Nga Bedri Çoku
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon dëshmitë e panjohura të Bedri Çokut me origjinë nga fshati Muçias i rrethit të Lushnjes, i cili që në moshën 19 vjeçare teksa kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak në rrethin e Gjirokastrës, u arrestua nga dy oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit dhe pas një gjyqi publik “demaskues” me akuza të montuara në kinemanë e atij qyteti, u dënua për agjitacion e propagandë së bashku me vëllanë e tij, Çaushin, për të vetmin “faj” se babai i tyre, kishte vuajtur disa vjet si i burgosur politik në kampet e punës së detyruar nga ku ishte liruar në vitin 1959. Dëshmitë e rralla të Bedri Çokut që bëri 24 vjet në burgjet e Spaçit, Burrelit e Qafë Barit dhe së bashku me dy vëllezërit, Esatin dhe Çaushin si dhe babanë e tyre, Azemin, vuajtën plot 64 vjet burg në kampet dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke u liruar vetëm në shkurtin e vitit 1991. Kujtimet e Bedri Çokut të përshkruara me mjeshtëri në librin e tij “Kryengritja që tronditi diktaturën”, e cila i kushtohet kryesisht Revoltës së Spaçit në majin e vitit 1973, ku ai si një nga organizatorët kryesorë të saj, hedh dritë për herë të parë duke bërë publike disa ngjarje dhe fakte të panjohura nga ajo revoltë ku u ngrit flamuri pa yllin e kuq të komunizmit, e deri tek puna e tij si Drejtor i Përgjithshëm i Kampeve dhe Burgjeve pas viteve ’90-të, ku ai “arrestoi” shokun e tij të ngushtë, bashkëvuajtësin e kampeve dhe burgjeve të diktaturës dhe e dërgoi në qelitë e ‘Burgut 313’ të Tiranës, ku vuanin dënimin pjesa më e madhe e ish-Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së me në krye Ramiz Alinë dhe Nexhmije Hoxhën.
Kryengritja që tronditi diktaturën
(Bazuar mbi një histori të vërtetë)
“Për të ngritur flamurin, pa yllin komunist, unë shpreha mendimin se, në pamundësi për të gjetur një çarçaf të kuq, të çanim duart dhe, me gjakun tonë, të lyenim copën e bardhë…! I pari që çau dorën me thikë, ishte vëllai im, Çaushi, i dyti Gëzim Medolli, Bedri Çoku, Gjet Kadeli, Ulsi Pashollari, e të tjerë…”
Shpresonim shumë të Sigurimi dhe Bashkëpunimi Europian i cili po realizohej me një shpejtësi marramendëse nën kujdesin e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me të drejtë i gjithë njerëzimi po priste me padurim çastin e madhe historik. Firmosjen për Mirëkuptimin e Popujve të Europës, shteteve demokratike perëndimore dhe atyre komuniste të Lindjes, të cilat vuanin ende nga regjimet diktatoriale, për të vendosur së bashku një rend të ri paqeje dhe bashkëpunimi në botë. Shpresonim se edhe Shqipëria me këtë rast. Do të firmoste në Helsinki këtë Akt për fatet e njerëzimit, si përfaqësuese e kësaj Organizate Politike Ndërkombëtare. Kishim bindjen se vendi ynë edhe pse i pakrahasueshëm me vendet e Lindjes, me hir, a me pahir, do t’i bashkohej Traktatit të Paqes dhe Bashkëpunimit me Europën (OSBE).
Autori
Kryengritja
Ai u shtirë i mallëngjyer, me keqardhje për çka po dëgjonte nga ata dhe u zotua solemnisht se do t’i plotësonte të gjitha kërkesat e tyre, madje nxori nga xhepi i vet dhe një mashtrim të madh, duke pohuar, se koha e gjatë, mbi dhjetë vjet pa bërë asnjë falje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, për të burgosurit politikë, ndoshta mund të ishte një nga arsyet e acarimit, deri në këtë shkallë. U zotua se do t’i propozonte qeverisë të rifillonte faljen për të burgosurit politikë, e cila, sipas tij, ndoshta për shkak të kushteve të krijuara nga rrethimi borgjezo-revizionist të vendit, ishte harruar pa ndonjë qëllim të keq elementi i faljes së tyre nga shtetit shqiptar. Ne lëshuam britma dhe përqeshje, fyerje për “Rrethimin borgjezo-revizionist” që na u bë, duke i kujtuar drejtorit se, ishin falur vetëm të burgosur ordinerë, hajdutë, përdhunues dhe vrasësit për motive të dobëta.
Ai u solidarizua me ankesat e drejta dhe mori përsipër t’i bënte ato probleme serioze në qeveri, ama me kusht që të hiqej dorë nga revolta, të dilej në punë për të realizuar planin e caktuar nga shteti dhe të lejoheshin rojet e shërbimit të brendshëm të ushtronin detyrën e tyre. Ndryshe, ata që nuk do të zbatonin këto detyrime, sipas tij, me siguri që ligji do të vepronte ashpërsisht për sabotimin e shkaktuar nga braktisja e punës dhe moslejimi i funksionimit të policisë së shtetit, në punë dhe brenda në kamp.
U kundërshtua fort, duke thënë se nuk do të dilej kurrë në punë, duke u shprehur të vendosur për vazhdimin e revoltës, deri në realizimin e kërkesave të domosdoshme. Mirëpo, kundra rezistencës ishte “opozita” e kampit, e cila deri tani përbënte shumicën. Ajo u bë shkak që u la i lirë Drejtori i Përgjithshëm të dilte nga kampi, madje duke i lëshuar pe edhe për lejimin e policëve të shërbimit të brendshëm që të vazhdonin detyrën brenda në kamp. Për hir të së vërtetës “opozita” i lejoi policët e komandës të vazhdonin shërbimin në kamp, me kushtin që ata të mos kishin më asnjë punë me Pal Zefin dhe të burgosurit që u përleshën paradite egërsisht me rojet e komandës.
Për Tomor Allajbeun dhe disa të tjerë që vuanin nëpër biruca për arsye të ndryshme, u kërkua nga ana e “opozitës” që t’u hiqej masa e dënimit të mbetur. Por, pa u tharë boja ende e premtimeve, Drejtori i Përgjithshëm, në vend të mbante fjalën e dhënë për kushtet e vendosura me “opozitën”, urdhëroi të futeshin në kamp policët e ardhur nga Rrësheni, për të arrestuar Pal Zefin dhe disa nga të burgosurit që spikatën në përleshjen e paradites. Fillimisht, të parin thirrën në Zyrën Teknike, Syrja Lamen, nga Rëmbeci i Korçës, i cili kishte spikatur dukshëm në përleshjen e paradites. (Zyra Teknike ishte zyra e kryetarit të të burgosurve, i burgosur politik, i emëruar nga komanda, si njeriu që përfaqësonte interesat e të burgosurve dhe të komandës në të gjitha hallkat e ndërsjella).
Syrja Lamen e morën me gjasë se do ta çonin në komandë, për të sqaruar disa gjëra. Në fakt e lidhën me hekura dhe e çuan në birucë. Ndërsa, kur morën Pavllo Popën, nga Shkodra, si një nga më aktivët në përleshjen e paradites, dikush nga të burgosurit, që ndiqte me vëmendje lëvizjet e policëve brenda në kamp, lëshoi kushtrimin për t’u bashkuar të gjithë kundra policëve që po arrestonin Pavllo Popën. Përplasja qe e furishme me tërë forcën e urrejtjes. Edhe pse policët ishin këtë herë më shumë në numër, nga ç’qenë në përplasjen e paradites, të drejtuar nga operativi i kampit, Fejzi Liço, së bashku me oficerët dhe policët e Degës së Punëve të Brendshme të Rrëshenit, përleshja u bë e përgjakshme. U plagosën shumë nga të dyja palët, madje pati edhe të mbetur shtrirë, pa ndjenja.
Pa më të voglin diskutim që fitorja u takoi tërësisht të burgosurve politikë, të bashkuar tashmë me ta, pothuaj më tepër se gjysma e kampit, duke përdorur të gjitha llojet e mjeteve të forta, të cilat i kishin në gatishmëri, kundrejt shkopinjve të gomës dhe bishtave të kazmave, si pajisje që policët përdornin për t’u mbrojtur kundra nesh. Këtë herë ata mezi tërhoqën zvarrë njëri – tjetrin, të lënduar rëndë ose në gjendje krejtësisht të pavetëdijshme. Ikën të mundur duke e dorëzuar kampin, përfundimisht, në duart e kryengritësve…! Një nga dëshmitarët e burgosur, ish-mjeku i kampit, Muhamed Kosovrasti, pasi kryengritja u shtyp barbarisht nga forcat speciale të ushtrisë e të Ndërhyrjes së Shpejtë të policisë së shtetit, në njërën nga seancat e shumta të gjyqit, për ri dënimin e kryengritësve, në Gjykatën Popullore të Rrëshenit, në grupin ku ndodhesha unë, pyetjes së kryetarit të seancës, se si lindi dhe u zhvillua revolta brenda në kamp dhe cilët ishin organizatorët kryesorë, ai iu përgjigj i bindur se po thoshte, para trupit gjykues, një të vërtetë të madhe:
– “E them me përgjegjësinë time të plotë, zoti kryetar’, tha ai, ‘se revolta pati një organizim të përsosur, nga njerëz që nuk njiheshin nga ne, por edhe nga shumë të burgosur të tjerë…”! Kishte të drejtë. Ne kishim secili detyra të përcaktuara. Fadil Dushku, për shembull, Demir Pojani, dhe Dervish Bejko, ishin caktuar me detyrë për të ruajtur të burgosurit që njiheshin si informatorë të komandës, për të mos i lejuar të komunikonin me operativin, matanë telave me gjemba. Si njerëz të dhunshëm ndaj spiunëve dhe imoralëve, shumica e të cilëve strukeshin si minjtë para tyre, faktikisht ata këtë detyrë e kryenin shkëlqyeshëm. Personi i vetëm që u përpoq të komunikonte me komandën, ishte pikërisht mjeku i burgosur, Muhamed Kosovrasti. Ai u kap në flagrancë nga treshja e frikshme, me letrën e fshehur në aparatin e tensionit, gjatë takimit të fshehtë me njeriun e komandës, pranë telave të rrethimit, për t’i dhënë informacion me shkrim se ç’bëhej në kamp dhe cilët ishin njerëzit kryesorë, sipas tij, që drejtonin rezistencën.
Mjeku u përpoq të shfajësohej, me gjasë se aparatin e tensionit e kishin kërkuar njerëzit e komandës, për një rast urgjent, ndërkohë që letrën e shkruar, e përcolli nga frika në stomak…!
E meritoi një të rrahur vënçe, siç dinin djemtë! Ndërkohë, Qemal Demiri nga fshati Vajzë i Vlorës, me shokët e tij dhe Gjokën me mustaqe të mëdha nga Dukagjini, morën detyrën për djegien e stendave dhe të librave në bibliotekën e burgut, bashkë me veprat e Enver Hoxhës e të klasikëve të komunizmit, si dhe të shkrimtarëve të realizmit socialist, në mënyrë që djegia e tyre të bëhej dukshëm dhe ceremoniale, në oborrin e kampit…! Për ta bërë zjarrin më të madh, në këto veprime morën pjesë shumë të burgosur, por ata që u argëtuan me flakët e rritura ishin Fadil Dushku, i kudondodhur dhe Fatmir Llagami, nga Tirana, Xhemal Bali, Gëzim Medolli, Gëzim Çela dhe Sadedin Taipi e ndonjë tjetër, përgatisnin thirrjet me kërkesa që oratorët do t’i shpallnin me zë të lartë, mbi tarracën e pallatit trekatësh drejtuar Fuqive të Mëdha, si Amerika, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Kina dhe OKB-ja, kërkesa, që ata të kthenin kokën edhe nga populli i vogël shqiptar, për t’a shpëtuar nga regjimi çnjerëzor dhe i urryer i komunistëve.
Përgatisnin parulla për t’i hedhur në kor kundra regjimit dhe udhëheqësve kryesorë të partisë e të shtetit, posaçërisht për t’i dëgjuar njerëzit, të cilët vigjilonin armiqësisht përreth kampit. Ngaqë kishim çliruar 2000 metra katrorë nga kthetrat gjakatare komuniste dhe derdhnim pambarimisht parulla dhe mallkime, pushtetarët e Mirditës njëherazi u detyruan të mbushnin transhetë e hapura, rreth e qark nesh, me vullnetarë të armatosur, nga më të besuarit e tyre, për të na pushkatuar sapo të çanim rrethimin e kampit. Drejtuesit e komandës na bënin thirrje të dorëzoheshim sa më shpejt, sepse, ndryshe, deklaronin ata, ndëshkimi do të ishte më i rëndë për të gjithë, sa më shumë të rezistonim. U përgjigjeshim flakë për flakë atyre, duke përsëritur pa pushim parullat tona: “Poshtë Komunizmi” “Poshtë Enver Hoxha, krimineli më i madh në botë” “Rroftë Sigurimi dhe Bashkëpunimi Evropian”, “Rroftë Amerika”, “O Vdekje, o Liri”!
Patëm një rast, lumturisht befasues, të paparashikuar, me djaloshin 23 vjeçar, Skënder Daja, i burgosur i ri, pasi kishte tentuar të arratisej nga Shqipëria në Greqi. Atë e mbanin shokët mbi supe dhe ai u fliste moshatarëve të tij, ushtarëve, nëpër karakollet e rrethimit, por që e dëgjonin, njëkohësisht, dhe njerëzit vullnetarë nëpër transhetë, me fjalë zemre që ata të distancoheshin nga urdhrat e drejtuesve të tyre, kriminelë…! Ushtarëve u tha se kishte qenë edhe ai, si ata sot, në shërbimin e detyruar ushtarak, por u nis për t’u larguar nga Shqipëria, për një jetë më të mirë, pasi në vendin tonë plotësisht sundonte terrori komunist dhe sistemi i tij skllavërues…!
– “Më vjen keq’, u tha ai, ‘se, edhe ju, kur të liroheni nga detyra e shërbimit ushtarak, varfëria ju pret, kërcënimi për në burg, nëse nuk i bindeni ligjeve skllavëruese të shtetit kooperativist. Mos u besoni oficerëve tuaj demagogë, që ju flasin për jetën e njerëzve në Shqipëri, si më e mira e më e lumtura në botë. Besomëni, vëllezër, po të ishte e vërtetë kjo, nuk do të kishte kaq shumë të burgosur e të internuar politikë, nuk do të kishte kufij të rrethuar me tela me gjemba, nuk do të kishte njerëz që presin me orë të tëra në radhë për të marr një litër qumësht, apo disa litra vajguri…! Nuk do të kishte shqiptarë, që mezi ushqejnë kalamajtë…! Mendoni për veten tuaj, kur të liroheni nga shërbimi ushtarak, sa mundësi do të keni në kooperativën bujqësore, ku do të jetoni vetëm me tridhjetë apo dyzetë lekë në ditë, pas një pune të lodhshme e rraskapitëse…! Si thoni, a mund të ndërtoni në këto kushte një familje të lirë e të lumtur, kur fëmijët tuaj do të vuajnë nga uria”?! Fjalët e tij ndërpriteshin herë pas herë nga brohoritjet e bashkëvuajtësve.
Ai foli gati njëzetë minuta, natyrisht i ndihmuar nga shokët që e mbanin mbi supet. Pikërisht thirrja e guximshme e Çupilit, siç e quanin të gjithë në kamp, ngaqë ishte trupvogël, i detyroi njerëzit e komandës të nxirrnin urdhrin e jashtëzakonshëm për të larguar ushtarët nga karakollet. Ata u zëvendësuan menjëherë nga forcat speciale të policisë së ardhur nga dega e punëve të brendshme e Rrëshenit…! Asnjë kokore ushtari nuk u duk më pas fjalimit të famshëm të djaloshit trim, Skënder Daja. Ishte tronditës ky akt, pasi nga çasti në çast atë mund ta gjuanin me plumb, për fjalët e tij që i drejtoheshin ushtarëve dhe njerëzve të armatosur matanë telave, për t’u distancuar nga urdhrat e oficerëve të tyre, kriminelë…! Ose për porositë, kur të liroheshin nga detyrimi ushtarak, që i priste vetëm varfëria dhe kërcënimi për në burg, nëse nuk i bindeshin ligjeve skllavëruese të shtetit kooperativist.
Këto fjalë, mund t’i thoshte vetëm një hero, akti i të cilit, padyshim që do të ndëshkohej një ditë nga plumbat e klikës tradhtare, për të mbetur i paharruar në altarin e dëshmorëve të kombit, për liri e demokraci…! Planin për të liruar me urgjencë shokët që ndodheshin në biruca, e mori përsipër Ulusi Pashollari, një nga aktivistët guximtar, që e tërhiqnin rreziqet, me të cilin u bashkua vullnetarisht edhe Dashnor Kazazi, shok i ngushtë me Skënder Dajën. Të dy këta, pasi u zvarritën nëpër tavanet e kapanoneve, pa rënë në sy të rojeve nëpër karakollë, zbritën në oborrin e birucave dhe i shkallmuan dyert e tyre me leva e sqeparë. Në këtë kohë u pikasën nga policët e rrethimit, të cilët hapën zjarr përnjëherë. Mes krismave të mitralozave dhe fishkëllimave të plumbave, ata i shoqëruan shokët e tyre nga birucat, deri sa të gjithë së bashku, arritën shëndosh e mirë përkëtej telave me gjemba, ku turma e bashkëvuajtësve i kishte shkallmuar dhe i priste në ankth, në oborrin e çliruar…!
Jehona e madhe e britmave tona të gëzuara shpërtheu si kundërpërgjigje e krismave të armëve, përkëtej telave me gjemba, sapo të gjithë mbërritën midis nesh…! Në këto çaste sublime të papërsëritshme, me siguri dora shpëtimtare e Perëndisë ka qenë ajo që shmangu plumbat e mitralozave dhe automatikëve të karakollëve, të drejtuar nga ata që kishin dalë nga birucat dhe vraponin për t’u bashkuar me bashkëvuajtësit e “çliruar”, fatmirësisht pa u lënduar asnjë i burgosur. Ndryshe, qoftë edhe njëri prej tyre, që vraponte drejt oborrit të çliruar, për të shpëtuar kokën, vritej, rrjedha e ngjarjeve me siguri do të kishte marrë tjetër rrugë. Turma tërësisht të ekzaltuar nga vdekja e njërit për bashkëvuajtësve, patjetër do të kishte vepruar flakë për flakë, me mjetet ofensive që ne kishim siguruar, pa marrë parasysh se ç’do të ndodhte më pas, midis nesh dhe atyre që na mbanin të rrethuar…!
Pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm, unë me vëllain tim, Çaushin, të dënuar pa të drejtë për agjitacion e propagandë, po çlodheshim ulur në tarracën e banjave, duke parë zjarrin e madh në mes të oborrit, ku flaka ngrihej në qiell, nga djegia flakë madhe e veprave të komunistëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë. Ndërkohë, ndiqja me sy Luken dhe një pjesë të atyre që vepronin në konspiracion të plotë për të realizuar vendimet e marra. Më bëhej zemra mal teksa I shihja të kënaqur, nga ç’kishim realizuar deri tani. Për çudinë tonë, pranë nesh afrohet, si me përtesë, një bashkëvuajtës, me të cilin nuk njiheshim aq mire, Gjet Kadeli, i cili ishte nga Oroshi i Mirditës, i dënuar rishtas për agjitacion e propagandë, pasi ishte ngrohur pranë zjarrit të madh bubulak, nuk e di pse kishte dëshirë të rrinte në shoqërinë tonë.
Gjeta s’dukej mirë me shëndet. Ai kishte respekt për ne, vëllezërit, për qëndrimin tonë korrekt me bashkëvuajtësit dhe, “të prerë” me ata të komandës, na tha para se të ulej. Ishte i martuar dhe kishte katër djem. Dashamirësisht na tregoi për babain e tij, që ishte arratisur nga birucat e Rrëshenit dhe drejt e në Amerikë. I kënaqur nga ky fakt, megjithatë, na tregoi se, prej shumë vitesh, komunikonte me të atin me anë të letrave dhe vazhdonte të komunikonte edhe pas dënimit të këtij. Madje, nganjëherë, kishte gjetur brenda letrave kartëmonedha pesëdhjetë apo njëqind dollarëshe. I paduruar, nga fakti që Gjeta komunikonte me të atin, e pyeta se sa mundësi kishte ai, në Amerikë, të mësonte për këtë që po ndodhte në këtë burg?! Tha se nuk e kishte idenë, por se do të ishte gjë madhështore nëse shqiptarët e arratisur, do të merrnin vesh ç’po ndodhte në burgun e Spaçit…!
Përgjigjja e tij më flakëroi në çast idenë për të ngritur një flamur mbi tarracën e pallatit trekatësh, për shqiptarët e arratisur që ata të ndjeheshin krenarë për bijtë, nipërit, të njohurit apo të afërmit e tyre, të cilët, me vullnetin e Perëndisë, po flijoheshin për të nxitur interesimin e botës mbarë, për ndihmë, që të çliroheshim nga morti i zi i regjimit komunist. Ai më i tha: “Po. Ke të drejtë. Ata do të gëzohen…”! Me zë të lartë lëshova thirrjen për të përgatitur një flamur, pa yllin komunist. I pari që u afrua tej mase i gëzuar për çka dëgjoi nga goja ime, ishte i kudondodhuri, Lukja i famshëm. Pas tij erdhën dhe të tjerë, Gëzim Medolli, Dervish Bejko, Kostandin Papa, Naim Pashaj, Ulusi Pashollari, Murat Marta, Gëzim Çela, Demir Pojani, Feti Kumanaku, nga Fieri, Elez Hoxha nga Tropoja e plot të tjerë, që u solidarizuan menjëherë për ngritjen e flamurit të Skënderbeut e të Ismail Qemalit… U përplasën mendimet për të gjetur rrobën e përshtatshme, ku do të pikturohej shqiponja me dy krerë.
Unë shpreha mendimin se, në pamundësi për të gjetur një çarçaf të kuq, të çanim duart e me gjakun tonë, të lyenim çarçafin e bardhë. Ky mendim u miratua, madje pati dhe brohoritje. I pari, pa hezitim çau dorën me thikë, vëllai im Çaushi, i dyti Gëzim Medolli, pastaj unë, Gjet Kadeli, Ulsi Pashollari dhe të tjerë. Fatkeqësisht, gjaku në basmën e trashë nuk ngjiti siç dëshironim ne. Fjala, se do të ngrihej një flamur kombëtar, pa yllin komunist, kishte marrë dhenë. Aty për aty, sikur të kishin mbirë nga dheu me dhjetëra njerëz u shpërndanë për të gjetur bezen e Flamurit tonë Kombëtar. Sa hap e mbyll sytë, sollën disa copa me ngjyra të kuqe, por asnjëra nuk u gjend e përshtatshme prej “komisionit” të improvizuar…! Copa e kuqe, bërë për “Flamurin tonë të Kryengritjes”, e cila u pëlqye, ishte mbulesa e një jorgani prej Maqellarës së Dibrës, pronar i së cilës ishte i burgosuri dibran Rexhep Lazëri. Ngaqë mundësinë për të realizuar shqiponjën me dy krerë në flamur, e kishte piktori i komandës, me emrin Robert Morava, i burgosur politik, që merrej vetëm me përgatitjen e parullave dhe stendat e porositura nga komanda, nuk u realizua. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016