Nga Bashkim Trenova
Pjesa e shtatë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al
“Armiqtë e popullit”
Debatet me drejtorin e shkollës dhe profesorin e letërsisë, që gjeti “gabime ideologjike” në hartimin tim
Me Sofokli Afezollin, do të kisha edhe përballje të tjera. Njëra ndodhi në vitin 1959. Isha gjimnazist në vitin e dytë. Po flitej shumë mbi rrugët e reja të kalimit në socializëm, të propaganduara nga Hrushovi, udhëheqësi i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, si të thuash, ‘Papa i komunizmit’. Drejtori ynë, tepër entuziast, vjen në klasën tone, për të na folur për “rrugën paqësore të kalimit në socializëm”. Pasi përfundoi ligjëratën, ai kërkoi që të flisnim edhe ne, nxënësit e tij. Unë u ngrita dhe thashë se: kalimi në socializëm në rrugë paqësore, nuk ishte i mundshëm, se revolucioni ishte rruga e vetme e kalimit në socializëm. Unë përdora si argument në favorin tim, edhe Luftën e Spanjës në vitet 1936-1939. Debatuam deri në fund të orës së mësimit, duke mbetur secili në mendimin e vet. Unë e dija se drejtori ynë e kishte një njollë me Konferencën e Partisë së Tiranës. Duke kundërshtuar atë unë mendoja se mbroja revolucionin, socializmin, komunizmin.
Po në këtë vit, në një orë mësimi letërsie, profesori ynë, Bestar Kongoli, na kërkoi që të bënim një hartim duke zgjedhur vetë ne temën e tij. Unë shkruajta për diskriminimin nacional që i bëhej shkollës shqipe në Kosovë, atëherë pjesë e Jugosllavisë, krahinë e Serbisë. Pas korrigjimit që i bëri hartimeve tona, profesor Kongoli, kishte vlerësuar hartimin tim me notën dy plus. Nota dy ishte më e ulta, e pakalueshme. Në anë të faqes së fletores, kishte shkruajtur: “Gabime të mëdha ideologjike, mendime shoviniste”. Ai i’a tregoi edhe klasës hartimin. Unë, i fyer rëndë, shkova tek drejtori. I thashë atij se ç’kisha trajtuar dhe e pyeta nëse ai mendonte se ishte “shoviniste”? Ai kërkoi që t’ia lija fletoren dhe të shkoja të nesërmen në Drejtori për ta takuar. Kështu edhe bëra. Sofokli Afezolli më tha se hartimi nuk kishte aspak mendime shoviniste, se shkolla kështu i donte nxënësit e saj. Ishte hera e parë dhe e fundit që ne ishim të një mendimi. Bestar Kongoli e ndryshoi notën e hartimit tim nga dysh plus, në tresh plus. Treshi ishte pragu i notës së kalueshme. Nga ajo kohë nuk e kam parë më Bestar Kongolin. Në mësimdhënien e letërsisë, atë e zëvendësoi Fejzi Dika.
Fejzi Dika, profesori i diplomuar në Francë, që i tregova ‘poezitë’ e para
Fejzi Dika, një burrë fisnik, i qetë, romantik, pak i thinjur, kishte botuar para Luftës një vëllim me poezi. Studimet i kishte bërë në Francë, ku edhe ishte njohur me atë që do të bëhej udhëheqës i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Enver Hoxhën. Pas Luftës, mbi të, si pothuajse mbi të gjithë studentët shqiptarë, që ishin njohur me Enver Hoxhën në Paris, kishin rënë ‘rrufetë’ e Zeusit. Shkrimtari i mirënjohur, Ismail Kadare, duke folur për ata që ai i ka cilësuar si “zotërinj të kulturës shqiptare”, përmend midis tyre edhe Fejzi Dikën. Ismail Kadare thotë: “Regjimi komunist e ndjeu menjëherë se ky ekip shkrimtarësh, këta mohikanë të fundit, ishin të huaj për të. Ata ishin dëshmitarë bezdisës për krimet e tij”.
Fejzi Dikës i kam treguar “poezitë” e mia të para. Si nxënës, unë kisha marrë atëhere trofeun e parë dhe të fundit në fushën e letërsisë. Për nder të Kongresit të III-të të Partisë së Punës, isha dekoruar me “medaljen” e “Letrarit të ri”. Kjo “medalje”, të cilën e kam edhe sot të ruajtur në një kutizë të veçantë e veshur me kadife blu, është një pllakë e rrumbullakët, argjilë i pjekur. Në qendër të saj është figura e një pionieri që nderon me dorën e ngritur lart mbi kokë. Anash janë të shkruajtura fjalët: “Letrari i ri. Për nder të Kongresit të III-të të PPSH”. Në pjesën e sipërme të saj, është një hapësirë ku kalon në formë fjongo një shirit mëndafshi blu. Nga profesor Fejzi Dika, unë mora edhe këshillat e para, të kujdesshme, në fushën e asaj që quhet krijimtari letrare, ku startojnë pothuajse të gjithë në rininë e tyre, por që pak, shumë pak arrijnë në finish.
Profesor Fejzi Dika ishte me një kulturë mjaft të plotë. Ai, së bashku me Natali Markun, pedagogen e rusishtes për të cilën do shkruaj në një kapitull tjetër, ku do të flas edhe për bashkëshortin e saj, gjeneral Gjin Markun, ishin të fundit profesorë të gjimnazit të damkosur nga regjimi me “njollë në biografi”. Natalia, në të vërtetë, në kohën që ishte pedagoge e rusishtes në ‘Shkollën e Kuqe’, nuk ishte me “njollë në biografi”. Ajo do të bëhej e tillë, madje krejt papritur.
Transferimi në Durrës i drejtorit, Afezolli, pas debateve për Marksin e Leninin!
Në vitin 1960, viti i fundit i gjimnazit, u përsërit diçka e ngjashme me atë që shpjegova për vitin e dytë të gjimnazit. Komunistët sovjetikë dhe ata shqiptarë, kishin deklaruar divergjencat e tyre të thella ideo-politike. Në “fushën e betejës”, ndesheshin citatet e Marksit dhe të Leninit. Drejtori, që na jepte lëndën e Historisë, na foli dy orë mësimi mbi këto divergjenca, duke shtuar se komunistët sovjetike ishin shokët tanë, se ata kishin gabuar, por mbeteshin shokët tanë. Në fund u ngrita dhe fola duke shfaqur mendimin se komunistët sovjetikë, nuk ishin “shokë që kishin gabuar”, por tradhtarë të marksizëm-leninizmit, se Hrushovi, udhëheqësi i tyre ishte një intrigant, etj.,etj. U ndamë kështu dhe gjithçka do të ishte mbyllur me kaq, nëse drejtori ynë, Sofokli Afezolli, në mësimin e ardhshëm, nuk do ta hapte sërish këtë temë përpara klasës. Ai përsëriti, në thelb, të njëjtat gjëra duke këmbëngulur që unë të ngrihesha e të flisja sërish. Unë u ngrita dhe fola. Nuk isha i një mendimi me të. Përsërita edhe unë, pak a shumë, ato që kisha thënë edhe më parë.
Në shikimin tim, drejtori ynë kishte jo vetëm mendime të gabuara, por edhe bindje të gabuara. Ai jo vetëm i kishte këto për veten e tij, por kërkonte t’ia impononte me autoritetin e drejtorit edhe nxënësve të gjimnazit. Këtë gjë, unë biri i denjë i Partisë, nuk mund ta kaloja në heshtje. Shkova menjëherë dhe takova Meriban Hoxhën, pedagoge dhe sekretare e organizatës së Partisë së shkollës. I tregova asaj gjithçka. Ajo shkoi dhe bisedoi me drejtorin. Kur u kthye, më tha se unë kisha të drejtë. Sofokli Afezollin e larguan më pas nga gjimnazi. Atë e transferuan në Durrës, ku punoi deri në fund si Drejtor i Teatrit të Durrësit, një teatër profesionist me aktorë mjaft të talentuar. Nuk e di nëse shkak për largimin e tij nga Tirana, u bë edhe biseda ime me Meriban Hoxhën.
Në karakteristikën e diplomës sime të gjimnazit, shkruhej: të vazhdoj për diplomaci
Kur mbaruam edhe provimet e fundit të maturës, siç quheshin provimet e vitit të fundit të gjimnazit, për të gjithë nxënësit që do të vazhdonin studimet, bëhej një karakteristikë ku shkolla jepte mendimin e saj, se në cilin fakultet do të duhej të vazhdonte studimet secili prej nesh. Në karakteristikën time, sugjerohej që unë të vazhdoja për diplomaci, shkencat politike. Sipas mendimit tim, karakteristikat i bënin sekretarja e Partisë dhe Drejtori i shkollës. Për momentin kjo karakteristikë nuk më shërbeu. Mua më caktuan të ndiqja studimet në Universitetin Bujqësor, për ‘Inxhinieri Pyjesh’. Nuk shkova në këtë Universitet. Humba një vit shkollor. Gjatë këtij viti punova si mësues në një shkollë nate në Laknas, një fshat në afërsi të Tiranës. Nxënësit e mi ishin ose moshatarë me mua, ose më të rritur. Në fund të vitit i kalova të gjithë, edhe ata që nuk e meritonin. Kjo, sigurisht, nuk ishte komuniste, por nuk ishte as një herezi.
Në të vërtetë, pas herezisë së parë, atë të bisedës me Dijen dhe Skënderin, për një nivel më të mirë jetese në Jugosllavi në krahasim me atë në Shqipëri, herezinë e dytë unë e kreva në një bisedë me kunatin tim, Ibrahim Pajova. Ai, njëlloj si Dija dhe Skënderi, kishte qenë fare i ri partizan. Pas Luftës, ai mbaroi dy akademi ushtarake në Bashkimin Sovjetik. Kunati im ka punuar në Ministrinë e Mbrojtjes. Ai ka qenë shef shtabi i Brigadës ushtarake në Durrës dhe komandant Brigade në Lushnje. Karrierën ushtarake e mbylli si pedagog i Akademisë Ushtarake në Tiranë.
Debatet me kunatin tim, ushtarak, pse dëgjoja këngë greke!
Marrëdhëniet e mia me kunatin, asnjëherë nuk kanë qenë pa re. Mua më është dashur të tregoj vazhdimisht mjaft kujdes që ato të mos kërcënoheshin keq, por jo gjithnjë i’a arrija kësaj. Më duket sikur ai nuk e kishte kapërdirë asnjëherë faktin që unë fëmijë kisha qenë kundër fejesës së motrës time me të. Motra, Engjëllushja, i’a kishte thënë këtë gjë atij duke qeshur, por ai qeshte shumë rrallë. Më i gatshëm ishte të hynte në konflikt për asgjë. Ai ishte i gatshëm të ngatërrohej edhe pse unë dëgjoja në radio këngët greke. “Janë këngë të një vendi kapitalist, borgjez”, më thoshte. Ai vetë pëlqente këngët e vjetra italiane, ato të paraluftës dhe të viteve të pushtimit italian. Këtë gjë unë e dija dhe për t’u mbrojtur i kundërvihesha duke i thënë: “Po këngët italiane, nuk janë edhe ato të një vendi kapitalist, borgjez”?! Ai vazhdoi kështu deri në pleqërinë e tij, derisa doli në pension. Ndryshimi, besoj, ndodhi pas përmbysjes së komunizmit, kur u largua nga Shqipëria dhe u vendos me banim në Itali, së bashku me motrën time. Atje ata kishin dy vajzat e tyre, Venerën e cila ishte martuar me një italian, Anxhelon, dhe Irisin. Një vajzë tjetër, Almën, e kishin në Greqi.
Në një bisedë që kam patur me të në një nga vizitat e mia në Itali, ai ka pranuar se në Shqipëri “duhej bërë ndryshimi, por se ne nuk kishim një borgjezi kombëtare të formuar si klasë, që mund ta bënte këtë ndryshim në mënyrë të rregullt”. Ky pohim u bë, sikurse mendoj, në një moment të veçantë sinqeriteti. Sidoqoftë, ai përgjithësisht qëndroi deri në fund në mendimet dhe qëndrimet me të cilat edhe ishte formuar. Ndryshimi ishte se më parë ai gjithnjë kërkonte diçka për tu grindur. Rastet nuk i mungonin, sikur i ndillte edhe kur nuk gjendeshin…!
Incidentit tjetër me kunatin, pse isha kundër flamujve të Bashkimit Sovjetik!
Një ditë të bukur, të gjithë si familje po drekonim poshtë hijes së një tende rrushi në oborrin e shtëpisë. Nuk më kujtohet tani përse, pas bisedave nga më të ndryshmet, fjala kaloi tek Bashkimi Sovjetik. Ndoshta shërbeu si shkas ndonjë kujtim nga jeta studenteske e Ibrahimit në këtë vend!? Ishte ende koha e miqësisë së pathyeshme shqiptaro-sovjetike. Unë, në një moment shpreha mendimin se Bashkimi Sovjetik ishte aleati ynë i madh dhe i shtrenjtë, por nuk kishte përse flamujt sovjetikë, në raste festash, të viheshin kudo përbri flamurit shqiptar, se ne nuk jemi koloni e sovjetikëve. Meritova sharjet më të mëdha që më janë bërë në tërë jetën time, si: “hajvan”, “gomar”. Sikur të mos mjaftonin këto, kunati mori një kokërr vezë të zier që ndodhej në tavolinë dhe e ngjeshi në gojën time për t’a mbyllur atë. Fjalët e mia ishin herezi.
Bashkimi Sovjetik ishte Jerusalemi i komunizmit ndërkombëtar, ‘Olimpi’ i tij, pra, i paprekshëm, i adhuruar. Megjithëkëtë, dihet gjithashtu se perënditë, shenjtorët ngjallin edhe frikë. Ibrahimi ishte dhe mbeti deri në fund komunist i devotshëm, deri në një verbëri absurde. Kjo nuk e kish penguar, sidoqoftë, të shihte se si ishin rrokullisur për tokë koka të shquara të artit ushtarak, si në Bashkimin Sovjetik ashtu edhe në Shqipëri, se si kishin fluturuar në ajër bashkë me kokat edhe spaletat e arta të gjeneralëve shqiptarë apo sovjetikë. Trembej ai? Në luftë kunati im ishte treguar trim dhe prandaj ishte dekoruar edhe me ‘Medaljen e trimërisë’ dhe medalje të tjera, por paqa shpesh është më e rrezikshme se lufta. Në paqe, në të vërtetë, përveç fëmijëve, në Shqipëri të gjithë trembeshin, nuk ndjeheshin të sigurt.
Oferta për të punuar në Hetuesinë e Përgjithshme dhe refuzimi nga Komiteti Qendror i kandidaturës sime!
Këtë dyzim të fshehur personaliteti e vura re tek Ibrahimi edhe vite më pas. Në fillimin e viteve ‘80-të të shekullit të kaluar, Qemal Lame, në atë kohë kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, më propozoi që të punoja në këtë Hetuesi si shef i sektorit shkencor. Qemali më njihte, sepse ne kishim si shok të përbashkët Lulzim Hanën. Hetuesia e Përgjithshme së bashku me Sigurimin e Shtetit, ishin armët më të dashura të ‘Diktaturës së Proletariatit’. Nëpërmjet tyre, Zeusi i kuq hidhte zjarr e rrufe, mbillte vdekje dhe terror kudo në Shqipëri. Unë bisedova me kunatin tim për këtë post që më ofrohej. Normalisht, si komunist i thekur, ai duhet të më inkurajonte, madje të më përgëzonte, të më thoshte se mua më ofrohej një shans i mirë. Nuk ndodhi kështu. Ai, prerazi, u shpreh kundër. “Nuk ka ç’të duhet ty ai vend”, më tha! Nuk e pyeta përse sepse edhe nuk qe nevoja. Superiorët e Qemalit në Komitetin Qendror të Partisë, nuk kishin qenë dakord me kandidaturën time. Kështu u mbyll kjo histori.
Vetë Qemal Lame, vite më vonë, do të largohej nga Shqipëria dhe do të kërkonte azil politik në Gjermani. Ai dinte shumë, prandaj ishte vendosur nga vetë ata që e kishin emëruar në atë post, që të heshte përgjithnjë. Tentuan ta eliminojnë. I kurdisën një aksident “banal” në rrugë, por shpëtoi për mrekulli. Përpara se të largohej nga Shqipëria erdhi në redaksinë e gazetës “Rilindja Demokratike” dhe kërkoi t’i botoja një artikull, ku ai shpjegonte pozicionin e tij. Ndërsa kupola komuniste ende në pushtet i kërkonte të heshte, demokratët ende edhe për pak kohë në opozitë, i kërkonin që ai të dëshmonte të vërtetat që fshihte institucioni që ai drejtonte. Unë e botova artikullin e Qemal Lames dhe, nga ajo kohë, nuk e kam takuar kurrë më. Rasti e solli që vite më pas, të njihesha me vëllanë e tij, Enver Lamen. Ai më dhuroi dy libra që kishin për autor Qemalin.
Fati i Qemalit, që mund të ishte edhe fati im, më kujton një artikull të Bedri Spahiut botuar më 6 qershor 1991, në gazetën “Republika”. Së pari dua të kujtoj se, Bedri Spahiu njihet, përveç të tjerave, edhe si prokuror i Gjyqit Special që u zhvillua më 14 mars 1945 dhe në bazë të vendimit të të cilit u dënuan 60 vetë, 17 me pushkatim, midis tyre edhe Bahri Omari, kunati i diktatorit. Të tjerët u dënuan me burgime të rënda. Mjaft prej tyre vdiqën burgjeve. Ironi e fatit është se Prokurori i Gjyqit Special, Bedri Spahiu, do të dënohej vetë me burgim nga i njëjti mekanizëm disa vite më pas dhe do të vuante dënimin për disa dhjetëvjeçarë derisa u përmbys komunizmi. Nuk përjashtohet të jetë ndodhur në të njëjtin burg ose edhe në të njëjtën qeli me viktimat e tij.
Në artikullin e botuar në “Republika”, Bedri Spahiu do të shprehet: “Sot ndjehem i turpëruar që kam qenë në rolin e Prokurorit të atij gjyqi”. I turpëruar, mbase, do të ndjehesha edhe unë po të kisha punuar në Hetuesinë e Përgjithshme, megjithëse duhet thënë se jo të gjithë ata që punuan atje, si edhe jo të gjithë ata që shërbyen në Sigurimin e Shtetit, ishin kriminelë, apo i kishin lyer duart me gjakun e viktimave të pafajshme të komunizmit.
Diplomimi im në në Degën Histori-Gjeografi, të Fakultetit Histori-Filologji
Gjatë viteve 1962-1966, vazhdova studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Degën Histori-Gjeografi të Fakultetit Histori-Filologji. Rektori i Universitetit, dekanët e katedrave, pedagogët që na kanë dhënë mësim në Fakultet, sigurisht që ishin të zgjedhur. Ata ose ishin komunistë dhe ish-partizanë, ose vinin nga familje besnike të regjimit. Nuk mund të thuhet, megjithëkëtë, se në Rektorat dhe në Fakultete të ndryshme, nuk kishte persona “me njollë në biografi”.
Mua dhe shokëve të mi të kursit, na ka dhënë leksione nga “Historia e Shqipërisë”, profesor Kristo Frashëri. Atë e mbaj mbaj mend për personalitetin e tij të fortë. Kristo Frashëri kur e vlerësonte diçka si një e drejtë që duhet mbrojtur, nuk pyeste as për rrethanat e as për pasojat, hidhej me të gjithë qenien dhe zemërimin e tij në aksion. Kështu kishte vepruar ai edhe në takimin e tij të parë me atë që pas Luftës do të bëhej diktatori i vendit, Enver Hoxhën.
Sikurse ka treguar vetë profesor Frashëri në një intervistë dhënë në janarin e vitit 2010 në emisionin “Opinion” të TV “Klan”, fillimisht ai ka patur një ndjenjë pozitive ndaj Enver Hoxhës. Kjo gjë nuk ka vazhduar shumë. Në Aktivin e Parë të drejtuesve komunistë të kryeqytetit në vitin 1942, Enver Hoxha ka folur për centralizmin demokratik ose, thënë ndryshe, si e shihte Partia Komuniste Shqiptare demokracinë në gjirin e saj. Kristo Frashëri nuk e pranoi këtë lloj demokracie. Atë e përjashtuan nga Partia dhe kurrë më pas ai nuk do të pranohej si anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Komandës së njësitit partizan, ku Kristo Frashëri bënte pjesë iu dha urdhër me shkrim që ai të survejohej dhe, në rast dyshimi, të hiqej qafe me plumb kokës. Kjo do të thotë që gjatë Luftës ai rrezikonte njëkohësisht të humbiste jetën si martir apo, njëlloj, si tradhtar. Jeta e tij rrezikohej njëlloj nga plumbat e pushtuesve si edhe nga ata të shokëve antifashistë me të cilët ishte në një llogore. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016