Karel Berkhoff
Memorie.al/Më 28 shtator 1941, u lëshua një dekret gjerman që urdhëronte hebrenjtë e Kievit dhe zonës përreth, të mblidhnin disa rroba dhe sende dhe të grumbulloheshin në një kryqëzim, jo shumë larg një stacioni lokal të trenit të mallrave. Ata marshuan drejt Babi Yar dhe u pushkatuan gjatë dy ditëve. Sipas një raporti bashkëkohor, forcat gjermane vranë 33.771 hebrenj. Dina Pronicheva, është një nga të paktat që mbijetoi nga kjo ngjarje e tmerrshme. Kjo është historia e saj:
Karel Berkhoff, Hulumtues i Lartë në Institutin ‘NIOD’ për Luftën, Holokaustin dhe Studimet e Gjenocidit në Amsterdam, Holandë, tregon: Ka disa statuja që qëndrojnë sot në Babi Yar, në veri-perëndim të Kievit. Është një vend ku njerëzit mund të shkojnë për të kujtuar gjërat e tmerrshme, që kanë ndodhur atje. Por këto statuja, janë thjesht pjesë e një parku të madh. Në mënyrë dërrmuese, njerëzit që kalojnë nëpër Babi Yar, çdo ditë janë vendasit që vrapojnë për punë, shtyjnë karroca, ose thjesht shijojnë një ditë të zakonshme. Fëmijët luajnë sporte në lëndina. Sigurisht që ata nuk mendojnë ose imagjinojnë atë që ndodhi dikur në ato vende.
Por nëse e dini se çfarë ndodhi në Babi Yar, është e vështirë të mos mendoni për këtë. Skajet e asaj që dikur ishte një luginë e thellë, nuk janë më aq të pjerrëta, por ato janë ende qartë atje. Pra, nëse kaloni, do të jeni në gjendje të shihni se këtu dikur ishin grumbulluar dhjetëra mijëra trupa.
Dr. Berkhoff, ka hulumtuar gjerësisht historinë e Babi Yar, e cila fillon me një kthesë të madhe të ngjarjeve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në verën e vitit ‘39, gjermanët dhe sovjetikët nënshkruan një pakt mos-agresioni. Të dy fuqitë përdorën marrëveshjen e tyre si bazë për të filluar ndërtimin e Polonisë për veten e tyre, në fazën fillestare të Luftës së Dytë Botërore.
Dy vjet më vonë, në verën e ’41-it, Gjermania pushtoi territorin sovjetik, në kundërshtim me paktin, me qëllim zgjerimin e perandorisë së saj në Lindje. Ndër territoret e pushtuara, ishte qyteti kryesor, historik i Kievit, me popullsinë e tij afërsisht 850.000. banorë
Dr. Berkhoff, citon: Në mëngjesin e 18 shtatorit 1941, njerëzit në Kiev, filluan të plaçkitnin dyqane dhe magazina. Gjatë mëngjesit të së premtes, 19 shtator, trupat gjermane pushtuan qytetin. Banorët kuriozë dolën për të parë, por nuk bënë asgjë tjetër. As disa qindra mijë hebrenjtë e qytetit, nuk e kuptuan fare se çfarë do të thoshte pushtimi gjerman për ta.
Karel Berkhoff rrëfen: Hebrenjtë e Bashkimit Sovjetik, nuk ishin një tërësi e unifikuar. Kishte hebrenj që jetonin në Poloninë Lindore. Ata kishin dëgjuar ose përjetuar dhunë anti semitike gjermane. Gjermanët mbërritën në 19 shtator 1941. Qyteti ishte në thelb i paprekur. Por pesë ditë më vonë, në qendër të qytetit, bombat filluan të shpërthenin dhe këto ishin bomba që ishin vendosur fshehurazi, në bodrume dhe dhoma me qëllim që të bënin kushtet të padurueshëm për gjermanët.
Kjo ishte një direktivë staliniste që ishte ekzekutuar nga Ushtria e Kuqe dhe NKVD, (policia politike sovjetike). Kishte zëra për vendosjen e këtyre bombave. Por shpesh ato ishin shumë të vështira për t’u gjetur. Kështu papritmas dhe për shqetësimin e madh natyrisht të pushtuesve, bombat filluan të shpërthejnë dhe ato shkaktuan një zjarr të madh në qendër të qytetit, që përfundimisht shkatërroi një pjesë të madhe të rrugës kryesore dhe disa rrugë ngjitur dhe vrau disa gjerman.
Megjithëse ishin ushtarët sovjetikë ata që kishin vendosur bombat, fajtorë bëheshin hebrenjtë. Fajësoheshin sepse, në botëkuptimin nazist, hebrenjtë dhe bolshevikët gjithmonë kurdisnin së bashku.
Karel Berkhoff tregon: Ata kishin ndërmend të vrisnin hebrenjtë. Dhe arrestimet filluan të bëhen jo vetëm për hebrenjtë, por edhe për komunistët. Dhe shumë shpejt, u morr vendimi në lidhje me vrasjen e të gjithë hebrenjve të këtij qyteti të madh metropolitan, në një goditje të vetme.
Nazistët vendosën jo vetëm për të vrarë hebrenjtë, por për të vrarë të gjithë hebrenjtë menjëherë.
Dina Pronicheva, lindi në janar 1911, në Chernigov, atëherë pjesë e Perandorisë Ruse (sot Chernihiv, Ukrainë). Në moshën pesëvjeçare ajo u transferua në Kiev dhe mbeti atje, kur në moshën 21-vjeçare, ajo u martua me një hebre rus. Dina mori një arsim të mesëm dhe fitoi një njohuri të mirë të gjuhës ukrainase, punoi në qytet si aktore, në një teatër kukullash. Teatri i Kukullave u mbyll, kur filloi lufta dhe kështu ajo filloi punën me Ushtrinë e Kuqe. Nuk kaloi shumë kohë, ndërsa burri i saj ishte duke luftuar, ajo gjithashtu mbante përgjegjësinë për t’u kujdesur për vajzën trevjeçare dhe djalin një vjeç.
Ajo në kujtimet e saj, përshkon se si ishte ajo javë e pushtimit.
Gjendja natyrisht ishte në panik. Nuk kishte as ushqim, as ujë, as dritë. Asgjë. Zjarret shpërthyen në Kiev më 24 dhe 25 shtator. Rrugët po digjeshin. Filloi gjuetia për hebrenjtë. Gjermanët po shkonin natën nga banesa në banesë, duke kërkuar hebrenj. Për Dinën, ky nuk ishte një problem i largët, shpejt arriti në pragun e saj.
Dina tregon ne kujtimet e saj: Unë jetoja me vjehrrën time. Ajo ishte një grua e devotshme, në muret e shtëpisë së saj vareshin ikona të ndryshme dhe kur erdhën gjermanët, ajo i tregoi ikonat atyre, për të treguar që ne ishim rusë dhe ata nuk na shqetësuan. Unë mendova se i shpëtova kërcënimit të asaj dite, por disa ditë më vonë, një njoftim u përhap në të gjithë qytetin. Ata udhëzuan të gjithë hebrenjtë e Kievit dhe zonave përreth, që të paraqiteshin në një vend të caktuar, në orën 8:00 të mëngjesit të së nesërmes dhe të sillnin me vete “dokumente, para, sende me vlerë, veshje të brendshme ngrohta”.
Karel Berkhoff, tregon: Urdhërimi për hebrenjtë që të shfaqen në vendin e caktuar dhe paralajmërimi se nëse nuk e bëjnë këtë, ata do të vriten.
Në më pak se 24 orë, nuk kishte kohë as të përpiqeshe të kuptosh se çfarë po ndodhte në të vërtetë. Gjëja logjike për të bërë, me sa duket, ishte vetëm të ndiqni urdhrin, kujton Dina.
Karel Berkhoff: Përveç posterit që ishte vendosur, kishte një thashethem, se do të ketë një lloj zhvendosjeje dhe destinacioni do të ishte, ana sovjetike e frontit dhe fjalët e tjera thonin se do të ishte Palestina, atje ishin dhe të tjerët.
Vëllezërit e Dina Pronicheva, tashmë po luftonin me Ushtrinë e Kuqe, por prindërit e saj dhe motra e saj më e vogël, ishin akoma në qytet. Dina tregon për prindërit:
… Më kërkuan t’i shoqëroja, sepse ata menduan se hebrenjtë do të dëboheshin diku, pasi ishin lajmëruar se ishte e nevojshme të merrnin gjëra të ngrohta me vete dhe unë shkova me ta. Fëmijët qëndruan në shtëpi me burrin tim. Unë isha në shtëpinë e nënës sime, në orën shtatë të mëngjesit, dhe shpejt pas orës shtatë, u nisëm për në vendin e treguar në urdhër. Ishte e pamundur të kaloje nëpër rrugë: makina dhe karroca me dy rrota transportonin sende. Pati një zhurmë të tmerrshme. Shumë njerëz po ecnin: pleq, nëna me foshnje në krahë, gra të moshuara.
Karel Berkhoff: ajo, nëna dhe babai i saj, u zhvendosën në vendin e caktuar, ashtu si fqinjët e saj dhe shumica e hebrenjve të tjerë. Me turmën, ata i’u afruan një postblloku ushtarak që ishte një gardh me tela e gjemba dhe pengesa për antitank. Ata panë një bllok rrugës, pranë portës së varrezave hebraike dhe aty kishte një hendek që mund të hynin brenda. Por nuk mund të dilnin më. Dina u shqetësua shumë, pasi eci pak më tej dhe pastaj u kthye. Ashtu si shumë hebrenj, Dina kishte pyetur veten, nëse ata ishin të destinuar për një lloj zhvendosjeje, për shkak se u kërkuan të sillnin gjërat e tyre dhe se vendi i caktuar i grumbullimit, ishte në një nga stacion hekurudhor. Por kur Dina doli përpara prindërve të saj dhe pa një paraqitje të shkurtër të asaj që po ndodhte në distancë, asaj ju hoq ky mendim. Ajo pa, rreshta njerëzish të cilëve u hiqnin sendet, ushqimi dhe rrobat, që kishin nga shpina.
Ajo vendosi të mos u tregojë prindërve të saj, nuk donte t’i shqetësonte më shumë. Ajo u përpoq të largohej, por u ndalua. Ata kishin kaluar pikën pa kthim dhe Dina u nda nga pjesa tjetër e familjes së saj. Ishte vërtet një turmë e madhe, që kishte dalë nga rruga. Ajo ishte pranë një plaku, të verbër, i cili i kërkoi ta ndihmonte të ecte dhe ajo e pyeti: “A e dini se ku po na çojnë”? dhe në kujtimet e saj ajo shkruan se ai plak, tha diçka si: “A nuk e njeh fëmijën tim? Ne do të paguajmë borxhin tonë të fundit ndaj Zotit”.
Babi Yar, ishte pjesë e një sistemi të madh luginash në Kiev.
Babi Yar, ishte një vend ideal për atë që kishin planifikuar nazistët. Ishte aq afër për udhëtimin e çifutëve, por aq larg nga qendra e popullsisë, saqë nuk do të shkaktonte shumë zhurmë ose nuk do të sillte shumë vëmendje. Dhe ato gryka të thella ishin veçanërisht të dobishme për vrasje masive.
Diku në turmë, Dina dëgjoi zërin e nënës së saj. Ajo nuk e pa se ku ndodhej nëna e saj. Por ajo dëgjoi britmën e saj. “Bijë, nuk të shoh. Shpëto veten”! Dina shkoi te një polic ndihmës dhe e pyeti në gjuhën ukrainase: “Ku është komandanti juaj”? dhe ai pyeti: “Pse keni nevojë për të”?, ajo ja ktheu: “Epo, unë nuk jam hebre. Unë jam ukrainase. Unë thjesht shoqërova disa kolegë dhe jam këtu rastësisht”. Pastaj ajo i tregoi disa dokumente, që me të vërtetë nuk e përmendnin hebraishten e saj dhe mbiemri i saj, Pronicheva, tingëllon rusisht.
Ai u përgjigj: “Mirë, ju uluni atje. Prisni. Ne do t’ju lëmë të lirë pasi të kemi qëlluar të gjithë hebrenjtë.” Oficeri tregoi një grumbull bari me gisht, ku dhe një grup i vogël i jo-hebrenjve të tjerë, po prisnin.
“Unë shkova drejt grumbullit dhe u ula”, rrëfen Dina në kujtimet e sajë. “Në fillim shikova të gjitha tmerret që po u bëheshin pjesës tjetër: njerëzit po zhvisheshin dhe rriheshin para syve të mi. Ata po qeshnin në mënyrë histerike, me sa duket e humbën mendjen dhe u thinjën në pak minuta. Foshnjat ishin duke i shqyer, nga krahët e nënave të tyre dhe duke i hedhur mbi një mur me rërë. Unë nuk e dija se ku ishte familja ime. Ata, sipas të gjitha gjasave, ishin tashmë mbi atë mur ranor”.
Karel Berkhoff: Më vonë gjatë ditës, një oficer i rangut të lartë S.S., i’u afrua turmës dhe foli me njeriun që kishte lejuar Dinën dhe disa të tjerë të prisnin atje. Oficeri më i ulët në detyrë, i shpjegoi se këta nuk ishin hebrenj, ata thjesht u kapën në turmë dhe kështu ata duheshin liruar. Eprori… u zemërua shumë dhe tha: “Jo! Ata kanë parë gjithçka. Nëse lirohen, ata do të flasin dhe kjo do të jetë vërtet shumë keq për ne”. Kështu që ne nuk u liruan dhe u morëm për t’u vrarë. Nuk kishte më shpëtim. Ajo u shty përpara drejt luginës ku pa për herë të parë, se si ishte atje tej. Ishte absolutisht e tmerrshme. Ajo pa atje një det të madh të kufomave të përgjakshme. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016