit të Matit, në veri të Shqipërisë. Nga fjala e Enver Hoxhës në Mat, dukej sikur regjimi po krijonte një tjetër atmosferë, sikur po kërkohej të dëgjohej «zëri i masave», pra i njerëzve të thjeshtë të punës, sikur kërkohej të goditej burokratizmi kudo, në çdo nivel. Në këtë klimë, i gjithë kolektivi votoi për qarkullimin e Kiços, Dhorit dhe Hasanit. Organizata e Partisë e Radios së Jashtme, gjithashtu do të pajtohej me vendimet e kolektivit. Vetë Kiço Pandeli, Dhori Nini dhe Hasan Pinci, do të solidarizoheshin me kolektivin. As që më shkonte në mendje në atë kohë se Partia vetë i kishte zgjedhur dhe vendosur ata në postet përkatëse jo aksidentalisht, por se kështu i duheshin asaj, të paaftë, mediokër, pa karakter. Këta ishin besnikët e pakushtëzuar të Partisë, ‘roboti homos komunistus’. Këtë të vërtetë do të ma dëshmonte koha pa vonuar shumë. Do të ishte një tjetër fjalim i Enver Hoxhës, ai i mbajtur në Plenumin e IV të Komitetit Qendror të Partisë kundër “liberalizmit”, që do ta kthente 180 gradë rrjedhën e ngjarjeve.
Në fjalën e tij në Plenumin e IV, Enver Hoxha, në mënyrë tepër agresive, bënte thirrje për të dërmuar çdo shfaqje “moderniste” e “liberale”, siç i cilësonte ai përpjekjet edhe më minimale për të dhënë diçka të re, jashtë klisheve, si në fushën e artit e të kulturës, në jetën e Partisë, në fushën e mendimit, në modë etj. Në këtë rast, tabori i tij i sulmit do të ishin të gjitha forcat e vjetra konservatore të shoqërisë, që do të rreshtoheshin nën flamurin e shpëtimit të Partisë nga armiqtë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016