Nga Caf Jonuz Çulaj
Memorie.al/ Me që njeriu ka vetëm një jetë, ai përpiqet ta ruaj atë. Për Mark Tomën e Reçit, sigurisht që jeta asht e çmueshme, por në qoftë se ajo vihet në shërbim të familjes, fisit, bajrakut, popullit është detyrë. U lind në Reç në vitin 1897, në një familje fisnike e atdhetare dhe aty mori edukimin e tij, pasi nuk pati mundësi që të shkollohet.
Si shtëpi e madhe, ajo priste e përcillte figura të shqueme të kohës dhe Marku u njoh me të gjithë ata. Njohu Kolë Maçin e Hotit, Smajl Delinë e Lohes, Kanto Marashin e Shkrelit e shumë të tjerë, malësorë e qytetar. Prej tyne mësoi shumë. Ishte fetar dhe atdhetar. Ndigjonte me vëmendje predikimet e priftërinjve, sidomos për komunizmin dhe çfarë përfaqësonte ai.
Ai nuk dinte të shkruante, por dinte mirë se çfarë po ndodhte në Rusinë bolshevike, apo në Spanjë. U brumos kështu me ideologjinë antikomuniste. Fati i keq deshti që kjo farë të mbillej në Shqipni dhe në sajë të ndihmës jugosllave, e me bekimin e shteteve të mëdha, të triumfonte në vendin tonë.
Regjimi totalitar u vendos në Shqipni, e Mark Toma e dinte mirë se si do t’i vinte halli i popullit që në gusht të vitit 1943, ai qe dënue me vdekje nga shtabi i batalionit partizan “Perlat Rexhepi”, por nuk qe ekzekutue ky vendim, sepse Mark Toma kishte influencë të madhe në popull, e për pasojë partizanët do të diskreditoheshin.
Por erdhi dhjetori i vitit 1944, kur në Shqipni kishte mbarue lufta (apo siç thonin komunistët, ajo ishte e çlirueme), dhe një brigadë partizane, dislokohet në Reç. Komanda e kësaj brigade, në bazë të udhëzimeve të dhëna nga Komiteti Qarkor i Partisë Komuniste të Shkodrës, kërkon dhe gjen Mark Tomën. Pasi e kapën e lidhën dhe e çuan në shtëpinë e një fshatari, ku mbas torturave të shumta, lajmëruan fshatarët që të grumbulloheshin në orën katër pas dite, në qendër të fshatit, për të ekzekutuar atë “kriminel”.
Befas vjen urdhni nga Shkodra, që brigada partizane urgjentisht të kalonte kufinin, e të vihej në ndjekje të gjermanëve në tokat e Jugosllavisë. Nga nxitimi, Marku, gjysëm i vdekun u harrue. Partizanët u larguan, Marku shpëtoi, më vonë ai me shaka do të thonte: “Më kishte dënue robi, por jo Zoti”. Por nuk përfundoi këtu, pas kësaj s’prove ai përballet me të njëjtat sfida. Më 28 qershor të vitit 1948, një grup policësh të drejtuem nga krerët të Sigurimit të Shtetit, sulmojnë Malësinë, e në veçanti Reçin dhe aty arrestohen 14 burra, nga më nacionalistët.
Siç duket, listat qenë hartue me kujdes. U arrestuan këta 14 burra dhe mes tyre dhe Mark Toma. Të gjithë u akuzuan se: kishin formue organizatën reaksionare “Shqiponja me dy krenë”, e cila do të organizonte një kryengritje, për të përmbysur pushtetin popullor. Ai bashkë me të akuzuarit e tjerë, u mbajtën në hetuesi për një vit, ku katër prej tyre mbetën të vdekun nga torturat, ndërsa të tjerët u liruan.
Në vitin 1950, Marku shpallet “kulak”, ç’ka do të thoshte se ai do të izolohej edhe nga bashkëfshatarët dhe i merret e gjithë pasuria. Në vjeshtën e vitit 1958, tre mysafir trokasin në derën e tij, ishte Nderim Kupi, me nanën e motrën e tij. Pas darke, Nderimi i kërkon ndihmë Markut, që ta përcjellë atë me familjen në Jugosllavi, sepse ishte në rrezik të madh. Për Marku kjo nuk ishte e lehtë, sepse mos suksesi e shkatërronte përfundimisht jetën e tij dhe të familjes së tij.
Kishte dy rrugë: të denonconte në Degën e Punëve të Brendshme të ardhurit, e më këtë gjest do të afrohej me shtetin e do t’i hiqej emri i “Kulakut”, apo të shkelte zakonet e malësorëve, të të parëve të familjes, ku besa e malësorit ishte gjëja ma e çmueme? Pas mesnate, Marku u priu miqve, kaluen Lohen, Shkrelin e Kastratin, e u futën në Hot. Trokitën në shtëpinë e Nikollë Dajanit, shok i ngushtë i Nderimit e mik i Markut. Ai u tregue i gatshëm që t’i përcillte për në Jugosllavi. Si u tha u bë. Miqtë shpëtuan, por Sigurimi arriti me e marrë vesh. Nuk vonoi dhe makina e tipit “Gaz 69” që tmerronte njerëzit, u ndal të shtëpia e Markut.
“Në emën të popullit, je i arrestuem” – i deklaroi duke i vue prangat.
S’ishte hera e parë, Marku tashmë ishte i mësuem dhe me qetësi e ironi u drejtohet policëve: “Kur patët kohë me e pyet popullin, me më vue hekurat”?! Hetuesit nuk i’u durue dhe i thotë: “Ah, dhelpna plak, këtë herë nuk do të shpëtosh”. Marku i’a ktheu: “Oh, punë e kollajtë, unë kam hall me gjykatësin e qiellit, se ata të tokës nuk janë problem”.
Prap tortura dhe morri dënim me vdekje. E futën në dhomën e izolimit dhe priste qetësisht që të vinin e ta merrnin për ta pushkatue, gjithmonë me besim te Zoti.Rastisi amnistia me rastin e Ditës së Flamurit, e ai përfitoi, me që ishte mbi 60 vjeç, u lirue përfundimisht. Jetoi edhe 30 vite me besim te demokracia, të cilën e shijoi vetëm pak kohë. Vdiq në vitin 1991, i nderuem nga të gjithë. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016