Memorie.al, ekskluzivisht po publikon reportazhin e gazetarit amerikan Joshua Yaffa, i cili është korrespondenti i të së përditshmes amerikane “The New Yorker” në Moskë. Në këtë reportazh, të para dy viteve, Yaffa ka përshkruar me hollësi përshkrimet e banorëve të një prej ndërtesave më të mëdha dhe më rëndësishme përsa i përket aspektit të historisë në këtë vend. Asaj që rëndom në zhargonin e banorëve rusë quhet si “Shtëpia në Argjinaturë”. Përmes këtij përshkrimi, vijnë qartë opinionet personale të një pjese të banorëve të mbetur të kësaj ndërtese të cilët, rrëfejnë historitë e tyre sa të lumtura aq edhe të dhimbshme. Historia e kësaj ndërtese madhështore, njëkohësisht dhe të zymtë u rrëfye në vitet pas rënies së Bashkimit Sovjetik në veprat e Yuri Trifonov-it, dhe Yuri Slezkin-it. E përshkruar me mjeshtëri në romanet “The House on the Embankment” në vitin 1999 dhe, “The House of Government” në 2017, në to tregohet sesi regjimi komunist sovjetik arriti që për së paku çerek shekulli, gjatë epokës staliniste të shkatërronte ëndërrat dhe jetën e vetë idealistëve të tij që patën “fatin” të jetonin së bashku në këtë ndërtesë.
Ai citon, hyrjen e ditarit të Yulia Pyatnitskaya, burri i së cilës, një zyrtar i Kominternit, u arrestua së bashku me djalin e tyre shtatëmbëdhjetë vjeç, në “Shtëpinë e Qeverisë” në 1937. Piatnitskaya ishte në ankth për të birin, dhe ajo u kthye mes dy imazheve kundërshtuese të burrit të saj. I pari, një revolucionar i ndershëm dhe i dyti, një armik i egër i popullit. Kur mendon për të parën, shkruan ajo, “Më vjen keq për të dhe dua të vdes ose të luftoj për të.” Por kur ajo mendoj për të dytën, them me vete “Ndihem e lodhur dhe e pështirë, dhe dua të jetoj në mënyrë që të shoh të gjithë ata, që u kapën dhe nuk kam keqardhje për ta”. Sipas Slezkin, 800 banorë të “Shtëpisë së Qeverisë” u arrestuan ose u internuan gjatë spastrimeve, e kalkuluar në 35 përqind të popullsisë së ndërtesës, 345 u ekzekutuan. Pas disa kohësh, arrestimet u përhapën nga banorët tek dadot, rojet, kujdestarët, dhe pastruesit e shkallëve. Komandanti i shtëpisë u arrestua si armik i popullit dhe po ashtu, edhe kreu i departamentit të mirë-mbajtjes së “Shtëpisë së Qeverisë”. Aq shumë “armiq të popullit” po zbuloheshin saqë apartamentet individuale po ktheheshin të errëta me një shpejtësi, absurde.
Në prill të vitit 1938, drejtori i uzinës së çelikut në Kuznetsk, Konstantin Butenko, u zhvendos në Apartamentin 141, i cili ishte i lirë pas arrestimit të banorit të saj të mëparshëm, një zv-komisar nga Ministria e Shëndetësisë. Butenko, zuri të katër dhomat për gjashtë javë para se ai të arrestohet, dhe familja e tij më pas u internua. Matvei Berman, një nga themeluesit e Gulagëve, u vendos në po të njëjtën dhomë. Edhe ai, u arrestua gjashtë muaj më vonë, dhe u pushkatua një vit më pas.
Një pasdite jo shumë kohë më parë, vizitova një grua të quajtur Ana Borisova, apartamenti i së cilës ndodhet përtej oborrit tim. Borisova është një artiste dhe poete amatore. Fotografitë e saj mbulojnë muret e dhomës së ndënies, krahas portreteve të familjes së saj të venitur. Hapësira ka ndjenjën e një salloni të ajrosur. Ajo, më tregoi për gjyshin e saj Sergey Malyshev, i cili ishte një zyrtar sovjetik i ngarkuar me furnizimet ushqimore dhe tregtinë. Borisova sqaroi se ai e kaloi 1937-ën, në një gjendje ankthi. “Ai pati, një parandjenjë,” tha ajo. “Ai po priste ata, gjithnjë, dhe pothuajse nuk flinte kurrë natën.” Një mbrëmje, Malyshevi dëgjoi hapat që dilnin nëpër korridor dhe ra i vdekur nga një atak në zemër. Në një farë mënyre, vdekja e tij shpëtoi familjen. Nuk pati arrestime, dhe kështu nuk pati arsye për të nxjerrë të afërmit e tij nga banesa. Që kur ai vdiq vetë, ai mbeti pranë familjes tonë së bashku me apartamentin, dhe gjithçka tjetër”, tha Borisova. “Dhe pas kësaj askush nuk na preku.” Shoku im Tolya, regjisori i dokumentarit, më tregoi se si gjyshi i tij, Iosif Fradkin, mbijetoi në ato vite. Para revolucionit, ai i dha vetes pseudonimin e Boris Violin. Nofka Volin, nënkuptonte fjalën ruse volya, e cila lidhte si vullnetin ashtu edhe lirinë. Pseudonimet ishin një modë popullore bolsheviste. Vladimir Ulyanov e quajti veten, Lenin, Iosif Dzhugashvili u quajt, Stalin, e kështu me radhë. Volin ishte një njeri i ashpër dhe luftarak. Ai mori një post në Glavlit, Organizatën e Çensurës së Bashkimit Sovjetik dhe njoftoi një kthesë vendimtare drejt vigjilencës ekstreme të klasës. Një ditë në vjeshtën e vitit 1937, pasi debatoi me shefin e tij, një njeri me shpirt të ngushtë, të quajtur Andrei Bubnov, Volin pësoi një atak kardiak. Ai i shpenzoi, muajt e ardhshëm brenda dhe jashtë spitaleve shtetërore dhe shtëpive të kurimit. Pas shërimit të tij, ai zbuloi se Bubnovi, së bashku me stafin, dhe një deputet tjetër të ministrisë, ishin arrestuar dhe ekzekutuar. Unë i bëra vërejtje Tolyas se duhet të ketë qenë e tmerrshme të mësosh se shumë nga kolegët dhe miqtë e tu, ishin likuiduar në mungesë tuaj.
Ne ishim ulur në banesën e tij, të rrethuar nga disa pirgje librash antikë dhe arti fakte familjare. Qendra e apartamentit ishte studioja e vjetër e gjyshit të tij, një dhomë hijerëndë me një tavolinë të madhe dhe një mur raftesh prej druri dhe qelqi që zgjateshin, nga dyshemeja deri në tavan. “Çështja është,” tha Tolya, “se para këtij zbulimi të tmerrshëm ishin shumë të tjerë”. “Një nga vëllezërit e Volin-it, ishte punonjës i shërbimit të inteligjencës që punonte në Shtetet e Bashkuara nën kamuflimin e një atasheu ushtarak. Kur ai u kthye, u arrestua dhe u pushkatua. Një nga motrat e Volin-it, ishte martuar me një oficer të NKVD-së, dhe ata jetuan në “Shtëpinë e Qeverisë”, në një apartament aty pranë. Kur kolegët e burrit erdhën ta arrestojnë, ai u hodh nga dritarja e apartamentit dhe gjeti vdekjen e menjëhershme”. Volini, mbante një valixhe të mbushur me rroba të ngrohta pas shtratit, të gatshme për të, në rast arrestimi dhe internimi në Gulag. Gruaja e tij dogji një arkiv letrash që datonin nga koha e tij si një emisar bolshevik në Paris, nga frika se nëse atë do ta arrestonin, do ta etiketonin si agjent francez. Ata i thanë bijës së tyre, nënës së Tolya-s, një grup udhëzimesh të veçanta. Çdo ditë pas shkollës, ajo duhet të ngjitej me ashensor në katin e 9, dhe jo në të 8, ku jetonte familja. Ky veprim duhet të bëhej që ajo, të shikonte poshtë shkallëve. Nëse ajo do të shihte një agjent të policisë sekrete, atëherë duhet të shkonte në katin e poshtëm dhe të vraponte për tu fshehur, drejt shtëpisë së një miku.
Ne folëm për atmosferën e rëndë, në atë ndërtesë, për atë atmosferë, që duhet të kenë menduar gjyshërit e Tolyas, pasi bota e ndritshme dhe e drejtë që besuan se kishin ndërtuar filloi të kanibalizojë vetë-veten. “Ata mund të mendonin vetëm për një gjë, si të mbijetonin. Unë jam thellësisht i sigurt për këtë gjë” theksoi, ai. “Ata nuk ishin në gjendje të ndërhynin, për të kontrolluar gjërat më të vogla. Forcat që ata kishin kundër ishin Biblike, si të luftonin vetë natyrën. “Si kalimi i stuhisë së zezë, të tërbuar, arrestimet përfunduan. Personat e fundit të vrarë ironikisht, ishin oficerët e NKVD-së. “Pasi u zgjuan pas banjës së gjakut, Stalini dhe anëtarët e mbijetuar të rrethit të brendshëm duhej të hiqnin qafe ata që e kishin administruar atë,” shkruan Slezkini.
Nuk kishte kaluar shumë kohë, që një tragjedi e re do i ndodhte banorëve të ndërtesës dhe vetë vendit, pushtimi nga Gjermania naziste, në qershor 1941. “Shtëpia e Qeverisë” u evakua, banorët e saj u shpërndanë në qytete anembanë Bashkimit Sovjetik. Slezkin-i raporton se rreth 5 përqind e banorëve nga ndërtesa dolën në luftë. 113, prej tyre u vranë. Në vetëdijen sovjetike, lufta ishte një ngjarje po aq e fuqishme sa revolucioni. Konflikti, shkruan Slezkin, “justifikoi të gjitha sakrificat e mëparshme, të vullnetshme dhe të pavullnetshme. Ai u ofroi fëmijëve të revolucionarëve origjinalë mundësinë për të dëshmuar, përmes një sakrifice më shumë, se fëmijëria e tyre kishte qenë e lumtur, që baballarët e tyre kishin qenë të pastër, se vendi i tyre ishte familja e tyre dhe se jeta e tyre ishte vërtet e bukur edhe në vdekje”. Pas luftës, banorët e “Shtëpisë së Qeverisë” u rikthyen, por fryma e hershme e ndërtesës ishte zhdukur. Gjatë viteve 40-të, ndërsa banorët e rinj u përzien me të vjetrit, dhe mobiliet lëviznin nga jashtë-brenda, vendi ishte, sipas Slezkinit, “i zhurmshëm, më i çuditshëm, dhe më pak ekskluziv”.
Blloqet e reja të apartamenteve elitare u ngritën përreth qytetit, duke përfshirë të ashtuquajturat, gradaçelat e Stalinit. Për këtë arsye, “Shtëpia e Qeverisë” pushoi të ishte, e vetmja ndërtesë prestigjioze e Moskës. Kulti i Stalinit dhe, si shtesë, miti i virtytit dhe i jashtëzakonshmërisë sovjetike, d.m.th lidhja që kishte mbajtur së bashku mbijetuesit e shpërndarë të “Shtëpisë së Qeverisë”, shkruan Slezkin, filloi të çmontohej në 1956, kur Hrushovi, dikur banor i ndërtesës, tani Sekretari i Parë i Bashkimit Sovjetik, mbajti një fjalim sekret për krimet e Stalinit në Kongresin e XX të Partisë. Ky ndëshkim i pagabueshmërisë së BRSS-së, ishte zemërues për brezin e revolucionarëve të vërtet bolshevikë. Gjyshi i Tolyas, atëherë pedagog në Institutin e Marksizëm-Leninizmit, u shkatërrua nga fjalimi. Gruaja e tij kishte vdekur jo shumë kohë më parë, dhe Tolya më tha që ato dy ngjarje “e dërguan atë, në varr”. Ai vdiq brenda vitit, në moshën 72 vjeçare. Prindërit e Tolyas ishin anëtarë tipikë të brezit të ardhshëm të inteligjencës sovjetike. Pa diskutim të suksesshëm jashtë sistemit komunist, por privatisht të dyzuar dhe të zhgënjyer. Tolya, si shumë miq të tij, u rrit në hijen mbrojtëse të fuqisë së Bashkimit Sovjetik. Një nga kujtimet e tij më të hershme, ishte fluturimi i parë hapësinor i Yuri Gagarinit, në vitin 1961. Të cilin familja e tij e shikoi në një televizor, një pajisje e rrallë në Moskë ato ditë. “Gagarin bëri fluturimin e tij dhe tani ne, Bashkimi Sovjetik, ishim në krye të botës,” tha Tolya, duke përshkruar gjendjen e tij shpirtërore në atë kohë. “Jam ndjerë në qendër të universit”. Në ato vite, banorët e “Shtëpisë së Qeverisë” ishin akoma de-facto anëtarë të elitës në apartamentin që tani marr me qira, djali i Sergushevit, Vladimir, jeton me nënën dhe gruan e tij, Norën. Emri i Sergushevit, e ndihmoi Vladimirin të merrte një vend pune në KGB.
Ai ishte një njeri inteligjent dhe i mençur, por me nerva të dobëta. Në vitet 50-të, ai humbi një çështje, të mbushur me dokumenta të fshehta, ndërsa ishte në detyrë në Gjermani. Për këtë ai, u largua qetësisht nga shërbimet sekrete. Vladimiri u punësua si profesor i ekonomisë agrare, dhe studionte frutat dhe perimet. Ai pati një djalë, dhe më pas, më 1975, një vajzë, pikërisht rrëfyesen time Marinën. Ajo më tha që, kur ishte fëmijë, historia e ndërtesës kryesisht u harrua, ose u injorua me qëllim. Ndoshta ngjarja më përcaktuese në jetën e pasluftës së ndërtesës erdhi në vitin 1976, kur Yuri Trifonov, një ish-banor, botoi romanin e tij “Shtëpia në Rrugën e Argjinaturës”, një rrëfim fiktiv i trilluar i djalërisë së tij atje.
Trifonov, i cili ishte 6 vjeç kur familja e tij u transferua në këtë pallat, dhe e përshkruan ndërtesën si një “bllok të madh gri me mijëra dritaret e saj duke i dhënë përshtypjen e një qyteti të tërë.” Babai i tij kishte një punë të rangut të lartë në Këshillin e Komisarëve të Popullit, ndërsa nëna e tij ishte një ekonomiste në Komisariatin e Bujqësisë. Babai i Trifonovit u arrestua si armik i popullit në qershor të 1937, kur Trifonov ishte 11 vjeç. Prillin tjetër, agjentët e NKVD-së, erdhën për nënën e tij. Ata e morën jashtë atë dhe e detyruan të vishte vetëm një palë këpucë të holla, dhe një xhaketë gri, rroba, të cilat do t’i mbante gjatë gjithë dimrit të parë në Gulag në stepat e ngrira të Kazakistanit. Nëna jonë, ndaloi për një moment, dhe shikoi lart për të takuar fëmijët e saj. Ajo nuk i ofroi fjalët e zakonshme të ngushëllimit për pafajësinë ose kthimin e saj të mëvonshëm, por përkundrazi u dha një këshillë, të cilën Trifonovi, e kujtoi për pjesën tjetër të jetës së tij: “Fëmijë, pavarësisht se çfarë ndodh, mos e humbni kurrë ndjenjën tuaj të humorit”. Ajo që Trifonov nuk e dinte deri atëherë ishte se babai i tij kishte vdekur dhe nuk do ta shihte më nënën e tij për 8 vite.
Trifonov shkroi “Shtëpinë në Argjinaturë” kur ishte 52 vjeç, dhe personazhet e librit janë fëmijë të brezit të tij, por ai aludon në traumën e spastrimeve vetëm përmes personazheve mbështetës që papritmas zhduken. Kjo vihet re dhe në shënimin kalimtar të narratorit se “njerëzit që largohen nga shtëpia pushojnë së ekzistuari.” Libri ishte një ndjesi e menjëhershme mes lexuesve sovjetikë dhe për këtë shkas i dha ndërtesës një jetë të re, që nga atëherë, ajo njihej si “Shtëpia në Argjinaturë”. Trifonovi vdiq në 1981, por e veja e tij, Olga, 78 vjeçe, është një kroniste krenar për jetën dhe punën e bashkëshortit të saj.
Ne folëm këtë verë në muzeun e vogël kushtuar Shtëpisë në Argjinaturë, ku Olga është drejtoreshë. Muzeu, ndodhet në një apartament në oborrin e ndërtesës, dhe është plot me objekte origjinale, si mobiliet prej druri të zakonshme që Iofani, arkitekti i ndërtesës, i dizenjoi për banorët. Trifonov dhe motrat e tij u dëbuan nga ndërtesa pas arrestimit të nënës së tij, dhe ai kurrë nuk u kthye më aty. Siç theksoi, Olga, ai rrallë fliste për vitet e tij atje. “Yuri nuk ishte një njeri që donte të fliste për të kaluarën,” tha ajo. “Ai e shpëtoi atë përmes letërsisë së tij.” Në fillim të viteve 80, tha Olga, çifti jetonte në një apartament të rrënuar poshtë një dyqani ushqimor. Popullariteti i Trifonov ishte i jashtëzakonshëm. Emri i tij ishte përzgjedhur për një nominim në Çmimin Nobel.
Një ditë, një zyrtar i nivelit të lartë sovjetik iu afrua Olgës dhe i propozoi që çifti të transferohej në një apartament me katër dhoma gjumi në “Shtëpinë në Argjinaturë”. Dukej një goditje fantastike e fatit të mirë. “U ktheva sipër me këtë buzëqeshje të pa-kuptimtë, dhe pikërisht në korridor i thashë”, ne po na ofrohet të transferohemi në Shtëpinë në Argjinaturë! “Trifonovi më buzëqeshi dhe tha “A mendon vërtet se unë dua të kthehem atje”? Është e panevojshme të thuhet, por ata e refuzuan ofertën. “Për të,” tha Olga, “kjo ndërtesë përmbante kujtimet e tij më të gëzuara nga fëmijëria, njëkohësisht më të hidhurat dhe më tragjiket, të gjitha këto të përziera.”
Tolya më tha që ndërsa ishte rritur ai u bë kurioz jo vetëm për historinë e gjyshit të tij, medaljet e të cilit Urdhrat e Leninit u shfaqën në raftet e librave të familjes, por edhe për shumë periudha të historisë sovjetike që nuk u diskutuan më kurrë. Kur ishte rreth dhjetë vjeç, ai lexoi “Një ditë në jetën e Ivan Denisovich” të Aleksandr Solzhenitsyn, një histori ekzistence në kampet e Stalinit. Më vonë, ai filloi të kalojë nëpër duar, “Arkipelagun e Gulagut” po të Solzhenitsynit, një kryevepër me tre vëllime që u shfaq vetëm në kooperativa. Në vitet e tij të universitetit, ai, si shumë nga bashkëmoshatarët e tij, ishte një anti-komunist, jo plotësisht disident, por tërësisht i zhgënjyer me ideologjinë zyrtare. Ai zhvilloi një vetëdije të ndarë ndaj shtëpisë. “Sigurisht, në një nivel racional, unë e di historinë e kësaj ndërtese, kush jetoi këtu, dhe gjithçka për shtypjet,” tha ai. “Por ekziston edhe një përvojë më personale. Unë kam lindur këtu, jam rritur këtu dhe kam kaluar një pjesë të madhe të jetës sime të ndërgjegjshme po këtu.”
Në 1991, rënia e Bashkimit Sovjetik u trajtua me ngacmim dhe lehtësim nga shumë prej atyre që jetuan në “Shtëpinë në Argjinaturë”. Banorët e saj nuk ishin më besimtarë të vërtetë në komunizëm, dhe deri atëherë, dukej se ishte zor të kishte një besimtar të vërtetë të mbetur në perandori. Vitet 90-të në ndërtesë, si në tërë Rusinë, ishin kohërat e mundësive anarkike, ngazëlluese dhe tmerruese në masë të barabartë. Pensionistët u shpërngulën, apartamentet e tyre u kapën nga oligarkia e re e Rusisë. Mafia, nga e gjithë hapësira e mëparshme sovjetike bleu apartamente në adresën më qendrore të qytetit, e cila, akoma mbante një zhurmë privilegji dhe fuqie. Kazinotë nëntokësore u shfaqën në disa apartamente, dhe të tjerët u shndërruan në hotele për punëtorët emigrantë. Banesa ime u dha me qera një kompanie nafte amerikane, pastaj një bankieri investimesh, pas të cilit erdhi një profesor nga Franca, dhe më në fund, para meje, një politikan i ri që zhvillonte festa marramendëse që shqetësonin fqinjët. Simboli më i dukshëm i epokës ishte një logo e Mercedesit, e montuar në çati, mbi ndërtesë. Logoja ishte vendosur atje në një marrëveshje të errët, për të cilën nuk u diskutua, e lëre më që të aprovohej nga, banorët e ndërtesës. “Ndërtesa ishte ëndërruar si një pjesë e vogël e parajsës për të zgjedhurit”, më tha Gleb Pavlovsky një tjetër koleg që njoha në Moskë. “Por kjo shtëpi qëndron në tokë të trishtueshme dhe banorët e saj janë të dënuar të mbajnë një trishtim shumë të vështirë.” Pa dyshim, shtoi ai, ndërtesa është “e mallkuar”. “Siç më tha Pavlovsky, revolucionarët bolshevikë që banuan së pari në Shtëpinë në Argjinaturë” menduan se ishin më të zgjuar, se mund të mposhtnin sistemin e krijuar. Por ata e humbën kontrollin, u bënë marioneta të diçkaje shumë më të madhe dhe më të fuqishme se çdo individ. Dhe, deri në kohën kur ai sistem kishte filluar të përpinte njerëzit, ishte tepër vonë. ”Ai e shiti apartamentin e tij në 2015, dhe tani mori me qera një vend në periferi të qytetit. Në tërësi, tha ai, ndihem i lehtësuar që ika. “Por më mungojnë idetë”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016