Evald SERREQI
Lëvizja për Ndryshim
Ditët e fundit jemi bërë dëshmitar të një ftese të z. Rama, për z. Basha duke ftuar këtë të fundit në një marrëveshje para e pas-elektorale politike (PS-PD). Nuk është hera e parë. Në fillim mu duk e çuditshme, aq më tepër kur PS shihet e avantazhuar në mënyrë të padrejtë në këto zgjedhje. Falë kodit të ri elektoral të ndryshuar lehtësisht në favorin e saj falë edhe vendimeve të gabuara të mëpërparshme të opozitës së bashkuar (PD-LSI) ajo mund të krijojë një shumicë edhe pa patur shumicën e votës popullore. Situata të tilla nuk janë aspak premtuese, madje në horizont parashikoj një tension të ri politik në vend. Për ta shmangur një gjë të tillë fillova menjëherë të mendoj se çfarë e mire do t’i vinte Shqipërisë (e jo Partisë) nga një marrëveshje e tillë bashkëpunimi që jo domosdoshmërisht duhet të shkojë në bashkëqeverisje.
E di që shumëkush e ka të vështirë ta imagjinojë një pakt të tillë, i ndikuar nga mënyra brutale e të bërit politikë prej afro 30 vitesh në vend. Të gjithë jemi dëshmitar i disa marrëveshjeve PS-PD si ajo e vitit 1991, 1997 apo 2017. Pavarësisht qef mbetjeve, Shqipëria “diçka ka fituar”. Ka fituar një farë stabiliteti të përkohshëm. Duhet theksuar se të gjitha këto marrëveshje, sidomos ajo e 2017, ishte e nevojshme pas acarimit të situatës politike nga vetë forcat e vjetra politike. Dhe akoma më e rëndësishme, ato shërbyen për të futur vendin në një qetësi para-elektorale, dhe përfunduan direkt pasi forca fituese u orientua e uritur drejt pushtetit. Akoma edhe kësaj ditë ajo marrëveshje nuk është bërë transparente dhe kjo për faj të protagonistëve. Nëse do të kishte transparencë, e cila në konceptin tim për politikën është detyrues në favor të interesit të votuesit, jam i sigurt që edhe ky i fundit do të ndëshkonte më fort me votë prishësin/t e saj nëse ka qenë në favor plotësisht të interest të publikut! Heshtja kompromenton protagonistët!
Nëse shikoni programet e dy partive kryesore PS-PD, do të dalloni qartë që prioritetet e tyre nuk kanë dallime të theksuara.
Të dyja janë të interesuara në hapjen sa më shpejtë të negociatave me BE-në si dhe në përfundimin e Reformës në Drejtësi.
Të dyja janë të shqetësuara për përballimin e krizës së shkaktuar prej termetit e pandemisë Covid-19. Të dyja janë të frikësuara prej një rikthimi të mundshëm të fatkeqsive të tilla, të cilat do t’i impononin çdo qeverie një ndryshim kursi prioritetesh në punën e saj të përditshme.
Jam i sigurt që të dyja , duan që projekti i rindërtimit të mos përfundojë vetëm për shtëpitë e prishura, por të vazhdojë edhe me ndërtesat që e përballuan këtë fatkeqsi por që treguan qartë se janë në rrezik shëmbje, duke shmangur një tragjedi tjetër të mundshme. Zona të tëra urbane kërkojnë kontroll, zhvendosje e rikonceptim, në shërbim të sigurisë së jetës së qytetarit të thjeshtë, si dhe efikasitetit ekonomik të investimeve publike. Të gjithë politikës shqiptare fatkeqsitë natyrore në fjalë i kanë dhënë një leksion shumë herë më të madh se të gjithë proçeset zgjedhore ndër vite. Përballimi i një rikthimi të mundshëm të pandemisë do të ishte më i lehtë në kushtet e një bashkëpunimi midis palëve. Nëse nuk e kanë këtë vizion nuk meritojnë të votohen.
Edhe pse të dyja e kanë përmendur ndër vite në mënyrë demagogjike çështjen e pronës e të përndjekurve politikë e kanë kuptuar që ndaj tyre duhet mbajtur një qëndrim NDRYSHE të paktën për dy arsye.
Çështja e sigurisë juridike të pronës është parakusht për të arritur një klimë të qetë social-politike dhe ekonomike në vend, klimë e cila do të frymëzonte investitorët vendas e të huaj të investonin në Shqipëri. Vetëm këto investime do të ndihmonin një rritje të qëndrueshme ekonomike si dhe do mundësonin një ulje reale papunësie.
Trajtimi dinjitoz i çështjes së të përndjekurve të regjimit komunist që nga viti i largët 1944 është detyrim moral i shtetit shqiptar. Koha e tregoi që ata martirë kishin të drejtë. Shqipëria i takon BE-së e Perëndimit! Përfundimi një orë e më parë i çështjeve ekonomike të tyre, do të ndihmonte në atë që është edhe më e rëndësishme për shoqërinë. Qetësimin e tensioneve shoqërore si dhe kalimin në histori të përjetësimit të veprës dhe sakrificës së tyre. Hap ky, që do të vendoste një drejtësi në vend, duke ndihmuar çdo të ri shqiptar të orientohet drejt një rruge të moralshme për të jetuar në Shqipëri. Të paktën tek unë ka funksionuar kështu.
Një bashkëpunim i mundshëm para dhe pas-elektoral do të krijonte kushtet e krijimit të një administrate të depolitizuar e cila do t’i rrisë dinjitetin Shtetit Shqiptar. Do ishte më e lehtë përmirësimi i cilësisë së arsimit dhe shëndetësisë, si dy shërbime bazë të jetës së një familje shqiptare.
Nëse këto dy forca do ishin të sinqerta në angazhimet e tyre do ta kishin shumë më të lehtë nxjerrjen përfundimtare jashtë roli të krimit të organizuar në vend në rast se bashkëpunonin.
Tani rikthehemi për një moment tek propozimi i z. Rama. Është e pakuptimtë mungesa e transparencës së tij në lidhje më marrëveshjen. Më kujton 2017. Kësaj radhe si votues por edhe si garues, kërkoj transparencë të plotë të marrëveshjes së ofruar nga ky i fundit për z. Basha. E vetmja gjë e bërë publike ishte distancimi i z. Basha nga lidershipet e vjetra të PD e LSI. Në të njëjtën kohë mu duk shumë i çuditshëm refuzimi i menjëhershëm i z. Basha, i cili nëse do të kishte guxim të negocionte publikisht, në kushtet ë një sinergjie mund t’i kërkonte shtimin nga ana e tij kësaj marrëveshje të kushtit të largimit të z. Rama nëse ky i fundit nuk arrin 71 mandate. E diskutimi mund të vazhdonte me kushtin e vetëm të ishte transparent për votuesit. Në kushtet e një marrëveshje para dhe pas-elektorale çdo fitues do të ishte komod (kujtojmë se të dy pretendojnë të jenë fitues). Rezultati do të njihej gjerësisht e tensioni politik do të rrinte i shuar. Në këtë vijë logjike unë do kërkoja t’i shtoja kësaj marrëveshje edhe largimin e z. Basha nëse nuk do arrinte të merrte 71 mandate duke realizuar një pastrim të plotë të elitës politike në vend. Për të realizuar këtë pastrim i kemi ofruar votuesit Lëvizjen për Ndryshim si një mundësi poli të tretë politik!
Arritja e një marrëveshje të tillë afatgjatë duke u bërë publike, do të ishte në kontrollin e vazhdueshëm të votuesit shqiptar. Për ta arritur një mirëfunksionim të saj, ne Lëvizja për Ndryshim do ishim të gatshëm të bënim një opozitë të fortë në mbrojtje të interesit publik. Për të realizuar një gjë të tillë, i kemi ofruar votuesit shqiptar një listë kandidatësh të ri, të mirarsimuar, të realizuar në jetën e tyre profesionale e private, të pa korruptuar. Për t’i dhënë forcë deputetëve tanë, po aplikojmë në mënyrë vullnetare, meqë ligji nuk na e mundësoi, listën 100% të hapur si dhe po realizojmë fushatën më të varfër të mundshme, duke mos u mar peng e interesave të errëta ekonomike.
Do isha i gatshëm të mbështesja një marrëveshje të gjerë politike, nëse do ishte plotësisht transparente e në vijën e lartpërmendur logjike. Jam i gatshëm të rreshtohem në opozitë në mbrojtje të saj! Për ta imponuar dhe garantuar këtë zgjidhje, votuesi shqiptar nuk duhet të tregohet indiferent. Ai nuk ka pse të bëj gabimin e vitit 2017. Ai mundet dhe duhet të votojë masivisht nr 11, Lëvizjen për Ndryshim. Duke bërë këtë ai detyron realizimin e marrëveshjeve të gjëra, duke çliruar njëherë e mirë politikën nga simbioza me krimin dhe korrupsionin. Ky është NDRYSHIM! Një bashkëpunim i gjerë do të ndryshonte imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë e do të përshpejtonte rezultatet drejt hapjes së negociatave me BE-në si dhe do të përshpejtonte Reformën në Drejtësi, proçeset e të cilës tentohen vazhdimisht të frenohen nga ato që i tremben thellimit të saj. Të qenurit bashkë do të siguronte një përfaqësim më dinjitoz edhe në marrëveshjet rajonale. Një marrëveshje e gjerë do të rriste interesin e investitorëve të huaj në Shqipëri e mund të haptë komplet një kapitull të ri politik bërje në vend! Ky është NDRYSHIM. Polarizimi politik, do të ulet ndjeshëm e në një farë mënyre do shuhej lënia jashtë mundësive të barabarta që duhet të ofrojë shteti, për shkak të përkatësisë politike. Ky është NDRYSHIM. Bërja plotësisht transparente e këtij bashkëpunimi do të rikthente ndjeshëm interesin e votuesit tek politika. Në fund të fundit zgjedhjet lokale do të vijnë shumë shpejt e do të ishin një test i mirë i realizimit apo refuzimit të një bashkëpunimi të tillë. Degjenerimi i mundshëm rrugës, në ndarje të ulta përfitimi ekonomik e politik i kësaj marrëveshje si në vitin 2017, tashmë do të ishte nën kontrollin e një Drejtësie të Reformuar, nën kontrollin e votuesit që kërkon paraprakisht transparencë të plotë të saj, si dhe nga Opozita e Re.
Çdokujt që ka frikë nga këto reforma, i kujtoj se fati, e ardhmja, jeta, prosperiteti dhe qetësia e një populli të tërë është shumë më e rëndësishme se interesat e tij personale apo Familjare! Shkoni të votoni… Votoni 11! Vetëm kështu Rotacioni merr vlerën e NDRYSHIMIT!