Dashnor Kaloçi
Pjesa e tetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) të cilat i përkasin vitit 1961 dhe janë pjesë e një dosje voluminoze me letra, raporte, informacione, relacione, udhëzime, peticione, etj., ku bëhet fjalë për fillimin e kontradiktave dhe prishjen e marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Bashkimin Sovjetik, gjë e cila asokohe u ndie shumë tek studentët shqiptarë që asokohe ndodheshin me studime në shkollat dhe universitetet e Bashkimin Sovjetik, të cilët, sipas urdhrit të marrë nga Tirana, i ndërprenë studimet dhe prisnin udhëzimet për t’u kthyer në Shqipëri. Dosja e plotë e studentëve shqiptarë në ish-Bashkimin Sovjetik, ku pjesa më e madhe e tyre, kryesisht ata që vazhdonin Akademitë Ushtarake, Shkollën e Lartë të Sigurimit të Shtetit, Policisë, Kufirit, Drejtësisë, etj., patën probleme të mëdha dhe u ndeshën me peripeci të shumta me autoritetet zyrtare ruse, duke u vënë deri në masën e arrestit si dhe ndërhyrja e atasheut ushtarak shqiptar në Moskë, gjeneral-major Halim Ramohito, për zhbllokimin e situatës dhe kthimin e studentëve ushtarakë shqiptarë në atdhe.
R e l a c i o n
Mbi bisedimet e bëra në seminare dhe në Moskë, gjatë jetës në Shkollë
Shokët e kursit të III-të të vitit të fundit, në seminaret dhe bisedat që kanë pasur me kolegët sovjetikë apo me ata të Demokracive Popullore, kanë mbrojtur vijën e drejtë marksiste-leniniste të partisë sonë. Këtu më poshtë, po rendisim disa nga këto bisedime.
Me pedagogen e marksizmit të quajtur Vereshagina, është biseduar rreth marrëdhënieve midis dy partive, dhe qeverive tona. Për këtë temë ajo, fliste duke u bazuar në materialet e pakta që kishte lexuar në shtyp dhe materialet e Partisë.
Kështu p.sh., ajo për Mbledhjen e Bukureshtit, i referohej vetëm komunikatës zyrtare. Kur ne i thamë se kjo mbledhje, ishte një njollë e zezë dhe e turpshme në lëvizjen komuniste botërore, ajo u shpreh se më kot mundoheni të ma mbushni mendjen me gjëra të tilla.
Juve, deklaroi ajo, ju informojnë gabim dhe mundet që në radhët e qeverisë suaj, të ketë armiq që nxisin këto gjëra. Po juve, theksoi ajo, silleni si revizionistët jugosllavë, të cilët na thonë që ne jemi me Bashkimin Sovjetik, dhe me Leninin, por kundër Stalinit.
Ndërsa ju, thoni që ne jemi me Stalinin, por kundër Hrushovit. Vereshaginës, i’u fol për qëndrimin që aktualisht mban Presidiumi i K.Q. të BRSS-së, dhe veçanërisht ai i Hrushovit, ndaj Partisë dhe popullit tonë. Asaj, iu fol edhe për çështjen e grurit, të kredive për planin 5 vjeçar, të ndërtimit të Pallatit të Kulturës, të bazës ushtarake, etj.
Kur ne i kërkuam që të shpjegonte se ku konsistonin gabimet e Partisë sonë, ajo mblodhi supet dhe nuk dinte ç’të thoshte. Të gjitha këto biseda, ajo i’a ka informuar Komandës dhe po këto diskutime, shërbyen si shkak për përjashtimin e shokut Thoma Duro. Në këtë bisedë, kanë marrë pjesë dhe shokët Thoma Duro, Kristo Salovaci, Dhimitër Llazari, etj. Pikëpamjet e saj ne, i hodhëm poshtë me fakte konkrete, derisa ajo nuk kishte se çfarë të thoshte më.
Pedagogu i të Drejtës Penale, nën-koloneli Sergejev, kur pa broshurën mbi burgjet dhe kampet e Jugosllavisë, u interesua duke na pyetur neve, nëse ishin të vërteta këto gjëra. Nga ana jonë, iu shpjegua që këto gjera, jo vetëm që ishin të vërteta, por dhe i referuam shembuj konkretë të marra nga shokët që kanë punuar në këtë sektor.
Mbas kësaj bisede, ai takoi një tjetër pedagog, zëvendësin e tij, majorin Teterin. Ky i fundit, në bisedë e sipër u shpreh se qeveria sovjetike, është për një politikë afrimi me Jugosllavinë, por ushtarët e divizioneve jugosllave, do të ishin mirë që të mos vazhdojnë t’i drejtojnë armët kundër nesh, por minimalisht të qëndrojnë neutralë.
Ai, theksoi se do të ishte akoma më e denjë, që ushtria jugosllave ta blinte armatimin tek ushtria jonë dhe jo tek ajo amerikane. Por ato, të nisur nga pozitat e tyre nacionaliste, kanë pretendime për kufijtë me shtetet e tjera socialiste. Në këtë bisedë, u përfshinë shokët: Kristo Salovaci, Koço Ligori, Isuf Kullolli, Shyqyri Luzati, Thanas Peçi, Fahri Kraja, dhe Perlat Çaushi.
Pedagogu i ‘Materializmit Historik’, Miroshnikov, gjatë zhvillimit të leksioneve dhe seminareve, nuk është shprehur ndonjëherë kundër vijës së partisë sonë. Përkundrazi, gjatë leksionit ai ka cituar pjesë të raportit të mbajtur nga shoku Enver gjatë zhvillimit të Kongresit të IV të PPSH-së. Edhe për sa i përket çështjes së ‘Kultit të Individit’, ai na lexoi disa letra të panjohura për ne të Stalinit, në të cilat ai shkruante se ishte kundër teprimit të këtij kulti.
Por fatkeqësisht, ai, sidomos kohët e fundit, na u shpreh Miroshnikovi, e lejoi që kulti i tij të intensifikohej. Pyetjes sonë, që sipas mendimit të tij, Stalini mund të konsiderohej klasik i komunizmit apo jo, ai iu përgjigj se: nëse lexon më mënyrë filozofike veprën e tij, arrin në konkluzionin që Stalini hyn tek klasikët. Raportin e mbajtur nga shoku Enver Hoxha në Kongresin e IV, ai e cilësoi me vlerë shkencore që i shërben lëvizjes komuniste.
Drejtoresha e mensës së shkollës, në një bisedë me shokët tanë, tha se shpresonte që të vinte në Shqipëri me bashkëshortin e saj, për të parë punimet e Pallatit të Kulturës në Tiranë, pasi bashkëshorti i saj ishte në grupin e inxhinierëve dhe arkitektëve sovjetikë që po merreshin me këtë projekt. Por ai, i kishte thënë, se: punimet tona për këtë vepër arkitekturore, u ndërprenë përfundimisht.
Atëherë shokët tanë, i thanë se punimet për këtë pallat nuk ishin ndërprerë përfundimisht dhe se ato, do të përfundoheshin nga arkitektët dhe inxhinierët shqiptarë. Por vetë sovjetikët, i braktisën të parët punimet dhe madje të gjitha materialet e ndërtimit që erdhën me anije në Portin e Durrësit, i kthyen mbrapsht për në Bashkimin Sovjetik.
Ajo, shtoi se kohët e fundit po vihen re gjithnjë e më shumë të çara, por ne duhet të mos mërziteshim, pasi këto çështje, do të zgjidheshin së shpejti. Të gjitha këto unë nuk i dija, por m’i ka thënë im shoq, u shpreh ajo. Qeveria jonë, shpreson që të rifillojë punimet për Pallatin e Kulturës në Tiranë dhe ai në fund do të quhet “Pallati i miqësisë shqiptaro-sovjetike”.
Pedagogia e ‘Ekonomisë Politike’, për çështjen e mbledhjeve të Traktatit të Varshavës, na tha se në mënyrë kofidenciale një pjesëtar i delegacionit sovjetik, i kishte deklaruar se delegati shqiptar, në diskutim e sipër të problemeve, kishte degraduar në debate dhe gjaknxehtësi. Por, kur ne e pyetëm se për çfarë debatesh e kishte patur fjalën delegati sovjetik, ajo nuk diti të shpjegonte më tej.
Në bisedat me kursantët sovjetikë të kombësisë gjeorgjiane, përgjithësisht ata kanë aprovuar vijën e partisë sonë. Gjeorgjianët, theksonin se nëse dhe ata, do të kishin qenë në të njëjtën pozitë si Shqipëria, po kështu do të kishin vepruar. Në Gjeorgji, Hrushovi nuk gëzon simpati, thonin ata, dhe se ai ka 6 muaj pa e vizituar atë vend. Dhe kur erdhi herën e fundit atje, ai kishte marrë me vete qindra oficerë Sigurimi për ta mbrojtur.
Ndryshe është reputacioni i Molotovit tek ne dhe deklaruan se nëse ai do të vizitonte Gjeorgjinë, ata, ishin gati ta mbanin në krah që nga kufiri e deri në Tbilisi. Për përjashtimin e shokëve tanë na shkolla, na thanë se ju vjen shumë keq dhe theksuan se si kursantë sovjetikë, u vjen turp nga vetja që me shqiptarët po ndodhin këto gabime. Edhe kur na përcollën ata, na falenderuan dhe na përshëndetën me lot ndër sy. Në këto biseda ma marrë pjesë shoku Isuf Kullolli.
Shumica e stafit akademik dhe pedagogët e ndryshëm, po kështu e kanë pritur me trishtim dhe keqardhje largimin tonë nga shkolla. Ata e konsiderojnë të padrejtë dhe një marrëzi, edhe përjashtimin e disa kursantëve shqiptarë nga Shkolla e Komitetit të Sigurimit të Shtetit.
Me shokët e Demokracive Popullore, nuk janë zhvilluar biseda për qëndrimin e vijës së partisë sonë, sepse shumica prej tyre ose nuk janë të informuar rreth saj, ose janë keqinformuar. Shpesh na kanë mbështetur plotësisht vietnamezët, hungarezët, elementë të veçantë polakë, po ashtu dhe cekë e rumunë.
Kohët e fundit, hungarezët u interesuan për marrëdhëniet tona me BRSS-në, pasi ata na deklaruan se nuk kishin ditur gjë. Ne i ndihmuam me disa materiale në gjuhën ruse ku spikasnin, fjalimi i shokut Enver, broshura për burgjet dhe kampet e Jugosllavisë, etj.
Përgjegjësi i grupit të III-të
Major Kristo Salovaci
Tiranë më 15.6.1961
R e l a c i o n
Në një ekspozitë të organizuar në ambientet e shkollës me imazhe nga zhvillimi i Kongresit të IV të Partisë sonë, na u gris një fotografi në të cilën kishte dalë shoku Enver Hoxha me një grup delegatësh të kongresit. Për këtë akt të poshtër dhe të paprecedentë, ne protestuam para Komandës së Shkollës dhe kërkuam që të merreshin masa.
Në takimin që ne patëm për këtë çështje me Komandantin e Fakultetit, Kolonel Grigorjevin, ne nuk mund ta shkëpusim nga vazhdimi i një sërë incidentesh që po ndodhin ndaj nesh, vendit, dhe ndaj partisë sonë. Ne i parashtruam atij, të gjitha veprimet negative që kanë ndodhur midis sovjetikëve dhe shqiptarëve, që nga anullimi punimeve në Pallatin e Kulturës, ikjen e anijes me materialet e ndërtimit për në Bashkimin Sovjetik, çështjen e bazës së Pashalimanit, episodet me marinarët shqiptarë në Leningrad, etj.
Ai, na tha që këto probleme duhet t’i zgjidhin qeveritë tona dhe se ne, duhet të shikonim programin mësimor. Ne, i’u referuam dokumenteve zyrtare dhe artikujve që botoheshin në shtyp.
Nuk na tha asgjë për sa i përket marrëdhënieve dypalëshe midis qeverive tona. Për sa i përket çështjes së grisjes së fotografisë ne, protestuam deri tek Komandanti i Përgjithshëm i Shkollës së Lartë të Sigurimit të Shtetit, Gjenerali Kuljenkov.
Ai, na tha se ky ishte një akt i pastër politik dhe na garantoi që do të merreshin masa që në të ardhmen të mos ndodhin më akte të tilla. Shtoj se në bisedat me shokët e ‘Demokracive Popullore’ ata na kanë përkrahur për qëndrimin e drejtë të vijës së partisë sonë.
Ata kanë shprehur keqardhjen ndaj veprimeve arbitrare të ushtruara ndaj qeverisë dhe popullit shqiptar nga ana e sovjetikëve. Të gjitha këto biseda që kam bërë, i kam raportuar në ambasadën tonë në Moskë./Memorie.al
Thoma Duro
15.6.1961
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016