Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të studiuesit italian, Ciriaco de’ Pizzicolli nga Ankona, një nga zbuluesit e parë të qytetit antik të Butrintit i cili në vitin 1453 kaloi natën e Krishtlindjeve aty, ku mbeti i mahnitur edhe prej mureve madhështore të asaj qyteze dhe ai pati edhe një meritë tjetër, pasi mblodhi të dhëna e dokumente, të cilat edhe sot përbëjnë një vlerë të paçmueshme. Historia e panjohur e asaj qyteze, që nga antikiteti e më pas, në vështrimin e studiuesit italian, Pellegrino di Sestieri, i cili u mor gjatë me zbulimet e Ugolinit dhe me trashëgiminë kulturore të shqiptarëve dhe në studimin e tij me titull “Antica Albania nelle ricerche archeologiche”, (Shqipëria antike, nën rrënojat arkeologjike”), i cili u botua në revistën “DRINI” që nxirrej në vitet 1939-1943 nga Enti Kombëtar i Turizmit në Shqipëri,midis të tjerash ai shkruan: “Në këtë libër të vogël gjithçka tregohet me një lehtësi e bukuri gjuhësore shembullore; asht një libër që nuk u drejtohet vetëm specialistëve por masës së popullit; i drejtohet si italianit të cilit ai ka dashtë t’i njohi sa ai ka ba si përfaqësues i arkeologjisë italiane; e si edhe lexuesit shqiptar, i cili në këtë vepër të shkruese e të lexueshme shumë lehtë, merr njoftim mbi pasurinë arkeologjike kombëtare të vet”.
Para disa vitesh, si rezultat i një pune të madhe kërkimore të bërë nga ekspedita e përbashkët arkeologjike shqiptaro-angleze, e drejtuar nga bashkë drejtorët, prof. Richard Hoges dhe prof. Ilir Gjipali, nga nëntoka e qytezës antike të Butrintit u zbulua dhe doli në dritë edhe një tjetër gjurmë arkeologjike. Sipas studiuesve dhe arkeologëve të ndryshëm, ai zbulim arkeologjik mendohet të jetë forumi, apo qendra romake e atij qyteti antik, gërmimet e të cilit kanë nisur që prej dekadës së dytë të shekullit të kaluar, nga arkeologu i famshëm italian, profesor Luixhi Maria Ugolini dhe më pas u vazhduan nga bashkëpunëtori i tij i ngushtë, profesor Piero Marconi. Sipas shumë specialistëve dhe studiuesve të arkeologjisë, zbulimi i fundit në qytezën antike të Butrintit, përveçse e pasuron “inventarin” e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë, do t’i japë më shumë vlera asaj qyteze edhe nga ana e turizmit kulturor, duke bërë që ajo qytezë të bëhet edhe më tepër objekt pelegrinazhi nga të huajt. Por, zbulimi i para disa viteve në Butrint nga ana e ekspeditës shqiptaro-britanike, ashtu sikurse dihet tashmë, nuk është nga të vetmit e kësaj natyre. Atij i janë paraprirë edhe mjaft zbulime të tjera, që në dekadat e para të shekullit të kaluar, kur dhe filluan gërmimet e para aty nga ekspedita italiane, e cila kishte lidhur një sërë marrëveshjesh me qeveritë shqiptare të asaj kohe. Por për një tablo më të qartë dhe më të hollësishme për gërmimet dhe zbulimet e bëra në Butrint, na njeh një studim i bërë nga studiuesi italian, Sestieri, në vitin 1941, i cili hedh dritë mbi historinë antike të asaj qyteze të famshme, si dhe për punën e madhe e zbulimet që bëri aty për afro dy dekada, arkeologu i famshëm italian, prof. Luixhi Maria Ugolini. Këtë studim të italianit Pellegrino di Sestieri, me titull “Antica Albania nelle ricerche archeologiche”, (Shqipëria antike, nën rrënojat arkeologjike”), i cili u botua në revistën “DRINI” që nxirrej në vitet 1939-1943 nga Enti Kombëtar i Turizmit në Shqipëri, Memorie.al po e publikon duke mos bërë asnjë ndryshim nga teksti origjinal i shkruar në atë kohë, ku vetëm nëntitujt janë redaksional.
“Shqipëria antike, nën rrënojat arkeologjike”
Pizzicolli, arkeologu i parë italian në Shqipëri
Ky volum u shkrue në vjetin 1928 prej të mirë-njohurit shkencëtar e arkeolog Ugolini. Ndonëse shkrimi ka një datë mjaft mbrapa, dhe ndonëse në këtë kohë dhe sipër zbulimet arkeologjike në Shqipni janë shtue në një masë shumë të dukshme, tue shtue pasunin monumentale të vendit, libri në fjalë ka një rëndësi aktualiteti. Fillon me një shënim mbi veprën e Humanistave të Rilindjes Italiane, të cilët qenë themeluesit e arkeologjisë. Ndërmjet ktyne vendin e parë për vjetërsi e zen, Ciriaco dei Pizzicolli nga Ankona. Ky qe një nga më të parët studjoz të vjetër që u sjell nga Shqipnia ku tue u kthye shpesh herë, qiti në dritë vende të pa njoftuna deri n’të kohë e që të cilat; në kohët e vjetra ishin të rëndësishme; përveç këtij veprimi pati edhe një meritë shumë të madhe në të mbledhurit e disa dokumenteve të cilat sot janë të një vlefte të paçmueshme; gjithashtu Pizzicolli mblodhi dhe kopjoi disa mbishkrime që sot janë humbun.
Pizzicolli në 1435-ën në Butrint për Krishtlindje
Në vjetin 1435 ky kaloi natën e Krishtlindjeve në Butrint të cilin e pëlqente për së tepërmi për ato mure madhështore dhe për madhnin e tij të kaluame. Për një koincidencë kureshtëse, ky qytet, që ishte zbulue prej një italiani (Pizzicolli), mbas pesë shekujsh heshtje e harrimi, zbulohet prej një tjetër italiani, Ugolini. Ky më 1924 ndoqi atë rrugë që Pizzicolli pat ndjekë në kohën e vet në Shqipni. Qëllimi i këtij udhëtimi ishte zbulimi i antikiteteve arkeologjike, studimi i qytetërimit ilirik, dhe lidhja e këtij qytetërimi me tokat e tej-Adriatikut, e ma në fund, studimi i monumenteve klasike dhe i gjurmëve të lanuna nga Roma. Në këtë libër të vogël gjithçka tregohet me një lehtësi e bukuri gjuhësore shembullore; asht një libër që nuk u drejtohet vetëm specialistëve por masës së popullit; i drejtohet si italianit të cilit ai ka dashtë t’i njohi sa ai ka bë si përfaqësues i arkeologjisë italiane; e si edhe lexuesit shqiptar i cili në këtë vepër të shkruese e të lexueshme shumë lehtë, merr njoftim mbi pasurinë arkeologjike kombëtare të vet. Ugolini sidomos nuk kufizohesh nën vëzhgimin e thjeshtë dhe të thatë të sendeve e shkrimeve historike por rindërtonte jetën e të vjetërve dhe mirkuptue qëllimet bujare të misionit të tij shkencor, i kanë dhanun gjithmonë ndihmat ma të mëdhaja dhe të mundshme, tuj i lejue që të lidhi atë marrëveshjet arkeologjike italo-shqiptare, e cila nuk ishte njohja e parë italiane e kërkimeve në Shqipni, por dhe një peng bujar e i sinqertë për miqësinë që lidhte dy Kombet e Adriatikut. – Ugolini të cilin unë e njihja fare mirë, sepse kishte punue në kohët më të vështira të jetës së tij-dashuronte sinqerisht Shqipërin. Dëshira ma e madhe e tij ishte që të vleftësonte Shqipërin në fushën e studimeve dhe kërkimeve shkencore, e me anë të mundimit të tij si kërkues me i tregue botës bujarin e tokës shqiptare. Kërkimet me karakter prehistorik që ai bani, i dhanë provën praktike t’asaj që kishte mendue. Ardhja e illyrëve në Shqipëri konsiderohet prej Ugolinit fillimi i epokës protohistorike nga e cila nuk kemi dokumenta të mjafta e të qarta për shkak të njoftimeve t’ona të pamjaftueshme mbi Shqipnin, të cilat tuj ndjekë shembulli e ndritur të treguese nga i ndyeri Ugolini, me kërkime e gërmime ma të mëdhaja, do të plotësohej që edhe qytetërimi illyrik të njihet aq mirë sa njihen qytetërimet grek e romak.
Varrezat e vjetra të gjetura në Koman
Një provë e pamjaftueshmënis së njoftimeve t’ona na jepet nga varrezat e Komanit, sendet zbukuruese të vorreve të së cilës megjithëse i përkasin pjesës ballore e zbukuruese protohistorike, kronologjikisht i përkasin një periudhe shumë ma të vonshme; kështu ato nuk na japin veçse një tregim të thatë të qytetërimit që përfaqësojnë. Asht një fenomen tipik pseudo-arkaizmi i cili tregon se disa fise illyrike që banonin në mes malesh vazhduan të përdorin sende prehistorike edhe kur në vendet e tyre kaluen legjionet romake; e në të vërtetën e disa varreve të Komanit kanë datë absolute shekullin III e V mbas Krishtit; sepse përveç materialit thjeshtësisht illyrik, aty janë gjetun edhe monedha romake të kohës së vonshme të perandorisë, e sende të tjera që lejojnë me datue të shekullit III ose V-të të gjithë pajisjen e varrit. Me plot arsye Ugolini thotë se ky fakt tregon nji shpirt besnikërie që takohet jo vetëm në Shqipërinë e Veriut, por edhe në atë të Jugut. Në vërtetim të kësaj, paraqet dy shembulla skulpture që përfaqësojnë fytyra femërore njena prej këtyre nji bust i Fingjës nga koleksioni “Vlora”, e tjetra asht përmendorja e famshme që sot fatkeqësisht ka humbur, e mbiquajtur “Vasha e Vlorës”. Që të dy këto vepra, të punuara, e para në periudhën romake dhe e dyta në atë greke, tregojnë besnikërinë e personave që aty janë përfytyrue me veshje illyrike me gjithë që në të asht paraqitun edhe moda e mënyra e veshjes e sjellun prej grekëve. Sot këto shembulla nuk janë ma të vetmet, sepse dy të parave i kam shtue edhe tre të tjera e padyshim nga gërmimet e tjera do t’arrihet me pasun edhe të tjera akoma. Këto skulptura tregojnë se illyrët banoshin edhe në Shqipërinë e Jugut, sikurse asht provue edhe nga zbulimi i fibule-ev i tipit illyrik në Feniki (bëhet fjalë për Finiq-in, shënimi ynë), dhe në Butrint.
Libri i Ugolinit, me rëndësi për shqiptarët
Libri i Ugolinit ka një rëndësi të madhe për shqiptarët, sepse jo vetëm asht një libër i shkruem për me ilustrue antikitetet e Vendit, ose për me i tregue një itinerar turistik personave inteligjente, por sepse vërteton, në bazë të dokumenteve që arkeologjia i ka dhanë autorit, se populli shqiptar ka unitetin e vet ethnik dhe se raca e tij asht një nga racat ma të vjetra t’ Europës. Tue pa se në vende të ndryshme takohen të njëjtat gjurma, mund të arrihet sigurisht në vërtetim se në të gjithë këtë tokë, në një kohë të caktueme banoi një popull i vetëm. Ugolini vën në dukje lidhjet ndërmjet illyrëve dhe banorëve të Italisë jugore. Arkeologjikisht, glotologjikisht asht provue edhe s: përveç dëshmitarëve të tjera të traditave letrare, një pjesë e illyrëve duke kaluar Adriatikun emigroi në Italinë e jugut ku dhe gjeti kushte kulture ma të mira dhe ma të përparueme. Këto njoftime vërtetohen edhe nga legjendat. Kështu Plini tregon se edhe Peuçeci me 9 vajza illyriane u martuan dhe prej ktyne lindën 12 fise të Puglies. Simbas Erodotit, Euganejt e Venedikut ishin prej fisi illyrian, e ma në fund simbas Apianit, i qyejtuni Illir ishte biri i Polifemit, ciklopi siçiljan që banonte nën malin Etna, të Siçilis. Studimet glotologjike të bazueme toponamstikë dhe onomastikë japin edhe shumë prova të tjera mbi marrëdhëniet e këtyne dy vëndeve; por natyrisht Ugolini në një vepër me qëllim përhapjeje nuk mundet me u thellue në veçorina shkencëtore e kështu asht kufizue me tregue, e me përmend vetëm legjendat që janë gjithnjë të dalin nga populli e që pak a shumë e kanë një themel saktësie. Nga ana tjetër nuk duhet me u habitë sepse banorët e Shqipnis së Vjetër janë kthye e kanë kalue në Itali sepse detin që ndan asht i ngushtë sa që mjaftojnë disa orë lundrimi e prandaj në vend që të funksionojë si nji mjet ndamjeje, shërbente si udhë e marrëdhënies. Mbi afërsinë e Italis edhe Virgjili në dy rreshtat që po riprodhojmë flet mbi udhëtimin e Eneut: “Provehiunur plago virna ceramica iuxta mide iter Italian / carsusqyenbrevissimus midis”. Një libër përhapjeje sikur natyrisht nuk mund të kufizohet në një periudhë të vetme historike e në të vërtetën, libri në fjalë përmbledh edhe periudhën klasike e mesjetare ashtu si shohim edhe titullin e volumit “Antica Albania nelle richerche arceheologiche”. Këto kërkime janë drejtue në të gjitha fushat periudhave kufi e nga ana tjetër janë spjegue me një qartësi të çuditshme.
Zbulimet, dëshmi e marrëdhënieve kulturore me Italinë
Mbasi përmend kolonizimin e ekorinthiave-korifiotëve të Pojanit e të Durrësit e mbasi vëren se këto dy qytete jo vetëm janë themelue prej kolonuesave, kalon dhe shqyrton artin tuj vrejt se edhe për periudhën greke, vërtetohet ajo që asht vërtetue në epokën e më parme protohistorike, d.m.th. vazhdimi i marrëdhënieve kulturore me Italin. Tue përshkrue një votiv të Vlorës, ku përfytyrohet një hyjni e ulur në fron që merr nji dhuratë nga një njeri, shënon karakterin e saj shumë të stërhollët dhe të përngjashme me tavoletrat e Locer-it e Epizefiri të Kalabrisë si për subjektin ashtu dhe për artin e tyre. Gërmimet tue qenë se ishin porsa të fillueme në kohën kur u shkrue libri, Ugolini nuk paraqet shembulla të tjera të përgjashme, ndërsa sot na njofim shumë të tjera që provojnë gjithnjë e ma mirë ma shumë marrëdhëniet e mira e kulturore ndërmjet dy Vendeve të Adriatikut; ndërmjet atyre ma karakteristike janë stelat e Pojanit, mënyra e zbukurimit e së cilës rrjedhin ma tepër nga qyteti italian Taranto; të tjera rrjedhje nga tavoletat e Locri-t përmbahen nga tavoleta të njëllojta të Durrësit. Merita ma e madhe e Ugolinit asht ajo se kuptoi me njëherë me gjithsej kishte në dispozicion pak shembulla, ekzistencën e marrëdhënieve artistike ndërmjet qytetërimeve të vjetra shqiptare e italiane.
Zbulimet e qyteteve ilire
Në fletët e bukura të librit të arkeologut të ndyer, nji mbas nji në një film kalojnë përpara syvet të lexuesit qytetet e motshme greke e illyriane: pranë Plloçës, identifikimi i të cilit u propozue nga Patsch-i, u vërtetue definitivishjt nga ai vetë me ndërmjetësi të një studimi të kujdesëshëm; Lissos, themelue nga sirakuzanët pranë Leshit, Byllys, në Gradishtë, pranë Hekalit, Avloa (Vlora); Orichum (Pasha Liman); Chimara (Himara); Panormos (Porto Palermo); Butrotum (Butrinti); Phoeniche (Feniks); Orchesums (Saranda); Scodra (Shkodra); Bassania (Plana o Bëdhana). Në një mënyrë të veçantë thellohet ma tepër në tregimin e atyre qyteteve që janë zbulue ose që janë qitë në dritë për hir të studimeve të tija; Feniki e Butrint. Asht shumë interesant me lexue faqet që flasin mbi identifikimin e Feniks; këtu përsëritet mallëngjimi i zbulonjësit i cili i kureshtun prej një gjaje që gjindet në majën e kodrës shkon atje nalt dhe aty e konstaton se ishte fjala për një rreth muri, një nga më të forta që Epiri njifte; mbi të cilat ishte rritë një dafinë “larurus-nobilia”, si shenjë madhështije mbi shkretëtirat e një qyteti të vjetër. Përshkrimi i gërmimeve dhe i përmendoreve të zbulueme, na jep një mendim mjaft të qartë të punimeve të kryeme, megjithë se nuk përmend veçoritë dhe karakteristikat e çdo njenit prej tyne ashtu si ka ba po ky autor në librin e vet “L’akropoli di Fenice”, gja krejt natyrale me që ky botim ishte një libër shkencor. Veçanërisht interesante asht tempulli i vogël që për gjasin (ngjashmërinë, shënimi ynë), e tij analoge me të shenjtorëve ma të famshëm të Greqisë, quhet “Thesauros”, i ndërtuem afërsisht në shekullin e IV para Krishtit, në kohën bizantine, u kthye në një baptister sikurse e provon ena për kungimin mbrenda në ujë e “kolumbithria”, e cila u përdorte prej të krishtenëve në kohë të vjetër e që sot përdoret nga orthodoksët. Por kazma-ja e pamëshirëshme nuk qiti në dritë vetëm vepra greke, por edhe gjurmat e Romës u kërkuen, u gjetën dhe u qitën në dritë. Kështu u zbuluen dy depozita të madha uji, nji banjo dhe disa ambiente publike. Në fushën artistike gërmimet qitën në dritë reliefa dhe skulptura të kohës greke si dhe të kohës romake. Veçanërisht interesant ka qenë gërmimi në varreza nga të cilat u nxorrën sende illyriane e greke, përveç atyre romake e ndërmjet dhjetave një mbishkrim relativ me një sirakuzjan i cili sigurisht do të kishte pasur nvanë vend në qytet. Përveç epokës klasike kërkimet janë shtye edhe për epokën prehistorike e për kohën bizantine, e për të dyja këto kohra janë nxjerrun dëshmira mbi jetën e qytetit, ose s’pakut asht mundun me pasë ndonjë send tjetër që i përket periudhës prehistorike.
Programi i Ugolinit për kërkimet në Shqipëri
Programi i Ugolinit si Kryetar i Misjonit Arkeologjisë Italjane ishte me ba kërkime në vende të ndryshme të Shqipnis, e për këtë arsye mbas dy fushatash gërmime të kryeme në Feniki (Finiq, shënimi ynë), në vjetin 1926 dhe në 1927, më 1928, transportoi çadrat e tija në Butrint. Në periudhën në të cilën u shkrue ky libër, gërmimet e Butrintit ishin akoma në fillimet e tyre, por n’atë kohë ishin pasë qenë zbulue shumë përmendore e një sasi skulpturash të mjafta me rëndësi. Me një entuziazëm të vërtetë Ugolini, përshkruen një portë të madhe në muret e qytetit, forma e të cilit është e njajtë me ato që Homeri i atribuon portësë Shea të qytetit Troja; gjetësi nuk dyshoi se edhe këtu ishte fjala për Portën Shea të Trojës së Re, e këndyeme rishtaz prej Virgjilit e pikërisht kët emën i dha. Sikurse edhe ai vetë shkruen në parathanjen e librit të tij të botuem mbas vdekjes së tij mbi Butrintin (L.M. Ugolini: “Butrinto mito di Enea, gli scavi”, Roma 1937), autori përpara rrënimeve të këtij qyteti që puna e dhe vullneti i tij e qitën në dritën, me përsëritjen e rreshtave të Virgjilit, provoi një mallëngjim të njajtë me atë që ndie Schilemann i cili i fryemzue nga rreshat e Homerit kishte zbulue Micenën, e pasun në ar dhe vorret e Artrideve; në të dy këto veprime, besim i njajtë qe ai që i shtyni për me gjetë një gja të vetme. Njeni prej gërmimeve ma të interesantëshme e ma shumë prodhonjëse qe ai që u ba në fund të një muri madhështor romak, i dekoruem me harqe e llonxhe e cila në një kohë të parë u mendue se ishte fjala për një llixhë publike – kur gërmimet e shtynë ma andej – u konstatue se s’ishte fjala për skenën e theatrit, ku u gjetën edhe ma shumë skulptura ndërmjet të cilave ma e vlefshmja asht pa dyshim ajo që mori edhe një famë të madhe, asht me emnin “Hyjnija e Butrintit”, e cila ndonëse nuk asht vepra e Praksitelit sikurse u pat qenë mendue në fillim, asht nji vepër shumë e bukur dhe e dalun nga dora e nji nga ma të afërtit të shkollës së tij.
Zbulimi i Baptisterit
Nja tjetër zbulim që meriton të përmëndet, asht Baptisteri. Në një pjesë tjetër të librit Ugolini tregon ngjarjet historike ndërmjet të cilave Roma, që në fillim u shtërngue të luftojë kundra illyrianve sepse ishin bashkue këta me maqedonasit, mbasi mundi në betejën e Pidnës maqedhonasit në vjetin 168 para Krishtit u ba aleatja dhe mbrojtsja e tyre. Ndërsa grekët pushtojshin brigjet e detit dhe themelojshin limane tregtare, romakët shtyheshin në vende edhe ma të mbrendëshm, e tue ndërtue rruga, përmendore etj, e çdo vepër tjetër arti. Ndërmjet veprave publike përmendet Via Egnatia, arteria rrugore e përmendun me dy degë që fillofshin në Pojan e Durrës bashkoheshin në Clodiana (Peqin) tue kalue nëpër Skampa (Elbasan), tue vazhdue deri në Selanik në shek. e IV mbas Krishtit, po në këtë shekull arrijti deri në Konstandinopël. Tue vazhdue në përshkrimin kronologjik të vepravt të vjetra në Shqipëri, shohim monumente të ndryshme bizantine ndërmjet të cilave ma me famë kisha e Mesopotamit pranë Fenikit, plot me vepra të Rëndësishme. Tue vazhdue librin, shohim edhe gjurma të veprave venecjane. Kështjella, rruga, limane, ura-sjellëse dhe vepra të randësishme publike të tjera. Libri përfundon me lavdërimin edhe kujtimin e heroit kombëtar, Skënderbej dhe luftat e tyre kundra pushtuesit; luftë dhe gjestet e të cilit trashëguen nga i gjith populli shqiptar. Librit i shtojnë një randësi edhe më të madhe, fotografitë e ndryshme që ilustrojnë volumin e që janë ba nga dora e vetë autorit.
Mosmirënjohja!
Pas vitit 1945 e deri më sot, asnjë vlerësim për zbuluesit e Butrintit, vetëm Mbreti Zog i ngriti monument Ugolinit në Butrint
Ashtu sikurse dihet tashmë, gërmimet e para në qytezën antike të Butrintit e kanë zanafillën në dy dekadat e para të shekullit të kaluar, kur qeveritë shqiptare të asaj kohe lidhën një sërë marrëveshjesh me qeverinë italiane, e cila kishte të bënte me ardhjen në Shqipëri të një misioni arkeologjik italian, i cili do të kryente studime dhe gërmime arkeologjike në Shqipëri. Ekspedita e parë italiane që erdhi asokohe në vendin tonë në kuadrin e kësaj marrëveshjeje me qeverinë italiane, ishte ajo që kryesohej nga Luixhi Maria Ugolini, një prej profesorëve të famshëm të arkeologjisë italiane, i cili ishte mjaft i njohur edhe në qarqet akademike evropiane. Ekspedita e tij në Shqipëri, (apo më saktë misioni arkeologjik italian në Shqipëri) zgjati për më shumë se një dekadë (nga fillimi i viteve ’20-të deri në fillimin e viteve ’30-të) dhe gjatë asaj kohe arkeologu i famshëm italian në gërmimet e tij bëri një sërë zbulimesh me vlera të mëdha jo vetëm në Butrint, por edhe në Apoloni, Pojan etj. Përveç gërmimeve arkeologjike, Ugolini bëri dhe një sërë studimesh për Shqipërinë, të cilat i botoi në atë kohë në disa libra. Por ai nuk mundi ta çonte deri në fund punën e tij në Shqipëri, për shkak se humbi jetën nga një sëmundje e malaries në fillimin e viteve ’30. Punën e veprën e Ugolinit e çoi më tej, bashkëpunëtori i tij i ngushtë, profesori tjetër italian i arkeologjisë, Piero Marconi, i cili punën që kishte nisur së bashku me Ugolinin në vitet ’20, e vazhdoi deri në vitin 1938, kur dhe ai humbi jetën në një aksident ajror në Itali, ku ishte duke udhëtuar për arsye të punës në Shqipëri. Por puna, mundi, djersa dhe gjithçka tjetër që Ugolini dhe Markoni dhanë për Shqipërinë e pasurinë arkeologjike të saj, janë lënë në harresë, duke u mbuluar nga pluhuri i kohës. Duke përjashtuar Mbretin Zog, i cili, veç të tjerash, i ngriti dhe një monument të madh Ugolinit në Butrint, (por që u prish pas ardhjes së komunistëve në pushtet), nga viti 1945 e deri më sot, asnjë vlerësim tjetër nuk është bërë për ta, si nga shteti shqiptar, ashtu dhe nga studiuesit, historianët e specialistët e arkeologjisë shqiptare. Madje jo vetëm kaq, por gjatë viteve të regjimit komunist, ata konsideroheshin si vjedhës të veprave dhe monumenteve të arkeologjisë shqiptare. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016