Nga Caf Jonuz Çulaj
Memorie.al/ Mbas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipnin u vendos diktatura komuniste. Vendi i ngjante një burgu shumë të madh. Brezi kufitar ruhej natë e ditë nga ushtarët, policë e vullnetarë të detyruem. Ma vonë ai u rrethue me tela.
Të pakënaqunit nga sistemi në fuqi, të shumtë qenë ata që mësynë kufinin për të gjetë shpëtim në pjesën tjetër matan kufinit tonë. Një pjesë patën fat, të tjerët gjetën vdekjen për këtë shkak. Banorët që jetonin buzë kufinit, shpesh ndigjonin krisma armësh. Të nesërmen merrej vesh se ishin vra dy vetë, se një tjetër qe plagosë e zanë rrob, se dikush kishte arritë me ikë.
Banorët buzë kufinit shihnin edhe makinat e Degës së Punëve të Brendshme që shkonin e vinin të alarmueme ose kamionë të ngarkuem me njerëz (pleq, plaka, gra, fëmijë) e plaçka që merrnin rrugën drejt fshatrave të veçuem në thellësi të vendit, e që ishin të caktueme për internimin e këtyne familjeve. Ma shumë se gurë piramidash, do të ishin lapidarët që duhej t’u kushtoheshin të vramëve në kufi.
Më 18 gusht 1950, në vijën e kufinit me Jugosllavinë, vargut të gjatë të të vramëve, i’u shtuen dy burra malësor të një shtëpie. Qenë babë e djalë, Pjetër Zef Çulaj dhe Ndrekë Pjetër Çulaj, nga fshati Zagorë i Shkrelit të Malësisë së Madhe.
Pjetri u lind në 2 nantor të vitit 1885 në një familje shumë të varfën. Ashtu vorfnisht i kaloi 65 vitet e jetës së tij, sepse kishte pak tokë e pak bagëti, kështu që bukën e siguronte tue pune dyerve të fshatit. Gjendja ekonomike e keqe nuk qe pengesë që të ishte bujar ashtu siç janë zakonisht malësorët.
U edukue në familje me ndjenjën e atdhedashurisë, i ati i kishte tregue për qendresën në vitet 1878 – 1880 të popullit tone, për mbrojtjen e tokave shqiptare nga synimet të Knjaz Nikollës. (Ai kishte marrë pjesë në luftën për mbrojtjen e Hotit e të Grudës në pranverën e vitit 1880).
Në vitin 1910, me ardhjen e Turgut Pashës, i cili kërkonte çarmatimin e popullsisë, por ai nuk e dorëzoi. Në vitin 1911, me shpërthimin e Kryengritjes se Malësisë së Mbishkodrës në kërkim të autonomisë së Shqipërisë, ai nxorri pushkën e fshehun e luftoi kundër ushtrisë turke, në Rrasat e Fikut, në Sukat e Mosketit, e së fundi edhe në Deçiq.
Shqipnia në vitin 1912 fiton Pavarësinë e ai i kthehet punëve të shtëpisë, por jo për shumë kohë. I duhej me mendue që të mbrojë atë pak pronë, nga kërkesat e ushtrisë austro-hungareze (1916 – 1918) për ushqim. Pikëllohet kur këta të fundit, varrin në territorin e fshatit disa lohjanë, sepse kishin kundërshtue grabitjen sistematike të pushtuesit.
I duhet me e çue edhe një herë në kambë që të mbrojë prap tanësinë tokësore të vendit, sepse më 1920 jugosllavët kërkonin Shkodrën. Si e tanë Malësia dhe Shkreli u rreshtue në frontin e luftës. Ai dërgoi 148 vullnetrë nën komandën e bajraktarit e të Kanto Marashit. Pjetri ishte në mes tyne. Vendi mbrohet e kufinjtë ruhen.
Në vitin 1922, i lindi djali, të cilit e quajti Ndrekë. Vitet kalojnë e ai zgjanon horizontin nëpërmjet bisedave që bante me priftin e fshatit Dedaj, Dom Nikoll Gazullin. Ndër të tjerat, ky i fundit i spjegoi se çfarë ishte komunizmi. Nën ndikimin e tij, ai u ba antikomunist e i tillë mbeti.
I bashkohet Lëvizjes Antikomuniste të Koplikut në janarin e vitit 1945-ës, por detyrohet të kthehet në shtëpi, sepse lëvizja u shtyp dhe shumë u arrestuan.
Në këto kushte e rrethana, në vitin 1950, kur marrëdhëniet në mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë ishin të keqsueme, ai me djalin po bënin plane për emigrim. Pjetri kishte besim se po të shkonte në Perëndim djali i tij, Ndreka, që ishte i ri dhe i fuqishëm, do të mund të punonte e të ndihmonte familjen.
Nuk qe e lehtë që të dy babë e bir të mësynin kufinin, tue lanë mbrapa familjen. Mbas disa orë udhëtim mbrritën vijën e kufinit, i duhej me kalue lumin e Cemit. E kalojnë e sapo shkelin në territorin jugosllav, qëllohen nga kufitarët shqiptar. Nga këto të shtëna djali Ndreka vritet dhe vdes, kurse Pjetri plagoset, kjo i shkaktoi atij verbërimin dhe nga dhimbja e madhe e humbjes së djalit ai ndërron jetë në dhe të huaj./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016