Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të studiuesit të arkivave të historisë, italianit, Eugeni Buçioli, i cili disa vjet më parë, ka botuar albumin e ilustruar me fotografi, të titulluar: “Shqipëria, fronti i harruar i Luftës së Madhe”, ku parathënia e këtij albumi është bërë nga studiuesi i njohur i Universitetit të Venecias, Francesco Leoncini dhe në 153 faqet e tij, pasqyrohet historia e Shqipërisë dhe roli i saj në vorbullën e Luftës së Parë Botërore. Pjesën më të madhe të albumit e zënë fotot që publikohen për herë të parë, të cilat janë marrë nga arkivat e Vjenës, Pragës, Universitetit të Kembrixhit, si dhe nga shumë arkiva private të autorëve të njohur. Kapitullin e parë të albumit, autori Buçioli, e ka filluar me një thënie të shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, e cila është marrë nga libri i tij “Daullet e Shiut”, ku thuhet: “Mendoj që Allahu duhet të ketë qenë shumë i zemëruar, kur krijoi atë vend”!
Historia e popullit shqiptar, e fokusuar që nga kohët më të lashta e deri në ditët e sotme, vazhdimisht ka ngjallur dhe vazhdon të ngjallë ende interesin e shumë albanologëve, studiuesve, historianëve dhe publicistëve të huaj, të cilët herë pas here kanë botuar libra voluminoze me studim me mjaft vlera, duke pasqyruar me vërtetësi të kaluarën e kombit shqiptar dhe rolin që ai ka luajtur në zhvillimet ballkanike e evropiane, si në planin politik, ashtu dhe atë historik. Një nga botimet e fundit të studiuesve të huaj për Shqipërinë, është dhe albumi i ilustruar, i cili titullohet “Albania fronte dimenticato grande guerra”, (Shqipëria fronti i harruar i Luftës së Madhe), i autorit italian, Eugenio Buçioli, i cili ka pak kohë që ka parë dritën e botimit.
Ky album është një botim luksoz i edicionit “Historia në dimensionin e ri” dhe përbëhet nga gjashtë kapituj (bashkë me fotot e ndryshme, që zënë pjesën kryesore të albumit, arrijnë në 153 faqe), për të cilat është përdorur një bibliografi e gjerë, si në materialin e shkruar, ashtu dhe në atë fotografik. Për mbledhjen e fotove të albumit janë shfrytëzuar arkivat e Vjenës, (dr. Wladimir Aichelburg) të Pragës, (ing. Ladislav Hofbauer) të Universitetit të Gazetarisë të Kembrixhit (Storia del mondo moderno. Vol. XII), si dhe disa arkiva private, si ai i dr. Maurizio Lucheschi, Luigi Princivalli, Domenico Serafin etj. Parathënien e këtij albumi e ka shkruar studiuesi i njohur, Francesko Leoncini, që aktualisht është pedagog në Universitetin e Venecias.
Shqipëria në Luftën e Parë Botërore
Në gjashtë kapitujt që përbëjnë këtë album të ilustruar, të cilat janë përgatitur nën kujdesin e Mariano Rosit, kryesisht jepet një pasqyrë e ngjarjeve ku u ndodh Shqipëria në Luftën e Parë Botërore dhe rolin që ajo luajti, duke qenë si pjesë përbërëse e skakierës ku u zhvillua ajo luftë. Kapitullin e parë të albumit, autori Buçioli, e ka filluar me një thënie të shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, e cila është marrë nga libri i tij “Daullet e Shiut”, ku thuhet: “Mendoj që Allahu duhet të ketë qenë shumë i zemëruar kur krijoi atë vend”.
Më pas, në atë kapitull në mes të tjerash jepen disa të dhëna mbi origjinën e shqiptarëve. Lidhur me këtë, në mes të tjerash, autori Buçioli ka shkruar: “Shqiptarët quhen me këtë emër në shtëpinë e tyre” dhe më pas ai i bën një jehonë luftërave të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke thënë se ai luftoi për 24 vjet në krye të shqiptarëve, kundër 200 mijë trupave turke, të të njëjtit sulltan. Në kapitullin e dytë të albumit, autori ndalet gjerësisht duke dhënë informacione të bollshme mbi Kongresin e Berlinit dhe luftërat ballkanike e marrëveshjet që u bënë në atë kohë në mes Rusisë, Turqisë, Austrisë dhe shteteve të tjera evropiane. Në mes të tjerash, në atë kapitull autori shprehet: “Në kërkim të origjinës të shpirtit kombëtar shqiptar arrihen në qëndrime apo shfaqjet e para në luftën ruso-turke të vitit 1877 dhe ndarja e Kongresit të Berlinit një vit më pas”.
Duke paraqitur rrjedhojat që erdhën pas Kongresit të Berlinit, autori shprehet se Shqipëria mbeti një provincë turke, jo pa e vuajtur copëtimin e saj territorial në favor të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, e cila mori apo aneksoi një pjesë të Epirit, që ishte territor autokton shqiptar. Po aty, autori ndalet në Lidhjen e Prizrenit, e cila u mbajt në vitin 1878, duke thënë: “Aty u vendos për të mbrojtur me armë integritetin tokësor të dhunuar në Berlin dhe pas këtij vendimi, kryengritësit shqiptarë zëvendësuan forcat otomane, që u tërhoqën nga territoret e nënshtruara. Kundër vullnetarëve shqiptarë të Veriut, Turqia dërgoi 30 mijë trupa që të thyenin Lidhjen e Prizrenit dhe pas kësaj ekspedite, krerët e Lidhjes u vranë apo u internuan dhe princi më me peshë e ndikim të madh te shqiptarët, Preng Bibë Doda, u morr peng”.
Pas kësaj analize, autori i bën një pasqyrim ngjarjeve të mëvonshme, duke u shprehur: “Pas pesë vjetësh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, fiset e Hotit, Kastratit e Shkrelit, u mblodhën në një Lidhje të re, me qëllim për të rivendikuar territoret shqiptare që iu dorëzuan Malit të Zi. Manifestimet nacionaliste shqiptare u zhvilluan edhe në sfondin e luftës ruso-turke të vitit 1897 dhe të revolucionit të xhonturqve të 1908-ës. Për fat të mirë të shqiptarëve, pjesëtimi apo copëtimi i territoreve të tyre binte ndesh me interesat e Austro-Hungarisë, që të dyja të vendosura për zgjidhjen e pavarësisë së Shqipërisë, kundër planeve aneksioniste të vendeve fqinje, të cilat për një kohë të gjatë kishin ushtruar ndikimin e tyre në këtë vend.
Italia, nëpërmjet shkëmbimeve tregtare dhe Austro-Hungaria, duke mbështetur me financime të mëdha praninë e Kishës Katolike, veçanërisht në provincat e Veriut të Shqipërisë”.
Më pas, në atë kapitull flitet për fillimin e luftërave ballkanike dhe synimet e fqinjëve si Greqi, Mal i Zi, Serbi e Bullgari, si dhe qëndrimet që mbajtën asokohe shtetet e ndryshme të Ballkanit. Po ashtu, aty jepet një pasqyrë e ngjarjeve, në të cilat u ndodh Shqipëria pas shpalljes së pavarësisë dhe ardhjes së Princ Vidit, si dhe zhvillimet politike që ndodhën gjatë asaj kohe.
Tragjedia e serbëve në Shqipëri
Në kapitullin e tretë të albumit, autori i ka kushtuar një vend kryesor, atë ç’ka i’u ndodhi serbëve, kur ata u mundën nga austriakët dhe në tentativë për t’u shpëtuar atyre, kaluan nëpër malet shqiptare (Alpet e Veriut) për të dalë në bregdetin Adriatik. Lidhur me luftën e austriakëve me serbët, në mes të tjerash autori Buçioli shprehet: “Tërheqja e serbëve nëpër Shqipëri konsiderohet si një nga ngjarjet më tragjike të ‘Luftës së Madhe’. Të sulmuar në fillimin e tetorit të vitit 1915, në Veri nga austro-gjermanët dhe në Lindje nga bullgarët, që donin të pengonin bashkimin me franko-anglezët, të dislokuar në luginën e Vardarit, serbët qenë të shtrënguar të sprapseshin drejt Perëndimit, të mbështetur nga malazezët.
Para serbëve marshonin austro-hungarezët e zënë rob në fazën e parë të luftës, ku, sipas burimeve italiane, ishin rreth 70 mijë veta, të cilët të ekspozuar ndaj ashpërsive të stinës së ftohtë, të paushqyer dhe të goditur nga sëmundja e tifos, gjatë rrugës së tërheqjes ata ranë në prehrin e vdekjes dhe vetëm 27 mijë e përfunduan kalvarin tepër të mundimshëm të tyre në territorin e Shqipërisë. Bashkë me ata ishte dhe oficeri çek, Rudolf Prohaska, i cili në kujtimet e tij të botuara në vitin 1928 në Pragë, në mes të tjerash ka shkruar: “Gjatë atij udhëtimi rraskapitës nga akulli, ngrica dhe uria, ne marshonim të lodhur nëpërmjet të papriturave të pyjeve. Për të mposhtur urinë, ne detyroheshim të shkëmbenim rrobat e trupit dhe batanijet që kishim me vete, me ushqimin që merrnim në fshatrat shqiptare, si mish qengji apo patate”.
Në kujtimet e tij për shqiptarët, mes të tjerash Prohaska shprehet: “Ata ishin të pajisur me një instinkt të paepur për lirinë, por të privuar nga sensi i disiplinës, në rebelime të përgjakshme e të vazhdueshme me autoritetet e veta, të papërgatitura për çdo shkëndijë pranimi të shtetit dhe të ndarë në klane (fise) përjetësisht rivalizuese. Ata preferonin të merreshin vesh me robërit hungarezë, më tepër se me serbët, që i shihnin në mënyrë armiqësore. Jo të gjithë i rezistonin mundimeve mbi shtigjet me dëborë të Malësisë. Kush binte i rraskapitur, vdiste pa asnjë mundësi ndihme. Më në fund serbët hodhën në lumin Drin gjithë atë çka i pengonte për ecjen: kamionë, topa, deri dhe automobilin e Mbretit Pjetër”.
Vlerësimet e studiuesve dhe politikanëve të huaj, për albumin
“Shqipëria ka një të drejtë të pakontestueshme mes popujve të Ballkanit”
Në kapitullin e katërt të albumit, pasqyrohet Shqipëria e periudhës 1913-1918, e okupuar nga fuqitë e huaja dhe referencat janë marrë nga libri “Historia e administratës austro-hungareze në Shqipëri (1916-1918)“, i autorit gjerman, Helmut Shvanke. Midis të tjerash, në atë kapitull autori shprehet: “E bërë e pavarur një vit përpara shpërthimit të ‘Luftës së Madhe’, Shqipëria u kthye për të qenë gjatë konfliktit, ashtu siç kishte qenë në shekuj, e okupuar në dy të tretat prej austro-hungarezëve dhe në pjesën tjetër prej italianëve e francezëve”.
Po ashtu, në atë kapitull jepen dhe vlerësimet e shumë politikanëve të huaj, të cilët janë pasqyruar në botime të ndryshme, si ai në “Les peuples libres” (Lossana prill 1918), ku thuhet: “Duket se një fakt të jetë i fituar sot në histori dhe kjo është se kombi shqiptar është zgjuar dhe duhet të dijë me çmimin e sakrificave më të mëdha të rimarrë vendin, për të cilin ka një të drejtë të pakontestueshme mes popujve të gadishullit Ballkanik”.
Në pjesën e gjashtë, që është dhe kapitulli i fundit, jepen dëshmi të ushtarëve triestinë nga fronti serbo-shqiptar (si territor), duke i pasqyruar ato me faksimile autentike nga letra dhe kartolina të dërguara prej tyre familjeve). Përveç materialit të pasur burimor historik, i cili është marrë nga arkivat më të pasura evropiane, ajo që e bënë më interesant këtë album, janë fotografitë e shumta të botuara, të cilat janë një dëshmi e gjallë e historisë së popullit shqiptar që flasin më shumë se çdo gjë tjetër.
Kush është Eugenio Buçioli, autor i disa albumeve për historinë!
Eugenio Buçioli, i cili është dhe autori i albumit “Shqipëria fronti i harruar i ‘Luftës së Madhe”, ka lindur në Piavone Diaderso të Italisë, në vitin 1930 dhe ka jetuar për një kohë të gjatë në kryeqytetin austriak, Vjenë. Buçioli është një hulumtues dhe kultivues i kërkimeve historike, shumë i njohur jo vetëm në hapësirën e Apenineve, por dhe në Evropë. Ai ka punuar për një kohë të gjatë pranë arkivave historike të Italisë, Austrisë, Hungarisë etj., ku ka mbledhur të dhëna dhe lajme mbi bashkatdhetarët e tij italianë, të cilët u rekrutuan forcërisht në ushtrinë Imperiale (Perandorake) të Austro-Hungarisë, duke i përpunuar ato në një formë narrative dhe më pas i ka botuar në shtatë libra me tregime.
Përveç të tjerash, studiuesi i arkivave historike, Eugenio Buçioli, ka botuar dhe albumet “Venecia në objektivat Austro-Hungareze”, “Ballë për ballë fotot italiane dhe hungareze”, “Nga Moldavia në Piave”, “Legjionet çekosllovake të luftës së madhe” etj. Në parathënien e albumit, e cila është shkruar nga studiuesi i njohur i Universitetit të Venecias, Francesko Leoncini, jepet një pasqyrë njohëse mbi Shqipërinë, e cila ka qenë pjesë e Luftës së Parë Botërore, në pozitën gjeostrategjike që u gjend ndërmjet Baltikut në Adriatik dhe Egje.
Ndërmjet të tjerash, në atë parathënie, autori shprehet: “Shqipëria ka qenë dhe është pjesë e Evropës Qendrore e nisur nga ky fakt, punët e saj, e në veçanti ato që janë konstrukturuar në këtë volum (album) me bollëk dokumentacioni fotografik, janë rishqyrtuar pikërisht nën këtë dimension të ri që bashkon Veriun e Jugun e asaj që mund të quhet Evropa e tretë”. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016