Dashnor Kaloçi
Pjesa e tretë
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet fjala e Sekretarit të parë të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Enver Hoxhës, e mbajtur më 30 maj të vitit 1962 para zgjedhësve të tij të zonës elektorale nr. 179 në Tiranë ku ai kandidonte për deputet në Kuvendin Popullor, ku ai pasi foli për arritjet e Republikës Popullor të Shqipërisë nën udhëheqjen e PPSH-së, u ndal dhe bëri një ekspoze të rendit shoqëror dhe proçesit të zgjedhjeve në vendet kapitaliste, duke thënë se: “Atje ekzistojnë kufizime të shumta, si rezultat i të cilave miliona zgjedhës, në një mënyrë ose në një tjetër, përjashtohen nga pjesëmarrja në votime. Mbi zgjedhësit ushtrohet presion i gjithanshëm, zgjedhjet zhvillohen në kushtet e terrorit, mashtrimit, korruptimit, falsifikimit e të makinacioneve të shumëllojshme”, etj. E gjithë fjala e Enverit para zgjedhësve ku ai premtoi rritje rrogash për punëtorët, ndërtime rrugësh dhe investime në infrastrukturë, rritjen e mirqënies së popullit, etj.
“Kudo po ndërtohet me ritme të shpejta. Me dhjetëra mijëra shtëpi krejt të reja kanë ndërtuar kooperativistët, ata kanë meremetuar dhe kanë zbukuruar të vjetrat, e kudo me shumicë po ndërtojnë të reja, ndërtojnë shkolla, shtëpi kulture, klube, çerdhe e kopshte, po ndërtojnë jetën e kulturuar në fshatin tonë socialist. S’ka qendër pune ku të mos ndërtohen shtëpi banimi, s’ka qytet të madh ose të vogël, ku të mos ndërtohen shkolla, klube, spitale, çerdhe, kinema, teatro, stadiume. Ky ritëm ndërtimi çdo vit po shtohet. Qëllimi i Partisë dhe i Qeverisë është që qendrat e rretheve të bëhen qytete të socializmit ku punonjësit të kenë apartamentet e tyre, të kenë vendet e dëfrimit e të çlodhjes, të kenë shkollat, konviktet, kinematë e teatrot, t’i kenë rrugët të asfaltuara, parqet e sistemuara, që të pushojnë në mënyrë të kulturuar. Kush shikon tani Durrësin, Fierin, Lushnjën, Korçën, Shkodrën, Vlorën, Gjirokastrën, Elbasanin, Peshkopinë, për të mos i përmendur te gjitha, çdo gjë te ato ka ndryshuar aq sa nuk i njeh, janë zbukuruar”
Kështu u shpreh mes të tjerash Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të PPSH-së, Enver Hoxha, në fjalën e tij të mbajtur para zgjedhësve të zonës elektorale 179 në Tiranë, ku ai kandidonte për deputet në Kuvendin Popullor, ku pasi bëri një ekzpoze të arritjeve të mëdha në fusha të ndryshme të ekonomisë që kishte bërë deri në atë kohë Republika Popullore e Shqipërisë nën udhëheqjen e PPSH-së, u ndal dhe bëri premtime të shumta, për rritje rrogash për punëtorët, ndërtime rrugësh dhe investime në infrastrukturë, rritjen e mirqënies së popullit, etj., etj. Për më shumë rreth fjalës së Enver Hoxhës e mbajtur para zgjedhësve të tij të zonës elektorale 179 në Tiranë më 30 maj të vitit 1962, na njeh ky dokument arkivor që Memorie.al e publikon për herë të parë, (me disa shkurtime), duke filluar nga numri i sotëm.
Fjala e Enver Hoxhës para zgjedhësve të zonës elektorale nr.179 në Tiranë, më 30 maj 1962
Vetëm duke punuar, ne kemi arritur këto rezultate të mëdha, vetëm me punë do të arrijmë të korrim edhe rezultate akoma më të mëdha se në të kaluarën. Qëllimi më i lartë dhe detyra më e shenjte e Partisë dhe e shtetit tonë është ngritja sistematike dhe me ritme të shpejta e mirqënies së popullit. Këtij qëllimi e kësaj detyre u nënshtrohen te ne gjithë zhvillimi i ekonomisë dhe gjithë veprimtaria e Partisë dhe e shtetit tonë, të cilët nuk kanë interesa më të larta se interesat e popullit. Çdo gjë në vendin tonë bëhet vetëm në interes të popullit e për të mirën e tij. Epërsia e rendit socialist nuk qëndron aq në faktin se ai siguron ritme shumë të larta të zhvillimit të forcave prodhuese, sesa në faktin që ritmet e larta të zhvillimit të forcave prodhuese shoqërohen njëkohësisht me ngritjen sistematike të mirqënies, jo vetëm të një klase apo të një pjese të vogël të popullsisë, por të të gjithë punonjësve të qytetit e të fshatit. Si rezultat i zhvillimit të ekonomisë, rritjes së prodhimit industrial e bujqësor, niveli i jetesës së popullit tonë ka ndryshuar shumë në krahasim me të kaluarën. Çdo njeri i moshës së rritur është në gjendje të bëjë fare mirë krahasimin e së sotmes me të djeshmen.
Tani janë zhdukur një herë e përgjithmonë nga vatrat tona mjerimi, uria dhe papunësia, pasiguria për ditën e nesërme dhe puna e rënde prej skllavi për një copë bukë, fëmijët gjysmëlakuriq e kasollet prej kashte dhe shumë të këqija të tjera që shoqëronin dje jetën e njeriut tonë punonjës dhe që ishin pasojë e drejtpërdrejtë e sundimit të bejlerëve e të kapitalistëve dhe e grabitjes së vendit nga imperialistët e huaj. Njerëzit tanë sot rrojnë më mirë, jeta e tyre është bërë e po bëhet dita-ditës më e gëzuar e më e pasur, si nga pikëpamja materiale, ashtu edhe nga ajo shpirtërore. Të ardhurat kombëtare janë rritur nga viti në vit, është rritur gjithashtu paga reale e punëtorëve dhe e nënpunësve, janë rritur edhe të ardhurat e fshatarësisë. Shpenzimet e shtetit për masat social kulturore kanë qenë çdo vit më të mëdha. Herë pas here janë bërë ulje të çmimeve të mallrave të konsumit të gjerë, nga të cilat popullsia ka përfituar miliarda lekë në vit. Një punë e madhe është bërë sidomos për ndërtimin e banesave. Kudo, në të katër anët e atdheut tonë, në fshatra e në qytete, çdo vit ndërtohen me mijëra shtëpi të reja e apartamente banimi.
Me gjithë sukseset e mëdha që janë arritur në përmirësimin e nivelit të jetesës së popullit, ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se në këtë drejtim na mbetet akoma shumë për të bërë. Ne nuk mund dhe nuk duhet të kënaqemi me atë që kemi arritur, por duhet të shikojmë gjithnjë përpara. Tani kemi krijuar një bazë ekonomike të tillë, e cila na jep mundësi të shkojmë përpara me ritme më të shpejta. Dhe ne do të arrijmë suksese të reja, do të ecim edhe më shpejt përpara, të bindur se e ardhshmja do të jetë edhe më e lumtur, edhe më e gëzuar. Për këtë duhet të kryejmë me nder detyrat e mëdha që kemi për ndërtimin e bazës materialo-teknike të socializmit, për shtimin e prodhimit industrial e bujqësor, për rritjen e rendimentit të punës dhe uljen e kostos së prodhimit. Mbi këtë bazë, gjatë planit të tretë pesëvjeçar, do të ngrihet edhe më lart niveli i jetesës së popullit tonë. Kështu të ardhurat kombëtare, tri të katërtat e të cilave shkojnë drejtpërdrejt në dobi të punonjësve, do të rriten 56 për qind, paga reale e punëtorëve dhe e nëpunësve – 30 për qind dhe të ardhurat e fshatarësisë – 35 për qind.
Rritja e pagës reale do të behet si me anë të ngritjes së pagës nominale, sidomos të atyre kategorive të punonjësve që kanë paga të ulëta ashtu edhe nëpërmjet uljes së çmimeve të mallrave të konsumit të gjerë. Do të përmirësohen edhe më shumë kushtet e banimit, për të cilat do të shpenzohen 75 për qind më shumë mjete se në pesëvjeçarin e kaluar. Sipërfaqja e banimit që do të shtohet gjatë pesëvjeçarit të tretë, do të jetë sa për 5 qytete të reja si Vlora e sotme. Do të zgjerohen më tej rrjeti i tregtisë e I komunikacioneve, shërbimet komunale, elektrifikimi i qyteteve e sidomos i fshatrave. Kujdes i veçantë do të tregohet për ruajtjen dhe për forcimin e shëndetit të popullit, për zgjatjen e jetës së njerëzve tanë etj. Një revolucion i vërtetë është kryer në fushën e arsimit e të kulturës. Shqipëria është bërë një shkollë e madhe edukimi e mësimi. Arsimi e kultura janë përhapur në të katër anët e atdheut tonë, deri në skajet më të largëta, duke shpërndarë errësirën e padijen që trashëguam nga e kaluara e duke çuar kudo dritën e diturisë.
S’ka dyshim se zhvillimi i arsimit e i kulturës, nga pikëpamja e gjerësisë dhe e përhapjes së tyre në masat më të gjëra punonjëse, është një fitore e madhe. Por një rëndësi të veçantë ka fakti që arsimi, kultura, shkenca dhe arti në vendin tonë janë zhvilluar e zhvillohen në rrugë të drejtë, që ata kanë një përmbajtje të shëndoshe socialiste, përshkohen fund e krye nga idetë e marksizëm-leninizmit, janë vënë plotësisht në shërbim të popullit e të ndërtimit socialist. Ata janë ngritur tani në një nivel më të lartë. Në qendrat tona arsimore, shkencore e kulturore-artistike bëhet tani një punë më e kualifikuar. Kurse nga shkollat tona dalin kuadro më të pregatitur. Sukseset madhështore të popullit tonë në zhvillimin e ekonomisë dhe në gjithë sektorët e tjerë të jetës së vendit janë të pandara nga zhvillimi i arsimit e i kulturës dhe nga cilësia e punës së institucioneve të tyre përkatëse, sepse pa arsim, pa kulturë, as që mund të mendohet ndërtimi i veprave të mëdha të socializmit.
Shprehja më e qartë e revolucionit, që është kryer e po kryhet në fushën e kulturës e të ideologjisë, është lindja dhe formimi i njeriut të ri, i njeriut te shoqërisë sonë të re socialiste, në ndërgjegjen e të cilit po rrënjosen çdo ditë e më thellë botëkuptimi marksist-leninist, normat e moralit komunist, idealet e larta të socializmit e të komunizmit. Socializmi i çliron njerëzit nga shtypja shpirtërore e ideologjisë borgjeze, nga normat e moralit borgjez, sipas të cilit “njeriu për njeriun është ujk”, nga psikologjia individualiste e egoiste borgjeze. Figura e lartë morale e njeriut tonë të ri, ndërtues i socializmit, shprehet në qëndrimin e tij socialist ndaj punës dhe jetës, ndaj shoqërisë dhe shtetit, ndaj popullit dhe atdheut. Pikërisht ky qëndrim është bërë tani kriteri bazë për të gjykuar mbi njerëzit në shoqërinë tonë të re. Tiparet e reja morale të njeriut tonë të ri duken tani në çdo hap të jetës sonë, ato janë mishëruar sidomos te njerëzit tanë të pararojës, te heronjtë e punës socialiste, te novatorët e racionalizatorët e prodhimit, te iniciatorët e lëvizjeve të ndryshme patriotike.
Shprehjen më të koncentruar figura e re morale e njerëzve tanë ndërtues të socializmit e ka gjetur në lëvizjen e brigadave të punës socialiste, në flamurin e të cilave është shkruar parulla me një kuptim shumë të thellë: “Të punojmë, të mësojmë dhe të jetojmë në mënyrë socialiste”. Ndërtimi i plotë i shoqërisë socialiste kërkon njerëz me ndërgjegje të qartë socialiste, njerëz të zotë, me kulturë e dije të thella, kërkon njerëz që të zotërojnë shkencën e teknikën. Për këtë qëllim Kongresi i 4-t i Partisë shtroi detyra të mëdha për forcimin e punës ideologjike të Partisë, për pregatitjen e kuadrove për zhvillimin e arsimit e të shkencës, të artit dhe të kulturës. Kryerja me sukses e këtyre detyrave ka një rëndësi të madhe për kryerjen e revolucionit kulturor. Në vitin 1965 ne do të kemi 9.700 kuadro të lartë, nga rreth 5.500 që kemi sot, dhe 35.100 kuadro të mesëm, nga 20.000 që kemi sot. Një zhvillim të madh do marrë arsimi popullor, sidomos ai 7-vjeçar e më vonë 8-vjeçar, i cili në dhjetë vjetët e ardhshëm do të bëhet i përgjithshëm e i detyrueshëm. Më 1965 gati një e katërta e popullsisë së vendit do të ndjekë shkollat e kategorive të ndryshme. Vetëm në shkollat e larta numri i studentëve më 1965 do të arrijë në 7 000, pa përfshirë këtu studentët e natës e me korrespondencë.
Në këtë mënyrë vendi ynë do të bëhet në të ardhshmen jo vetëm një vend i zhvilluar nga pikëpamja ekonomike, me industri moderne e bujqësi të mekanizuar, por edhe një vend i përparuar nga pikëpamja kulturore, me arsim, shkencë e art të zhvilluar, me një jetë kulturore të pasur. Ndryshimet e mëdha që janë bërë në jetën e vendit dhe të popullit tonë, sukseset madhështore që janë arritur në zhvillimin e ekonomisë dhe të kulturës sonë kombëtare, reflektohen si në pasqyrë në jetën e kryeqytetit tonë dhe të banorëve të tij. Tirana jonë është bërë sot një qendër e madhe industriale, ekonomike e kulturore. Vendin e prodhimit të vogël zejtar dhe të disa punishteve e fabrikave të vogla e primitive që ekzistonin më parë, e kanë zënë prodhimi i madh industrial, kombinatet, uzinat e fabrikat moderne. Në Tiranë shtrihet një rrjet i gjerë shkollash dhe institucionesh kulturore-artistike. Gati në çdo 3-4 vetë njeri mëson në shkollë. Vetëm studentë të rregullt të ditës të shkollave të larta ka gati aq sa kishte nxënës në të gjitha shkollat e Tiranës më 1938.
Qyteti i Tiranës ka sot 60 për qind më shumë mjekë nga sa kishte gjithë Shqipëria më 1938 dhe një numër të konsiderueshëm institucionesh shëndetësore. Tirana është rregulluar e është zbukuruar me kopshte e parqe, me rrugë të reja e të asfaltuara, me ndërtesa e pallate madhështore. Perspektiva të shkëlqyera i hapen kryeqytetit tonë. Prodhimi industrial i qytetit të Tiranës më 1965 do të rritet 62 për qind kundrejt vitit 1960, ose 34 herë më shumë në krahasim me atë të vitit 1938. Gjatë pesëvjeçarit të tretë në Tiranë do të ndërtohen mjaft objekte të reja industriale e social-kulturore. Madhështor do të ngrihet Pallati i Kulturës. Do të ndërtohen 5.200 apartamente banimi, në të cilat do të strehohen 30.000 vetë, gati aq banorë sa kishte Tirana disa vjet para luftës. Në bazë të planit rregullues të aprovuar nga Qeveria për një periudhë 15-vjeçare, Tirana jonë do të bëhet me të vërtetë një qytet modern, me rrugë të bukura e pallate madhështore, me kopshte e lulishte të shumta, me një jetë kulturore të zhvilluar. Një perspektivë e tillë është hapur me kohë kudo në vendin tonë në qytete e në fshatra.
Kudo po ndërtohet me ritme të shpejta. Me dhjetëra mijëra shtëpi krejt të reja kanë ndërtuar kooperativistët, ata kanë meremetuar dhe kanë zbukuruar të vjetrat, e kudo me shumicë po ndërtojnë të reja, ndërtojnë shkolla, shtëpi kulture, klube, çerdhe e kopshte, po ndërtojnë jetën e kulturuar në fshatin tonë socialist. S’ka qendër pune ku të mos ndërtohen shtëpi banimi, s’ka qytet të madh ose të vogël, ku të mos ndërtohen shkolla, klube, spitale, çerdhe, kinema, teatro, stadiume. Ky ritëm ndërtimi çdo vit po shtohet. Qëllimi i Partisë dhe i Qeverisë është që qendrat e rretheve të bëhen qytete të socializmit ku punonjësit të kenë apartamentet e tyre, te kenë vendet e dëfrimit e te çlodhjes, të kenë shkollat, konviktet, kinematë e teatrot, t’i kenë rrugët të asfaltuara, parqet të sistemuara, që të pushojnë në mënyrë te kulturuar. Kush shikon tani Durrësin, Fierin, Lushnjën, Korçën, Shkodrën, Vlorën, Gjirokastrën, Elbasanin, Peshkopinë, për të mos i përmendur të gjitha, çdo gjë te ato ka ndryshuar aq sa nuk i njeh, janë zbukuruar. Duhet të arrijmë që njerëzit të shkojnë me gjithë qejf të punojnë në çdo vend, dhe të kërkojnë vetë me insistim të shkojnë të punojnë në rrethe.
Fakt është se që tani, me këto ndryshime të mëdha që janë bërë, shumë kërkojnë transferim në bazë, në rreth, në kooperativë. Rrethet, lokalitetet, kooperativat tani i sulmojnë, dhe në vitet e ardhshme, do të shkojnë një numër më i madh kuadrosh stabël, si mësues, agronomë, mjekë etj. Jeta kërkon ndryshime dhe kultura po përhapet me shpejtësi. Tani për të mos folur për të tjerat, më se 10.000 vajza te reja kanë mbaruar shkollat 7-vjeçare dhe punojnë në kooperativa; punëtorë të rinj në fabrika rrallë gjen pa shkollë 7-vjeçare. Prandaj prej ndërtuesve, arkitektëve tanë që ndërtojnë e zbukurojnë qytetet me godina, me shkolla, me muze, me skulptura etj., kërkohet një punë plot gusto e shije artistike, që të përfaqësojë socializmin dhe zhvillimin e artit tonë kombëtar, çdo gjë që del prej duarve dhe frymëzimit të tyre, të kënaqë masat, të shprehë bukurinë, dëshirat e popullit, çdo gjë të ketë karakterin definitiv, dhe ajo që ndërtojmë sot t’i pëlqejë jo vetëm brezit tonë, por të mos na kritikojnë shumë edhe brezat e ardhshëm, që do të kenë gusto dhe kulturë më të madhe se tonën. Të tilla janë, në vija shumë të përgjithshme, sukseset tona dhe perspektivat e shkëlqyera që i hapen vendit tonë. Të ardhmen tonë ne e shohim në planet madhështore të Partisë dhe të shtetit tone.
Këto plane nuk janë aspak ëndërrime e fantazira, siç kanë shpifur e shpifin armiqtë tanë. Planet dhe perspektivat tona janë të bazuara në studime te thella, ato mbështeten në mundësitë tona reale, në forcën e ekonomisë sonë, në burimet e pasuritë e vendit tonë, në punën krijuese të popullit tonë, në aftësitë drejtuese të kuadrove tanë dhe në ndihmën internacionaliste e vëllazërore të miqve tanë. Planet tona nuk janë premtime boshe, siç bëjnë kandidatët për deputetë në vendet kapitaliste, për të mashtruar zgjedhësit e për të marrë votat e tyre. Planet tona mbështeten në ligjet e zhvillimit ekonomik të shoqërisë sonë dhe janë të garantuara materialisht. Ato shprehin dëshirat e aspiratat popullit tonë dhe realizohen në jetë. Partia dhe Qeveria jonë nuk i kanë ndarë dhe nuk i ndajnë kurrë fjalët nga veprat. Te ne zbatohet plotësisht parrulla: “Ç’thotë Partia bën populli dhe ç’do populli bën Partia”. Të dashur shokë dhe shoqe, Populli ynë, ndonëse është një popull i vogël, e ka mendimin dhe pikëpamjet e veta në problemet ndërkombëtarë që preokupojnë njerëzimin. Populli shqiptar ka të drejtë të rrojë i lirë, indipendent, sovran me të gjitha të drejtat që gëzon çdo popull dhe çdo shtet, i madh ose i vogël qoftë ky./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016