Dashnor Kaloçi
Pjesa e gjashtë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret”, të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) të cilat i përkasin vitit 1961 dhe janë pjesë e një dosje voluminoze me letra, raporte, informacione, relacione, udhëzime, peticione, etj., ku bëhet fjalë për fillimin e kontradiktave dhe prishjen e marrëdhënieve të Tiranës zyrtare me Bashkimin Sovjetik, gjë e cila asokohe u ndie shumë tek studentët shqiptarë që asokohe ndodheshin me studime në shkollat dhe universitetet e Bashkimin Sovjetik, të cilët, sipas urdhrit të marrë nga Tirana, i ndërprenë studimet dhe prisnin udhëzimet për t’u kthyer në Shqipëri. Dosja e plotë e studentëve shqiptarë në ish-Bashkimin Sovjetik, ku pjesa më e madhe e tyre, kryesisht ata që vazhdonin Akademitë Ushtarake, Shkollën e Lartë të Sigurimit të Shtetit, Policisë, Kufirit, Drejtësisë, etj., patën probleme të mëdha dhe u ndeshën me peripeci të shumta me autoritetet zyrtare ruse, duke u vënë deri në masën e arrestit si dhe ndërhyrja e atasheut ushtarak shqiptar në Moskë, gjeneral-major Halim Ramohito, për zhbllokimin e situatës dhe kthimin e studentëve ushtarakë shqiptarë në atdhe.
Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË.
(Drejtoria e Jashtme)
Përmbajtja: RELACIONE E INFORMACIONE NGA PËRGJEGJËSIT E GRUPEVE E TË ORGANIZATAVE BAZË, DHE KUADROT E ORGANEVE TË PUNËVE TË BRENDSHME QË KANË QENË PËR STUDIME NË SHKOLLAT E SIGURIMIT, POLICISË, KUFIRIT, DHE DREJTËSISË, NË BASHKIMIN SOVJETIK KU BËHET FJALË MBI KOMUNIKIMIN PËR LARGIMIN NGA SHKOLLA DHE KTHIMIN NË ATDHE TË OFICERËVE DHE KURSANTËVE, BISEDAT QË KANË ZHVILLUAR NË SEMINARE, ME PEDAGOGË E PERSONA TË TJERË LIDHUR ME KONTRADIKTAT POLITIKE E IDEOLOGJIKE, MASAT E PADREJTA QË KA MARRË HRUSHOVI NDAJ VENDIT TONË, ETJ, ETJ.
R e l a c i o n
Tiranë më 9.6.1961
Lidhur me bisedimet e zhvilluara nga shokët e grupit të II-të, që studionin në Shkollën e Lartë të Sigurimit të Shtetit në Moskë, mbi kontradiktat politike dhe ideologjike që janë zhvilluar nga pedagogët e shkollës.
Në zhvillimin e leksioneve dhe seminareve të lëndës së historisë së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, që jepej nga profesoresha Vereshagina, shokët kanë kundërshtuar me argumente gjatë leksionit dhe kanë hedhur poshtë në seminare, çështjen e Kongresit të XX-të, mbi Kultin e Stalinit, mbi bashkë ekzistencën paqësore, mbi principet leniniste të bashkëpunimit vëllazëror të partive motra, etj.
Duke folur haptazi shokët tanë, kanë demaskuar sulmet e qeverisë sovjetike dhe të K.Q. të P.K. të BRSS-së, ndaj vendit tonë, dhe më konkretisht:
Kur flitej për sukseset e mëdha të Bashkimit Sovjetik, ato i dedikoheshin Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ndërsa kur bëhej fjalë për dështime, gabime, negativitete, dhe të metat, në sfera të ndryshme të jetës së vendit, ato, sidomos gjatë Luftës, ato i visheshin Stalinit.
Në lidhje me këtë aspekt, shokët kanë bërë këtë pyetje: “Përse sukseset i takojnë vetëm Partisë, ndërsa Stalini, përmendet vetëm për gabime”?! Në qoftë se Stalini çmohet ashtu siç thoni ju, atëherë përse nuk flitet fare për të, madje nuk përmendet as në data historike, as ditëlindja e tij, as vdekja e tij.
Kurse për Shevçenkon, një ish poet reaksionar shtypi, radioja, televizioni, kinematë, u aktivizuan për ditë të tëra?! Ju thanë se kjo, është demagogji e Hrushovit që flet për Stalinin në Kaukazi, kurse në Mbledhjen e Bukureshtit, Nikita ka thënë për të, se Stalini ishte një kriminel.
Ju tha se për Stalinin, nuk kanë dëgjuar asgjë rreth familjes së tij, nëse kishte grua apo fëmijë, etj. Ndërsa Hrushovi kur shkoi në Francë, mori me vete 15 nipër e mbesa të tij, ndërsa e shoqja Nina, i’u dha intervistë gazetarëve.
Një nga kritikat që ju bë Stalinit, është dhe përqendrimi i Pushtetit dhe Partisë, në duart e një njeriu të vetëm. Ju pyetëm se si është e mundur kjo gjë, pasi këtë, po e bën tashmë edhe Hrushovi?!
Na thanë se edhe ky aspekt, ishte një demagogji e tij. Ata, na thoshin se gjatë viteve të fundit, Stalini nuk i mblodhi në mënyrë të rregullt forumet e partisë, dhe përjashtonte në mënyrë arbitrare anëtarët nga K.Q. i Partisë.
I pyetëm se: nëse qenka kështu, atëherë si është e mundur që edhe Hrushovi, përjashtoi Zhukovin nga K.Q. i Partisë, kur ky i fundit, nuk ishte i pranishëm në mbledhje, por ndodhej për vizitë në Shqipëri?!
Na u justifikuan, duke na dhënë shembuj se: Hrushovi kohët e fundit, gjatë mbledhjeve, shpallte dekorimin e diskutueseve, duke mos përfillur as organet e Partisë, as Sovjetin Suprem, të Bashkimit Sovjetik. Ju, kritikoni Stalinin, për marrëdhëniet me Jugosllavinë.
Diskutime të ashpra kemi pasur me pedagogët edhe për çështjen e Deklaratës së Moskës në 1961. I pyetëm se përse shtypi juaj nuk shkruan asgjë rreth revizionizmit jugosllav kur ju vetë në Deklaratën e Moskës për ta, deklaruat se: janë rreziku kryesor në lëvizjen komuniste botërore?! Dhe në lidhje me këtë i thashë se: ju po shkelni deklaratën. Kur binte fjala për shtetet e sapoçliruara në Azi, e Afrikë, ju thoshit se këto shtete po ndihmohen sepse vetvetiu, do arrijnë në socializëm.
Ne i theksonim se qeveria e tyre, po ndihmonte Naserin që po persekuton komunistët, po ndihmonin Nehrunë e Indisë dhe Sukarnon e Indonezisë, të cilët po shtypin popullin dhe po lidhin marrëdhënie me krerët e kapitalizmit botëror. Për këto çështje, debatuam dhe me profesorin e Ekonomisë Politike, i cili na tha se BRSS-ja po i ndihmon këto vende të varfra, që këto të mos hidhen në prehrin e amerikanëve, të cilët mund të ngrenë baza ushtarake atje. Pra, duke i ndihmuar këto shtete të Botës së Tretë ne, nxisim dhe rritjen e klasës punëtore dhe industrializimit të tyre.
Në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe të partive tona, i kam shpjeguar sidomos profesoreshës së lëndës së Historisë së Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, gjithë historikun e zhvillimit të tyre madje, që kur u goditën armiqtë dhe tradhtarët Sadik Premte, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Dali Ndreu, Liri Gega, e deri në ditët e sotme. Ajo, na pyeti se përse u përjashtua Liri Belishova. I shpjegova se Liri Belishova, doli kundër vijës së Partisë në Mbledhjen e Bukureshtit dhe për këtë arsye u përjashtua. Ajo u dënua si pjesëtare e grupit anti-parti.
Po juve, ç’ju intereson puna e Liri Belishovës, apo mendoni se ajo ishte mike e Bashkimit Sovjetik?! Jo, mik i sinqertë i Bashkimit Sovjetik dhe Partisë Komuniste, është vetëm shoku Enver Hoxha dhe Partia e Punës së Shqipërisë. Mik i vërtetë i popullit sovjetik është vetëm populli shqiptar. Nuk janë miqtë tuaj të vërtetë ata që përkrahni ju dhe që janë armiqtë e popullit tone, si Panajot Plaku.
Na vjen të çuditemi me ju, se edhe njerëzit më të thjeshtë tuaj rrugëve, na pyesin se përse u përjashtua nga partia Liri Belishova?! Mos vallë ne, ju kemi pyetur ndonjëherë juve se përse përjashtuat nga partia, Molotovin apo Kiricenkon?! Nuk ju kemi pyetur sepse kemi gjykuar që këto janë çështje të brendshme të partisë suaj.
Duke biseduar rreth marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, ju kam shpjeguar kronologjikisht të gjithë fushatën e paimagjinueshme të presioneve të Hrushovit ndaj partisë dhe popullit tonë, dukë filluar që nga Mbledhja e Bukureshtit, e për të vazhduar tek ajo e Moskës, presionin ekonomik dhe mos dërgimin e grurit, ndalimin e kredive, ndërprerjen e ndihmave për planin pesëvjeçar, izolimin politik, dhe së fundi presionin ushtarak të cilin, e cilësuam si të papranueshëm.
I folëm se këto gjëra, cënojnë dhe principet më minimale të leninizmit dhe se këto presione, ua kalojnë dhe atyre të jugosllavëve. I thamë se fill pas Deklaratës së Moskës, Hrushovi do të na trajtojë më keq nga Jugosllavia, se Malinovski ofendoi rëndë popullin shqiptar, se Greçko që para fillimit të kësaj mbledhjeje, deklaroi se: ju jeni përkohësisht anëtarë të kampit socialist, kjo më indinjoi shumë.
Profesoresha më tha të bëja kujdes kur flisja për qeverinë sovjetike, dhe se duhet të flisja me respekt. Atëherë unë i thashë se nuk mund të ketë respekt për ata që marrin nëpër këmbë dinjitetin e një populli të tërë.
Në lidhje me të gjitha bisedat, ajo na thoshte se: ju shqiptarët, e kuptoni drejtë ‘Kultin e Individit’ nga ana teorike, ndërsa nga ana praktike, me këto pyetje që ngrini në mësime, duket që keni informacion të njëanshëm.
Juve, flisni se çfarë keni dëgjuar lart e poshtë dhe nuk bazoheni në dokumenta zyrtare. P. sh., unë lexova fjalimin e shokut Enver Hoxha në Kongresin e IV të PPSH-së dhe nuk gjeta as kur kund argumente nga këto që më thoni ju. Veç kësaj, na lexoi pjesë nga përshëndetja që shoku Enver, i ka bërë Kongresit të XX-të dhe XXI, duke dashur të thotë që partia juaj, i ka aprovuar këto ide që atëherë.
Dhe tha që për të kuptuar rëndësinë ndërkombëtare të këtyre dy kongreseve, duhet të lexoni fjalimit e tij që ndodhet i shtypur këtu në bibliotekë. Duke përsëritur meritat e Stalinit, i thashë se ai ka meritën e madhe të krijimit të kampit socialist, ndërsa Hrushovi, po e shkatërron atë.
Biseda të tilla janë zhvilluar dhe me dy profesoreshat e gjuhës ruse, përkatësisht me Ana Efimova Naginia dhe Marina Partalla Parllovna, me të cilat ishte bërë rregull që do të diskutonim për gjithçka ndodhte me dy vendet tona.
Marina Parllovna, e cila ishte dhe A.P. (anëtare partie), është prekur jashtëzakonisht dhe ka qarë disa here, duke na thënë se hidhërimin tuaj, e ndajmë bashkë. Ndërsa Ana Efimova, deklaronte se është ndier tepër e ofenduar si qytetare sovjetike për ato që po ju bëhen juve nga ana e qeverisë së BRSS-së.
Me profesorin e të Drejtës Penale, Teterin, kam zhvilluar biseda individuale rreth ngjarjeve të Leningradit dhe konkretisht, dëbimin si të padëshiruar të Atasheut Ushtarak shqiptar nga Bashkimi Sovjetik.
Teterini, m’u shpreh se po të më thoshin se ndiqej dhe duhet të dëbohej ndonjë atashe ushtarak i ndonjë vendi kapitalist, këtë edhe mund ta kuptoja. Por që të dëbohet atasheu ushtarak i një vendi socialist këtë, nuk e shpjegoj dot.
Ai, insistoi shumë për gjyqin që po zhvillohej në Tiranë ndaj komplotistëve dhe u ankua se “Pravda”, nuk po shkruante asgjë rreth këtij gjyqi. Ka kërkuar materiale konkrete në gjuhën ruse rreth këtij gjyqi, por nuk ka gjetur. Kur unë i komunikova, vendimin që u mor ndaj tyre, ai më tha që ata u dënuan shumë ashpër. Ai, nuk ishte dakord dhe dënonte filmin “Qielli i Pastër”, pasi ky film ishte kundër Stalinit.
Profesorin e lëndës së Disiplinës së II Speciale, kur e pyetëm se: përse gjatë seminareve dhe leksioneve nuk na thoni asnjë fjalë për Zbulimin Jugosllav, duke e ditur që ne shqiptarët jemi në konflikt të përditshëm me ta, ai na u përgjigj që: nuk e kemi në programin mësimor.
Në muajin Prill të vitit 1961, unë së bashku me disa shokë student, vizituam Muzeun Historik “Lenin”. Kur hymë atje dhe filluam ta shikonim me vëmendje, na bëri përshtypje heqja e të gjitha fotove të Leninit me Stalinin dhe zëvendësimin e tyre me foto të Hrushovit.
Na erdhi habi dhe kur pyetëm ciceronin e muzeut se: përse fotot e Stalinit ishin zëvendësuar me ato të Hrushovit, kur ky në kohën e revolucionit nuk ka qenë më tepër se 15 vjeç?! Ai qeshi dhe nuk diti të thoshte ndonjë shpjegim. Një shoku jonë i ra në sup dhe i tha se do të vijë koha që Stalini, do të vihet në vendin që i takon.
Duhet të shënojmë gjithashtu se nga bisedat individuale që kemi pasur me qytetarë të ndryshëm sovjetikë, kur kanë marrë vesh për largimin tonë nga Bashkimi Sovjetik, janë pikëlluar dhe kanë shprehur indinjatën e tyre ndaj Moskës zyrtare. Ata na thoshin që të mos mërzitemi, se kjo punë do të sqarohet shumë shpejt, se ju do të riktheheni përsëri këtu, etj.
Përpara se të fillonte Mbledhja e Partive Komuniste në Moskë, pedagogu i fizkulturës, Dubinski, provokoi një shokun tonë, duke i thënë se Enver Hoxha po pengonte tërë udhëheqjen komuniste shqiptare, dhe se me veprimet e tij ai nuk ishte në rregull.
Kolegu ynë, e pyeti këtë se: për çfarë po e pengonte shoku Enver, Byronë Politike dhe se nga i kishte marrë vesh këto informacione?! Atëherë ai, u tërhoq nga kjo bisedë dhe tha se kishte bërë shaka.
Në datën 29 Nëntor, për nder të festës së Çlirimit të Atdheut, në ambientet e shkollës u organizua një mbrëmje festive. Por na bëri përshtypje që përveç ne kursantëve shqiptare, aty kishte shumë pak të huaj. Për të ndaluar një protestë të mundshme tonën, Komanda e Shkollës, solli aty një grup kursantësh sovjetikë të Sigurimit, të cilët ngelën të habitur kur na panë, pasi nuk e dinin se për çfarë i kishin sjellë aty.
Mbas përfundimit Kongresit të Partisë në vendin tonë, një pedagog dhe konkretisht Nën-Koloneli Kanavallov, pyeti një shokun tone, sesi i ka pozitat Enver Hoxha në Shqipëri. Ai, ju përgjigj se shoku Enver Hoxha dhe partia që ai drejton, i kanë pozitat tepër të forta dhe me baza të shëndosha marksiste-leniniste. Ai, ç’kishte për t’ua thënë juve, j’ua komunikoi në Deklaratën e Moskës.
Në fund të muajit Prill unë së bashku me shokët Qani Tartale, Dhimitër Llazarin, Thanas Peçin e Perlat Çaushin, takojmë rastësisht në rrugë, ish-këshilltarin sovjetik në Ministrinë e Punëve të Brendshme të vendit tonë, Voroninin. Kur e pyetëm se përse kishte ardhur në Moskë, ai na u përgjigj që mori fund dhe mbaroi gjithçka.
Ne i thamë që kishte marrëveshje ndërmjet dy qeverive përkatëse për punën e këshilltarëve, ai tha se Shqipëria s’ka nevojë më për këshilltarë sovjetikë. Mbas nja dy ditëve, afër shkollës përsëri takohemi me të në rrugë dhe m’u drejtua me fjalët se ç’thotë Shqipëria?! Unë i thashë se Shqipëria, ecën përpara, dhe se në këtë kongres pati entuziazëm të madh.
Më pyeti, sesi ka qenë shoku Ministër. I thashë se ai u zgjodh, Kandidat i Byrosë Politike. E di, e di, më tha Voronini. I shpjegova se së shpejti në Shqipëri, do të bëhej gjyqi kundër tradhtarëve komplotistë. Në fund e ftova që të vinte një ditë në shkollë dhe të na shikonte nga afër.
Ai, qeshi por nuk më tha që do të vinte. Ditët e fundit, kemi konstatuar se shokët tanë kursantë, janë ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi sovjetik, dhe janë fotografuar, konkretisht në 3 Qershor, në ekspozitën angleze. Kanë fotografuar shokun Qani Tartale i cili, shkonte shpesh në ambasadë. /Memorie.al
Në emër të grupit të II-të
Komandanti i grupit
Nën-Kolonel Nuri Çakërri
15.6.1961
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016