Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dëshminë e kolonelit Elami Hado, i cili pasi u diplomua me medalje ari në Akademinë Ushtarake “Frunze” të Bashkimit Sovjetik, shërbeu më pas si atashe ushtarak në Kinë dhe konsiderohej si një nga teoricienët më të famshëm të ushtrisë shqiptare. E vërteta rreth të ashtuquajturave “Tezat e zeza”, intrigat dhe injoranca e Enverit për të, shkak të së cilave e futën në konflikt Mehmet Shehu me Beqir Ballukun, që në vitin 1966 dhe urdhri i Enverit që Elami Hado, të arrestohej në mënyrë demonstrative në sallën e mbledhjeve të Shtëpisë Qendrore të Ushtarakëve, bashkë me kolonel Dilaver Radëshin…
Zoti Elami, si është e vërteta e “Tezave të mbrojtjes”, apo siç janë njohur ndryshe, “tezat e zeza”, me etiketimin që i bëri Enver Hoxha në 1974-ën?
Historia e atyre tezave që u goditën në vitin 1974, nga Enver Hoxha duke u quajtur “teza të zeza”, e ka zanafillën që në vitin 1966. Në shkurtin e ’66-ës, kur unë punoja si pedagog pranë akademisë ushtarake “Mehmet Shehu” në Tiranë, ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, na thirri në zyrë mua së bashku me dy gjeneralët e njohur, Vaskë Gjino e Spiro Shalësi dhe na komunikoi një porosi të Enver Hoxhës, e cila kishte të bënte me rregulloret, tekstet, botimet e gjithë literaturën tjetër, që ne kishim të trashëguar nga Bashkimi Sovjetik. Ministri Balluku na bëri të ditur se e gjitha ajo literaturë që ne kishim trashëguar nga sovjetikët, nuk vlente më dhe ne duhej të përgatiteshim, për të bërë të rejat me forcat tona. Ai na tha: “Ju jeni grupi i punës, lërini të gjitha punët e tjera që keni dhe do të merreni me hartimin e përpilimin e bazave teorike dhe tezave të Artit Ushtarak të Luftës Popullore. Sipas porosisë që kam nga Enver Hoxha, në të gjitha ato, ju do të keni parasysh që baza të jetë eksperienca e luftës partizane”.
Kjo ide, që ushtria shqiptare të kishte literaturën e vet, pa ndikime si dikur nga jugosllavët apo sovjetikët, hidhej për herë të parë?
Për hir të së vërtetës, desha të them se atë që na komunikoi Beqir Balluku me porosinë e Enverit, unë e kisha hedhur si ide, që në vitin 1960, kur isha caktuar për ngritjen e Akademisë Ushtarake në Tiranë. Por në atë kohë nuk më mbështeti njeri. “Ne i kemi, pse të bëjmë të tjera”, më thanë atëherë.
Mund të realizohej në atë kohë bërja e literaturës ushtarake nga ana juaj?
Në atë kohë ne nuk dinim t’i bënim ato gjëra që na kërkoheshin, pasi nuk kishim asnjë bazë teorike. Nisur nga fakti se unë personalisht e kisha detyrë funksionale hartimin e literaturës ushtarake, i thashë Beqir Ballukut: “Nuk mund të mbështetemi te lufta partizane që bëmë dikur, pasi ajo ishte një kryengritje. Tani neve na takon të mbrojmë Shqipërinë; është diçka ndryshe, dikur luftuam, tani do mbrojmë”.
Si e priti Beqiri kundërshtimin tuaj?
Ai ma aprovoi atë që i propozova unë, e na tha: “Kështu është”. Duke parë reagimin pozitiv të Beqirit, unë i thashë që t’i sugjerohej Enverit ky propozim, se ndryshe do të na dilte punë shumë e madhe e me probleme. Pas kësaj Beqiri shtoi: “Bëjeni si duhet bërë dhe pastaj shohim”. Futeni eksperiencën e Luftës Nacionalçlirimtare, që të mos dalë se e kemi injoruar atë”. Unë e mendova se Beqiri kishte frikë t’ia thoshte Enverit ato propozime, por nuk ishte ashtu.
Gjatë punës suaj, e futët në literaturë atë që më vonë u quajt si “Teoria e rrëshqitjes”, për të cilën u akuzuan dhe u goditën Beqir Balluku, me ushtarakët e tjerë madhorë?
Gjatë punës sonë doli edhe “Teoria e rrëshqitjes”, e cila faktikisht ishte e njohur për ne edhe më parë, por jo në përdorim të përditshëm. Unë e aplikova atë teori, me koshiencë të plotë në literaturën që po hartonim, pasi dihej shumë mirë, se kur armiku ishte më superior, ne duhej të tërhiqeshim, pasi ndryshe do vriteshim të gjithë. Por në atë kohë tërheqja nuk pranohej, pasi në rregulloret tekstet e gjithë literaturën tjetër ushtarake, që ishte në përdorim, thuhej se: “Ushtria shqiptare është në gjendje t’i bëjë ballë çfarëdolloj armiku apo koalicioni armiqsh, si nga Traktati i Varshavës apo nga NATO dhe të dalë fitimtar mbi ta”. Ky ishte një budallallëk i madh, por kush mund ta shprehte në atë kohë, se të ikte koka. Por e mira ishte që ne të luftonim sa të kishim mundësi dhe më pas të tërhiqeshim për t’u futur në prapavijat e armikut. Kjo ishte në thelb të atyre që kisha parasysh unë, kur hartova “Teorinë e rrëshqitjes”, gjë të cilën Vaskë Gjino e kuptonte mjaft mirë. Për atë ide iu mbush mendja edhe Beqirit. Pasi kishim mbaruar përgatitjen e literaturës ushtarake, i gjithë materiali u shtyp dhe iu shpërnda të gjithë kuadrove kryesorë të ushtrisë, me qëllim që ata ta shikonin dhe të bënin vërejtjet e nevojshme. Por, para se të shpërndahej ai material, Beqiri na tha: “T’i japim edhe një kopje shokut Enver e t’i marrim mendim edhe atij”.
Po kryeministrit Mehmet Shehu, nuk i dhatë asnjë kopje, kur dihej fakti se ai konsiderohej si një ushtarak i zoti?
Këtë gjë desha të shpjegoj. Kur Enveri ngarkoi Beqir Ballukun për hartimin e tezave të mbrojtjes, menjëherë ra në sy mënjanimi që ai i bëri Mehmet Shehut dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dumes. Realisht, ajo i takonte Petrit Dumes.
Pasi i dhatë një kopje të materialit të përgatitur Enver Hoxhës, cili ishte vlerësimi i tij?
Pas 6 ditësh mua më thirri në zyrë Beqiri dhe më tha: “Na këtë material, zbardhe, sepse do t’ua dërgojmë kuadrove”. Kur shkova në zyrën time, e pashë se ai material ishte prishur e ndryshuar i tëri, duke i vënë kryqe me laps të kuq.
Kush e kishte bërë?
Si duket Enveri ose Mehmeti, njëri prej atyre të dyve, nuk kishte tjetër kush ta bënte. Kur e pashë, shkova përsëri te Beqiri dhe i thashë, se ai material nuk ishte yni. Beqiri më tha: “Shpërndaje, se nuk të pyet njeri ty”. Unë e kuptova se atë e kishin urdhëruar.
Çfarë ndodhi pasi e shpërndatë materialin?
U bë mbledhja në Durrës dhe me të drejtë aty u bënë vërejtje. Si pasojë, ai material u rrëzua tërësisht. Pas kësaj u dha urdhër që të mblidhej i gjithi materiali dhe të digjej.
Si mund të kritikohej ai materia,l që kishte dalë nga zyra e Enver Hoxhës?
Materiali u kritikua se të gjithë ushtarakët e lartë e dinin që e kisha bërë unë, se po ta dinin që ai kishte dalë nga zyra e Enverit, ata nuk flisnin fare. Asnjë nga ushtarakët nuk e dinte, se me atë material ishte marrë edhe Beqiri. Unë i thashë Beqirit që të mblidheshim në ministri dhe të bënim konkluzionet e mbledhjes së Durrësit e të nxirrnim, se pse kishte dështuar ai material. I thashë këtë, pasi në Durrës u kritikua materiali dhe jo unë me emër. Beqiri më tha: “Mbylle këtë punë”. Por, ndërsa unë ngula këmbë duke i thënë se ajo gjë më mbetej mua, ai m’u përgjigj: “Lëre atë, mos e zgjat më shumë, e dimë”. Ndërsa unë vazhdoja në timen, ai më tha: “Ore, ti kërkon të gjesh të vërtetën”. Me ato fjalë Beqiri sa nuk ma tha hapur, se ai material ishte i Enverit. Me një fjalë, unë duhej të mbyllja gojën, se nuk e luftoja dot Enverin. Por edhe pas atyre fjalëve me nëntekst fare të qartë, unë i thashë Beqirit se këtë problem do ta ngrija në organizatën e Partisë, pasi nuk e mbaja dot.
Çfarë ju tha Beqiri?
Beqiri me keqardhje më tha: “Do t’i bësh dëm kokës tënde. Në rast se e ngre në organizatë, mos dil jashtë ministrisë me kritika, por na kritiko ne”. Me një fjalë, Beqiri thoshte që të mos merrej vesh, se atë material e kishte parë dhe miratuar Enveri. Unë iu përmbajta asaj ç’ka më tha Beqiri, duke kritikuar në organizatë atë dhe Petrit Dumen, i cili nuk kishte faj fare. Në atë mbledhje pati përplasje të madh dhe unë debatova vetëm me Petritin, pasi të tjerët nuk flisnin. I vetmi që më mbrojti në mbledhje, ishte kolonel Dilaver Radëshi, i cili i tha Petritit: “Ju Petrit, keni frikë nga populli dhe prandaj merrni me vete një batalion me ushtarë kur dilni nga zyrat”. Pas kësaj u mbledhja u mbyll. Pas mbledhjes unë debatova edhe me Vaskë Gjinon, duke e pyetur se përse nuk foli, ai më tha: “Ore, pse ne do t’i rregullojmë këto punë, peshku është qelbur nga koka”. Nga ana e udhëheqjes ajo mbledhje u konsiderua si kryengritje në Shtabin e Përgjithshëm dhe shkaktari u cilësova unë, pasi e kisha vartës direkt Dilaverin.
Çfarë ndodhi më pas me ju të dy?
U bë mbledhja e komunistëve të ministrisë, ku u vendos që Dilaveri të çmobilizohej nga ushtria dhe të shkonte punëtor në minierën e Memaliajt, kurse mua nuk më zunë fare në gojë, duke më lënë vetëm me një vërejtje në Parti.
Si mundët të shpëtonit ju me një vërejtje, kur ishit autori kryesor i asaj që po ndodhte?
Se si shpëtova unë e mora vesh më vonë, por po jua shpjegoj sipas kronologjisë së ngjarjeve, që ndodhën në atë kohë. Atë natë që u bë mbledhja, mua më mori në telefon Hito Çako e më tha që t’i çoja urgjent materialin, se e donte shoku Enver. Unë ia çova Hitos dhe ai më tha se të nesërmen, do bëhej një mbledhje me oficerët e Garnizonit të Tiranës, e më porositi që unë duhej të merrja me vete edhe Dilaverin, pasi e kisha vartës. Ne shkuam në atë mbledhje që do ta drejtonte Hitoja dhe pak para se të fillonte ajo, erdhi edhe Beqir Balluku, i cili, pasi bisedoi për rreth 10 minuta me Hiton, u largua. Ndërsa zhvillohej mbledhja, ku u kritikua shumë Dilaveri, Prokurorit të Ushtrisë, i cili priste që ta arrestonte, Hitoja i tha: “Prit të mbarojë mbledhja”. Në ato çaste edhe unë prisja se kur po më arrestonin, pasi isha shefi i Dilaverit.
Juve, nuk ju kritikuan fare në atë mbledhje?
Po, njëri nga salla tha: “U kritikua Dilaveri, por duhet parë Elamiu, se ai është koka”. Por atij ia preu fjalën Hito Çako, duke më marrë në mbrojtje mua. Pas kësaj mbledhja u mbyll dhe të nesërmen mua më thirri Petrit Dume në zyrë, ku më komunikoi masën, që ishte marrë për të më çuar gjashtë muaj për edukim, në brigadën e xhenios të Rrëshenit.
Si shpëtuat ju pa u arrestuar?
Këtë unë e mësova disa kohë më vonë, kur shkova në zyrën e Beqir Ballukut për t’i kërkuar atij, lirimin nga ushtria. Hito Çako më tha me gojën e tij, ç’ka kishte ndodhur që unë shpëtova pa u arrestuar. Kështu, kur më mori Hito Çako në telefon për materialin që ia çoi më pas Enverit, ky, pra Enveri, i kishte thënë: “Elamiu e Dilaveri të arrestohen e të bëhen shembull, se po kritikojnë hapur udhëheqjen e ushtrisë, e na mori lumi”. Po kështu, Hito më tha se kur kishte ardhur Beqiri para mbledhjes, i kishte thënë atij, se i kishte mbushur mendjen Enverit, për të mos më arrestuar mua, kurse për Dilaverin nuk kishte mundur.
Me “Tezat e mbrojtjes” ç’u bë?
Pas dështimit të tezave që kishim përgatitur ne, Mehmet Shehu nxori tezat e veta, duke thënë: “Ushtria nuk ka bërë gjë, unë i bëra për tre muaj tezat e Artit Ushtarak Popullor”. Mehmeti e bëri me qëllim prishjen e materialit me tezat që kishim bërë ne, në mënyrë që të godiste Beqirin, pasi si duket u bë xheloz për faktin se Enveri e mënjanoi atë nga ajo punë, duke ia besuar Beqirit.
Me ju çfarë ndodhi më pas?
Pas dënimit të Dilaverit me burg në vitin 1966, mua më çuan pedagog në Akademinë Ushtarake për kursin e lartë të oficerëve të Shtabit të Përgjithshëm. Kur isha aty duhej të zbatoja tezat e Mehmet Shehut (“Teorinë e kalimit”) si materiale plotësuese të “Tezave të mbrojtjes”. Kjo ishte një teori disfatiste dhe unë i dola kundër, duke e argumentuar dhe propozova të hiqej nga programi, por ishte e pa mundur. Sidoqoftë, unë ngula këmbë dhe nuk pranova ta bëja atë leksion me tezën e Mehmetit, të cilin e bëri më pas gjeneral Koli Mborja.
Për çfarë e kundërshtonit ju teorinë që kishte bërë Mehmeti?
Unë isha kundër metodës së fortifikimit, e cila bëhej me metodën e Luftës së Parë Botërore, pasi ajo nuk u rezistonte dot armëve të reja që kishin dalë dhe bunkerët i kisha quajtur “kërpudha të Mehmet Shehut, që dekonspironin planin e mbrojtjes”. Në një rast në kursin e lartë të Shtabit të Përgjithshëm, ishte dhe Veli Llakaj, i cili mori si temë diplome “Teorinë e Kalimit” të Mehmet Shehut. Kur ai më kërkoi ta ndihmoja, unë i thashë të merrte temë tjetër, por ai tha se atë ia kishin ngarkuar. Pas kësaj unë i thashë: “Vazhdo, se nuk të ndihmoj dot”. Të gjitha këto i kishin shkuar në vesh Mehmetit, i cili disa vjet më vonë, në korrikun e vitit 1974, gjeti rastin dhe u hakmor ndaj meje.
Si konkretisht?
Në atë kohë, pra në korrikun e 1974-s, sa doli nga mbledhja e Plenumit të Komitetit Qendror të PPSH-së, ku ishte goditur Beqir Balluku, Mehmeti erdhi në Akademinë Ushtarake, ku po ndaheshin diplomat. Kur nuk më pa në presidium, ai pyeti: “Ku është Elami Hado?”. Unë u ngrita në këmbë dhe iu përgjigja: “Këtu jam”. Ai më tha: “Ti je teoricien, por je teoricien i disfatës” dhe foli shumë kundër meje. Ai “teorinë e kalimit” ma hidhte mua si “teori rrëshqitjeje”, por unë i thashë, se ato gjëra nuk mund të zgjidheshin aty. Ai vazhdoi duke thënë: “Këto gjëra janë fare të qarta” dhe doli me tezat e fortifikimit, duke marrë si shembull, luftën ndërmjet Finlandës e Bashkimit Sovjetik dhe lavdëronte fortifikatat e Finlandës. Pas disa ditësh u bë mbledhja e organizatës së partisë, gjatë së cilës, mua më përjashtuan nga Partia e më çmobilizuan edhe nga ushtria. Disa ditë më vonë, në Plenumin e gjashtë të K.Q. të PPSH-së, në korrik 1974 (pas goditjes tjetër përfundimtare që u bë ndaj Beqir Ballukut), mua më quajtën komplotist dhe u vendos të internohesha në Shkodër. Pas gjashtë vjet internimi, në Vaun e Dejës, më 1980-ën mua më arrestuan dhe më dënuan me dhjetë vjet burg politik, të cilin e vuajta kryesisht në Ballsh e Burrel. Gjatë kontrollit të shtëpisë, mua më gjetën edhe një bllok shënimesh, ku ndër të tjera kisha shkruar: “Diktatura e proletariatit ka degjeneruar dhe është kundër proletariatit, pasi lufta e klasave është kthyer në një betejë për kolltuk”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016