Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet një dokument që i përket vitit 1945, me fjalën e kryemnistrit të qeverisë shqiptare të asaj kohe, gjeneral-kolonel, Enver Hoxhës, të mbajtur më datën 3 dhjetor të atij viti gjatë një konference shtypi me gazetarët e huaj në një nga sallat e Hotel “Dajti”. E gjithë fjala e Enver Hoxhës ku ai si fillim, pasi falenderoi gazetarët e huaj për pjesmarrjen e tyre në “atë ditë të shënuar të popullit shqiptar”, më tej shtoi: “Dëshira jonë ka qenë që korrespondentë të huaj të vijnë dhe të konstatojnë vetë se ç’është bërë këtu me luftën heroike të popullit shqiptar. Ne dëshirojmë dhe besojmë që ju do ta sqaroni opinionin e përbotshëm përsa ngjet te ne dhe ju lutem të jeni objektivë, të mos shtoni as të pakësoni mbi sa keni parë këtu”.
“Ju falemnderit që erdhët të asistoni në këto ditë të shënuara për popullin shqiptar. Dëshira jonë ka qenë që korrespondentë të huaj të vijnë dhe të konstatojnë vetë se ç’është bërë këtu me luftën heroike të popullit shqiptar. Ne dëshirojmë dhe besojmë që ju do ta sqaroni opinionin e përbotshëm përsa ngjet te ne dhe ju lutem të jeni objektivë, të mos shtoni as të pakësoni mbi sa keni parë këtu”. Kështu u shpreh mes të tjerash kryeministri, gjeneral-kolonel Enver Hoxha në konferencën e shtypit me gazetarët e huaj më datën 3 dhjetor të vitit 1945, vetëm një ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve për në Kuvendin Popullor, që ishin dhe të parat që mbaheshin pas mbarimit të Luftës.
Në përfundimin e zgjedhjeve të para të pasluftës që u zhvilluan në 2 dhjetorin e vitit 1945, që faktikishit nuk ishin zgjedhje të lira pasi mungonin kandidatët jashtë Frontit Demokratik, rezultoi se kryeministri i qeverisë shqiptare, gjeneral-kolonel Enver Hoxha, i cili njëkohësisht mbante edhe funksionet e Kryetarit të Kryesisë së Frontit Demokratik, Ministrit të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, kishte marrë më shumë vota kundër, nga të gjithë kandidatët e tjerë. Në fakt, Enveri vinte i dyti në listën e 108 kandidatëve të Frontit Demokratik për votat kundër, pasi në vend të parë me më shumë vota kundër, ishte Ollga Plumbi, e cila nga 18,242 votues në zonën e saj në Tiranë, kishte marrë 2.269 vota kundër, Ndërsa Enver Hoxha nga 17.564 votues që kishte zona e tij elektorale në Tiranë, (ku konkuronin edhe Abdyl Këllezi, Gogo Nushi, Beqir Balluku dhe Ollga Plumbi) 2.151 votues kishin votuar kundër tij. Këto rezultate pasi u bënë publike nga Komisjoni Qëndror i Zgjedhjeve i kryesuar nga Kryetari, Andrea Sahatçi dhe Sekretari Andrea Nathanaili, u botuan edhe në gazetën Bashkimi, organ i Frontit Demokratik që udhëhiqej nga Partia Komuniste e kryesuar nga Enver Hoxha. Sa më sipër, Memorie.al ka publikuar një seri shkrimesh me historikun e zgjedhjeve në Shqipëri që nga 21 prilli i vitit 1921 kur u mbajtën zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri, ndërsa në këtë shkrim përmbyllës të ëktij cikli, po japim fjalën e kryeministrit, gjeneral-kolonel, Enver Hoxhës të mbajtur në konferencën e shtypit para gazetarëve të huaj më 3 dhjetor të vitit 1945, në një nga sallat e Hotel “Dajti”, ku kishte selinë e saj qeveria komuniste e drejtuar prej tij.
Fjala e Enver Hoxhës e mbajtur në konferencën e shtypit me gazetarët e huaj në Tiranë më 3 dhjetor 1945
Ju falemnderit që erdhët të asistoni në këto ditë të shënuara për popullin shqiptar. Dëshira jonë ka qenë që korrespondentë të huaj të vijnë dhe të konstatojnë vetë se ç’është bërë këtu me luftën heroike të popullit shqiptar. Ne dëshirojmë dhe besojmë që ju do ta sqaroni opinionin e përbotshëm përsa ngjet te ne dhe ju lutem të jeni objektivë, të mos shtoni as të pakësoni mbi sa keni parë këtu. Vendi ynë është një vend i vogël, po ka një histori të madhe me të cilën mburremi. Populli ynë është një popull i vogël, por ka një shpirt të madh. Ai ka luftuar shekuj me radhë kundër çdo okupatori, për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë e tij. Ai ka luftuar gjithnjë për liri e për demokraci, po kohërat ishin të ndryshme atëherë dhe, me gjithë gjakun që derdhte, nuk mund të përmbusheshin dëshirat e tij. Me gjithë mjerimet e mëdha që ka pasur ky popull, karakteristika e tij e veçantë është ajo që ai nuk u përkul kurrë. Dhe përpara kësaj tragjedie të madhe që përshkoi botën, populli shqiptar diti të mbajë anën e së drejtës. Ai u ngrit kundër fashizmit, se ai pa te fashizmi armikun e tij më të madh, i ndjeu konsekuencat më parë nga të gjithë popujt e Evropës dhe më parë nga të gjithë mori armët dhe luftoi. Gjendja ndërkombëtare ish akoma e errët kur ne u okupuam, por populli ynë nuk e humbi shpresën.
Që në prill 1939 ai filloi demostratat dhe grevat kundër okupatorit. Lufta jonë, përveç që ishte një luftë e shenjtë, ishte edhe e pabarabartë. Ne ishim pa armë dhe të deziluzionuar se regjimi i Zogut e kishte shtypur popullin. Por populli e mori veten përnjëherë dhe nëpërmjet grevash, demostratash dhe aksionesh në qytete, organizoi rezistencën e tij që u lidh me luftën e aleatëve të mëdhenj kundër të njëjtit armik. Besimi ynë ishte i madh, se, si aleatët tanë dhe ne ishim në një rrugë të drejtë dhe ishim të sigurtë se do të fitonim. Mjerimi dhe vuajtjet e popullit tonë ishin të mëdha. Çetat tona s’kishin armë, ishin të zhveshura, rrinin ditë të tëra pa bukë, po s’kalonte ditë që këto të mos e goditnin armikun. Në fillim ishim të izoluar, s’kishim ndihmë, se aleatët s’kishin mundësi të na ndihmonin, meqë të gjitha komunikacionet ishin të prera; po ne kishim bindje se këto ndihma nuk do të mungonin dhe dita-ditës lufta jonë merrte një hov më të madh. Vendi ynë i shkatërruar, fshatrat e djegura, shtëpitë e rrënuara, vrasjet në masë, gjaku i derdhur nga partizanët tanë, tregojnë kontributin që dha populli ynë për kauzën e përbashkët. Juve mund t’ju ketë qëlluar rasti të keni parë me sytë tuaj provat e kësaj përpjekjeje të madhe të popullit tonë të vogël. Oficerët sovjetikë, anglezë, amerikanë dhe jugosllavë që kanë qenë këtu dhe kanë parë përpjekjet tona, le të dëshmojnë si kemi luftuar ne pa komprpmis dhe gjer në fund kundër fashiz-mit. Oficerët aleatë kanë parë me sytë e tyre sa ka vuajtur e si ka luftuar populli ynë.
Populli ynë i hyri kësaj lufte të madhe për të shporrur okupatorin, për t’i dhënë kontributin e tij të vogël kauzës antifashiste dhe njëkohësisht për të vendosur në vendin e tij demokracinë. Ne kemi bindje se detyrën e përmbushëm. Vendi ynë ishhe një vend ku intrigat ishin të mëdha nga ana e atyre shteteve që donin ta skllavëronin e që për këtë gjë ndihmoheshin nga klikat tradhëtare të vendit. Kjo luftë i sqaroi pozitat. Ata që deshën lirinë dhe demokracinë luftuan me mish e me shpirt për këtë ditë. Kjo vepër që shohim sot është vepra e gjithë patriotëve shqiptarë, të grumbulluar në Frontin Demokratik, është vepra e të gjithë popullit shqiptar që s’kurseu gjë, po u dogj e u gjakos dhe ngriti lart flamurin e demokracisë. Sot ne shohim qartë, se populli shqiptar luftoi se e kish kuptuar që duhesh të siguronte një jetë më të lumtur. Këtë ai e tregoi dje në luftë, po e tregon edhe tani në paqe, me veprën e madhe të rindërtimit, e cila tregon se populli ynë ka një vitalitet të madh dhe është një popull që shkon përpara. Gjithë parazitët që e pengojnë në rrugën e tij ai i zhduk me luftë e me përpjekje. Në këtë luftë populli ynë pa qartë se cilët ishin ata shtete që luftuan për lirinë e tyre, për lirinë e njerëzimit dhe njëkohësisht na ndihmuan neve. Populli ynë bëri në motmot gjithshka për të zhdukur shkatërrimet e mëdha që la okupatori dhe për të përmirësuar gjendjen e tij ekonomike.
Mund të ketë këtu, midis jush, njerëz që e kanë ndjekur historinë e tridhjetë e tre vjetve të kaluar. Është e tepërt t’ju them se ç’ndryshim dhe ç’shpejtësi na kanë karakterizuar ne, në punë, në këto kohët e fundit. Në motmot punë u ndreqën rrugët, urat, centralet e elektrikut, uzinat, dhe u bënë të gjitha këto se vullneti ishte i madh, se populli e kishte marrë fatin e tij në dorë. Unë mendoj se këto gjëra që u bënë në vendin tonë brenda një moti, bëhen vetëm në ato vende ku ka demokraci dhe ku pushteti është në duart e popullit. Pushteti ynë bëri reforma. Ai bëri reformën agrare, e cila ishte ëndrra shekullore e katundarëve tanë. Katundari ynë ka vuajtur me shekuj për bukën e gojës, se shumica e tokës ishte në duart e dhjetë vetëve, që kanë qenë kurdoherë në radhën e parë të tradhëtisë dhe që kanë luajtur me fatin e atdheut dhe të bujqve shqiptarë. Në lëmin e kulturës janë bërë përparime të mëdha, bile edhe në zonat më të prapambetura. Dëshira për arësim ka qenë e madhe. Janë hapur 400 shkolla më tepër se në kohën e Zogut. Në këto shkolla fëmijëve u mësohet jo vetëm si ta duan atdheun, po dhe se atdheu shkon përpara, kur ata mësojnë mirë. Në lëmin politik lëvizja jonë edhe në momentet më të këqia është përpjekur të grumbullojë gjithë popullin në një front të përbashkët. Thirrjet e Frontit kanë qenë të pareshtura dhe ai ka arritur rezultate të shkëlqyera. Përveç një pakice, të gjithë e panë rrugën e drejtë, të gjithë e përqafuan politikën e Frontit, si në luftën pa kompromis kundër fashizmit, ashtu dhe në rindërtimin e vendit.
Populli shqiptar, pa sa e drejtë ishte politika e Frontit kundrejt aleatëve të mëdhenj. Fronti dhe populli luftuan ashpër gjithë ata që, të bashkuar me okupatorët fashistë, s’linin gjë pa thënë kundër aleatëve tanë. Dhe sot akoma ky popull po lufton kundër mbeturinave fashiste. Prova më e madhe për këtë ishte dita e 2 Dhjetorit. Populli ynë shkoi me një shumicë dërmuese të votojë për Frontin, për njerëzit që e udhëhoqën në luftë dhe te të cilët ai ka besim se do ta udhëheqin në lulëzimin e atdheut. Sipas rezultateve të para që kemi, rreth 90 % e zgjedhësve kanë votuar dhe afro 93 % e tyre votuan për Frontin. Ju e patë vetë si u bënë këto votime, sa lirisht dhe me sa qetësi të madhe u zhvilluan ato. Ata që pretendonin se këtu s’ka liri, se zgjedhjet do të bëheshin me dhunë, se votat do të falsifikoheshin dhe se votimet do të bëheshin nën presion e terror, u demaskuan dhe u dolën në shesh gënjeshtrat e tyre, ashtu siç u kanë dalë edhe më përpara. Në Shqipërinë e re as ka pasur, as ka, as do të ketë terror e shtërngim, se ne jemi kundër këtyre. Regjimi ynë është një regjim nga më demokratikët, nga më të përparuarit dhe ligjet tona, që dihen botërisht, janë model ligjesh të një demokracie të përparuar. Të drejtat e njeriut në vendin tonë janë të konsakruara me ligj. Të gjithë kanë të drejtën e fjalës, të mbledhjeve dhe të besimit. Prona private respektohet. Çdo gjë këtu bëhet me ligje dhe mbrohet nga ligji. Ata që thonë të kundërtën, gënjejnë dhe shpifin.
Në Shqipërinë e re po ngrihet një jetë e re për gjithë demokratët e ndershëm, për gjithë ata që punojnë drejt. Këtu s’kanë vend as fashistët, as profashistët, që përpiqen dhe kërkojnë të sjellin kohën e vjetër. Është pëshpëritur se këtu s’ka liri mbledhjeje, se opozita s’ka të drejtë të flasë, të grumbullohet, të nxjerrë gazetë, etj. Njerëzve, që kishin kredi e besim në popull, as ligjet, as pushteti dhe askush tjetër s’ua kishin ndaluar këtë të drejtë. Në qoftë se ka njeri që thotë se s’kanë pasur kohë t’i ushtrojnë këto të drejta, kjo nuk është e vërtetë, sepse këto të drejta janë shpallur qysh një vit përpara. Dhe, që atëhere e gjer më sot, qeverisë nuk i është bërë asnjë kërkesë në këtë drejtim. Për çështjen e zgjedhjeve ata patën dy muaj kohë. Po puna është se ata s’kanë as më të voglën kredi në popull; se ata kanë luftuar kundër popullit dhe, për këtë, nuk guxojnë të dalin në skenë. Këtë e tregojnë qartë rezultatet e zgjedhjeve. Populli shqiptar ka vendosur me plot bindje të shkojë përpara. Fjalëboshe të tilla nuk e ndalojnë punën e tij të drejtë e përparimtare. Megjithatë pushteti ynë kurrë nuk do të qëndrojë indiferent, por do të përpiqet t’i bëjë ta shohin edhe ata sa e qartë është këtu puna. Ai do të mundohet t’i sjellë në rrugën e drejtë. Pushteti ka dhënë kurdoherë prova për këtë gjë.
Përveç thirrjeve për bashkim, përveç amnistisë ditën e hyrjes në Tiranë, ai bëri prapë falje më 28 Nëntor. Kjo tregon shpirtin e madh të popullit tonë, i cili di të mbrojë vendin dhe të drejtat e fituara, po ka edhe mëshirë për njerëzit e mashtruar që njohin fajet e tyre. Punën tonë e kanë çmuar gjithë ata që duan të mirën e demokracisë dhe të vendit tonë. Mua më duket se vendi ynë, që ka luftuar kaq shumë, është ndihmuar më pak se të tjerët. Jo vetëm ato që kërkojmë, s’na vijnë të gjitha, po edhe kur na vijnë, mbërrijnë me vonesë të madhe. Shembull është çështja e automjeteve. Në vendet e tjera janë dërguar me dhjetëra mijë automobila, kurse këtu na kanë ardhur vetëm 60 kamjona. Po ne besojmë se kërkesat tona do të merren parasysh dhe gjendja do të ndryshojë. Populli ynë ka marrë ndihma nga Bashkimi Sovjetik dhe i është shumë mirënjohës. Vendi ynë, tepër i rrënuar, ka nevojë që këto ndihma të jenë të vazhdueshme. Kjo do të jetë vepër humanitare dhe solidariteti kundrejt popullit tonë, që ka qëndruar vjete të tëra besnik i luftës antifashiste dhe do të qëndrojë po ashtu edhe për paqen. Ka edhe gjëra të tjera ku aleatët duhet ta tregojnë me fakte miqësinë kundrejt nesh. Kjo është njohja e qeverisë. Gëzim i madh qe për popullin shqiptar, kur Bashkimi Sovjetik njohu qeverinë tonë. Edhe Jugosllavia Federative njohu qeverinë tonë. Kjo ka qenë një ditë e shënuar për ne, pse vinte nga një popull me të cilin jemi njohur që në ditët e para të luftës. Popujt e Jugosllavisë na nderojnë dhe na duan. Edhe ne gjithashtu i nderojmë dhe i duam.
Disa më kanë pyetur mbi marrdhënjet tona me Jugosllavinë. Këto marrdhënje janë miqësore dhe të sinqerta si me gjithë aleatët. Ne kemi bindje, se një miqësi e tillë është në të mirën e përgjithshme dhe në të mirën e paqes në Ballkan, prandaj populli shqiptar do ta ruajë këtë miqësi. Me popujt e tjerë ne jemi miq, si bie fjala me popullin bullgar. Për të, për trimërinë e tij, populli ynë ka pasur kurdoherë simpati dhe jemi të lumtur kur shohim që sot ai ecën në udhën e drejtë të demokracisë. Me popullin grek kemi luftuar së bashku kundër fashizmit dhe dëshirojmë të kemi relacione të mira me të. Mirëpo në lidhje me vendin tonë shumë gjëra të papëlqyera ndodhin sot në Greqi. Qeveritarët e Athinës dhe monarko-fashistët kërkojnë si e si të turbullojnë ujërat, të bëjnë kërkesa pa vend, që nuk shërbejnë veçse të prishin marrdhënjet që duhet të ishin miqësore pas kësaj lufte. Ata kërkojnë Shqipërinë e Jugut, kërkojnë atdheun tonë, kërkojnë të diskutohet çështja e Shqipërisë. Po ne e kemi thënë edhe herë tjetër, se nuk pranojmë të diskutohet çështja e Shqipërisë së Jugut, ose e tërësisë tokësore të atdheut tonë. Ne duam të rrojmë të qetë. Po ata që ngrenë çështje të tilla duan të prishin qetësinë. Ne do ta mbrojmë vendin. Kjo është e thjeshtë dhe e qartë.
Në lidhje me minoritetin. Ndryshe sillen në Greqi kundrejt minoritetit tonë atje, ndryshe sillemi ne kundrejt minoritetit grek në Shqipëri, i cili gëzon të gjitha liritë. Ne këtu kemi bindjen se me minoritetin jemi sjellë si jo më mirë. Minoritetit grek ne i kemi dhënë të gjitha liritë, shkollat, gjuhën, të drejtën e pjesëmarrjes në ushtri dhe në pushtet. Asnjë shtypje nuk bëhet nga ne. Përkundrazi ne i japim mundësinë të zhvillohet. Çështjen e shkëmbimit të tij ne s’e shtrojmë. Minoritetin grek që luftoi me ne dhe derdhi gjak për një qëllim, që i dhamë të gjitha të drejtat e liritë, që i dhamë tokën me anën e reformës agrare, nuk e zbojmë. Ne e konsiderojmë atë si pjesë të popullit tonë. Përkundrazi, minoriteti ynë në Greqi ka pësuar të gjitha të zezat. Grekët masakruan minoritarët shqiptarë, i vranë dhe i shndëruan, u muarrën tokën, shtëpitë e të tjera. Ata sot ndodhen këtu dhe ne i ndihmojmë që të mos vdesin urie. Ata kanë kërkuar dhe kërkojnë t’u kthejnë tokat dhe pasuritë e tyre. Neve na duket se kjo është drejtë dhe këtë duhet që autoritetet aleate ta shikojnë. Ata i kanë drejtuar një letër të hapët zotit Maklin’, po kjo nuk i ra në dorë. Ne kërkojmë që gjithë ato të drejta që u janë dhënë popujve të tjerë që luftuan fashizmin, t’i jepen edhe popullit tonë, se i meriton.
Ne që luftuam dhe u shkatërruam kërkojmë me të drejtë reparacione nga Italia dhe Gjermania. Kemi kërkuar të marrim pjesë në konferencat e Kombeve të Bashkuara. Ministri ynë fuqiplotë në Beograd shkoi në Paris dhe ne shpresojmë se aleatët do ta pranojnë. Kërkojmë të pranohemi në Komisionin Interaleat të Kontrollit, për Italinë, se ajo i ka shkaktuar vendit tonë dëmet më të mëdha. Kërkojmë mbi të gjitha të marrim pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, se kjo është një drejtë që e fituam me gjak, se ne e luftuam fashizmin krah për krah me aleatët dhe do të qëndrojmë besnikë gjer në fund për mbrojtjen e paqes. Ne kemi besim se ata do të na i pranojnë këto kërkesa. Nuk kam se ç’t’ju them gjë tjetër, veçse në popullin e vogël shqiptar, aleatët e mëdhenj duhet të shohin një popull me shpirt e ndjenja me të vërtetë demokratike. Populli ynë dhe qeveria e tij do të vënë të gjitha fuqitë për të forcuar miqësinë dhe besojmë se aleatët tanë, Bashkimi Sovjetik, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të na e kursejnë ndihmën e tyre. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016