Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument të panjohur arkivor të nxjerrë ngas Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet proces-verbali i një mbledhje të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, të mbajtur më 14 prill të vitit 1969, ku udhëheqësi i Shqipërisë komuniste, diktatori Enver Hoxha, pasi folur për letërsinë e huaj dhe shqiptare, duke përmenduar edhe librat e këtyre autorëve që kishte lexuar, ai ka diskutuar dhe ka marrë në analizë veprat dhe punën e disa shkrimtarëve e artistëve, si: Foto Stamo, Kristaq Rama, Odhise Paskali, Çesk Zadeja e Dhimitër Shuteriqi, të cilët asokohe ishin të ngarkuar me detyra dhe funksione të larta drejtuese në Ministrinë e Arsim-Kulturës, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, etj. Fjala e plotë e Enver Hoxhës në atë mbledhje, ku ai u ndal gjatë edhe për mosrealizimin në kohë të Monumentit të Pavarësisë në qytetin e Vlorës, për të cilën ishte ngritur një grup skulptorësh, me në krye Krisaq Ramën.
“Mendoj se po të merret kjo masë, nuk do të ketë rrezik që ndonjëri prej tyre të heqë këmbët zvarrë. S’kemi pse të jemi të kënaqur, për shembull, që Kristaq Ramën tani e kemi inspektor në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, kur që nga 50-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë, nuk po na dorëzohet project-skica e Monumentit të Pavarësisë, apo kur për disa vjet të tërë presim të na paraqitet skica e Varrezave të Dëshmorëve. Pseja theksohet, shoku ministër, ai s’ka kohë të merret me këto vepra kolosale, të cilat Byroja Politike, Qeveria dhe populli presin të realizohen. Pikërisht ky skulptor, nga i cili pritet kryerja e këtyre dy detyrave kaq të mëdha, është caktuar me punë në ministri. Për të bërë këto vepra nuk mjaftojnë disa muaj, për secilën nga ato do të duhej shumë më tepër kohë. Pastaj, këtu nuk është fjala vetëm për një e dy, por për 20 e ca skica të monumenteve dhe veprave të tjera që duhen përgatitur, për të cilat Kristaqi, fjala vjen, si përgjegjës i këtyre punëve duhet të vejë në vend, të shohë e të studiojë deri edhe natyrën e tokës ku do të ngrihen këto përmendore, të kujdeset për gurët, për bazamentin, mermerin etj., etj., që duhen për ndërtimin e tyre”.
Kështu u shpreh në mes të tjerash udhëheqësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, në një mbledhje të Byrosë Politike të mbajtur më 4 prill të vitit 1969, ku u diskutuan dhe u morën në analizë problemet e artit dhe kulturës, ku midis të tjerash ai pasi vlersoi lart veprat dhe punën e disa shkrimtarëve dhe artistëve, si: Foto Stamo, Kristaq Rama, Odhise Paskali, Çesk Zadeja, Dhimitër Shuteriqi., të cilët ishin caktuar në vende drejtuese si në Ministrinë e Arsim-Kulturës, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, etj., ai shtoi se puna që bëjnë ata artistë në ato detyra shtetërore, u bëhet pengesë në krijimtarinë e tyre, duke marrë si shembull, skulptorin e njohur, Kristaq Rama, të cilit i ishte ngarkuar realizimi i Monumentit të Pavarësisë në Vlorë. Për më shumë rreth kësaj dhe gjithçka tjetër diskutoi ish-udhëheqësi komunist I Shqipërisë në atë mbledhje, na njeh dokumenti në fjalë që Memorie.al e publikon për herë të parë.
Diskutim i Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 4 prill 1969
Raporti i paraqitur nga shokët e kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, sipas mendimit tim, është i bazuar, konkret dhe pasqyron gjendjen e vërtetë në fushën e krijimtarisë artistike dhe letrare. Gjithashtu, megjithëse në raport është shprehur mendimi juaj i drejtë, kolektiv, marksist-leninist për letërsinë dhe artet, shkëmbyem këtu drejtpërdrejt mendimet tona për këto probleme të rëndësishme që ishin të dobishme dhe na ndihmuan, sepse ju jeni specialistë e krijues në këtë fushë.
Dëshiroj të theksoj, siç u shpreh edhe shoku Manush (Myftiu), që kritika për degjenerimin revizionist në fushën e letërsisë dhe të arteve të zgjerohet e të thellohet më tepër. Në raport flitet më shumë për degjenerimin e letërsisë e të arteve në letërsinë Perëndimore e veçanërisht në atë franceze, kurse unë mendoj se kjo çështje duhet parë më gjerë, të flitet edhe për letërsinë dhe artet në vendet revizioniste, pse janë edhe rnë të rrezikshme, ngaqë në to ka një shtjellim pseudo-ideologjik dhe antimarksist të çështjeve që mund t’i dëmtojnë më shumë njerëzit tanë. Ne në përgjithësi jemi të kënaqur nga shkrimtarët, artistët e kompozitorët tanë, mbasi ata në frymën e Partisë bëjnë përpjekje të mëdha e këmbëngulëse për t’i çuar përpara letërsinë dhe artet.
Natyrisht, të meta e dobësi ka edhe në këta sektorë, prandaj vazhdimisht duhet t’i sqarojmë e t’i sheshojmë ato; për këtë rëndësi të veçantë ka bashkëpunimi i ngushtë i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve me Ministrinë e Arsimit e të Kulturës. Mua më duket, shoku ministër se dikasteri që drejtoni nuk ka qenë në krye të këtyre çështjeve, kurse gjatë diskutimit më ra në sy që përsëritët shumë herë në adresë të shokëve të Lidhjes shprehjen: “Ejani t’i shtrojmë këto çështje”. Mendoj se shokët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, sigurisht, do t’jua kenë shtruar çështjet që i preokupojnë, por ju, drejtuesit e Ministrisë së Arsimit e të Kulturës, nuk jeni interesuar në masën e duhur dhe nuk keni qenë këmbëngulës për t’iu futur seriozisht dhe për t’i zgjidhur deri në fund problemet në të dy drejtimet, si n ë arsim, ashtu edhe në sektorët e kulturës, si për sa u përket problemeve teknike, materiale, sigurimit të fondeve për zhvillimin harmonik të letërsisë dhe të arteve, por sidomos në drejtim të ndihmës politiko- -ideologjike, për arsye se Ministria e Arsimit dhe e Kulturës është organ kompetent që e kanë ngarkuar Partia dhe pushteti të merret me këto punë.
Juve, pra, ju bie detyra ta ndërtoni punën në ministri në një mënyrë të tillë që të dy këtyre sektorëve të rëndësishëm, si të arsimit, ashtu edhe të kulturës, t’u kushtohet vëmendja e duhur, në masën dhe peshën që i përket secilit. Kur është çështja për marrjen e masave për disa nevoja teknike materiale që nxjerr përpara koha dhe që kanë lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të kulturës dhe të arteve, Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, ngurron, bile vetë ti, shoku ministër, personalisht, je mjaft i frikshëm, nuk ke guximin që këto çështje t’i shtrosh me forcën e nevojshme në Qeveri. E përsëris, nuk mjafton vetëm të thuash: “Ejani shokë t’i shtrojmë. këto çështje”, pse, nga sa jemi në dijeni, të gjitha këto që vunë në dukje këtu shokët e Lidhjes i kanë shtruar, prandaj t’i ndihmonit dhe t’i ndihmoni konkretisht; këtu nuk e kam fjalën vetëm për çështje të krijimtarisë ose për leje krijuese.
Kur konkludohet, ta zëmë, që, për ta çuar më shpejt përpara muzikën, duhet ngritur një shkollë tjetër ose duhen marrë masa të tjera që kërkojnë fonde, të sigurohen disa kuadro, apo të bëhen lëvizje kuadrosh, shtesa lokalesh etj., nuk shohim që të merrni masa. Shoku Foto Stamo ka shtruar përpara ministrisë kërkesën se s’ka lokale të përshtatshme ku të ekspozohen veprat e artit. Atëherë, përse s’keni marrë masa për plotësimin e kësaj kërkese, shoku ministër? Ndryshe është vepruar kur kanë dalë probleme për shkollat, ato janë zgjidhur, kurse për të ekspozuar në mënyrë të kulturuar tablotë e pikturës sonë, nuk jeni interesuar fare, bile këtë e keni quajtur krejt të panevojshme. Të tilla probleme, shokët e Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës duhet t’i shikojnë më mirë e më the11ë.
Po të gjykohen drejt problemet dhe kërkesat, që lindin nga nevojat e rritjes e të paraqiten këto në Qeveri në mënyrë të arsyeshme, siç po i shtrojnë shokët këtu, jam i bindur se do të merren parasysh. Tani ne mund t’i diskutojmë kërkesat që na u parashtruan dhe të shohim çfarë mund të bëjmë më shumë në të ardhmen. Jam dakord që të jepen leje krijuese dhe disa shkrimtarë të dalin në profesion të lirë, me qëllim që -të kenë më shumë kohë për prodhime letrare. Edhe ne vetë kur fillojmë të shkruajmë për një problem, qoftë’ edhe të vogël, duam kohë, prandaj lëmë punët e tjera, mbyllemi në zyrë dhe shkruajmë; megjithatë, s’do të ishte me vend që orientimi i mësipërm të zbatohej për të gjithë shkrimtarët dhe artistët në masë. Zhvillimi ynë çdo vit dhe bile çdo ditë që kalon, po bëhet vazhdimisht më i madh.
Gjithmonë e më shumë njerëz të thjeshtë, duke u frymëzuar nga realiteti ynë, do të vazhdojnë të shkruajnë, kush një ose më shumë vjersha, të tjerë në prozë, bile do të ketë edhe ndonjë mjek, apo specialist tjetër që do të vihet të shkruajë një novelë ose një roman. Megjithatë nuk mund të themi se të gjithë këta u bënë shkrimtarë. Gjatë rrugës sonë të zhvillimit do të dalin në masë njerëz që do të shkruajnë, disa nga të cilët në të ardhmen mund të bëhen shkrimtarë apo romancierë. Më kanë rënë në dorë libra të shkruar nga njerëz të tillë që s’janë shkrimtarë. Kam lexuar, për shembull, një roman të shkruar nga një mjek për Prustin. Autori e trajton veprën e tij më shumë nga këndi i mjekësisë, se Prusti, siç dihet, ka qenë i sëmurë. Megjithëse nuk është shkrimtar i afirmuar, romani i mjekut që thashë, prapë është shumë i mirë.
Nuk është e thënë, gjithashtu, që një agronom të mos bëhet shkrimtar. Një specialist i tillë, veç punës së tij si agronom, mund të jetë njëkohësisht edhe shkrimtar, sepse duke qenë i lidhur ngushtë me masën e popullit, frymëzohet dhe vihet të shkruajë jo vetëm tregime, poezi etj., por edhe një roman. Nga ana jonë do të ishte gabim i madh po të mos e inkurajonim këtë zhvillim të vrullshëm masiv të letërsisë në të tëra gjinitë. Partia, në radhë të parë, ka për detyrë të kujdeset për rritjen cilësore të të gjithë organizmave që ka krijuar, veçanërisht për Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve, që kjo t’u japë pastaj ndihmën e vet gjithë atyre që shkruajnë e do të shkruajnë, të cilët nesër nuk do të jenë sa sot, rreth 300-400 veta, po me mijëra.
Megjithatë, mendoj që në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të pranohen si anëtarë elementë që afirmohen në lëmin e krijimtarisë; ndihma që duhet të japë Lidhja për gjithë këtë masë njerëzish nuk është e domosdoshme të kushtëzohet me faktin që secili prej këtyre duhet të jetë anëtar i saj. Ai që shkruan e merret me veprimtari letraro-artistike, pa qenë anëtar i Lidhjes, me një punë të menduar mirë nga ana e këtij institucioni mund të marrë atë ndihmë për të cilën ka nevojë. Prandaj mendoj që në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve të pranohen ata elementë që shquhen në lëmin e krijimtarisë letraro-artistike dhe që ndihmojnë për ta organizuar më mirë këtë aktivitet të gjerë në gjithë vendin. Siç thanë edhe shokët, nga artistët, përveç atyre që kemi sot, mund të bëheshin anëtarë të organizatës edhe interpretuesit, artistët e regjisorët e kinemasë apo të teatrit etj., të cilët janë të lidhur më ngushtë me shkrimtarët, kompozitorët e dirigjentët e orkestrave, duke pasur parasysh se artisti interpretues në vetvete është edhe ai një krijues.
Por unë mendoj, kjo mund të diskutohet, të mos futen në Lidhje të gjithë artistët, duke përfshirë edhe amatorët, pse kështu nuk do të arrihej qëllimi që ka ajo për të ndihmuar për ngritjen e nivelit artistiko-kulturor dhe ideopolitik të të gjithë masës së atyre që merren me veprimtari krijuese letraro-artistike, numri i të cilëve do të vijë vazhdimisht duke u shtuar nga viti në vit. Se si i ndihmon Lidhja krijuesit nuk e di me hollësi, por më duket se nuk po kuptohet drejt nga të gjithë pse duhet të shkojnë shkrimtarët në bazë. Për këtë çështje jemi të gjithë dakord, por duhen luftuar me kujdes të gjitha të metat që u vunë në dukje. Të mos harrojmë se ekzistojnë dhe do të ekzistojnë akoma vështirësi për të vajtur në bazë, veçanërisht për shkrimtarët dhe artistët.
Pikërisht për të kapërcyer këtë vështirësi, të punojmë ideologjikisht dhe politikisht që të mos krijohen iluzione të shtrembra te njerëzit. Në rrethe ka njerëz që i kritikojnë disa nga shkrimtarët dhe artistët që janë ngarkuar, duke shfaqur lehtë mendimin sikur nuk japin sa duhet, me arsyetimin se ndonjëri nuk ka pranuar t’u rregullojë skenat. Shokët e rretheve nuk është e drejtë të shpejtohen dhe të nxjerrin konkluzione jo të drejta për punonjësit e artit dhe të letërsisë, të cilët nuk po i përdorin si duhet, në një kohë që ata janë në gjendje të diskutojnë, të japin mendime të pjekura për probleme që shtrohen se janë njerëz me partishmëri. Kam lexuar një pjesë për qëndrimin e një inxhinieri, i cili ishte dërguar të punonte në Qytetin Stalin dhe, mbasi kishte mbushur afatin, siç i kishin premtuar, u nis për në ministri, ku do të parashtronte një mijë e një arsyetime, se kishte kryer detyrën që i kishin caktuar, prandaj tani të kthehej në Tiranë, ku ishte më parë.
Në autobusin që udhëtonte ndodheshin edhe disa punëtorë, që kishin lënë familjet dhe vendin e punës dhe po shkonin të punonin diku larg. Duke dëgjuar me vëmendje bisedat e tyre inxhinieri e kuptoi se me ç’ndërgjegje të lartë e hov revolucionar mendonin e punonin ata, reflektoi dhe i erdhi turp nga vetja që po kërkonte të kthehej në Tiranë, pra u pendua, u kthye përsëri në punë dhe shkroi për sa kishte menduar. Duke përmendur këtë shembull, desha të theksoj që edhe edukimit ideopolitik të vetë shkrimtarëve dhe artistëve duhet t’i jepet rëndësi e dorës së parë. Së dyti, të punohet gjithashtu edhe për forcimin e bashkëpunimit midis shkrimtarëve dhe artistëve me përvojë dhe më të rinjve duke i ndihmuar ata. Në vendin tonë sot kemi shkolla ku mësojnë dhe edukohen të reja dhe të rinj, që nesër do të bëhen artistë, muzikantë, piktorë, skulptorë etj. Por për shkrimtarët nuk kemi shkolla të posaçme.
Puna dhe veprimtaria e tyre krijuese kufizohet më tepër në përpjekje individuale dhe jo kolektive. Punës kolektive, për disa arsye subjektive, i bëhet bisht sepse, nga një anë, të afirmuarit kanë frikë se mos të tjerët u marrin idetë dhe, nga ana tjetër, të rinjtë mendojnë se mos bëhen, si të thuash, shërbëtorët e një të talentuari. Ju e dini mirë se të gjithë artistët e mëdhenj, duke filluar nga Mikelanxhelo e pas tij të tjerë me radhë, në fillim kanë qenë çirakë të mjeshtërve të mëdhenj. Dua t’ju pyes ju, shokë të Lidhjes, cili nga piktorët më të shquar të vendit tonë ka marrë ndonjëherë me vete 5-10 nxënës për të bashkëpunuar ngushtësisht me ta për ndonjë tablo që mendon të krijojë? As edhe një.
Siç kam dëgjuar, piktori, për tablotë që kompozon së pari mendon temën, pastaj merr veglat e bojërat, e fillon dhe e mbaron veprën vetë, pa i shkuar në mendje si ta konkretizojë në punën e vet vijën e masave, të bashkëpunojë me 5-6 nxënës, qofshin këta nxënës të shkollës së pikturës ose piktorë të tjerë të rinj apo të reja me talent, por pa shkollë fare (dhe, nga sa dimë, shumë nga ata që janë bërë artiste dhe piktorë të njohur, fillimisht nuk kanë pasur shko11ë). Secili ka praktikën e tij të punës, por mendoj se s’do të ishte keq sikur në fillim piktori të bënte skicën e tablosë, punë kjo që është një art më vete, një shkollë e madhe, pse para se të nisësh kompozimin, duhet të kesh të qartë idenë. Nga kjo punë studimore do të mësonin bashkëpunëtorët e rinj me të cilët rrihen mbarë e mbrapsht mendimet, duke krijuar kështu edhe bindje se ç’ndihmë japin ata me idetë e tyre.
Në çdo tablo piktori përpiqet të konkretizojë një ide, ua hedh, pra, këtë ide bashkëpunëtorëve të rinj, i nxit ata të diskutojnë dhe nga rrahja e përbashkët e mendimeve fiksohet më së fundi sfondi i tablosë. Për përpunimin e veprës bashkëpunëtorët, gjithashtu, japin ndihmën e tyre, ndërsa mjeshtri u rri të gjithëve mbi kokë, i udhëzon, u bën vërejtje, i korrigjon, u jep udhëzime e mendime të mëtejshme, gjersa figura të arrijë në atë nivel sa duhet t’i jepen bojërat. Mjeshtri ndjek me kujdes tërë këtë proces, vë në diskutim cila pjesë është paraqitur më bukur dhe më e plotë, pastaj punës i jepet përfundimisht dora e fundit. E njëjta rrugë mendoj se duhet ndjekur edhe për punimet në skulpturë, për veprat muzikore etj. Bile edhe shkrimtari para se ta shkruajë romanin, përse të mos thërresë një rreth kolegësh e të diskutojë për idenë e veprës që do të thurë, me qëllim që ta paraqesë atë sa më të plotë?
Mirëpo në praktikë nuk veprohet kështu, midis shkrimtarëve nuk shkëmbehen mendime më parë se të fillohet puna, kjo bëhet në fund, pasi mbarohet vepra, por sa vështirë është atëherë për të realizuar vërejtjet e mundshme. Në qoftë se nga një procedim i tillë ndonjëri nga bashkëbiseduesit mund të përvetësojë e shfrytëzojë mendimet e autorit, fundja le t’i shfrytëzojë, ai që përpiqet të kopjojë dhe të rrojë me «mend hua» nuk mund të shkojë gjatë, s’bën prokopi. Puna e kryesisë së Lidhjes dhe e degëve të saj në rrethe, ose e degëve të tjera që mund të krijohen atje ku akoma nuk kemi, ka rëndësi të madhe për këto që u parashtruan. Duhet menduar si të organizohen këto mbledhje, si të sigurohet një bashkëpunim sa më i frytshëm dhe si të ndihmohen sa më mirë punonjësit tanë të letërsisë dhe të arteve që të zhvillohen më tej këta sektorë.
Për sa u përket disa shkrimtarëve dhe artistëve me aftësi të njohura, jam i mendimit se nuk është mirë të mbahen nëpër zyra, por të lihen në profesion të lirë. Kam biseduar për këtë çështje edhe me shokun Ramiz (Alia). Shokë si Kristaq Rama, Odhise Paskali, Çesk Zadeja, Dhimitër Shuteriqi e të tjerë punonjës dhe krijues të vjetër, të aftë dhe të lidhur me Partinë, të cilët i kemi çuar në vende drejtuese në ministri apo në institucione të tjera qendrore të artit dhe të kulturës, për të dhënë më shumë në sferën e krijimtarisë së tyre do të ishte më mirë të liheshin në profesion të lirë. Mendoj se po të merret kjo masë, nuk do të ketë rrezik që ndonjëri prej tyre të heqë këmbët zvarrë. S’kemi pse të jemi të kënaqur, për shembull, që Kristaq Ramën tani e kemi inspektor në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës, kur që nga 50-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë, nuk po na dorëzohet project-skica e Monumentit të Pavarësisë, apo kur për disa vjet të tërë presim të na paraqitet skica e Varrezave të Dëshmorëve.
Pseja theksohet, shoku ministër, ai s’ka kohë të merret me këto vepra kolosale, të cilat Byroja Politike, Qeveria dhe populli presin të realizohen. Pikërisht ky skulptor, nga i cili pritet kryerja e këtyre dy detyrave kaq të mëdha, është caktuar me punë në ministri. Për të bërë këto vepra nuk mjaftojnë disa muaj, për secilën nga ato do të duhej shumë më tepër kohë. Pastaj, këtu nuk është fjala vetëm për një e dy, por për 20 e ca skica të monumenteve dhe veprave të tjera që duhen përgatitur, për të cilat Kristaqi, fjala vjen, si përgjegjës i këtyre punëve duhet të vejë në vend, të shohë e të studiojë deri edhe natyrën e tokës ku do të ngrihen këto përmendore, të kujdeset për gurët, për bazamentin, mermerin etj., etj., që duhen për ndërtimin e tyre. Si mund të bëhen, pra, vepra të tilla monumentale që duan kohë, kur ai ngarkohet edhe me detyrën e inspektorit në dikaster me një mijë e një punë të përditshme administrative që e gozhdojnë në vend?
Njerëzve si ky duhet t’u caktohet vetëm një detyrë kryesore, ndryshe ai s’ka ç’të bëjë. Për ta zëvendësuar në ministri Kristaq Ramën, le të gjendet një kuadër tjetër, mjafton të jetë njeri me horizont, me nivel të mirë politik e ideologjik dhe, në përgjithësi, të dijë pak a shumë ç’janë arti e kultura. Njerëz të talentuar s’ka pse të vihen në krye të sektorëve administrativë, prandaj jam i mendimit ta rishikojmë këtë çështje. Edhe në fushën e muzikës duhen liruar nga punët e tjera tre-katër shokë nga më kryesorët e më të mirët, sepse s’është normale që muzika të qëndrojë në vend ose të ecë përpara ngadalë e me vështirësi. Cilët janë shokët që duhen nxjerrë në profesion të lirë, ky është një problem që duhet parë në mënyrë serioze e të planifikuar dhe jo në mënyrë liberale, as edhe sektare. Sigurisht, duke i larguar të tillë kuadro nga këta sektorë, mungesa e tyre do të ndihet për ca kohë, derisa shokët e tjerë që do t’i zëvendësojnë të ngrihen në nivelin e të parëve.
Duke ecur në këtë rrugë, mendoj se do të ndihmojë që krijimtaria letraro-artistike në vendin tonë të zhvillohet më shpejt. Sa janë kuadro të tillë që mund të lirohen, kjo duhet parë një për një, por asnjë nga këta të mos kujtojë se, duke e lënë në profesion të lirë, i lejohet vetëm të ëndërrojë. Me ata që kanë ëndërrime, në kuptimin e keq të kësaj fjale, të jemi më të shtrënguar. Për Monumentin e Pavarësisë në Vlorë, për shembull, s’ka përse të zvarritet puna, atyre që do ta marrin përsipër këtë vepër t’u vihet për detyrë që brenda afatit të caktuar ta përfundojnë. Vërejtjet e shokëve që diskutuan t’i kemi parasysh se janë të drejta. Ministria e Arsimit dhe e Kulturës të jetë më këmbëngulëse në zgjidhjen e problemeve, por edhe shokët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve duhet të jenë më të matur në kërkesat e tyre, si edhe të insistojnë kur janë të bindur se kanë të drejtë për kërkesat që bëjnë.
Puna në fushën e letërsisë dhe të arteve po ecën mirë dhe jemi të bindur se akoma më mirë do të ecë në të ardhmen. Kongresi 1 që do të bëhet, do të jape rezultate, rrjedhimet e tij do të jenë të mëdha në gjithë zhvillimin e kulturës e të arteve në vendin tonë. Mendoj që me këtë rast, shtypi duhet të shkruajë më tepër për punën tuaj dhe për kongresin tuaj. Këto ditë vetë ju shkrimtarët dhe artistët sulmoini gazetat me artikuj e materiale të tjera, që edhe ato të ndihmojnë për përgatitjen e opinionit në vendin tonë, në mënyrë që kongresi të pritet nga të gjithë me entuziazëm të madh. Ju urojmë suksese në punë dhe dalshi faqebardhë. Ne ju falënderojmë për punën e mirë që keni bërë. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016