Taisa Batkina Pisha
Pjesa e njëzetenjë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës, në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tulas, ku ai punonte si minator. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha, ku filluan jetën në Tiranës, Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkin, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me dhjetë vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”.
Shpresuam dhe mbijetuam
I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA
Pjesa e IV
Për njerëz dhe fate të ndryshme
Kam dëshirë të shkruaj jo vetëm për veten time, por dhe për njerëzit që u ndodhën pranë nesh, për shqiptarët, për vuajtjet e atyre grave, që nuk kishin asnjë faj. Po të lexosh këto histori, menjëherë e kupton se në Shqipërinë e Enver Hoxhës, nuk njiheshin nocione të tilla si: ligji, të drejtat e njeriut, humanizmi. Shumë femra shqiptare janë dënuar për tentativë arratisjeje nga vendi. Në Shqipëri, historikisht nuk kishte pasur ndonjëherë kufij të mbyllur. Njerëzit gjithmonë kanë lëvizur lirisht, bënin tregti, bashkëpunonin. Shumëkush kishte të afërm ose miq në Jugosllavinë apo Greqinë fqinje. Por, pasi erdhën në pushtet në vitin 1944, komunistët nisën t’i mbyllin kufijtë. Në kushtet e Shqipërisë, kjo nuk ishte punë e lehtë; kufiri kalonte përgjatë maleve, ku banorët vendas njihnin çdo shteg. Vitet e para kalimi i kufirit nga të dyja anët e tij ishte diçka e zakonshme. Por dora-dorës u mbyll çdo kufi, u vendos sistem sinjalizimi, përgjatë kufirit u vendosën unaza të holla teli, ku ngecnin ata që donin të arratiseshin. Sa forca dhe pará u harxhuan në këtë vend të vogël e të varfër, sa njerëz u vranë gjatë kalimit të kufirit, me siguri kurrë nuk do të bëhet e ditur! Kalimi i kufirit, ose thjesht synimi për të kaluar kufirin, konsideroheshin krim i rëndë dhe ndëshkoheshin me heqje lirie nga 10 deri 25 vjet, ose me… pushkatim.
Shqipëria u shndërrua në burg të vërtetë, nga i cili njerëzit vazhdimisht kanë kërkuar t’ia mbathin. Për t’u arratisur jashtë vendit, njerëzit i detyronin kanosja e përndjekjeve për motive nga më të ndryshmet, frika e hakmarrjes, mos dëshira për të hyrë në kooperativë dhe të tjera. Në zonat malore kooperativat nuk qenë ngritur deri vonë, sepse tokat ishin të vogla, kurse shtëpitë ndodheshin larg njëra-tjetrës. Fshatarët, nga ana tjetër, nuk i donin dhe nga frika e përndjekjeve shumë prej tyre përpiqeshin të iknin nga vendi. Tipike midis të burgosurve ishin paditë për agjitacion dhe propagandë. Shumë kohë para se të më arrestonin, një shqiptar i moshuar, duke pasur parasysh zakonin e gjakmarrjes, më tha: “Dikur e vrisnim vetë hasmin tonë, tani e vrasim me duart e autoriteteve. Mjafton një kallëzim, s’ka rëndësi, i vërtetë a i rremë dhe hasmi yt mbyllet në burg”. Spiunimi qe bërë normë. Çdo vërejtje, çdo frazë mund të ndryshohej, të transformohej sipas dëshirës, mund të sillje dy dëshmitarë dhe kjo mjaftonte, që tjetri të zinte burgun për vite të tëra. Në të vërtetë, padi të tilla i krijonin vetë organet e Sigurimit, kur donin të hiqnin qafe një person të padëshirueshëm për ta, ta izolonin, ta dënonin dhe të trembnin të tjerët. Gjatë viteve të burgut, pranë nesh u ndodhën shumë femra shqiptare, nga më të ndryshmet: të mira dhe të liga, të sëmura dhe të dërrmuara, burrërore dhe krenare, të forta dhe të dobëta. Dua të shkruaj për disa syresh, që i pata veçanërisht pranë. Në kamp kishte shumë gra nga veriu i vendit, sidomos fshatare, banore të katundeve malore, të moshuara dhe të reja.
Meremja
Plaka Mereme! E gjatë, shumë e dobët, e sfilitur! Ne e quanim “Nënë Mereme”. Mendoj se duhet të ketë qenë nja 70 vjeçe; në burg është vështirë ta përcaktosh moshën. Ajo nuk shoqërohej thuajse fare me të tjerat, gjithë ditën rrinte ulur në faqe të kodrës në kamp, me kokën mbështetur në duar, shumë e vrarë dhe fliste me vete, duke u lëkundur me të gjithë trupin. Të ngjallte keqardhje të thellë. Unë kurrë s’e kisha pyetur për diçka. Historinë e saj ma treguan të tjerët. Para çlirimit, familja e saj kishte qenë e kamur dhe kjo mjaftoi që pushteti popullor t’i përndiqte vazhdimisht. Ata jetonin në një fshat malor në veri të vendit. Meremja kishte katër fëmijë, tre djem dhe vajzën bukuroshe. Djali i madh, pas një padie të kurdisur, ndenji shumë vite në burg dhe, pasi u lirua, u kthye në shtëpi me synimin që të arratisej, të kalonte kufirin. Fshati i tyre ndodhej afër kufirit. Djali e njihte mirë vendin dhe ishte i sigurt se do të kalonte matanë. Iku nga shtëpia, pasi bindi të motrën, dy vëllezërit dhe një kushëri, ta ndiqnin. Këta e dinin, se edhe po të qëndronin, burgu i priste. Do t’i akuzonin për përkrahje të arratisjes së vëllait, për moskallëzim. Pushtetarët gjithmonë kështu vepronin.
Mirëpo nuk u vajti mbarë, s’e kaluan dot kufirin, sepse i pikasi patrulla dhe i ndoqi. Ata u fshehën në male, në një guvë. I ndoqën gjatë dhe, kur i zbuluan, hapën zjarr. Tre i vranë, dy i arrestuan. Midis të vrarëve ishte edhe vajza e Meremes. Prindërit nuk dinin gjë për fatin e fëmijëve. Papritur në mes të fshatit ndaloi një kamion. Prej andej hodhën në tokë, në sy të nënës, trupat e tre fëmijëve të saj të vrarë. Djalin e tretë, që kishte mbetur gjallë, të fundit, e varën po aty, në fshat. A mund të përfytyrohet tmerri i kësaj ndodhie, pikëllimi i nënës, që humbi mendjen? Prindërit e gjorë i arrestuan dhe i dënuan me 10 vjet burg. Padia: moskallëzim për fëmijët…! Të gjithave na vinte keq për Meremen. Ajo ishte në gjendje vërtet shumë të keqe. Pa ndihmën e të tjerëve, ishte e dënuar të ekzistonte gjysmë e uritur. Ne përpiqeshim ta ndihmonim me sa mundnim. Por mundësitë tona aq ishin, pak ushqim dhe…! Nganjëherë i siguronim ndonjë punë dore për ca qindarka. Meremja, si të gjitha fshataret, i kishte duart flori. Fija e leshit, që tirrte ajo, ishte aq e hollë, si të kishte dalë nga makina. Ne mundoheshim të silleshim me të sa më të vëmendshme dhe me kujdes. Meremja kryelartë, me shumë zor, pranonte çdo lloj ndihme. (Krenaria është tipar dallues i shqiptarëve, sidomos i malësorëve). Edhe disa nga gardianet, që e dinin historinë e saj, e mëshironin. Mbaj mend një rast të tillë. Ne, 10 gra dolëm nga porta. Nxorëm disa kazanë të mëdhenj me mbeturina. Ishte edhe Meremja. U kthyem, u ulëm pranë portës dhe pritëm që të na futnin brenda. Papritur nga depoja e komandës, doli Nazifi, gardiani, i cili kryente detyrën e ekonomatit të kampit. Ai më zgjati një tas me vaj bimor dhe më tha t’ia jepja Meremes. Mezi i’a mbusha mendjen ta pranonte vajin. Meremen e liruan me amnistinë e vitit 1982, për arsye të moshës. Për fatin e saj të mëtejshëm nuk kam dëgjuar më.
Age Paja
Që ditët e para të qëndrimit në kamp, na ra në sy një grua e moshuar, e qetë, me profil shqiponje. Ishte e rëndë, mezi ecte, duke u mbështetur në bastun. Disa hollësira të veshjes, shiriti i lidhur në ballë, por edhe dialekti, tregonin se ishte fshatare nga malësia e veriut. Duhej të ishte nja 70 vjeçe, ndoshta edhe më shumë. E quanin Age Paja. Më vonë mësuam edhe historinë e saj të dhembshme. Agia ishte më e vjetra në kamp, për nga afati. Kur na sollën në kamp, ajo kishte 15 vjet brenda; tani e prisnin edhe 7 vjet të tjera. Unë kisha marrëdhënie të mira me të. Gjithmonë doja ta ndihmoja, me sa mundesha; i zieja ujë, i çoja kazanin me ujë të nxehtë në banjë. Ajo sëmurej shpesh dhe unë i laja teshat dhe e ndihmoja të lahej vetë. Një herë në vit i vinte i biri, i sillte ushqime, edhe pará i dërgonte herë pas here. Gratë e quanin kurnace, sepse në valixhe kishte ushqime, por ajo gjithmonë kursente. Mirëpo kjo nuk ishte koprracëri, por mënyrë jetese dhe psikologji e fshatares shqiptare; varfëria e përhershme dhe frika para urisë, frika, për të mos mbetur pa ushqime në burg. Ku ta dish ç’do të ndodhte nesër, po sikur djali të mos vijë dot, të mos e ndihmojë…! Ajo kurrë nuk e përmendi historinë e saj, edhe unë nuk e pyesja. Vetëm një herë i shpëtoi dhe më tha: “I gjithë faji im, është se i çoja djalit tim për të ngrënë në mal. Por ka nënë, që nuk do të bënte të njëjtën gjë në vendin tim”? Dhe më tregoi fotografinë e djalit të saj bukurosh.
Njerëzit, që e dinin historinë e saj, tregonin se i biri kishte qenë mik dhe shofer i një drejtuesi partiak në qytetin e Shkodrës, ish-partizan, deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Dikur kishte luftuar në krah të Mehmet Shehut, i cili, në kohën e këtyre ngjarjeve ishte kryeministër. Deputeti i’u drejtua qeverisë me kërkesën për t’i ndihmuar fshatarët, të cilëve u kishte premtuar se dëshira e tyre do të plotësohej. Ishte i bindur që atij, mikut të vjetër dhe partizanit, nuk do t’ia kthenin fjalën. Mehmet Shehu në fillim i premtoi se do ta ndihmonte, por më pas e ktheu fjalën, duke e nxjerrë deputetin gënjeshtar para njerëzve, që i kishin besuar. Për malësorin shqiptar, kjo ishte fyerje e rëndë. Deputeti s’mund të pajtohej me këtë, ai u ngjit në mal me një grup shokësh, pasi hoqi dorë paraprakisht nga çdo post me përgjegjësi. Për ca kohë ata u fshehën në një guvë, por i pikasën dhe i rrethuan me forca të konsiderueshme. Në betejën që shpërtheu, u vranë shumë, midis tyre edhe djali i Ages. Deputeti vrau veten. Pastaj në Shkodër u zhvillua një proces gjyqësor i bujshëm. Të pandehurit i fajësuan për… tentativë rrëzimi me dhunë të pushtetit popullor, formimin e një qeverie të re etj. Dënimi qe i egër dhe shumë nga të akuzuarit u pushkatuan. Më vonë arrestuan edhe Agen. Gruan analfabete, 55 vjeçare, e akuzuan që në qeverinë e re, ajo do të zinte postin e kryetares së organizatës së gruas (atë kohë kjo detyrë quhej e një rangu me ministrin). Agen e dënuan me 25 vjet heqje lirie. Pas disa vitesh, i’a ulën dënimin me… 3 vjet.
Agia kishte shumë fëmijë (a katër, a pesë). Të gjithë kishin krijuar familjet e tyre. Ju thashë pak më lart, vetëm njëri djalë i vinte për ta takuar, ai që kishte punën më të thjeshtë dhe s’kishte ç’të humbiste. Agia kishte kërkuar vetë që fëmijët e tjerë të mos vinin ta takonin, sepse lidhja me të do të thoshte për fëmijët dhe nipat humbje e vendit të punës, apo heqje e mundësisë për të studiuar, internim, por edhe burg. Të gjithë fëmijët fshehtas e ndihmonin nënën, hapur nuk e bënin dot. Në burg Agia, vazhdimisht punonte. 15 vjet punoi në fushë, në tharkun e derrave, pastaj i shteruan forcat, sëmurej shpesh dhe shtrohej në spital. Çdo vit Agia shkruante lutje për t’u liruar, duke i’u referuar moshës së pleqërisë dhe shëndetit të keqësuar, por gjithmonë merrte përgjigje negative në formë të vrazhdë, fyese. Më kujtohet një skenë e tillë: në kamp erdhi për kontroll njëfarë Bardhok. Mbante post me përgjegjësi në organet e Sigurimit. Ishte një tip i pështirë, trashaluq, barkmadh, me pamje si të maces dhe sy të perënduar. Me ditë të tëra ai bridhte faqes së kodrës rreth kampit, duke ndjekur me sy që prapa telave me gjemba, gratë dhe vajzat. Agia, duke u mbështetur me vështirësi mbi bastun, u ngjit në kodër, i’u afrua vizitorit dhe nisi t’i lutej që ta lironin. Ai ulëriti me zë të vrazhdë: “Qërohu, për armiqtë s’ka mëshirë, në burg do të kalbesh”!
Mirëpo Agia nuk u kalb në burg, 22 vitet e dënimit kaluan dhe erdhi dita e lirimit. Agia u përgatit, palosi plaçkat e veta, rrobat. Njerëzit e saj banonin larg. Edhe kampi ndodhej larg rrugës së makinave apo hekurudhës. Sipas rregullave të kampit, i liruari duhej të largohej pas apelit të mëngjesit. Mirëpo për të marrë Agen nuk erdhi njeri, bënte ftohtë dhe ne u lutëm që Agen ta lejonin të priste në mensë. E lejuan, por 15 minuta më vonë erdhi urdhri: “Age, dil jashtë”! Ajo doli me plaçkat në duar… e plakur, e vetmuar… U ul në stol, jashtë territorit të kampit. Pas një ore pamë të vraponte drejt kampit një grua. Ajo iu afrua Ages, duke qarë me dënesë, ra në gjunjë para saj dhe nisi t’i puthte duart, gjunjët, fytyrën. Ishte e bija e Ages. Ajo nuk e kishte parë të ëmën që prej… 22 vjetësh. Ne e ndoqëm këtë skenë që prapa gardhit të telave me gjemba dhe qanim. Gati një orë më pas, i’a mbërritën me taksi fëmijët e tjerë dhe nipat. Agen e veshën me një fustan të bukur dhe e morën. Pasi u lirua, Agia jetoi edhe rreth 2 vjet në gjirin e familjes së saj.
Lezja dhe Prena
Çdo natë, pas sinjalit të gjumit, hapej dera e dhomës sonë dhe një grua e mirë, fytyrërrumbullake, e moshuar, me shami në kokë, vinte të na uronte natën e mirë. Ishte Lezja, fshatare nga një fshat katolik në veri. Ajo nuk ishte vetëm; bashkë me të rrinte e kunata, gruaja e vëllait më të madh të të shoqit. Lezja ishte zonjë shtëpie në këtë familje të vogël; gatuante, lante, kujdesej për Prenën, gruan e dobët, të sëmurë, të moshuar, në sytë e së cilës kishin ngrirë përjetësisht frika dhe trishtimi. Ajo rrinte gjithmonë e heshtur, ulej dikur në qoshe dhe diçka qepte ose qëndiste. Lezja ishte grua shpirtmirë, gazmore, e mençur. Ajo i kuptonte shumë mirë gjërat, i vinte shumë keq për ne, të ardhurat nga larg dhe të mbyllura në burg. Nina më tregonte: “Kur më sollën në kamp isha në gjendje shumë të rëndë, pas hetimit të tmerrshëm dhe gjyqit. Befas m’u afrua një grua e moshuar, më tha disa fjalë ngushëlluese dhe papritur nisi të më tregojë: “Në fshatin tonë kishim një plak të çuditshëm; kur e pyesnin për diçka, ai asnjëherë nuk përgjigjej aty për aty, por lëvizte buzët ngadalë, mendohej, pastaj përgjigjej. Një ditë e pyetën, përse nuk përgjigjet menjëherë: “Më parë numëroj deri në dhjetë”, – u përgjigj ai. – Në fillim u habita, – vijoi Nina, – pastaj vrava mendjen dhe e kuptova se Lezja (kështu e quanin) më paralajmëronte të tregohesha e matur, të flisja sa më pak, të ruhesha nga spiunët dhe provokatorët… të numëroja deri në dhjetë, pastaj të përgjigjesha”. Më vonë u bindëm edhe vetë, që këshilla e Lezes ishte me shumë vlerë; kampi ishte plot me spiunë.
Historia e Lezes dhe e Prenës ishte nga më të tmerrshmet, që mund të rrëfente në burg çdo grua fatkeqe. Në familjen e madhe të burrit të Lezes ishin katër vëllezër. Njëri syresh ishte prift katolik. Duhet të theksoj, se autoritetet në Shqipërinë komuniste, më shumë se këdo tjetër, përndiqnin shërbyesit e kishës katolike, shumë më tepër se shërbyesit e besimeve të tjera fetare. Shumë syresh i pushkatuan, të tjerë u kalbën burgjeve. Kur mësoi rastësisht se do ta arrestonin, prifti mblodhi vëllezërit dhe të gjithë bashkë vendosën të arratisen në Jugosllavi. Në një natë të errët me shi (ata ishin 17 vetë, bashkë me fëmijët dhe prindërit pleq) kaluan me varka lumin Buna dhe kërkuan azil politik në Jugosllavi. Fatkeqit nuk e dinin se në atëkohë kishte hyrë në fuqi marrëveshja e fshehtë midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, për kthimin e të arratisurve. Shqipëria kurrë nuk e kishte lejuar daljen nga vendi, teksa Jugosllavia në atë periudhë, në fund të viteve ’60-të, luftonte me të arratisurit nga Kosova. Në këtë kohë në Kosovë qe rritur ndjeshëm ndikimi i Shqipërisë; atje kishte nisur lëvizja për zgjerimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe për të drejta të tjera për shqiptarët e Kosovës. Të rinjtë shqiptarë nga Kosova kalonin kufirin, për të mbaruar arsimin e lartë në gjuhën shqipe në Universitetin e Tiranës. Këtë donin të pengonin autoritetet jugosllave. Familjen e Lezes i hipën në autobus dhe u thanë se do t’i çonin në thellësi të vendit. Autobusi u nis. Lezja vështronte nga dritarja dhe habitej, se sa ngjante gjithçka këtu me vendet, nga ata sapo kishin ardhur. Vetëm kur panë kufitarët shqiptarë, kuptuan gjithçka./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016