Nga Dom Zef Simoni
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Studimi i Dom Zef Simonit
Filluan të bëheshin disa shërbime të fshehta në qytet e ishte rasti kur ndonjë arsimtar e nëpunës thirret meshtarin që e njihte në orët e vona të mbrëmjes për t’iu gjetë të sëmurit që kishte në shtëpi, e me atë rast rrëfeheshin e kungoheshin edhe ata.
Pëshpëritej se brenda pak vjetëve do të mbylleshin kishat e të gjithë institucionet fetare të të gjitha besimeve. Dilshin shkrime nëpër gazeta e libra të urrejtshëm, fanatikë, aq të deformuem, me sharje, fyerje, pa mujtë kush t’i jepte përgjigje, se nuk kishte liri as fjale, as shtypi. Liri kishte vetëm me folë e me shkrue keq. Takimet e Imzot Ernest Çobës në Kryeministri ishin ma të rralla. Ia paraqiste nëpunësit këto shqetësime që kishte Kisha, por ai rrinte pa za. Aprovime për shugurim meshtarësh të ri nuk vijshin në këtë fazë të tretë.
Në vjetin 1965 qe thirrë Imzoti në Kryeministri dhe lajmnue me urdhën të premë që të rrallohej ramja e kumbonëve. Vetëm një kumbonë mund të binte në ditët e dielle e festa të urdhnueme në qytet e fshatë. Jo në mëngjes, as në drekë, as mbrëmje. Kumbonët fort të bukura të qytetit të Shkodrës nuk dëgjoheshin ma.
Nisi grabitja me takt e kishave. Pranë kishës së Jezuitëve dhe asaj të motrave Stigmatine në Shkodër, ishin kuvendet përkatëse, por ishin marrë nga shteti në vjetin 1946, për t’u përdorë si konvikte për rininë. Tash duan të marrin edhe kishat. Në gjysmën e muajit nëntor të vjetit 1965, Mons. Çoba thirret herët në mëngjes, ora 8 të paradites, në Këshillin e Organizatës së Frontit të rrethit Shkodër, kryetar i së cilës ishte Xhemal Dini.
Ishin prezentë të gjithë pjesëtarët e Këshillit, disa vetë. I’u njoftua Imzotit se do të dorëzoheshin dy kishat e Shkodrës, ajo e Jezuitëve dhe ajo e murgeshave, mbasi ‘ato janë pranë konvikteve tona, e rinia nuk kishte të bënte afër kishave’. Ata në fillim morën me dhunë kuvendet, tash lypin patjetër edhe Kishat. Qytetit po i binte hije e zezë e populli shqetësohej fort se ishte mësue të rriste shtatin, mendjen e zemrën me jetën fetare pranë atyne kishave e rinia katolike, djem e vajza t’i kishte të vetat.
Tash po jetonte dhunë e shtypje. Mons. Çoba shkoi në Kryeministri për t’u marrë vesh për këto kishë të marruna. Përgjigjja e nëpunësit ishte kjo: “Tash nuk mund t’u përzihemi rretheve në punët e tyre”. Kisha e Jezuitëve, mbasi u muar nga shteti, u përdor si sallë për shfaqje kukullash, kurse ajo e motrave Stigmatine, u quajt sallë e “Klubit të Rinisë”, që do të përdorej ma vonë, sallë mbledhjesh dhe sallë për gjyqe kundër meshtarëve.
Me 26 prill të vjetit 1966, ditën e Zojës së Këshillit të Mirë, që kremtohej në Shejtnoren, bri Kështjellës Rozafat, ditën e festës, një repart ushtarak nuk lejoi kategorikisht Ipeshkvin, që kishte shkue te Kisha, të celebronte Meshën e festës, ora 10, para një populli të madh. Preteksti i jashtëm ishte se do të hapej prej ushtrisë një tunel për bri kishës, e shkaku i brendshëm se do të mbyllej për disa ditë kisha e shpejt Shejtnorja e rëndësishme fetare dhe kombëtare në Shqipni.
Natën e Rëshajve të këtij vjeti, u thirr Imzoti në Komitet Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës. Kryetari i Komitetit, Bilal Parruca, i njoftoi Imzotit që krezmimet të bëheshin në kishë e jo fshehtas në Pallatin e Arqipeshkvisë, sikurse vërtetë Imzoti kishte caktue t’i bënte për disa persona që kishin kërkue nga frika. “Nuk asht nevoja’, tha kryetari: ‘Besimi asht i lirë”.
Qëllimi ishte që shteti të dinte se kush do të merrte pjesë në krezmime. E vërtetë, për ketë punë, ishin organizue grupe të ndryshme për të kontrollue krezmimet. E ditën e Rëshajve, grupet e caktueme, i kapshin për krahu fëmijët të veshun mirë. Por fëmijët u ikshin dhunuesve. Ishte dredhi komuniste me forma të këqija orientale. Komunizmi ka avitë e veshë me pushtet, në përgjithësi, myslimanët.
Ngjarjet vijshin tue u randue njena mbas tjetrës. U mbyll një kishë në Shalë, tue largue me njëherë fratin, Atë Shtjefen Pistullin. Ditën e Shën Kollit, me 6 dhjetor disa të rij e persona të pushtetit, larguan me zhurmë jezuitin, Atë Anton Lulin. I thanë Padres: “Nuk duam kishë, merr plaçkat tuaja personale e ik prej këndej. Kishën duam ta kemë shtëpi kulture. Ketë e ka në dorë populli e rinia”. Shifeshin qartë shenjat e para të ngjarjeve të reja.
Natën e Krishtlindjeve, në Shkodër, Kisha e Madhe ishte e mbushur me popull, si përherë, por lajmohej se në qytet e fshat do të bahet në orët e vona të kësaj nate, punë vullnetare me goditje të përqendrueshme. Janë nisë në Koplik për hapje kanalesh nën tingujt e bandës së qytetit të Shkodrës.
Në vjetin 1966, Lin Biao në Pekin nxiti një lëvizje fort të re, me karakter ashpërsie e dhune kundër çdo kulture, veç asaj proletare e që do të merrte emrin “Revolucion Kultural”. Edhe në Shqipni, vjeti 1967 do të ishte ai i këtyre ngjarjeve të idhta, duke u pshtjellue mbarë Shqipnia. Nisi edhe ndër ne “Revolucioni Kultural”.
Me datën 6 shkurt 1967, në mbledhjen e disa organizatave të Partisë në Tiranë, Enver Hoxha jepte sinjalin e madh të këtij revolucioni, të një lufte të furishme “kundër zakoneve prapanike e paragjykimeve fetare”, e cila do të shtrihej në të gjitha skajet e atdheut tonë me të njëjtin intensitet e tërbim. Revolucioni kultural kinez u bë edhe yni, me një luftë të brendshme me goditje të përqëndrueme, kundër të gjitha religjioneve në Shqipni e posaçërisht kundër Kishës e Klerit katolik.
Kur në vjetin 1945 Mehmet Shehu bënte një vizitë në shtëpinë e Jezuitëve në Tiranë, gjatë atij takimi tha: “Ne jemi kundër klerit reaksionar dhe i zhdukim armiqtë tanë, por, megjithëse jemi ateistë, ne respektojmë klerikët e mirë dhe lirinë e besimit e ndjenjat e besimtarëve”. Atë Pjetër Meshkalla që dëgjoi aty këto fjalë, përgjegji: “Në se ju do të jeni në pushtet (një shprehje kjo fort e guximshme dhe e rrezikshme me vu në dyshim ekzistencën e pushtetit popullor), do të vijë koha të rrënoni kishë e xhami, e do të persekutoni keqas ndjenjat e besimtarëve”.
Kjo periudhë me fillimin e revolucionit kultural në Shqipni, do të kishte si karakteristikë të veten, jo vetëm vazhdimin e persekutimit të klerit në një formë të re, në atë të demaskimit të personave klerikë, publikisht, me mbledhje, të quajtura të gjana popullore, por kryesisht dhunën ndaj ndjenjave të besimtarëve, që dominojshin në Shqipni.
Kjo shkëndijë që u ndez “kundër zakoneve prapanike e paragjykimeve fetare”, ishte e mjaftueshme për t’u bë flakë e madhe ditën e 7 shkurtit, kur nisën të dukeshin fletë-rrufetë, në ngjasim të dacibaove kineze e me vazhdue kjo flakë djegëse e zhuritëse për sa e sa vjet si një ferr tokësor i kjahmetit shqiptar. Qyteti i Durrësit pa grupet e të rinjve, të verbuem, të cilët shkatërruan Shenjtoren ortodokse të Shën Vlashit. U formue një shtab i përgjithshëm për mbarë Shqipninë, nën udhëheqjen e Ramiz Alisë, i cili gjendej ato ditë në Shkodër.
Me datën 15 shkurt 1967, ora 10, në të gjitha dyert e kishave e të xhamive dhe në vendet e afishimit u panë në qytet “Fletë-rrufetë”, shpikje kineze, prej grupeve të disa të rinjve e të rejave, ma tepër të rij konviktesh. Çka nuk thuhej nder ata: “Ka luejtë rol reaksionar feja”, “asht qendra e obskurantizmit Vatikani”, “Klerikë, Populli i’u bën thirrje të dorëzoni kishat, qelat e çka të keni”, “Mjaft keni gënjye”, “Përqafoni punën dhe fitoni bukën me djersë të ballit”. “Mjaft keni mashtrue”, “Populli nuk ju do”. “Rinia nuk ju do”
Lagjet, fshatet, çdo fshat e malësi, qytetet, kryeqyteti gjithkund tërbim se kishte zehrin e klasës. Klerikët vijshin nga fshatet e malësitë. Lajmojshin ipeshkvin. Imzoti kërkoi një takim në Kryeministri. Telefonat nuk jepeshin përgjigje. Kërkoi disa herë brenda atyre ditëve. Por ata nuk përgjigjeshin.
Të dielën e afërme, me 19 shkurt, nuk u lejua të celebrohet mesha e orës 10. Me urdhën mbyllet Kisha Katedrale. Në ndërmarrjen e Ujnave të Shkodrës, provokohet një mbledhje e gjanë, ku thirret Mons. Ernest Çoba, ndihmës famullitarët Dom Mark Hasi e Dom Kolë Shkoza. Imzoti foli si duhet e si i përkiste me qartësi mbi Zotin e Kishën. Pasdite hapet Kisha e Madhe, mbasi nuk u muar asnjë vendim prej popullit, e një popull i madh mbushi kishën në Meshë.
Ditët rëndohen fort, Imzotin e thërrasin në Komitetin e qytetit. E lajmojnë së bashku me provincialin e françeskanëve, Atë Agustin Ashikun, i thirrun dhe ai në Komitet, që të lirohen brenda ditës dhomat françeskane e materialet e tyre të dërgohen te Kuvendi i Françeskaneve, te Arra e Madhe, duke u lanë vetëm dy dhoma. Në këtë ndërkohë, në Pallatin e Argjipeshkvisë kishte ardhë një komision prej 15 vetash nga Komiteti Ekzekutiv.
Ndër ta kishte dhe oficerë të Sigurimit, të cilët morën çelësat e pallatit e të gjitha dhomave, duke lajmue që personat banues në argjipeshkvi të vijshin për të marrë plaçkat e veta personale e plaçkat e tjera të argjipeshkvisë do të dërgohen te Kuvendi i Arrës së Madhe. Dy ditë vazhdoi të barturit me kamionët e shtetit, se vetëm ky i kishte. Kjo ngjau nga data e 24 shkurtit deri me 26.
Mbledhjet vazhdojshin të ishin fort të idhta në çdo lagje. Ka britma e frikë. E ndiheshin zërat çjerrëse të disave nëpër mbledhje. “Kisha, kleri ka shfrytëzua popullin. Feja e ka lanë mbrapa e në errësinë. Duam mbylljen e institucioneve fetare”.
Të shtunën e parë të muajit mars, me datën 4 mars 1967, mbyllet Kisha Katedrale e Shkodrës. Mbetën ende Kisha e Fretënve të Gjuhadolit dhe ajo e Zojës Rruzare te Arra e Madhe. Popull i madh rruante atëherë te këto dy kishë e vijoshin edhe nga fshatet për të marrë Sakramendet e Shenjta, e ndër ata shumë e shumë të rij. Me datën 15,16,17, mars, u banë lutje të veçanta nga kleri, duke u ekspozue dhe Eukaristia në Kishën me dyer të mbyllura të Zojës Rruzare.
Ditën e shtunë, me 18 mars, në zyrën e Këshillit të Frontit të Arrës së Madhe, para një komisioni të Frontit, me elementë edhe të partisë dhe të Sigurimit, u thirren gjatë paradites një nga një meshtarët, rreth 20 vetë. Kërkojshin prej secilit që meshtarët t’i bijshin mohit zyrës së tyre meshtarake. Asnjë nuk pranoi. E ndonjeni që u kishte shërbye Frontit e pushtetit, u tha: “Këtu nuk jemi me ju”. Mbasdite i dëbuan të gjithë fretent që banojshin në kuvend, edhe françeskanin plak të mbetun, Atë Çiril Canin, që nuk dinte çka ngjante.
Imzot Ernest Çoba, me një taksi u çue në shtëpinë e së motrës e të nipave. Një popull i madh e përcillte me lot nder sy dhe shumë i tronditun për këto ngjarje. Me datën 19 mars, ditë e dielë, Dita e Shën Jozefit dhe e Larit (e Palmave), nuk ndihet asnjë tingull kumbonte e nuk gjendet asnjë portë kishe e çrlur në qytet.
Mbyllja e Kishës në Lezhë do të kryhej me një organizim të djallzuem, me 26 mars, ditën e Pashkëve. Komiteti i Partisë së rrethit, duke pasë sekretar partie, sigurim të shtetit, polici të madhe, organizata të frontit, të rinisë, nxënës të shkollave, shumë popull me detyrim, në oborrin e Kishës së Kuvendit Françeskan shpallën “Kuvendin tre brezave të Lezhës”, duke lexue një vendim në emër të popullit, në 15 pika, me anë të të cilave kërkojshin mbylljen e të gjitha kishave e qitjen fare të besimit katolik me meshtarë e besimtarë. Atë ditë fillojshin aksionet e çmenduna, me rrëzimin e kumbonares së kishës së lashtë françeskane.
Ditë tjera rrafshohen kumbonaret dhe kishat kudo në Shqipni, si Shejtnorja e Zojës së Këshillit të Mirë, bri kështjellës Rozafat, Kisha Katedrale e Shkodrës, që për pak muaj u caktue si muzeum, por shpejt fillojshin punimet për ta shndërrue, në vjetin 1968, në pallat sporti. Kisha Françeskane e Gjuhadolit u bë sallë kinemaje, Shejtnorja e Shnandout në Laç të Kurbinit qe rrënue e krejt zona bahet kamp ushtarak, që të mos lejojë popullin të shkonte te vendi i shenjtë për devocion.
Kisha e vogël me vlerë artistike në Laç të Vaut të Dejës, vepër e shekullit XIII, kishë me afreske dhe e shpallun monument kulture, ku sa herë kishte shkue dhe heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti, për t’u lutë, u rrënue plotësisht me dinamit. Shumë kishë të tjera u shndërruan në salla kulture, salla gjyqi, magazina e në stalla bagëtish e derrash. Vërtetë disa kishë nuk u rrënuen, por edhe ma keq se ata, u dhunuan.
Kishin mbetë pa u mbyllë kisha e fshatit Sheldi me priftin, Dom Pjeter Grudën, pak ditë mbas Pashkëve, Kisha e fshatit Delbinisht, me famullitar Dom Anton Doçin, vdekë në burg. Kjo Kishë u mbyll e fundit, ditën e Rrëshajve të vjetit 1968, për arsye se populli kishte marrë çelësat e kishës, e nuk ia dorëzonte organizatës së frontit e të rinisë. E kur ata dojshin ta shpërthejshin me forcë derën e kishës, populli e kryesisht gra, dilshin me lopata e sëpata për t’i pengue. Kisha e “Zemrës së Krishtit” e Tiranës, me Imzot Ndoc Sahatçinë, u mbyll me 29 qershor 1967.
Ti, o Atdhe, i vramë përnjëherë, pushofsh në paqe. Vetëm në një ditë të ‘Te Deum’ e në një Alleluja të Hendelit’ mund të ringjallesh.
Meshtarët u detyruan të merrshin pjesë në punë të rënda, si në ndërmarrjen e tullave, në fermë e ndërtime, por për pak kohë, pse shumica u arrestuan për të dytën o të tretën here, e dërguan nder burgjet e rënda, si ai i Spaçit, ku do të punojshin ndër minierat e bakrit e të piritit. Do të zhdukeshin gati të gjithë meshtarët, që të mos shiheshin ata në popull e nga populli, pse një prift i paburgosun ishte për komunistët një kishë e madhe e hapun.
Me një kontingjencë që pat Shqipnia në pragun e hymjes së komunizmit, mbi 170 meshtarësh, të cilët, gati të gjithë, kaluan ndër tortura e provuan jetën e burgjeve, me 31 meshtarë të pushkatuem, dy prej të cilëve ipeshkvij, e dy vdekë në burg. Të vdekun ndër tortura 8 klerikë, të mbytun pa gjyq. Vdiqën pak kohë mbas torturash e burgjesh 2. Vdekë në burgje e kampe shfarosëse 19 të tjerë. Të burgosun, mbi 70.
Të Premtën e Madhe, me 24 mars të vjetit 1967, dy ditë para Pashkëve, aq të dhimbshme për ne, për popullin e krishtenë, nëpër lagje katolike u futen nder shtëpia grupe fëmijësh nga organizata e pionierit, për të kontrollue gjendjen e pastërtisë, si kohë pranvere, por qëllimi kryesor ishte me iu referue qendrave të informacionit me anën e fëmijëve se ku kishin gjetë ndër familje se bëheshin ëmbëlsira e ngjyheshin vezë të kuqe e mos shiheshin nëpër dhoma rruzare, kryqa, fugure.
Një ngjarje kjo kaq e ulët dhe e shëmtueme, që kërkonte t’i degjenerojë fëmijët, duke e prishë shpirtin e fëmijëve me vesin fort të keq të denoncimit e të spiunazhit. Herë mbas here, sidomos nder fshate, bëhej kontroll deri në arkat e grave mos janë fshehë figure e materiale të tjera fetare. Njerëz të caktuem survejoheshin afër shtëpive të ndryshme për të dëgjue, kur thohej Rruzarja e Zojës në mbrëmje ndër familje, o mos të dëgjohej stacioni i radiove të huaje e sidomos ai i Radio-Vatikanit, në gjuhën shqipe. /Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016