1895 –Lindi, Ahmet Muhtar bej Zogolli në Burgajet të Matit, i njohur pas 1922 thjesht Zogu, kurse gjatë viteve 1928-1939 si Nalt Madhnija e Tij Zogu I, Mbreti i Shqiptarëvet, ka qenë politikan shqiptar që shërbeu në vitin si ministër i brendshëm, më pas si kryeministër, President dhe Mbret. Mësimet e para i mori në vendlindje nga mësuesit privatë Hysen efendi Çeka nga Elbasani për gjuhën shqipe dhe nga Hafiz Muharremi nga Dibra për gjuhën turke, deri në moshën 13 vjeçare. Më 1903, u largua për në Stamboll me Lalë Krosin, dhe filloi studimet në “Numenu Tereki”, e më pas vazhdoi shkollën e oficerëve.Pasi u gradua oficer, ndoqi dhe kreu gjithashtu liceun francez Gallatasaraj në kryeqytetin perandorak. Qëndroi në Stamboll deri në fund të pranverës të vitit 1912, kur mësimet shkollore u mbyllën për pushimet verore. Zogu betimin e bëri mbi Kuranin dhe Biblën:
“Unë Zogu, Mbret i Shqiptarëve, në çastin në të cilin po hudh kambën mbi Thronin e Mbretnís Shqiptare dhe po marr në duer Pushtetin Mbretnuer, betohem përpara fuqisë së Zotit me mbajtë Bashkimin Kombëtar, Independencën e Shtetit dhe Tokat. Betohem edhe të mbahem besnik ndaj Statutit dhe të veproj mbas pikave të tij dhe mbas ligjeve që ndodhen në zbatim, duke pas parasysh kurdoherë të mirën e popullit. Zoti më ndihmoftë”.
1912 – Fillon Lufta e Parë Ballkanike kur Principata e Malit të Zi e udhëhequr nga Knjaz Nikolla i shpall luftë Turqisë. Në këtë konflikt rajonal, do të përfshiheshin shtete si Greqia, Serbia, Bullgaria, dhe Mali i Zi kundrejt Perandorisë Otomane. Humbjen do të ishin të konsiderueshme për të dyja palët pasi, Turqia do të humbte 350 mijë ushtarë ndërsa koalicioni ballkanik rreth 110 mijë. Territoret që do të cenoheshin më shumë nga kjo luftë do të ishin ato shqiptare të cilat, u pushtuan nga fqinjët.
1952 – Në stacionin hekurudhor të Harrow and Wealdstone-it në periferi të Londrës, do të ndodhte një nga tragjeditë më të rënda hekurudhore në historinë e Britanisë. Pikërisht dy trena të kësaj linje u përplasën mes tyre, duke shkaktuar vdekjen e 112 personave. Të plagosurit do të ishin 340. Arsyet e kësaj përplasjeje do të ishin, mos-respektimi i rregullave teknike të udhëtimit, dhe amortizimi i ndjeshëm i hekurudhave në këtë pjesë të Londrës.
1970 – Lind në Cambridge të SHBA-së aktori i famshëm Matt Damon. Damon do të bëhej i njohur në botën kinematografike me rolet e tij në filmat, Saving Private Ryan, The Talented Mr Ripley, Oceans Eleven, dhe serialin Bourne. Ai do të nderohej me 94 nominime dhe nga këto 27 të fituara në kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare kinematografike. Gjithashtu ai do të kontribuonte mjaft edhe në aspektin e ndihmave humanitare në vende të ndryshme të botës.
1978 – Piloti i moto-barkave të shpejtësisë, australiani Ken Warby do të krijojë një rekord të ri në këtë sport. Pikërisht i pajisur me një moto-barkë me motorë të fuqishëm reaktivë, ai do të kalonte sipërfaqen ujore me 510 km në orë. Ky rekord iu thye kampionit të mëparshëm Donald Campbell i cili aksidentalisht vdiq gjatë një aksidenti me 480 km në orë. Mjeti i tij i shpejtësisë do të quhej Spirit of Australia, dhe do të garonte në ujë-mbledhësin e Bowering-ut.
1992 – Vdes në moshën 78 vjeçare në Unkel, Kancelari i Gjermanisë Perëndimore Willi Brandt. Ai do të shërbente në këtë post nga viti 1969 deri në vitin 1974. Brandt do të mbahet mënd për projektin e ashtuquajtur Ostpolitik, i njohur ndryshe edhe si hapja politike dhe ekonomike e Gjermanisë Perëndimore ndaj asaj Lindore, si dhe ndaj shteteve të tjera komuniste. Ai do të fitonte Çmimin Nobel për Paqjen në vitin 1971, për merita në krijimin e një Europe të unifikuar.
2001 – Në aeroportin e Linate-s në Milano do të ndodhte aksidenti më i rëndë ajror në historinë e këtij vendi. Pikërisht një avion i linjës Scandinavian Airlines 686, do të përplasej me një Cessna Citation CJ2. Si rezultat të 114 pjesëtarët e bordit do të mbesnin të vdekur, përfshi dhe ato të avionit privat Cessna. Aksidenti do të ndodhte si pasojë e keq-funksionimit të sistemeve sinjalizuese të të dy avionëve. Një tjetër kontribues i madh në këtë aksident do të ishte edhe mjegulla e dendur.
2005 – Në Kashmir të Pakistanit, do të shkaktohej një tërmet me magnitudë 7.6 ballë të shkallës Mercalli. Si pasojë, afro 88.000 vetë do të humbnin jetën dhe 75.000 do të plagoseshin. Të pastrehët do të kalonin shifrën e 100.000. Rreth 1000 post-tërmete të tjera me magnitudë deri në 4 ballë, do të ndodhnin pas tij. Ky do të ishte një nga tërmetet më shkatërrimtarë në historinë e Pakistanit pas atij të vitit 1935.