Dashnor Kaloçi
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) të cilat i përkasin vitit 1961 dhe janë pjesë e një dosje voluminoze me letra, raporte, informacione, relacione, udhëzime, peticione, etj., ku bëhet fjalë për fillimin e kontradiktave dhe prishjen e marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Bashkimin Sovjetik, gjë e cila asokohe u ndie shumë tek studentët shqiptarë që asokohe ndodheshin me studime në shkollat dhe universitetet e Bashkimin Sovjetik, të cilët, sipas urdhrit të marrë nga Tirana, i ndërprenë studimet dhe prisnin udhëzimet për t’u kthyer në Shqipëri. Dosja e plotë e studentëve shqiptarë në ish-Bashkimin Sovjetik, ku pjesa më e madhe e tyre, kryesisht ata që vazhdonin Akademitë Ushtarake, Shkollën e Lartë të Sigurimit të Shtetit, Policisë, Kufirit, Drejtësisë, etj., patën probleme të mëdha dhe u ndeshën me peripeci të shumta me autoritetet zyrtare ruse, duke u vënë deri në masën e arrestit si dhe ndërhyrja e atasheut ushtarak shqiptar në Moskë, gjeneral-major Halim Ramohito, për zhbllokimin e situatës dhe kthimin e studentëve ushtarakë shqiptarë në atdhe.
Tiranë më 19.6.1961
SEKRETARIT TË K.Q.P.P. SHQIPËRISË
SHOKUT RITA MARKO
TIRANË
Sipas porosisë së shokut Ministër, po ju dërgojmë një relacion të përgatitur nga Kapiten Lolo Ganiu, efektiv i Ministrisë së Punëve të Brendshme, ish kursant në Bashkimin Sovjetik që bën fjalë mbi qëndrimin e disa oficerëve sovjetikë në Moskë.
ME RESPEKT
NËN KOLONEL
KOLI SHUKE
I N F O R M A C I O N
Para datës së nisjes në 12.6.1961 nga Moska për në atdhe, jam pyetur nga dy oficerë të kursit të parë të Shkollës së Lartë Juridike të Bashkimit Sovjetik. Ato quheshin, njëri Robert e tjetri Vanja. I pari, vinte nga Republika e Armenisë dhe ishte Kapiten i I-rë, ndërsa i dyti, vinte nga Republika e Kirgizisë dhe ishte Kapiten i II-të.
Pyetja e të dyve ishte se: pse po largoheshim nga BRSS?! Përgjigja ju dha: pasi juve e keni të qartë se përse po largohemi neve. Pasi qeveria juaj, ka urdhëruar për këtë punë.
Në këtë diskutim, Roberti kërkoi duke na u lutur se ne nuk kemi informacion, dhe se pas Mbledhjes së Moskës të partive komuniste, partia jonë na ka punuar një letër ku ngriti shumë gjëra, ku ndërmjet tyre mbaj mënd mirë se fliste për Shqipërinë në këto tre çështje:
1) Shqipëria gjoja kritikon Bashkimin Sovjetik, se nuk e ka ndihmuar ekonomikisht. Këto fjalë citohen nga udhëheqja e Partisë së Punës së Shqipërisë, e kryesuar nga Enver Hoxha.
2) Shqipëria me udhëheqjen e saj së bashku me Kinën, bëjnë zhurmë për konflikt, pasi nuk ju pëlqen bashkë ekzistenca paqësore.
3) Udhëheqja e Partisë së Punës së Shqipërisë, dënon miqtë e Bashkimit Sovjetik. Siç janë shumë raste që i kanë shkarkuar nga Komiteti Qendror, siç ka qenë një shoqe në Byro, që tani ndodhet në burg.
Në këtë diskutim, Kapiteni i II-të Vanja, tha se: ne e kemi të qartë që revizionisti Hrushov e shkatërroi kampin socialist, dhe është bashkuar me Titon, Naserin, Nehrunë, e Sukarnon, që këta persekutojnë çdo ditë komunistë.
Qeni i vjetër Hrushovi, po ua jep pasurinë shteteve kapitaliste dhe populli sovjetik, vuan për veshje dhe ushqime. Ai, qëkur u bë Sekretar i Parë dhe në vijim President, kritikoi padrejtësisht Stalinin dhe revizionoi shumë komunistë të vjetër, si: Malenkovin, Molotovin, Bulganinin, Zhukovin, etj.
Ndërsa Roberti, më tha që: para tre ditëve dëgjova nga një oficer rus, se Bulganini kishte vrarë veten. Ju shqiptarët, mos u trembni fare, të shkoni shëndoshë e mirë në atdheun tuaj, pa do të vini prapë këtu në Moskë. Në momentin e ndarjes, të dy oficerët kanë qarë dhe na thanë që t’i bëjmë të fala popullit shqiptar dhe udhëheqësit Enver Hoxha.
Në datën 5 qershor, Kapiteni i I-rë me mbiemër Miltoçi, i kursit të tretë të Shkollës së Lartë Juridike të Bashkimit Sovjetik, nga Republika Tartare, deklaroi se shkaktar për prishjen e miqësisë midis Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, është Hrushovi. Ai, me politikën e tij shpërndau kampin socialist dhe po ndihmon shtetet kapitaliste me ushqime dhe veshmbathje, sidomos shtetet arabe.
Kështu që ne si popull sovjetik pas 40 vjet socializmi, po vuajmë për veshje. Çmimet i ka ngritur dhe në republikën ku unë jetoj, nuk gjen as mish, as gjalpë, pasi synimi i tij është që të furnizojë vetëm kryeqytetin Moskën. Hrushovi, po bën propagandë të hapur kundër Stalinit, duke e cilësuar këtë të fundit si terrorist.
Në datën 20 maj, është vënë në qarkullim filmi “Qielli u pastrua”, një film shumë i poshtër që bën fjalë kundër Stalinit. Ky film, nuk u prit mirë nga populli. Ky film, është shpërndarë në të gjitha republikat e Bashkimit Sovjetik.
Pas këtij filmi ka dalë një tjetër film që e paraqet Hrushovin, si njeri përparimtar dhe të suksesshëm. Kjo propagandë, bëhet në popull që ky të tërheqi dashurinë që ka për Stalinin, por dashuria për Stalinin nuk hiqet kurrë dhe Hrushovi do ta ketë kohën e shkurtër.
Fier më 16.7.1961
Kapiten
Lolo G. Alimemaj
R a p o r t
Mbi konstatimet e oficerëve të Policisë që studiuan në Shkollën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të RSFSR në Moskë gjatë vitit 1960-1961
Oficerët tanë, kanë studiuar të ndarë në grupe më vete në fakultetin e të huajve. Neve, kishim kontakt me profesoreshën e rusishtes. Ajo, na bënte ushtrime për të folurit me gazetë. Kishim kontakt gjithashtu dhe me profesoreshën e Gjeografisë, atë të Ekonomisë Politike, dhe profesorin e Historisë, pra gjithsej 4 pedagogë. Përveç tyre, ishim në kontakt me studentët e kursit të III-të të Fakultetit Juridik, të shkollës me të cilët jetonim bashkë, por të ndarë në disa dhoma me ta.
Një nga shokët e grupit tim, studionte në kursin e parë të Fakultetit Juridik dhe ai, ka pasur kontakt me një rreth më të gjerë profesorësh dhe studentësh të kursit të parë. Oficerët sovjetikë, tregoheshin shumë të afërt me ne dhe nga kombësitë e huaja që studionin atje, binte në sy fakti që ata shoqëroheshin vetëm me shqiptarët.
Që në fillim shokët tanë kanë hapur biseda politike me oficerët sovjetikë dhe konstatimi i parë, ishte se ata nuk interesoheshin shumë për këto biseda. Kishte një frymë indiferentizmi dhe dhënieje pas qejfit. Më vonë dhe atyre, filloi t’ju binte në sy fakti që, shtypi sovjetik nuk shkruante asgjë për Shqipërinë.
Nga ana tjetër ndërmjet tyre, qarkullonin fjalë sikur shoku Enver e ka sharë Hrushovin në Mbledhjen e Moskës. Për të gjitha këto, ata nuk kishin asgjë të qartë. Partia e tyre, nuk ju kishte thënë asgjë dhe ata nuk dinin esencën e çështjes. Në këtë situate, shokët tanë filluan t’ju shpjegojnë atyre, arsyen e kësaj heshtjeje të shtypit, qëndrimin e partisë sonë dhe Partisë Komuniste kineze për çështjet kryesore ideologjike, qëndrimin revizionist të Hrushovit dhe shokëve të tij, dhe presionet e shantazhet e poshtra që ata bëjnë ndaj vendit tonë.
Shpjegimet tona në të gjitha rastet, kanë ngjallur ndër ta habi dhe dëshpërim. Gjatë gjithë kohës, rrethi i njerëzve që ka biseduar me ne, arrin në afro 500 veta dhe ne nuk pamë asnjë rast që të hasnim në kundërshtim nga ana e tyre. Kjo për mendimin tonë, vjen se në radhët e tyre ka shumë konfuzion ideologjik, sepse me të gjithë që kemi folur, asnjëri nuk reagonte njëlloj dhe gjithsecili, kishte mendimin e tij për një çështje të caktuar. Përsa i përket Hrushovit, kudo për të flitej me urrejtje dhe ndaj tij, tregoheshin barsoletat më të këqija, por të gjitha këto nuk mbështeteshin në çështje parimore.
Në përgjithësi karshi shpjegimeve tona ata reagonin si vijon:
- Pedagogët:
Pedagogët e gjuhës ruse, Nina Sidorova, në fillim nuk i vinte mirë kur flisnim neve, madje në një rast theksoi se një këshilltar sovjetik i kthyer nga Shqipëria, i kishte thënë gjoja se populli ynë është dembel. Mbasi ne protestuam, dhe i shpjeguam me fakte përparimet tona, ajo u tërhoq dhe filloi të fliste gjithmonë mirë për ne.
Pedagogia e informacionit, Poljakova, solidarizohej plotësisht me neve, sidomos për sa i përket dënimit të revizionizmit jugosllav.
Pedagogia e gjeografisë, Semenova, lexonte gazeta revizioniste dhe në mësim, ajo e shpjegoi Jugosllavinë si shtet socialist. Pas protestave tona dhe demaskimit që i bëmë jugosllavëve si revizionistë, ajo na u përgjigj se: kështu i’a kishin thënë.
Pedagogu i historisë, Bukanov, u interesua që të mësonte pikëpamjet tona. Mbasi i dëgjoi ato dhe lexoi raportin e shokut Enver në Kongresin e IV, (erdhi dhe na u lut vetë, që t’ia jepnim), u solidarizua plotësisht me neve dhe u shpreh se, kjo është një re e zezë që ka mbuluar përkohësisht diellin. Një ditë reja do të iki dhe dielli do të shkëlqejë përsëri. Pas kësaj ai, krijoi më shumë afrimitet me neve dhe na u lut që këto që i’a thamë atij, të mos i’a thonim tjetër njeriu.
Në ditët që do iknim, ai na këshilloi që të mos rrinim të tërë në shkollë, por një pjesë të dilte përjashta, ndërsa pjesa tjetër të qëndronte këtu brenda (këtë mase ne, e kishim marrë vetë më parë). Pedagogu i Ekonomisë Politike të kursit të parë të Fakultetit Juridik, Nikolski, i’u përgjigj shkarazi një pyetje që iu ngrit nga shoku ynë gjatë seminarit.
Ndërsa kur ishim pushim, ai erdhi e hoqi mënjanë shokun tonë dhe i’u lut që ai, të mos i bënte më pyetje të tilla. Pasi ai është plotësisht dakord me ne, por është i detyruar të mos flasë ashtu si mendon. Pyetja, kishte të bënte me marrëdhëniet ekonomike në Jugosllavi, të cilat ai i shpjegoi si kapitaliste.
- Oficerët studentë:
Ky, është një numër shumë i madh njerëzish dhe nuk jemi në gjendje që ti shënojmë emrat e atyre që kemi biseduar. Po shënojmë si kanë reaguar ata. Shumica dërrmuese e atyre janë solidarizuar plotësisht me neve. Ata, s’dinin asgjë dhe kur ne ja shpjegonim, ata habiteshin dhe na jepnin plotësisht të drejtë. Por kur i pyesnim sesi mund të dilej nga kjo situate, ata heshtnin.
Ushqenin iluzione se Hrushovi do ta kuptonte gabimin, se Kongresi i XXII, do t’i vërë në vend gjërat, etj. I vetmi kundërveprim konkret i tyre në këtë situatë ishte se na mbanin neve me kurajo dhe kishin shpresa se çdo gjë do të përfundonte me sukses, dhe këto keqkuptime do të ndreqen. Një pjesë fare e vogël rreth 5-6 veta, e kuptonin plotësisht situatën dhe e dinin se nuk kishte rrugëdalje tjetër përveçse Hrushovi të jepte llogari për të gjitha këto poshtërsira që po bënte.
Më aktivët ndër ta, ishin: Boris Arkadijev Semenjuk, Lanja Ivanoviç Pantelejev, Ali Hasanov, Arsen Akanian, që të gjithë studentë të kursit të parë të Fakultetit Juridik. Një pjesë e vogël (ku hynin dhe të huajt e Demokracive Popullore), ishin indiferentë. Duhet theksuar se raporti i shokut Enver, i mbajtur në Kongresin e IV, është lexuar nga më shumë se 100 veta, dhe akoma po lexohet, pasi ne ua lamë atje.
- Persona jashtë shkollës:
Para dy muajsh, 7 vetë nga të grupit tim, po ktheheshin nga një shëtitje që kishin bërë dhe befas i’u afrohet një person i panjohur që po i shikonte me simpati dhe i flet në shqip: “Ku jeni more shqiptarë trima”. Kur i kërkuam se kush ishte, na u prezantua si këshilltar sovjetik, që kishte punuar pranë shokut Gjeneral, Zoit. Na shtrëngoi dorën përzemërsisht dhe pasi pa me kujdes rreth e përqark, u largua duke nga përshëndetur me grusht.
Nën-Kolonel Fadil Qazimi, është takuar me sovjetikun Smirnov, ish-këshilltar në Drejtorinë e Policisë dhe i dha një porosi për shokun Xhule, dhe për shokët e tjerë. Ai, nuk pati kohë që të bisedonim plotësisht dhe e lamë të takoheshim të nesërmen. Por ai nuk erdhi në takim, sado që shoku ynë e priti për ditë me radhë.
Gjatë gjithë kohës që kemi biseduar me oficerë sovjetikë, nga Komanda e Shkollës jemi trajtuar njëlloj si gjithë të tjerët. Mbasi morëm urdhër nga ambasada jonë për të lënë mësimin, në datën 8.6.1961, në mëngjes, kemi shkuar tek Komandanti i Fakultetit të të huajve, Kolonel Guzejevi dhe i kemi njoftuar në shenjë proteste për përjashtimin e shokëve tanë nga Shkolla e Sigurimit dhe e Kufirit, neve braktisim mësimin dhe do të largohemi për në Shqipëri.
Ai, u habit dhe na kërkoi shpjegime. Ne, ja shpjeguam të tëra, duke filluar që nga Mbledhja e Bukureshtit e këndej. Mbas një ore na ka thirrur Komandanti i Shkollës, ku ne, i thamë po të njëjtat gjëra. Edhe ai u habit, dhe na tha që nuk dinte gjë. Na tha gjithashtu që këto muhabete, të mos i bënim me oficerët sovjetikë.
Lajmi për ikjen tonë, u përhap shpejt në shkollë dhe filluan të vijnë grupe studentësh, të cilët të shqetësuar na pyesnin për arsyen e largimit tonë nga BRSS. Neve, ju thonim atyre që: megjithëse jemi të porositur nga Komandanti i Shkollës, për të mos ju treguar gjë (ky aspekt i revoltonte shumë ata), do t’ju themi gjithçka.
Pati një rast që kursi i dytë, bojkotoi mësimin dhe dërgoi një të deleguar tek ne, për të marrë vesh se ç’po ndodhte. Në shkollë u elektrizua atmosfera, prandaj të nesërmen na thirrën, dhe na hoqën dokumentet sovjetike që kishim, për të na dhënë në vijim pasaportat tona dhe na thanë që të ikim sa më shpejt.
Po atë ditë, vjen tek ne, Komandanti i Kursit të III-të, Nën-Kolonel Romanov, i cili na hoqi mënjanë dhe na u lut që t’i shpjegonim sesi qëndronte puna. Kur ne ja shpjeguam me hollësi, ai u revoltua shumë dhe iku i dëshpëruar. Një ditë para nisjes, na kanë ardhur grupe oficerësh për të na takuar (3-5 vetë). Ata janë përshëndetur me neve dhe shumica dërrmuese janë prekur.
Këta, kanë thënë shumë fjalë të mira për neve dhe për partinë tonë. E quanin fatkeqësi, ndërprerjen e marrëdhënieve tona dhe shprehje të tjera të përgjithshme si: “Kjo gjendje nuk do të vazhdojë”, “kini besim tek neve”, “ju do të ktheheni përsëri për të studiuar, pasi atmosfera do të pastrohet”.
Ditën që po iknim, na përcolli deri në aeroport, Kolonel Guzejevi, i cili nuk foli asgjë, por kur u ndamë qau. /Memorie.al
Zv Sekretari i Organizatës Bazë
Kapiteni i I-rë Ali Korbi
Përgjegjësi i grupit të oficerëve të Policisë
Nën-Kolonel Bektash Toro
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016