Nga Taisa Batkina Pisha
Pjesa e shtatë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës, në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tulas, ku ai punonte si minator. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha, ku filluan jetën në Tiranës, Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkin, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me dhjetë vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”.
Shpresuam dhe mbijetuam
I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA
Gjithsesi, në krahasim me atë mori gënjeshtrash dhe të paqenash, me të cilat hetuesit mbushën aktpadinë tonë, ky kallëzim ngjante me një shaká pa të keq. Ballafaqimi më la përshtypje të rëndë. Pata rastin të bindesha edhe një herë se isha e dënuar, gjithçka qe menduar dhe sajuar mirë që më parë. Asgjë nuk mund të më shpëtonte. Mandin, që mezi luante këmbët, me duar të prangosura, e sollën dëshmitar në gjyqin tonë, ku në vend të tij, dëshminë e lexoi një tjetër; ai s’ishte në gjendje të fliste. Mandi ndenji në burg 12 vjet, u sëmur dhe pak pasi e liruan… vdiq. Neve na takonte gjysmë ore shëtitje në ditë. Nganjëherë këtë të drejtë e gëzonim, na nxirrnin, për të marrë pak ajër. Për shëtitje, çatia e sheshtë e ndërtesës qe ndarë në kafaze të vegjël me mur 2 metra të lartë. Në atë mur, ne varnim rrobat për t’u tharë, kur na jepej mundësia t’i lanim. Një ditë, gati 6 muaj pas arrestimit, njoha varur në mur fustanin e Volës. M’u ndrydh shpirti: “O Zot, paskan arrestuar Volën, si të bëj? Sa keq! Ata kërkojnë të krijojnë grup spiunazhi, do të bëjnë me ne, siç bënë me Nadjën, Ninën dhe Zojën”. Vola ishte shoqja ime më e ngushtë në Shqipëri. Ajo kishte mbaruar fakultetin e Gjeologjisë në Universitetin Shtetëror të Moskës, kishte studiuar edhe për aspiranturën. Kur erdhi në Shqipëri në vitin 1955, ishte specialistja e vetme në fushën e laboratorëve te gjeologjisë. Vola ngriti në Shqipëri laboratorin e gjeologjisë, mbrojti në Bashkimin Sovjetik disertacionin e kandidatit të shkencave dhe përgatiti kuadro të rinj. Në këtë laborator u bënë analizat përkatëse për të gjitha ndërtimet në Shqipëri, që nga shtëpitë e banimit, deri te digat dhe hidrocentralet. Deri në vitin 1976, Vola ishte kuadër i nevojshëm dhe i çmueshëm, kurse në ’76-n u bë e nevojshme për… burgun!
Hetimin e pati shumë të rëndë, shumë muaj nuk pranoi gjë, i mohoi të gjitha broçkullat që i thoshin hetuesit. Megjithatë, vetmia, thirrjet te hetuesit në mes të natës, rrahjet… të gjitha këto e çuan në një gjendje të tillë, ku firmosi çdo protokoll pa e lexuar, madje edhe fletë të bardha. Ndërkohë edhe mua më kishin akuzuar për spiunazh. Nga ky çast nisi pjesa më e rëndë e hetimit. Hetuesit bazoheshin në faktin se kur ishte ende ambasada ruse, ne shkonim atje në takim me konsullin. Kjo ishte e vërtetë, ne zgjatnim afatet e pasaportave, merrnim viza dhe ftesa për njerëzit tanë… kaq. Çfarë spiunazhi?! Në ambasadë na quanin tradhtarë që kishim braktisur atdheun. Por askush s’deshi as t’i dëgjonte kundërshtimet e mia. Ne na paska rekrutuar konsulli! Dhe, kur u thashë, përse i duhen Bashkimit Sovjetik spiunë të tillë, si unë, që nuk njoh as ushtarakë, as shokë me përgjegjësi; çfarë të dhënash mund të jap unë, kur për Shqipërinë di vetëm ato që shkruajnë gazetat, hetuesit nënqeshën dhe më thanë se atje, në Bashkimin Sovjetik, të gjithë janë armiqtë tanë, për ta ka vlerë çdo e dhënë. Pyetjet ishin njëra më kot se tjetra: “Përse nuk ike kur iku ambasada? Qëndrove me detyrë, ë? Kush janë njerëzit, të cilëve ti u përmend emrat në letrat e tua? Përse ke shkuar në ambasadën çeke”? Dhe nuk pranuan asnjë nga përgjigjet e mia. Kur u thashë se në ambasadë shkonim për të zgjatur afatet e pasaportave, njëri nga hetuesit më goditi me shuplakë dhe më ulëriti: “Gënjen”! Kjo punë s’kishte të mbaruar. Unë mendoja se kishte më shumë mundësi, që organet përkatëse sovjetike të kenë rekrutuar agjentë midis shqiptarëve, midis atyre që mund t’u bënin punë. Mirëpo këta agjentë duhen kapur, demaskuar, kurse këtu… kap disa gra të gjora, nëna, bashkëshorte, plasi në burg, bëji sa të mos kenë fuqi të rezistojnë dhe… ja tek i ke spiunët! Lehtë dhe thjeshtë! Dhe s’ka nevojë të kërkosh, të gjesh, të kapësh. Mund të vrasësh disa zogj njëherësh; i tregon botës se Bashkimi Sovjetik bën të pamundurën për të dëmtuar Shqipërinë, që njerëzit sovjetikë (në rastin tonë gratë sovjetike,) janë njerëz të këqij, pa vlerë, spiunë, që kanë tradhtuar familjet e tyre. Dhe, së fundi, var në gjoks dekorata, grada të larta për punë të shkëlqyer.
Një akuzë tjetër!
Nuk e mbaj mend saktë pas sa muajve nga dita e arrestimit tim dhe pasi më akuzuan për spiunazh, çka unë e mohova plotësisht, më bënë një padi tjetër. Një ditë, nga ato të zakonshmet, në vetmi, u hap dera dhe më morën për te hetuesit. Ata e nisën me kërkesën e zakonshme, t’u tregoja për veprimtarinë time të spiunazhit. Unë sërish u përgjigja se s’kam ç’të tregoj. Pastaj hetuesit sikur më harruan dhe nisën të diskutonin mes tyre. Kjo ndodhte shpesh, ishte njëra nga mënyrat e marrjes në pyetje. Unë rrija me kokën ulur. Befas, si shuplakë, më buçiti pranë veshit britma e egër e Fatosit: “E përse ngul këmbë, e dimë, që nuk je vetëm spiune, por edhe sabotatore”! Unë mbeta gojëhapur. “O Zot, – më vajti në mendje, – ç’është ky sabotim, ç’kërkojnë tjetër nga unë pas gjithë këtyre akuzave të pabaza”! “Çfarë sabotimi”?! – bërtita, sa kisha në kokë. “Shko në qeli, mendohu mirë dhe eja na i trego të gjitha”, – ulëriti Fatosi dhe thirri gardianen. Forcat më ishin shteruar pas aq muaj vetmie, torturash, talljesh. Mezi arrita deri në qeli, u ula në dyshekun e pistë. “Çfarë sabotimi”?! Çova nëpër mendje të gjithë punën time në Shqipëri. E dija që kisha punuar me të gjitha forcat e mia, ndershmërisht, punës i kisha kushtuar gjithçka, të gjitha dijet e mia, isha përpjekur të sillja sa më shumë dobi. “Ku mund të jenë kapur, ç’të kenë sajuar tjetër”? – pyesja veten. Por nuk gjeta dot përgjigje. Pas nja dy ditësh, në mbrëmje vonë, më thirrën. “Hë, u kujtove”? “S’kam ç’të kujtoj”. Fejzo u mat të më godiste, por u ndal. “Çohu! Do të rrish në këmbë, derisa të kujtohesh!” “Ç’të kujtoj? Nuk kam bërë kurrë ndonjë gjë të keqe”. “Mirë, do ta kalosh natën në këmbë”!
Qëndrova. Këmbët më dhembnin, venat u frynë. Po më merreshin mendtë. U mbajta pas tryezës. “Mos u mbështet”! Qëndrova. Nuk e di sa orë. Hetuesit llomotisnin, ndërronin njëri-tjetrin. Më në fund më çuan në qeli. Rashë pa fuqi në dysheme dhe menjëherë më kapiti gjumi. Në orën 6 bëhej zgjimi. Nuk më lanë të shtrihesha më. Kjo torturë u përsërit disa herë. Një herë më thanë se veprimtaria ime keqbërëse qe zhvilluar në Kombinatin e Drurit, ku punova pesë vjetët e fundit. Kalova në mendje gjithçka që kisha bërë në kombinat, të gjitha detyrat. Kisha punuar në fabrikën e letrës dhe të kartonit, pajisa laboratorin atje, u bëra përgjegjëse e tij, përgjigjesha për cilësinë e prodhimit. Punova në byronë teknologjike, ku u mora me të gjitha problemet e kombinatit të lidhura me kiminë; prodhuam një ngjitës të ri, sintetik, u mora me lyerjen, llakimin dhe imitacionet e drurit për prodhimin e mobilieve dhe me probleme të tjera. “Ç’të kenë sajuar vallë”? Kur më morën herën tjetër në pyetje, hetuesi më lexoi raportimin e shkruar nga një bashkëpunëtori im, inxhinier (nuk po i’a përmend emrin), mbi veprimtarinë time subversive, i cili u bë edhe baza për akuzën “për sabotim”. Që të bëhet më e kuptueshme se ku bazohej akuza, po shkruaj për këtë më me hollësi. Letra e prodhuar në fabrikën tonë ishte e një cilësie shumë të ulët. Ne vendosëm ta përmirësojmë cilësinë e letrës dhe u përpoqëm të fusnim në prodhim një metodë plotësuese përpunimi, ngopjen. Unë grumbullova literaturën e nevojshme, përpunova metodikën. Por puna jonë nuk solli rezultatet e dëshiruara, mungonin pajisjet, cilësia e letrës nuk u përmirësua dhe ne vendosëm të hiqnim dorë nga kjo punë.
Tani ai më fajësonte për sabotim! Sikur unë e kisha penguar enkas, me paramendim atë, nuk e kisha rritur cilësinë e letrës, kisha dëmtuar prodhimin. Fajësimi ishte trashanik. Unë u revoltova dhe u dëshpërova pa masë. Po ta fajësoje njeriun për diçka të tillë, mund ta akuzoje për ç’të doje tjetër. U thashë hetuesve, se kjo akuzë është budallallëk nga fillimi në fund. Nisa t’u tregoja se si punuam, çfarë literature shfrytëzuam. Kërkova të pyesnin specialistë të tjerë. Në fillim nuk deshën të më dëgjonin, më bërtitën, më kërcënuan, pastaj më kërkuan t’i shkruaja të gjitha deponimet e mia për çështjen. (Me sa duket, nga lart kishin urdhëruar të ma hiqnin këtë akuzë). I shkrova të gjitha me imtësi dhe pas një jave, më thanë se kjo akuzë ka rënë. Më treguan konkluzionet e inxhinierit Petro Dishnica, ku ai hidhte poshtë të gjitha të dhënat e vendosura në themel të akuzës së çmendur. Ai i quante ato boshe dhe të pabazuara. Unë mora frymë e lehtësuar. Po ky muaj plot luftë dhe përpjekje më kushtoi shumë shtrenjtë, unë u lodha tmerrësisht, e humba aftësinë për të arsyetuar dhe rezistuar. Pasi puna e “sabotazhit” doli huq, ata nisën nga e para t’i mëshonin versionit të spiunazhit. Marrje në pyetje pafund, net të tëra pagjumë, britma, fyerje, goditje… Shpesh vinte edhe prokurori, për të marrë pjesë aktive në hetim; madje edhe natën, të dielave dhe në ditë feste. Ai kërkonte, bërtiste, kërcënonte.
Më kanosej me pushkatim, me 25 vjet burg, me arrestimin e të afërmve të mi dhe me internimin e tyre. Dhe vazhdimisht kërkonte, kërkonte, që unë të nënshkruaja gënjeshtrën e sajuar prej tij dhe hetuesve. Nuk e di, nëse e lejonte ligji që prokurori të merrte pjesë në hetim. Prokurori im, e kishte lejen! Hetimi im zhvillohej nën “mbikëqyrjen e prokurorit”. Ama mbikëqyrja e prokurorit nuk e shihte se si zhvillohej hetimi ynë, si talleshin me ne, si na vinin në lojë, si na torturonin; nuk donte të shihte se si na detyronin të firmosnim protokollet e marrjes në pyetje, pa i lexuar, madje edhe fletë të bardha. Jo vetëm nuk i shihte, por ndërhynte edhe vetë në procesin e hetimit. Çdo 3 muaj, prokurori e rriste afatin e hetimit, i cili për mua zgjati gati një vit e gjysmë. Në shpirt ndihesha shumë keq; izolimi i plotë, shqetësimi i vazhdueshëm për fëmijët dhe burrin e sëmurë! Kjo ishte edhe pasojë e gënjeshtrave që m’u desh të firmosja. Në marrjen e radhës në pyetje, deklarova se gjithçka që kisha nënshkruar, lidhur me veprimtarinë e spiunazhit, ishte gënjeshtër nga fillimi në fund. Kërkova një fletë letër ku shkrova që mohoj gjithçka të firmosur më parë. Menjëherë pas kësaj filluan britmat, kanosjet. Më kthyen në qeli. Kaluan disa ditë dhe një të dielë, kur isha pak a shumë e qetë (zakonisht të dielave merrnin shumë rralle në pyetje), befas u hap dera. “Çohu! Eja!” – urdhëroi dhëmbë shtrënguar, gardiania. Ecëm nëpër korridor, por në vend të rrugës së zakonshme për te hetuesi, më çojnë te një dritare. “Shiko”, në oborrin e burgut më zunë sytë burrin tim të sëmurë, që mezi rrinte në këmbë. Po bisedonte me hetuesin. Nuk e di për çfarë mund të flisnin ata të dy, kur papritur më erdhi në kokë mendimi i tmerrshëm: “Im shoq në burg! E paskan arrestuar”! Mirëpo ai dukej normalisht, nuk kishte pranga në duar. “Jo, s’e kanë arrestuar”, – e qetësova veten.
Një minutë më pas, dikush më shpoi me gisht në shpinë dhe dëgjova një zë: “Ec”! Unë mezi i mbajta lotët. Në zyrën e hetuesit qe ulur prokurori. Ai nisi të më ulërijë, që të firmosja të gjitha protokollet dhe të mos merrja më guximin të mohoja, për punë të spiunazhit. Kjo punë vazhdoi disa orë. Më në fund prokurori bërtiti i lodhur: “E pe tët shoq? E pe! Që ta dish… kemi urdhrin e firmosur për dëbimin e familjes tënde nga Tirana. Firmose! Përndryshe, brenda 24 orëve, ata do të jenë në fshatin më të humbur”! Përfytyrova burrin tim të sëmurë dhe djemtë e mi të internuar. (Në Shqipëri internimi ishte më keq se burgu). Këtë nuk munda ta duroja. Kjo ishte periudhë mjaft e rëndë e hetimit. Duhej sajuar një legjendë, duheshin kopsitur deponimet e mia me ato të Volës. Vola nuk kishte pranuar gjë. I kishin hedhur në qeli disa pusulla… sikur ishin nga unë. I falsifikonin hetuesit. Vola për shumë kohë nuk u zuri besë pusullave, mohonte gjithçka. Por ne ishim vetëm gra të dobëta, të munduara, të uritura. Makina e policisë, ishte shumë më e fortë se ne. Atëkohë mësova e tmerruar, se në grupin tonë kishin përfshirë edhe një shoqe tjetër tonën, Minën. Nuk e dija që e kishin arrestuar. Më vonë mora vesh se qe arrestuar edhe i shoqi, drejtor i një drejtorie të madhe ndërtimi. Nuk e di përse i’u desh të përfshinin edhe Minën në akuzën tonë. Nuk di si ta shpjegoj. Mina nuk pranoi gjë dhe hetuesit vendosën që mund t’a gjykonin edhe pa pranuar. Dhe këtë e bënë në gjyq.
Në fillim të gushtit 1977, nisi përgatitja e ngutshme e dosjes sonë për në gjyq. Hetuesit nxitonin, por nuk po e përcaktonin dot saktë nëse ne ishim nënshtetase sovjetike apo shqiptare. Aktpadia u rishkrua disa herë, nuk dinin të thoshin se “cilin atdhe kishim tradhtuar ne”, në çfarë neni të Kodit Penal të na fusnin! Më shumë nga të gjithë, përpiqej dhe sillej rrotull prokurori. Nga 1 shtatori 1977, hynte në fuqi Kodi i ri Penal, në të cilin anulohej konfiskimi i pasurisë. Kuptohet, të ndodhur në izolim të plotë, ne nuk mund ta dinim këtë. Prokurori nxitonte ta mbyllte hetimin dhe të na nxirrte në gjyq para 1 shtatorit, që të na konfiskonin edhe ato pak rroba që kishin mbetur në shtëpi. Prokurori jo vetëm zbatonte urdhrin, por kënaqej që mund të tallej edhe pak me ne. Gjatë hetimit, nga fjala që i shpëtoi dikujt, mësova se prokurori kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik. Tani e gjithë qenia e tij qe mbushur me frikë kafshërore, se mos e pushonin nga puna, mos e dëbonin, arrestonin, mos pësonte fatin e mijëra të tjerëve, që kishin sadopak lidhje me Bashkimin Sovjetik ndaj nesh, urrejtje, ku ndihej edhe një lloj poshtërimi vetjak, i cili e shumëfishonte këtë urrejtje. Pas afër një viti vetmie, pas frikës, torturave, poshtërimeve dhe të panjohurës, unë nuk ndihesha më mirë mendërisht; e kisha humbur plotësisht aftësinë për të rezistuar, as doja të dija se sipas çfarë neni do të më gjykonin dhe se sa vite do të më jepnin. Që ditën e parë të arrestimit, e pata të qartë se fatet tona ishin vendosur… lart, që nuk do të na lëshonin pa na gjykuar. E torturuar, e dobët, e thinjur, prisja me padurim gjyqin. E dija, që gjyqi për ne do të ishte i egër, i pamëshirshëm dhe i padrejtë, që prej tij s’duhej pritur ndonjë e mirë, por ai ishte i pashmangshëm. Shpresoja që pas gjyqit do të më lejonin një takim me familjen time.
Mezi prisja çastin, kur do të dilja nga qelia, të shkoja në kamp, të isha mes njerëzve. Në gusht na njohën me konkluzionin e akuzës dhe na urdhëruan të mësonim përmendësh legjendën e padisë. Aty gjithçka ishte e sajuar dhe tani unë nuk kujtoj dot asnjë hollësi. Ne, (unë Vola dhe Mina) u akuzuam për dy nene: “agjitacion e propagandë” dhe “spiunazh në shërbim të një shteti të huaj”. Erdhi dita e gjyqit. Atje na çuan të shoqëruara, secila nga tre mbikëqyrës, veçse… pa pranga në duart. Rojet u kujdesën, që ne të mos këmbenim një fjalë me njëra-tjetrën. Dhe nisi gjyqi, të cilin pa frikë do ta quaja komedi, po të mos ishte tragjedi e tmerrshme për ne. Gjyqi ishte me dyer të mbyllura. Në sallë ndodheshin vetëm hetuesit tanë dhe rojet. Kryetar i trupit gjykues nuk ishte ndonjë gjykatës i thjeshtë, por kryetari i Gjykatës së Tiranës (që gjyqi të merrte rëndësi të veçantë). Dy anëtarët e tjerë, nga më besnikët dhe më të… trashët. Më kanë mbetur në kujtesë sytë e tyre të qelqtë, pa pikë shprehjeje, dhe fytyra e tyre prej torollaku. Fjala e akuzës e prokurorit, përmbante parulla të rëndomta të asaj kohe: “Populli ynë, nën udhëheqjen largpamëse të PPSH-së, me në krye shokun Enver Hoxha, ka arritur fitore të shkëlqyera. Këto fitore e bënë Shqipërinë vendin e vetëm socialist në botë, që mban lart të panjollosur flamurin e marksizëm-leninizmit. Armiqtë brenda vendit dhe jashtë tij, bëjnë ç’është e mundur, për të likuiduar arritjet tona, për të asgjësuar pushtetin popullor… etj., etj”! Parullat e përziera me “faktet e veprimtarisë sonë të spiunazhit”. Prokurorit nuk i’u skuq faqja që s’kishte as fakte, as dëshmitarë, as veprimtari. Ai përpiqej të na poshtëronte sa më shumë. Ai jo thjesht zbatonte urdhrin, por provonte kënaqësi që mund të na poshtëronte, të na gjykonte, të na jepte afate sa me të gjata burgimi.
Në sallën e gjyqit mbretëronte atmosfera e frikës dhe e dhunës. Pas fjalimit të prokurorit, ne, të trembura, belbëzuam deponimet tona të pranimit të fajit. Nga burgu kishin sjellë në sallën e gjyqit disa nga shoqet tona, të cilat dëshmuan për disa biseda pavlerë, të cilat na i morën si prova për “agjitacion e propagandë”. Kaq! Kurrfarë dëshmitarësh, apo provash për veprimtari spiunazhi. Legjendat e sajuara ishin thjesht qesharake. U pa qartë, se ne nuk dinim ndonjë sekret, prandaj s’kishim ç’të jepnim. U tha se ishim rekrutuar në ambasadën sovjetike dhe atje i bënim raportimet, mirëpo ambasada ishte larguar që prej 15 vitesh. Ku ishin sigurimsat e lavdishëm shqiptarë, gjatë gjithë këtyre viteve, përse nuk na kishin kapur më parë?! Absurditete të tilla kishte shumë dhe këto akuza një avokat i thjeshtë, mund t’i hidhte poshtë me lehtësi. Prandaj në Shqipëri s’kishte avokatë. Ky qe një gjyq tejet i ngjashëm me shumë të tjerë në Shqipëri dhe, kuptohet, në Bashkimin Sovjetik. Organet dhe gjykatat shqiptare punonin sipas konceptit të hartuar në Bashkimin Sovjetik të viteve ‘30. Më 1937-ën Vishinski, Prokurori i Përgjithshëm i BRSS-së, thoshte se e vërteta absolute është parimisht e pamundur të gjendet, prandaj duhet të kënaqemi me atë relative. Ky ligj universal është edhe për hetuesinë. Nuk duhet humbur kohë për gjetjen e provave absolute dhe dëshmitarëve të sigurt. Hetuesi mund ta faktojë fajësinë vetëm duke u mbështetur në mendjen e tij dhe në nuhatjen partiake. Ndërkohë “mbretëreshë e provave”, u shpall pohimi i të pandehurit. Si siguroheshin këto pohime, nuk është e vështirë ta kuptosh. Detyra e hetuesisë dhe e gjykatës nuk ishte gjetja e drejtësisë, por vërtetimi i akuzës, sado qesharake të dukej ajo. Shumë më vonë e kuptova se hetuesit tanë dhe prokurori, kishin shumë frikë se ne do t’i mohonim deponimet tona, por ne ishim të mbaruara me kohë. Frika, vetmia, uria e kishin bërë të vetën. Në seancën tjetër u shpall vendimi. Mua më dhanë 16 vjet heqje lirie, Volës 15, kurse Minës 14.
Nuk provova gjë tjetër veç zbrazëtirës së plotë dhe moskokëçarjes. Disa ditë më vonë më erdhën në takim Gaqoja dhe Kosta. Ata më thanë se Sashën e kishin marrë ushtar. Të dy qanë, kurse unë u përpoqa të mos lëshoja pikë loti. E dinin për vendimin e gjyqit dhe ishin në gjendje shumë të rëndë. I prita të vinin edhe një herë në takim, por nuk u duk njeri. Isha e shqetësuar, kërkova takim me hetuesin dhe i’u luta të pyeste, si ishin punët në shtëpi. Pas disa ditësh Gaqoja erdhi në takim vetëm, pa Kostën. Më tha që Kosta ishte sëmurë. Më vonë, pas shumë vitesh, Kosta më tregoi se si kishte qarë atë ditë, pas takimit të parë dhe se nuk gjeti forca të vinte për herë të dytë te burgu. Në atë takim, Gaqoja, më tha se i kërkonin të ndahej me mua. Ndryshe, edhe ai, edhe djemtë do ta pësonin. Ç’mund t’i thosha? Dhe nuk i mbajta dot lotët. Gaqoja, futi dorën në xhep, nxori ca të holla dhe m’i zgjati. “Jo, – tha gardiani, – paratë mund t’i dërgoni vetëm në kamp, me postë”. Më kthyen në burg. Dy ditë më pas më çuan në një qeli të përbashkët, ku u takova me Volën. Ajo më tregoi se familjen e saj e kishin detyruar ta mohonte dhe nuk i vinte njeri në takim, askush nuk e ndihmonte. Gjatë gjithë viteve të burgut, sa kohë kishte forca, ajo punoi në fushë. Në burg ne e kishim ekonominë të përbashkët, ndanim ndershmërisht gjithçka kishim. Kjo na ndihmoi të mbijetonim. Vështirë e pati Vola edhe pas lirimit nga burgu, sepse ne nuk na rehabilituan, vetëm na liruan me amnisti. Fëmijët kishin frikë të komunikonin me të dhe ta ndihmonin. Në vitin 1988, ajo mundi të shkonte në Moskë…! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016