Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dëshminë e rrallë të Islam Lleshit, ish-eksponent i Rinisë nacionaliste të Ballit Kombëtar gjatë periudhës së Luftës, lidhur me vrasjen e babait të tij, Muharrem Lleshit më 13 nëntor 1944 nga njësiti partizan me komandant, Halit Tafanin, dhe masakrën ndaj 40 nacionalistëve e intelektualëve të njohur tiranas, të cilët u ekzekutuan në bodrumet e Hotel “Bristolit” pas largimit të gjermanëve nga kryeqyteti…
Aty rreth orës 3 të mëngjesit duke u gdhirë 13 nëntorit i vitit 1944, nga jashtë oborrit të shtëpisë sonë u dëgjua zëri i Telat Kalos, që ishte mhallali i joni dhe njëkohësisht edhe sekretari i Këshillit Nacional-Çlirimtar për lagjen ku banonim ne, i cili thërriti babanë tonë, Muharremin, duke i thënë të dilte se kishte një fjalë me të. Babai u vesh shpejt dhe porsa doli në oborr, akoma pa mbërritur tek Telati, u qëllua me breshëri automatiku nga tre partizanë që ishin fshehur mbas një peme brenda avllisë sonë dhe mbeti i vdekur në vend”. Njeriu që dëshmon është Islam Lleshi, ish-eksponent i Rinisë së Ballit Kombëtar gjatë periudhës së Luftës Antifashiste dhe një nga dëshmitarët okular të masakrave që kryen forcat partizane të “Ushtrisë Nacional-Çlirimtare” të Enver Hoxhës gjatë ditëve kur luftohej për çlirimin e Tiranës në nëntorin e largët të vitit 1944. Këto dëshmi, Islam Lleshi na i ka dhënë pak kohë para se të ndahej nga jeta dhe mes të tjerash ai dëshmonte gjithashtu për herë të parë edhe rreth vrasjes së babait të tij, Muharrem Lleshit, një nga viktimat e shumta të masakrave që kryen partizanët në ditët e para të nëntorit 1944, të cilat në historinë e Shqipërisë njihen ndryshe si “Lufta për çlirimin e Tiranës”. Si qëndron e vërteta rreth kësaj ngjarje dhe a ka pasur vërtet luftë në mes forcave gjermane që ishin instaluar ato ditë në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, dhe partizanëve të Divizionit të Parë të komanduar nga Gjeneral-major Dali Ndreu, të cilit Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare i kishte ngarkuar detyrën e çlirimit të kryeqytetit? Si hynë partizanët në Tiranë dhe si ekzekutuan ata në shtëpitë e tyre me dhjetëra persona, të cilët i kishin në listat që ua kishin dorëzua më parë Këshillat nacional-çlirimtare të lagjeve? Si u krye masakra në Hotelin “Bristol” dhe cilët ishin intelektualët e njohur që u ekzekutuan në bodrumet e atij hoteli?
Marrëveshja e gjermanëve me partizanët për Tiranën!
Lidhur me këto ngjarje, Islam Lleshi, i cili asokohe ishte pjesëtar aktiv i çetave nacionaliste të Ballit Kombëtar, kujtonte: “Aty nga fundi i tetorit ’44, forcat partizane të Divizionit të Parë (me komandant, gjeneral-major Dali Ndreu) që e kishin vendosur shtabin e tyre rrëzë malit të Dajtit, në fshatin Priskë të Tiranës, nuk hynin dot në kryeqytet, pasi gjermanët kishin tre pika kryesore ku ishin instaluar; Një në fshatin Linzë në lindje të Tiranës, një në Komandën e Xhandarmërisë që ishte vendosur aty ku sot është Kryegjyshata Bektashiane, dhe tjetrën në Tiranën e Re. Nga të dhënat që vinin asokohe, thuhej se Komanda Gjermane e cila ishte vendosur aty ku sot është korpusi i Universitetit Shtetëror të Tiranës, po priste forcat e tjera që do vinin nga Greqia, me një autokolonë të gjatë nga Korça për në Tiranë dhe do vazhdonin në drejtim të Shkodrës për t’u larguar përfundimisht nga Shqipëria. Qëllimi i forcave gjermanëve ishte tërheqja e plotë e tyre drejt Berlinit, dhe ata nuk kishin asnjë plan për të luftuar. Ata mundoheshin vetëm që të mbronin rrugëkalimet nga do të tërhiqeshin dhe pikat kyçe, nga mund të goditeshin prej forcave partizane apo dhe atyre nacionaliste. Nisur nga kjo gjë, komanda gjermane që ishte në Tiranë, i kishte dërguar fjalë shtabit partizan të Divizionit të Parë, që të mos i ngacmonte dhe të mos i krijonte probleme, sepse në datën 20 nëntor, ata do të largoheshin përfundimisht nga Tirana. Për të ndërmjetësuar me partizanët lidhur me këto probleme, gjermanët kishin caktuar Petraq Pekmezin (e kishte shtëpinë aty ku sot është lagja “Ali Demi”) i cili asokohe kryente detyrën e përkthyesit pranë komandës gjermane. Pasi gjermanët i tërhoqën dy pikat kryesore të tyre të vendosura në Linzë dhe te Kryegjyshata, partizanët hynë pa luftë deri tek Rruga “Bardhyl”. Pas kësaj shtabi i Mehmet Shehut, u vendos tek shtëpia e Abdulla Qyqes, ku Petraq Pekmezi shkonte e komunikonte rregullisht me ta, sipas porosive që i jepnin gjermanët”. Kështu e kujtonte Islami Lleshi rrethimin e Tiranës dhe marrëveshjen që gjermanët bënë asokohe me krerët e Divizionit të Parë partizan të kryesuar prej Dali Ndreut e Mehmet Shehut, për të mos goditur njeri tjetrin, gjë e cila asokohe u mësua prej Petraq Pekmezit, përkthyesit të gjermanëve.
Masakrat e partizanëve në Tiranë
Si vepruan partizanë me kundërshtarët politikë dhe me familjet e tyre që ata i quanin “reaksionare”, ato ditë të nëntorit 1944, kur hynë në Tiranë? Lidhur me këtë Islam Lleshi tregonte: “Që kur Divizioni i Parë partizan ishte i dislokuar në Priskë, nëpërmjet njerëzve të tyre dhe këshillave Nacional-Çlirimtare që ekzistonin në çdo lagje, ata kishin marrë të gjithë emrat e kundërshtarëve të tyre politikë (kryesisht të Ballit e Legalitetit) dhe familjeve të tyre, të cilat i kishin shënuar në lista të sakta. Kështu pas çdo përparimi që ata bënin në drejtim të qendrës së Tiranës (pas tërheqjes së gjermanëve) duke hyrë nëpër lagje, ekzekutonin të gjithë personat që i kishin në ato lista, të cilat ua tregonin dhe këshilltarët komunistë që tua nxirrnin nga shtëpitë e tyre për t’i ekzekutuar. Këtë gjë partizanët e zbatuan pikë për pikë edhe me familjen tonë nacionaliste, duke na vrarë babanë, Muharremin, sepse në atë kohë unë isha në çetat e Ballit Kombëtar me armë në dorë, dhe vëllai Sulejmani (i diplomuar në Torino për Veterinari) i cili ishte një nga të parët që aderuan me Ballin Kombëtar dhe asokohe gjendej i arrestuar nga partizanët. Kështu rreth orës 3 të mëngjesit duke u gdhirë 13 nëntori i vitit 1944, nga oborri i shtëpisë sonë u dëgjua zëri i Telat Kalos, që ishte mhallali i joni, e njëkohësisht sekretar i Këshillit Nacional-Çlirimtar, i cili thirri babanë duke i thënë që të dilte jashtë, pasi kishte një fjalë me të. Babai u vesh dhe sapo doli jashtë, akoma pa u afruar tek Telati i cili u tërhoq disa hapa më prapa nga vendi ku thirri, disa breshëri automatiku të tre partizanëve që ishin fshehur mbas një peme të avllisë sonë, e lanë babanë të vdekur në vend. Pas kësaj partizanët hynë brenda në shtëpi duke tmerruar nënën Fitneten, dy vëllezërit e vegjël, Njaziun 10 vjeçar (para viteve ’90-të, trajner i famshëm i basketbollit të ekipit “Partizani”) motrën Dylberen 12 vjeçare, dhe Bardhulin 2 vjeçar. Po kështu në shtëpi ishte dhe vajza e kushëririt tone, Fadil Lleshit, (Ikbalja, motra e Mustafa Lleshit, shoku i ngushtë i Kajo Karafilit) partizan, që ishte vrarë në Pezë. Kur partizanët që hynë brenda filluan të bërtisnin duke kërkuar armë, Ikbalia u tha atyre, se në atë familje ishin njerëzit e Mustafa Lleshit. Pas kësaj ata u shtangën dhe njeri nga partizanët që si duket ishte komandanti i tyre, u bëri thirrje të tjerëve që po kontrollonin, duke u thënë: ‘Hajde të ikim’. Të nesërmen në shtëpinë tonë erdhën disa nga të afërmit tanë dhe babain e varrosën në oborrin e mbrapa të shtëpisë, pasi për vetë situatën ku ndodhej kryeqyteti nën breshëritë e armëve dhe bombave, nuk mund të shkonin tek varrezat e Bamit. Njerëzit që vinin në shtëpinë tonë për të nga ngushëlluar, tregonin se ato ditë kudo nëpër Tiranë partizanët kishin vrarë dhe masakruar shumë nacionalistë e intelektualë të njohur. Shtabi i partizanëve me komandant Halit Tafanin, që kryen vrasjen e babait tonë, u vendos aty afër nesh tek shtëpia e Ferit Vokopolës (ish deputet i Zogut) dhe pas largimit të tyre, aty u gjet dhe një listë me personat që ishin pushkatuar ku bënte pjesë dhe babai ynë”. Kështu e kujtonte Islam Lleshi, ngjarjen e vrasjes së babait të tij Muharremit, duke u gdhirë 13 nëntori i vitit 1944
Dhjetëra të ekzekutuar në Hotelin “Bristol”
Por ato ditë të nëntorit të vitit 1944, forcat partizane që kishin marrë detyrë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Enver Hoxhës, për të marrë Tiranën, ekzekutuan nëpër shtëpitë e tyre edhe shumë nacionalistë dhe intelektualë të tjerë të njohur. Lidhur me këtë Islam Lleshi tregon: “Pasi vranë babanë tonë, forcat partizane kaluan bulevardin, dhe ekzekutuan edhe Anton Mazrekun, i cili e kishte shtëpinë jo më larg se 100 m. nga ne, pranë Kinemasë “Rozafat”. Po atë natë partizanët ekzekutuan edhe disa nacionalistë e intelektualë të njohur, si: Aleks Mavraqi, Ismail Petrela, Lluka Xhumari, vëllezërit, Muntaz e Vesim Kokalari, (vëllezërit e Musine Kokalarit),gazetarin e njohur Nebil Çika, një grua mirditore që quhej Dila (pronare e një pijetore) dhe disa të tjerë të cilët i kishin arrestuar ato ditë dhe i mbanin të lidhur në bodrumet e Hotelit “Bristol”(ku sot është Muzeu Kombëtar). Masakra që komunistët kryen në hotelin “Bristol” ishte e fundit në Tiranë, sepse pas asaj dite e deri me largimin e gjermanëve, nuk u ekzekutua asnjë nacionalist apo person tjetër në kryeqytet. Thuhet se urdhri për ndalimin e masakrave ndaj nacionalistëve erdhi nga Enver Hoxha, i cili asokohe ndodhej në Berat bashkë me qeverinë provizore në pritje për të ardhur në Tiranë. Lidhur me këtë, në kujtimet e tija (seria e veprave) Enveri shkruan:‘Kur ishim në Berat më erdhi në zyrë me një frymë Sejfulla Malëshova dhe më tha: Enver në Tiranë po vrasin oficerët. Ky është gabim i madh se ata do na duhen nesër kur të ngremë pushtetin’. Unë i thashë nëse e fliste me përgjegjësi atë gjë’, shkruan Enveri në kujtimet e tij. Nga sa shihet edhe prej debatit që Enveri ka bërë me Malëshovën, ai mund të jetë frenuar dhe ka dhënë urdhër që të ndaloheshin ekzekutimet e nacionalistëve në Tiranë. Nga ky urdhër i shpëtoi jeta edhe Osman Kazazit, kur në mëngjesin e 13 nëntorit partizanët shkuan për ta ekzekutuar në shtëpinë e Dem Xhepës (tregtar i njohur që kishte financuar komunistët dhe mik i ngushtë i Myslym Pezës). Partizanët i kërkuan Demës që t’ua dorëzonte Osmanin, por ai duke i pasur krahët e nxehta nga miqësia me parinë e komunistëve, rezistoi e nuk e nxori duke u thënë se do ua jepte të nesërmen. Dhe vërtet Dema e nxori të nesërmen Osmanin duke ua çuar partizanëve të cilët nuk e pushkatuan, si duket pas urdhrit që kishte dhënë Enveri”, kujtonte Islam Lleshi rreth vrasjeve që partizanët bënë ndaj nacionalistëve ato ditë nëntori të vitit 1944 dhe masakrën në bodrumet e Hotelit “Bristol”.
Në Tiranë nuk u luftua
A ka pasur luftë në mes forcave partizanëve dhe atyre naziste gjermane në qytetin e Tiranës në nëntorin e vitit 1944? Lidhur me këtë, Islami Lleshi kujtonte: “Që nga fundi i tetorit e deri në datën 17 nëntor 1944, kur gjermanët u larguan përfundimisht nga Tirana, nuk ka pasur fare luftë në mes tyre dhe partizanëve. Gjithë ato ditë jeta në kryeqytet ishte krejt normale, tepër e qetë dhe funksiononin rregullisht të gjitha aktivitetet tregtare në të gjitha zonat e Tiranës si në qendër të saj, ashtu dhe në periferi. Edhe kur partizanët e Brigadës së Parë u afruan nga periferitë e kryeqytetit dhe kontrollonin gjithë zonën Lindore të Tiranës, deri tek Rruga “Bardhyl”, gjermanët rrinin lirisht pa asnjë lloj problemi, në Hotel”Dajti”, (ku ishte rezidenca kryesore e tyre) në Tiranën e Re dhe gjatë gjithë bulevardit kryesor nga stacioni i sotëm i trenit e deri tek korpusi qendror i Universitetit Shtetëror të Tiranës, ku asokohe ishte vendosur komanda gjermane. Ajo situatë e qetë që mbretëronte ditën, ndryshonte krejtësisht natën, ku dëgjoheshin krisma bombash dhe breshëri armësh pothuaj në të gjithë Tiranën. Kjo gjë vinte sipas një plani që kishin bërë më parë partizanët të cilët kishin urdhëruar komunistët dhe ilegalët që ishin në qytet, që të qëllonin gjithë natën kot në ajër, me qëllim që popullsia e kryeqytetit të kujtonte se po bëhej luftë e madhe dhe se po vinin partizanët për t’i çliruar. Pasi gjermanët u tërhoqën nga Rruga “Bardhyl” për në qendër, ku instaluan vetëm një tank në një gropë të madhe tek sheshi “Skënderbej”, partizanët përparuan pa shkrepur asnjë armë dhe u afruan deri aty ku sot është Estrada e Tiranës. Aty ata ngritën një barrikadë të gjatë me fuçia dhe mjete të ndryshme, duke e bllokuar krejt bulevardin. E vetmja luftë që është bërë deri më datën 13 nëntor në Tiranë, në mes partizanëve dhe gjermanëve, është ajo për marrjen e bunkerit (tankut) që ishte vendosur në qendër të Tiranës. Kjo gjë është më se e vërtetë dhe në mënyrë absolute luftë tjetër nuk ka pasur gjatë gjithë atyre ditëve që propaganda komuniste prej vitesh ka pretenduar se është bërë luftë e madhe për çlirimin e Tiranës. Le të dalë një familje tiranase dhe të thotë se ato ditë ka parë ndonjë partizanë të vrarë brenda kryeqytetit. Nuk është aspak e vërtetë se 134 partizanët e Brigadës së Parë u vranë për çlirimin e Tiranës. Ata janë vrarë në rrethinat e në fshatrat e kryeqytetit, si: Sauk, Selitë dhe në Laprakë tek Fusha e Aviacionit, në përpjekjet për të hyrë në qytet. Vetëm gjatë tërheqjes së tyre nga Rruga e Kavajës dhe ajo e Durrësit më 17 nëntor, gjermanët ekzekutuan tek tuk ndonjë person nga popullsia civile, vetëm pasi ata u goditën me armë. Këtë gjë gjermanët e bënë pasi më parë kishin lajmëruar tërheqjen e tyre dhe se po të goditeshin, do të hakmerreshin. Kurse ndërtesat e shkatërruara në qendër të Tiranës, kryesisht rreth e rrotull sheshit “Skënderbej”, etj, nuk janë prishur si rezultat i ndonjë lufte, por nga bombardimet e aviacionit aleat anglo-amerikan, të cilët qëllonin kundër forcave gjermane kudo ato ndodheshin”. Kështu shprehej Islam Lleshi lidhur me ato ngjarje të largëta të vitit 1944, të cilat në historinë e Shqipërisë njihen si “ditët për çlirimin e Tiranës”, duke këmbëngulur se nuk ka pasur asnjë lloj lufte në mes partizanëve dhe gjermanëve brenda qytetit. Për të cilat propaganda e regjimit komunist për gati gjysëm shekulli me radhë i ka bërë jehonë të madhe duke thënë se: ‘Është luftuar shtëpi më shtëpi dhe rrugë më rrugë, ku gjaku është derdhur rrëke’. ‘Gjaku që u derdh në rrugët e Tiranës në ato ditë, ishte ai i 40 intelektualëve nacionalistë, të cilët u ekzekutuan nga forcat partizane në bodrumet e hotel “Bristolit” dhe rrugëve të Tiranës”, e përfundonte dëshminë e tij Islam Lleshi, ish-eksponent i Rinisë së Ballit Kombëtar, babanë e të cilit, komunistët e ekzekutuan pa asnjë shkak në pragun e shtëpisë së tij duke u gdhirë 13 nëntori i vitit 1944./Memorie.al
Lista e të ekzekutuarave në Tiranë nga njësite partizane
- Abdulla Saraçi
- Muharrem Liku
- Hamit Greblleshi
- Muntaz Kokalari
- Vesim Kokalari
- Syrja Kokalari
- Azis Blloshmi
- Muharrem Lleshi
- Akil Sakiqi
- Nazmi Uruçi
- Hasan Dine
- Bajram Cuka
- Boris Beleski
- Fahri Dabulla
- Faik Shkupi
- Ismail Petrela
- Jusuf Allamani
- Jorgji Mema
- Jakup Deliallisi
- Mehmet Dado
- Kapllan Deliallisi
- Shefqet Deliallisi
- Anton Fekeçi
- Rifat Tërshana
- Petraq Pekmezi
- Selman Ali Korça
- Aleks Mavraqi
- Selman Shqefni
- Minella Kotokoci
- Ndue Pali
- Selim Brahja
- Selim Kelmendi
- Nebil Çika
- Lluka Xhumari
- Rakip Kalenja
- Ali Panariti
- Subi Topulli
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016