Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën “Tepër sekret” të nxjerra së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Arkivi Qendror i Shtetit, të cilat i përkasin një periudhe kohe nga (1969-1991), ku ndodhet një korrespondencë ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, me Komitetin Qendror të PPSH-së dhe disa prej përfaqësive diplomatike shqiptare, të akredituara në Perëndim, si Romë, Paris, etj., me telegrame, relacione, raporte, informacione, urdhëresa, nota diplomatike, ftesa, artikuj gazetash të shtypit botëror, flet-palosje, fotografi, etj., ku bëhet fjalë për Nënë Terezën e Kalkutës, Shenjtoren e famshme me origjinë shqiptare, Gonxhe Bojaxhi, fituese e çmimit ‘Nobel’ për Paqen, në 1979-ën, e cila që nga viti 1969, nëpërmjet kanaleve diplomatike franceze dhe italiane, i kërkoi Tiranës zyrtare, që ajo të vinte në Shqipëri, në atdheun e saj, për të vizituar nënën, Roza Bojaxhi, që në atë kohë ishte në moshën 86 vjeçare dhe e sëmurë, si dhe motrën e saj, Age, të cilat banonin në Tiranë. Dokumentacioni i plotë, (tashmë i de-klasifikuar), i nxjerrë nga arkivat e shtetit shqiptar, bëhet publike për herë të parë nga Memorie.al, ku hidhet dritë mbi të gjithë aktivitetin bamirës së Shenjtores së famshme, në ndihmë të të varfërve në të gjithë botën dhe dëshirën e saj të jashtëzakonshme për të ndihmuar bashkatdhetarët e saj në Shqipërinë komuniste, si dhe heshtjen totale të Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me pretekste të ndryshme, penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan atë vetëm në vitin 1989, në sajë të presionit të madh ndërkombëtar!
Raport-informacioni i Jorgo Melicës dhe tre personave të tjerë që shoqëruan Nënë Terezën gjatë vizitës në Shqipëri, lidhur me biografitë e shoqërueseve të saj dhe bisedat që ato zhvilluan në mes tyre
Marie Gareti (Jona Kerhataj)
Marie Goreti është nga Prizreni, 23 vjeç dhe punon si motër (murgeshë) në një nga shtëpitë e hapura nga Nënë Tereza në Pejë të Jugosllavisë. Është futur në urdhër qysh në vitin 1981. Në misionin e Nënë Terezës është tërhequr nga motra e saj më e madhe, po murgeshë e cila punon në një nga shtëpitë e Nënë Terezës, në Uashington. Një javë para se të vinte në Shqipëri kishte qenë në Jugosllavi dhe tani do të kthehej përsëri atje.
Gjatë gjithë qëndrimit këtu u tregua e rezervuar dhe nuk jepte asnjë përshtypje të saj, madje edhe kur i’u kërkua nga shoqja Nexhmije dhe shoku Reis t’u fliste diçka për Kosovën.
Që ditën e parë dha adresat e pesë ish – murgeshave, duke thënë se kërkonte t’i takonte Nëna, me gjithë se kjo e fundit nuk e përmendi asnjëherë një kërkesë të tillë. Siç doli, kërkesa ka qenë e Marie Goretit nga Peja, e cila ka patur porosi nga “njerëzit e tyre” që t’i takonte.
Nga këto të pesta u gjykua të vinin dy prej tyre, një nga Shkodra dhe një nga Elbasani. U takuan të tria, Nënë Tereza i pyeti për jetën, për familjet që kanë, etj. Kanë qëndruar së bashku gjysëm ore. Age Kadhimi nga Elbasan i tregoi Nënë Terezës një fotografi ku kishte dalë edhe një murgeshë, të cilën Nëna e dalloi menjëherë cila ishte. Agia i tha: “Pse nuk ma solle Marien këtu. Të ma përqafosh e t’i thuash se tek ato e kemi zemrën. Kam kërkuar të vete tek ata në Jugosllavi dhe pres të më dalin kartat”.
Nga sa del, kjo e ka tezen në Jugosllavi, Titograd dhe mbesën në Itali, në një nga seminaret që drejton Nënë Tereza. Për këtë ka qenë e interesuar Marie Goreti, e cila nuk mungoi ta shprehte gëzimin që mundi të realizojë njërën nga detyrat e saj. Në çastin kur u largua Age Kodheli, ajo i dha një letër Nënë Terezës, ndërsa gruaja nga Shkodra foli shumë pak: “Jam mirë, i kemi të gjitha”. I dhuroi librin “Veshjet popullore shqiptare”.
Nëna e ka pyetur sa larg ndodhet Shkodra. Në kohën kur gruaja nga Shkodra po largohej, e ka shoqëruar Marie Goreti, e cila ka folur diçka me të. Më vonë shtoi se ka tezen në Shqipëri, por nuk i’a di adresën. Para se të largohej në aeroport ajo u shpreh: “Më vjen keq që po largohem, sepse i’a kaluam shumë mirë, U kënaqëm shumë. Ju u treguat shumë të mirë me në. Edhe Nëna u kënaq shumë. Ka ndej këtu më shumë së në çdo vend tjetër të botës”.
Xhenet Petri
Ka lindur në Kanada dhe prindërit vazhdon t’i ketë atje. Ka tetë vjet që punon në New York si regjisore filmi dhe së bashku me të motrën më të madhe drejtojnë firmën “Petrie Productions”. Ka tetë vjet që është lidhur me Nënë Terezën, nëpërmjet të vëllait, prift misionar në Indi. Ai i’u propozoi të bënin një film për këtë grua të madhe. Në fillim Xhenet pranoi të punonte për filmin vetëm një vit, por kur e njohu Nënë Terezën nga afër, atëherë u lidh shumë me të.
Siç pohon ajo: “Tani u bënë tetë vjet dhe e kam të vështirë të ndahem prej saj”. E shoqëron në të gjitha udhëtimet dhe takimet më të rëndësishme. Në fillim u tregua e rezervuar, por këmbëngulëse në kërkesat për programin e Nënë Terezës. Kështu, në emër të Nënë Terezës, ajo këmbënguli që kjo e fundit, për shkak të moshës dhe të sëmundjes nuk bën dot udhëtime të gjata, prandaj edhe u ndërrua programi për në Korçë dhe u vendos që të qëndrojë vetëm në Tiranë. Program i ri u pranua plotësisht. Aparatin fotografik dhe atë të incizimit ditët e para i mbante të fshehura, vetëm ditën e fundit e nxori publikisht dhe i përdori. Sa vumë re, ndikonte në kërkesat e Nënë Terezës dhe ajo e dëgjonte. Ishte si shefe e protokollit të saj.
Qëllimi i saj ishte të realizonte shfaqjen e filmit dhe nuk kishte asnjë interes tjetër për Shqipërinë. Edhe kur i’u propozua të dilte nga vila për të bërë shëtitjen për të parë Tiranën, ajo nuk pranoi. Apartin fotografik e përdori vetëm kur po merrnin Nënë Terezën në intervistë dhe ditën e largimit në aeroport për t’i bërë fotografi Nënë Terezës me Marie Krajën dhe të bijën. Me gjithë atë përshtypjen e saj për Shqipërinë qenë mjaft pozitive. Kështu ajo tha: “Vend i pastër, i bukur, i qetë, i gjelbëruar, ushqimi shumë i mirë, mikpritja po ashtu. Pashë njerëz energjik e të qeshur. Na u plotësuan të gjitha kërkesat me një shpejtësi të habitshme”.
Emisionet e televizionit për Nënë Terezën i pëlqeu shumë, por u shqetësua jashtë mase kur pa se televizioni kishte përdorur sekuenca të filmit të saj, pa i marrë leje. U shpreh se ishin shkelur rregullat ndërkombëtare. Megjithatë për të evituar keqkuptimet u shpreh se “jam e lumtur t’ia dhuroj filmin tim atdheut të Nënës”. Por kështu reagoi edhe gjatë shfaqes së filmit në Sallën e Kongreseve për shuarjen e zërit në moment. Kur iu tha zyrtarisht regjisores së filmit “Nënë Tereza”, se në film jepej një e dhënë jo e vërtetë për Shqipërinë, ajo u përgjigj “Nuk kam dashur asnjëherë të fyej njeri, apo të shpreh ndonjë qëndrim politik në filmin tim. Qëndrim i shprehur nuk është yni, por një pjesë e intervistës së mbesës së Nënë Terezës, vajzës së të vëllait të saj, Lazër”.
Pasi verifikoi atë pjesë të tekstit, ku në faqen 13, ndër të tjera, thuhet: “…Nënë Tereza asnjëherë nuk mundi t’i shihte nënën dhe motrën përsëri… Ato nuk mund të dilnin nga Shqipëria. Ushtarakët shqiptar nuk deshën t’i lejonin që ato të shkonin jashtë. Të dyja vdiqën të vetmuara…”, ajo shprehu gatishmërinë për të bërë ndryshim. Edhe në licencën e filmit, të cilin i’a dhuroi Televizionit, bëri një klauzolë shtesë, ku thuhet: “Petrie productions” dhe Televizioni shqiptar, ranë dakord që të bëhet një ndryshim në skenarin e filmit. Këtë ndryshim do ta bëjë “Patrie Productions”. Liçencën e filmit e nënshkroi edhe Nënë Tereza
Dhuratat
Vlerësuan së tepërmi dhurata që i’u bënë. Shqiponjën Nënë Tereza e mbajti të mbështjellë në dorë dhe ua shpreh se do të vendoset pranë çmimit “Nobel”. Një nga qilimat, të voglin, tha se do t’ia bënte dhuratë Papës.
Jorgo Melica Adelina Mazreku Natasha Hito Diana Kristo
Tiranë, me 18. 8. 1989
Korrespondenca e funksionarëve të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme me Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me letrën që Ramiz Alia do i dërgonte Nënë Terezës
Shoku Kostaq,
Siç biseduam në telefon letra duhet përkthyer në gjuhën angleze dhe duhet daktilografuar edhe në shqip. Në rast se nuk del në një faqe s’prish punë të bëhet edhe një faqe tjetër. Rëndësi ka që të përdorni formatin me in testimin që po ju dërgojmë.
Po patët mundësi bëheni pak shpejt, sepse shoku Ramiz Alia mund të bëj ndonjë ndryshim ose shtesë, kështu që do të duhet të ri daktilografohet.
Tiranë, 28. 8.1989 Me respekt
Vaskë Çifligu
Shoku Kostaq,
Nënë Tereza ka këtë adresë: “MISSIONARIES OF CHARITYA 54A ACHANDRA BOSE CALCUTA 700016 INDIA.
Mos harroni të vini në fund të letrës së përkthyer në anglisht in testimin që gjendet në letrën në gjuhën shqipe.
Siç ju thashë në telefon letra nuk do të dërgohet në rrugë diplomatike, por e thjeshtë. Bëni kujdes që të niset rekomande dhe me avion. Mbi zarf nuk është nevoja që t’i vihet adresa jonë. Natyrisht, letrën do ta nisim pas datës 2 shtator.
Tiranë, 30.8.1989 Të fala
Vaskë Çifligu
Letra e Kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, dërguar Nënë Terezës
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR
KRYETARIT
Tiranë, 2 shtator 1989
E respektuar Nënë Tereze
Ju faleminderit për letrën që më dërguat me rastin e mbarimit të vizitës suaj në Shqipëri.
Ne jemi të gëzuar që ditët e qëndrimit në Atdheun tonë të dashur e të përbashkët, edhe pse ishin të pakta, u karakterizuan nga ndjenjat e dashurisë vëllazërore shqiptare, nga ri gjetja e lidhjeve të vjetra miqësore e familjare, nga rilindja e kujtimeve dhe emocioneve që vijnë nga ajo tokë ku kanë jetuar e ku pushojnë të parët e etërit tanë. Njerëzit tanë njohën nga afër bashkë atdhetaren e tyre fisnike, që i ka dhënë “besën” të varfërve të sëmurëve e fatkeqe.
Në ato ditë që qëndruat në Tiranë patët mundësinë të konstatonit vetë kujdesin që tregohet në Shqipëri për njerëzit, për jetën e tyre, për fëmijët e për pleqtë. Ju siguroj se Shqipëria Popullore do të ecë e vendosur edhe në të ardhmen në këtë rrugë, në rrugën e vet të lirisë e të pavarësisë, që u siguron njerëzve të saj paqen e mirëqenien.
E kuptoj drejt dhe e çmoj lart dëshirën tuaj të sinqertë për të patur edhe në Shqipëri motrat tuaja, Misionaret e Bamirësisë, që t’u ndodhen pranë njerëzve që vuajnë e që s’kanë mbështetje. Të jeni e bindur, se ky shqetësim i juaj për njerëzit e varfër, përbën edhe detyrën humane e patriotike për mijra e mijra djem e vajza të popullit tonë, që si mjekë e infermiere, si kujdestarë e edukatorë i janë përkushtuar shëndetit e mirëqenies së njerëzve tanë.
Me nderime
Ramiz Alia
Relacioni i dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me intervistën e zhvilluar me Nënë Terezën, para largimit të saj nga Shqipëria
INTERVISTË ME NËNË TEREZËN
Pas prezantimit pyetja e parë:
Jeni e mirënjohur për veprimtarinë tuaj bamirëse. Diçka për telespektatorin në lidhje me veprën tuaj në dobi të njeriut të vobektë, të varfër në vende të ndryshme të botës.
Përgjigja: Kongregacioni ynë i është kushtuar më të varfërve nga të varfrit. Kemi qendra në të gjithë botën, në 80 vende, ku motrat dhe vëllezërit përpiqen t’u japin dashuri dhe kujdes më të varfërve, njerëzve që s’kanë asgjë, që s’kanë askënd, që janë të sëmurë, që vdesin, sakatëve, të sëmurëve mendor, të droguarve, të alkoolizuarve, kujtdo që është dhimbja e shoqërisë.
Shumëkush për të cilin s’ka se kush të kujdeset e ta dojë, ne përpiqemi t’i japim dashurinë e ngrohtësinë që i mungon. Ne kujdesemi që secilit, njeriut, birit të zotit, pa dallim kombësie race e feje, ti japim me gjithë zemër ndihmë pa interes e pa shpërblim.
Pyetja e dytë:
Nënë Tereza, ju jeni shqiptare vini për vizitë në vendin tuaj ç’emocion ju ngjall kjo vizitë e parë?
Përgjigja: Nuk kam qenë më parë në Shqipëri ku kanë jetuar e punuar nëna, motra e vëllai. Gjithashtu nuk kam patur mundësi të vijë kur ata ishin gjallë, por tani mu bë si një dhuratë e bukur mundësia për të ardhur e për të vizituar varret e nënës e të motrës. U gëzova shumë kur pashë sa bukur e sa shumë kujdes është treguar. I jam shumë mirënjohës Maries, e cila i ka kushtuar kujdes e dashuri familjes time. Vizitova edhe vendin ku ato kanë jetuar, gjë që më kënaqi shumë. Do të desha ti shikoja sa ishin gjallë, por për 60 vjet kam qenë në Indi dhe s’pata mundësi. Por jam e sigurt se një ditë kur të shkoj në parajsë, do të kem mundësi t’i takoj të gjithë bashkë.
Shënim: Për pyetjen lidhur me përshtypjet nga vizita në Shqipëri tha se: “Nuk kam ditur më parë se ç’ka qenë Shqipëria dhe nuk jam në gjendje të bëj një krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje”.
Letra e ministrit të Punëve të Jashtme, Reiz Malile, dërguar Ramiz Alisë, për letrën e priftit Gjergj Gjergji, me origjinë nga Kosova
Shokut Ramiz Alia
Për dijeni. Ju dërgojmë një letër të priftit me origjinë kosovare Gjergj Gjergji, dërguar ambasadorit tonë në Romë, në të cilën bën fjalë për vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri.
Ju dërgojmë dhe “Lahuta e Malësisë”, botim i vitit 1989.
Reis Malile
Tiranë, me 12 shtator 1989
Raport-informacion i punonjësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Vladimir Pula, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri
I n f o r m a c i o n
Kërkesa e Nënë Terezës për të bërë një vizitë private në vendin tonë, i’u bë ambasadës sonë në Romë nëpërmjet letrës së prof. Giuseppe del Gaudio arbëresh nga Catanzaro, mik i vendit tonë dhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve arbëreshë. Në letër thuhet: “Nënë Tereza, ka shprehur dëshirën e saj të madhe që, para se të ndahet nga kjo botë, ose të mos ketë mundësi të lëvizë për shkak të moshës, të puthë tokën e Shqipërisë aq të shtrenjtë për të, dhe të bëj homazhe në varret e të parëve të saj”. Thuhet gjithashtu që në këtë vizitë, ajo do të shoqërohej nga vetë profesor del Gaudio dhe don Gjergj Gashi, mik besnik i Nënë Terezës.
Kërkesa e saj për të bërë një vizitë private në vendin tonë, u studiua dhe u vendos të pranohej. Arsyet që u arrit në këtë vendim janë:
1 – Në kushtet e sotme kur Perëndimi, ka vënë në rend të ditës respektimin e të drejtave të njeriut, dhe në këtë kuadër edhe të fesë, mospranimi i kërkesës së saj do të ngrinte një fushatë anti-shqiptare në këtë drejtim. Si nga qarqet reaksionare armiqësore ashtu dhe nga Vatikani. Përpos kësaj dhe opinioni publik, si dhe miqtë e simpatizantët e vendit tonë do ta kishin të vështirë të kuptonin këtë qëndrim tonin në këtë situatë.
Ndërsa pranimi i kërkesës së Nënë Terezës, do të ndikonte pozitivisht në zbutjen e sulmeve kundër vendit tonë dhe do të shërbente si argument për t’ju kundërvënë rretheve të ndryshme që ngrenë problemin e të drejtave të njeriut e respektimit të fesë në organizma të ndryshme ndërkombëtare.
2 – Nënë Tereza, është shqiptare dhe personalitet shumë i dëgjuar në botë për veprat e saj bamirëse, mbajtëse e çmimit Nobel. Plotësimi i kërkesës së saj për të parë vendin tonë, dhe për të bërë homazhe në varret e të parëve përbën një gjest humanitar i cili do të vlerësohet nga opinioni botëror.
Në 7 korrik Nënë Tereza, shkoi në ambasadën tonë në Romë, e shoqëruar nga dy murgesha. Ajo, theksoi se dëshironte të shkonte në Shqipëri, për të parë varret e familjes dhe për të vizituar shtëpinë ku kanë banuar, nëse ekziston. Përsa i përket programit të vizitës, këtë ua linte në dorë pritësve, por theksoi se dëshiron që të vizitojë Korçën, Shkodrën, ndonjë spital, azil, jetimore, etj. Nënë Tereza, erdhi në vendin tonë në 14 gusht 1989, dhe u largua në 17 gusht 1989.
Ajo, shoqërohej nga motër Maria Goreti (Jona Kërhanaj) 23 vjeç nga Prizreni, dhe Jeanet Petri me nënshtetësi kanadeze, biografe e jetës së saj. Në aeroport ajo u prit nga shoku Ciril Pistoli, Kryetar i Kryqit të Kuq shqiptar, shoku Jorgo Melica, Kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve Kulturore me Botën e Jashtme, Marie Kraja, Adelina Mazreku, drejtoresha e spitalit onkologjik, Ilirjana Shehu, Natasha Hito, e Diana Kristo, përkthyese.
Gjatë qëndrimit në vendin tonë ajo, u prit nga shoqja Nexhmie Hoxha e cila shtroi edhe një drekë në shtëpinë e saj, dhe nga shoku Reiz Malile. Vizitoi Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, shtëpinë ku kanë banuar familja e saj, Institucioni Onkologjik, Institutin e Pneumologjisë, Shtëpinë e Pionierëve “Qemal Stafa” në Durrës.
Para se të largohej Nënë Tereza, i dërgoi një letër shokut Ramiz Alia në të cilën thuhet se pas shumë vjet lutjesh e dëshirash, iu plotësua kjo dhuratë e bukur, të vijë e të shikoj popullin e vet. Ajo, kërkon gjithashtu që të sjellë në Shqipëri, katër motra misionare bamirëse “për tu dhënë ngrohtësi, dashuri, e kujdes, pleqve, të vetmuarve, dhe jetimëve.
Më 2 shtator shoku Ramiz Alia, i dërgon një letër Nënë Terezës ku e falënderon për letrën që i dërgoi ajo, me rastin e mbarimit të vizitës. I shpreh gëzimin për ditët e qëndrimit të saj në atdheun tonë, dhe i shpreh gatishmërinë për dëshirën e saj humane për tu përkujdesur për të varfrit.
Shtypi, radio, dhe televizioni, dhanë njoftime për ardhjen e saj në vendin tonë, vizitat dhe takimet që ajo zhvilloi, si dhe për largimin nga vendi ynë. Gjithashtu Komiteti për Marrëdhëniet Kulturore me Botën e Jashtme, shfaqi për nder të saj një film biografik të përgatitur nga Jeanete Petri.
Nënë Tereza, nuk dha ndonjë përshtypje para largimit të saj, por në letrën që i dërgoi shokut Reiz Malile nga Kalkuta (letra iu dorëzua misionit tonë në Nju Jork nga Jeante Petrie) ajo, falënderonte atë dhe popullin tonë për të gjithë dashurinë dhe kujdesin që u tregua për të, si dhe shprehte kënaqësinë që vizitoi varret e familjes dhe shtëpinë ku ka banuar ajo. /Memorie.al
Tiranë 15 shtator 1989
Vladimir Pulaj
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016