Dashnor Kaloçi
Memorie.al/publikon dokumente historike me “Buletinet e Luftës Nacional-Çlirimtare” që nxirrte Partia Komuniste Shqiptare nga data 28 nëntor 1944 e në vijim, ku midis të tjerash shkruhet disa herë se “28 nëntori i ditës së Independencës së Shqipërisë.
Me shembjen e regjimit komunist në fillimin e viteve ’90-të e në vijim, një ndër konfliktet e mosmarrëveshjet e shumta që do bëhej objekt debatesh të vazhdueshme dhe do përplaste pothuaj çdo vit dy forcat e mëdha të politikës shqiptare bashkë me simpatizantët e tyre, ka qenë ajo e festës së çlirimit të Shqipërisë, pra; kur është çliruar Shqipëria më 28 apo më 29 nëntor?! Gjë e cila me sa duket do të vazhdojë edhe për shumë kohë duke u bërë një “mollë sherri” mes së “djathtës” dhe së “majtës” shqiptare, si dhe studiueseve e historianëve të ndryshëm të rreshtuar apo prononcuar në favor apo kundra të dy forcave përkatëse kryesore të këtij spektri politik. Në këtë konfliktualitet që në pamje të parë duket artificial, normalisht fshihen e maskohen apo dalin hapur pasione e synime të qarta politike, gjë e cila jo vetëm që nuk e ka zbehur aspak luftën për të “fituar” 28 apo 29 nëntorin, si festën e çlirimit të Shqipërisë, por përkundrazi e ka mbajtur atë në një gjendje konstante dhe me përkujtimin që u bëhet këtyre festave, dy forcat më të mëdha politike i festojnë të ndara dhe në ditë të ndryshme. Siç theksuam pak më sipër, në këtë “lojë” kanë hyrë dhe studiues e historianë të shumë nga të dy krahët e politikës, apo dhe të “pavarur”, duke bërë publike dokumente arkivore dhe duke dhënë gjithsecili argumentet e tij dhe duke i lexuar apo interpretuar ato sipas mënyrës së tyre.
Një nga këta studiues dhe historianë, i konsideruar si një nga më seriozët dhe më të njohurit në Shqipëri para dhe pas viteve ’90-të, ka qenë dhe akademiku, prof. dr. Kristo Frashëri, (i ndarë nga jeta në 31 janar 2016) i cili në 29 nëntor 2010 në gazetën “Shqip” ka botuar një shkrim me titull: “Kristo Frashëri: Isha dëshmitar i 29 Nëntorit”. Nuk ka shumë rëndësi titulli i shkrimit pasi ai normalisht mund të jetë dhe redaksional, por nuk është e vështirë të kuptohet se ai përmban dhe më të drejtë synimin e qartë të autorit të shkrimit, pra që; dita dhe festa e çlirimit të Shqipërisë është 29 nëntori i vitit 1944. Por që fatkeqësisht, që këtu fillon manipulimi, pasi po të shohim më poshtë të gjithë shkrimin e akademikut Frashëri, ai aty nuk flet se dëshmitar i asaj ngjarje, (pasi siç dihet zoti Frashëri ka qenë dhe një nga komunistët e parë dhe gjithashtu partizan me funksione drejtuese), por si studjues dhe historian, duke iu referuar, komentuar dhe interpretuar kryesisht dokumenteve zyrtare, siç janë “Buletini i Luftës Nacional-Çlirimtare”, që ruhet në disa numra në Bibliotekën Kombëtare. Dhe në ato numra të atij buletini (që fillojnë nga data 13 nëntor 1944 e vijojnë deri në dhjetor), janë dhe disa numra ku disa herë shkruhet dhe lexohet qartë se; 28 nëntori 1944, është dita e çlirimit të Shqipërisë, apo diku tjetër kjo lihet të nënkuptohet. Këto duken qartë si nga faksimilet përkatëse që po i publikojmë këtu bashkë me këtë shkrim, si dhe të zbardhura nga paragrafët e ndryshme që janë në këto buletine. Por që çuditërisht, me apo pa qëllim, zoti Frashëri nuk iu referohet fare këtyre paragrafëve, por citon paragrafë të tjerë që janë të paqartë lidhur me datën e çlirimit të Shqipërisë dhe më shumë ai bën interpretime të tyre duke mbrojtur versionin dhe tezën e tij se “Shqipëria është çliruar më 29 nëntor 1944”. Kjo gjë është krejt normale dhe e drejtë e tij, pra që zoti Frashëri të bëjë interpretime dhe të mbrojë versionin e datës së çlirimit të Shqipërisë 29 nëntorin, ku ai më së shumti i referohet “Buletini i Luftës Nacional-Çlirimtare” Nr. 53 të datës 1 dhjetor 1944, ku në artikullin me titull “Shkodra u Çlirue”, midis të tjerash shkruhet: “Ditën e dytë të festës së sonë Kombëtare të 28 Nandorit, ndërsa populli shqiptar e kremton këtë festë dy herë të shenjtë, vjen ta plotësojë dhe t’ia api ma entuzjazëm e madhni historike Çlirimi i Shkodrës. Me çlirimin e Shkodrës plotësohet çlirimi i gjith Shqipnis. Sod populli shqiptar krenar për luftën dhe fitoret e tija, sepse asht vetë faktori kryesor e kremton festën e “28 Nandorit” në gjinin e Frontit të vetëm Nacjonal-Çlirimtar, me pushtetin e tij Demokratik dhe me qeverinë e tij demokratike. Po këtë fat ka sot edhe populli i Shkodrës. Ushtrija e jonë nuk e la këtë popull ta festojë në robin këtë ditë të madhe. Po në ditët e mëdhaja të festive kombëtare ajo vrapo t’a nxjerrë nga robnija popullin fisnik të Shkodrës dhe t’i api mundësi ta kremtojë këtë festë si gjithë populli shqiptar”. Sa më sipër cituam, zoti Frashëri ka gjithë të drejtën e tij të konsiderojë 29 nëntorin si ditën dhe festën e çlirimit të Shqipërisë, por ai gabon, apo thënë më qartë e saktë, ai manipulon me këto dokumente, kur shkruan se: “Më 28 Nëntor 1944, Buletini për shkak të festës kombëtare, nuk doli në qarkullim. Atë ditë, qeveria e përkohshme, fill pasi hyri në Tiranën e çliruar, vendosi që Dita e Pavarësisë të kremtohej tri ditë me radhë”. Apo pak më poshtë, ku zoti Frashëri shkruan: “Të nesërmen, më 29 Nëntor, numri 51 i Buletinit qe mbushur me kremtimin e festës së Pavarësisë në Tiranë, duke i dhënë një vend të rëndësishëm hyrjes së qeverisë demokratike në kryeqytet dhe fjalimit të njohur që mbajti atë ditë E. Hoxha”. Pra siç theksuam pak më lart, këto që shkruan zoti Frashëri në artikullin e tij, janë manipulime, pasi buletini i datës 28 nëntor me nr. 51 ka dalë në qarkullim (shiko faksimilen përkatëse) dhe jo siç thotë zoti Frashëri se: “Buletini nr. 51 ka dalë më 29 nëntor”?!. Dhe në buletinin e datës 28 nëntor 1944 në mes të tjerash shkruhet: “Festa e flamurit këtë vit ka një ndryshim rrënjësor nga ajo e vitit 1912. Sot e festojmë këtë ditë me një Shqipëri të lirë me të vërtetë”. Po kështu, në faqen tjetër midis të tjerash shkruhet: “Festimi i ditës së madhe të 28 Nëntorit që përkujton fitimin e Indipendencës Kombëtare më 1912 dhe që sivjet konçidon me festën ne çlirimit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë do të vazhdojë për tri ditë”. Pra në këto paragrafë është thënë dhe shkruar qartë dhe e përmbledhur do të thotë se; 28 nëntori që përkujton festën e Indipendencës, konçidon me çlirimin e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë”.
Nëse ngatërrimin nga ana e zotit Frashëri të buletinit nr. 51 të datës 28 nëntor, që ai e shkruan se ka dalë në 29 nëntor, ta marrim për lapsus të tij (kemi parasysh moshën kur i ka shkruar këto si dhe shikimin e tij), përsëri nuk mund ta shfajësojmë atë, pasi ai gabon edhe në interpretime. Nuk ka sens llogjik ajo që shkruan zoti Frashëri se: “Më 28 Nëntor 1944, Buletini për shkak të festës kombëtare, nuk doli në qarkullim”. Ato buletinë që kishin filluar të dilnin rregullisht që nga data 13 nëntor, përse nuk mund të dilnin pikërisht në atë ditë feste, siç ishte 28 nëntori, dita e Indipendencës së Shqipërisë?! Përse do pengohej dalja e buletinit nga festa kombëtare, kur propaganda e udhëheqjes së PKSH-së synonte pikërisht festimin e asaj date, siç dhe ka ndodhur realisht, ku në buletinin e datës 28 nëntor, është pasqyruar edhe programi i detajuar i festës së Pavarësisë së Shqipërisë! Ç’kuptim do kishte që në buletinin nr. 51 të datës 29 nëntor 1944, të pasqyrohet programi i detajuar i festimeve në Tiranë i datës 28 nëntor?! Gjithsesi nga sa thamë dhe cituam më lart, lexuesi i nxjerr vetë konkluzionet, si nga faksimilet përkatëse që po i publikojmë këtu në këtë shkrim edhe me disa paragrafë të zbardhura dhe gjithashtu me shkrimin e zotit Kristo Frashëri, (me shkurtime) të cilët botohen nga ekskluzivisht nga Memorie.al për lexuesit e saj.
Buletini i Luftës Nacional-Çlirimtare ku shkruhet se: 28 nëntori i Pavarësisë u festua bashkë me ditën e çlirimit të gjithë Shqipërisë?!
Kështu lidhur sa më lart cituam, në “Buletini i Luftës Nacional-Çlirimtare” Nr. 51 të datës 28 nëntor 1944 në faqen e parë në shkrimin kryesor që hapet ai buletin me titull “Populli Shqipëtar feston ditën e 28 nëntorit”, në mes të tjerash shkruhet: “Festa e flamurit këtë vit ka një ndryshim rrënjësor nga ajo e vitit 1912. Sot e festojmë këtë ditë me një Shqipëri të lirë me të vërtetë, pa tregtarë të politikës, me një Ushtri t’onë lavdiplote, që është një forcë sigurimi për ta ruajtur në çdo kohë këtë indipendencë”. Ndërsa në faqen e dytë të këtij buletini, në shkrimin me titull “Program për kremtimin e 28 Nëndorit” ku jepet axhenda e festimeve të asaj dite duke filuar nga ora 7 e 30 e mëngjezit ku do bëhej “Tedeum në Faltore”, në pikën me nr. 15 që i përket orës 20 të mbrëmjes, shkruhet: “Festimi i ditës së madhe të 28 Nëntorit që përkujton fitimin e Indipendencës Kombëtare më 1912 dhe që sivjet konçidon me festën ne çlirimit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë do të vazhdojë për tri ditë”.
Kristo Frashëri: Isha dëshmitar i 29 Nëntorit
Kundërshtarët e Enver Hoxhës le ta shajnë Enver Hoxhën sa të duan, ku të duan e si të duan, por jo për ngjarje si data e Çlirimit të Shqipërisë, të cilat janë vepra të popullit shqiptar e jo të Enver Hoxhës. Argumentet që kanë sjellë përkrahësit e datës së çlirimit më 28 Nëntor 1944, nuk janë akte dokumentare, por spekulime në leximin e tyre. Deri sot ata sillen e nga sillen e po ato referime spekulative përdorin. Dokumentet historike që janë përdorur nga historianët deri sot – shqiptare, gjermane, britanike, amerikane – flasin në mënyrë bindëse se ushtari i fundit gjerman u largua nga Shkodra në mëngjesin e 29 Nëntorit 1944 dhe po atë ditë disa orë më vonë edhe nga kufijtë e Shqipërisë. Si rrjedhim, dita e Çlirimit të Shqipërisë më 29 Nëntor 1944 nuk ka përse të lëvizë.
Meqenëse dokumentet janë të njohura, nuk ka përse të rikthehemi tek ato. Mjafton që ato të lexohen me objektivitet. Këtu dua të sjell si dëshmi kokëfortë disa njoftime shqiptare të atyre ditëve, shumë pak të njohura, ose të shfrytëzuara mbrapsht, të cilat kundërshtarët do të kenë të vështirë t‘i hedhin poshtë ose ta deformojnë, siç e kanë zakon, përmbajtjen e tyre. Në muajt e fundit të okupacionit gjerman, kur filloi çlirimi i qyteteve të mëdha, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇL-së, nxirrte një buletin gati të përditshëm me ngjarjet e luftës. Buletini me titull “Buletini i Luftës Nacional-Çlirimtare” shtypej në një shtypshkronjë ilegale të vendosur në fshatin Priskë afër Tiranës.
Buletini shtypej zakonisht në një fletë me dy faqe, afërsisht deri në fund të dhjetorit 1944, kur filloi botimin gazeta “Bashkimi”. Sikurse tregon fotokopja këtu pranë, nga pamja tipografike, Buletini nuk kishte dallim nga media e zakonshme e ditëve tona. Për arsye që kuptohen, mungonin vetëm ilustrimet. Sidoqoftë, duhet pasur parasysh se në çdo numër buletini si dhe gazetat e sotme ngjarjet e ditës së kryeqytetit, i botonte në numrin e ditës së nesërme ose të pasnesërme, kurse ato të rretheve nganjëherë edhe në disa ditë vonesë. Më 28 Nëntor 1944, Buletini për shkak të festës kombëtare, nuk doli në qarkullim. Atë ditë, qeveria e përkohshme, fill pasi hyri në Tiranën e çliruar, vendosi që Dita e Pavarësisë të kremtohej tri ditë me radhë.
Më 28 Nëntor do të ishte festa zyrtare e mbarë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit; më 29 Nëntor festën e Pavarësisë do ta kremtonte Organizata e Rinisë Antifashiste (BARSh-i); më 30 Nëntor do ta kremtonte Organizata e Gruas Antifashiste (BGASh-i). Të nesërmen, më 29 Nëntor, numri 51 i Buletinit qe mbushur me kremtimin e festës së Pavarësisë në Tiranë, duke i dhënë një vend të rëndësishëm hyrjes së qeverisë demokratike në kryeqytet dhe fjalimit të njohur që mbajti atë ditë E. Hoxha. Të nesërmen, më 30 Nëntor, buletini qe mbushur përsëri me reportazhe rreth kremtimit të Ditës së Pavarësisë në kryeqytet. Në këndin e djathtë të buletinit, brenda një katrori me titull “Ora e fundit”, njoftohej tekstualisht: “Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare njofton: Repartet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, që veprojnë në veri të Shqipërisë, çliruan Shkodrën”. Dihet se rruga Tiranë-Shkodër qarkullohej me vështirësi, për shkak të katër urave që kishte hedhur në erë ushtria gjermane (ura e Gjoles në Fushë-Krujë, ura e Matit në Milot, ura e Drinit në Lezhë dhe ura e Bahçallëkut në Shkodër). Njoftimi mbi çlirimin e Shkodrës u përcoll gjatë ditës së 29 Nëntorit nga korpusi II në Tiranë me radiograf. Kjo shpjegon arsyen përse lajmi i çlirimit të Shkodrës u botua në Buletin të nesërmen, më 30 Nëntor.
Njoftimi me radiogram i çlirimit të Shkodrës më 29 Nëntor 1944 dëshmohet dhe nga një burim tjetër. Në buletinin e datës 1 dhjetor (nr. 53) është botuar një reportazh mbi kremtimin e Ditës së dytë të Flamurit, pra më 29 Nëntor nga Organizata “Bashkimi i Rinisë Antifashiste Shqiptare” (BRASh). Në mitingun, i cili zhvillohej paradite në sheshin që sot mban emrin “Nënë Tereza”, fjalimin kryesor e mbajti presidenti i BRASh-it, Nako Spiru. Disa minuta pasi mbaroi fjalimin e vet, Nako Spiru u kthye përsëri në tribunë dhe tha, sipas Buletinit, tekstualisht: “Shokë! Në këtë çast Shtabi i Përgjithshëm lajmëron se Ushtria jonë heroike çliroi Shkodrën. Shqipërinë tonë e kemi krejt të lirë”. “Entuziazmi, vazhdon buletini, shpërthen pa kufi. Rregulli dhe radhitja nuk mbahen dot më.
Të gjithë bërtasin ‘Rroftë Ushtria Nacionalçlirimtare! Rroftë Shqipëria e lirë demokratike‘ … dhe nga gëzimi fillojnë të gjithë të hedhin kapelet në erë, të këndojnë, të brohorasin aq tepër sa mund të dëgjohen në anët e largëta të qytetit”. Disa ditë më vonë, buletini i datës 5 dhjetor 1944, në rubrikën “Lajme të brendshme”, përmban një njoftim zyrtar lëshuar nga Korpusi II i UNÇL-së, i cili tani e kishte selinë e vet në Shkodër. Aty thuhet ndër të tjera: “Mbas grushteve të forta që hëngrën gjermanët në Krrabë, Tiranë e kudo gjetkë të tmerruar u mblodhën në qytetin e Shkodrës, qytet i fundit që mbetej për t‘u çliruar pas 28 Nëntorit”. Më tej: “Më 29 Nëntor forcat e Korpusit të tretë hyjnë në qytetin e Shkodrës të pritura me brohoritje nga i gjithë populli i qytetit”/Memorie.al