Nga Bedri Çoku
Pjesa e njëmbëdhjet
Memorie.al/publikon dëshmitë e panjohura të Bedri Çokut me origjinë nga fshati Muçias i rrethit të Lushnjes, i cili që në moshën 19 vjeçare teksa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Gjirokastrës, u arrestua nga dy oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe pas një gjyqi publik “demaskues” me akuza të montuara në kinemanë e atij qyteti, u dënua për agjitacion e propagandë së bashku me vëllanë e tij, Çaushin, për të vetmin “faj” se babai i tyre, kishte vuajtur disa vjet si i burgosur politik në kampet e punës së detyruar nga ku ishte liruar në vitin 1959. Dëshmitë e rralla të Bedri Çokut që bëri 24 vjet në burgjet e Spaçit, Burrelit e Qafë Barit dhe së bashku me dy vëllezërit, Esatin dhe Çaushin si dhe babanë e tyre, Azemin, vuajtën plot 64 vjet burg në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u liruar vetëm në shkurtin e vitit 1991. Kujtimet e Bedri Çokut të përshkruara me mjeshtëri në librin e tij “Kryengritja që tronditi diktaturën”, e cila i kushtohet kryesisht Revoltës së Spaçit në majin e vitit 1973, ku ai si një nga organizatorët kryesorë të saj, hedh dritë për herë të parë duke bërë publike disa ngjarje dhe fakte të panjohura nga ajo revoltë ku u ngrit flamuri pa yllin e kuq të komunizmit, e deri tek puna e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Kampeve dhe Burgjeve pas viteve ’90-të, ku ai “arrestoi” shokun e tij të ngushtë, bashkëvuajtësin e kampeve dhe burgjeve të diktaturës dhe e dërgoi në qelitë e ‘Burgut 313’ të Tiranës, ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e ish-Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së me në krye Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën.
Kryengritja që tronditi diktaturën
(Bazuar mbi një histori të vërtetë)
“Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, unë shpreha mendimin se, në pamundësi për të gjetur një çarçaf të kuq, të çanim duart dhe, me gjakun tonë, të lyenim copën e bardhë…! I pari që çau dorën me thikë, ishte vëllai im, Çaushi, i dyti Gëzim Medolli, Bedri Çoku, Gjet Kadeli, Ulsi Pashollari, e të tjerë…”
Shpresonim shumë të Sigurimi dhe Bashkëpunimi Europian i cili po realizohej me një shpejtësi marramendëse nën kujdesin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të drejtë i gjithë njerëzimi po priste me padurim çastin e madhe historik. Firmosjen për Mirëkuptimin e Popujve të Europës, shteteve demokratike perëndimore dhe atyre komuniste të Lindjes, të cilat vuanin ende nga regjimet diktatoriale, për të vendosur së bashku një rend të ri paqeje dhe bashkëpunimi në botë. Shpresonim se edhe Shqipëria me këtë rast. Do të firmoste në Helsinki këtë Akt për fatet e njerëzimit, si përfaqësuese e kësaj Organizate Politike Ndërkombëtare. Kishim bindjen se vendi ynë edhe pse i pakrahasueshëm me vendet e Lindjes, me hir, a me pahir, do t’i bashkohej Traktatit të Paqes dhe Bashkëpunimit me Europën (OSBE).
Autori
Gjyqi ndaj pjesëmarrësve të revoltës, në qytetin e Rrëshenit
– Shumë faleminderit! Je i nderuar!
Ishin dy copa mish dhe dy copa revani. E para herë, pas kaq kohësh që u ngopëm dhe u kënaqëm me të ngrënë. Pas pak sporteli u hap përsëri dhe, po ai polic, na solli një pagure alumini me ujë. Oh, ky është kulmi! – Thirra unë – Pavarësisht pse shërbejnë në polici, patriotizmin e kanë në gjak. Sjellja e mirë me ne, u buron nga shpirti, falë trimërisë dhe patriotizmit që ju, të rinjtë nacionalistë, i shprehët në Spaç, në krahinën e tyre…! Sidomos ngritja e flamurit të Skënderbeut, për mirditorët ka qenë ngjarje historike dhe do të tregohet si një akt i paharruar, trimëror, nën regjimin e egër, antikombëtar. Nga sa i njohë unë mirditorët, nuk i njohë pak, besoj i kanë thurur vargjet qysh tani për këtë ngjarje të pa ndodhur në Shqipëri, që vuan nën terrorin komunist…! Do t’i këndojnë këngë brez pas brezi revoltës tuaj. Dhe vërtet.
(Balladë e një poeti shkodran, me origjinë mirditore, u botua pasi u shemb diktatura)
“Aman, Zot, ç’asht ndez beteja
Se ç’kanë ra k’tu forca t’reja
Aty Spaçi mori gjamë
Gjithë t’burgosunit janë çue n’kambë
Vrap me vrap n’këtë vend kanë nga
Jo me ba sehir, me pa
Por secili e ka qit ceken
N’atë log burrash me e ba deken
Aty forcat e sigurimit
Të dridhur frike e trishtimit
Kur kanë pa se ka marrë vale
Kanë nga vrap e jashtë me dalë
Aty pushka ka kërsitë
I pari t’mbramin s’e ka pritë
Gjithkund vendi ka marrë brimë
Sigurimit i vinë n’dihmë
Pushkatarë e polici…”
Tre reparte këmbësori
Rrethue kampin rreth e rreth
Si ç’ka mali barë e gjethë
Trefish roje rreth e qarkë
T’u i nguju si dërrat n’thark
Tash t’burgosurit brenda për brenda
Sa një mal u asht ngritë zemra
Se këtu e lirë iu duk jeta
Sikur janë ndër shtëpia t’veta
Aty tash ma t’parën gja
Kanë vendosë një punë me e ba
Këtu t’ burgosunit, qindra vetë
T’gjithë një fjalë aty janë gjetë
Si me humbë, si me fitue
Si me vdekë, si me shpëtue
Aty trimat tash e ma
Pahumbë kohë, pa humbë kurrgja
Kambë për kambë e sup për sup
Si gjymtyr t’bashkuem n’një trup
S’kanë lanë zyrë aty pa thye
S’kanë lanë letër aty pa shkye
E parrullat grimë e cope
I kanë shkye e hedhë për tokë…”
21 maj, atë ditë, pasditeje
Merren masa e përgatitje
Asht çue n’kambë i madh e i vogël
Si Postriba kur ra n’Shkodër
Diçka e re asht tue përtri
Që do t’gdhëndet n’histori
Pse dy trima moshë e re
Mënia në zemër që a tue bre
N’këtë revoltë që ka marrë valë
E s’din kush ku ka me dale
Prandaj t’dy këta kry me kry
Një punës s’ madhe duen me i hy
Për një flamur kuq e zi
Kësaj revolte me dhanë gjallni
Aman Zot, kjo e madhe ide
N’zemër trimave që u ka le
Duan me i dhanë botës me pa
Se çfarë trimash ky vend ka
Se çfarë trimash ka Shqipnia
T’ndrym ndër burgje qindra e mija
Gjet Kadeli e Bedri Çoku
Ashtu s’bashku të dy së toku
Përgatitën me shpirt e zemër
Kësaj dite t’ bukur me i dhanë emër
Bedri Çoku e Gjeto Pjetri
Që si njani, ashtu tjetri
Diçka e bukur u ka hy n’krye
N’ këtë stuhi që ka shpërthye
Një flamur me përgatit
Këto dy trima moshë e re
Thua për një natë të dy kanë le
Thua shoqi shoqin e kanë vëlla
Por shoqi shoqit nuk i kanë ngja
Me shojshojnë tue marrë, tue dhanë
Bedriu Gjetos i ka thanë:
N’këtë rrëmujë, n’këtë furtunë
Do t’ish mirë me e ba një punë
Që ta marrin vesht dhe tjerë
Se kush ndodhet n’këtë poterë
Se këtu ndodhen djem petrita
Nga Saranda, nga Mirdita
Nga Berati Elbasani
Vlona, Korça edhe dibrani
Gjinokastër e Lunxheri
Shkodra e Puka me malësi
Labëria dhe Përmeti
Sa dhe në botën përjashta nesh
Ka me u ra kjo ngjarje n’vesh
E diaspora andej m’atë anë
Pa marrë vesh nuk kanë me e lanë…
………………
Mersin Vlashi bulqizaku
Mbi një basmë t’kuq si gjaku
Sa mirë dora po i me lëvizë
Me bojë tush kah e ujdisë
Një shqiponjë me dy krena
Sheji me i shënjtë për këto dhena
N’shtroje t’ kuqe mes për mes
Krahët e lirë, ballin serbes
Atje lart sonte me u pa
Deri sa t’jetë dielli pa ra
Mersin Vlashi, duar arti
Duar arti e zemër zjarrti
Vrik e vrik lëviz me duar
Me i dhanë jetë atij flamur
M’një vend të ngushtë, mbi tavolinë
Janë dy vetë mbi kokë që i rrinë
Kah e shikojnë e vrejnë pa za
Zëmra mal t’dyve u asht ba…!
N’atë mbasdite të shumëpritur
T”atij çasti faqendritur
N’katin e katërt nja tre trima
Ngjiten vrullshëm si vetima
Nalt mbi kulm përmbi ballore
Ngjisin shqipen dy krenore
N’atë buzëmramje të asaj dite
Këta tre djem si tre yje drite
Gjithë atë vend e kanë shkelqa
Qindra vetë me sy tue pa
N’atë buzëmbramje n’atë fllad ere
NJЁ ZETЁ E NJЁ MAJ, ditë pranvere
Një flamur ngrihet n’ajri
Gjysma kuq e gjysma zi
N’atë buzëmbramje me gëzim plot
Që ban synin me derdh lot
E i ban zemrat me u përtri
Der’ për të me u ba edhe fli…!
Nënministri kur ka mërri
Sikundër t’gjithë mahtruesit e ri
Që hanë bukë më k’ëtë Parti
Ndrysh me thanë e ndryshe me ba
Mos me e pasë problem për gja
Ani ma kur ky farë trimit
Krah i djathtë i Sigurimit
Ky zevendës ministër Rendit
Me lëkurë qengji dhe zemër qenit
Tue u mundue me sa fuqi
Me e zbutë punën me mashtri
Urtë e butë me e marrë këtë lojë
E mbasi t’i ketë shti në lak
N’vetull të synit me u marrë gjak
Por Hajri Pashaj fieraku
Që deri n’tamtha i ka hypë gjaku
Me t’ gjithë mëninë që e ushqy
T’ia shpërblej sot sy për sy
Hajri trimit i kish thane
Se ty të njohim mirë kush je
Me gjithë farë e fis që ke
Kështu për ty që ke çue krye
Dhe ndoj tjetër shok me ty
Për këto fjalë, keni me pa
Se sa shtrenjtë ka për t’u ra
Por nuk ryset me këto fjalë
Hajro Pashaj, sokol djalë
As për hatër, as për frikë
Kundërshtarit nuk i ik
T”gjithë inatin që ka pasë
Sy për sy po i’a përplasë
Por Hajriu ndër sa shokë t’tjerë
S’asht i vetëm n’këtë poterë
Por janë t’ tjerë sa e sa
Që aty mendjen e kanë nda
N’atë revoltë që kanë ngritë krye
Mos me u lodh e mos me u thye
Këto t’pafe, si ç’kanë mendue
Të dymbëdhjetë me i gjykue
Katër vetë me pushkatim
Tetë të tjerë me t’randë denim
Por ku ndodhë ai devolliti
Dervish Bejko, shpirt graniti
Rritë n’Devoll, ku këtij i ka ra
Sa e sa t’zeza aty me pa
N’fushë t’Maliqit, n’ato këneta
Ku punonin me qindra veta
Edhe ato, si këto rrezikë
T’dënuem randë për politikë
Gjysma e krahëve të kësaj fuqie
Me t’burgosur rrezikzi
Anës kanalit jetën sosë
Dervish Bejko sa qe fëmi
Ndieu e pau këto tragjedi
Ndërsa sot, n’këtë skenë gjyqësore
Rreth e qark frotat mizore
Tue pa ashtu atë duarlidhë
Frikës s’tij prap rrinë tue dridhë
Aty qenat fort janë gëzue
Kur për vdekje e kanë dënue
Dhe drejtorit shpirt breshka
Zemra mal aty i’u ba
Kah’ n’atë skenë aty tue pa
Se kush mëshirë për to s’po ka
Si Dervishit edhe tre
Ja u kanë vu synin qysh dje
Tash që i futën në lak një here
Me iu këndue fajet me defterë
Me këto shokë dhe Skënder Daja
Një trup vogël me punë t’mëdhaja
S’e kish njof kurkush më pare
Pse kish qenë kaq guximtarë
Ky cupil, ky shpirt lua
Hiç përshtypje s’është tue ba
Ashtu rreptas kah tu i kqyrë
S’i ka ndërrue gjaku në fytyrë
Kur i thanë atë ditë në Spaç
Sipas nenit aq e kaq
Edhe këtij me i dhanë vendim
Dënim me vdekje: “Pushkatim !”
Aman Zot, Ty t’qofsha falë
N’gjygj këta trima kur kanë dalë
Sa i kanë rrah, sa i kan mundue
Kockë e trup ia u kan coptue
Por ndër këta trima të rrallë
Që kësaj loje i ndejtën n’ballë
Ai, Pal Zefi shpirt lua
S’asht pendue për çka ka ba
Veç ma tepër ky djalë trim
Si e ka shprehë sa herë n’besim
Se në këto burgje ku kemi ra
Shëndosh me krye kemi zor me u nda
Ani ma rasti i kësaj here
Që vue n’krye t’kësaj sofre t’madhe
Këtë ma t’parin ndër shokë t’vet
E din se vdekja e pret…”!
Natën u zgjova nga një ëndërr shumë tronditëse…! Nga libri i ëndrrave, shkruar sipas shpjegimeve të dijetarëve arab, pata lexuar se ëndrrat mund të shpjegohen nga tre burime, me origjinë : 1) Telepatike; 2) Fiziologjike; 3) Hyjnore.
Nuk kisha parë asnjëherë ëndërr të tillë që të më linte mbresë të thellë, sa, edhe sot që po shkruaj këto rreshta, mbas dyzetë e ca vjetësh, e tregoj pa harruar asnjë detaj nga ç’e kam treguar herën e parë. Mezi e prita mëngjesin që të zgjohej “Prifti”, edhe pse nuk shpresoja që ai mund të ma shpjegonte. Por, le ta dëgjonte një herë. Nuk e di pse kisha shumë nevojë t’ia tregoja dikujt këtë ëndërr…!
Kisha fjetur apo jo pasi u zgjova nga ëndrra, këtë nuk e kuptoja. Madje kur polici i shërbimit hapi derën e birucës, për veprimet tona të mëngjesit, unë isha si në jerm, duke e kujtuar ëndrrën për të mos e harruar, ndërsa “Prifti”, më shkundte nga krahu për të më thënë “Mirëmëngjesi”, se duhej të ngrihesha…! U nisa për në banjë, si i “dehur”, nga ëndrra që më kishte tronditur. Vetëm kur lava sytë, u bëra esëll. E prita “Priftin“ me padurim të kthehej nga banja. Ai sa më pa, e kuptoi se diçka më shqetësonte. U ulë pranë meje e po më vështronte me vëmendje…! – Tani më thuaj, pse je si i lodhur, apo nuk ke fjetur mire? Ke pasur shqetësime?
– Kam parë një ëndërr të çuditshme. U zgjova dhe, s’fjeta më…!
– Ai u ulë këmbëkryq, si mysliman, dhe tha:
– Me hajër qoftë! Ma trego!
– Kur isha gjimnazist, si ç’ndodh zakonisht në atë moshë, pak janë ata që nuk bien në dashuri. Disa dashurojnë në mënyrë platonike, pa i’a shprehur drejtë për-drejtë vajzës apo djalit dashurinë, të tjerët, më guximtarët,ia shprehin atë njeriut të ëndërruar. Unë hyj te guximtarët, pasi ia shpreha vajzës ç’ka ndjeja për të. Por fati nuk ishte me ne, kuptohet, përderisa unë jam këtu ku jam dhe ajo me bashkëshortin e saj po rrisin fëmijët e tyre, që zoti ua faltë!/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016